“Patetike” do të ishte epiteti që do të cilësonte ligjërimet me të cilët lakohet fjala NATO në gojën e klasës sonë politike. Ndryshe mund të themi se “na mallëngjyen” me përkushtimin dhe devotshmërinë e tyre ndaj aleancës euroatlantike. Personalisht, duke parë sesi ajo u përdor nga mazhoranca deri për të mbytur zërat e protestës për tragjedinë e Gërdecit, por edhe sesi opozita, gjoja në emër të kësaj “ngjarjeje historike”, na mblodhi ambasadorët e NATO-s për t’u thënë se sa e lumtur do të jetë ajo sikur ne të marrim ftesën për Bukuresht, më erdhi të perifrazoj thënien e famshme: “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave” e të them: “NATO-ja është streha e fundit e horrave”.
Sepse e gjithë kjo zhurmë për “suksesin” e hyrjes në NATO mban erën e një propagande shumë të ngjashme me atë që bëhej në kohën e komunizmit për vëllanë e madh sovjetik, kampin e lavdishëm socialist, Traktatin e fuqishëm të Varshavës, mikun e madh kinez. Mban erën e asaj shpëlarjeje trush që u bëhej shqiptarëve asokohe, me mite e ideologji, që në fakt i shërbenin vetëm pushtetit të një nomenklature, që vetëm për Shqipërinë e për shqiptarët nuk mendonte e që, për fat të keq, po ripërdoret si metodë edhe nga trashëgimtarët e sotëm të asaj nomenklature.
Në fakt, realiteti është shumë më prozaik: Shqipëria nuk po hyn në NATO si rezultat i ndonjë suksesi të saj të brendshëm politik, as si rezultat i ndonjë përparimi për sa i përket realizimit të standardeve ushtarake që kërkon hyrja në NATO. Gërdeci ishte treguesi më katastrofik i faktit se jemi larg, shumë larg një vendi normal dhe po aq, larg qoftë, për sa i përket sigurisë së brendshme, qoftë ofrimit të sigurisë për të tjerët. Shqipëria po hyn në NATO si rezultat interesash gjeopolitike që i tejkalojnë realitetet e brendshme shqiptare. Shqipëria po hyn në NATO, sepse konsiderohet si një zonë proeuroatlantike, në një kohë kur po shfaqen hijet e një lufte të ftohtë me ringritjen e Rusisë, si një fuqi që nuk është më si në kohën e Jelcinit. Edhe mbështetja e pavarësisë së Kosovës lidhet kryesisht me këtë gjeopolitikë. Edhe ngulmimi i ambasadorit amerikan që opozita dhe mazhoranca të jenë bashkë në këtë çështje, sipas meje, ka të bëjë më shumë me interesa amerikane, sesa shqiptare. Madje, kjo mbështetje e Bushit, edhe pas Gërdecit, tregon se sa pak u interesojnë amerikanëve punët e brendshme të vendeve që janë në favor të projekteve të tyre të jashtme. Mjafton për këtë të hedhësh sytë në politikat e tyre ndaj vendeve arabe që i konsiderojnë aleate, edhe kur ato sundohen nga regjime super të korruptuar dhe aspak demokratikë.
Duhet të themi gjithashtu, se kjo është një gjeopolitikë që lidhet fort me strategjitë e djathta konservative amerikane, që më shumë i mëshojnë rrezikut të ndeshjes së qytetërimeve, botës njëpolare, sesa politikave progresiste për paqe dhe harmoni në një botë multipolare. Si e tillë, pra, nuk është aspak për t’u mistifikuar hyrja në një aleancë ushtarake, përkundrazi duhet parë si e mbartur me mjaft kontradikta lidhur me vizionin e botës që duam të ndërtojmë, që meritojnë një vështrim kritik. Por gjithsesi, edhe nëse do të pohojmë se interesat amerikane në këtë rast duket se përputhen, në tërësi, me kahen e interesave të Shqiptarëve, duhet thënë megjithatë, se nuk është aspak për t’u festuar hyrja në një aleancë ushtarake, cilado qoftë ajo, sepse një gjë e tillë presupozon shpenzime për luftë, armatime, armiqësi, kërcënime, vdekje. Iraku është shembulli më tragjik i kësaj. Prandaj, ditë për t’u festuar do të ishin dita e zhdukjes së aleancave ushtarake kudo qofshin në botë dhe jo ditët e hyrjes në aleanca ushtarake. Këto ditë mund të pranohet, shumë-shumë pa zhurmë, si një e keqe e domosdoshme.
Së dyti, duhet bërë e qartë se me hyrjen në NATO nuk do të ndodhë ndonjë mrekulli në Shqipëri, sikurse po tentohet të shpëlahen trutë e shqiptarëve, duke mos e diskutuar fare, por vetëm duke e glorifikuar hyrjen. Ata të pakët që japin argumente konkrete për të mirën e kësaj hyrjeje i mëshojnë shumë idesë se, duke hyrë në një zonë sigurie, kjo do të sillte investitorët. Mirëpo nuk është kështu. Nuk do shumë mend se investitorët e huaj nuk shohin qenien në NATO për të rrezikuar të hollat e tyre në Shqipëri. Po të ishte kështu, ata nuk do të shkonin në Kinë edhe as në Rusi apo Indi. Ky është një blof i madh që, për fat të keq, nuk e thotë askush, ashtu sikurse askush nuk vë në dukje se sa do t’i kushtojë popullit të varfër shqiptar hyrja në NATO, sesa shkolla apo spitale do të mund të ndërtoheshin me ato pare që do të shkojnë për NATO-n. Madje edhe lidhur me sigurinë, duke parë ndryshimet galopante që po ndodhin në botë, vështirë se mund të thuash se, duke hyrë në NATO, ke hyrë në një zonë sigurie.
