Salvini ishte i pari që e dha
lajmin, duke falënderuar Shqipërinë, të cilën ia kundërvuri një Europe që “fa
schifo” (të bën për të vjellë) sipas tij. “Bravo Albania”, – thanë shumë
italianë. Por, po të dëgjosh analistë që flasin për krizën e shkaktuar nga
Salvini, shumica pajtohen në mendimin e Europës se Italia nuk ka një alarm
emigracioni, sepse zbarkimet në brigjet italiane janë ulur shumë, se ka shumë më
tepër zbarkime në Greqi dhe në Spanjë – duke shtuar se këtë alarm Salvini e ka
si kalë beteje elektorale. Rastin në fjalë, sipas së përditshmes “Il Fatto
Quotidiano”, ai e përdori për t’i rrëmbyer skenën mediatike partnerit kundërshtar
në qeveri, Cinque Stelle, që ia kishte rrëmbyer me rastin e tragjedisë së urës “Morandi”
në Genova. Analistët seriozë italianë thonë po ashtu, se alarmet e vërteta të
Italisë janë të tjera nga alarmi emigracion; janë alarme që kërkojnë një punë
serioze të qeverisë dhe jo fushata elektorale permanente, që mbulojnë paaftësinë
për t’u marrë seriozisht me alarmet e vërteta dhe për t’i zgjidhur ato.
Dhe ja ku dalim te Kryeministri
ynë dhe vendi ynë. Po ai, pse e mori dhe si e mori këtë vendim? Italianët jo,
por ne që e njohim siç njohin ata Salvinin, e dimë se e mori për të mbuluar
alarmet e vërteta që ka Shqipëria, ndër të cilët, paradoksalisht, kryesori
lidhet me faktin se në qeverinë Rama, që po pret emigrantë, numri i shqiptarëve
që braktisin vendin ka një rritje dramatike. Ashtu si Salvini, edhe ai po
manipulon me dramën e emigrantëve eritreas. Por midis manipulimeve të Salvinit
dhe atyre të Ramës ka një diferencë interesante. Salvini manipulon drejt, Rama
me spond. Salvini synon të manipulojë italianët kundër Europës, duke shfrytëzuar
pakënaqësitë e akumuluara prej tyre gjatë viteve sikur fajin ua ka Europa,
kurse Rama synon të manipulojë italianët dhe europianët për të manipuluar
pastaj shqiptarët sipas parimit: nëse do të sundosh shqiptarët, manipulo ndërkombëtarët.
Ç’kuptoj me këtë? Duke ndjekur në
“Facebook”-un e ministrit Bushati komentet e lajmit, nuk mund të mos të të
binte në sy ndarja midis italianëve dhe shqiptarëve. Italianët falënderonin për
solidaritetin, kurse shumica e shqiptarëve e konsideronin një akt “hipokrizie”.
Një komentues shkruante: “Nuk bën fare sens logjik që ju të ofroni ndihmë për
emigrantët e huaj, ndërkohë që me dhjetëra bashkëkombës lënë Shqipërinë çdo ditë.
Dhe mos thoni se ata e lënë Shqipërinë nga zgjedhja e tyre personale. Ju e dini
shumë mirë se ata ikin sepse Shqipëria ua ka këputur shpresat me të madh e me të
vogël, sepse kanë një të ardhme të pashpresë e të mbytur me skamje, shtypje e
padrejtësi”. Një tjetër i përmendte Bushatit fëmijët shqiptarë, që prindërit i
braktisin qëllimisht në Itali dhe që po i mbajnë Caritaset italiane, duke i bërë
thirrjen: “Lëri fasadat e shikoje realitetin në sy… mos u bëni gazi i botës!”
Ishin të shumta edhe komentet e papranueshme raciste kundër sjelljes në Shqipëri
të të zinjve, dhe, duke e ditur se shqiptarët janë më racistë se italianët në këtë
drejtim, nuk është vështirë të mendosh se jashtë “Facebook”-ut këta janë edhe më
të shumtë. Megjithatë, Rama nuk e përfill elektoratin që përfaqësojnë gjithë këta
komentues.
Si ka mundësi, do të pyeste dikush.
Sepse Edi Rama vazhdon të aplikojë parimin: nëse do të sundosh shqiptarët,
manipulo ndërkombëtarët, të cilin e ka çuar në shkallën më të lartë të
suksesit. Ai vazhdon të mendojë se kompleksi i inferioritetit të provincialit,
kombinuar me mungesën e besimit në institucionet dhe elitën e vendit, i bën
shqiptarët të përulen përpara vlerësimit të të huajve, i bën kundërshtarët të
mbyllin gojën dhe dyshuesit të anojnë nga zgjedhja ndërkombëtare. Kështu, ai
mendon se ky akt do të ushqejë imazhin, për të cilin ka kohë që punon në Itali,
se nga vend eksportues emigracioni, Shqipëria është kthyer në vend pritës
emigracioni (madje dhe italianësh). Të nesërmen e lajmit, “Corriere della Sera”
vërtetoi se ky manipulim funksionon, paçka se mediat franceze, gjermane,
holandeze e jo vetëm kanë kohë që shkruajnë për azilkërkuesit e panumërt
shqiptarë në rritje (Che schifo da vero këto mediat italiane). Pastaj, imazhi i
rremë i Shqipërisë që ka ndryshuar mund ta ndihmojë në hapjen e negociatave dhe
gjithë ky vlerësim do t’i mbulojë alarmet e vërteta të Shqipërisë, të cilat
manipulatori jo nuk mund, por nuk do t’i zgjidhë, pasi zgjidhja e tyre kërkon
largimin e tij dhe të njerëzve të krimit rreth tij nga pushteti.
A do të ketë sukses manipulimi me
këta gjynahqarë që, në vend se në Perëndim, do ta shohin veten në një nga
vendet me numrin më të madh të azilkërkuesve në vendet Perëndimore (që tani do
të kenë një motiv më shumë për t’i kthyer azilkërkuesit shqiptarë), më raciste
ndaj të zinjve dhe krejt jashtë standardeve europiane? Ndoshta edhe po, por
edhe dyshoj sepse më duket se qoftë brenda, qoftë jashtë vendit “rrogozi” i Ramës:
‘manipulo ndërkombëtarët për të sunduar shqiptarët’, po fut shumë ujë, shumë.
Megjithatë, kur prek të prapmet,
Kryeministrit i dalin gjithmonë të thata. Kështu i thonë edhe të gjitha ata që
ka përreth, që edhe pse i shohin njollat e ujit gjithandej, nxitojnë t’ia “thajnë”,
sepse interesi i tyre është i lidhur ngushtë me mbajtjen e kësaj gënjeshtre dhe
këtij manipulatori në këmbë. Përndryshe, nuk do të merrte guximin për të marrë
vendime të tilla me po atë guxim papërgjegjshmërie, që e bën t’i duket normale
të marrë helikopterin dhe pastaj çarterin për të parë ndeshjen Juventus-Lazio
dhe për të bërë një foto me Ronaldon. (Panorama, 27 gusht 2018)