Ish kryeministri i
Maqedonisë Gruevski ka realizuar në qendrën e Shkupit një projekt arkitektonik,
i quajtur “Shkupi 2014”, që nuk dihet saktë se sa ka kushtuar, por thuhet se i
është afruar shifrës 700 milion euro. Ai ka ndërtuar atje një numër ndërtesash
të reja si muzeume, arkivën, kishën e re të Maqedonisë etj., me stil neoklasik,
neobarok, neoromantik; ka ngritur një monument të stërmadh të Aleksandrit të
Madh, të babait të tij Filipit,
nënës Olimpia, të figurave të krishtërimit të hershëm si Shën Cirili, Shën
Metodi, Shën Naumi, të figurave historike si perandori Justinian, të heronjve
të pavarësisë maqedonase, deri të Nënë Terezës. Përveç ndërtimeve të reja ka
kryer edhe ndryshime të fasadave të disa prej ndërtesave kryesore të
viteve ’70 duke i kthyer edhe ato nga stili modernist i asaj kohe në stilet e
vjetër. Synimi i këtij projekti ka qenë t’i japë Shkupit pamjen e kryeqytetit
të një shteti me një vazhdimësi historike që fillon që me Aleksandrin e Madh,
si dhe për ta bërë të ngjashëm nga pamja me kryeqytet evropiane të shekullit
XIX, kur në shumë vende evropiane u ndërtuan shtetet kombëtare dhe nëpër
sheshet e qyteteve u vendosën monumentet e heronjve kombëtarë.
Duke zbritur nga Çarshija
e bukur e Shkupit, që mban vulën disa shekullore të historisë së qytetit, kam
mbetur i çmeritur – ashtu sikurse edhe shumë vizitorë me të cilët kam folur aty
- përpara këtij Shkupi të sajuar, që nuk ka asnjë lidhje me historinë e
qytetit. Kam nënqeshur edhe me përpjekjen e shqiptarëve për t’iu kundërvënë
Gruevskit të Aleksandrit të Madh me qendrën e tyre të Shkupit, të sajuar aty
përbri, ku kanë venë një monument të Skënderbeut të marrë nga modeli i Krujës.
Shkupi i vërtetë i qytetarëve të mençur, qoftë ai i Çarshisë, i banuar
denbabaden nga shqiptarë e turq myslimanë, ashtu dhe ai i maqedonase sllavë që
banojnë kryesisht në ndërtimet e pas tërmetit, e sheh me qesëndi këtë Shkup të
ri që shëmbëllen me një park gjigant lodrash për fëmijë apo me një tortë
gjigante plot me ornamente kremi e skulpturash prej çokollate që nuk hahet nga
sheqerosja e tepërt.
Tek “Shkupi 2014” gjen
pamjen më ilustrative në arkitekturë të artit “kitsch”: një art që kërkon të
imitojë artin e madh duke u bërë banal nëpërmjet vetë aktit të imitimit; një
art që, edhe kur teknikisht mund të jetë i arritur, mbetet sipërfaqësor; një
art që punon me efektet, të cilët mundësisht duhet të jenë sa më të shpejta e
sa më spektakolare: një art që punon me stereotipa sepse i kalkuluar që t’u
drejtohet shijeve të njerëzve të pakultivuar.
***
Në pamje të parë projekti
Rama për Tiranën, - që nuk na është dhënë asnjëherë i plotë, por nëpërmjet
punës dinake të Kryeministrit për të shembur hap pas hapi ndërtesat e Tiranës
historike e për t’i zëvendësuar ato me kulla, duket si e kundërta e projektit
Gruevski. Ndërtesat që ai ka ndërtuar në qendër (apo synon të ndërtojë) nuk
janë në stile të kohëve të vjetra me qëllimin për ta bërë Tiranën të duket si
një qytet evropian i shekullit XIX, dhe as nuk kërkojnë të fabrikojnë ndonjë
identitet të ri kombëtar. Ato mbajnë firmën e arkitektëve të globalizimit,
madje janë kopje të ndërtesave që mund t’i gjesh në Kore, sikurse është teatri
që propozon për të zëvendësuar Teatrin Kombëtar, në Kinë apo në Moskën moderne,
siç është Stadiumi me kullë; apo i grataçielave që i gjen me shumicë sot kudo
në botë.