Shqiptarët nuk janë kundra hyrjes në NATO sigurisht. Kjo edhe duke pasur parasysh konformizmin dhe provincializmin tonë proverbial. Mjaft të shohësh se edhe Nexhmie Hoxha, që nuk ka mohuar veprën e të shoqit, sipas “Financial Times”, është megjithatë për hyrjen në NATO. Por është e rëndësishme të vihet në dukje, edhe ambasadorit amerikan, se shqiptarët e thjeshtë, d.m.th. shumica në të vërtetë, jo vetëm nuk kanë të njëjtin ekzaltim që kanë politikanët tanë për hyrjen në NATO, por janë edhe shumë indiferentë ndaj hyrjes dhe ironikë ndaj patetikës së politikanëve. Kjo jo vetëm, pasi shqetësimet e tyre janë krejtësisht të tjera nga ato të hyrjes në një organizatë ushtarake, por mbi të gjitha, edhe sepse shohin se retorika e suksesit të hyrjes në NATO po instrumentalizohet për të mbuluar bëmat e një klase politike që gjatë 17 vjetëve e ka çuar këtë vend nga tragjedia në tragjedi dhe nga dështimi në dështim. (Korrieri, 30 mars)
Sunday, March 30, 2008
Patetika e NATO-s dhe shqiptarët e thjeshtë
Saturday, March 22, 2008
Partitë e delijorgjëve dhe partitë që mungojnë
Në komentet e tragjedisë së Gërdecit u tha shpesh në ditët e para dhe po përsëritet edhe në debatet parlamentare këshilla “Mos e politizoni!”. Ishte një thirrje që i drejtohej nga mazhoranca përgjithësisht, por edhe nga gazetarë të ndryshëm, opozitës më së shumti, por edhe nga mediat. Dhe në ditët e para ato kështu bënë: e trajtuan ngjarjen sikur të bëhej fjalë për ndonjë fatkeqësi natyrore, nga ato që i tejkalojnë mundësitë dhe përgjegjësitë njerëzore. Rrahja e shpatullave të Berishës nga Edi Rama në shenjë solidariteti në fatkeqësi, ishte gjesti më kuptimplotë i këtij qëndrimi. Ndoshta ndikoi për këtë edhe lajmi i rremë, që nuk di a u përhap qëllimisht apo nga padija, sikur bëhej fjalë për vetëshpërthimin e municioneve të kohës së Enver Hoxhës në tunele/depo të vjetra të hapura qysh prej asaj kohe, dhe jo për shpërthimin e një fabrike çmontimi municionesh të vendosur vetëm disa muaj më parë në mes të një zone të banuar.
Por edhe duke thënë “Mos e politizoni!”, nuk bëjmë gjë tjetër, veçse politikë. Por një politikë të gabuar, sipas mendimit tim. Sepse ngjarja e Gërdecit duhet politizuar dhe fort madje, por jo në kuptimin që i jepet sot kësaj shprehjeje, si instrumentalizim i rastit për të marrë pushtetin. Të instrumentalizosh Gërdecin do të thotë të bësh përsëri politikë të keqe, njëlloj si trajtimi si një ngjarje natyrore, e të përgatitësh Gërdeca të rinj. Tashmë jemi të neveritur me politikanë që instrumentalizojnë gabimet e fajet e rënda të kundërshtarit për të marrë pushtetin dhe pastaj i thellojnë ato. Kështu bënë socialistët, pasi morën pushtetin në 97-ën, kështu bëri edhe PD-ja, pasi mori pushtetin më 2005-ën. Prandaj tragjedia e Gërdecit, nëse vërtet duam të nxjerrim mësim prej saj, duhet politizuar, jo instrumentalizuar. Le të shpjegohem.
Së pari, tragjedia e Gërdecit duhet të politizohet në kuptimin e ndërgjegjësimit për nevojën urgjente të ndryshimit të moralit të shoqërisë në përgjithësi dhe politikës në veçanti. “Kush e ndan moralin nga politika, nuk kupton asgjë nga të dyja”, - thotë Rusoi. Ashtu siç ndodh në tragjeditë e dramat e autorëve të mëdhenj, qoftë të antikitetit, qoftë modernë, Gërdeci është një ngjarje nga ato që i shtyn si aktorët, ashtu edhe spektatorët në një reflektim të thellë për aktet e tyre të mira apo të këqija, për shtysat e brendshme të këtyre akteve dhe për pasojat e atyre akteve gjithashtu. Ajo është nga ato tragjedi pra, që me tronditjen që krijojnë, shërbejnë për katarsis të shoqërisë. Ajo duhet të ndërgjegjësojë politikanët, shoqërinë civile, biznesmenët, qytetarët e thjeshtë, gazetarët, prokurorët, gjykatësit, të gjithë aktorët dhe spektatorët e kësaj drame, për atë që, dashur ose padashur, nga naiviteti apo nga babëzia, nga kriminaliteti apo papërgjegjshmëria, nga injoranca apo nga djallëzia, kanë ndërtuar si sistem të vlerave morale. Dhe jo vetëm kaq. Gërdeci duhet të bëhet pikë ngjizjeje e lëvizjeve të reja, në mbrojtje të të drejtave themelore të të gjithë njerëzve që jetojnë në shoqërinë tonë. Në historinë e njerëzimit, veçanërisht në kohët moderne, kemi shumë raste kur tragjeditë kanë shërbyer si moment ndërgjegjësimi për atë që njerëzit kanë gatuar me duart e tyre apo për çlirim nga kondicioni ku ata ndodhen. Meqenëse jemi në muajin mars, po sjell vetëm një shembull: dita e famshme e 8 Marsit, si ditë e lëvizjes për çlirimin e gruas, ka lindur pikërisht nga një tragjedi: ajo e djegies së disa grave në një fabrikë, ku shfrytëzoheshin në mënyrë çnjerëzore.
