Sunday, March 19, 2006

Mbi obstruksionizmin e dyfishtë të LSI

Ka një të vërtetë që e ka provuar thuajse vazhdimisht eksperienca e marrëdhënieve njerëzore: njerëzit merren vesh me njëri tjetrin kur kanë synime të përbashkëta kurse është shumë e vështirë të merren vesh kur kanë synime të përkundërta. Synimet e përbashkëta, që shpesh shoqërohen edhe me emocione të përbashkëta, i shtyjnë të gjejnë pikat e takimit e konvergimit me njëri tjetrin, synimet e përkundërta i fusin në linja diverguese.
Nëse do të kërkojmë të shpjegojmë thelbin e krizës që kalon sot Shqipëria që po shfaqet me prodhimin me bollëk të ngjarjeve/kriza të cilat mbulojnë njëra tjetrën – siç janë dhe sherret e fundit në Parlament - duke mbetur të paasimiluara, pra pa nxjerrë konkluzione prej tyre dhe pa gjetur zgjidhje të problemeve që ato venë në dukje, as marrëveshje dhe as paqe, do të vemë re se, në thelbin e tyre, qëndron kundërshtia në themel e synimeve të palëve të ndryshme dhe, më anë tjetër, mungesa e respektit për ligjin dhe e autoritetit të institucioneve që vendosin marrveshjen dhe paqen midis palësh me synime të kundërta.
Në shkrimin para këtij me titull “Për një sintezë politike” ngrija çështjen e nevojës së një sinteze midis periudhës berishiane të viteve 1992-1997 dhe asaj nanojane të viteve 1997 – 2005. Sipas çka propozoj vullnetit për pushtet të Berishës së parë që ai sot e identifikon me vullnetin për ndërtimin e shtetit ligjor t’i “heqim” elementët autoritaristë që ai ka shfaqur asokohe dhe ta bashkojmë me arritjet në kahen e lirisë që kemi patur gjatë këtyre tetë vjetëve duke u “hequr” atyre lirinë për të vjedhur e, mbi të gjitha, humbjen e autoritetit të shtetit. Kjo është rruga më normale e procedimit për këdo që pretendon se mëson nga përvoja e së kaluarës. Ndërkaq kjo nuk po ndodh, përkundrazi, kemi prirjen për ruajtjen e një antiteze permanente. Në argumentet pse kjo nuk ndodh, pra pse nuk jemi në gjendje të bëjmë këtë sintezë përmendja edhe mungesën e aktorëve jashtë këtyre dy palëve që do të mund të ndihmonin në bërjen e kësaj sinteze. Një simpatizant i LSI më tha se gabohesha sepse kisha harruar partinë e Metës.
Le të përpiqem të shtjelloj arsyetimin që shtjellova me simpatizantin e LSI-së duke ngulmuar se LSI është edhe ajo një palë obstruksioniste e llojit të vet që i bën obstruksion të dyja palëve dhe jo një katalizator që mund të krijojë sintezë, - sepse mendoj se ky shtjellim i shërben jo thjeshtë LSI-së por, sadopak, kthjellimit të krizës politike që po kalojmë, pa pretenduar ta shteroj problematikën e saj.
Më së pari duhet të themi se është e qartë se synimi i shpallur i Berishës, lufta kundër korrupsionit, është bash e kundërta e synimit të shpallur të socialistëve. Qysh në fushatën elektorale e tash e mbrapa socialistët kanë për synim parësor rrëzimin e Berishës duke e paraqitur atë si rrezik për “arritjet” e tyre demokratike, por pa arritur të bindin se nuk e shohin si rrezik të zbulimit dhe dënimit të korrupsionit të tyre. Pra më duket e qartë se është e vështirë të gjendet marrëveshja midis këtyre dy palëve sepse kanë synime të kundërta. Të kundrëta janë synimet edhe nëse sejcila palë synon vetëm një gjë pushtetin e vet duke përdorur njëra antiberishizmin dhe tjera antikorrupsionin thjeshtë si mjet. Marrëveshje midis këtyre dy palëve do të ishte e mundur sikur brenda PS të kishte filluar një lëvizje për katarsis të vërtetë të partisë e, në këtë rast, grupi që do të ndërmerrte këtë lëvizje mund të kishte tjetër qasje ndaj politikave antikorrupsion të Berishës e më tepër gatishmëri për të bashkëpunuar me të në këtë drejtim duke e kontrolluar. Po kështu mund të kishte prirje për marrveshje nëse brenda PD do të kishte një grup që do të gjykonte se autoritarizmi i Berishës është rrezik më i madh se mafja që ka kapur shtetin, çka do t’i çonte, po ashtu, në qasje tjetër ndaj PS-së.
Ndërkaq, po të vesh re spektrin politik, si të majtë edhe të djathtë, do të vemë re se brenda mazhorancës vështirë se mund të thuash se të gjitha partitë e koalicionit kanë pasur si kryesynim çështjen e luftës kundër korrupsionit. Aq më tepër po të kesh parasysh disa parti që i polli Dushku dhe që kaluan në krahun e Berishës pasi morën votat e socialistëve. Kurse në krahun opozitar Partitë aleate të PS luftën kundër korrupsionit as nuk e përmendin, madje i tremben kësaj si shejtani thimjanit.