Por, edhe pse kaq larg
nga pamja, të dy projektet kanë disa të përbashkëta thelbësore që i bën të dy
variante të kitschit. Te të dy
projektet gjejmë fenomenin e imitimit banal të asaj që është prodhuar në vendet
perëndimore. Nëse Gruevski kërkon
të imitojë qendrat e kryeqyteteve evropiane të ndërtuara në shekullin XIX, Rama
kërkon ta shndërrojnë qendrën e Tiranë në një grumbull grataçielash sipas
modeleve "downtown" që e kanë origjinën në SHBA. Po ashtu, në të dy
projektet luhet me imazhet kartolinë të stereotipuara në mendjet e njerëzve të
rëndomtë: Gruevski luan me kartolinat e qendrave historike të qyteteve
evropiane, Rama me kartolinat me grataçiela të ngulitura në imagjinatën e
njerëzve nga pamja e Manhatanit. Por edhe prekja e ndjenjave nacionaliste të
këtyre njerëzve nuk mungon në projektin e arkitektëve globalistë të Ramës, duke
thelluar kësisoj elementin kitsch të tyre. Së fundi pashë një video ku një nga
këta arkitektë, hollandezi Winy Maas, thotë se me kërkesën e kryeministrit
paska menduar të ndërtojë në qendrën e Tiranës një kullë me pamjen e kokës së
Skënderbeut. Kurse në një intervistë për mediet është shprehur se “Kulla e parë që po bëjmë do të ketë figurën e hartës së
Shqipërisë." Pastaj shton se e dashuron flamurin shqiptar. "Është
flamuri më seksi që unë kam parë ndonjëherë, është shumë më i mirë se sa ai
holandez.” Kështu pra, nëse
kitschi i Gruevskit është quajtur “antikuizim” nacionalist i qytetit sepse i
jep Shkupit një pamje sikur të ketë ekzistuar aty një histori e vjetër
evropiane e qytetit; kitschi i Ramës mund të quhet “lasvegazizim”,
“winimaasizim” apo "globalizim" nacionalist i qytetit. Nëse kitschi i
Gruevskit kërkon t’u ofrojë njerëzve një imazh skenik me një histori të rreme,
pa lidhje me historinë dhe jetën e tyre të vërtetë dhe kontekstin e atij
territori, “kitschi” i Ramës, me të njëjtën frymë, kërkon t'u ofrojë një tjetër
imazh skenik nga forma, por edhe ky pa lidhje me historinë, kontekstin e
territorit dhe jetën e vërtetë të njerëzve.
Gjithashtu, në të dy
projektet gjen ambicien delirante të pushtetarit për të krijuar një identitet
të ri të kryeqytetit që dominon mbi identitetet e vjetër duke i margjinalizuar
ata (në Shkup) apo edhe duke i shkatërruar ata (në Tiranë). Do të thoja se në
projektin e Ramës kërkimi i “efektit të menjëhershëm” si karakteristikë e
kitschit është tejet më i fortë, sepse grataçielat e tij, për nga vetë
stërmadhësia në raport me ndërtesat e tjera, tërheqin krejt vëmendjen duke
varrosur çdo ndërtesë përbri tyre. Nuk është vështirë të imagjinosh se, të
vendosura nën hijen e masivit të grataçielave të larta rreth hotel Plaza,
simbolet e Tiranës historike si kompleksi i Xhamisë së Et'hem beut dhe Sahatit,
ndërtesat e ministrive, Pallati i kulturës - pika referimi të disa brezave - do
të duken si lodra të nxjerra jashtë loje në këtë park gjigant. Të njëjtin
“efekt” ka bërë edhe stadiumi i ri me emrin kitsch "Arena Kombëtare"
(për të imituar "Allianz Arena", sipas shijeve të shumicës së
shqiptarëve që janë tifozë me gjermanët) ndaj kompleksit monumental rreth
Sheshit Nënë Tereza. Të njëjtin efekt bën edhe kulla "Ever Green"
ndaj ndërtesës historike të Bankës Kombëtare dhe ndërtesave të tjera rreth e
rrotull; e po këtë efekt pritet të bëjë edhe një kullë tjetër e miratuar në
pikën ku bashkohet rruga e Durrësit me atë të Kavajës që do të varrosë edhe
Muzeumin Kombëtar. Të njëjtin efekt bën edhe sheshi i ri Skënderbe (por për
këtë do të shkruaj një artikull më vete).