Së dyti, Gërdeci duhet politizuar në aspektin politik: të ndryshimit të shtetit që kemi ndërtuar. Ka një prirje nga disa komentatorë për ta veçuar tragjedinë nga tërësia e kontekstit ku ka ndodhur. Për ta parë atë sikur të bëhet fjalë për një helmim e për gjetjen e shkaktarëve të këtij helmimi. Në fakt, nuk kemi të bëjmë me një helmim, kemi të bëjmë vetëm me njërën nga simptomat më virulente të gangrenës që na ka pushtuar tërë trupin. Gërdeci duhet të jetë momenti i ndërgjegjësimit jo thjesht racional, por edhe emocional, se ne kemi ndërtuar shtetin e Delijorgjëve dhe se ku na çon shteti i Delijorgjëve. Sot të gjithë pyesim: si mund të flinte i qetë Delijorgji dhe ata politikanë që kanë kontraktuar me të, ndërkohë që ishin në dijeni se paratë që fitonin e shpenzonin me salltanete e lukse, apo për të ndërtuar vila, u vinin nga puna prej skllavi e atyre njerëzve në Gërdec? Dhe çfarë pune, jo thjesht dhe vetëm e mundimshme fizikisht, por një punë që, nga çasti në çast, mund t’i hidhte në erë. Fakti që ata flinin të qetë, tregon shkallën e pandjeshmërisë e të papërgjegjshmërisë morale e politike që kemi arritur. Por ky përshkallëzim pandjeshmërie vjen pikërisht, sepse nuk bëhet fjalë për një helmim, por për simbiozën kohëgjatë me një gangrenë. Sepse pyetja që shtrojmë për gjumin e qetë të Delijorgjit është një pyetje që duhet të shtrohet edhe për ata që pasurohen me drogë, me prostitucion, duke abuzuar me tenderët publikë e me radhë e me radhë, shumica e të cilëve i kanë gjetur rrugët të shtruara nga zyrat e politikës, duke krijuar pak nga pak bindjen mbizotëruese se është krimi që qeveris sot vendin, se kemi ndërtuar një shtet që përfaqëson interesa të një grushti njerëzish që përdorin deri edhe forma të tilla, kaq kriminale, në kurriz të skllevërve që punojnë për ta.
Duke reflektuar politikisht mbi këtë tragjedi, gjithashtu nuk mund të mos ngrihen pyetja: a i përfaqëson kush ata njerëz atje në Gërdec? Ishte simbolik fakti i dhënë në shtyp, se të vetmit të siguruar në atë kompani qenë Delijorgji dhe pak njerëz të tjerë. Edhe kjo është një akuzë për shtetin që kemi ndërtuar, por edhe për partitë që kemi sot në vendin tonë. Berisha tha në Parlament, se as nuk e dinte që ekzistonte Gërdeci. Skandal! Po ç’punë bën SHISH-u apo SHIU atëherë? Por në Parlament nuk dëgjuam as edhe një opozitar të thoshte se e dinte që ekzistonte Gërdeci dhe se kishte ngritur zërin për atë që kishte ndodhur aty në emër të mbrojtjes së interesave të atyre gjynahqarëve. Për fat të keq, as edhe mediat nuk e dinin se ekzistonte Gërdeci. Njëlloj si në kohën e piramidave, apo jo? A është kjo rastësi? Sipas meje, jo. Ashtu sikurse nuk është rastësi edhe heshtja e disa mediave dhe e gazetarëve që e kanë ditur që prej tre-katër muajsh se aty zhvillohej një trafik armësh korruptiv, për miliona që iknin nga xhepi i shtetit në xhepat e disa individëve. Kjo vjen ngase ne kemi disa parti që janë të tëra parti të Delijorgjëve, që financohen nga Delijorgjët, kurse partia që duhet të përfaqësojë interesat e atyre njerëzve mungon. Ashtu sikurse mungon edhe një parti që të mbrojë interesat e pronarëve të vjetër, siç pretendon se është partia e Mediut. Pronat sot në Shqipëri i kanë marrë (apo grabitur) jo pronarët e vjetër, por Delijorgjët që kanë bashkëpunuar me politikën në njërin krah apo tjetrin.
Ishte shumë domethënës fakti që një pjesë e mirë e njerëzve të Gërdecit thonë edhe ata: “Nuk duam politikë, duam vetëm të na shpërblejnë”, ashtu sikurse në 97-ën mbizotëronte thirrja: “Duam paret tona”. Janë njerëz që, edhe pas njëmbëdhjetë vjetësh nga ajo tragjedi, nuk kanë fituar ende ndërgjegjen e tyre politike. Në një shoqëri të emancipuar e të ndërgjegjësuar ajo fabrikë nuk do të vendosej kurrsesi, sepse njerëzit përreth do të ngriheshin e do të protestonin. Kurse masa amorfe e skllevërve e lënë pa informim dhe pa përfaqësim, vetëm ka pranuar gjithçka me nënshtrimin e atyre që e shohin shtetin jo si të tyrin, por si një fuqi të huaj, pushtuese, së cilës vetëm duhet t’i tremben e nënshtrohen. Dhe kjo ka një shkak. Ndërgjegjja nuk fitohet ashtu vetvetiu. Atë duhet ta artikulojë dikush, t’ua transmetojë me fjalë, por edhe me veprat që ngjallin pastaj besimin. Si mund të besojnë ata tek politikanët, kur dëgjojnë ministrin e Shëndetësisë që, pas 17 vjetësh, mburret se qeveria paska marrë të gjitha masat për të dërguar jashtë shtetit të aksidentuarit rëndë. Po si ka mundësi që Shqipëria nuk bëka dot ende pas 17 vjetësh një spital si të Janinës? Ku kanë shkuar tërë ato para që janë investuar nga të huajt për shëndetësinë shqiptare, se nuk po flasim për taksat që duhet t’u merreshin Delijorgjëve. Në xhepat e Delijorgjëve dhe politikanëve të lidhur me ta sigurisht, që nuk kanë nevojë të shkojnë në spitalet shqiptare, sepse mund të paguajnë çdo lloj shërbimi në spitalet e huaj. Ja pse Gërdeci duhet politizuar edhe në kuptimin e lindjes së partisë opozitare me partitë e Delijorgjëve.
