Showing posts with label Tranzitologji. Show all posts
Showing posts with label Tranzitologji. Show all posts

Wednesday, June 6, 2007

Trauma si imperativ ndryshimi

Një proverb indian thotë: "Mos u anko që Perëndia ka bërë tigrin, por falenderoje që nuk e ka bërë edhe me fletë". E keqja s'ka fund - i themi këtej nga ne. Kriza e territ energjitik të këtij dimri, që thuhet se do të thellohet, por edhe kështu siç është përbën një tmerr, duket sikur po i shton fletë tigrit të konfliktit politik. Ajo po na bën të na duket mall vera dhe vjeshta kur kishim thjesht e vetëm konfliktin. Po na bën edhe të rimendojmë për tigrin/njeri me ëndrrën për të patur, përveç çatajve e kthetrave, edhe fletë; por edhe se ç'duhet bërë që atij t'i priten "fletët" kur don t'i përdorë në shërbim grykësisë së tij.
Mbetem i mendimit se krizat dhe ngjarjet traumatike të cilat e zhysin shoqërinë në dëshpërim, nganjëherë edhe në vetshkatërrim, mund të shërbejnë edhe si momente të rëndësishme kthese, veçanërisht në shoqëritë që nuk e kanë arritur atë nivel racionaliteti sa të parashikojnë e parandalojnë të keqen në kohë. Edhe kriza politike e konfliktit për zgjedhjet, e kombinuar me krizën energjitike, më duket një e tillë. Ajo ka shtruar pyetjen: si është e mundur që nuk arrijmë të merremi vesh për një gjë kaq të thjeshtë sa ç'është kryerja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme? Kjo vjen e shoqëruar edhe me një ndjenjë revolte në rritje ndaj shkaktarëve, veçanërisht kur shohim vendin të kallur në terr. Aq më tepër kur kemi parasysh se ky terr energjitik vazhdon prej 15 vjetësh. Kemi 15 vjet që, ndonëse nuk kemi më as fabrika e as uzina e as metalurgjik, por e përdorim energjinë thuajse vetëm për ngrohje, nuk arrijmë as të ndriçohemi e jo më të ngrohemi. Shpjegimi në thelb është vetëm një: klasa jonë politike e votuar për menaxhimin e punëve tona nuk merret me rëndërtimin e vendit, por me luftën mesvetit për të marë pushtetin e për të plaçkitur pastaj vendin. Dëmet që i ka sjellë ajo vendit janë të pallogaritëshme. Po vjen koha që ato të vihen në peshore për tu matur me dëmet që i shkaktoi nomenklatura komuniste.
Por, sëbashku me këtë ndjenjë revolte, shtrohet edhe pyetja se çfarë duhet bërë. Nuk po mungon edhe kësaj here shtrimi i kësaj pyetjeje. Përgjigja instiktive është se duhen hequr njerëzit krizë. Edi Rama konsiderohet si një prej kryesorëve kurse, më krah tjetër, mbështësit e tij e venë gishtin mbi Berishën. Ndonjë gazetë ka hapur edhe anketim se cili prej të dyve është shkaktari kryesor i kësaj krize. Sigurisht roli i individëve të caktuar nuk ka qenë kurrë pa rëndësi. As edhe i grupimeve të caktuara, siç janë ata që quhen më të moderuar apo më radikalë. Megjithatë, për të "përfituar" nga kjo krizë në terma afatgjata, mësimet e saj nuk duhet t'i kufizojmë tek nevoja e ndëshkimit të individëve përgjegjës e as tek gjetja e shpëtimtarëve alla Nano. Pa dyshim dikush duhet të përgjigjet personalisht për krijimin e kësaj krize, por kjo nuk mjafton. Madje pikërish duke shtruar pyetjen se cili do ta përcaktojë se kush do të përgjigjet personalisht vijmë në atë që mendoj se duhet të na mësojë kjo krizë për sot dhe për mot.
Ajo çka shohim të ndodhë dora dorës që kriza ashpërsohet është rritja e rolit të ndërkombëtarëve dhe zbehja përballë tyre jo vetëm e egërsisë së tigrave konfliktues ndaj njëri tjetrit, por edhe i rolit të institucioneve tona që duhet të jenë garant i kushtetutës dhe i ligjit siç është ai i Presidentit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë e me rradhë. Ajo çka vemë re është se gjithnjë e më tepër strategjia e opozitës dhe mazhorancës (vura opozitën të parën sepse mbetem i mendimit se ajo është përgjegjësja kryesore e kësaj krize) është të fitojnë betejën e mbushjes së mendjes së ndërkombëtarëve se kush ka të drejtë. Raporti i ODIRit apo intervista e ambasadores amerikane apo intervista e Doris Packut lakohen e stërlakohen nëpër shtypin mbështetës të njërit krah apo tjetrit për të vërtetuar se me cilën palë janë ndërkombëtarët. Inisiativa e fundit e Presidentit gjithashtu i dedikohet ndërkombëtarëve. Mirëpo ndërkombëtarët kanë një handikap të madh. Paradoksalisht, ata nuk janë përgjegjës për këtë që ndodh në protektoratin e tyre. Kjo pasi ligjërisht ky protektorat ka statusin e një vendi sovran. Ata as nuk mund të marrin vendime e as t'i ekzekutojnë ato. Shqipëria në këtë kontekst përbën një paradoks: ajo është një vend sovran qytetarët dhe politikanët e të cilit, duke mos qenë të aftë të mbrojnë sovranitetin e tyre, jo nga jashtë, por nga sulmet që i bëjnë njëri tjetrit, ia kanë lënë atë në dorë të huajve. Mos të harrojmë se më 1997 edhe populli edhe politikanët kërkuan ndërhyrjen e të huajve që t'i shpëtonte jo nga ndonjë armik i jashtëm që i kishte sulmuar, por nga vetvetja.
Ndërkaq, politikanët tanë që tregohen aq harbutë dhe aq të dhunshëm me njëri tjetrin dhe me popullin që e kanë lënë në terr, kur vjen puna të përballohen me gjykimin e të huajve sillen me përulësi, por gjithë duke e ditur se po qe se gjykimi i të huajve nuk u vjen për osh ata edhe mund ta shkelin atë sepse e dinë se të huajt ligjërish nuk kanë asnjë fuqi mbi ta e, mbi të gjitha, kanë nevojë për ta si aktorët e vetëm vendas. Kjo ka krijuar një si lojë midis tyre, një si ndarje pushteti, sepse tek e fundit politikanët tanë prap tek ata përplasen, por gjithë duke menduar se si t'ua hedhin edhe kësaj rradhe. Kurse ndërkombëtarët se si t'i ulin edhe një herë në ndonjë tryezë marrveshjeje.
Në këto kushte dy janë zgjidhjet: ose duhet tu japim të huajve edhe fuqinë vendimarrëse duke lëshuar sovranitetin formal që gëzojmë ose të ndërtojmë institucione shqiptare të tilla që të kenë autoritetin e të huajve, por edhe fuqi vendimarrëse e dënimdhënëse. Me fjalë të tjera çështja është se si të bëjmë që pushteti i këtyre dy partive të mëdha cube të mos jetë i pakontrollueshëm. E pa dyshim përgjigja nuk mund të jetë në favor të variantit të parë, por atij të dytit, ndërtimit të instrumentave shqiptare.
Mirëpo ne duket sikur i kemi instrumente të tilla, sikur e kemi pra edhe ligjin edhe ligjin e ligjeve edhe ata që duhet të jenë garant të tyre edhe ndarjen e pushteteve. Kemi pra edhe një President edhe një Prokuror edhe një gjyqsor me status të pavarur. Po a i kemi apo nuk i kemi tamam kështu? Ka juristë që shpjegojnë se edhe formalisht nuk i kemi tamam të pavarur sepse të gjithë burojnë nga Parlamenti dhe duke qenë se ky kontrollohet nga mazhoranca është ajo që vendos; kurse, gjendja që kemi sot është një gjendje tranzicioni ku një pjesë e këtyre pushteteve kanë mbetur të kontrolluara nga mazhoranca e vjetër e se Berisha synon t'i verë nën kontrollin e tij.
Por kundër këtij argumenti sillet fakti se Presidenti është zgjedhur nga të dy palët me konsensus. Edhe Kryeprokurori gjithashtu. Përse ata nuk kanë fuqi për të vepruar kundrejt këtyre dy forcave politik; Presidenti duke mbrojtur vetëm Kushtetutën e jo duke u kërkuar marrëveshje e konsensuse partive kurse Prokurori duke guxuar të marrë si të pandehur çdo shkelës të ligjit qoftë ky edhe peshk i madh i politikës? Çfarë duhet bërë? A është problemi thjesht se kemi gabuar individin prokuror apo individin president apo cilido në këto kushtet do të rrezikonte të binte në pozitat e të parëve?
Shkaqet pse Prokurori nuk është tamam prokuror dhe Presidenti tamam president dhe media tamam media e me rradhë janë shumëdimensionale dhe përtej individuale, por pa e përjashtuar përgjegjësinë individuale. Analizimi i tyre i tejkalon kufijtë e këtij shkrimi, por gjithsesi do të thoja se që këto institucione e të tjera, që duhet të garantojnë ligjin dhe Kushtetutën e të drejtën, të jenë të tillë duhet që të ndahen realisht nga pushteti i partive. E për këtë mendoj se duhet bërë çmos që ky moment të jetë një moment i ridimensionimit të pushtetit të dy partive në kuptimin e vënies së tyre nën një kontroll më të madh nga institucionet e tjera. Shembulli i Presidentit që me hir e me pahir u detyrua të ushtrojë kompetencat e tij që e venë mbi palët tregon se ne kemi pikërisht nevojë për këtë: të forcojmë institucione të tilla që duhet të luajnë rolin e arbitrit, por duke pasur në dorë jo bilbilin e ndërkombëtarëve, por atë të ligjit. Megjithatë përsëri shtrohet pyetja: kush do ta kryejë këtë ridimensionim përderisa ne ia kemi lënë në dorë gjithshka partive që i kanë në dorë të gjitha levat për ta bërë apo për të mos e bërë këtë. Duket sheshit se ato janë të gatshme të bëjnë përsëri një marrëveshje dhe jo një reformë që do të kontrollonte pushtetin e tyre. Dhe kam frikë se kështu do të ndodhë e ne do të vazhdojmë të mbetemi peng i konfliktualitetit permanent të dy forcave derisa gjendja të rëndohet aq shumë sa të ndërhyjnë përsëri ndërkombëtarët. Mendoj se poshtërimi që po përjeton politika në këtë periudhë e që ndoshta do ta përjetojë edhe më të fort nesër me një terr absolut mbi tërë Shqipërinë nuk duhet as të mbetet në nivelin e emocioneve negative të shoqërisë as thjesht të rrisë indiferentizmin e depresinonin dhe aq më pak të shfrytëzohet në emër të njërës palë kundër tjetrës. Duhet të punohet në shumë plane: duhet të punohet për të gjetur instrumente të tjera ligjore që do të mund ta forconin kontrollin e pushteti të këtyre partive duke filluar që nga kontrolli i burimeve të tyre financiare. Do të duhet të punojnë krahët e moderuar e racionalë brenda partive, midis të tjerash edhe për t'i ndarë ato nga lidhjet me pushtetin financiar që buron nga ekonomia kriminale dhe korruptive. Do të duhet të punojë media nëpërmjet shprehjes së presionit në rritje të opinionit që një punë e tillë të bëhet; do të duhet të punojnë ndërkombëtarët që s'duhet kurrsessi ta konsiderojnë sukeses që më në fund i ulën në tryezë mujsharët. Duhet të punojë gjithkush që ende kërkon të ruajë shpresën se ky vend do ta gjejë rrugën e drejtë më në fund. Është një imperativ që e thërret kjo krizë, një imperativ i diktuar nga nevoja që trauma të tilla të mos përsëriten më. (Korrieri, 12 janar 2006)

Friday, June 1, 2007

Le të shpresojmë se viti 2007 do të na sjellë pak më shumë dritë dhe veprim diturie

Data e zgjedhjeve është shtyrë, por PS nuk ka dhënë konsensusin ende. Si e gjykoni këtë situatë.

Është folur aq shumë për këtë situatë dhe është komentuar aq shpesh (edhe nga unë) sa, të them të drejtën, më vjen një ndjenjë gërdie duke tentuar ta komentoj përsëri. Besoj se këtë ndjenjë provojnë edhe shumica e shqiptarëve të shtërnguar të ndjekin nëpër ekrane e nëpër shtyp këtë film që më ngjan me ata filmat që shihnim dikur në kinematë e dorës së dytë kur shiritat këputeshin e ngjarja fillonte e shihej përsëri, e prap këputej e prap, kur vihej në lëvizje, shihnim ca skena që i kishim parë përpara se të fillonin të rejat.
Unë këtë "film" e kam krahasur edhe me një ndeshje të shëmtuar boksi që po zhvillohet me shumë raunde ku të interesuarit për ta ndjekur janë vetëm protagonistët dhe militantët kurse publiku i gjerë e sheh vetëm kur i imonohet në ekran dhe besoj, ashtu si unë, me ndjenja të forta të vjelli. U duk sikur raundi i rradhës u mbyll me marrëveshjen që zgjedhjet të kryhen në shkurt, por jo. Them se PS-ja gjykon se Berisha hëngri nga dy gryshta të forta që e bënë t'i përkulen këmbët e kërkon ta shfrytëzojë këtë për t'i dhënë edhe nja dy tre goditje të tjera që ta nxjerrë knock out. Mirëpo kjo ka riskun e ngrënies së kundërgoditjes sepse Berisha ka shkuar tek litarët dhe nuk duket aq i dobët, përkundrazi, ka kryer një tërheqje taktike, kurse PS-ja po sulmon në mënyrë krejt të çoroditur e të pakontrolluar.
Në fund të fundit çështja shtrohet: gjithë kjo luftë e opozitës a po na shërben ne të gjithëve për konsolidimin e institucionit të votës së lirë? Sepse, po qe kështu, ia vlen edhe kjo sakrificë. Sipas meje, ndonëse ky presion e rrit ndjeshmërinë ndaj votës së lirë, po të vesh në balancë atë çka fitojmë me atë çka humbim edhe në drejtim të forcimit të këtij institucioni, ne më shumë humbasim. Kjo për një arësye shumë të thjeshtë: sepse qëllimi i gjithë kësaj lufte të opozitës nuk ka qenë konsolidimi i votës së lirë. Së pari, sepse kjo opozitë ka qenë në pushtet 8 vjet dhe në vend se të punojë për votën e lirë ka punuar vetëm për të gjetur mënyra manipulimi. Kur kujtoj atë transferimin e njerëzve me kompiuter nëpër zona elektorale që as nuk e dinin se nga binin më ngjethen mishtë edhe sot. Së dyti, sepse mjetet e përdorura gjoja për këtë qëllim të lartë janë krejtësisht në kontradiktë me të. Opozita kërkon të vendosen standarte, që, tek e fundit, do të thotë respektimi i ligjit, duke shkelur ligjin e ligjeve, Kushtetutën. Po ashtu kjo fushatë në emër të votës së lirë dhe të ndershme bëhet duke thelluar atmosferën e një mosbesimi të thellë ndaj ndershmërisë së njëri tjetrit. Nëse do ta vlerësojmë situatën zgjedhore nga një kënvështrim që kap të tërë harkun e këtyre 15 vjetëve do të thoja se asnjë opozitë deri më sot nuk ka pasur kushte më të mira për të hyrë në zgjedhje. Ajo ka në krahun e saj më shumë se gjysmën e mediave të shkruara dhe elektronike. Ka në krahun e saj institucione të tilla si i Presidentit, ka Prokurorinë, Gjyqsorin, Kushtetuesen. Ka shumicën e pushtetit lokal. Në komisionin e zgjedhjeve ka një raport thuajse të barabartë sepse PDK-ja e Nokës dhe Lesit po luan një rol ekuilibristi. Ka pra edhe shumë më tepër mundësi se çka pasur ndonjëherë një opozitë për t'i kapur dhe denoncuar mashtrimet zgjedhore. E megjithatë mbizotëron ky mosbesim i thellë. Pse? Sepse në thelb ka qenë e gabuar politika që është ndjekur duke i rreshtuar edhe institucionet për të cilat fola në njërën llogore apo në tjetrën duke e lënë votën e lirë pa mbrojtës të vërtetë përveç perëndimorëve. Ndërtimi i institucionit të votës së lirë kërkon të tjera vullnete dhe të tjera metoda, që kësaj klase politike i mungojnë.
Prandaj, sipas meje, tek e fundit kemi të bëjmë me një nga spektaklet më të shëmtuar që na ka dhënë politika dhe që meriton një ndëshkim sipas përgjegjësisë, ku nuk mungon edhe ajo e mazhrancës. Kam besim se zgjedhësit do ta japin këtë ndëshkim duke peshuar drejt edhe përgjegjësitë.

LSI duket se ka një qëndrim ndryshe nga PS duke e përçarë opozitën. Mendoni se kjo lëvizje e ve Metën në rolin e liderit tek e majta?

Nga sa kuptoj ju doni të thoni: nëse ndëshkohet Rama për politikat e një ekstremizmi të pajustifikuar dhe destruktiv dhe fiton opsioni i Metës, më i moderuar, a mund të bëhet ky pika e referimit e kësaj të majte? Për mendimin tim jo. Meta, sipas meje, gaboi fatalisht kur u fut në koalicion me PS-në. Gaboi sepse tradhëtoi principet bazë mbi të cilët tentoi ta ngrerë partinë e tij: ato të ndërtimit të një të majte ndryshe që nuk do të përfaqësonte interesat e atyre që ai vetë i quajti monopole, duke premtuar se do t'i luftonte në emër të interesave të asaj pjesë të shoqërisë që kishte mbetur e papërfaqësuar. Atij, madje, në këtë aspekt i interesonte që Berisha të punonte mirë e të kishte sukses në luftën kundër korrupsionit sepse kjo do të thoshte realizim edhe i një pjese të programit të tij edhe dobësim i rivalit PS, i ashtuquajtur i majtë, pra dhe hapje e rrugës për t'u bërë ai lideri i një të majte të re për të cilën ka nevojë vendi. Gjithashtu, duke mbetur në opozitë ai mund t'i bënte një shërbim shumë të mirë vendit sepse mund të ishte një opozitë shumë më kredibël ndaj Berishës, shumë më racionale e konstruktive. Mirëpo ai në vend se të ushqente e zhvillonte një veprimtari politike mbi këto vizione, duke kërkuar t'i përçojë në një elektorat të ri, u mor me kalkulime thjesht teknike (në stilin e Gjinushit) brenda të njëjtit stan politikanësh e brenda të njëjtit elektorat të trashëguar nga Partia e Enver Hoxhës. Kjo, sipas meje, kryesisht për shkak mungese vizioni e bindjeje të vërtetë në atë që kishte nisur, por edhe për shkak se ai është peng i këtij stani sepse ai e nxorri në skenë dhe e pompoi dhe e shfrytëzoi (ndërsjelltazi) për tu pasuruar. Nuk duhet lënë pa përmendur edhe paaftësia e Berishës, sipas meje, për të kuptuar se vendi ka nevojë për një opozitë konstruktive e me vizione e programe të majta, çka i vjen nga ndjenja e gjithpushtetshmërisë dhe gjithmjaftueshmmërisë së tij. Tërë këta faktorë e çuan Metën tek futja në koalicionin me PS. Por, duke u futur në këtë koalicion, ai harroi pse kishte dalë nga ai stan. U angazhua të luftojë për interesat e atyre që kishte denoncuar duke u kërkuar në një farë mënyre ndjesë për dëmin që u shkaktoi. Nga nevoja ata mund ta bëjnë edhe lider siç bënë Ramën, por, për këtë, i duhet të veshë qyrkun e PS sepse qyrku LSI do të mbajë vulën e tradhëtarit që u shkaktoi humbjen. Më anë tjetër ai ka tradhëtuar edhe shpresat e atyre që presin një të majtë ndryshe. Prandaj më duket mjaft e vështirë që ai të marrë rolin e një lideri qoftë edhe të kësaj të ashtuquajture e majtë, pale të një të majte ndryshe. Ky koalicion i ka ndërtuar tërë politikat në luftën kundër Berishës e në mbrojtje të asaj që ka denoncuar vetë Meta dhe jo në ndërtimin e diçkaje të re, e Meta nuk më duket më i përshtashmi për të udhëhequr këtë luftë. Nëse opozita humbet zgjedhjet e vendos të ndërtojë një tjetër strategji, më afatgjatë dhe më të shëndetshme për të ardhur në pushtet atëhere ai mund të luajë një rol, por, hë për hë, jo të dorës së parë siç ka pasur ambicie kur krijoi LSI.

