Sunday, March 19, 2006

Berisha të qartësojë nëse luftën kundër korrupsionit e ka qëllim apo mjet

Politika është zhvilluar rrëmbyeshëm gjatë kësaj jave. Kryeministri Berisha në përgjigje ndaj obstruksionizmit të opozitës ka sjellë argumentin seksual në politikbërje, duke akuzuar Blendi Klosin për vardisje seksuale. Lubonja, është i pranueshëm argumenti seksual në politikbërje?

Ky moment vlen të komentohet në disa plane që ndërpriten dhe ndahen me njëri tjetrin. Së pari mund të thuhet se kemi të bëjmë me një moment ku lufta politike, siç ka ndodhur jo rrallë në këto vjet, merr doza të forta iracionaliteti, ku palët shpallin luftë për jetë a vdekje dhe meqënëse lufta merr këtë karakter kjo sikur legjitimon edhe përdorimin e çdo mjeti, pra edhe “armët kimike”. Pra puna arrin që obstruksionizmit iracional të PS Berisha i përgjigjet jo vetëm me akuzat për korrupsion të disa prej kundërshtarëve - çka edhe mund të pranohet po të kesh parasysh se ai pretendon se ata e bëjnë obstruksionin për të mbrojtur veten, - por edhe me zbulimin e jetës intime apo problemeve intime të njërit prej kundërshtarëve. Ky i dyti më duket një veprim iracional nga ana e kryeministrit që zbulon në thelb nervozizmin e tij në një luftë që në thelb edhe mund ta ketë të drejtë. E kam fjalën se ai edhe mund të ketë të drejtë të nervozohet për faktin se, megjithëse ka të drejtën me vete pasi është i sigurtë për korrupsionin e kundërshtarit, këtë nuk e vërteton dot sepse organet që duhet të vërtetojnë këtë janë të blerë apo të korruptuar nga kundërshtari. Por vetia e një politikani, i cili për më tepër këtë nuk e ka çështje thjeshtë personale, por çështje të çrrënjosjes së një fenomeni duhet të jetë durimi dhe veprimi brenda ligjit e vetpërmbajtja para publikut.
Po ashtu, duke patur parasysh se sa e vështirë është kjo luftë, kjo nënkupton se “trimi i mirë” duhet të ketë “shokë shumë”. Fakti që kryeministri i merr përsipër vetë këto luftra dhe tregon një nervozizëm të tillë sikur demaskon se ai nuk ka shumë mbështetje në këtë luftë. E po të kesh parasysh se për të ardhur në pushtet atij i është dashur të mos i mbajë aq të pastra duart sa ç’premtoi para zgjedhjeve kjo edhe mund të jetë e mundur.
Në një plan tjetër kjo çështje mund të diskutohet në atë nëse është apo jo perversitet ajo që ka bërë Klosi e në përgjithësi se ç’duhet të kuptojmë me perversitet seksual. (Këtu flas në përgjithësi sepse nuk e kam shumë të qartë se për çfarë e akuzoi Berisha Klosin, por kam përshtypjen se e ka akuzuar për perversitet sesksuale lidhur me ca hyrje në sitet porno të internetit). Kjo, pra, është një çështje shumë delikate sepse deri dje psh., homnseksualizmi apo travestizmi konsideroheshin perversitete kurse sot t’i thuash pervers një homoseksuali apo travestiti do të thotë të shkelësh të drejtën e tij dhe pikë. E në këtë rast të shfrytëzosh një mendësi tonën të vjetër ndaj homoseksualizmit apo travestizmit për të delegjitimuar një kundërshtar sipas meje është jo vetëm e gabuar por edhe dhunim i një të drejte themelore të njeriut. Përjashto pedofilinë dhe incestin sot shumë nga ato, le të themi devijanca seksuale, që deri dje konsideroheshin perversitete bëjnë pjesë në jetën intime të një individi apo privatësinë e tij ku nuk kemi të drejtë të hyjmë.

Parlamenti ende nuk po mund të kalojë ngërçin politik që e ka kapluar që pas mocionit për shkarkimin e zonjës Topalli. Opozita pretendon se bllokimi i jetës parlamentare bëhet për të realizuar një të drejtë të tyren, votimin e fshehtë, por edhe për të ndalur hapat e Berishës për instalimin e një regjimi autoritar si ai i viteve 1992-1997. Sa qëndron sipas jush kjo frikë e opozitës. Kemi parasysh këtu edhe faktin se ju keni qenë më 1997 kundërshtar i Berishës kurse sot duket se i mbështesni disa veprime të tij antikorrupsion.