Së fundi, tragjedia e Gërdecit duhet politizuar në kuptimin e ushtrimit të presionit shoqëror e mediatik për ndryshimin e drejtësisë, për kalimin nga një drejtësi në duart e partive të Delijorgjëve në një drejtësi që varet nga ligji dhe e drejta. Ngjarje të tilla janë shumë të rëndësishme për të vënë në provë e për të kalitur drejtësinë, shumë më të rëndësishme sesa reformat e partive të Delijorgjëve. Sikurse po del qartë e shpresojmë të dalë erdhe më qartë, Delijorgji, me gjithë precedentët e tij kriminalë të njohur, ka pasur një vazhdimësi aktiviteti si në kohën e socialistëve, ashtu edhe të demokratëve. Drejtësia, edhe në sajë të tragjizmit të kësaj ngjarjeje, sot ka një mundësi historike për të reflektuar më së pari për përgjegjësitë e saj, por edhe për të hetuar gjithçka jashtë pushtetit e presioneve të partive të Delijorgjëve. Duhet ta ndihmojë për këtë ushtrimi i presionit shoqëror, politik e mediatik, që nuk duhet të reshtë që ajo t’i shkojë deri në fund të vërtetës dhe të drejtës. Sikur të ndodhte kjo, do të bënim një hap të madh përpara për kalimin nga shteti i Delijorgjëve, në shtetin e së drejtës. (Korrieri, 20 mars)
Monday, March 17, 2008
Pergjegjesia eshte e shtetit
Si ka mundësi të ndërtohet një fabrikë për çmontimin e minave dhe të predhave të artilerisë në një zonë dendësisht të banuar? Kush e ka dhënë lejen që ajo të vendoset aty? Për ç’arsye është vendosur aty? Si ka mundësi të grumbullohet një sasi aq e madhe predhash në një vend, kur, sipas deklaratës së kryeministrit, djegoret e tyre edhe shpërthejnë vetvetiu? A ka mundësi që kompania amerikane të quhet e specializuar, kur për një punë kaq të rrezikshme, punëson njerëz që dje kanë ardhur nga Greqia dhe sot punësohen, apo hallexhinj që nuk gjejnë dot punë tjetër e që deklarojnë se punonin aty për pesë lekë? A mund të jetë serioze një fabrikë çmontimi predhash, kur drejtori i fabrikës fle brenda saj, siç doli se flinte drejtori i kësaj fabrike? Nëse kompania amerikane e ka mbyllur kontratën prej shumë muajsh, siç deklaroi menaxheri i saj në “News 24”, ç’është kjo firmë shqiptare e nënkontraktuar, e cila, në fakt, bënte punën dhe mbulohej me emrin e amerikanëve? Sa të ligjshme janë këto nënkontraktime? Kush e mban përgjegjësinë: firma e kontraktuar, apo ajo e nënkontraktuar? Pse duhen këto nënkontraktime? Pse qeveritarët tanë na i mbulojnë kompanitë vendase me kompani të huaja? Të gjitha këto pyetje e të tjera presin përgjigje, por presin edhe përgjegjës gjithashtu. Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një mallkim, as me një fat të keq. Le të mos bëjnë teatër duke treguar nëpër media poza mediatike politikanësh që japin gjak, as të mburrim gatishmërinë e reagimit të forcave tona policore dhe as solidaritetin e rrejshëm mazhorancë-opozitë, gjoja në emër të hyrjes në NATO. Ajo që ndodhi, është pasqyra më dramatike deri më sot e asaj se ku është katandisur vendi që kemi ndërtuar me duart tona, si rezultat i sistemit politik e ekonomik që funksionon në vendin tonë prej 17 vjetësh. Le ta themi troç: është sistemi kriminal i korrupsionit super të lartë, shkaktari kryesor i rritjes marramendëse të probabilitetit të aksidenteve që ekzistojnë në vendon tonë. Kjo ngase çdo punë në këtë sistem, madje edhe ato të një rrezikshmërie kaq të lartë, nuk bëhen me logjikën e shërbimit, por të grabitjes dhe të përfitimit maksimal. Të gjithë e dinë se ky është shkaku i kësaj tragjedie dhe i shumë të tjerave që nuk kanë ndodhur e që mund të ndodhin. Atij shkaku mund t’i shkosh drejt thelbit, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Berisha, kur tha se Ministria e Mbrojtjes kishte përgjegjësi vetëm për transportin e predhave, kurse përgjegjësitë e tjera i kishte firma private. Si ka mundësi!? Paskemi një kryetar qeverie që nuk ditka as rolin e institucioneve që drejton. Por, a është vërtet kështu? Jo, aspak! Berisha e di shumë mirë se një nga rolet më të rëndësishme të shtetit është të vigjilojë mbi interesat publike, të na mbrojë nga rreziqet, nga vjedhësit, nga grabitësit, nga mashtruesit dhe nga të gjithë llojet e kriminelëve, qofshin në punë private apo shtetërore; të parandalojë aktivitetin e tyre kriminal e me radhë. Të paktën këtë e ka nga përvoja e piramidave financiare. Jo vetëm, por edhe e ka deklaruar gjatë tërë fushatës elektorale kundër socialistëve, kur ka premtuar ndërrimin e shtetit nga shtet “i kapur”, nga mafia në shërbyes të qytetarëve, sepse ai e di që kanë rënë edhe tavane shkollash të posarikonstruktuara mbi kokat e fëmijëve tanë, për shkak të këtij sistemi tenderësh korruptivë. Në rastin konkret, ai e di shumë mirë se shteti është kontraktor për të kryer një punë që u shërben qytetarëve, në emër të rritjes së sigurisë së jetës së tyre, kurse kontrata apo tenderimi që qeveria e tij ka bërë ose nuk e ka bërë si duhet, është e tillë, që e ka rritur këtë pasiguri, duke shkaktuar tragjedi të paparë. Mjafton vendosja e asaj fabrike atje, për të paditur shtetin për krim. Po, pse gabon përsëri Berisha, duke bërë deklarata të tilla larjeje duarsh nga përgjegjësia? Sepse është i kapur nga sistemi që premtoi se do ta ndryshonte. Të gjithë e njohim si funksionon sistemi ynë i korrupsionit në sektorin e punëve publike: paratë tona publike kontraktohen me firma private, të cilat shpesh zgjedhin edhe nënkontraktorë që bëjnë pazare me politikanët dhe rezultati është një cilësi minimale punimi e një vjedhje maksimale që ndahet midis kontraktorëve apo nënkontraktorëve dhe politikanëve. E që kjo vjedhje të jetë maksimale bëhet gjithçka; neglizhohen deri edhe kushtet minimale të masave të sigurisë. Kjo shpjegon shumëçka edhe në këtë rast: vendndodhjen e fabrikës, faktin pse atje punonin gra dhe fëmijë për pesë lekë, madje edhe faktin pse ato predha kanë udhëtuar si bomba shëtitëse në rrugët më të trafikuara të Shqipërisë, ndërkohë që ne nuk dinim asgjë.
Sot ne jemi vendi që kemi vdekjet më të shumta nga aksidentet rrugore, duke i kaluar vendet e tjera 2 deri në 8 herë. Nuk ka dyshim se një pjesë e përgjegjësisë për këto vjen nga vjedhjet që nuk lejojnë të kryhen tërë vizimet, ndriçimet e mbrojtjet e duhura të rrugëve, që për më tepër janë kushte të imponuara nga normat evropiane.
Ne kemi distributorë karburantesh apo shitës bombolash gazi brenda në qytete, ngjitur me pallate banimi e jashtë çdo norme sigurie.
Ne kemi mu në mes të kryeqytetit një linjë tensioni të lartë, që na varet mbi kokë, mu mbi bulevard. Na u tha se do të hiqej, se ishte provizore, por sot, pas kaq vitesh, askush nuk kujtohet se pse paratë e KESH-it duhet të vidhen.
Sot ne nuk dimë as se çfarë hamë, sepse tregtarët e ushqimeve i kemi bërë edhe ministra të ushqimeve, vetëm e vetëm për të mbrojtur fitimet e tyre.
Ne kemi bërë ndërtime, ku nuk mund të hyjë dot zjarrfikësja, nga etja për metër katror e përfituesve.
Ne nuk dimë çfarë mund të na ndodhë sikur të bjerë një tërmet, sepse projekteve tmerrësisht abuzive ndaj hapësirave publike, të pakontrolluar nga institute sizmike serioze, u janë shtuar edhe kate sipër, apo janë hequr themelet e pallateve të vjetra për të hapur biznese private.
Të gjitha këto, pra, e të tjera, kanë ndodhur, sepse ata që duhet të kontrollojnë privatin, nuk kanë kryer detyrën, ngase janë paguar nga privati shumë herë më shumë nga sa i paguan shteti. Edhe kur hyjnë në politikë, politikanët tanë hyjnë duke bërë kalkulimet e këtyre përfitimeve, ndërkohë që biznesmenët tanë, kur u hyjnë investimeve, kujdesen më së pari të sigurojnë lidhjet korruptive me ta, ashtu sikurse edhe për të blerë heshtjen e mediave dhe të intelektualëve. Kaq e thjeshtë është e vërteta që e dimë të gjithë. Ky është sistemi politik e ekonomik që funksionon tek ne dhe tragjeditë e aksidenteve kësisoj janë vetëm njëri prej aspekteve më të dukshme e më tragjike të pasojave të tij mbi jetën e qytetarëve. Filozofia e piramidave financiare nuk ka rënë, ajo vetëm ka ndryshuar pamje.
Më kujtohet se Edi Rama ka thënë njëherë: “Takohemi pas tërmetit”. Nuk e di a do të takohemi dot pas tërmetit, por këto dy ngjarje që ndodhën njëra pas tjetrës, ajo e Farkës dhe kjo e Gërdecit, më duket se janë simptoma të një sëmundjeje që paralajmëron për tërmetin. Është sëmundja 17-vjeçare e një shteti të kapur nga korrupsioni e paligjshmëria në formën më të kriminale. (Korrieri, 17 mars, 2008)
Monday, March 10, 2008
Brenda çorbës
Para disa ditësh botova një shkrim të titulluar “Çorbë derri” ku çarjen PS - LSI e trajtoja nga këndvështrimi i nevojës së krijimit të një të majte të re. Sipas këtij këndvështrimi “nga jashtë çorbës” kjo që po ndodh nuk ndryshon asgjë thelbësore në nevojën për ta pastruar politikën shqiptare – në këtë rast të majtën - nga një klasë politike që tashmë ka humbur kredibilitetin në një shkallë alarmante dhe për ta riformuar atë. Pas këtij shkrimi më erdhi një kritikë racionale sipas së cilës, megjithë dëshirën time për një të majtë të re, apo edhe për një klasë të re politike, fatet e politikës sonë do të varen edhe për një kohë nga kjo klasë politike e prandaj bëja mirë të analizoja atë që është dhe jo atë që duhet të jetë. Ishte një ftesë pra për të hyrë brenda çorbës e për të analizuar çfarë është më e mira dhe çfarë është më e keqja në këtë që po ndodh realisht në konfliktin midis partive të mëdha dhe partive të vogla lidhur me kodin e pritshëm zgjedhor.
Sipas gjykimit tim ajo çka “duhet” dhe ajo çka “është” nuk janë të ndara, - njëra në sferën e ideales dhe tjetra të reales - por janë dy pamje të realitetit në bashkëveprim me njëra tjetrën. E nëse flas për atë çka “duhet” mendoj se kjo do të ndikonte sadopak në ndryshimin e asaj çka është. Megjithatë nuk mund ta mohoj se ajo çka “duhet” mund të realizohet me ndërhyrjen nga jashtë asaj që “është”, por edhe nëpërmjet dinamikës përbrenda saj. Në këtë kontekst, lidhur me debatin në fjalë, çështja e futjes “brenda çorbës” sipas meje shtrohet pak a shumë në formën e pyetjes: a duhen reduktuar apo edhe zhdukur partitë e vogla dhe të mbetemi me një dypolësh të fuqishëm PD – PS apo ato duhet të ekzistojnë? Cilat janë të mirat dhe të këqijat e të dy varianteve? Cila do të ishte zgjidhja më e mirë?
Nëse do ta trajtojmë çështjen nga pikpamja teorike do të thoja se avantazhi i madh i demokracisë është pikërisht pluraliteti i mendimeve dhe i përfaqësimeve. Demokracia është si një orkestër ku luajnë shumë instrumente dhe jo një violinë e vetme apo qoftë edhe një duet. Duke qenë e tillë ajo nga një anë është më e komplikuar e kërkon më shumë aftësi, por, nga ana tjetër rrit edhe më shumë qoftë lirinë qoftë përfaqësimin. Le të kujtojmë se një nga kritikat që i bënte Hitleri demokracisë parlamentare kur kërkonte eliminimin e saj ishte se ajo, në vend se të bënte punë, shpenzonte energji pafund me debatate parlamentare. Por, nuk mund të mohoet se, në mungesë të aftësive dirigjuese, vijmë në rastin kur kjo orkestër në vend se të bëjë muzikë prodhon kakofoni. Një shembull i këtyre vështirësive të demokracisë është Italia ku ekzistenca e shumë partive të vogla ka prishur koalicionet duke rrëzuar qeveritë. Jemi në rastin kur paaftësia për të menazhuar demokracinë krijon problemin e mosqeverisjes. Përpjekjet e krijimit të një dypolëshi të bazuar mdi dy parti të mëdha që po bën në Itali Veltroni dhe Berluskoni lidhen pikërisht me këtë fenomen mosqeverisshmërie.