Si do ta vlerësonit vitin 2006 për Shqipërinë?

Jemi lodhur aq shumë duke bërë vlerësime të zhvillimeve politiko sociale gjatë këtij viti - siç bëra edhe në dy pyetjet e mësipërme - saqë nuk më vjen ta mbyll vlerësimin duke komentuar kampionatin e Berishës, Nanos, Ramës, Metës e me rradhë. Më mirë ta mbyllim me ndonjë kampionat tjetër. Madje këtë vit kemi pasur një goxha kampionat, botërorin e futbollit, që shqiptarëve u ka interesuar më shumë sesa ky i politikës. Mos u trembni, nuk kam ndërmend të bëj vlerësime të skuadrave apo lojtarëve të huaj. Do vlerësoj mënyrën se si e përcollëm ne atë. Sepse më vijnë ndërmend ca komente në televizione e shtyp që flasin jo pak për frymën me të cilën e kemi përcjellë ne vitin 2006 në tërësi. Më kujtohet se gjatë finales Itali - Francë, kur Zidan goditi egërsisht me kokë mbrojtësin italian Materazi, duke kryer një akt që i befasoi të gjithë, komentatori shqiptar i ndeshjes (nuk mbaj mend se i cilit televizion) dha një shpjegim që për mua ishte edhe më befasues sesa vetë koka e Zidanit: “Gjak shqiptari të dashur spektatorë!” Ishte një projektim i drejtpërdrejtë, pa asnjë filtër, i mënyrës sonë të të menduarit mbi atë incident të rëndë. Të huajt ia dhanë shpjegimin me lodhjen e madhe nervore shoqëruar me hamendjet për ndonjë provokim nga mbrojtësi italian, por duke e dënuar njëzëri. Ky i joni gati u entuziazmua e bërtiti "gjak shqiptari!"
Nuk mund të mos binte në sy ky fenomen i projektimit të kulturës sonë në tërë interpretimin e botërorit nga komentatorët televizivë e gazetarët e shtypit. Mbizotëronte një kulturë e kultit të forcës kombinuar me një nacionalizëm vulgar që tashmë mund ta gjesh në eksremet më të frustruara e më injorante evropiane (tek naziskinët psh.), por kurrsesi në faqet e shtypit apo në ekranet e mediave elektronike. Në komentet e tanëve përdorej aq shpesh fjala “legjionarë”, “luanë” për lojtarët e skuadrave të ndryshme kurse Evropa shihej sikur të ishte në prag të Luftës së Dytë Botërore. Mund të gjeje xhevahire me okë të kësaj natyre. Para ndeshjes Gjermani - Itali në një gazetë gjeje të vendosura nën thonjëza deklaratat të trajnerëve të tipit: “…Po luajmë për nderin tonë dhe shpresojmë shumë që ta mbrojmë deri në fund.” - medemek shprehej gjermani Klinsman. Që humbja e një loje të përjetohej si humbje e nderit kombëtar kjo mund tu ndodhte gjermanëve vetëm në kohën e racizmit të Hitlerit, por zor se mund ta thotë një trajner gjerman i sotëm. Në fakt trajnerët para ndeshjes flisnin me terma shumë më teknike, duke vlerësuar shumë kundërshtarin. Kurse trajnerit Italian Lipi para sfidës që e priste me gjermanët gazetarët tanë i visheshin edhe deklarata të tilla: ”Loja jonë ka pasur oshilacione, por ajo që ka mbetur dhe do të vazhdojë të mbetet është krenaria dhe tërbimi." (Gazetari si duket sapo kishte mbaruar së lexuari Orjana Falaçin dhe s'dinte ku ta fuste shprehjen "krenari dhe tërbim" - në fakt e refuzuar nga shumca e italianëve. "Për çfarë nuk jemi akuzuar! - vazhdonte të fliste ai gjoja me gojën e Lipit - tani duhet të tregojmë karakterin tonë të vërtetë. Jemi një prej popujve më të vjetër dhe më të lavdishëm të botës. Në sport kemi lëshuar firmën tonë e cila është zulmëmadhe. Tani ka ardhur koha që të demostrojmë vërtet dhëmbët dhe të fitojmë. Një Itali në finalen e madhe të Berlinit do të ishte përgjigja e duhur për ata që kanë hedhur baltë ndaj nesh dhe mezi kanë pritur rastin që ne të rrëzohemi. Por e gjithë bota ka harruar se ne jemi pasardhësit e Jul Qezarit”. Nuk do mend se Lipi nuk ka thënë asnjë nga këto fraza që janë thjesht shprehje e delirit të një gazetari tifoz shqiptar fatkeqësisht thellësisht injorant. Në fakt Lipi, pas fitores së kupës bëri një deklaratë pak a shumë të tillë: "kur arrin në majë kupton se sa e vështirë është, por njëherësh gjen motivim për të arritur suksese të tjera." Pra nuk i bëri jehonë as Qezarit dhe as legjionarëve.
Çfarë të them? "Nuk ka gjë më të frikshme sesa injoranca në veprim" thotë Gëtja. Në historinë tonë shumë fatkeqe e kemi parë aq shpesh injorancën në veprim dhe aq pak diturinë në veprim. Edhe viti 2006 nën vulën e kësaj përvoje të hidhur ka kaluar. Le të shpresojmë se viti 2007 do të na sjellë pak më shumë dritë dhe veprim diturie. (Rubrika Përpjekja, Standart, 30 dhjetor 2006)

Wednesday, May 30, 2007

Anormaliteti na imponohet si normalitet

Zgjedhjet janë bllokuar se fundmi ndonëse Presidenti e ka përcaktuar datën, dhe duket se Evropa nuk ka ndërmend të ndërhyrjë për të gjetur ndonjë zgjidhje. Si e shikoni ju zgjidhjen në mënyrë që ne të mos bëjmë hapa prapa ne standarte dhe të mos rrezikojmë marrëveshjen e stabilizim asocimit?

Besoj se nuk është dashur shumë mend për të kuptuar se rruga për nga ishin nisur dy forcat tona politike që nga 3 korriku i vitit të kaluar do të na sillte në këtë udhëkryq të mbrapshtë që ende, kam frikë, nuk e kemi mbrritur me tërë dramacitetin që mund të marrë në ditën e zgjedhjeve. Ne po ecim drejt zgjedhjeve mbrapsht, me kurriz, e duke iu larguar standarteve dhe marrëveshjes me Evropën gjithë duke bërë sikur vështrimin e drejtimin e kemi atje. E në këtë rrugë kemi hyrë me të dyja këmbët, atë të majtën e opozitës që hidhet e para dhe atë të djathtën e mazhorancës që e ndjek nga prapa. Këmba e majtë ka qenë strategjia jashtzakonisht konfliktuale e obstruksioniste e opozitës e cila në asnjë moment nuk e ka konsideruar veten si forcë humbëse që duhet të tërhiqej për një kohë nga ringu, e të përgatitej për ndeshjen e ardhshme, gjithë duke dhënë një kontribut konstruktiv për disa reforma veçanërisht ato të luftës kundër korrupsionit. Ajo, përkundrazi, e vazhdoi në një formë tjetër, gjithaq të egër, ndeshjen edhe jashtë ringut elektoral në pritje për të kërcyer prap në ring, duke ndërtuar kështu strategjinë e destruktivitetit permanent. Këmba tjetër kanë qenë gabimet jo të vogla që ka bërë mazhoranca si përgjigje ndaj kësaj strategjie. Këto, sipas meje, pjesërisht i dedikohen njëlloj paaftësie apo edhe pavullneti për ta ndryshuar sistemin që morën trashëgim dhe pjesërisht ngase strategjia konfliktuale obstruksioniste dhe nervshkatërruese e opozitës e ka nxjerrë mazhorancën jo rrallë jashtë disa linjave që duhet të ruante, veç të tjerash edhe duke e vonuar në arritjen e disa objektivave për reformën zgjedhore. Mbetem i mendimit se konfliktualiteti u intereson të dyja palëve sepse ai është arti politik që njohin e zotërojnë më mirë, e po ashtu u krijon klimën e mjegullës ku "ujku" bën kërdinë duke u shpëtuar përgjegjësive ligjore dhe morale, por megjithatë vatrën më të fortë të tij kësaj here e shoh tek opozita.
Po ashtu dua të them se mbetem i një mendimi që e kam shprehur edhe herë tjetër se për acarimin e kësaj situate ka një rol edhe karakteri konfliktual i të dy liderëve. Jam kundër idesë që ka qarkulluar shpesh se Sali Berisha dhe Fatos Nano kanë qenë dy figura të ngjashme përsa i përket bërjes së politikave agresive dhe konfliktuale. Sipas meje në këtë aspekt ata kanë qenë edhe mjaft komplementarë. Pra, nëse Berisha ka qenë vazhdimisht agresiv dhe ka luajtur në sulm Nano jo rrallë ka ditur të luajë në mbrojtje dhe me mjaft sukses do të thoja. E keqja e Nanos nuk ka qenë të qënit e tij konfliktual dhe agresiv, por korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e tij. Kurse me Edi Ramën në krye Partia Socialiste ka një figurë që është shumë më i ngjashëm me Berishën agresiv dhe konfliktual. Madje, sipas meje, fakti që Berisha ka rënë një herë nga kali e ka bërë të shfaqet herë pas here më i matur dhe më i duruar sesa ç'paraqitet sot Edi Rama. Po ashtu psikologjikisht kemi të bëjmë me dy karaktere që e kanë tmerrësisht të vështirë të pranojnë humbjen. Edhe në këtë aspekt vështirë të thuash se cili është më i vështirë. Berisha mund të duket pak më i qetë sepse edhe në rast humbjeje i mbetet pushteti qendror kurse Rama humbet thuajse gjithshka, por, nga ana tjetër, Berisha e di mirë se humbja e këtyre zgjedhjeve do t'ia shkurtonte mandatin.
Ajo që vihet re në të dyja palët politike është përqendrimi në luftën midis tyre duke e shpërfillur faktin se janë nën vëzhgimin e tërë atyre njerëzve, si jashtë edhe brenda vendit, që gjithnjë e më shumë e shohin këtë gjendje me dëshpërim si shenjë dështimi të kësaj klase politike. E kur flas për shpërfillje këtu duhet të ndajmë disa forma shpërfilljesh. Ndaj shqiptarëve shpërfillja është më evidente dhe më e drejtpërdrejtë sepse të dyja palët përfillin vetëm interesat e tyre, duke u lënë të kuptojnë shqiptarëve të tjerë se nuk kanë ç'bëjnë. Kurse kur vjen puna për perëndimorët shpërfillja e tye është mjaft më e sofistikuar. Ata bëhet sikur përfillen në sipërfaqe, tentohet po ashtu të mashtrohen e të binden se fajtori është pala tjetër, herë pas here atyre u ofrohen edhe marrëveshje bizantine që kryesisht kanë për synim të lajnë faqen si dhe t'ia lënë fajin kundërshtarit. Por në thelbin e vet edhe raporti me ta është një raport mosrespekti dhe shpërfilljeje.
E kam të vështirë të gjej këshillat që do të mund të merreshin parasysh nga këto forca për të mos e thelluar edhe më këtë gjendje që edhe kështu është mjaft e rëndë e mund të na çojë edhe drejt një destabilizimi të ri. Problemi më i madh është se bindja e sejcilës palë se ka të drejtën e të vërtetën me vete është aq iracionale saqë vështirë se do të mund ta lejonte të dëgjonte ata zëra të arsyeshëm që do ta ftonin të hidhte vështrimin nga vetja gjithashtu. I vetmi mjet bindës për këtë kategori është frikësimi dhe këto mjete i kanë në dorë vetëm perëndimorët. Por edhe ata deri në një farë mase sepse tashmë kjo klasë politike e di se perëndimorët do të shkojnë ku do të shkojnë po tek ata do të përplasen. Kam përshtypjen se edhe perëndimorët janë ndërgjegjësuar për këtë situatë prandaj dhe duken më indiferentë. E, sipas meje, kjo indiferencë favorizon më shumë mazhorancën sesa opozitën, sepse çon tek nevoja e ruajtjes së stabilitetit. Opozita duket se këtë nuk e kupton dot, kurse mazhoranca ka prirjen ta përdorë në mënyrë abuzive çka mund t'i kthehet shumë lehtë në bumerang.


Tirana në këtë prag fushate është kthyer në një qytet kaotik për shkak të ndërhyrjeve në çdo cep të saj. Të ecësh në Tiranë është bërë pothuajse e pamundur. Do të donim një opinion tuajin për këtë situatë dhe cili do të jetë ndikimi i saj në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.

Duke parë rrugët e Tiranës të kthyera përmbys përpara zgjedhjeve më vjen mbi të gjitha të shpreh habinë se si politikanët tanë (por edhe pushtetet financiare që qëndrojnë prapa tyre) filluan pak nga pak ta mësojnë publikun me këto situata anormaliteti. Me faktin, pra, se ata mund të bëjnë çdo gjë me qytetin pa pyetur për vullnetin dhe interesat e shumicës së qytetarëve e, në këtë kontekst, edhe me faktin se para zgjedhjeve ata do të bëjnë ndoca punë që do t'i bindin për tua dhënë votën. Është revoltuese kur mendon se njerëzit trajtohen sikur të jenë kaq lehtësisht të mashtrueshëm, për të mos thënë se është edhe antidemokratike. Edhe në qofshin kështu detyra e politikanëve është t'i ndriçojnë e të stimulojnë pjesën më të mirë të tyren e jo t'i konsiderojnë si budallenj e t'u stimolojnë atë pjesë të karakterit që u zhvillon hipokrizinë dhe mashtrimin dhe nënshtrimin ndaj vendimeve të tyre sado aventureske qofshin ato. Një punë serioze dhe me përgjegjësi përpara komunitetit dhe njëherësh me respekt e dashuri për të nuk mund të bëhet kështu. Jo vetëm, por një punë serioze kërkon edhe një programim dhe shpërndarje përgjatë gjithë kohës të energjive dhe parave. Për shembull unë nuk e di se me çfarë filozofie u la për vite me rradhë lulishtja prapa Skënderbeut pa u prekur me dorë dhe tani, mu në prag të zgjedhjeve, po ribëhet me aksion me goditje të përqendruar. Meqë ra fjala, sipas mendimit tim, puna me atë lulishte duhet të kishte qenë krejt ndryshe. Bredhat e saj karaktristikë të lartë nuk duheshin prerë, por Bashkia do të duhet të kishte menduar me kohë për zëvendësimin e atyre që ishin tharë (edhe këta nuk dihet pse u lanë në atë derexhe) për tu zëvendësuar me bredha të mëdhenj të së njëjtës familje. Ata, me formën dhe historinë e tyre, ishin pjesë e pandarë e identitetit të atij parku. Tani atje janë vënë disa pemë xhuxhmaxhuxhe që e kanë bërë sheshin të duket si shkretëtirë, kurse pemët që në një farë kuptimi ishin monument historik u prenë pa asnjë reagim qytetar dhe intelektual. Por njerëzve tashmë u duken luks mendime e shije të tilla.
Gjithsesi do të thoja se atyre që u kanë mbetur ca mend në kokë besoj se një punë e tillë u krijon efekt negativ edhe përsa i përket gjykimit elektoral. Por, nga ana tjetër, duke qenë se ne jetojmë në vendin e anormaliteteve ose më saktë në vendin ku anormaliteti imponohet si normalitet, është e vështirë të parashikosh se si do të reagojnë njerëzit. Kjo edhe për faktin se nuk kanë besim se me ndryshimin e pushteteve do të ndryshojë ndonjë gjë. Një pjesë e madhe tashmë duket se i është nënshtruar idesë se në prag të zgjedhjeve do të mund t'u bëhet ndonjë rrugë apo do të mund t'u çohet pak më shumë ujë apo drita apo do t'u zgjidhet ndonjë problem i tyre i përbashkët dhe e pranojnë këtë me idenë se më mirë kështu sesa të mos na bëjnë asgjë fare. Por kësaj here në rastin e Tiranës kjo filozofi ka shkuar deri në grotesk sepse hapja e tërë atyre rrugëve menjëherë duket sikur nuk do të mund të mbarojë dhe ka krijuar edhe vështirësi qarkullimi normal. Është diçka e patolerueshme, por, të mos harrojmë se shqiptarët dallohen për mungesë shpirti revolte dhe kujtese. Jo vetëm që durojnë pafund, por sapo mbaron së shtruari një rrugë harrojnë se çmimi që kanë paguar për të në kuptimin e pluhurit që kanë ngrënë për shkak të punëve të kryera jashtë çdo norme kohore dhe ruajtjeje ambienti, e vështirësive të qarkullimit që u kanë dalë për një kohë shumë të gjatë, e parave që u janë vjedhur, është aq i lartë saqë dëmi ka qenë, tek e fundit, më i madh se përfitimi.

Shqiperia po vuan edhe sivjet krizën e energjisë elektrike. Kufizimet kanë filluar të ndihen edhe në Tiranë, pa folur këtu për rrethet dhe zonat rurale. Një koment ju lutem për mënyrën sesi po e menaxhon KESH-i dhe qeveria situatën energjitike në vend?