E vetmja parti që ka në programin e saj antikorrupsionin dhe që vazhdon ta përmendë atë është LSI. Edhe votat ajo i ka marrë kryesisht nga rradhët e atyre votuesve që më një anë kishin rezerva ndaj Berishës, por më anë tjetër nuk duronin më regjimin e korruptuar të socialistëve. LSI, pra, jo vetëm duket si partia ideale për të qenë aktive në sintezën për të cilën bëj fjalë - nëse do të kremi parasysh çka thash në krye se kur synimi është arritja e së njëjtës pikë mund të diskutohet për rrugët se si të shkohet atje, - por edhe zbërthyesja më e mirë e situatës ku ndodhemi pasi ngërthen në vetvete kontradiktat e kësaj krize. Në vend të sintezës mua më rezulton se LSI me një strategji sterile barazlargimi si nga PD-ja dhe nga PS-ja nuk po bën gjë tjetër veçse një obstruksionizëm dy kahesh. Le të shpjegohem: LSI ka deklaruar mëse një herë, jo rastësisht në formë negative, se me PS e ndan korrupsioni kurse me PD e ndan mosbesmi ndaj Berishës dhe jo të kundërtën se me PD e bashkon antikorrupsioni kurse me PS e bashkon lufta kundër autoritarizmit. (Hoqa këtu çështjen e manipulimit të zgjedhjeve që ajo ia vesh të dy palëve). Edhe në numrin e fundit të gazetës së LSI citohej kryetari i LSI, Meta, sipas të cilit nuk mund të ketë bashkëpunim me të majtën pa luftën kundër korrupsionit duke u nënkuptuar gjithashtu se nuk ka bashkëpunim me Berishën. Është e qartë se LSI në fakt kërkon dy gjëra të pamundura për momentin: që PS të bëjë katarsis kurse PD të nxjerrë një tjetër lider duke zbuluar se, tek e fundit, bashkëpunimi midis saj dhe këtyre dy partive është larg.
Ky barazlargim steril të bën të mendosh dy gjëra: ose se LSI ka paqartësi në synimet e saj dmth se nuk ka caktuar prioritetet ose se i leverdis kjo gjendje krize sepse kështu mendon se mund të mbahet edhe një vit Berisha në gjendje paqeverisshmërie derisa LSI të fuqizohet e të luajë pastaj për vete në krahun e majtë një rol të rëndësishëm. Kuptohet se varianti i dytë, që është edhe më i besueshmi, nuk merr parasysh interesat e vendit sepse një vit e gjysëm paqeverishmëri do të ishte katastrofk për vendin. Ndërkaq, sikur LSI të kishte prioritet luftën kundër korrupsionit normalisht do të ishte më afër PD-së dhe, në këtë rast, mund të kërkonte të gjente rrugët e marrëveshjes se si antikorrupsioni të kryehej sa më me efikasitet dhe të evitohej që ai të kthehej në mjet sundimi për Berishën. Kurse po të kishte prioritet rrëzimin e Berishës do të ishte më afër me PS dhe do të gjente rrugët për ta rrëzuar duke lënë në plan të dytë korrupsionin.
Një çështje që e ve në dukje rolin dy herë obstruksionit të LSI është ajo e Prokurorit të Përgjithshëm. Po të pyesësh demokratët nëse duhet hequr apo jo Prokurori i Përgjithshëm ata të thonë “po” sepse ai, sipas tyre, ka penguar luftën kundër korrupsionit. Nëse do të pyesësh socialistët dhe aletatët e tyre ata të thonë “jo” sepse Berisha kërkon të verë prokuror me të cilin të sundojë. Nëse do të pyesësh LSI-stët ato të thonë edhe “po” edhe “jo”. “Po” sepse është përgjegjës për mungesën e luftës kundër korrupsionit, “jo” sepse po e mori në dorë Berisha prokurorinë na rrezikon. (ky është një arësyetim që e dëgjon edhe nga shumë të tjerë që nuk e mohojnë dot përgjegjësinë e Prokurorit, por që, megjithatë, duke folur vetëm për rrezikun që paraqet Berisha pengojnë që ai të hiqet pa na bindur nëse kanë hallin e demokracisë apo punojnë për ruajtjen e sistemit të korrupsionit.) Kuptohet se argumenti më i fortë i tyre është shembulli që dha Fatos Nano ku lufta kundër korrupsionit nuk qe qëllim, por mjet. Megjithatë duhet të vemë në dukje se katarsisi i dështuar apo i keqpërdorur i Nanos nuk ka mundur të frenojë procesin që lindi me atë lëvizje. Ai tregoi se ndjeshmëria e njerëzve ishte përqendruar në këtë çështje të cilën që prej asaj kohe e kemi si prioritet të politikës pasi e ndjejmë se pa ndryshuar ky sistem zorr se do të mund të kemi edhe përmirësime të jetës social ekonomike. Ky prioritet bëri që Meta ta zgjedhë si kryemotiv të ndarjes së tij me socialistët e Nanos; po ky prioritet ka bërë që Berisha ta ketë kryemotivin e vet të luftës plitike.
Ja pse ngulmoj se çdo moment duhet të ketë prioritetin e vet ku duhet të përqendrohet aktiviteti politik dhe se, për momentin ku ndodhemi, rreziku më i madh në të cilin ndodhet vendi është kapja e shtetit mga mafja jo autoritarizmi i Berishës. Nisur nga ky vlerësim them se duke u vënë theksi tek e kundërta, pra tek frika e autoritarizmit të Berishës me synim pengimin e çdo veprimi të tij ose duke u barazlarguar siç bën LSI, mund të përballemi nesër me disa rreziqe sipas meje më të mëdha: i pari është ai që të mbetemi atje ku kemi qenë, pra të kapur nga mafja. I dyti që, nëse Berisha nuk përkrahet në luftën kundër korrupsionit duke u kontrolluar, atëhere, në mungesë përkrahjeje – ku edhe vetë kontrollin në këtë rast e shoh si përkrahje - kjo luftë rrezikon të bëhet edhe më keq e ndër këto të këqija është edhe rreziku që Berisha, për të ruajtur pushtetin të mbështetet në segmente të sistemit të korrupsionit që janë afër tij duke i dhënë kështu ndoshta një impuls edhe më të madhe disa metastazave të tij e duke u justifikuar më anën tjetër se nuk e lufton dot korrupsionin sepse nuk e lenë të heqë prokurorin.
Ja pse mendoj se barazlargimi i LSI dhe qëndrime të ngjashme obstruksioniste që synojnë krizë permanente janë steril dhe, në rastin më të mirë, thjeshtë të motivuar nga vënia e intersesit të pushtetit për pushtet mbi vizionin e pushtetit për t’i shërbyer vendit, kurse në rastin më të keq i shërbejnë ruajtjes së statukuosë pasi një krizë permanente dhe paqeverisshmërie mbi të gjitha i shërben mbijetesës dhe fuqizimit të mafjes. Në këto kushte LSI humbet arsyen e lindjes së saj sepse në thelb humbet atë votues që nuk kërkon as të kthehemi në sistemin e parë të Berishës dhe as në sistemin e korrupsionit të socialistëve. (Korrieri, 10 mars 2005)