Socialistët ngulmojnë se po kthehemi në vitet 92-97 e nuk është e qartë nëse vërtet i ka kapur kjo paranojë apo kërkojnë të manipulojnë. Kjo vjen ngase opozita nuk ka kredibilitetin për të na bindur se veprimet e saj kryhen në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe jo në emër të drejtës për të vjedhur e mbetur i pandëshkuar. Apo thënë ndryshe ne e kemi vështirë të dallojmë nëse opozitarët socialistë kanë frikë kthimin e vitit 1992-1997 apo kanë frikën e rënies së drejtësisë mbi ta.
Mendimi im është se sot për sot jemi shumë larg periudhës së qeverisjes së Berishës së parë dhe frikës ndaj Berishës së parë. Kjo më shumë sesa ndryshimit të Berishës i dedikohet ndryshimit të Shqipërisë çka ka bërë që të ndryshojë edhe Berisha. Ndër këto ndryshime do të futja edhe atë çka është pjesa pozitive: rritjen e ndërgjegjes demokratike, edhe pjesën negative: fuqizimin e mafjes që ka kapur shtetin e cila sot për sot është shumë më e fuqishme se Berisha e që, duke veshur kostumin e demokracisë dhe pavarësisë së institucioneve si dhe të opozitës legjitime vazhdon të sundojë shumë më fort se Berisha.
Kështu që, sot për sot, më shumë është problem mafja sesa frika e kthimit të autoritarizmit të Berishës. Kjo nuk do të thotë që nesër të mos ndryshojë balanca, veçanërisht nëse do të shohim një Berishë që më një anë lejon korrupsionin e të tijve kurse më anën tjetër dënon kundërshtarët për korrupsion. Mendoj se është mbi të gjitha detyre e Berishës të qartësojë nëse luftën kundër korrupsionit e ka qëllim të cilin kërkon ta arrijë me mjete demokratike apo mjet për të arritur qëllime jodemokratike. Por është edhe detyrë e tërë atyre demokratëve apo aleatëve të tyre që nuk kuptohet qartë nëse i dominon autoritarizmi dhe protagonizmi i Berishës apo nuk kanë guxim të konfrontohen me sistemin e korrupsionit apo edhe më keq akoma i ka kapur ai. Duhet të presim edhe ca për të sqaruar këto pikëpyetje, por edhe të punojmë që punët të shkojnë në hullinë e së mirës dhe jo të së keqes. E në këtë punë do të vemë re se mjeti dhe qëllimi nuk janë aq të ndarë njëri me tjetrin sepse procesi mund t’i shkrijë.


Kryeministri Italian Silvio Berluskoni zhvilloi ditët e fundit një vizitë në SHBA, ku u takua me Presidentin Bush. Gjatë fjalës në Kongresin Amerikan dukej se Berlusconi fliste për një Perëndim të njësuar. Zoti Lubonja, kemi nevojë për Perëndimin e njësuar apo për një Europë dhe SHBA?

Kur flitet për një Perëndim të njesuar, siç foli Berlusconi, nënkuptojmë para së gjithash situatën në të cilën ndodhemi sot pas 11 shtatorit; nënkuptohet pra një armik i përbashkët që duhet të na bashkojë apo njesojë. Jam kundër politikave të bashkimit e njesimit në emër të një armiku të përbashkët sepse shumë shpesh prapa tyre qëndron një manipulim i rrezikshëm. Aq më tepër jam kundër politikave të ndërtimit të një Lufte të Dytë të Ftohtë, kësaj here me botën arabe apo muslimane. Sepse, le të mos e harrojmë, njesimi i Perëndimit e ka origjinën në ndarjen e botës më dysh pas Luftës së Dytë që u pasua nga Lufta e Ftohtë. Pra ideja e një Perëndimi të njesuar derivon nga ideja e ndeshjes së qytetërimeve e Hungtingtonit (pas mbarimit sipas tij të ndeshjes së ideologjive), e cila e identifikon Perëndimin si një nga këta qytetërime, madje si atë superiorin. Kurse, nëse je kundër idesë së ndeshjes së qytetërimeve, atëhere bota shfaqet shumë më e bukur në diversitetin e saj dhe pa nevojën e njësimit të një pjese kundër një pjese tjetër.
Nëse do t’i referohemi më konkretisht konfliktit të SHBA me një pjesë të mirë të botës arabe më duket edhe më e rrezikshme ideja e njesimit të Evropës me SHBA sepse nga diferenca e tyre ne kemi shumë të mira e një nga ato është edhe fakti se Evropa, ku mund të veçohet Italia e Berlusconit, por edhe Franca edhe Spanja, duke patur marrëdhënie historikisht të mira me botën arabe mund të luajnë një rol të rëndisishëm në zbutjen dhe zgjidhjen e konflikteve të Perëndimit me këtë botë. Në këtë kontekst vlen të përmendet edhe diçka e rëndësishme që ka të bëjë me diferencat në historinë e Evropës dhe SHBA. Po të vesh re sot SHBA kanë një qëndrim më ideologjik ndaj zhvillimeve botërore. Ata duket se në frymën e principeve të modernitetit kërkojnë t’i japin një drejtim, atë që duan ata botës, dhe kjo duket qartë edhe në politikat që ka deklaruar Bush lidhur me luftën në Irak psh.. Kurse evropianët kanë qenë më të gatshëm për t’i pranuar kritikat ndaj principeve fondamentale të modernitetit dhe për të përqafuar një orientim postmodern: ky disponim i tyri ka shumë lidhje me shkatërrimet dhe masakrat e dy luftrave botërore dhe me historinë e një kontinenti që, për shkak të bindjes së verbër ndaj vizioneve utopiste dhe ideologjive u gjend më 1945 në prag të humnerës. Gjë që amerikanët nuk e kanë provuar.
Sikurse ve në dukje edhe Jeremy Rifkin, intelekutalët evropianë qenë të parët që vunë alarmin kundër idesë së progresit të modernitetit me shqetësimin e parandalimit të rrezikut që dogmat e vjetra mund ta çonin përsëri njerëzimin në rrugën e shkatërrimit. Sulmi i tyre frontal ndaj metanarrativave i çoi në mbrojtjen e multikulturalizmit, të të drejtatve njerëzore universale, të të drejtave natyrore. Evropianët, në frymën postmoderne, e konsiderojnë multikulturalizmin një lloj antidoti ndaj mendimit modern, një mënyrë për të barazpeshuar njesimin doktrinar me multiplicitetin e perspektivave. Çështja e të drejtave e ka zgjeruar edhe më kritikën ndaj njesimit të pikpamjeve: të drejtat njerëzore universale dhe të drejtat natyrore janë një mënyrë për të njohur se historia e sejcilit ka vlerë të njëjtë ashtu sikurse edhe që planeti ynë është në vetvete gjë e rëndësishme.(Standart, Rubrika Perpjekja, 4 mars 2006)

No comments: