Tuesday, July 30, 2019

Mbi thirrjen e Haradinajt në Hagë


Thirrja në Hagë e Haradinajt, shoqëruar nga dorëheqja e tij nga posti i kryeministrit, ngre disa çështje të rëndësishme të lidhura me të ardhmen e shqiptarëve e rajonit, që nuk po i shoh të artikulohen në kompleksitetin e tyre, pasi po mbyten nga hipokrizia e politikës më një anë dhe nacionalizmi ynë primitiv më anë tjetër.
Çështja kryesore ngrihet rreth pyetjes nëse ka apo s'ka lidhje kjo thirrje me qëndrimet e fundit të Haradinajt si kryeministër: - vendosja e taksës Serbisë si dhe kundërshtimi i ndryshmit të kufijve të Kosovë. Kjo lidhet pastaj me pyetjet: a ka kush interes ta heqë qafe Haradinajn për shkak të këtyre qëndrimeve dhe, nëse është kështu, cilat janë pasojat?
Sigurisht që dikush ka interes. I pari është Vuçiçi i cili e sheh si pengesë edhe për taksën edhe për idenë e ndryshimit të kufijve.  Këtij i duhen shtuar edhe kundërshtarët shqiptarë, ndër të cilët i pari renditet Thaçi, që e sheh si pengesë kryesore për idenë e ndryshmit të kufijve, por edhe si rival politik. I dyti është aleati i Thaçit në Tiranë, Edi Rama i cili edhe ai bën pjesë në planin Vuçiç - Thaçi, çka ka ndikuar që Haradinaj të lidhet shumë më tepër me kundërshtarët e tij politikë në Tiranë: Meta dhe Basha. Gjithashtu nuk ka dyshim se Haradinaj shihet si problematik edhe nga ata që rëndom i quajmë "partnerët tanë ndërkombëtarë". Nga të gjithë ata për shkak të taksës që ka bllokuar procesin e negocimit me Serbinë, dhe, nga një pjesë, që mbështet idenë e ndryshimit të kufijve - ku do të fusja më së shumti amerikanët.
Pikëpyetja e dytë që ngrihet pas kësaj është: po a ka të ngjarë që Gjykata e Hagës të përdoret për këto lojëra që nuk kanë të bëjnë me drejtësinë? 
Po t'i referohemi librit të Carla Del Pontes që na tregon qartazi dhe me fakte të shumta nga gjithë bota se si drejtësia ndërkombëtare është komprometuar ngase është nxitur të veprojë ose të mos veprojë sipas interesave gjeopolitike dyshimet janë se po.
Në këtë pikë mund të them se nëse një pjesë e ndërkombëtarëve mund të gëzojnë ende favorin e dyshimit nuk ka as më  të voglin dyshim se politikanët serb, me në krye Vuçiçin, dhe dy shqiptarët nuk kanë hallin e drejtësisë, por të përdorimit të saj për interesat e tyre të pushtetit. Ndër këto interesa më të lexueshme janë ato të Vuçiçit; më të palexueshme janë ato të Thaçit dhe Ramës.
Le të ndalemi tek këto të dytat që edhe na interesojnë më shumë.
Ajo që ra në sy ishte se si Thaçi dhe Rama patën vështirësi të prononcoheshin haptazi në favor të thirrjes së Haradinajt  në gjykatën speciale si i dyshuar, por edhe se deklaratat e tyre kishin një ndryshim të madh me deklaratat e Metës dhe Bashës. Ndërkohë që këta dy të fundit ishin në sintoni të plotë në mbështetjen pa ekuivok për kryeministrin e Kosovës: "Ramush Haradinaj është vetë Kosova e lirë, e pavarur dhe evropiane." (Basha); "krenar për zotin Haradinaj dhe i bindur në pafajësinë e tij." (Meta); ato të Ramës  e Thaçit ishin të ftohta dhe plot ekuivokë. Pa i përmendur as emrin Rama reagoi duke thënë se: "ftesat nga Haga për protagonistët e UÇK-së janë një sfidë e re e tyre për të provuar deri në fund pafajësinë." Ftohësi dhe distancim ndjehej edhe në reagimin e Thaçit i cili e renditi Haradinajn në mes emrash të tjerë dhe e vuri theksin tek pastërtia  UÇK-së. 
Këto reagime të Ramës dhe Thaçit nuk kanë të bëjnë fare me atë se këta janë më të ndjeshëm ndaj çështjes së krimeve të luftës që ka kryer UÇK ndaj serbëve dhe shqiptarëve të pafajshëm. Kjo ndjenjë nuk hyn fare në regjistrin mendor të politikanëve shqiptarë. Ata thjesht kërkuan më një anë të amortizojë goditjen që mund të marrin nga fakti se popullariteti i Haradinajt u shtua aq sa disa e futën në listën e Skënderbejve të kohës tonë moderne, më anë tjetër të shfaqin dakordësinë me thirrjen e aleatëve tanë vendimtarë që sot mund të lexohet edhe si aleatët e tyre vendimtarë. Për ta Haradinaj duhet të shkojë në Hagë, që të mënjanohet nga politika, por nuk duhet  të dalin ata si përkrahës e aq më pak shtytës të kësaj thirrjeje. Kjo punë, për çdo rast, i duhet faturuar ndërkombëtarëve. Duhet thënë se Rama e njeh mirë këtë lojë pasi po e aplikon edhe ndaj kundërshtarëve të tij në Tiranë. Ndërkaq, për rolin e  tyre aludoi qartazi Ilir Meta. Pasi shkruan se: “Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacenuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen evropiane” - duke aluduar se thirrja e Haradinajt duhet lidhur me idenë e ndryshmit të kufijve - shtoi se Haradinaj është "burrë shteti, që nuk e thyejnë presionet e pabesitë". Presionet mund të vijnë nga Vuçiçi, por pabesitë nuk mund të vijnë veçse nga të vetët.
Nga sa thashë gjykoj se thirrja e Haradinajt duhet lexuar si një nga aktet e luftës për pushtet që po luhet në Kosovë dhe Shqipëri me protagonistë Thaçin dhe Ramën. Si gjithmonë për ta fituar këtë luftë, ata kanë nevojën e mbështetjes ndërkombëtare e veçanërisht amerikane me të cilën tu imponohen shqiptarëve. Në aktin në fjalë, për të fituar këtë mbështetje, duket se roli i Serbisë ka qenë vendimtar. Nuk besoj se jam shumë largvajtës nëse supozoj se në ambiciet e tyre të sëmura një ditë, pas realizimit të bashkimit me kompromisin e ndërrimit të kufijve, këta ta shohin njëri tjetrin si rivalë për Kryeministrin e Shqipërisë së Madhe. Dhe nuk është pa gjasë që, në një akt tjetër, raporti i Dick Martit të dalë përsëri në skenë për të nxjerrë nga loja "gjarprin" e Prishtinës në favor të mashtruesit e manipulatorit të Tiranës. 