Për një sintezë politike

Në krizën politike që po përjetojmë vlen të kujtohen shkurt dy periudhat kryesore që kemi kaluar në këta 14 vjet tranzicion, ajo e PD dhe ajo e PS të cilat edhe po evokohen në këtë luftë.
Periudha e parë e PD apo e Berishës, nëse do të përpiqemi ta sintetizojmë, ishte një periudhë që me një fjalë të vetme mund të quhet “demokraci iliberale” apo “demokraturë”, karakteristike për vende që dalin nga një regjim diktatorial. Një nga karakteristikat e saj ishte ruajtja nën kontroll e disa institucioneve shtetërore që duhet të ishin të pavarura dhe përdorimi i tyre për të kontrolluar pushtetin. Kam parasysh mbi të gjitha Drejtësinë, SHIKun dhe kontrollin mbi TVSH. Me fjalë të tjera një periudhë ku këta institucione ekzistonin dhe vepronin, edhe ligji ekzistonte, por kur ligji dhe veçanërisht pjesa e tij shtrënguese apo dënimi binte më shumë mbi kundërshtarët politikë.
Periudha socialiste, apo e Nanos, e cila pati si ndërmjetëse krizën e piramidave të vitit 97 që u karakterizua nga një shkatërrim i këtyre institucioneve, është e ndryshme nga kjo periudhë e parë e PD. Ajo është periudha kur ra autoriteti i institucioneve shtetërore edhe ai i ligjit edhe frika nga ligji. Është periudha ku nga pushteti i centralizuar në duart e Berishës patëm, gjoja në emër të lirisë, një copëzim të pushteteve, një ndarje në feude të pushtetit, ku grupe të ndryshme bizneso - politike krijuan edhe mediat e tyre dhe vepronin si feudalë të patrazuar nga ligji dhe nga shteti, (ndryshe kjo periudhë mund të karakterizohet edhe si periudhë e “regjimit mediatik” ku nga një televizion i vetëm ai shtetëror në kohën e Berishës arritëm të kemi 80 televizione si mjete pushteti të këtyre klaneve feudale), kurse Fatos Nano sillej si një mbret i shthurur që u mblidhte këtyre feudalëve përqindjen e vet për t’i lënë të qetë në aferat e tyre.
Ajo çka po zhvillohet sot në skenë është pak a shumë një luftë midis dy qëndrimesh politike që u referohen këtyre dy periudhave. Socialistët thonë se ne po rrezikojmë të kthehemi në kohën e para 97-tës kur Berisha kontrollonte institucionet që duhet të ishin të pavarur ashtu sikurse edhe mediat për të goditur kundërshtarët. Kurse Berisha thotë se kërkon t’i japë fund mbretërisë së shthurur të feudalëve socialistë të korrupsionit dhe të ndërtojë shtetin ligjor.
Kuptohet se kush është jashtë kësaj ndeshjeje dhe kërkon të mirën e tërë shoqërisë e të vendit, ku futet edhe autori i këtyre rradhëve, është si kundër kthimit të periudhës së parë të Berishës edhe mbetjes së vendit nën lojën e stërkonsumuar dhe zhvatëse të feudalëve socialistë.
Dhe në këtë pikë problemi shtrohet: a jemi ne në gjendje të bëjmë një sintezë të këtyre dy situatave? A mundemi ne, pra, të ndërtojmë edhe shtet edhe një shtet ku të jenë të gjithë njëlloj të barabartë përpara ligjit? Me fjalë të tjetra a do të mund të bënim një sintezë të “demokraturës” së Berishës së parë me “lirinë e pandëshkuar të vjedhjes” të socialistëve duke i hequr “demokraturës” mbaresën diktatoriale dhe duke e bërë “demokraci” e duke i hequr “lirisë së vjedhjes” pjesën e dytë imorale duke e lënë vetëm “liri” - pra për të hyrë në periudhën e një demokracie liberale?
Ajo çka po zhvillohet në parlament të bën shumë pesimist për arritjen e një sinteze të tillë. Socialistët thonë se këtë nuk mund ta bëjë Berisha sepse ay është autoritar dhe, duke i bërë tra edhe qimen e një vendimi të tillë si votimi për Jozefina Topallin me elektronikë kërkojnë, në fakt, të na thonë se ata nuk kanë asnjë garanci se ai mund ta përdorë ligjin njëlloj për të gjithë, por se do ta përdorë si kamzhik për kundërsharët. Demokratët thonë se po ndodh bllokimi i procesit të rivendosjes së autoritetit të shtetit dhe të ligjit jo pse socialistët kanë hallin e të drejtave të tyre të votës që i kanë nëpërkëmbur sa herë kanë dashur, por sepse kjo i rrezikon si persona si dhe rrezikon deri edhe pronat e tyre të ndërtuara në mënyrë të paligjshme dhe korruptive.
Është e qartë se të dy palët kanë nga një handikap të madh. Berisha të kaluarën e tij autoritare socialistët të kaluarën e tyre korruptive. Ndërkaq, ajo çka bije në sy në mënyrë dramatike është mungesa e institucioneve që qëndrojnë në mes pa qenë palë e të cilët do të mund të ndihmonin në bërjen e sintezës politike që propozoj.
Kam parasysh mbi të gjitha katër lloj aktorësh:
Një drejtësi të pavarur, e cila për fat të keq mungon.
Një media të pavarur: e cila për fat të keq mungon.
Forca të tjera politike me autoritet dhe kredibilitet të padiskutueshëmn që që për fat të keq mungojnë edhe ato.
Një shoqëri civile që për fat të keq edhe kjo mungon.
Nëse do të jesh pak më optimist në vend të fjalës “mungon” mund të përdorësh frazën “nuk janë në nivelin e duhur”.
Në këto kushte vendi ka mbetur pre e luftës midis dy partive politike dhe ajo çka po zhvillohet në parlament duket sikur është, tek e fundit, një luftë për jetë a vdekje se kush do të dalë më i fortë dhe do të triumfojë mbi tjetrin në mënyrë të tillë që të mos ketë prokuror të guxojë t’i afrohet.
Ndërkaq, realiteti përtej kësaj lufte politike është se në shoqëri ekzistojnë dy grupe kundërshtare: më një anë një opinion i gjere që votoi në 3 korrik kundër korrupsionit dhe që tregoi se më shumë sesa frikën e autritarizmit të Berishës ndjen peshën e korrupsionit që e ka futur në një pasiguri të frikshme për jetën e për të ardhmen dhe, më anën tjetër, një sistemi i tërë i korrupsionit i cili ndjehet i trazuar në rrjetën e tij të gjerë e që nuk e do dritën e shtetit ligjor jo vetëm pse në kaosin e terrin e paligjshmërisë të gjitha delet janë të zeza, por edhe pse kështu vazhdon të sigurojë pjesën e luanit në qarkullimin e parasë në Shqipëri.
Aktorët politikë që duhet të interpretojnë e zgjidhin këtë konflikt midis shoqërisë dhe sistemit të korrupsionit duket janë të ende të pamjaftueshëm. Megjithatë kjo krizë dhe ky debat ka një të mirë: po e ve shumë më dukshëm se më parë në skenë nevojën e sintezës politike për të cilën po shkruaj dhe qorrsokakun ku mund të mbetemi e konfliktuojmë nëse nuk e kemi këtë vizion pastrues e rigjenerues. Kjo krizë ndoshta do të nxisë më në fund rritjen e aktorëve që do t’i mshojnë këtij projekti. E kam fjalën për rritjen e aktorëve demokratë që nuk synojnë kapjen e sistemit të korrupsionit e ushtrimin arbitrar të pushtetit të kapur, por çlirimin e shtetit nga kapja, për aktorë socialistë që nuk janë të korruptuar e duan të mbrojnë veten, por që duan ta luftojnë korrupsionin në partinë e tyre e në tërë shoqërinë, për aktorë të tjerë politikë që nuk shohin çdo gjë duke llogaritur pushtetin apo përfitimin e tyre personal, për aktorë të drejtësisë që vlerësojnë më shumë të drejtën se paranë, për aktorë të medias që nuk punojnë për mbijetesën e “regjimit mediatik”, për aktorë të shoqërisë civile që nuk i motivojnë paratë e ndërkombëtarëve, por çlirimi nga ky impas dramatik i shoqërisë.
Po nuk u vunë në lëvizje të gjithë këta do të na mbetet të thërresim prap ndërkombëtarët të na ndajnë e bashkojnë pa na ndarë e pa na bashkuar me të vërtetë. (Korrieri, 3 mars 2005)