Kur pjesa më e madhe e energjive të politikës shpenzohen në luftën e pushtetit për pushtet; kur në këtë kontekst edhe emërimet bëhen për të kënaqur besnikët e partisë e duke mos përfillur specialistët, kur opozita mendon se është në favorin e saj që njerëzit të rrinë sa më gjatë në terr sepse kështu ajo do të mund të rikthehet në pushtet; kur askush nuk punon për të krijuar besim tek njerëzit se duke paguar paratë e elektrikut apo edhe taksat ato do tu kthehen mbrapsht në shërbime të një niveli më të lartë, në më shumë drita dhe ujë, por mendon, vetëm për xhepat e veta, situata nuk mund të jetë veçse krizë permanente energjie elektrike, por edhe energjie shpirtërore.
Nuk e kuptoj se pse na kanë bërë aq shumë premtime se këtë vit nuk do të ketë krizë energjie. A janë politikanët tanë aq të pazot sa nuk e dinë as gjendjen apo thjeshtë mashtrojnë pa turp sa herë flasin? Nuk dua ta besoj këtë të dytën. Më shumë më duket se është paaftësia e kombinuar me impenjime të tjera ku nuk përjashtohen edhe interesat personale që i lënë punët pa bërë deri kur u shfaqet kriza para syve. Është e patolerueshme që pas 15 vjetësh jemi në këtë gjendje. Në blogun e New Your Times doli një fotografi e Sarandës së masakruar nga ndërtimet së bashku me shënimin se sipas Transparency International jemi vendi më i korruptuar në botë. Ia kalonim edhe vendeve afrikane edhe të gjithëve. Por duke parë atë foto e tërë ato ndërtime të tjera anembanë vendit nuk mund të mos mendosh për paradoksin që një vend që ka shpenzuar aq shumë nuk është është në gjendje të ketë drita dhe ujë. Në fakt ne sot nuk duhet të ishim duke diskutuar për problemin e mungesës së energjisë elektrike, por se si ta siguronim atë në mënyrë sa më ekologjike. Duhet të ishim duke diskutuar për përdorimin e energjisë diellore apo të erës, dhe kurrsesi për mundësinë e ngritjes së një teci në Vlorë sepse ai është një krim i ri në krimet e shumta që i janë bërë bregdetit tonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. Përgjegjësia kryesore për këtë i bije kësaj bande politikanësh që na ka qeverisur këto 15 vjet dhe sistemit të korrupsionit që ata kanë ngritur që e kanë kthyer politikën në Shqipëri në artin e plaçkitjes së njerëzve. (Rubrika Përpjekja, Standart, 9 dhjetor 2006)

Tuesday, May 29, 2007

Duhet rishkruar e tërë historia jo vetëm ajo e Luftës

Presidenti Moisiu deklaroi se duhet ndryshuar historia e luftës Nacional – Çlirimtare. Si e shikoni këtë qëndrim?

Kjo është një ide që ka ekzistuar, do të thoja, që para rënies së komunizmit në mendjen e shumë shqiptarëve, për të mos thënë në mendjen e shumicës së atyre që kanë qenë në gjendje të kenë një mendim të pavarur brenda vetes së tyre edhe në atë kohë. Prandaj Moisiu është shumë i vonuar në këtë kërkesë ashtu sikurse e tërë klasa politike, veçanërisht ajo e krahut të socialistëve. Por realizimin e kësaj ideje sot e shoh si diçka më komplekse sesa shtimin e disa kapitujve dhe të disa figurave, heqjen e disa të tjerave apo qoftë edhe rivlerësimin e atyre që u janë mohuar merita për shkaqe politike.
Janë tre problemet kryesore që dalin përpara nevojës tashmë evidente për ta rishkruar e rimësuar historinë e Luftës Nacional Çlirimtare. Së pari, fakti se historia e Luftës Nacional Çlirimtare është shkruar nga fitimtarët, e kjo ka lënë shumë faqe të saj të errëta e të pahapura apo të deformuara, veçanërisht përsa i përket jetës dhe aktivitetit të kundërshtarve të tyre e ndërveprimit midis të dy palëve. Së dyti, fakti që këta fitimtarë e përdorën këtë histori si mit themelues të pushteti të tyre duke e glorifikuar, e kjo njëherësh ka hiperbolizuar më një anë e ka lënë pa shkruar shumë faqe të errëta të vetë fitimtarëve më anë tjetër. Edhe vetë numri mitik 28 mijë dëshmorë sot rezulton i hiperbolizuar. Së treti, fakti që lufta brenda fitimtarëve, pastrimet e shumta, që filluan që me Luftën e në vazhdim kanë ndikuar që kjo histori të deformohet edhe më tej.
Këto kanë bërë që ajo, sipas mendimit tim, të mos mund të konsiderohet e trajtohet më si histori e Luftës Nacional – Çlirimtare, por si mit. Për ngritjen e këtij miti kanë shërbyer jo vetëm tekstet e historisë, por edhe monumentet e shpërhapura anë e mbanë vendit edhe festat e përkujtimet e shumta, edhe një pafundësi krijimesh letrare, kinematografike, të arteve figurative etj. Madje do të thoja se janë këto, më shumë sesa tekstet, gjithsesi të thata historike, që kanë kryer shpëlarjen e truve të njerëzve dhe pikërisht efekti i tyre është vështirë të preket e ndryshohet në mendjen e atyre që janë ushqyer për pesëdhjet vjet me këtë mit dhe që e kanë përdorur atë. Në këtë aspekt mendoj se më i rëndësishëm sesa thjesht rishkrimi i historisë së Luftës është shkrimi i historisë së ndërtimit të këtij miti; me një fjalë dekonstruktimi/zbërthimi i këtij mit, e ky është një proces që ka dhe s’ka të bëjë thjesht me rishkrimin e historisë. Por ngulmoj se ky është një proces shumë i rëndësishëm madje, sipas meje, edhe më i rëndësishëm sesa thjesht shkrimi i një apo më shumë tekstesh historike ku shumë fakte do të trajtoheshin me seriozitetin shkencor të një historiani. Një tekst të tillë psh. e ka shkruar Bernd Fischer, por, po të pyesësh se sa është e përhapur në ndërgjegjen e shqiptarëve historia e Luftës ashtu siç e tregon Bernd Fischeri, do të rezultojë shumë pak. Ndërkaq, më anë tjetër, duhet të kemi parasysh se dekonstruktimi i mitit nuk do të thotë rrëzimi i mitit, por zbërthimi i shkaqeve të ngritjes së tij, i metodave të ngritjes së tij dhe i pasojave të tij. Sepse rënia e Luftës si mit do të rrezikonte që ajo të zhdukej fare e kështu të mos zinte vendin që meriton në histori, çka do të ishte përsëri një padrejtësi historike.
Një problem tjetër i rëndësishëm është se me ç’frymë do të rishkruhet kjo histori dhe me ç’frymë do të dekonstruktohet miti i Luftës Nacional Çlirimare i ngritur nga komunistët. Mbetet, sipas meje, çështja nëse jemi apo nuk jemi ne ende të pjekur për të shkruar historinë tonë e me këtë nënkuptoj pjekurinë për të mos e përdorur historinë për motive të tjera nga ato të njohjes së saj, siç janë motivet politike të luftës midis kundërshtarëve që identifikohen me një version apo një tjetër version të historisë apo motive të tjera po ashtu të lidhura me politikën e sotme. Në fakt historia për vetë definicionin e saj nuk mund të shkruhet objektivisht, por gjithnjë do të ketë subjektivitetin e një autori apo grupi autorësh të cilët, sipas subjektivitetit të tyre, ku hyn edhe formimi edhe metoda, do të zgjedhin e vlerësojnë më shumë apo më pak një ngjarje historike nga një tjetër. E ky subjektivitet lidhet domosdo edhe me frymën mbizotëruese të një kohe. Mirëpo ndërsa interpretimet mund të jenë të ndryshme faktet nuk duhet të deformohen apo të injorohen krejtësisht siç kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjme ne kur tentojmë të bëjmë histori. Po ashtu edhe analiza e shkaqeve që sjellin në një ngjarje historike apo një tjetër duhet të jetë sa më e plotë e në tërë kompleksitetin e tyre. Dhe ngjarjet që mbesin të paqarta e që kanë pasur interpretime të ndryshme do të ishte mirë të jepeshin sëbashku me tërë interpretimet që kanë pasur. Nuk jam historian dhe po sjell këtu thjesht disa konsiderata, por nuk ka nevojë të jesh historian psh. për të konstatuar se edhe historia jonë e para Luftës ( e kam fjalën për tërë historinë tonë që nga fillimet) është trajtuar edhe ajo në funksion të ngritjes së miteve të nacionalizmit. Ne në këtë histori kemi kapur e zgjedhur ato momente që na miklojnë sedrën e krenarinë kombëtare e që na forcojnë disa identitete e fshehin apo ndryshojnë të tjerë; edhe në atë gjen një mori keqinterpretimesh e deformimesh po ashtu. Në raport me fqinjët apo me turqit psh. kemi zgjedhur ato momente që venë në dukje diferencat dhe konfliktet dhe luftrat që kemi pasur me ta dhe jo ato gjëra që kemi pasur të përbashkëta. Nga një vështrim jonacionalist kjo histori do të shkruhej shumë ndryshe. Sipas meje është e tërë historia që duhet rishkruar dhe jo vetëm ajo e Luftës sepse është metoda që ka qenë e gabuar në të dy rastet dhe ka qenë e njëjta metodë e diktuar nga ideologjia nacional komuniste si ideologji pushteti e Enver Hoxhës.
E kjo çështje pastaj lidhet me atë se kush do ta marrë përsipër një punë të tillë. Mendimi im është se duhet evituar shkrimi i një historie zyrtare e se metoda më e mirë e njohjes së historisë edhe asaj të Luftës, do të ishte njohja e saj nëpërmjet shumë autorëve që e shohin atë nga këndvështrime të ndryshme. E këta do të shtohen me kohën sepse çdo kohë do të shtojë fakte dhe metoda interpretative të vetat.

Rama dhe Olldashi janë zyrtarisht kandidatë për Tiranën. Si e komentoni këtë përballje?

Ajo që më ka shqetësuar deri tani në parathënien mediatke të kësaj përballjeje është fakti se ajo është përqëndruar – e përsëris deri tani – në përballen e dy figurave ndoshta edhe të dy partive, por jo në përballjen e ideve dhe vizioneve të ndryshme për zgjidhjen e mijëra problemeve që ka sot qyteti i Tiranës. Qyteti i Tiranës gjatë këtyre 15 vjetëve ka akumuluar e krijuar kaq shumë probleme saqë, sipas meje, përballja kryesore do të duhet të ishte ajo se cili paraqet projektin më të mirë e më të besueshëm për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe njëherësh se cili ka kredibilitetin më të madh se fjalët mund t’i bëjë realitet.
Probleme të tilla si mbipopullimi i frikshëm i shoqëruar me një kaos urban edhe më të frikshëm, mungesa e një plani urbanistik, përdorimi i truajve të qytetit, por edhe të atyre përreth tij, si mjete pasurimi dhe pastrimi parash të individëve në kurriz të hapësirave publike, të mjedisit e të bujqësisë, ndotja në nivele jetëshkurtuese e ajrit, pastrimi llahtarisht i papastër i plehërave të qytetit dhe zgjidhja e problemit të varrosjes së tyre, ai i furnizmit me ujë dhe me drita, ai i mungesës së vendeve të tilla publike si kinematë, teatrot, fushat e sportit, lulishtet e gjithshka tjetër që bëjnë që një numër aq i madh njerëzish që jetojnë afër e afër të mund të quhet komunitet dhe jo turmë individësh e shumë të tjera si këto kanë arritur një nivel të tillë përkeqësimi saqë prej kohësh po bijen këmbana alarmi që na thonë se Tirana është duke u bërë një qytet i pabanueshëm.
Sipas meje përgjegjësia që ka qoftë vetëm për njërin nga këto probleme do ta bënte Edi Ramën një kandidat të pazgjedhshëm madje të pakandidueshëm. Por, nga ana tjetër, unë e di ndoshta më mirës se kushdo se nuk ishte thjesht karakteri i dobët e i mbrapshtë i Edi Ramës që bëri që këto probleme të vijnë duke u rënduar. Ishte edhe një strukturë e tërë e ngritur përfitimi mafjoz që e bëri atë instrumentin e vet. PD-ja erdhi në pushtet me premtimin se do t’i luftojë këto struktura. Berisha ka folur shpesh, kur ishte në opozitë, për mafjen e ndërtimit; për faktin se industria e ndërtimit e Ramës ishte lavatriçe parash, por tani gjithnjë e më shumë e shohim të heshtë në këtë drejtim. Përveç pastrimit të disa oborreve të shkollave apo spitaleve unë nuk shoh të bëhet ndonjë gjë e madhe. Nuk dimë as a i mbylli vërtet lavartiçet nëpër lumenj siç premtoi. Mungesa e kontrollit mbi territorin duket se vazhdon po njëlloj. Për më tepër një PD-ist në malin e Dajtit ka bërë një katrahurë e ka dhënë një shembull që nuk le shpresë për ndryshim.
Në këtë kontekst sipas meje mbetet rreziku që duke ardhur PD-ja në pushtet në Tiranë pakgjë të ndryshojë sepse disa struktura nga ato të vjetrat do të kalojnë në aleancë me të dhe disa segmente të tjera mafjoze do të mund të filloojnë të nxjerrin përfitimet e tyre. Kjo do të thoshte vazhdim edhe më i përshpejtuar i degradimit të qytetit. Ne na intereson premtimi dhe mbajtja e premtimit për një Tiranë ndryshe, për një Tiranë të qytetarëve dhe jo të pushtetarëve mafjozë. Kur shoh sot Zogun e Zi që më duket një punë shumë e mirë unë ngre pyetjen: a ishte aksioni i ndalimit të përbindëshit që deshte të ngrinte Rama dhe krijimi i këtij sheshi një akt që lindi nga një vullnet i sinqertë për ta kthyer qytetin në normalitet, ligj dhe qytet të qytetarëve apo ishte një fasadë që u përdor për të luftuar kundërshtarin e për të vazhduar pastaj të njëjtën rrugë. Sepse edhe Edi Rama në fillim pastroi e normalizoi disa gjëra, por ato rezultuan mjete të përdorura për të vazhduar mashtrimin dhe përfitimin e një pjese të vogël në kurriz të shumicës.

Evropa e ka cilësuar këtë javë politikën shqiptare si të vjetëruar. A mendoni se kanë të drejtë në këtë qëndrim?

Sipas meje ia vlen të thellohemi pak në këtë konstatim sepse kjo më duket një gjysëm e vërtetë. Le të shpjegohem: Kur perëndimorët flasin për një politikë shqiptare të vjetëruar kam përshtypjen se flasin për faktin se në Shqipëri vazhdon një politikë që karakterizohet nga konfliktualiteti dhe jo dialogu, ku kulti i njëshit në krye të çdo institucioni dëmton çlirimin e energjive dhe të ideve të të gjithëve, për një politikë me një gjuhë shumë të varfër përsa i përket artikulimeve dhe pasurisë së ideve të kohës, për një mungesë personaliteti e fryme kritike përsa i përket raporteve me të tjerët e huaj, për një politikë që ende nuk ka arritur të dallojë të majtën nga e djathta, etj. E të gjitha këto më duket se qëndrojnë.
Por kjo politikë është edhe shumë e kohës dhe aspak e vjetëruar përkundrazi e modës në Shqipëri. Kjo në kuptimin se kjo politikë shpreh interesat e një shtrese të caktuar në mënyrën më të kohës që është e mundur. Ajo shtresë që sundon sot vendin është e interesuar pikërisht për këtë lloj politike. Ajo kërkon kaosin, konfliktin, pandëshkueshmërinë, kultin e privates deri në mohimin e shkatërrimin e publikes, pushtetin e televizioneve të veta mbi atë të Televizionit Publik, etj. Në këtë kontekst pra politika jonë është goxha bashkëkohore me interesat e kësaj shtrese dhe mund të thuhet se është kjo shtresë që e ka krijuar atë politikë. Sot thuhet psh. se po të bëhet një shtrirje e hartës së Shqipërisë duke patur parasysh pronarët ajo hartë do ta nxirrte Shqipërinë tre katër herë më të madhe nga ç’është sepse për çdo truall rezultojnë dy apo tre nganjëherë edhe më shumë pronarë. A ka gjë më të veçantë dhe më të re sesa kjo? As në kohën e Turqisë, as në kohën e Zogut as në atë të komunizmit nuk ka ekzistuar një gjendje e tillë. Madje nuk di a ka vend në botë që të ekzistojë një gjendje e tillë. Prandaj Perëndimorët më mirë sesa ngritjen çështjes së ekzistencës së një politike të vjetëruar do të duhet të ngrinin çështjen se pse ata dështuan në përpjekjen për ta mbushur vakumin që la rënia e komunizmit me institucionet e tyre demokratike, por përkundrzai mafja u tregua më e shpejtë dhe më e suksesëshme sesa ata për ta mbushur këtë vakum. (Rubrika Përpjekja, Standart, 2 dhjetor 2006)