***

Rreziqet që shoh tek ky skenar, nëse lejohet të çohet përpara, janë disa.
Së pari, më e dhimbshmja në këtë histori është se shoqëritë serbe dhe shqiptare që presin drejtësi për krimet e kryera ndaj njerëzve të tyre të pafajshëm po e shohin edhe një herë tragjedinë e tyre të instrumentalizuar për qëllime politike e gjeopolitike. Dhe kjo ka si anë tjetër të medaljes faktin se do të kemi një shtyrje të mëtejshme të vendosjes së paqes dhe pajtimit të vërtetë midis popujve shqiptarë dhe serb, por edhe midis shqiptarëve të Kosovës.
Së dyti, ky skenar, si shkurtore e zgjidhjes së negociatave Prishtinë - Beograd nëpërmjet ndarjeve etnike, çon në thellimin e dështimit të idesë së një Evrope të paqes, bashkëpunmit dhe  solidaritetit, ku krahas kultivimit e ruajtjes së traditave më të mira kulturore popujt e saj bëjnë të përbashkëta arritjet e vlerat më të mira të vendeve evropiane.
Së treti, kjo lojë politike çon në rrezikimin e mëtejshëm të demokracisë, pluralizmi e shtetit të së drejtës si në Kosovë dhe në Shqipëri në favor të rritjes së autoritarizmit të liderve që e ruajnë pushtetin në sajë të lojërave gjeopolitike 
Së katërti. ajo largon vëmendjen dhe energjitë e shqiptarëve nga keqqeverisjet dhe abuzimet e jashtëzakonshme me pushtetin, që janë në rritje si në Kosove, me protagonistë Thaçin dhe Haradinajn edhe në Shqipëri, me protagonist Edi Ramën. (Panorama, 26 korrik 2019)


  