Tani le t’i kthehemi realitetit shqiptar. Pse po bëhet ky ligj nga dy partitë e mëdha? Sipas mendimit tim shkaku nuk është mosqeverishmëria. Të paktën deri tani partitë e vogla nuk kanë shkaktuar rrëzime qeverish dhe as pamundësi realizimi reformash në emër të mbrojtjes së interesave të një elektorati të tyre siç ndodh psh. me të majtën radikale apo të gjelbërit në Itali që kanë penguar disa reforma djathtas të qeverive të qëndres së majtë, apo me demokristianët e qendrës që kanë penguar Berluskonin në legjislaturën paraardhëse. Por, megjithatë, partitë tona të vogla i kanë bezdisur partitë më të mëdha. Sigurisht jo pse i kanë qëndruar besnik elektoratit të tyre specifik. Partitë tona të vogla, në këtë kuptim, e kanë tradhëtuar elektoratin sa herë kanë dashur për hir të shkrirjes me pushtetin e më të mëdhenjve duke humbur deri kuptimin e ekzistencës së tyre. Ato, po ashtu, nuk kanë as një vizion të ndryshëm nga partitë e mëdha, as edhe një elektorat të caktuar që është i tyre dhe vetëm i tyri. Ato i kanë bezdisur “të mëdhenjtë” sepse individët në krye të këtyre partive pasi kanë hyrë në parlament, kanë shantazhuar nëpërmjet fenomenit që tashmë është mbiquajtur “fenomeni demokristian” sipas të cilit një grup deputetësh bëhen bashkë në një parti fantazëm dhe shantazhojnë rënien e qeverisë po nuk morën përfitimet e tyre personale, apo nëpërmjet fenomenit Xhuveli ku liderët e një partie të vogël, pasi kanë marrë votën në emër të një koalicioni, e kanë tradhëtuar atë duke hyrë në koalicionin fitimtar.
Nga ky këndvështrim mund të thuhet se partitë e vogla kanë shkuar me këmbët e tyre në këtë moment të krizës. Le të kujtojmë rrugën e disa prej partive më të njohurave. Aleanca Demokratike kur lindi në 1993 deri më 1997 luajti një rol të rëndësishëm për të mbledhur rreth vetes pjesën e elektoratit që ishte zhgënjyer nga Berisha, por që nuk donte as socialisët. Mé 1997 e më tej, me hyrjen në koalicion me socialistët dhe bërjen e figurave kryesore të kësaj partie ministra, dora dorës, kjo parti e humbi këtë elektorat që mund ta rriste sikur të kishte ruajtur identitetin e saj dhe sot e shohim të reduktuar në një grusht njerëzish. Edhe PSD lindi si një forcë e majtë që kërkonte të mblidhte rreth vetes të majtët që distancoheshin nga trashëgimia e Partisë së Punës. Mirëpo sot, po ta dëgjosh Skënder Gjinushin, ai më shumë përdor fjalën “e majta” kur flet për çfarë përfaqëson sesa emrin e partisë së tij. Edhe ajo parti sot ekziston për Gjinushin dhe jo për elektoratin që duhet të përfaqësojë. Partia Republikane lindi me pretendimin e një të djathte të qendrës më të moderuar se PD-ja pastaj u bë parti e ish pronarëve e mund të thuhet se është ndër partitë që ka ruajtur këtë elektorat, por vetëm me kaq ajo do të ishte thjeshtë një shoqatë ish pronarësh. Dhe sot vështirë të thuash se, duke qëndruar në koalicion me Berishën, i ka ndihmuar apo i ka tradhëtuar ish pronarët. Mé shumë më duket se qëndron kjo e dyta. Edhe LSI e Ilir Metës lindi me pretendimin e madh që të përfaqësonte të tradhëtuarit nga PS –ja duke e akuzuar këtë se ishte kthyer në parti e oligarkëve, por shumë shpejt e harroi këtë retorikë që e diferenconte nga PS madje u fut në koalicion me të dhe sot nuk merret më vesh se pse dhe ku ndryshon ajo nga PS-ja.
Ka pra shumë arësye për të thënë se partitë e vogla nuk na duhen më sepse nuk përfaqësojnë asgjë përveçse interesat e disa individëve. E megjithatë sipas mendimit tim në realitetin shqiptar ato prap duhen. Le të shpjegohem:
Né fakt, por ta çojmë deri në fund diskutimin mbi diferencat midis partive mund të themi se, hiq disa arsye historike që vijnë gjithnjë e më shumë duke u shuar, edhe PD e PS nuk ndryshojnë nga njëra tjetra përsa i përket programeve e vizioneve politike. Pra ashtu sikurse nuk kemi nevojë për partinë e vogla sepse nuk kanë asnjë ndryshim në program e përfaqësim nga partitë e mëdha mund të arrijmë edhe në konkluzionin se nuk kemi nevojë as për dy parti të mëdha përderisa të dyja ato kanë të njëjtin program dhe, tek e fundit, pavarësisht retorikave antikomuniste të njërës dhe progresiste të tjetrës, në thelb përfaqësojnë që të dyja interesat e një grupi të vogël oligarkësh që u financojnë fushtat elektorale - të cilët jo rrallë financojnë edhe njërën edhe tjetrën për të qenë të sigurtë se pushteti dhe paraja e tyre do ta kenë gjithnjë rrugën shtruar. Mirëpo, nga ana tjetër, të gjithë e dimë se në momente të caktuara ekzistenca dhe rivaliteti për pushtet midis tyre, madje edhe e interesve të oligarkëve të ndryshëm, ka qenë e vetmja mundësi që na është dhënë për të pengur arrogancën dhe abuzimin në rritje të palës në pushtet. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për partitë e vogla. Po të vëresh rolin pozitiv të ekzistencës së partive të vogla ky ka qenë mjaft të rëndësishëm jo përsa i përket programeve dhe vizioneve të këtyre partive por, përsa i përket lirisë. Roli i partive të tilla si Alenanca Demokratike apo PSD ka qenë i rëndësishëm në vitet e qeverisjes së parë të Berishës për ta penguar prirjen e tij autoritariste sepse PS-ja e asaj kohe nuk gëzonte kredibilitetin dhe mbështetjen popullore. Po ashtu LSI e Iliri Metës u bë shumë e rëndësishme për të rrëzuar Fatos Nanon nga pushteti që po bëhej gjithnjë e më abuziv jo vetëm me pasuritë e shqiptarëve, por që po kërcënonte edhe liritë e tyre. Edhe sot mund të thuhet se megjithë imoralitetin nga shumë pikpamje të fenomenit demokristian, përsa i përkeet lirisë, ekzistenca e një grupimi që mund t’i thotë “jo” Berishës në raste të caktuara e pakëson frikën e një Berishe që mbetet i gjithpushtetshëm.