Wednesday, April 4, 2007

Berisha dhe mediat

“Në politikë krijuesit e mëdhenj janë ekzekutorët jo ideatorët” - thotë historiani i njohur Albert Vandal. Kuptimi është i qartë: midis ideve në letër dhe ekzekutimit të tyre në realitet ekziston një hendek i madh dhe talenti i politikanit nuk qëndron tek hedhja e ideve, por te aftësia për ta kapërcyer këtë hendek e për t’i materializuar kësisoj idetë. Po të vesh re historinë, shpesh, politikanë të mëdhenj nuk kanë bërë tjetër veçse kanë vënë në jetë ide që kanë lindur nga të tjerë njerëz ideatorë, por, nga ana tjetër, realizimi i tyre ka kërkuar talentin e cilësitë e veçanta të politikanit.
Kjo formulë besoj se vlen si për politikanët e mëdhenj ashtu edhe për politikanët pa epitetin “të mëdhenj” e po ashtu për politikanët e çdo vendi. Prandaj besoj se vlen si pikë referimi e vlerësimi edhe për politikanët tanë. E pra, po të gjykojmë politikanët tanë në raport me këtë ide them se ajo që bije në sy dukshëm është se ata vetëm sa lëshojnë ide, nganjëherë edhe shumë të mira, kurse përsa i përket ekzekutimit të tyre ato mbeten në letër ndërkohë që në realitet bëhen të tjera gjëra, në më të shpeshtën të kundërta me to.
Kjo vlen edhe për rastin e fundit kur Berisha para disa ditësh lëshoi idenë se mediat janë “hanxharë në dorë të mafjes”. Nuk tha ndonjë ide të re Berisha me këtë përveç përdorimit të fjalës paksa të fortë “hanxhar”. Që mediat tona janë tjetërsuar nga funksioni i tyre i informimit dhe formimit të publikur për t’u kthyer në instrumente të pronarëve të tyre të lidhur me grupe politike e financiare – që shpesh rezultojnë zhvatës të publikut - kjo dihet tashmë prej kohësh. Që këta pronarë kanë shpesh biznese që e shfrytëzon fuqinë e mediave të tyre për të përfituar në mënyrë të paligjshme truaj ndërtimi, leje ndërtimi, tendera e me rradhë apo për të patur përfitime të tjera për biznese të tjera e njëherësh për tu mbrojtur nëpërmjet tyre nga goditja e ligjit edhe kjo dihet. Në fakt është tashmë e njohur nga të gjithë se tek ne media dhe politika janë si mishi me thoin e jo dy pushtete të ndara e të kundërta. Ato janë “ajka” e korrupsionit moral të shoqërisë sonë. Idenë e famshme marksiste se politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë mund ta parafrazojmë e të themi se “politika dhe mediat tona janë shprehje e koncentruar e ekonomisë sonë”. Nëse mund të quhet apo jo kjo ekonomi “mafjoze”, varet nga termi mafje që nuk ka ndonjë kuptim të vetëm e preciz. Por, nëse me mafje do të kuptojmë një aktivitet të paligjëshme ekonomik, shpesh edhe kriminal (si trafiqet), që zhvillohen nën ombrellën dhe lidhjet me politikën e që gjenerojnë, përveç parasë, edhe pushtet politik dhe mediatik atëhere jemi brenda. Tashmë është bërë krejtësisht e qartë se nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por me një sistem të ngritur.
Atëhere lind pyetja: si ta gjykojmë deklarimin e kësaj të vërtete nga një politikan si Berisha që ka dy vjet që është në pushtet, madje kryeministër?
Nëse do të flasim pozitivisht për Berishën politikan mund të themi se pas katarsisit fals të Nanos ai ka meritën që e rifuti në gjuhën politike termin “luftë korrupsionit” dhe “krimit të organizuar” apo “kapje e shtetit e nevojë për çlirimin e tij” që nga socialistët as nuk përmendeshin më. Nuk mund t’i mohoet gjithashtu se me mediat ai nuk ka atë lidhje të sëmurë e njëherësh aq organike që kanë socialistët, veçanërisht kryetari i saj Rama, i cili punën e tij kryesore e kryen me mediat. (Kjo edhe për shkak se këto media lindën në kohën e dyshes Meta - Rama kryesisht dhe lidhjet i kanë kryesisht me ta.) Po ashtu gjykoj se të paktën në momentin ku ndodhemi është e tepruar të evokohet Berisha i viteve 92 – 97 si armik i mediave dhe i shtypit të lirë për t’ia faturuar deklaratën e tij kësaj armiqësie.
Por pyetja shtrohet: a mjafton për një politikan që është në krye të qeverisë të thotë një të vërtetë publikisht? Nëse do t’i referohemi deklarimeve të mëparëshme kësisoji të Berishës gjatë këtyre dy vjetëve pushtet do të themi se deklarata e tij e fundit tingëllon, si shumë të tjera më parë, një përzjerje demagogjie me synime frikësimi apo shantazhimi, por edhe thjesht me një nevojë shfryrje të pakontroluar nervash në mungesë fuqie për të vepruar. Tek e fundit ai i shëmbëllen atij që vetëm sa e trazon në folenë e tij sistemin e korrupësionit sikurse trazohet një kancer që bëhet pastaj më virulent. Politikani Berisha sillet sikur të jetë ende në opozitë kur flet kësisoj. Kurse nga politikani kryeministër Berisha nuk priten fjalë apo ide, por veprime. Dhe që të veprosh ndaj një sistemi siç është sistemi mediatik i krijuar në Shqipëri duhen, sipas mendmit tim, minimumi dy gjëra: së pari një projekt i qartë alternativ ose reformues për mediat që kemi. Së dyti duhet një masë dhe një peshore për të gjitha mediat jo një trajtim i diferencuar i tyre. Berishës i mungojnë të dyja edhe një projekt i qartë edhe një qëndrim i njëllojtë për të gjitha mediat. Pyetja që mund të shtrohet lidhur me mungesën e këtyre të dyjave është: a nuk do apo nuk është i aftë Berisha për të krijuar një projekt altarnativ e për të pasur një peshë e një peshore (ligjin) me të gjithë? Është një dilemë që e ka shoqëruar edhe në tërësi retorikën e tij mbi luftën kundër korrupsionit. Dhe për fat të keq pas dy vjetësh, veçanërisht pas takimit me Nanon, besimi se ai do, por nuk mundet është zbehur shumë në favor të idesë se ajo çka do seriozisht Berisha është vetëm pushteti. Edhe reagimi i fundit ndaj mediave kundërshtare i gjeneron kryesisht nga kërcënini i këtij pushteti dhe jo nga bindja se vendi ka nevojë serioze për një sistem tjetër mediatik.
(Korrieri 3 prill 2007)

Friday, March 30, 2007

Një krim ndaj Gjirit të Vlorës

Gjiri i Vlorës është nga ato vende që zakonisht i quajmë bukuri të rralla të natyrës. Kështu quhen vendet ku mblidhen shumë bukuri njëherësh - apo të gjitha bukuritë së bashku - në mënyrë të tillë sa të duket e pabesueshme që natyra tregohet kaq bujare me një vend. Edhe Gjirin e Vlorës natyra e ka bërë të tillë. Ai të mahnit me kombinimin e jashtëzakonshëm të detit të kaltërt me malet e larta rreth tij, me gadishullin e Karaburunit dhe ishullin e Sazanin që e mbrojnë nga deti i hapur në perëndim, por edhe me lagunën e Nartës në veri. Ai ka energjinë e detit, por edhe qetësinë dhe paqen e një liqeni njëherësh. Është e vështirë të përshkruhen perëndimet dhe lindjet e diellit në Gjirin e Vlorës. Është një nga ato vende që meriton me tepri fjalën “i bekuar”.
Gjirin e Vlorës mund ta imagjinosh të mbushur me jahte e varka me vela shumëngjyrëshe si një nga portet më tërheqës e më piktoreskë të Mesdheut, si një nga portat më të bukura të hyrjes në Ballkanin perëndimor. Por sot, në këto ditë fundmarsi, ai është bosh dhe i zymtë në bukurinë e tij, sepse sikur e ndjen se i kanoset një e keqe e madhe: vdekja.
Është e pabesueshme, por e vërtetë: shqiptarët ose më mirë të them disa shqiptarë nga ata që kanë në dorë fatet e vendit, në traditën e paraardhësve të tyre që për 50 vjet e izoluan dhe shpërfytyruan sa mundën e ku mundën Shqipërinë me bunkerë dhe metalurgjikë e monstra gjithfarëshe duke pretenduar se po i bënin mirë - kanë vendosur ta kthejnë gjirin e bukur të Vlorës në një moçal të ndyrë nafte. Atij i kanosen dy plane vrastare. Në pjesën veriore të tij, në Triport, atje ku sot, për një kombinim fatlum të disa rastësive, ka mbetur një pjesë e gjirit krejt e virgjër me një brez të gjerë rëre të pastër e të imët në breg dhe pastaj me një pyllnajë pishash që shtrihet disa kilometra, këta lloj shqiptarësh kanë vendosur, pa pyetur as komunitet dhe askend që i ka mbetur dy pare mend e ndërgjegje në kokë, ta kthejnë në një vend ku do të ngrihen oxhaqet e teceve në një sipërfaqe 14 hektarë si dhe një rezervuar e rafineri nafte e ashtuquajtur Petrolifera që do të zaptojë edhe ajo 18 hektarë të tjera. Për t’i bërë vend këtyre monstrave – e pabesueshme, por e vertetë – do të priten pishat e një plazhi që do ta kishte zili çdo vend në Evropë.
Nuk mjafton kjo. Në pjesën jugore të gjirit të Vlorës do të vendoset terminali i së ashtuquajturës AMBO që do të thotë se brenda Gjirit to Vlorës do nxjerrin grykët e tyre të zeza tubat e naftës që do të mbushin 750000 deri në 1 milion fuçi nafte në ditë për ta shpërndarë në tërë botën. Sa për dijeni, Shqipëria ka nevojë vetëm për 700 000 ton naftë në vit kurse AMBO do të sjellë rreth 300 000 ton në ditë. Nuk do shumë mend për ta përfytyruar shpërndërrimin e Gjirit të Vlorës brenda një kohe të shkurtër në një vend të helmuar e në agoni. Efektet shkatërruese të naftës njihen tashmë. Nuk do të vonojë e ujrat e tij të kaltër, ku sot notojnë gjithfarë peshqish, do të shndrrohen në ujra të zinj të vdekur –sepse, veç tjerash, ujrat e gjirit të Vlorës nuk ndrrohen lehtë pikërisht prej mbrojtjes së tij nga deti i hapur. Po ashtu oxhaqet e tecit do të lëshojnë në qiellin mbi Vlorë hijen e tyre të zezë e të ndotur me helme. (Nuk po flas këtu për ndotjen akustike dhe ndotjen estetike të pejsazhit sepse shqiptarët për të cilët bëj fjalë duket nuk e kanë mësuar ende se sot në botë ka edhe urbanistë pejsazhi.) Vlonjatët duhet të harrojnë peshkimin, duhet të harrojnë kultivimin e vreshtave për verë e raki si dhe të frutave gjithfarëshe, duhet të harrojnë ëndrrat për turizëm e agroturizëm, duhet të harrojnë deri sportin e notit për t’ia lënë vendin përbindëshit të naftës që do të ushqehet me Gjirin e Vlorës..
Është një krim ndaj gjirit, që do të thotë një krim ndaj banorëve të sotëm të tij, por edhe ndaj fëmijëve të këtyre banorëve dhe fëmijëve të fëmijëve, por edhe një krim ndaj tërë vendit? Shqipëria ka vetëm 400 km bregdet dhe ky është shumë pak dhe shumë i shtrenjtë për ta masakruar kësisoj. Shqiptarët tashmë kanë prishur shumë nga ky breg me padijen dhe babëzinë e tyre e të politikanëve që kanë në krye. Edhe Gjiri i Vlorës nuk ka mbetur pa u dëmtuar nga betoni dhe çimentua e hedhur pa përgjegjësi nga ndërtuesit që pretendojnë t’i marrin atij sot për sot tërë fitimin që duhet të shpërndahet në breza. Në fakt është pangopshmëria e papërgjegjshmëria e shqiptarëve mbarë që i ka hapur rrugën trajtimit të tyre në këtë mënyrë edhe nga të huajt. Por gjithsesi Gjiri i Vlorës ka mbetur ndër pjesët më të bukura të bregdetit dhe shkatërrimi i këtij gjiri me naftën do të jetë grushti përfundimtar, mu në zemër, që do t’i jepet bregdetit shqiptar.
Çdo shtet normal evropian një vend të tillë si ai i Triportit ku duan të vendosin tecin dhe Petroliferën e ku qeveria famëkeqe e Nanos parashikoi një park energjitik qindra hektarësh do ta kishte shndërruar në një park të madh kombëtar natyror. Nuk do shumë punë e mund për këtë sepse deti është aty dhe i pastër, pyllnaja e pishave është aty dhe rëra është aty. Nuk do shumë punë e mund që atje të vinin e të bënin plazh, të thithinin ajrin e pastër e të shijonin pejsazhin shqiptarë nga tërë Shqipëria, Kosova e Maqedonia që nuk do të mund të shkojnë më në Golemin e kthyer në kosh të shëmtuar plehërash. Aty do të vinin pa dyshim edhe turistët e huaj të cilët përsëri në vende të tilla si Saranda dhe Durrësi nuk mund të qëndrojnë më as edhe një ditë për shkak të ndyrësisë dhe betonimit të paparë të bregut. Vlora me hotelet, bare restorantet e shtëpitë e dhëna me qira do të mbushej përplot me ta. Ky park duhet të ishte pjesë organike me lagunën e Nartës që e ka përbri e që është zonë e mbrojtur. Prandaj, duke përfytyruar këtë mundësi kaq të dukshme nuk mund të mos shtrosh pyetjen: si ka mundësi që mu ngjitur me një zonë të mbrojtur për veçansitë e saj natyrore, si laguna, të ndërtohet një monstër natyrëvrasës e njerivrasës? Si ka mundësi që Gjiri i Vlorës të mendohet njëherësh si zonë turistike dhe industri nafte dhe energjitike? Nuk ka gjë më absurde. Vetëm në Shqipëri i gjen absurditete të tilla si për të na kujtuar se qeverisemi ende nga një klasë politike që ka trashëguar kulturën e Enver Hoxhës i cili në breg të liqenit të Pogradecit ndërtoi Ferrokromin, në luginën e mrekullueshme e pjellore të Elbasanit Metalurgjikun e që bregdetin e populloi me bunkerë në vend se me turistë.
Ajo që të vjen në mendje kur mëson për projektet e qeveritarëve të sotëm në kombinim me partnerët e tyre ndërkombëtarë në këtë rast është se Shqipëria shihet si një vend i zgjedhur nga bota globale për shkarkimin e plehërave të kësaj bote. E në këtë përzgjedhje politikanët tanë kanë marrë rolin e menaxhuesve të mirëpaguar të këtij procesi të shpërndërrimit të Shqipërisë në koshin e plehërave të Evropës. Jo rastësisht në projektet e mëparëshme të famëzezës qeveri Nano parashkohej që në Shqipëri të digjeshin plehërat e Italisë e të prodhohej energji edhe për Italinë. Sigurisht njerëzve të naftës globale nuk ka pse t’u dhimbet Shqipëria. Ata kanë hapur edhe luftë dhe kanë vrarë njerëz e po vrasin njerëz për naftë. Dhe pushimet kanë se ku i kalojnë në pika të tjera më fatlume të globit. Po ashtu ata nuk kanë ndonjë lidhje historike, shpirtërore dhe kulturore as me Vlorën dhe as me Shqipërnë. Por Vlora dhe Shqipëria duhet t’u dhimbet shqiptarëve.
Të shkatërosh Vlorën me pretendimin se kështu po prodhon energji për të patur drita shqiptarët është njëlloj sikur të djegësh pemët e oborrit të shtëpisë për t’u ngrohur e bërë dritë. Jo vetëm, por, në fakt, prapa idesë së nevojës së shqiptarëve për drita qëndron nevoja për të paisur me energji pompat e përbindëshit AMBO. Teci më shumë do të ngrihet për pompat e AMBOs sesa për Vlorën. Kurse ideja se në sajë të AMBOs shqiptarët do të kenë 40 milion dollarë më shumë në vit është qesharake sepse vetëm turizmi që mund t’i humbë Vlorës prodhon më tepër se kaq e do të prodhojë shumë herë më tepër se kaq pa AMBOn.
Vlora u bë e njohur në vitin 97 për shkak se ishte vendi ku u përqendrua kriza e rënies së piramidave financiare. Por ato ishin vetëm letra që humbën, tek e fundit, kurse krimi që do t’i bëhet Vlorës duke i ngritur tecin Petroliferën dhe terminalin e AMBOs është shumë herë më i madh, shumë herë më afatgjatë dhe do të mbetet gjithherë aty. Megjithatë Aleanca Qytetare e krijuar në Vlorë për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës nuk ka sot mbështetjen e asnjërës parti ndonëse shumica e komunitetit të Vlorës është me të. Asaj nuk iu njoh as e drejta për referendum nga KQZ e komanduar nga partitë. Por mu për këtë lëvizja e saj është më e fortë e premton të bëhet baza prej së cilës mund të ngrihet nesër një klasë e re politike dhe një kulturë tjetër politike. Në fakt lëvizja e saj nuk denoncon vetëm masakrën që kërkon t’i bëhet Vlorës, jo vetëm klasën politike që e njeh qytetarin vetëm kur i kërkon votën dhe pastaj e mashtron. Kjo lëvizje denoncon edhe faktin se sa e rezikshme është kur dy parti dalin jashtë kontrollit të shoqërisë duke u kthyer në banda që e grabisin atë. Në kohën e krizës së piramidave Vlora ishte në faqe të parë të gazetave e të lajmeve. Sot nuk ndodh kështu jo vetëm pse asnjërës forcë politike nuk i intereson, por edhe pse, për fat të keq, një pjesë e qytetarëve nuk e dinë e nuk janë të informuar për çfarë i pret – ashtu sikurse dje nuk qenë të informuar derisa iu mbyll dera e piramidave. Përgjegjësit janë të njëjtë. Por një gjë është e sigurtë: politikanëve si Sali Berisha Fatos Nano me shokë edhe mund t’u harroet humbja e parave të njerëzve në piramidat, edhe mund t’u falet korrupsioni, por krime të tilla si ky që po bëjnë e planifikojnë kundër natyrës së Shqipërisë, do të mbajnë emrin e tyre për breza e nuk do t’u harrohen e falen kurrë. (Korrieri, 29 mars 2007)