Kemi të bëjmë me një
shëmtim të parekuperueshëm që, nga pikëpamja urbanistike - arkitektonike, vjen
nga vendosja në kontekstin e gabuar e këtyre ndërtimeve të reja. Është një
shëmtim që e gjen kudo në ndërtimet kaotike të Tiranës, ku Rama kryebashkiak ka
ngritur pallate pa numër dhjetëkatëshe
mes ndërtesave katër katshe të komunizmit apo mes vilave të kohës më të
hershme, por tek qendra ky shëmtim bëhet kitsch në sajë të pretendimit estetik
që ka.
Lidhur me këtë fenomen të
prodhimit të kitschit antropologu i njohur bullgar Ivaylo Ditchev thotë se
"ka një shekull që politikanët në Ballkan ndjekin politika kulturore, që,
në thelb, shkojnë drejt prodhimit të kitsch-it, si importim dhe imitim banal i
gjërave që janë prodhuar më parë në Perëndim". Shakun pse kjo formë e
kitsch-it është kaq ulëritëse në Ballkan Ditchev e shpjegon me dy argumente: Së
pari, “sepse atje elita nuk është legjitime. Kjo elitë në të shumtën e rasteve
ka dalë në krye fare rastësisht dhe përmes rrethanave të shumta të kaosit. Dhe
duke qenë se ajo nuk e ka burimin e vërtetë, të brendshëm, për të qëndruar në
pushtet, bën përpjekje të dëshpëruara për t'u kapur pas ndonjë "bote të
jashtme", që do ta legjitimonte atë. Kultura e huaj, ndonëse e imituar në
mënyrë banale, përdoret kësisoj për t'i vënë vata uniformës së pushtetit.” Së
dyti, sepse nëpërmjet këtij kitschi “njerëzit harrojnë kontekstin e vërtetë të ekzistencës së tyre dhe
jetojnë në mes të një imazhi skenik, që është prodhuar enkas për ta.”
Është fiks ajo se si e njohim Edi Ramën në punë e tij njëzetvjeçare:
njeri që punon pa pushim për t'i vënë vata ndërkombëtare pushtetit të
oligarkisë së korruptuar dhe kriminalizuar dhe duke krijuar imazhe skenike për
të mashtruar shqiptarët.
***
Përveç aspektit social -
kulturor - arkitektonik, që shtjellova më sipër, "Shkupi 2014" i
Gruevskit dhe projekti Rama për qendrën kanë edhe dy të përbashkëta të tjera,
që i bëjnë edhe projekte të rrezikshme politikë.
Së pari, të dy projektet
janë imponuar me forcën e kartonit të një maxhorance duke sjellë përçarjen e
shoqërisë ndërkohë që një qendër e kryeqytetit duhet të jetë përbashkuese. Dhe
s’ka gjë më përbashkuese sesa historia e përbashkët shekullore e një qendre.
Shkatërrimi me dhunë i saj nga një pjesë kundër pjesës tjetër, me parullën
"mbi gërmadhat e botës së vjetër ngremë botën e re", siç ka ndodhur
edhe më parë në Tiranë, le plagë të thella që përgatisin shkatërrime dhe
gërmadha të tjera.
Së dyti, sipas njerëzve
më të informuar, tek "Shkup 2014" nuk kishim të bënim vetëm me një
projekt delirant sajimi identiteti, por, prapa kësaj fasade, qëndronte edhe një
projekt i madh korruptiv, sepse paratë publike të derdhura lumë aty u
shpërndanë në klientelën e Gruevskit. "Shkupi 2014" ishte çmimi që
pagoi qyteti që Gruevski dhe të tijtë të qëndronin në pushtet.
Është e tepërt të jap
prova e argumente - sepse kohët e fundit është folur e shkruar aq shumë për
këtë - se si shkatërrimi i Tiranës historike, që po arrin një pikë kulmore me
projektin e shkatërrimi të Teatrit Kombëtar, janë çmimi që po paguan qyteti që Rama dhe oligarkia kriminale rreth tij
të qëndrojnë në pushtet. (Panorama, 13 korrik 2016)