Sunday, July 14, 2019

Opozita dhe ndërkombëtarët - ndryshim paradigme

Së fundi më kanë tërhequr vëmendjen dy deklarata kontradiktore që vijnë nga opozita. E para është një letër e Kryetares së Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, e cila iu drejtua një numri ambasadorësh perëndimorë, me kërkesën e ngritjes së një komisioni ndërkombëtar për të zgjidhur çështjen e Shkodrës, së cilës iu përgjigj ambasadori austriak duke i thënë se jemi në vitin 2019 jo në vitin 1913. E dyta ishte një deklaratë e Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, sipas së cilës problemet tona duhet t’i zgjidhim vetë, jo të na i zgjidhin ndërkombëtarët.
Janë dy qëndrime që shprehin një moment të dyzuar të mendimit politik shqiptar që tregojnë se më një anë Shqipëria mbetet ende, siç thoshte Fishta në vitet 1913, si ai zogu në fole që pret të vijë ta kojë “nana Evropë” dhe nga ana tjetër nevojën për të dalë nga këta shpërgënj e për të fluturuar. Fatkeqësisht për momentin letra e Ademit është tregues i kulturës dominante politike kurse thirrja  e Bashës mund të konsiderohet si ndër cicërimat e para të zogut që kërkon të dalë nga foleja.
Vështroni entuziazmin me të cilin opozita iu referua raportit të Odirit mbi shkeljet në votimet e 30 qershorit dhe në përgjithësi reklamimit të shumë të dhënave që provojnë se Edi Rama dhe të tijtë kanë vjedhur përsëri vota. Pyetja që ngrihet është: pse gjithë kjo energji, a thua se nuk mjaftonin përgjimet e botuara në Bild për të provuar se Partia Socialiste është një organizatë kriminale, dhe a ia vlen të shpenzohen më energjitë politike për të sqaruar këtë? Duke pasur parasysh se populli është goxha i informuar dhe madje e dha qëndrimin e tij me abstenimin në votime mbetet të thuhet se aksioni i opozitës më së shumti synon të kthejë në “gjykatën e apelit” të ndërkombëtarëve vendimin  e dhënë nga “gjykata e tyre e shkallës së parë” që e dënoi opozitën për mospjesëmarrjen dhe planifikimin e pengimit të zgjedhjeve më 30 qershor. 
Po a ia vlen dhe sa ia vlen ndjekja e kësaj linje?
Sipas meje përqendrimi i aksionit politik tek shpresa se ndërkombëtarët do të ndryshojnë qëndrim  përmban jo një, por dy të këqija

E keqja e parë
Kjo buron nga fakti se nuk ka thuajse fare shans që ndërkombëtarët të heqin dorë nga mbështetja që i dhanë Edi Ramës. Ndihmës Zv/sekretari amerikan i shtetit Mattheu Palmer, emisarët e ambasadës amerikane, BE, OSBE, dolën në prag të zgjedhjeve me deklarata që do të bënin të turpërohej çdo politikan që pretendon se ka një fije respekti për shtetin e së drejtës dhe sovranitetin e një vendi. Ata kundërshtuan dekretin kushtetues të Presidentit Meta, duke inkurajuar Ramën që të ecë përpara në rrugën antikushtetuese të 30 qershorit. Dhe, le mos harrojmë se këtë amerikanët e bënë pasi kërcënuan opozitën deri me prishje të marrëdhënieve me SHBA nëse kryenin akte pengimi me dhunë të zgjedhjeve. Duke pasur parasysh se përgjimet e Bildit flisnin qartë për një parti në pushtet të kthyer në organizatë kriminale, ky qëndrim, nga pikëpamja morale-juridike ishte njëlloj sikur, pasi je informuar se një organizatë ka kryer krim dhe synon të vazhdojë në këtë rrugë, në vend se të bësh diçka për ndaluar krimin e radhës, të pengosh tentativat e vetëmbrojtjes së viktimave, jo vetëm duke mos u dhënë atyre mbështetje morale e ligjore, por edhe duke u hequr nga dora armët e vetëmbrojtjes.  
Dikush mund të thotë: po pse çfarë doje ti që ndërkombëtarët të  inkurajonin dhunën që premtonte opozita të ushtronte? Jo, por kësaj pyetjeje unë i përgjigjem me disa pyetje që më çojnë në një përgjigje të vetme: meqë e paskan kaq merak mos-përdorimin e dhunës si ka mundësi që, ndërkohë që kërcënuan opozitën për një dhunë të mundshme, nuk thanë një fjalë për dhunën e provuar shtetërore që ka ushtruar organizata në Dibër e gjetkë? Si ka mundësi që nuk thanë një fjalë kur në krye të prokurorisë u zgjodh, e vazhdon të mbahet në mënyrë antikushtetuese, një kamikaze e organizatës si Arta Marku që po ushtron presion e dhunë kundër opozitës dhe po u hap rrugën kriminelëve të organizatës të veprojnë pa frikë? Përgjigja e vetme është se ata tanë kanë zgjedhur të mbështesin organizatën, përndryshe, do të kishin gjetur mënyrat më herët që gjërat të mos arrinin deri tek dhuna kundër dhunës. 
Lidhur me shkaqet e kësaj mbështetjeje them se do të flitet shumë dhe gjatë, por jam i bindur se, nëse do të kishim mundësi të hynim në zyrat e tyre e të dëgjonim se çfarë ka biseduar Palmeri me ata të ambasadës amerikane  (pra jo gjuhën diplomatike, në dukje të balancuar e në emër të interesave të popullit shqiptar, dhe as përgjigjen elokuente të ambasadorit Austriak se jemi në 2019 dhe jo në 1913), besoj se do të dëgjonim arsyetime të ngjashme me ato që bënte jashtë publikut zv/sekretari i departamenti të shtetit në kohën e Lindon Jonsonit kur fliste për qëllimet amerikane në mbështetjen që i jepnin regjimit autoritar e të korruptuar të Vietnamin të Jugut:
70% e bëjmë për interesin e SHBA (për të ruajtur të paprekur imazhin e shtetit më të fuqishëm në botë),
20 % që Kina të mos hyjë në Vietnamin e Jugut 
10% që populli i Vietnamit të Jugut të jetojë në një vend më demokratik.
Ka shumë gjasa që këto hesape i shoqërojnë edhe me arsyetiminin cinik, me aroma neokoloniale dhe raciste, se ky popull kaq meriton, pasi ka mbetur në 1913 prandaj më mirë të mbështesim një si Rama se nuk ua kemi ngenë të vijmë prap me ushtri këtu si në 1997-tën.  Por, po të kesh parasysh se në vende të tjera, me të njëjtën gjendje të kulturës demokratike, kanë mbështetur lëvizjet e dhunshme opozitare, madje me pasoja shumë dramatike (së fundmi le të kujtojmë Libinë apo Sirinë) nuk mund të mos konkludosh se e vërteta e mbështetjes duhet kërkuar tek interesat e tyre më së pari. Shkurt ndërkombëtarët kanë zgjedhur të mbështesin politikën që na ka premtuar Rama: ose pranoni dhunën “paqësore” rilindëse, ose, përndryshe, po ngritët kokë, do përdorim dhunë policore për t’ju shtypur, me përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtarë. 
Përballë kësaj të keqeje opozita, e dhunuar dhe e çarmatosur, duhet të reshtë sa më parë së ankuari e shpresuari tek ndërkombëtarët. Madje do të thosha se ndaj një pjese syresh duhet të mbledhë prova, siç ka mbledhur për organizatën e Edi Ramës, për të bindur me to opinionin publik shqiptar e ndërkombëtar, se ata janë pjesë e problemit jo e zgjidhjes. 