Friday, March 16, 2007

Një gropë e zezë, që flet shumë

Në rrugicën ku kaloj përditë kur dal nga shtëpia – po e quaj rrugicë për nga ngushtësia sepse mund të quhet edhe rrugë për nga numri i banorëve dhe i makinave që kalojnë dhe i pallateve që ajo ka anash - vodhën para disa kohësh kapakun rrumbullak të një pusete që ndodhet mu në mes të rrugës. Nën vrimèn e saj rrumbullake të zezë, ku mund të hyjë e ngecë një rrotë makine, u shfaq boshllëku i dhomëzës prej betoni ku dolèn nè dritè edhe ca tuba e saraçineska të ndryshkura që spruconin ujë me presion në oraret kur Ujësjellësi na hap grykèn e Bovillès.
Siç e marrin me mend tiranasit, të cilèt, prej kohësh, e vuajnë këtë punën e vjedhjes së pusetave, as që bëhej fjalë në ditët e para të pretendoje që ajo të zëvendësohej shpejt e shpjet. Të jetuarit në Shqipëri na ka mësuar tashmë me disa standarte shërbimi dhe e dimë se në raste të tilla duhet të presësh ndonja dy javë të mira përpara se të fillosh të shpresosh ta shohësh pusetën të mbuluar me një kapak të ri (e kam fjalën për qendrën se në periferi mund të ketë të tjera standarte). Kërkush, pra, nuk po priste që ajo të zëvendësohej për dy javë megjithëse në zonën time ka edhe disa deputetë që nganjëherë i bijen telefonit dhe e zgjidhin ndonjë vështirësi të tillë në kohë më të shpejtë se “norma”. Kështu që, siç pritej, rrumbullakja e pusetës në mes të rrugës dhe gropa e zezë poshtë saj u kthyen në një vepër arti nga ato që i quajnë instalacion. Hera herès dikush fuste në të ndonjë dërrasë që dilte një metër mbi sipërfaqe për tu treguar shoferëve se atje kishte një gropë, hera herës rrethohej me ndonjë gomë makine apo kuti kartoni e hera herës mbetej thjeshtë një rreth rrumbullak i zi që duhet ta shquaje veçanërisht natën, përndryshe bije brenda. Ndërkaq, meqënëse aty afër saj janë edhe plehërat, boshllëku në gropèn e pusetès filloi të mbushej me lloj lloj qesesh plasmasi me mbeturina shtèpish, nga ato qè nuk i mbanin mè koshat e Bashkisè, me kuti kartoni e shishe gjithfarëshe duke krijuar edhe shqetësimin se dekompozimet e tyre mund të filtronin në të çarat e tubit të ujit të pijshëm që rridhte. Por ama, si instalacion, u bë edhe më i përsosur.
U interesava të di se kush e kishte në vartësi e më thanë: Ujësjellësi. Pra nuk e paska pushteti lokal, por e ka ai qendrori – thashë me vet - jo Edi Rama por Berisha përkthehet kjo. Kaluan tre javë, katër javë, një muaj, një muaj e një javë një muaj e gjysëm dhe ende puseta ka mbetur instalacion me disa variante që mund ta titullosh fre mirë “Rrugë tranzicioni tiranase - 2007” apo “Gropë shqiptare ku takohet uji i pijshèm me plehërat”, apo “Kronikë e Ujësjellësit pas një vjedhjeje”.
“Kot të presësh edhe nga deputetët - më tha një komshi teksa kalonim unë në një anë ai në anën tjetër të gropës - kohët e fundit kam parë se nuk bëjnë asnjë metër më këmbë, kurse makinat i kanë fuoristrada dhe nuk kanë rrezik të bijen tek vrima e pusetës. Prandaj - shtoi - shih mos na sjell ndonjë televizion.” “Televizioni s’vjen këtu, por të shoh mos bëj një shkrim i thashë. Veçse pak shpresë kam se mund ta lexojë drejtori i Ujësjellësit.”
Né fakt vjedhjet e pusetave e meritojnë një kronikë televizive sepse gojët e zeza që ato lenë hapur flasin shumë më tepër sesa për një pusetë. Ato janë të barsura me simbolikë dhe kush kalon të patën tre herë në ditë mbi një gropë të zezë si e jona nuk mundet të mos bjerë në refleksione të shumta. Pale sikur të vendosësh një kamer aty diku mbi tè dhe të filmosh mënyrën se si sillen kalimtarët kur kaljnë nga mëngjesi deri më darkë nè ngushticèn midis plehërave tè Bashkisè dhe asaj grope tè Ujèsjellèsit – si me thènè midis pushtetit lokal dhe atij qendror. Me siguri do të dilte një mrekulli. Por mua kjo gropë e zezë më erdhi në ndihmë edhe për të lexuar më mirë votën e elektoratit. Do të thotë lexuesi i nderuar ç’lidhje ka kjo me votimin. Ka, ka. Ja ta shpjegoj:
Problemi është se në mungesë të institucioneve të specializuara dhe me besueshmëri që të masin e të na japin treguesit e efektshmërisë apo jo të një qeverisje dhe, po ashtu, në mungesë të mediave që të bëjnë punën e informimit dhe jo të propagandës e manipulimit, qytetarëve u duhet të orientohen intuitivisht për mbarëvajtjen apo jo të punëve nëpërmjet shenjash të mbledhura andej këtej me sy e me veshë e me nuhatje e me prekje. Këto mund të na japin një perceptim intuitiv nëse jemi më mirë se dje apo më keq – sepse, tek e fundit, edhe votimi nuk na jep një gjykim të qartë, pasi të gjitha palët reklamojnë fitore. Them se çdo qytetar ka shenjat e veta, disa pika referimi që i ka parë dhe i sheh vazhdimisht nëpërmjet shqisave të tij e që lidhen me gjërat që sillen rrotull jetës e punës së tij duke filluar që nga uji e dritat e deri tek rruga ku shkel përditë, ku bëjnë pjesë edhe gropat edhe pusetat. Është e qartë se të dhënat shqisore tè pèrpunuara nga intuita nuk kanë ashtu dhe aq siguri dhe mund të jenë edhe ato rezultat i një keqvlerèsimi, sepse janè thejsht përvojè personale. Por ja që ato mbeten thuajse i vetmi burim i besueshëm – sigurisht më i mirë se mediat që shkojnë i zgjedhin në mënyrën më të paturpëshme për motive krejt të tjera nga informimi dhe shërbimi, raste të tilla.
E pra unë do të thoja se, në zonën ku banoj, nuk ka mbetur pa ndikim në humbjen e besimit tek qeverisja edhe kjo gropa e zezë rrumbullake e pusetës. Mund të duket diçka fare e vogël por janë këto “vogëlsira” që duke i takuar ditë për ditë vijnë e mblidhen e bëhen një mullar pakënaqësie. Sepse kur kaloi muaji dhe ajo vrima rrinte atje ende e hapur duke gëlltitur plehërat që gjithmonë e tejkalojnë gati dy herë kapacitetin e koshave që na ka vënë Bashkia nuk mund të mos thoje me vete: pa dyshim këtu kemi të bëjmë me diçka që nuk shkon me këta demokratët. Né kètè pikè do tè thoja se plehèrat, qè tani u takojnè socialistève, nuk luajnè rol sepse ato janè dhe kanè mbetur thuajse konstante nè pamjen e tyre: gjithnjè, pèrjetèsisht sheh njè mullar plehèrash, qè dalin jashtè koshave e rrijnè nganjèherè dy tri ditè pa u marrè. Edhe pusetat i vidhnin edhe në kohën e socialistëve, por kaq gjatë, mu në qendër të qytetit, sikur ata nuk i linin pa i zëvendësuar. Mund të rrinin tre javë, ja katër shumë shumë, por një muaj e gjysëm sikur i tejkalon të gjitha normat. Por edhe sikur t’i kenë lënë kaq gjatë a nuk na u premtua përmirësimi i cilësisë së jetës? Si duket pa marrë sms Kryeministri dhe pa marrë drejtori i Ujësjellësit urdhër prej tij, apo po nuk mbeti ndonjë makinë ministri a deputeti demokrat atje tek gropa, kapaku i pusetës nuk do të zëvendësohet kurrë.
Por reflektimet rreth asaj grope, teksa kalon anash saj, nuk mund të mos të të çojnë edhe në zona të tjera të qeverisjes. Madje edhe tek sektori më i suksesshëm, Ministria e Rendit. Vërtet janë kapur disa banda trafikantësh, dhe shyqyr, por puna e policisë nuk është vetëm të kapë trafikantë. Ka lloj lloj krimesh në këtë vend. Dhe është për t’u çuditur se pse policia jonë nuk është, psh., në gjendje të zbulojë trafikantët e pusetave prej gize. Sepse, ta hajë dreqi, ato nuk janë kuleta, as celularë që fshihen lehtë. Ato janë pllaka të rënda prej gize të cilat kush i vjedh e bën për t’i shitur. Dhe ato nuk mund të shiten në ndonjë vend dosido. Ato mund të shiten atje ku pastaj dërgohen në një furrë shkrirjeje që në vendin tonë, me sa di unë, nuk janë të shumta, në mos qoftë vetëm Metalurgjiku. Pra mjafton të çosh shqetësimin atje tek shkrirësit dhe tu kërkosh atyre llogari se kush ua sjell këto puseta për të mbrritur deri tek njerèzit për të cilèt punojnë hajdutët e pusetave natën. Mirëpo edhe policët tanë duket kanë punë të tjera më të rëndësishme në mos bashkëpunofshin edhe ata, si shkrirësit, me hajdutët.
Megjithatè, pusetat e vjedhura e të lëna dëshpërimisht pa kapak për muaj e muaj mu nè mes tè rrugève më shumë se çdo gjë tjetër, edhe se standarti i jetës së dorës së parë të hajdutëve të tyre, tè ngacmojnè për diçka tjetër. Ato tè revoltojnè pèr faktin se zëvendësimi i tyre nga pikëpamja materiale nuk kushton thuajse asgjë. Ajo çka tregon puseta e mbetur pa kapak është pikërisht “kapaku” që u ka munguar e vazhdon t’u mungojë njerëzve tanë të politikës e administratës: minimumi i ndjenjës së përgjegjësisë për punën që bëjnë. Ajo gropë/gojë e zezë flet përditë e të thotë se e fundmja gjë që mendojnë këta njerëz kur shkojnë nëpër zyra është se si të kryejnë punën për të cilën paguhen, reduktimin e halleve më banale të njerëzve. (Korrieri, 8 mars 2007)

Wednesday, February 28, 2007

Soc-realizmi dhe katarsi ndaj tij si ure drejt nje kulture te re

(Refleksione mbi dy ekspozita të hapura në Galerinë e Arteve)

Para disa ditësh në Galerinë Kombëtare u përuruan dy ekspozita disi të pazakonta: një me piktura të realizmit socialist dhe tjetra me skulptura edhe ato të thadruara gjatë kohës së soc-realizmit. E pazakonta ishte se ato u shfaqën për herë të parë pas disa vjetësh mbylljeje në bodrumet e Galerisë.
Thelbi i të dy ekspozitave ishte dhënia e tipareve kryesore të artit figurativ të asaj periudhe - çka përbënte një provokim interesant për t'iu qasur asaj kohe nga optika e përvojës së krijimtarisë artistike.
Ekspozita e pikturave fillon me një pikturë të Zajmit në qendër të së cilës është një komisar partizan që u flet njerëzve pranë një vatre për ëndrrën komuniste. Pastaj vijon me piktura që ekzaltojnë me radhë luftën nacional-çlirimtare, ndërtimin e socializmit në fshat dhe në qytet, figurat e udhëheqësve, prishjen me Bashkimin Sovjetik, periudhën e zërit të masave që të kujton revolucionin kulturor kinez - për të mbaruar me vitet e fundit të komunizmit ku shohim në një kompozim të Bregut pjesëtarët e një familjeje shqiptare të shikojnë të gjithë në drejtime të ndryshme çka, sipas konceptimit të kuratorit Qendro, simbolizon mbylljen e ciklit, hutimin dhe zhgënjimin përfundimtar të shoqërisë shqiptare.

Pavioni i skulpturës është i ndërtuar në formën e një instalacioni gjigand: skulpturat janë të vendosura në rafte pa synuar të japin individualitetin e njërit apo tjetrit artist përkundrazi për t'i fshehur individualitet artistike dhe për të theksuar ngjashmërinë e këtyre kokave me modelet e parafabrikuara nga propaganda. Ai synon të japë idenë se skulpturat e asaj kohe kanë modeluar tiparet e një njeriu fiktiv, jashtë realitetit - partizanë, punëtorë, ushtarë, kooperativistë ose udhëheqës të karakterizuar nga mungesa e theksuar e vërtetësisë, figura nëpërmjet të cilave soc-realizmi synonte të plazmonte figurën e njeriut të ri që rezultoi një përçudnim i njeriut.
Ekspozitat ngjallën debate të shumta edhe në shtypin shqiptar edhe në rrethe të ndryshme artistësh. Veçse debatet rreth saj, në më të shpeshtën e herëve, evidentuan çoroditjen morale dhe kulturore që po përjeton shoqëria shqiptare, një nga shkaqet e së cilës, mendoj, vjen bash nga çoroditja në përqasjen kulturore ndaj të kaluarës. Ky shkrim është një përpjekje për të analizuar këtë çoroditje kulturore në disa nga aspektet e saj.

Debatet nxorrën në pah përsëri një pikëpyetje të shtruar jo për herë të parë gjatë këtyre viteve të fundit:

A ka pasur realizëm socialist në Shqipëri?

Përgjigja negative ndaj kësaj pyetjeje është sugjeruar pikërisht nga disa korifej të realizmit socialist me synimin për të hedhur tym mbi atë periudhë, për të justifikuar veprat e shumë autorëve e për të thënë se arti dhe letërsia shqiptare nuk i ka respektuar normat e realizmit socialist, i ka thyer ato duke bërë një art të vërtetë, universal që i tejkalon normat e realizmit socialist. Një manipulim i tillë, që fatkeqësisht ka zënë mjaft vend në botën e sotme kulturore shqiptare, është bërë i mundur për arësye se Shqipëria nuk ka mundur të krijojë ende një art dhe kritikë të spikatur post komuniste, sepse shumë nga autorët që vazhdojnë të dominojnë jetën kulturore dhe artistike shqiptare janë po ata që kanë bërë letërsinë dhe artin komunist, madje vazhdojnë të kenë pushtetin kulturor në Shqipëri. Ky manipulim, i mbështetur shumë edhe në suksesin që ka pasur vepra e Kadaresë në Perëndim, është katërcipërisht në kundërshtim me të vërtetën. E vërteta, ashtu siç e tregojnë edhe këto dy ekspozita, është se arti dhe letërsia shqiptare kanë qenë ndër respektuesit më të fortë të normave dhe kanuneve të realizmit socialist ashtu siç i ka shprehur ato Gorki: realiste në formë dhe socialiste në përmbajtje. Çfarë ka qenë realizmi socialist? Në thelb ai ka qenë një instrument i shprehjes së propagandës së partisë, i ideologjisë nacional - komuniste me mjete letrare dhe artistike. Duke patur parasysh se në Shqipëri ka qenë diktatura më e egër, prandaj dhe imponimi e cenzura më e egër, është absurde të thuash, siç pretendojnë disa, se letërsia dhe arti në Shqipëri kanë qenë më pak në shërbim të ideologjisë, më të lira nga cenzura se në vende të tjera lindore, (me përjashim ndoshta të vendeve komuniste aziatike si Kina e Revolucionit Kulturor, apo Vietnami dhe Korea e Veriut). Realizmi socialist i ka shërbyer në Shqipëri, më shumë se kudo tjetër në Lindje, larjes dhe shpëlarjes sistematike të truve të shqiptarëve nëpërmjet krijimit të atij realiteti virtual që shqiptarët duhet të bënin sikur e besonin se ekzistonte, përndryshe quheshin jo normalë dhe futeshin ose në burg ose në çmendinë. Edhe përsa i përket formës, ai ka qenë më i shtërnguari në darën e realistes. Ndërkohë që në vende të tjera të Lindjes eksperimentohej edhe impresionizmi edhe kubizmi edhe ekspresionizmi edhe modernizma të tjera, në pikturën shqiptare vërehej me dyshim edhe ndonjë trill koloristik që i largohej ngjyrës së mishit - kur pikturohej ndonjë portret.
Mirëpo diskutimi i këtyre ekspozitave nxorri në pah, për fat të keq, faktin se shumica e artisëve të realizmit socialist nuk janë të vetëdijshëm për karakterin e veprave të tyre, nuk janë të ndërgjegjshëm për rolin që kanë luajtur ato gjatë periudhës komuniste, nuk ndjehen përgjegjës për atë se, nëse në Shqipëri pati aq shumë njerëz të manipuluar, aq shumë njerëz të çoroditur dhe shpesh të rrezikshëm, për këtë ka ndikuar edhe vepra e tyre si formuese e njeriut të ri me tipare përbindëshi. Ndonjë nga artistët arriti të shprehet në shtyp se ai i ka paraqitur kooperativistët me entuziazëm teksa punonin në fushë sepse ashtu i ka parë vërtet ata. Është për t'u çuditur se si ai nuk ka mundur t'i shohë kooperativistët shqiptarë në mjerimin e pakufi ku i katandisi kooperativizimi, se si punonin 14 orë në fushë vetëm për bukën e gojës - shpesh duke e ngrënë atë vetëm me hirrë - prandaj dhe, me të rënë regjimi, shkatërruan kooperativa, lanë shtëpi dhe shkuan e u bën argatë në dhe të huaj.
A kanë shkuar ndonjëherë vërtet punëtorët për t'i dhënë mendime piktorit për veprën e tij, siç paraqiten ata në veprën e Sali Shijakut Zëri i Masave? Jo, në studion e tij kanë shkuar vetëm cenzorët që kanë parë me dyshim njollat e vajit që vendoste ai mbi telajo. Skënder Kamberi, që tani na thotë se i ka parë kooperativistet të gëzuara në fushë, në fund të viteve 60 bëri një pikturë ku paraqiste një partizan të plagosur në krahët e një shoku partizan. Cenzorët i thanë se është pesimiste. Dhe ai, për të larguar "pesimizmin" nga piktura, u detyrua të vendoste në sfond brigadën partizane me flamur të kuq në ballë, që vinte drejt tyre. Ndërsa kur pikturoi tabllonë "Rrethimi i Krujës dhe Vrana Konti", cenzorët shkuan dhe i shkurtuan mjekrat e figurave që kishte pikturuar. Përgjithësisht, kur përgatitej një ekspozitë, nëpër salla kishte nja dy a tre piktorë të thirrur prej Lidhjes (thuhet se Danish Jukniu i quante ata "ambulanca"), të cilët sorrollateshin me penela në dorë dhe, me porosi të Komisionit, pa i marre leje fare autorit, bile duke i bërë "nder", ndërhynin nëpër tabllo duke venë yje nëpër kapa, duke ngritur ndonjë shtyllë tensioni në sfond, duke rrudhur ndonjë vetull apo çelur ndonjë qiell. Deri këtu ka arritur diktati i partisë në letërsi dhe art.
Për shkak të këtij diktati letërsisë dhe artit shqiptar i mungon krejtësisht përshkrimi realist i dyzetepesë vjetëve jetë nën komunizëm. Në faqet e librave, bobinat e filmave dhe kanavacat e pikturave të asaj kohe mungon krejtësisht lodhja, mundimi, zhgënjimi i njerëzve të asaj epoke. Në drurin e gdhendur e bronxin e shkrirë mungon krejtësisht shtypja e dhunimi që pësonin njerëzit, ankthi dhe frika që i shoqëronte ata. Prandaj, përveç përgjegjësisë për manipulim dhe shpëlarje trushë, krijuesit shqiptarë të asaj kohe i kanë edhe një borxh të madh brezave që do të vijnë sepse në vend se ta pasqyrojnë atë kohë, e kanë fshehur.
Në mënyrë të çuditëshme sot sheh në shtyp akuza se ekspozita i ka fyer autorët. Sikur të kishin mundësi të ngriheshin nga varri mijëra të persekutuarit nëpër kampe, burgje, që tani nuk janë më, të pushkatuarit në emër të ideologjisë që kanë propaganduar këta autorë, të torturuarit nga xhelatët e manipuluar nga kjo propagandë, do të flitej për një fyerje tjetër shumë më të rëndë që ka të bëjë me moskujtesën dhe mosmoralitetin në art.
Mirëpo dikush thotë se jemi ngopur me propagandë antikomuniste. Duhet të shohim vlerat. Dhe, sipas tyre, shumë nga këto vepra kanë vlera estetike.