Në rast se do të realizohet projekti Barisha Rama për eliminimin e partive të vogla mendoj se rreziku për kërcënimin e lirive tona do të jetë më i madh. Jo vetëm pse në të dy krahët do të kemi dy liderë autoritarë që nuk i pyesin pasagjerët se si po e ngasin autobuzin dhe ku po e çojnë - nëse do të perifrazojmë një thënie të fundit të ish sekretarit të PS Blushi atribuar Ramës - jo vetëm pse kështu do të pakësohen idetë dhe përfaqësimi, por edhe pse kështu do të pakësohen mundësitë që, kur njëra palë ta mbushë kupën, të gjenden disa “të vegjël” që mund të bëhen të mëdhenj duke e anuar peshoren nga ana tjetër. Nése do të realizohet projekti Berisha - Rama, duke patur parasysh sa mentalitetin e tyre autoritarist aq edhe kulturën tonë të nënshtrimit ne rrezikojmë të mbetemi nën hyqmin e konfliktualitetit apo pajtimit të tyre për një kohë shumë të gjatë dhe kjo do të ishte një perspektivë jo e shëndoshë për të ardhmen e demokracisë së brishtë shqiptare. Pa përjashtuar në këtë perspektivë variantin edhe më të keq që mbetja vetëm e dy partive mund të lëshojë në një fazë të dytë luftën për eliminimin e njërës prej tyre dhe të mund të gjindemi paskëtaj në një lloj qevrisjeje monopartiake alla Putin ku liritë të jenë thellësisht të kërcënuara
Si përfundim, duke patur parasysh çka thashë më lart, do të thoja se ligji elektoral duhet të ndërtohet në mënyrë të tillë që të jetë sintezë e nevojës të gjetjes së formulave që do të eliminonin fenomene të tilla si Dushku, ai demokristian, ai zhuvelian (ndonëse sipas meje këtë nuk e ndryshon ligji, por ndryshimi i ndërgjegjes politike të politikanëve tanë) dhe më anë tjetër të kihen parasysh nevoja e ekzistencës së partive të vogla përfaqësuese si instrumente që rrisin jo vetëm shkallët e lirisë, por edhe mundësitë e përfaqësimit e të ndryshimit të realiteteve në vend. (Korrieri, 8 mars 2007)
Wednesday, March 5, 2008
Letër e hapur ministrit të rendit Bujar Nishani
Zoti ministër,
Ka kaq kohë që lexoj nëpër shtyp e dëgjoj nëpër mediat mburrjet për sukseset që ju, si mazhorancë në pushtet, keni arritur në luftën kundër krimit të organizuar. Ndërkaq këto ditë mediat afër jush dhe ato opozitare ndaj jush u ndanë më dysh në interpretimin e një raporti të Departamentit të Shtetit lidhur me këtë temë.
Nëse doni mendimin tim si qytetar, dhe besomëni se është një mendim që e ndajnë me mua shumë qytetarë, ju krimit të organizuar i keni “rruajtur bishtin” siç thotë populli – ashtu sikurse edhe korrupsionit, klientelizmit, tarafllëqeve e tërë atyre fenomeneve antishtet që u mbollën në qeverisjen tuaj të parë e u prashitën, u vaditën e hodhën shtat në 8 vjet qeverisje socialiste. Nuk e di saktë nga vjen kjo shprehja “t’i rruash bishtin”. Kam përshtypjen se është ndërtuar si metaforë duke nisur nga ato kafshët grabitqare që i shpëtojnë lakut duke lënë atje bishtin. Thuhet edhe “i la bishtin”, por ndoshta ka edhe një kuptim më banal. Nejse, përtej metaforës dhe përtej deklaratave të Departamentit të Shtetit do të thoja se krimi i organizuar, sipas vëzhgimit tim të përditshëm, shëtit nëpër qytetet tona me bisht të lirë në formë fuoristradash me xhama të zinj nga ato që kushtojnë sa një shtëpi që vetëm karburant mund të shpenzojnë në ditë sa ç’i duhet një familjeje për tu ushqyer. Për mua si qytatar mjafton të shoh rritjen e numrit të këtyre fuoristradave me xhama të zinj në timonin e të cilave sheh shpesh 20 – 25 vjeçarë, të kujtoj se një nga premtimet tuaja të para ishte të hiqnit xhamat e zinj, për të vlerësuar luftën tuaj ndaj krimit të organizuar.
Po le ta lemë këtë muhabetin e krimit me fuoristrada me xhama të zinj se është edhe i rrezikshëm – pale që mund të më thonë se e kam fjalën për ministra dhe deputetë të nderuar - e le të kalojmë në një “krim të organizuar” më pak të rrezikshëm për fjalën e lirë, që bëhet me karroca dhe triçikle, për t’ju provuar se sa janë shtrënguar vidat e shtetit nën drejtimin tuaj.
Përsëri ka të bëjë me përvoja personale, pra me perceptime siç i thonë, por më lejoni të shprehem.
Unë, zoti ministër banoj në një apartament që ndodhet në një rrugë që s’është më shumë se 50 - 100 metra larg qendrës - nëse me qendër do të quajmë sheshin Skënderbej. Aty te rruga ime ndodh një gjë e çuditëshme. Një herë në dy tre muaj “krimi i organizuar” ndërmerr aksionin e vjedhjes së kapakët të pusetave. Kësaj here kanë vjedhur nja tre katër përgjatë gjithë rrugës sonë që nuk është më e gjatë se dyqind metra dhe kështu, për të kaluar, është bërë një ferr i vërtetë sepse, siç e dini, edhe trafiku është i vështirë në qytetin tonë në përgjithësi. Ka rrezik që kush nuk ka fuoristrada t’i ngecet rrota e makinës brenda dhe të bjerë në pikë të hallit.
Ajo që nuk arrij ta kuptoj unë, zoti ministër, është se si ka mundësi që policia jonë nuk arrin ta ndalojë një fenomen kaq të rëndomtë që mua, më duket shumë i lehtë për tu ndaluar. Sepse kapakët prej hekuri të pusetave nuk janë kuleta që tjetri i vjedh dhe i fut në xhep. Ato ose dërgohen diku për shkrirje ose ka ndonjë që i tregëton dhe që ka interes të vidhen që ai t’i shesë prap. Dhe furra shkrirjeje dhe tregëtarë pusetash në këtë vendin tonë nuk besoj se ka shumë. Pra e kuptoj se mund të jetë e vështirë të kapet hajduti i pusetave, por më duket krejt e lehtë të identifikohet vendi ku ato shiten nga hajduti e pastaj të shkohet prej tyre tek hajduti. E kur policia nuk është në gjendje të na mbrojë nga një krim i tillë si mund të na mbrojë nga ato më të sofistikuarat që përdorin fuoristrada me xhama të zinj? Unë kësaj, zoti ministër, sado që përpiqem nuk i jap dot përgjigje përveçse me zhvidhosjen e vidave të shtetit.
Tani, zoti Nishani, dua t’ju drejtohem edhe për diçka tjetër - kësaj here si anëtar i kabinetit të ministrave. Gjithnjë lidhur me vjedhjen e kapakëve të pusetave e kam fjalën. Këtë çështjen e kapakëve unë nuk e kam për herë të parë që e trajtoj në shtyp. Në një nga vjedhjet e rradhës ndodhi që na vodhën një pusetë që ishte afër kazanave të plehërave. Pasi prita një, dy, tre, katër, pesë javë të vinin ta zëvendësonin - me atë durimin tashmë proverbial të shqiptarit - duke parë se si ajo hapësira poshtë pusetës, përveç tjerash, po mbushej me plehëra, më në fund u ula të bëj një shkrim. U botua në faqe të parë të Korrierit. Denoncoja vonesën e Ujësjellësit, madje e përdorja këtë rast edhe për të venë në dukje se në kohën e socialistëve vonesa e zëvendësimit nuk ishte kaq e madhe kur na vidheshin pusetat. Pra e përdora si një tregues se këta demokratët, që na premtuan qeverisje më të mirë e më eficente, sikur po japin ca performanca edhe më të këqija nga ato që na kishin dhënë socialistët. Ç’ndodhi? Zëre se nuk e kisha shkruar artikullin që e titullova “Një gropë e zezë që flet shumë.” Kaluan dy muaj dhe gropa e zezë prapë gropë e zezë mbeti. Madje, që ta tregoj deri në fund historinë, i thashë edhe Armand Shkullakut, drejtorit të informacionit të Klanit dhe ai bërë edhe një kronikë për pusetat e vjedhura nëpër Tiranë. Por edhe pas kronikës së Klanit asgjë nuk ndodhi. Dhe, që ta dini ju, zoti ministër këtu në rrugën time banojnë edhe nja dy a tre deputetë demokratë.
Një ditë më rastisi dhe takova Lul Bashën që atëhere ishte ministër i transporti prej të cilit varej edhe Ujësjellësi. Nuk prita shumë dhe ia hapa muhabetin e pusetës. “Si ka mundësi, mor njeri, i thashë, po bëhen gati tre muaj dhe mu në mes të Tiranës nuk mbuloni dot një pusetë.” Pa e zgjatur shumë Luli i bëri një telefon drejtorit të ujësjellësit duke i treguar edhe ku ndodhej puseta që nuk është më shumë se 50 metra larg qendrës, siç thashë. Ndërkohë që unë nuk kisha mbaruar kafenë me Lulin, dmth nuk kaloi më shumë se ndonjë gjysëm ore, atij i erdhi një telefon nga drejtori i cili i thoshte se puseta u vu në vend. Çfarë mrekullie - thashë me vete në fillim - shpëtuamë më në fund. E falenderova, por pastaj nuk mund edhe të mos i thoja: po pse mor burrë një punë që paskësh qenë kaq e lehtë vonon tre muaj në këtë vendin tonë.
Tani përsëri zoti ministër kanë kaluar më shumë se dy javë dhe gropat e zeza tek ne po gropa të zeza kanë mbetur. Ju e kuptoni se unë tani nuk mund të pres derisa të më bjerë rasti të takoj Olldashin që t’i them ndonjë fjalë për pusetat. Ju besoj se e takoni përditë e meqënëse po ju dërgoj këtë letër të hapur që shpresoj ta lexoni, thoini po mundët që kanë kaluar dy javë e më shumë që tek ajo rruga ku banon Fatos Lubonja, Leonard Demi, Blerim Çela janë vjedhur pusetat dhe nuk po i zëvendëson kush. Tek e fundit çfarë thashë në filim: tarafet e miqësitë tek ne janë më të forta se shteti. Se të them të drejtën më duket e tepërt t’i dërgoj sms Berishës për këtë punë. Pastaj, edhe kjo një mënyrë qeverisjeje është. Thonë që Çavesi në Venezuela ka gjetur një mënyrë edhe më efikase. Ai shkon në emisione televizive tip show dhe atje, ndërkohë që këndon e argëtohet, i bëjnë edhe telefonata. Njerëzit e marin në telefon dhe i thonë se në filan vend punët nuk shkojnë mirë dhe ai telefonon atje menjëherë dhe punët rregullohen. Ndoshta nuk do të ishte një ide e keqe që të hapet një ministri që të punojë kështu me televizion se ne nuk kemi edhe pak televizione.
Nejse, ky mund të jetë një projekt tjetër që mund ta bëjë më mirë Rama, ndoshta. Ndërkaq shpresoj shumë se ju do ta lexoni këtë letër të hapur. Është shpresa e vetme që kam se do të na mbulohen pusetat.
Duke ju uruar shëndet e gjithë të mirat dhe falenderuar “in advance” siç i thonë anglezët.
Fatos Lubonja
(Korrieri, 3 mars 2008)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...