Pronën e shoh në funksion të lirisë dhe jo lirinë në funksion të pronës

Kaloi 8 marsi dhe u bë e udhës që një seri aktivitetesh të shoqërojme këtë ditë. Fatos Lubonjën nuk e pamë pothuaj në asnjë prej aktiviteteve te këtij lloji. Eshtë paksa i terhequr Lubonja nga "aktivizmi zyrtar"? A rrezikon aktivizmi në Shqipëri të fitojë një karakter "zyrtar"?

Së pari, për mua 8 marsi duhet të jetë një ditë proteste e grave dhe jo festimi. Ndërkaq perceptimi se tek ne vazhdon të mbizotërojë trajtimi i kësaj dite si festë më ka mbajtur larg ndjekjes së këtyre aktiviteteve kurse përsa i përket pjesëmarrjes them se personalisht mund ta shihja veten thjeshtë si një përkrahës i përunjur në një protestë grash kundër pushtetit të gjinisë sime.
Për fat të mirë pashë në ndonjë lajm se diku kishte pasur edhe protesta, por ishin kryesisht protesta për gjendjen e keqe social ekonomike në përgjithësi. Kurse 8 marsi mendoj se duhet të jetë ditë protestash të grave kundër kësaj shoqërie maçoiste, patriarkale ku gruaja pëson një shfrytëzim të dyfishtë dhe është aq pak prezente në vendimmarrje. Kurse nga sa pashë unë edhe këtë vit 8 marsi ynë vazhdoi të festohet si dita e çlirimit të grave. Gratë grumbullohen e festojnë duke ngrënë e kërcyer nëpër restorante a thua se koha kur nuk kanë qenë të lira ka mbarua më ndonjë 8 mars të një shekuli më parë.
Nuk them se nuk mund të ketë ditë festash, por këto më shumë lidhen me përkujtime ditësh apo ngjarjesh që shënojnë ndonjë fitore tashmë të arritur, siç mund të jetë psh. një ditë çlirimi kombëtar, jo kur një ditë përkujtohet për të nxitur një proces që është në vazhdim. Po të keni parasysh 1 Maji në Shqipëri festohej me parada e me dreka e darka e më the të thashë sepse regjimi pretendonte se klasa punëtore ishte ajo që e kishte marrë tashmë pushtetin. Ishte një mashtrim i madh siç dihet. Trocki ka thënë për Stalinin se ai do të mbetet në histori si xhelati më i madh i klasës punëtore. Kurse po të shikosh në Perëndim, ku dhe ka lindur, 1 Maji është ditë protestash të klasës punëtore dhe jo ditë feste. Edhe përsa i përket 8 marsit mund të themi të njëjtën gjë. Tek ne vazhdon një traditë komuniste që ende e konsideron si ditë “fitoreje” në frymën që thashë. E po ta lidhësh me pyetjen tuaj për zyrtarizimin e përkujtimeve kjo pa dyshim të çon tek një mbeturinë e kulturës zyrtare të regjimit të vjetër ku shteti totalitar merrte përsipër të bënte gjithçka e të përfaqësonte gjithkënd edhe burrin edhe gruan edhe mikpritsin edhe të ftuarin edhe pronarin edhe punëtorin edhe avokatin edhe gjykatësin përzjerë po ashtu me tiparin tjetër të asaj kulture zyrtare (si mjet manipulimi e sundimi): ngrirjen e proceseve duke i mitifikuar ato, duke u ngritur si të thuash buste për së gjalli njerëzve dhe ngjarjeve që duhet të ishin në jetë e në proces. Vetëm tek ne, ndër vendet evropiane ish komuniste, më duket se vazhdon të ndodhë që të gjallët trajtohen si buste të vdekurish. Edhe festa si 8 marsi ne e kami trajtuar dhe vazhdojmë ta trajtojmë kështu. Shpresoj se ato filiza protestash që pashë do të jenë rritur ca më shumë vitin që vjen ndonëse përballë kësaj shprese më del parasysh fakti se Ps-ja (dmth partia e ashtuquajtur e majtë që normalisht duhet të ketë më shumë ndjeshmëri ndaj feminizmit) e festoi duke nxjerrë në faqe të parë të lajmeve dhe gazetave kryetarin e saj burrë (Edi Ramën) të shtrirë në një tezgë për të dhënë gjak me dy gishtat në shenjën e fitores V. Është qesharake, dhe dëshpëruese njëherësh për gjendjen e grave tona kur sheh se as më 8 mars burrat protagonistë nuk u lenë vend grave të protestojnë kundër protagonizmit të tyre.

Universiteti UFO ka ndërmarrë një iniciative për ligjërimin e lobimit në Shqipëri. Në fakt çfarë
gjykimi keni për "lobizmin" ?