Atëhere le të diskutojmë për vlera

A ka pasur vlera estetike të ndryshme në atë kohë, a kanë pasur skulpturat dhe pikturat e asaj kohe vlera më të mëdha apo më të vogla plastike, profesionale apo kanë qenë të gjitha njëlloj? Ky ishte një diskutim tjetër që ngritën këto ekspozita. Pa dyshim jo të gjitha kanë pasur të njëjtin profesionalizëm. Bijen në sy pikturat e Sali Shijakut apo të Danish Jukniut për një kolorit më të pasur, për harmoni më të madhe formash, dallohet skulptura e Odhise Paskalit për plastikën e saj edhe në bustin e Enver Hoxhës. (Këtë pikëvështrim, ndryshe nga ekspozita e pikturës, mënyra e ekspozimit të veprave të skulpturës nuk të lejon ta shquash mirë dhe mendoj se sikur veprat e autorëve të mos ishin vendosur të shpërndara andej këndej, por secili autor në raftin e vet, do ta jepnin më mirë këtë dimension, pa e cënuar atmosferën e përgjithshme që përçon ekspozita.) Mirëpo, kur flasim për vlera, mendoj se duhet të reflektojmë pak më gjatë. Pa dyshim partia e njihte forcën e artit në manipulimin e emocioneve të njerëzve dhe pa dyshim ajo ka ditur t'i dallojë artistët më profesionalë nga ata më pak profesionalë - nuk guxoj të them më me vlerë apo më me pak vlerë sepse, sikurse do ta shtjelloj më poshtë, nocioni "vlerë" më duket diçka shumë më komplekse. Partia organizonte konkurse dhe nuk mund të mohoet që në dhënien e çmimeve shpesh nuk ndikonte vetëm tematika, por edhe profesionalizmi. Nuk tingëllonte njëlloj një poemë e Kadaresë që, kur i këndonte partisë, thoshte …që të të shkulin ty parti / duhet të përmbysin / tërë këtë tokë të lashtë e të rëndë / të përmbysin / kështjellat /malet / këngët / të ngrënë nga balta e të rivrasin të rënët… (që fitonte çmim të parë) me një bejte propogandistike të tipit Parti Enver / jemi gati kurdoherë. Por dyshoj shumë nëse këto vargje duhet t'i quajmë me vlerë apo jo. Më së shumti mendoj se kemi të bëjmë me një potencial të kthyer në antivlerë, me një shpërdorim të talentit, për të mos thënë me një korruptim të tij. Pra, problemi nëse ato piktura apo skulptura kanë patur apo nuk kanë patur vlera është shumë më kompleks sesa të thuash se ka pasur piktorë që kanë ditur ta venë më mirë apo më keq ngjyrën. Çështja është se kjo krijimtari krijoi një sistem vlerash "specifike", të papërputhshme me sistemin e vlerave universale ose, e thënë ndryshe, e ktheu mjedisin e prodhimit artistik në një maqineri propagandistike duke tjetërsuar vetë natyrën e krijimtarisë e të artit. Dikush sjell argumentin që edhe piktura bizantine ka qnë në funksion të një ideologjie, por megjithatë, ne sot e pëlqejmë atë për vlerat estetike. Para të gjithash duhet të kemi parasysh se arti bizantin ishte një udhekalim i modernitetit në pikëpamje të formës, se kanunet e asaj pikture ishin një novacion në funksion të përcjelljes së frymës së shenjtë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për revolucionin që bënë rilindasit në drejtim të modernitetit, (futja e perspektivës dhe dritë-hijes në hapësirën dydimensionale) paçka se veprat e tyre mbaheshin edhe ato mbi ca kanune të mirëpërcaktuara. Këto periudha qëndrojnë si hallka të një zinxhiri në historinë e risive artistike. E njejta gjë mund të thuhet edhe për ca artistë sovietikë në fazën e parakanunizimit të soc-realizmit, të cilët i dhanë udhë ca frymëzimeve vërtet novatore. Por dihet fati i tyre në BS pas kanunizmit të socrealizmit të cilin e morëm të gatshm ne. Gjjithashtu, le të mos harrojmë thënien e Biblës se "ka shpresa të vërteta dhe shpresa të rreme". Fryma e kristianizmit, megjithë kufizimet e veta, madje edhe aspektin e saj totalitar, ishte ajo e dashurisë së njeriut për njeriun. Prandaj dhe i ka rezistuar shekujve. Pra çështja është edhe se çfarë fryme përcjellin këto vepra, çfarë u thonë sot të rinjve pikturat, librat, filmat e socrealizmit? Asgjë tjetër përveç dogmave të një sistemi absurd, kriminal. Ç'rëndësi ka nëse raportet koloristike, fjalitë apo rolet janë te realizuara me mjeshtëri, kur kjo mjeshtëri shërben për të plazmuar një subjekt të propagandës nacional-komuniste të shtetit totalitar që shtyp lirinë dhe krijimtarinë e vërtetë? Kjo të çon edhe më tej tek një çështje kardinale: nëse ka apo nuk ka moralitet në art, nëse është moraliteti pjesë e vlerës apo jo. Këtu mendimet mund të ndahen. Ka teoricienë që thonë se vlera estetike qëndron jashtë dhe pavarësisht nga përmbajtja ideore e veprës. Por, veçanërisht në shekullin e njëzetë, sundon shumë më fort ideja se shkrimtari apo artisti nuk mund të qëndrojë jashtë problemeve akute të shoqërisë, se ai madje është ndërgjegja më e lartë e shoqërisë. Tomas Mani, pas eksperiencës naziste, dënon qëndrimet apolitike që ai vetë ka pasur gjatë kohës paranaziste. Le më pastaj të flasësh për një letërsi e art që i shërben diktaturës. (Jo më kot edhe Kadareja, idhulli i atyre që thonë se vlerat estetike qëndrojnë mbi përmbajtjen, i ka ripunuar thellësisht veprat e tij në botimet e periudhës postkomuniste për t'u hequr përmbajtjen komuniste.)
Gjithashtu, në diskutimin rreth vlerave, le të mos harrojmë se arti shqiptar, nën diktatin e realizmit në formë dhe socializmit në përmbajtje, nuk njohu, për dyzetepesë vjet, zhvillimet e artit të shekullin të njëzetë. Asnjë izëm tjetër përveç realizmit nuk lejohej të njihej, pale të eksperimentohej në Shqipëri. Veprat e impresionizmit, kubizmit, ekspresionizmit, abstraksionizmit, futurizmit, konstruktivizmit, dadaizmit, surrealizmit, në gjysmën e dytë të shekullit, që ne e jetuam vetëm nën vulën e real-socializmit, kishin hyrë tashmë në fondin e klasikëve të shekullit duke ua lanë rradhën përvojave të tjera krijuese si ato të konceptualistëve, postmodernistëve etj. Kurse në Shqipërinë real-socialiste nuk njiheshin fare qoftë si forma të reja krijimi, qoftë si filozofi e re krijimi - përveçse kur denigroheshin në ndonjë libër duke u interpretuar si shenja të degjenerimit të shoqërive që i kishin pjellë. Historia e pikturës në Akademinë e Arteve mbaronte me Kurbenë që daton fundin e shekullit XIX. Në fillim të viteve shtatëdhjetë sugjerimi i një kritiku se në funksion të idesë (gjithmonë socialiste) mund të përdoreshin edhe format e kubizmit, u dënua rëndë në kuadrin e dënimit të liberalizmit. Piktorët që kishin tentuar të dilnin sado pak në ndonjë trajtë që të kujtonte ekspresionizmin, fovizmin apo kubizmin u çuan nëpër riedukime dhe burgje. Prandaj, duke patur parasysh edhe këtë vonesë skandaloze që arti shqiptar po e vuan akoma, fjala "vlerë" bëhet akoma më shumë problematike.
Duke folur për vlera, mendoj se socrealizmit shqiptar më shumë se çdo vendi tjetër lindor, i shkon thënia e Hemingueit "Letërsia në fashizëm është e dënuar me shterpësi."

Problemi i qasjes ndaj të kaluarës ose katarsisi

Në qasjen kulturore ndaj të kaluarës është pikërisht shterpësia për të cilën flet Heminguei ajo që njëkohësisht po e vuajmë aq shumë dhe po e kuptojmë aq pak. Problemi më i madh që na la kulturalisht realizmi socialist dhe në përgjithësi ideologjia nacional-komuniste është se mendja krijuese, dhe më në përgjithësi aftësia gjykuese e njeriut shqiptar, u formua sipas një metode shumë të ngjashme me metodën e preferuar të metafizikës së manastireve dhe të universiteteve skolastike mesjetare. Metoda skolastike praktikoi mbylljen e syve, dyllosjen e veshëve, dhe injorimin e botës reale pasi njerëzit qenë të bindur se burimi i të gjitha njohurive i ishte dhënë njeriut njëherë e përgjithmonë nga hyjnia. Në rastin tonë këto njohuri dhe vështrime të botës na i kishte dhënë njëherë e përgjithmonë ideologjia e partisë. Pikërisht kjo mbyllje sysh, dyllosje veshësh dhe injorim i botës reale ka bërë që kultura soc-realiste, e mbështetur në shabllonet dhe të vërtetat e dhëna nga ideologjia, ta pengojë njeriun shqiptarë të zhvillojë dyshimin në të vërtetat që i thuheshin në emër të autoritetit, të kthejë vështrimin nga bota reale brenda dhe jashtë vetvetes, të zhvillojë vëzhgimin dhe introspeksionin, të mendojë e krijojë sipas mendjes së vet, e dijen ta shfrytëzojë për të shprehur me vërtetësi dhe origjinalitet përjetimet dhe emocionet e veta. Pra, fundja më në fund, të krijojë personalitetin e tij.
Gjatë këtyre tetë vjetëve tranzicion Shqipëria ka ofruar tema, drama, ngjarje që do t'i kishin zili krijuesit e të gjithë botës. Por letërsia dhe arti shqiptar pak i ka kaluar ato nëpër filtrin krijues e në më të shpeshtën e rasteve, kur e ka bërë këtë, nuk ka ngjallur emocione të forta tek shoqëria. Në më të shpeshtën e herëve krijuesi post-komunist ka preferuar të arratiset në imitimet e atyre eksperimenteve evropiane që nuk kishte mundur t'i realizonte gjatë kohës komuniste dhe ka kërkuar më shumë suksesin jashtë shtetit sesa komunikimin me komunitetin e tij, shërbimin ndaj shoqërisë. Një nga arësyet pse ka ndodhur ky fenomen, që tregon superficialitet dhe që është shumë larg konceptit të kulturës së vërtetë, është pikërisht fakti se kultura që i parapriu kësaj të sotmes nuk ishte në gjendje të pillte kulturë. Është mungesa e frymëzimit tek ajo kulturë, mungesa e komunikimit të vërtetë me shoqërinë. Është shterpësia për të cilën flet Heminguei.
Një nga arritjet e rëndësishme të kulturës shqiptare postkomuniste mendoj se do të duhej të kishte qenë kryerja e katarsisit për atë që ndodhi në komunizëm. Para disa vjetësh, në krye të rënies së komunizmit, qasja ndaj të kaluarës, në funksion të katarsisit, u duk diçka më e mundëshme. Më kujtohet një debat midis Dritëro Agollit dhe Sabri Godos që shpërtheu në shtypin shqiptar në fillim të vitit 1991. Godo i thoshte Agollit se 40 vjet krijimtari real-socialiste nuk mund të kompensoheshin me një artikull dhe një intervistë, prandaj i rekomandonte një periudhë pauze. Agolli në përgjigjen që i jepte bënte apologjinë e vetvetes mbi bazën e idesë se jemi të gjithë bashkëfajtorë "Madje edhe ata që më vonë patën fatkeqësinë të bien në burg - i thoshte ai - më parë i kanë thurur hymne regjimit" dhe pastaj i përmendte Godos reportazhet "e spërkatur me ujë të trëndafiltë socialist".
Ky ishte vetëm fillimi i një debati që po të ngrihej përmbi luftrat personale, atyre për pushtet dhe interesave të tjera meskine, do të ndihmonte katarsisin e shoqërisë shqiptare. Mirëpo ndodhi e kundërta. Debati nisi mbi baza denigrimi dhe eliminimi. E kaluara, në vend që të studiohej për të njohur më mirë se nga vinim dhe ku shkonim, u përdor si mjet lufte banale për pushtet. Njerëzit kërkuan ta fshehin e manipulojnë atë, shpesh duke përdorur të drejtën e gjithsejcilit për t'u rinovuar ose duke ia veshur gjthshka Enver Hoxhës ose duke e varrosur në bodrume, pa kuptuar se kështu nuk do të çliroheshin prej saj, se kështu ajo do të vazhdonte t'i ndiqte e tebtilosur. Tebtilosje ishte edhe vetë kyçja në bodrum e këtyre veprave: frikë nga konfrontimi me vetveten, frikë e cila u shit banalisht si antikomunizem? Shumëkush mund të thotë se e kaluara u harrua për shkak të bëmave të tjera që ndodhën në vendin tonë, por në fakt ajo nuk u harrua, ajo u përsërit në një formë tjetër pikërisht sepse u harrua.
Komunikimin midis shqiptarëve sot e karakterizon mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë, oportunizmi, thënia e të vërtetave mbas shpinës. Kjo është pjesë e kulturës së djeshme që nuk po e ndryshon dot kultura e sotme. Madje, sot, pas tetë vjetësh, ne po jemi edhe më të çoroditur në qasjen ndaj të kaluarës. Të gjithë e dimë se nëse në fillim dikush edhe besonte në atë lloj arti, pastaj ai iu bë mënyrë jetese, mënyrë e ushqimit të familjes. Të gjithë e dimë se si grindeshin dhe urreheshin shumica e shkrimtarëve dhe artistëve tanë për shkak të një çmimi apo medaljeje, se si shtyheshin për t'i dhënë dorën udhëheqësve që vinin në inaugurim, se si bënin festë kur Enver Hoxha u dërgonte ndonjë fjalë urimi, se si shpesh shtypnin me cinizëm, qysh në sprovat e para, më të rinjtë, se si promovonin të rinj që s'kishin asnjë grimcë talent, se si e dinin komunizmin të përjetshem dhe prandaj u rrazbitën që të shkriheshin me të. Por bëjmë sikur nuk i dimë këto gjëra. Madje flasim për personalitete të larta dhe të shquara. Problemi nuk është t'u kujtosh edhe një herë Agollit dhe Godos të kaluarën dhe t'i denigrosh. Problemi nuk është as t'u kujtosh të shkuarën disave për t'u mbyllur gojën. Me qasje ndaj të shkuarës kuptoj mbi të gjitha krijimin e një distance të kthjellët dhe analitike ndaj saj, qartësimin e raportit të shoqërisë shqiptare me atë të shkuar, krijimin e një raporti që e bën atë ta shohësh njëherësh si diçka e jona dhe diçka tjetër nga çka jemi ne sot. Problemi i artistëve që kanë krijuar veprat e ekspozuara në Galeri është problemi i të gjithë shqiptarëve të asaj kohe; ata nuk kanë qenë të lirë, ata kanë qenë të detyruar të shpreheshin sipas shabloneve dhe normave të cenzorit dhe manipuluesit të madh dhe njëherësh kanë qenë instrumeni i këtij manipulatori. Puna është që ne duhet të kemi kurajon dhe guximin ta njohim këtë realitet, të njohim përgjegjësitë për të. Vetëm atëhere do ta kemi kryer katarsisin. Nëse vetë brezi ynë nuk ka guximin e duhur për ta bërë këtë gjer në fund, të paktën duhet të shërbejmë si urë për brezin e ri, të krijojmë klimën për këtë katarsis. Le ta bëjë ai të plotë këtë, çka është e domosdoshme për çlirimin e shoqërisë shqiptare nga kultura e hipokrizisë, mosbesimit dhe moskomunikimit. Kështu ka ndodhur me brezin e dytë të gjermanëve, aq as sot në Gjermani ka një Habermas, më i madhi filozof i tyre, i cili pati kurajon në fillim të viteve '80 të luftojë me historianët gjermanë në emër të idesë se ajo që kreu vendi i tij gjatë Luftës së Dytë nuk ishte një ndër tmerret e shumta që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit, (çka mund t'ua lehtësonte ndërgjegjen shumë gjermanëve), por një tmerr pa precedent.
Fatkeqësia është se ne nuk po bëhemi urë, por barrierë dhe brezi i ri është krejtësisht i disinformuar, i ç'interesuar, i manipuluar. Nga gjithë çka shoh në shtyp dhe nga reagimet e të rinjve ndaj asaj të kaluare, shoh një çoroditje tronditëse. S'ka se si të ndodhë ndryshe kur sheh se anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve në vend se të kërkojnë ndjesë kërkojnë pjesë, në emër të shërbimeve të mëdha që gjoja i paskan bërë vendit, kur sheh se Presidenti nderon me tituj pa fund autorë vepra e të cilëve jo vetëm nuk duhej nderuar, por dënuar, kur sheh se këta në vend se të jenë të ndërgjegjshëm për veprën e tyre tundin në faqet e shtypit dhe ekranet e televizorit disa çertifikata njerëzish të shquar botërorë, për të cilat brezi i ri e ka vështirë të mësojë se janë paguar me dollarë, se janë piramidat e fundit mashtruese që funksionojnë në Shqipëri. Problemi është se kështu e shkuara e harruar kthehet përsëri për t'u rimishëruar tek vetë brezi i ri. Madje ajo është kthyer sepse, në thelb, ajo çka ndodhi dje dhe ajo çka po ndodh sot, si një nga problemet më shqetësuese të rinisë së sotme, nuk është tjetër veçse variacion mbi temën e mungesës së moralitetit dhe idealit në një shoqëri.
Dy ekspozitat na ndihmuan ta hapim këtë debat që mendoj se është e nevojëshme të vazhdohet përmbi nivelet e denigrimeve dhe mllefeve meskine, prandaj organizatorët e saj duhen falenderuar.
(Shekulli, 25 korrik, 1999)

Rrugetim midis magjise dhe shkaterrimit

Syri i kaltërt

Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra. Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltërt e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët.
Sipas legjendës në ato zona sundonte një dragua që rrëmbente vajzat, ndalte ujin dhe ua kishte bërë tejet të vështirë jetën banorëve. Derisa më në fund e vranë dhe, kur e vranë, nga syri i dragoit buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë teposhtë në formën e lumit të Bistricës duke ushqyer atypari një bimësi të rrallë për nga dendësia e forca dhe duke dhënë më tej dritën që ndriçon qytetet dhe fshatrat e Jugut.
Një dragua që ndal ujin dhe rrëmben vajzat është i urryer, kurse fakti që syri i këtij dragoi të vrarë shndërrohet në burim jete sikur të çorienton emocionalisht duke shkrirë në një të vetme të mirën dhe të keqen. Megjithatë, kuptimi i kësaj legjende, si i shumë të tjerave të ngjashme me dragua, është i qartë. Ajo simbolizon përpjekjen e njeriut për të mposhtur të keqen, apo forcat e verbëra të natyrës dhe për t’i hapur rrugën jetës; por edhe varësinë e tij prej natyrës. Ne nisi parendo vincitor (nuk mund ta nënshtrosh veçse duke iu nënshtruar) thotë Bekoni për natyrën.

Syri i Kaltërt me gjithshka përreth tij është tamam një tempull natyror që i kushtohet misterit të jetës, luftës së njeriut për të mposhtur natyrën dhe njëherësh pandashmërinë e tij prej saj. Një tempull ku në vend të kolonave prej guri, rreth altarit (syrit), ngrihen rrepët e lartë qindravjeçare që e marrin fuqinë nga uji. Gjithshka aty përreth të imponohet me forcën e asaj që shpesh e quajmë “e shenjta” e cila herë shfaqet me magjinë e saj, herë me misterin dhe frikën që të ngjall, herë me respektin dhe madhështinë, por gjithherë me forcën për të të përbashkuar me të tjerët.
Nën ata rrepër të lartë buzë syrit gjigand ujor mund të qëndrosh në një stol dhe të meditosh për misterin e jetës dhe të vdekjes si në një tempull - më të vjetrin e tempujve.
Mirëpo ndjenjat që provon duke vizituar Syrin e Kaltërt nuk janë vetëm të tilla. Ato mpleksen fort edhe me ndjenjën e braktisjes dhe të profanimit të së shenjtës. Rrepët janë vërtet madhështorë dhe hija e tyre është vërtet e rrallë për nga butësia e ndriçimit dhe freskia, por në këmbët e tyre sheh gjithfarë plehërash të hedhura andej këndej pa pikë meraku, kanoçe, shishe plastike, plasmase, kuti konservash, mbeturina ngrëniesh. Të tilla sende kanë hedhur edhe në “beben” e kulluar të Syrit. Ndërkaq, disa vizitorë të çuditshëm për nga ngushtësia e mendjes kanë ndezur zjarre në rrëzë të disa prej trungjeve të rrepërve gjigande duke dashur t’i kthejnë ato në vatra zjarri. Flaka i ka zgavruar dhe karbonizuar trungjet, të cilët, megjithatë, ende rezistojnë, sepse janë shumë të trashë dhe mu pranë burimit të jetës. Por dikush që i ka parë me syrin e specialistit ka thënë se, për të qëndruar në këmbë, ata duhen ndihmuar që tani dhe se, po vazhduan t’u vënë zjarrin, do të shemben shumë shpejt.
Në atë vend kishte edhe një roje. Ishte një burrë i vjetër i cili, kur e pyeta, më tha se ishte i ngarkuar të ruante katër barraka të mbetura pa dyer nga ato të kampeve të pushimit të ngritura aty në kohën e komunizmit. E paguanin 8000 lekë në muaj. Kishte hapur edhe një biznes të vogël. Sillte atje kanoçe Sprite, Coca Cola, shishe uji të gazuar, i fuste për t'i ftohur në një nga burimet anësore, që aty ishin pa numër, dhe ua shiste vizitorëve. Njëri nga djemtë që e shoqëronte kishte gjetur një formë tjetër fitimi. U propozonte vizitorëve të hidhej nga lartësia e një shkëmbi drejt e në bebezën e syrit të dragoit që ishte mjaft e frikëshme jo vetëm për thellësinë, por edhe për shkak se uji ishte brist i ftohtë. Për çdo zhytje kërkonte 200 lekë.