E keqja e dytë
Por politika e mbështetjes së shpresave dhe e aksionit politik tek ndërkombëtarët ka edhe një të keqe të dytë që e bën edhe më urgjent heqjen dorë prej saj.  
Një popull që pret t’ia sjellin lirinë, demokracinë dhe dinjitetin SHBA dhe Evropa nuk e meriton atë. Ne duhet të reshtim, më në fund, së shpenzuari kohë e energji pa fund nëpër kafenera apo studio televizive duke komentuar e debatuar se kë mbështesin ndërkombëtarët e cila do të jetë lëvizja e tyre e rradhës për të na shpëtuar apo dënuar. Historia ka provuar se demokracia as nuk importohet dhe as nuk eksportohet, ajo fitohet hap pas hapi. Pra edhe sikur opozita (apo vetë Edi Rama me bëmat e tij) të arrijë t’i ndërrojnë mendje ndërkombëtarëve për rilindëist dhe ta detyronin atë të largohej e t’i hapte rrugën ardhjes në pushtet të Lulzim Bashës, nuk kemi asnjë garanci që, në këtë rast, do të fitonim kundër kulturës autoritariste dhe aq më pak kundër oligarkisë kriminale, të cilat, të dyja së bashku, kanë pjellë Ramën dhe e mbajnë atë në pushtet. 
Kjo është arsyeja e dytë pse opozita duhet të heqë dorë nga paradigma kaq e rrënjosur në kulturën politike shqiptare: siguro mbështetjen e ndërkombëtarëve që të qeverisësh shqiptarët, të cilën Edi Rama e ka kthyer në: manipulo e korrupto ndërkombëtarët që të qeverisësh shqiptarët. Ajo dhe të gjithë ne duhet t’i kthehemi vetes për të kryer një ndryshim paradigmatik të rëndësishëm në këtë drejtim, që do të vendosë  mbështetjen e shqiptarëve shumë më përpara se ajo e ndërkombëtarëve. Vetëm ky ndryshim, i sjellë nga shqiptarët e vetëdijesuar për çka po them, do të jetë garancia e ecjes drejt më shumë lirie dhe demokracie dhe jo drejt më shumë autoritarizmi siç po ndodh, paradoksalisht, me ndihmën fatkeqe të ndërkombëtarëve. (Panorama, 11 korrik 2019)