Nuk e njoh projektin në fjalë, por besoj se vlen të komentohet si lajm duke e trajtuar në përgjithësi.
Sipas meje përvoja jonë lidhur me implementimin e të ashtuquajturve institucione perëndimore apo përvoja perëndimore ka treguar, besoj, gjatë këtyre 15 vjetëve disa gjëra që duhet t’i kemi parasysh kur përpiqemi të marrim dhe implementojmë ato. Mësimi kryesor që sipas mendimit tim na ka dhënë kjo përvojë është se institucionet apo praktikat perëndimore nuk mund të merren dhe vendosen në mënyrë shabllone nga konteksti perëndimor në kontekstin tonë, as për të pretenduar një lloj fasade evropianizimi, por duhen aplikuar në mënyrë krijuese me çka kuptoj, mbi të gjitha, duke patur parasysh problemet në terrenin tonë. Përndryshe ato mund të dështojnë ose të rezultojnë sterile ose të deformohen rëndë e t’u tjetërsohet funksioni për të cilin kanë lindur në Perëndim.
Pra, kur ju më pyesni për “lobizmin” si iniciativë e re mua më vjen parasysh, para të gjithash, gjendja dhe problemet e shoqërisë sonë dhe pastaj kërkoj ta shoh lobizmin në funksion të tyre. Në këtë kontekst ajo çka mua më rezulton si kryeproblem i yni është diçka që e kam shkruar para disa kohësh në mënyrë më të shtjelluar, por që e kam pasur si lejtmotiv vitet e fundit: fakti se në vendin tonë nuk kemi një sistem demokratik, por kemi ndërtuar një “regjim mediatik” me të cilin nënkuptoj një shtrese të caktuar social ekonomike që ka uzurpuar pushtetin politik të cilin nuk e mban dhe ruan me polici apo me ushtri - sepse sot në Evropë është e pamundur të ndërtohen “regjime policore” apo “regjime ushtarake”- por përdor mjete më “soft” siç janë mediat (kjo dhe vetëm kjo shpjegon hipertrofinë e mediave në vendin tonë) e se e ashtuquajtura demokraci apo pluralizmi apo parlamentarizmi i yni, në fakt, janë reduktuar në lojën apo luftrat për pushtet brenda kësaj klase; nuk janë, pra, ajo çka duhet të jetë në të vërtetë demokracia, pushteti i të gjithëve.
Tani, le të kthehemi tek lobizmi. Kur themi lobizëm kemi parasysh grupe të caktuara interesi (lobe) të cilët ushtrojnë presion mbi politikën për të mbrojtur intresat e tyre dhe për këtë kërkojnë psh. ligje që janë në interesin e tyre. Po ashtu në përgjithësi termi nënkupton grupe që kanë një gjendje të mirë financiare, pra që presionin e tyre e ushtrojnë kryesisht nëpërmjet fuqisë financiare.
Duke e ballafaquar këtë koncept të lobizmit me realitetin shqiptar unë mund të bëj disa komente: së pari se ndonëse nuk quhet lobizëm fenemeni i lobizmit ekziston në Shqipëri prej kohësh dhe për fat të keq në formë shumë të pervertuar. Pra shtresa e të pasurve që sundon sot nëpërmjet regjimit mediatik ka shumë mjete për të mbrojtur interesat e veta dhe, për më tepër, ka arritur të hartojë edhe ligje që të mbrojnë interesat e veta në mënyrë të tillë që jo vetëm dëmtojnë interesat e të tjerëve, por që arrijnë deri t’i bëjnë disa lloj abuzimesh apo vjedhjesh të jenë të mbrojtura me ligj. Në këto kushte frika ime është se ai që ju e quajtët inisiativë e re e lobizmit të jetë një metastazë e re e sistemit.
Por nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë e kundërta: që një pjesë më e ndërgjegjëshme e të pasurve të rinj ka arritur të kuptojë se nuk mund të shkohet kështu me ekonomi ilegale e duke paguar nën dorë e duke përdorur media, - sepse kjo dëmton edhe interesa te tyre tek e fundit në terma afatgjata, - ka ndjerë, pra, nevojën që të vendosen rregulla loje dhe të ushtrojë presion për këtë. Kjo mbetet për tu parë. Siç thashë rastin konkret nuk e njoh. Shpresoj të jetë kështu.
Megjithatë ndjeshmëria ime mbetet tek përfaqësimi i asaj shtrese që nuk ka as fuqi financiare dhe as përvojë për të bërë lobizëm. Dhe përfaqësimin e saj më pëlqen ta quaj me një emër që më tingëllon më i dashur dhe më afër vizionit tim të majtë evropian mbi botën:“shoqëri civile”.
Pra sipas këndvështrimit tim, vendi sot, duke patur parasysh gjendjen ku ndodhet, kryesisht ka nevojë për krijimin e sindikalizmit të vërtetë që të mbrojë intereesat e asaj shtrese të gjerë që punon në të zezë dhe pa asnjë siguri për të ardhmen si dhe, po ashtu, të partive të majta të vërteta që t’i përfaqësojnë në politikë me synim që ta çajnë bunkerin e regjimit mediatik. Në këtë luftë vendi ka, pa dyshim, nevojë edhe për ndërgjegjësim të pjesës më të shëndoshë të botës së biznesit për t’i bërë presion politikës që të verë rregulla loje që krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë dhe ekonomi të vërtetë tregu.

Kemi vërë re Lubonja që çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronave pothuaj nuk gjendet në preokupimet tuaja publike. I dedikohet kjo të qenit tuaj si një i majtë tipik?
Nuk e di çfarë nënkuptoni ju kur më quani “i majtë tipik”. Nëse keni parasysh ata që nën frymëzimin e Rusoit e konsiderojnë pronën private si burimin e gjithë të këqijave prandaj janë kundër saj ky nuk është tamam rasti im paçka se nuk e mohoj se tek unë ka një “mbeturinë” të edukimit rusoist, thuaj po deshe edhe komunist, çka ka bërë që pasuria materiale të mos jetë gjëja më e rëndësishme në jetën time. Ndonëse bëj pjesë ndër ata që e kanë provuar më fort se të tjerë në kurriz se humbja e pronës mund të jetë akti i parë i humbjes së lirisë ose se prona është garanci për të qenë i lirë jam ndër ata që e shohin pronën në funksion të lirisë dhe jo lirinë në funksion të pronës. Po ashtu pronën private nuk e konsideroj “të shenjtë” e “të patundëshme”, përkundrazi konsideroj “më të shenjtë” pronën publike sepse është kryesisht ajo që krijon tesutin social të një shoqërie që bashkon më fort se prona private jetët dhe shpirtrat e njerëzve.
Për t’u kthyer tek pyetja juaj. Është e vërtet se çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronave pronarëve të vjetër nuk kanë qenë në ndjeshmëritë e mija kryesore. Pa dyshim ajo çka thashë më lart ka ndikimin e vet sepse më ka pozicionuar në mënyrë të atillë që të mos e kuptoj rigjenerimin e vendit të lidhur me kthimin e pronës, por me reforma të tjera kryesisht të lidhura me “reforma” në mendjen e njeriut, me rikthimin e disa vlerave të humbura dhe me krijimin po ashtu të vlerave të tjera shpirtërore e kulturore. Duke u përqendruar këtu kam lënë, kuptohet, shumë tema të tjera pa i lëvruar. Por, sipas mendimit tim, tek kjo “pandjeshmëri” ka ndikuar edhe fakti që politika shqiptare ka krijuar gjithmonë ngjarje/kriza që e kanë lënë në plan të dytë çështjen e pronës ashtu sikurse edhe çështje të tjera ky hyn fort i lidhur me të parën edhe dëmshpërblimi i të burgosurve politikë e shumë të tjera. Në periudhën e parë të Berishës ndjeshmëria qe përqëndruar tek kërcënimi i lirisë së sapofituar, në periudhën e socialistëve tek shkatërrimi që i bëri liria për të vjedhur çdo vlere shpirtërore dhe vetë kuptimit e lirisë e të jetës me nder e dinjitet në këtë shoqëri. Por, nga ana tjetër, kam përshtypjen se ajo çka ka ndodhur në thelbin e vet me shpronësimin dhe me burgosjen e njerëzve: shkelja e të drejtave themelore të njeriut, nëpërkëmbja e dinjiteteti njerëzor, humbja e lirisë me tërë pasojat që këto kanë sjellë mbi vetë viktimat, por edhe mbi tërë shoqërinë, besoj se e ka qenë çështja më e rëndësishme e shkrimeve të mija, veçanërisht po të kesh parasysh edhe aktivitetin tim letrar. (Rubrika Perpjekja, Standart, 11 mars 2006)

Berisha të qartësojë nëse luftën kundër korrupsionit e ka qëllim apo mjet

Politika është zhvilluar rrëmbyeshëm gjatë kësaj jave. Kryeministri Berisha në përgjigje ndaj obstruksionizmit të opozitës ka sjellë argumentin seksual në politikbërje, duke akuzuar Blendi Klosin për vardisje seksuale. Lubonja, është i pranueshëm argumenti seksual në politikbërje?

Ky moment vlen të komentohet në disa plane që ndërpriten dhe ndahen me njëri tjetrin. Së pari mund të thuhet se kemi të bëjmë me një moment ku lufta politike, siç ka ndodhur jo rrallë në këto vjet, merr doza të forta iracionaliteti, ku palët shpallin luftë për jetë a vdekje dhe meqënëse lufta merr këtë karakter kjo sikur legjitimon edhe përdorimin e çdo mjeti, pra edhe “armët kimike”. Pra puna arrin që obstruksionizmit iracional të PS Berisha i përgjigjet jo vetëm me akuzat për korrupsion të disa prej kundërshtarëve - çka edhe mund të pranohet po të kesh parasysh se ai pretendon se ata e bëjnë obstruksionin për të mbrojtur veten, - por edhe me zbulimin e jetës intime apo problemeve intime të njërit prej kundërshtarëve. Ky i dyti më duket një veprim iracional nga ana e kryeministrit që zbulon në thelb nervozizmin e tij në një luftë që në thelb edhe mund ta ketë të drejtë. E kam fjalën se ai edhe mund të ketë të drejtë të nervozohet për faktin se, megjithëse ka të drejtën me vete pasi është i sigurtë për korrupsionin e kundërshtarit, këtë nuk e vërteton dot sepse organet që duhet të vërtetojnë këtë janë të blerë apo të korruptuar nga kundërshtari. Por vetia e një politikani, i cili për më tepër këtë nuk e ka çështje thjeshtë personale, por çështje të çrrënjosjes së një fenomeni duhet të jetë durimi dhe veprimi brenda ligjit e vetpërmbajtja para publikut.
Po ashtu, duke patur parasysh se sa e vështirë është kjo luftë, kjo nënkupton se “trimi i mirë” duhet të ketë “shokë shumë”. Fakti që kryeministri i merr përsipër vetë këto luftra dhe tregon një nervozizëm të tillë sikur demaskon se ai nuk ka shumë mbështetje në këtë luftë. E po të kesh parasysh se për të ardhur në pushtet atij i është dashur të mos i mbajë aq të pastra duart sa ç’premtoi para zgjedhjeve kjo edhe mund të jetë e mundur.
Në një plan tjetër kjo çështje mund të diskutohet në atë nëse është apo jo perversitet ajo që ka bërë Klosi e në përgjithësi se ç’duhet të kuptojmë me perversitet seksual. (Këtu flas në përgjithësi sepse nuk e kam shumë të qartë se për çfarë e akuzoi Berisha Klosin, por kam përshtypjen se e ka akuzuar për perversitet sesksuale lidhur me ca hyrje në sitet porno të internetit). Kjo, pra, është një çështje shumë delikate sepse deri dje psh., homnseksualizmi apo travestizmi konsideroheshin perversitete kurse sot t’i thuash pervers një homoseksuali apo travestiti do të thotë të shkelësh të drejtën e tij dhe pikë. E në këtë rast të shfrytëzosh një mendësi tonën të vjetër ndaj homoseksualizmit apo travestizmit për të delegjitimuar një kundërshtar sipas meje është jo vetëm e gabuar por edhe dhunim i një të drejte themelore të njeriut. Përjashto pedofilinë dhe incestin sot shumë nga ato, le të themi devijanca seksuale, që deri dje konsideroheshin perversitete bëjnë pjesë në jetën intime të një individi apo privatësinë e tij ku nuk kemi të drejtë të hyjmë.

Parlamenti ende nuk po mund të kalojë ngërçin politik që e ka kapluar që pas mocionit për shkarkimin e zonjës Topalli. Opozita pretendon se bllokimi i jetës parlamentare bëhet për të realizuar një të drejtë të tyren, votimin e fshehtë, por edhe për të ndalur hapat e Berishës për instalimin e një regjimi autoritar si ai i viteve 1992-1997. Sa qëndron sipas jush kjo frikë e opozitës. Kemi parasysh këtu edhe faktin se ju keni qenë më 1997 kundërshtar i Berishës kurse sot duket se i mbështesni disa veprime të tij antikorrupsion.