“Çfarë ka ndërmend bashkia e Sarandës të bëjë me Syrin e Kaltërt” e pyeta plakun. “Nuk dimë gjë” më tha. “I ka dalë pronari” ndërhyri i riu duke më bërë të hap sytë katër.
Kur u thashë se mund të interesoheshin që të mos hidheshin plehëra në vendin pranë burimit, që nuk ishte më shumë se tridhjetë metra prej barrakave, plaku më tha se nuk paguhej për atë punë, por vetëm për të ruajtur barakat.
Duke dalë nga ai vend, bashkë me magjinë e tij nuk mund të mos merrje me vete edhe një ndjenjë të thellë trishtimi të shkaktuar nga braktisja dhe profanimi i së shenjtës. Nuk mund të mos të të vinte mendimi se dragoi/e keqja do të shfaqet aty përsëri, (në mos është shfaqur) do ta ndalë ujin, do t’i thajë pemët dhe do t’i rrëmbejë vajzat. (Vërtet, vajzat shqiptare që shkojnë jashtë e bëhen prostituta, a nuk mund të quhen të rrëmbyera nga dragoi?).
Duke u larguar nuk mund të mos mendoje, gjithashtu, se këtu duhej vepruar siç veproi Krishti, që i nxorri tregëtarët batakçinj nga tempulli i Jeruzalemit duke i rikthyer atij shenjtërinë.

Rruga dhe mozaikët

Ndjenja e profanimit, e shkatërrimit, e braktisjes, të shoqëron gjatë gjithë udhëtimit për në Jug duke i dhënë ndjenjës së mahnitjes nga e bukura, që të ngjallet atje, një ngjyrim trishtimi, mpleksur me thirrjen e brendëshme se diçka duhet bërë për t’i shpëtuar këto visare të jetës historike dhe publike shqiptare. Kjo ndjesi të fillon që me rrugën gjarpëruese që të çon për në Jug nga ana e bregdetit.
Është një rrugë që e kanë ngritur italianët gjatë Luftës së Parë me robër austriakë, ndoshta mbështetur mbi monopatet që kanë lidhur dikur fshatrat e Jugut. Kuptohet se për ta bërë atë, në atë terren aq të vështirë, ësht derdhur shumë mund njerëzor. Në kujtesën e Jugut ka mbetur fakti se robërve u ka rënë një sëmundje dhe kanë vdekur në masë. Ka pasur riparime të herëpasherëshme edhe në kohën e komunizmit. Kurse më pas është e braktisur dhe duket se ka mbijetuar për shkak se është shkëmbore dhe e rrezikëshme për makinat, veçanërisht ato të rëndat, kështu që për të shkuar në Jug ato kanë zgjedhur kalimin nga Gjirokastra. Përndryshe, me shtimin marramendës të trafikut gjatë këtyre viteve të fundit, do të ishte shkatërruar. Nuk thonë kot që çdo e keqe ka të mirën e vet.
Rruga e Llogarasë, siç quhet, bëhet e jashtëzakonëshme për nga bukuria veçanërisht kur, pasi kalon qafën e malit, shfaqet deti Jon, me blunë e tij të kulluar ku zhyten thuajse pingulthi shkëmbinjtë e thepisur të maleve në këmbët e të cilëve, vende vende, sheh ca plazhe të vegjël të virgjër, të cilëve mund t’u avitesh vetëm nga ana e detit. Pas çdo kthese të del përpara një pamje më befasuese se tjetra për nga bukuria e kombinimit të maleve me detin.
Kjo rrugë është tërheqëse edhe për ndjenjën e rrezikut që të ngjall. Mirëpo kjo ndjenjë rreziku, me kthesat e njëpasnjëshme në sejcilën prej të cilave mund të përballesh papritur me ndonjë makinë, me ngushtësinë dhe, mbi të gjitha, me faktin se është e pambrojtur në anën ku shtrihet humnera - që vende vende zbret me një thepësirë aq marramendëse sa të ngjall ndjenja fobie nga lartësia - është shumë e fortë për të të lënë të shijosh pamjet piktoreske që shpalosen përtej xhamave të makinës. Një investim për ta mbrojtur atë nga ana e humnerës dhe për ta zgjeruar sadopak nga ana e shkëmbit, pa ia humbur karakterin, pa ndërtuar anash saj stacione benzine dhe lokale betoni, do ta kthente atë në një tarracë të mrekullueshme gjarpëruese mbi mal nëpërmjet të cilës mund të kundrosh bukuritë e pafundme të Jonit.

* * *

Në rrugën e Llogarasë më tërhoqën vëmendjen edhe disa si monumente me mozaikë të kohës së komunizmit që janë ngritur anës saj: portreti i një aksionisteje me shall të kuq në qafë, një bareshë duke i dhënë ujë për të pirë një bariu, një luftë partizane. Më tërhoqën vemendjen edhe sepse m’u dukën të bukur dhe vetvetiu më lindi pyetja: pse më duken të bukura gjëra që dikur më janë dukur banale, në mos të shëmtuara. Mos nuk kam qenë në gjendje t’i vlerësoj drejt estetikisht asokohe apo ka edhe diçka tjetër? Me siguri ka edhe diçka tjetër. Ato i ka zbukuruar historia e gjatë që kanë jetuar buzë asaj rruge si dëshmitarë të atyre brezave që kanë kaluar aty të ngarkuar me hallet, gëzimet dhe hidhërimet e asaj kohe; ato i ka zbukuruar puna që ka bërë natyra duke i rrahur për vite të tëra me diell, erë dhe shi, duke ua hequr atë shkëlqimin artificial të fillimit dhe duke i afruar më afër saj ngjyrat e gurëve e të dheut. Ato i bën të bukura fakti që pamja dhe stili i tyre të ngjall kujtimet e një moshe që nuk kthehet më. Por ka edhe një arësye tjetër: këto lloj monumentesh tani janë pakësuar aq shumë sa janë bërë të shtrenjta për shkak të rrallësisë së tyre. Prandaj, kur pashë njërin nga mozaikët të zgavruar mespërmes nga një shpërthim jo i vogël dinamiti, m’u duk sikur pashë një të vrarë që shumë shpejt do të zhduket nga faqja e dheut dhe do t’i mbetet vetëm kujtimi në fotografi. Mësova se këtë akt shkatërrimi kësaj here nuk e kishte bërë braktisja apo neglizhenca, por “kujtesa” e fshatarëve të Dukatit të cilët kanë qenë shumica me partinë nacionaliste gjatë Luftës së Dytë dhe i kanë vënë dinamit monumentit ngase ai paraqiste komunistët si ngadhnjimtarë të një beteje. Mirëpo kjo lloj kujtese duket një variant i mungesës së kujtesë së vërtetë historike që po bën të braktisen dhe neglizhohen vlerat dhe simbolet historike. Historia nuk është as ajo që duhet të ishte dhe as ajo që mund të ishte. Ajo është ajo që është dhe nuk zhbëhet duke hedhur në erë simbolet që ngjallin kujtimet e saj.
Por ndoshta edhe ai shpërthim dinamiti duhet konsideruar si një vazhdim i historisë që e pasuron këtë simbol. Ndoshta ai duhet ruajtur ashtu, me zgavrën e dinamitit në bark, por kurrësesi të lihet të shembet e zhduket siç duket se e kanë lënë.

Dhërmiu

Pasi zbret qafën e Llogarasë, në faqen e malit përballë detit, shfaqet fshati Dhërmi, i pari në rradhën e tetë fshatrave të bregut, që të lenë gojëhapur me bukurinë e tyre arkitektonike, me shtëpitë prej guri të hirtë të ngritura njëra mbi tjetrën, mes të cilave lartësohen ndërtesat e kishave me këmbanaret e tyre dhe qiparisat përbri.
Duke e parë nga larg habitesh se si këto shtëpi e kisha janë vendosur aq hirshëm njëra mbi tjetrën, si pjesët e një banese të vetme të çuditëshme të shtrirë përsëgjëri dhe përsëlarti mbi shpatin e malit në një harmoni të përsosur me të.
Ndërsa kur futesh brenda në fshat mrekullohesh nga rruginat e ngushta prej kalldrëmi që gjarpërojnë nëpërmjet mureve dhe dyerve të shtëpive duke të krijuar një ndjenjë të veçantë intimiteti dhe qetësie dhe duke të befasuar në çdo kthesë me mënyrën se si vazhdojnë të ngjiten apo të zbresin mes havllive prej guri dhe dyerve prej druri, të cilat, këto të fundit, herë me hark e herë katërkëndëshe, herë më të mëdha e herë më të vogla, janë të gjitha të bukura.
Duke parë dritaret e atyre shtëpive magjike s’ka se si të mos mendosh se brenda tyre jeta është ndryshe, më e bukur, më e veçantë sesa jeta në shtëpitë e zakonshme.
Por pikërisht duke përqëndruar vështrimin në dritaret zbulon përsëri pamje që të ngjallin trishtimin e braktiksjes. Shumë dritare shtëpish nuk kanë perde dhe ka prej tyre që u mongojnë edhe xhamat, shenjë e sigurtë se banorët e tyre i kanë lënë për të shkuar në Greqi. E kupton se janë dritare shtëpish të braktisura edhe kur i krahason me ato të banuarat ku spikasin vazot me lule dhe perdet e bardha karakteristike. Nga një vështrim i parë që hedh mbi dritaret e shtëpive të fshatit mund të thuash se më shumë se gjysma e tyre janë pa banorë brenda. Por braktisjen e sheh edhe nga shenja të tjera: nga rrëzimet e mureve që kanë filluar aty këtu, nga drynat e ndryshkur në dyert e shtëpive, nga frytet e pemëve të thara në degë apo të kalbura në këmbët e tyre. E konstaton mbi të gjitha nga mungesa e njerëzve, veçanërisht të rinjve.
Vetëm tek varreza sikur ka më shumë gjallëri. Sheh më shumë varre të reja sesa shtëpi të reja në Dhërmi. Varreza e Dhërmiut, bri udhës, nën një ullishte rrëzë malit dhe përballë detit, është vend i bukur për t’u prehur përjetësisht. Edhe ata dhërmiotë që kanë shkuar në Greq, kur vjen puna për të vdekur, i sjellin e i varrosin në fshat. Aty prehet edhe poeti i njohur dhërmiot Petro Marko që e la amanet të mos e varrosnin në Tiranë, por në fshatin e lindjes. Mbi mermer ka një fotografi të rinisë së tij. Nën kaçurelat e zeza pis, poeti e ka hedhur vështrimin diku përtej me guxim, ndoshta drejt të ardhmes së jetës së tij. Të vjen të mendosh se nuk e ka paraparë Petrua, që provoi gjatë kohës komuniste burgun e vet dhe të të birit, se e ardhmja e tij do të kishte qenë aq e trazuar dhe aq e dhimbshme, përndryshe s’do t’ia kishte ngulur sytë me aq guxim.

* * *

Në njërën nga rruginat e fshatit, përtej një dere, u shfaq një grua plakë shumë e moshuar e veshur me të zeza. Pamja e saj ishte e jashtëzakonshme sepse ecte e mbështetur mbi një kërrabë, e kërrusur me një kënd plotësisht 90 gradë. E parë nga lart ia shtonte magjinë dhe befasinë rruginës së kalldrëmtë. Dukej sikur vetëm nga një vend i tillë, ku nuk mund ta kuptoje se në ç’epokë jetoje, mund të dilte një plakë me një kërrusje të atillë shumëshekullore. Duke e parë teksa zhdukej në njërën nga kthesat, të vinte menjëherë ndërmend pyetja: “kushedi çfarë jete ka pasur?”
Është një pyetje që, kur sheh braktisjen e tërë atyre shtëpive, ke frikë se nesër mund ta bësh edhe për të gjithë fshatin Dhërmi - dhe jo vetëm për të. Ndjenja e braktisjes që përjeton në Dhërmi të shoqëron gjatë gjithë udhëtimit në Jug. Edhe në Himarë ndjehej e njëjta gjë. Pjesa e vjetër e qytetit, e ngritur mbi kodër, ishte në rrënim e sipër. Më shumë se gjysma e kishave ishin shembur, kurse ato që mezi mbaheshin më këmbë i gjeje të mbyllura me drynj të ndryshkur. Mbrapa havllive të shtëpive, nëpër oborre, shihje rrushin që kishte mbetur i pavjelur. Hardhitë e gjora kishin dalë edhe jashtë mureve dhe sikur të thërrisnin t’i vilje me bistaqet e tyre që të vareshin mbi kokë.
Edhe në fshatrat Vuno edhe në Qeparo, që vijnë mbas Dhërmiu, kishe të njëjtën ndjesi. Edhe aty shikoje pleq të mbledhur në klubin e fshatit dhe pak të rinj që kishin ardhur nga Greqia për t’u mburrur përpara bashkëfshatarëve me makinat që kishin blerë atje.
Qeparoi i vjetër, në majë të malit thuhet se është një nga fshatrat më të bukur të Shqipërisë. Edhe ai, si të gjitha fshatrat e Jugut ka një mimesis të çuditshëm me pejsazhin prreth; sikur të jetë një zgjatim i natyrshëm i malit dhe i gjithë peisazhit përreth. Kur e shikoje nga larg të ngjallej një dëshirë e madhe të shkoje ta vizitoje. Mirëpo makina jonë nuk mund të shkonte deri atje, duhej të kishe një xhip. Ata që takuam na thanë se fshati ka mbetur thuajse i shkretë sepse jeta atje ishte me të vërtetë e vështirë. Veçanërisht në dimër.


Një histori e çuditshme

Buzë rrugës automobilistike që përshkon Dhërmiun, nën një ullishte zbardhur nga pluhurat e ngritur nga makinat, kishte një klub nga ata të kohës komuniste; një kub njëkatësh tulle e betoni me një banak nga ata më të rëndomtit dhe me një oborr çimentoje ku kishin nxjerrë ca tryeza po aq të rëndomta.
Duke parë kontrastin e bukurisë së shtëpive të fshatit me shëmtinë e klubit të vinte ndërmend se në kohët e para, kur ishte ndërtuar fshati i bukur Dhërmi, nuk njihej tradita e klubeve komuniste ku pihej zakonisht fërnet me kafe para se të shkohej në punë.
U ulëm në një nga tryezat e klubit dhe pritëm një nga miqtë tanë të udhëtimit, Mishel Taranin, atasheun kulturor francez, i cili po interesohej të gjente një mikun e tij dhërmiot.
Pas pak Misheli erdhi me barba Jogon, një burrë me kapele republike verore në kokë që i kishte kaluar të gjashtëdhjetat. Ata të dy nuk ishin bërë miq ashtu kot. Barba Jorgua ishte me nënë franceze dhe kishte një histori të veçantë. I ati i tij, minoritar grek, kishte pas emigruar nga fshati për në Francë në vitet 30. Aty ishte martuar me një franceze dhe kishte pas lindur këtë djalë. Në prag të luftës së Dytë Botërore kishte ardhur me gjithë djalin në fshat. Aty e kishte zënë lufta dhe kishte mbetur pa u kthyer derisa e kishin kapur gjermanët që e kishin deportuar në një kamp përqëndrimi ku dhe kishte vdekur. Kështu Jorgua fëmijë kishte mbetur në Dhërmi, ku dhe ishte rritur e po plakej. Nënën franceze nuk e kishte parë kurrë më, sepse ajo kishte vdekur gjatë kohës që Shqipëria ishte e izoluar.
Por barba Jorgon nuk e lidhte vetëm gjaku i nënës me Francën. E lidhte edhe një histori, të cilën, sikur të mos na e kishte vërtetuar Misheli, do ta kishim marrë për produkt të imagjinatës së një njeriu të sëmurë, mbetur pa nënë e pa babë, e rritur me ëndrrën e Francës dhe romanet e Aleksandër Dumasit. Ishte historia e një shisheje lundruese. Andej nga viti 1986 një bari dhërmiot kishte gjetur në breg të detit një shishe të mbyllur. E kishte hapur dhe brenda kishte gjetur një letër të shkruar. Ishte në gjuhë të huaj dhe bariu nuk kishte kuptuar gjë, por ia kishte thënë mendja se mund të qe frëngjisht ngaqë midis fjalëve të shkruara ishte edhe fjala “France”. Duke e ditur se në fshat ishte një njeri që kishte lidhje me Francën ia kishte dërguar atë Jorgos. Ky e mori dhe pa se ishte një mesazh i shkurtër në të cilin thuhej se ai që do t’i binte në dorë kjo shishe të kishte mirësinë të përgjigjej në adresën e mëposhtëme, dhe vijonte adresa e një shtëpie në Montpelier të Francës.
Barba Jorgua nuk kishte guxuar të përgjigjej menjëherë duke pasur frikë se mos ky ishte ndonjë provokim i Sigurimit apo se mund t’i hapte telashe. Por adresën ama e mori shënim dhe pas ndonjë muaji qe bërë trim dhe ishte përgjigjur. Pas disa javësh i kishte ardhur përgjigje nga Montpelieja dhe kështu midis Jorgos dhe francezit të shishes ishte vendosur një korespondencë e rregullt që vazhdonte edhe sot e kësaj dite.
Në këtë pjesë të tregimit Misheli ndërhyri dhe na tha se pasi kishte mësuar historinë e pabesueshme nga barba Jorgua, kishte shkuar e kishte kërkuar atë njeri në Montpelie dhe e kishte gjetur sipas adresës që i kishte dhënë barba Jorgua. Ai i kishte thënë se hedhja e shisheve të tilla në det ishte hobi i tij, se kishte pas hedhur rreth 1000 të atilla dhe kishte marrë përgjigje vetëm nga 60. Të tjerat duket kishin humbur kushedi se ku. Marrja e një përgjigjeje nga Dhërmiu i Shqipërisë kishte pas qenë për të nga më interesantet, jo vetëm për nga largësia ku kishte mbrritur shishja, por edhe sepse kishte rënë në dorë të një njeriu që kishte një lidhje të veçanta me Francën. Çuditërisht francezi dhe barba Jorgua kishin vetëm një muaj diferencë në moshë. Francezi ishte bërë disa herë gati të vinte të shihte Dhërmiun, por ia kishin bërë ters trazirat e shumta ballkanike.