Socialistët ngulmojnë se po kthehemi në vitet 92-97 e nuk është e qartë nëse vërtet i ka kapur kjo paranojë apo kërkojnë të manipulojnë. Kjo vjen ngase opozita nuk ka kredibilitetin për të na bindur se veprimet e saj kryhen në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe jo në emër të drejtës për të vjedhur e mbetur i pandëshkuar. Apo thënë ndryshe ne e kemi vështirë të dallojmë nëse opozitarët socialistë kanë frikë kthimin e vitit 1992-1997 apo kanë frikën e rënies së drejtësisë mbi ta.
Mendimi im është se sot për sot jemi shumë larg periudhës së qeverisjes së Berishës së parë dhe frikës ndaj Berishës së parë. Kjo më shumë sesa ndryshimit të Berishës i dedikohet ndryshimit të Shqipërisë çka ka bërë që të ndryshojë edhe Berisha. Ndër këto ndryshime do të futja edhe atë çka është pjesa pozitive: rritjen e ndërgjegjes demokratike, edhe pjesën negative: fuqizimin e mafjes që ka kapur shtetin e cila sot për sot është shumë më e fuqishme se Berisha e që, duke veshur kostumin e demokracisë dhe pavarësisë së institucioneve si dhe të opozitës legjitime vazhdon të sundojë shumë më fort se Berisha.
Kështu që, sot për sot, më shumë është problem mafja sesa frika e kthimit të autoritarizmit të Berishës. Kjo nuk do të thotë që nesër të mos ndryshojë balanca, veçanërisht nëse do të shohim një Berishë që më një anë lejon korrupsionin e të tijve kurse më anën tjetër dënon kundërshtarët për korrupsion. Mendoj se është mbi të gjitha detyre e Berishës të qartësojë nëse luftën kundër korrupsionit e ka qëllim të cilin kërkon ta arrijë me mjete demokratike apo mjet për të arritur qëllime jodemokratike. Por është edhe detyrë e tërë atyre demokratëve apo aleatëve të tyre që nuk kuptohet qartë nëse i dominon autoritarizmi dhe protagonizmi i Berishës apo nuk kanë guxim të konfrontohen me sistemin e korrupsionit apo edhe më keq akoma i ka kapur ai. Duhet të presim edhe ca për të sqaruar këto pikëpyetje, por edhe të punojmë që punët të shkojnë në hullinë e së mirës dhe jo të së keqes. E në këtë punë do të vemë re se mjeti dhe qëllimi nuk janë aq të ndarë njëri me tjetrin sepse procesi mund t’i shkrijë.


Kryeministri Italian Silvio Berluskoni zhvilloi ditët e fundit një vizitë në SHBA, ku u takua me Presidentin Bush. Gjatë fjalës në Kongresin Amerikan dukej se Berlusconi fliste për një Perëndim të njësuar. Zoti Lubonja, kemi nevojë për Perëndimin e njësuar apo për një Europë dhe SHBA?

Kur flitet për një Perëndim të njesuar, siç foli Berlusconi, nënkuptojmë para së gjithash situatën në të cilën ndodhemi sot pas 11 shtatorit; nënkuptohet pra një armik i përbashkët që duhet të na bashkojë apo njesojë. Jam kundër politikave të bashkimit e njesimit në emër të një armiku të përbashkët sepse shumë shpesh prapa tyre qëndron një manipulim i rrezikshëm. Aq më tepër jam kundër politikave të ndërtimit të një Lufte të Dytë të Ftohtë, kësaj here me botën arabe apo muslimane. Sepse, le të mos e harrojmë, njesimi i Perëndimit e ka origjinën në ndarjen e botës më dysh pas Luftës së Dytë që u pasua nga Lufta e Ftohtë. Pra ideja e një Perëndimi të njesuar derivon nga ideja e ndeshjes së qytetërimeve e Hungtingtonit (pas mbarimit sipas tij të ndeshjes së ideologjive), e cila e identifikon Perëndimin si një nga këta qytetërime, madje si atë superiorin. Kurse, nëse je kundër idesë së ndeshjes së qytetërimeve, atëhere bota shfaqet shumë më e bukur në diversitetin e saj dhe pa nevojën e njësimit të një pjese kundër një pjese tjetër.
Nëse do t’i referohemi më konkretisht konfliktit të SHBA me një pjesë të mirë të botës arabe më duket edhe më e rrezikshme ideja e njesimit të Evropës me SHBA sepse nga diferenca e tyre ne kemi shumë të mira e një nga ato është edhe fakti se Evropa, ku mund të veçohet Italia e Berlusconit, por edhe Franca edhe Spanja, duke patur marrëdhënie historikisht të mira me botën arabe mund të luajnë një rol të rëndisishëm në zbutjen dhe zgjidhjen e konflikteve të Perëndimit me këtë botë. Në këtë kontekst vlen të përmendet edhe diçka e rëndësishme që ka të bëjë me diferencat në historinë e Evropës dhe SHBA. Po të vesh re sot SHBA kanë një qëndrim më ideologjik ndaj zhvillimeve botërore. Ata duket se në frymën e principeve të modernitetit kërkojnë t’i japin një drejtim, atë që duan ata botës, dhe kjo duket qartë edhe në politikat që ka deklaruar Bush lidhur me luftën në Irak psh.. Kurse evropianët kanë qenë më të gatshëm për t’i pranuar kritikat ndaj principeve fondamentale të modernitetit dhe për të përqafuar një orientim postmodern: ky disponim i tyri ka shumë lidhje me shkatërrimet dhe masakrat e dy luftrave botërore dhe me historinë e një kontinenti që, për shkak të bindjes së verbër ndaj vizioneve utopiste dhe ideologjive u gjend më 1945 në prag të humnerës. Gjë që amerikanët nuk e kanë provuar.
Sikurse ve në dukje edhe Jeremy Rifkin, intelekutalët evropianë qenë të parët që vunë alarmin kundër idesë së progresit të modernitetit me shqetësimin e parandalimit të rrezikut që dogmat e vjetra mund ta çonin përsëri njerëzimin në rrugën e shkatërrimit. Sulmi i tyre frontal ndaj metanarrativave i çoi në mbrojtjen e multikulturalizmit, të të drejtatve njerëzore universale, të të drejtave natyrore. Evropianët, në frymën postmoderne, e konsiderojnë multikulturalizmin një lloj antidoti ndaj mendimit modern, një mënyrë për të barazpeshuar njesimin doktrinar me multiplicitetin e perspektivave. Çështja e të drejtave e ka zgjeruar edhe më kritikën ndaj njesimit të pikpamjeve: të drejtat njerëzore universale dhe të drejtat natyrore janë një mënyrë për të njohur se historia e sejcilit ka vlerë të njëjtë ashtu sikurse edhe që planeti ynë është në vetvete gjë e rëndësishme.(Standart, Rubrika Perpjekja, 4 mars 2006)

Monday, March 6, 2006

Siç kanë emër ata që u vranë duhet të kenë emër edhe ata që i vranë

“Në datën 27 shkurt (1951) trokitën në derë, hynë brenda dy persona të cilat na komunikuan: ‘Manush Peshkëpia është pushkatuar sot, si armik i popullit. Me 3 mars të keni bërë gati plaçkat sepse do të dëboheni nga Tirana.’ Në 3 mars erdhën me kamiona për të na marrë. Shumica ishim gra dhe fëmijë të trembur…”
Kështu e filloi Gëzim Peshkëpia, i biri i njërit nga të pushkatuarit e 26 shkurtit 1951, shkrimtarit Manush Peshkëpia, fjalën e tij në takimin përkujtimor të 55 vjetorit të pushkatimit pa gjyq të 22 qytetarëve, shumica intelektualë e figura të njohura nga gjithë vendi.
Ishin mbledhur në atë takim në një nga sallat e Muzeut Kombëtar një pjesë e madhe e atyre “fëmijëve të trembur” tashmë të bërë me thinja. Kishte edhe fëmijë të tyre, kishte edhe të rinj, nipër e mbesa të të pushkatuarve. Por këta nuk ishin shumë, në sallë mbretëronin, gjithsesi, veshjet e errëta e me kostume të të moshuarve. Nëpërmjet kujtimeve të tyre, që pasuan referatin me të dhëna tronditëse të Uran Buktës, ata risollën edhe një herë në të tashmen atë kohë, atë tmerr të paimagjinueshëm ku 22 të pafajshëm u moren, pas një vendimi të Byrosë Politike, e u pushkatuan pa gjyq dhe u varrosen në një gropë të madhe në breg të Erzenit. Gëzim Peshkëpia thërret në ndihmë edhe Jacque Preverin për ta shpjeguar këtë krim të pashpjegueshëm:

Hurdha të mëdha gjaku ka në botë
Ku vete gjithë ky gjak i derdhur,
Vallë mos toka e pi dhe dehet?

Edhe sot e kësaj dite ata sikur nuk duan ta besojnë se ka ndodhur kjo dehje kriminale e tokës dhe e njerëzve. Si është e mundur të ndodhte kjo - duket se pyesin ata me të njëjtën çudi si 55 vjet më parë. Është e lehtë të mendosh me racionalitet se ideologjitë totalitare nuk e konsideronin njeriun veçse si një gur shahu në skakierë që mund të sakrifikohej për fitoren e planeve të tyre (monstruoze) dhe tjetër gjë, shumë tjetër, të kërkosh të imagjinosh se si njeriu mund ta marrë njeriun dhe ta mbysë me duart e tij duke e ditur se është i pafajshëm. Por kësaj çudije në atë sallë i mbivendoset edhe një çudi tjetër që krijon atmosferën e vaçantë të këtij përkujtimi. Është çudia, përzjerë me mëri të dhimbshme dhe revoltë, e harresës. Si është e mundur të harrohet ai akt terrori shtetëror, si është e mundur të harrohen ata njerëz, si është e mundur të harrohet gruaja shkencëtare Sabiha Kasimati që u morr, sëbashku me 21 burra e u pushkatua pa gjyq e u fut në një gropë buzë lumit të destinuar për të qenë varri i harresës së tyre? Si është e mndur të mos dënohen autorët e këtij krimi monstruoz?
Në fakt, një ngjarje e tillë, në çdo vend me ndërgjegje shoqërore normale, do ta kishte një pikë referimi, një ditë të shënuar në ndërgjegje që do të përkujtohej nga e gjithë shoqëria, për të cilën duhet të fliste presidenti, kryeministri, eksponentë të politikës dhe kulturë. Tek ne duket se gjithshka bëhet si përkujtim është reduktuar në përpjekjen e familjarëve dhe të asaj shtrese të persekutuarish afër tyre e se kjo ngjarje rrezikon të harrohet me shuarjen e tyre. Sepse nuk është bërë pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive. Ministri i Kulturës kishte ardhur dhe foli fatmirësisht, por nuk qëndroi dot as deri në fund për të ndruar kujtimin e tyre sepse kishte punë të tjera. Shqipëria në fakt ka shumë punë të tjera.
Përgjigjen ndaj psesë së kasaj harrese duket sikur kërkon ta japë Amik Kasaruho, i biri i një të pushkatuari tjetër të asaj dite të zezë, ekonomistit Qemal Kasaruho, kur bën një krahasim mdis dy përvojash historike dhe dy kulturash. Tregon se në rrethimin e varrit të Dantes ka edhe një grumbull të madh të lartë dheu i cili qëndron aty në shenjë të kujtimit të faktit se gjatë Luftës, për të shpëtuar eshtrat e Dantes nga ndonjë bombardim, italianët kishin hapur aty një gropë të thellë 7 metra për t’i strehuar eshtrat e poetit. Kurse ne kemi jetuar në një vend e me njerëz që i nxorrën eshtrat e një poeti, Gjergj Fishtës, dhe i hodhën në lumë në një përpjekje paranojake për të zhdukur kujtesën. Kjo inerci e zhfukjes së kujtesës që nuk është vetëm inerci e pavetëdijshme e diktuar nga hallet e panumërta që i krijojmë njëri tjetrit në këtë tokë të bekuar, por edhe strategji, veçanërisht e këtyre tetë vjetëve qeverisje nga trashëgimtarët e autorëve të atij krimi (dhe të atyre krimeve), është një nga temat e diskutimeve të tyre. “Do ta kishim përballuar shumë më lehtë tragjedinë tonë sikur dikush të kishte treguar pendesë e të kishte kërkuar ndjesë” – tha Kasaruho – por fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur.
Në emër të të gjithë atyre viktimave ai kërkon ashtu sikurse kërkoi edhe Gëzim Peshkëpia dhe Filip Guraziu, ashtu sikurse kërkuan edhe shumë të tjerë aty të bëhet drejtësi. Të bëhet një gjyq, qoftë edhe simbolik ndaj autorëve të krimit jo thjeshtë për ta, por që t’i shërbejë katarsisit, pastrimit të së keqes nga ndërgjegja e shqiptarëve, që të shërbejë edhe si një shembull moral për brezat që do të vijnë. Ata kërkuan që, ashtu sikurse kanë nje emër ata që u vranë, duhet të kenë një emër edhe ata që i vranë. Ata kërkuan, edhe duke iu referuar rezolutës së Asamblesë Evropiane, të ketë një ditë përkujtimi për viktimat e komunizmit. Të rishkruhen tekstet e historisë ku të futen edhe tragjedi si kjo. Të ketë rrugë dhe shkolla me emrat e këtyre martirëve.
“Drejtësia është hakmarrja që heq dorë” – tha Kasaruho duke cituar një filozof të njohur.
Shqipërisë i duket se ka punë të tjera, por ajo duhet të kuptojë se kjo punë e pambaruar e nderimit të viktimave të komunizmit dhe të dhënies atyre drejtësinë që meritojnë nuk do t’i ndahet e se, vetëm kur ajo drejtësi do të ketë gjetur vendin e vet në ndërgjegjet e shqiptarëve, ata do të mund të jenë më të drejtë, më humanë, më të sinqertë e më të drejtë me njëri tjetrin në tërësi e të denjë për të bërë pjesë në familjen e popujve me kujtesë. (Korrieri, 28 shkurt 2006)