Kështjella e Porto Palermos

Duke zbritur rrugës për në Sarandë do të ndeshesh edhe me një gati ishull të vogël në majë të të cilit ngrihet një kështjellëz e gurtë. Është kështjella e Porto Palermos që ka një histori gati dyshekullore. E ka ngritur i famëshmi Ali Pasha Tepelena, sipas projektit të një arkitekti italian dhe arkitektit të tij, Petro Përmetarit. Në vendin ku është kështjella, mu në majë të ishullit, ka pas qenë një kishë të cilën Aliu e ka spostuar më poshtë për t’ia lënë vendin e saj kështjellës së tij. Thuhet se, pasi mbaroi ndërtimi, për të parë nëse ishte bërë një punë të mirë, Aliu e detyroi arkitektin italian të qëndronte brenda dhe e qëlloi kështjellën me top. Ekziston edhe një pikturë e saj e asaj kohe e bërë nga një piktor anglez.
Në periudhën komuniste nuk mund të shkoje në kështjellë sepse e gjithë pjesa e bregdetit rreth saj ka qenë zonë ushtarake. Prandaj, megjithë bukurinë e rrallë, ajo ka mbetur në errësirë dhe kujtimi i saj dyshekullor lidhet vetëm me Ali Pashën dhe të qënit burg e depo ushtarake. Për shkak se është një kështjellëz relativisht e madhe në një gati ishull aq të vogël e kanë përdorur si burg apo vend internimi edhe mbreti Zog në vitet ‘30, edhe italianët gjatë Luftës së Dytë edhe regjimi komunist.
Tani rruga për atje është e lirë. Mjafton të devijosh disa dhjetra metra nga rruga kryesore, të parkosh makinën në një cep dhe të shkosh ta vizitosh.
E parë nga larg kështjella ka mbetur ashtu si ka qenë, një mrekulli prej guri ngjyrë okër në majë të një ishulli të rrethuar nga bluja e Jonit. Mirëpo, kur afrohesh fillon e zhgënjehesh. Hyrjes kryesore i mungon dera. Sapo futesh brenda në gjysëmterrin e saj të godet një duhmë e rëndë lagështire dhe ndotjesh nevojtoreje. Edhe brenda nuk sheh asnjë derë, qoftë kjo e hekurt apo e drunjtë. Ndodhesh në një hapësirë të vetme të ndarë nga kollonat mbajtëse dhe disa mure që krijojnë kthina të ndryshme, por që s’kanë asgjë brenda. Duhet ta vesh në lëvizje imagjinatën për të përfytyruar se si ka qenë ajo në kohën e Aliut dhe se si kanë funksionuar ato hapësira si vende ngujimi për të burgosur. Vetëm po t’i vesh re me kujdes muret do të gjesh mbishkrimin “Atenzione, dinamite” të periudhës kur ka qenë depo e italianëve.
Drita hyn nëpërmjet disa frëngjive të volga dhe dy daljesh, njëra që të çon lart për në taracën kryesore të kështjellës, kurse tjetra në një nëntaracë të saj.
Sapo ngjit shkallët dhe del në taracë të zhduket menjëherë ndjenja e keqe e shkaktuar nga terri dhe ndotjet që kishte poshtë dhe kalon në një tjetër regjistër shpirtëror. Ndodhesh në një shesh të gurtë të ndriçuar nga dielli prej nga sheh një hapësirë të mrekullueshme deti blu dhe shkëmbinjsh e malesh që varen mbi të në forma nga më të ndryshmet. Prej aty dukej edhe “Gjiri i Nuseve” ku thuhet se shkonte Vasiliqia gruaqja e re e Ali Pashës, e lahej lakuriq ndërkohë që Aliu e shihte me dylbi.

Kur mendon se kështjella ka qenë edhe burg, e para gjë që të vjen në mendje në atë taracë është kontrasti midis asaj që sheh përmbi të dhe asaj që qëndronte nën të: si mund të qëndronin aq pranë një gjë aq e tmerrëshme si burgu dhe një gjë aq e mrekullueshme si pamja mbi taracën e asaj kështjelle? Këtë dyndjenjësi duket se e kanë përjetuar jo vetëm të burgosurit e të internuarit atje, por edhe ushtarët që kanë shërbyer si roje mbi taracën, të cilët kanë gdhendur me lloj lloj shkrimesh emrat e tyre në muret e karakolleve.
Kur të vjen mendimi se kjo kështjellë është një monument i mrekullueshëm historik fillon dhe e ve re edhe me syrin e ruajtësit dhe restauratorit. Mbi taracë ka mbirë bari që ende nuk i kërcënon blloqet e forta të gurëve, por që, pas disa vjetësh, po u la kështu e braktisur, me siguri do të fillojë t’i shpërthejë lidhjet e tyre. Madje, ndoshta, nuk do të duhet aq shumë kohë. Nuk është çudi që ndonjë i çmendur të vijnë t’i shkulë gurët e kështjellës e t’i përdorë për të ngritur ndonjë kioskë apo ta shdërrojë vetë kështjellën në një bar restorant duke i bashkangjitur shtesa betoni, plasmasi dhe duralumini.
Ndërkaq, kështjella vazhdon të qëndrojë e braktisur, si një tokë e askujt, aty diku midis Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Kulturës dhe grabitësve të pronave publike. Asnjë roje, asnjë tabelë mbi të që të tregojë se është monument që mbrohet nga shteti. Asnjë pllakëz që të tregojë historikun e saj. Para disa vjetësh kanë shkulur prej murit të hyrjes pranë derës pllakën e vendosur nga Ali Pasha ku shkruhej “Unë, pashai i madh Aliu e ndërtova këtë kështjellë…”. Një histori e tërë që lidhet me të rrezikon të zhduket. E vetmja gjë që të ushqen shpresën se ajo mund të mbijetojë është bukuria e saj.


* * *

Pa dyshim një nga gjërat më tërheqëse të kështjellës së Porto Palermos është fakti që ka qenë burg e vend internimi. Edhe Ali Pasha ka patur tunelin e tij atje, ku ngujonte ata që i prishnin qetësinë e sundimit. Mbreti Zog ka mbajtur atje të izoluar kundërshtarë të tij ndër të tjerë komunistë të njohur si Tajar Zavalani dhe Nonda Bulka. Komunistët e kanë përdorur si vend internimi gjatë viteve të fillimit të sundimit të tyre. Aty ka qenë edhe Fatbardhi, i biri i Abaz Kupti, mëkëmbësit të mbretit Zog në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë, edhe Viktori, i biri i njërit nga nacionalistët më të njohur, Hasan Dostit. Viktorin e takova pasi u ktheva nga udhëtimi për ta pyetur për jetën që bëhej në atë kështjellë. Më tha se në vitin ’49, kur kështjella kishte filluar të përdorej si vend internimi, aty kishin sjellë rreth 50 familiarë, me gra e fëmijë, kryesisht familje nga fshatrat kufitare që u ishin arratisur të afërmit si dhe njerëz si ai, që u kishte mbaruar dënimi me burg dhe nuk donin t’i linin të lirë. Pra nuk ishte burgim, por një lloj internimi. Ndryshe nga çfarë kisha imagjinuar më doli se gjatë ditës i lejonin të dilnin nga kështjella, veçse i fusnin brenda sapo ngrysej. Ndërkaq, nuk i lejonin të laheshin në det dhe shumë shpejt ua kishin ndaluar edhe hipjen në taracë. Në vitin 50, kur kishte shkuar Viktori, ishin rreth 20-30 veta. Flinin të gjithë mbi pllakat e gurit me dyshekët apo hasrat personalë pa ndonjë ndarje me derë midis njërës familje dhe tjetrës. Kur binte shi nga tavani i kështjellës kullonte uji nga të katër anët. Të tmerrshëm, tregon Viktori, ishin minjtë, nganjëherë të mëdhenj disa kilesh, që të kalonin natën mbi fytyrë.
Gjëja më mbresëlënëse e Portopalermos për Viktorin kishte qenë durimi i grave të internuara si dhe lindjet dhe perëndimet magjepëse të diellit.
Në nëntor të vitit ’50 i larguan prej andej. Për shkaqet e largimit midis të internuarve qarkulloi edhe një legjendë. Thuhej se disa ditë më parë aty ishte parë një barkë e dyshimtë dhe qe përhapur fjala se kjo barkë kishte dalë nga barku i një nëndetseje që kishte ardhur për t’ i marrë ata. Në fakt disa ditë rresht kështjella ishte ruajtur natë e ditë me ushtarë dhe ata nuk i kishin lënë të dilnin.
Prej andej i kishin internuar në një kamp tjetër në Tepelenë.

* * *

Periudha komuniste përbën afro dy të tretat e kohës kur shqiptarët kanë jetuar nën një shtet të tyrin. Shqiptarëve ende u duket sikur kjo kohë është aq e pranishme sa që nuk kanë nevojë ta fiksojnë në kujtesën materiale. Mirëpo, ndërkaq, shumëçka po humbet dhe, ndër gjërat që po fshihen përgjithmonë nga kujtesa materiale, janë edhe ish kampe burgjet e të dënuarve politikë, që janë ndër simbolet më të spikatura të atij regjimi.
Gjatë udhëtimit në Jug u ndala të shoh edhe kampin/burg të Ballshit ku të burgosurit politikë kanë kaluar vite duke ndërtuar Rafinerinë e Naftës dhe ku kam kaluar disa vjet të 17 vjetëve të jetës sime si i burgosur politik. Kampet si ky kanë qenë të panumërt në Shqipëri: ai i Maliqit, Rinasit, Karavastasë, Fabrikës së Çimentos në Elbasan, Superfosftit të Laçit, për të përmendur vetëm disa pak prej tyre. Kur mbaronte ndërtimi i një objekti, të burgosurit i zhvendosnin për në vende të tjera pune bri të cilëve ndërtohej edhe kampi. Rafineria e Naftës në Ballsh ka qenë një nga objektet e fundit të rëndësishëm që janë ndërtuar me krahët e të burgosurve politikë. Më pas, sipas eksperiencës së Bulqizëz dhe Spaçit, për ta u rezervuan minierat ku fshiheshin më thellë, torturoheshin më shumë dhe nuk ishte nevoja të transportoheshin aq shpesh.
Përballë Rafinerisë së Ballshit, atje ku, sipas hamendjes sime, duhet të kishte qenë kampi, m’u shfaqën disa konstruksione që nga larg m’u dukën si sera të katandisura në skelete, nga ato që gjen me shumicë anës rrugëve të Shqipërisë. Nuk mund ta besoja se ai ishte kampi. U ndala dhe pyeta një banor atypari i cili më tha se ato që po shihja ishin pikërish mbeturinat e ish-kapanoneve. Ndjesia që më dha pamja e tyre ishte ndjesia që mund të të ngjallë pamja e një të njohuri të shvarrosur, të cilit, kur i sheh vetëm skeletin jo vetëm nuk i njeh asnjë tipar, por pamja mund të të trondisë deri në fshirjen e kujtimit të tij. Ato kapanone, dikur aq të veçanta dhe të jashtëzakonshme, sepse ishin të populluar me një dendësi të jashtëzakonëshme ngjarjesh dhe dhimbjesh njerëzore tani shëmbëllenin me një varrezë banale shtyllash betoni dhe kapriatash hekuri që ta dhunonte rëndë kujtesën e atij vendi.
Iu afrova këtyre mbeturinave me shpresën se mes tyre do të gjeja diçka më të njohur. Në truallin brenda dhe përreth ish-kapanoneve kishte mbirë një gjëmbaç i lartë dhe i egër që nuk të linte as të ecje rehat. Dukej se vetëm ai lloj gjësendi mund të mbinte aty. Edhe nga afër pashë se çdo gjë ishte shpërndërruar. Kishin humbur deri edhe pllakat e pupulitit që shërbenin si mure të kapanoneve. Nuk gjeje as gjurmën e atyre qosheve prej çimentoje midis kapanoneve ku të burgosurit rrinin e luanin shah apo domino, as hijen e guzhinës private me furrat karakteristike prej tulle, dhe as ndonjë shenjë të banjove dhe çezmave.
Më në fund, duke kërkuar diçka të njohur midis kësaj harlisjeje gjëmbash dhe ndryshkurinash, mezi arrita të gjej një gjë që të më ngjallte kujtimet. Ishte një copë shkallë betoni midis dy kapanoneve që ende nuk e kishte shpërthyer e mbuluar gjëmbaçi. Ajo ishte shkalla më e rëndësishme e kampit. Mbi atë shkallë të burgosurit kalonin sa e sa herë në ditë, për të shkuar në banjë, për të zbritur nga kapanonet në fushë ku bëhej apeli dhe shëtitjet, për t’u futur në kapanon. Por mbi të gjitha ajo shkallë ishte një pikë e veçantë e kampit sepse pjesa më e lartë e shkallareve të saj ishte njëherësh edhe lartësia më e afërt prej nga dukej rruga nga vinin familjet për takim. Në majë të saj të burgosurit rrinin e prisnin me orë për t’i shquar së largmi të afërmit teksa vinin me trasta në duar; aty ktheheshin me vrap pas takimit për t’i parë edhe një herë teksa largoheshin tutje për në rrugën e kthimit.
Pas 1982, kur të burgosurit u transferuan prej andej për në minierën e Qaf-Barit, kampi ishte shndërruar në stallë dhe ashtu kishte qenë deri vitet e fundit. Tani vazhdonte të ishte pronë e rafinerisë dhe në ndërtesat e ish-komandës, të vetmet të ndërtuara me tulla që i kishin rezistuar kohës, tani banonin disa punojës të saj.
Asgjë nuk kishte mbetur aty nga kujtimi i mbi 1000 të burgosurve që punuan, vuajtën dhe vdiqën gjatë më shumë se një dekade në atë vend. Përveç punës së tyre kolosale, Rafinerisë së Naftës që ende nxjerr nga oxhaqet të njëjtën formë tymi dhe flake që nxirrte njëzet vjet më parë kur e ndërtuan ata.

Dhrovian

Kërkujt nuk mund t’i shkojë mendja se prapa atij mali ndodhet një fshat aq i madh dhe aq i bukur siç e ka namin Dhroviani. Çfarë t’i ketë shtyrë njerëzit të shkojnë aq thellë prapa malit? Nisemi drejt fshatit për ta gjetur përgjigjen, kësaj here me xhipin e Aron Tares, shefit të zyrës së Butrintit, që është një nga të paktët njerëz që ua njeh dhe di vlerën e bukurinë atyre anëve. Përgjigja e natyrshme që të vjen ndërmend, teksa ecën nëpër rrugën e keqe, që duket se e kanë ndërtuar në kohën e Hoxhës për qëllime ushtarake, është se fshati duhet të jetë ndërtuar në kohën kur njerëzit jetonin me blegtori dhe se ai është ndërtuar në një kohe shumë të gjatë me tjetër dinamikë nga ajo e shekullit XX. Pastaj një pjesë kanë emigruar dhe kanë sjellë para për të ndërtuar shtëpi dhe kisha; 16 kisha ka Dhrovjani. Gjithësesi, pa mbërritur në vend, kurrë nuk mund ta imagjinosh se aty mund të gjeshë një fshat aq të madh, me 16 kisha.
Ndalemi tek kisha më e madhe e fshatit, ajo e Shën Nikollës, krah së cilës ngrihet një këmbanore guri që konkuron për nga lartësia dhe bukuria me qiparisin përbri saj. Edhe atë, ashtu sikurse shumicën e kishave në Jug, e gjejmë të mbyllur. Përbri saj, në krahun tjetër të këmbanores, është një si park me rrepër të lashtë nën hijen e të cilëve prehesh për mrekulli dhe të vjen të imagjinosh se si dikur aty dhrovianasit mblidheshin pasi dilnin nga mesha apo nga ndonjë martese dhe shkëmbenin të rejat e fundit nga fshati apo të afërmit në mërgim. Edhe fëmijët, që tani thuajse mungojnë, duhet të kenë luajtur shumë nën ata rrepër.
Në Dhrovian nuk gjen thuajse fare gjurmë të 50 vjetëve komunizëm. As kishat nuk janë prekur dhe as ndërtime me tulla dhe beton nuk sheh. Aty mbretëron një si qetësi metafizike që ta ngjall largësia e madhe kohore dhe hapësinore prej zhurmave dhe rrëmujave të qytetit, kishat e shumta dhe natyra e patrazuar. Shtëpitë e bukura prej guri, të ngjallin mendimin se to mund të vish të jetosh duke lexuar filozofët e lashtësisë dhe duke shkruar për gjëra shumë më të thella e më jetëgjata sesa grindjet e politikanëve në Tiranë.
Pasi hamë diçka, nën hijen e njërit prej rrepëve, nisemi për të parë fshatin. Edhe në Dhrovian shumica e shtëpive janë bosh. Dhroviani është një fshat i banuar thuajse krejtësisht nga minoritarë, prandaj dhe emigrimin për në Greqi e kanë të madh. Edhe këtu sheh drynj të ndryshkur dhe akoma më shumë shtëpi të rrënuara. Në shtëpitë e banuara vëmë re se nuk para kanë dëshirë të të fusin brenda. Duket se ai zakoni i mikpritjes është harruar në këto kohëra të vështira kur nuk e di se kush të troket në portë. Megjithatë në një shtëpi na presin në oborr. Një burrë i gjallë, me kaçurela të dendura dhe të zeza pis, tipike për një grek, na thotë, me një shqipe që e flet për mrekulli, se brenda kanë një mort. Ka vdekur në Greqi e zonja e shtëpisë dhe njerëzit janë mbledhur dhe presin xhanazen nga Athina. Vdekja ka bërë që të hapet shtëpia e cila është ende rrëmujë, thotë ai, prandaj s’u fusim dot brenda. Por ne nuk e besojmë. Kush e di çfarë u thotë mendja kur shohin tiranas që vijnë këtu. Ai na rrëfen se kjo shtëpi është ndërtuar në kohën e Zogut nga familje me gjendje të mirë ekonomike dhe, për të vërtetuar këtë, na tregon hyrjen e portës prej guri të gdhendur, me një hark të gjerë sipër. Por, mbi të gjitha, na tërheq vëmendjen pusi në oborr. Fshati nuk ka qenë i pasur me ujra, por ka pasur një klimë shumë të mirë prandaj janë vendosur njerëzit këtu - tregon minoritari. Pastaj ai na tregon se pusi që shohim nuk është pus që e nxjerr ujin nga toka. Pusi është më i gjerë se një pus i zakonshëm dhe uji që mban brenda ka zbritur aty nëpërmjet një tubi që ka mbledhur gjithë ujrat e shiut derdhur mbi çati dhe kanalizuar në ulluqet e saj. Është ujë shumë i freskët thotë ai, ujë i distiluar, i kulluar. Çdo shtëpi e ka një pus të tillë. Ai e hap pusin, zhyt aty kovën dhe na fton të pijmë. I vëmë me rradhë buzët në llamarinën e kovës, jo krejt pa merak, por uji është vërtet shumë i mirë.

* * *

Edhe në Dhrovian, si në Dhërmi, varreza duket mjaft e populluar me varre të rinj dhe me pleq që i vizitojnë. E çuditëshme, por gjëja që të kujton diktaturën në Dhrovian është bash shtëpia e të vdekurve ngaqë varret e asaj kohe janë të shkruara në shqip ndërkohë që të gjithë varret e reja janë të shkruar në greqisht.
Thuajse dy tre metra bri Kishës së 12 Shenjtorëve, në krah të varrezës, është edhe varri i një piloti anglez, rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aroni na thotë se vëllai i pilotit ka ardhur t’i marrë eshtrat, por, kur ka parë se në çfarë vendi të mrekullueshëm është varrosur i vëllai, ka hequr dorë nga lëvizja e eshtrave.
Të vjen keq kur sheh sa varret i bëjnë prej mermeri dhe jo prej guri. Mermeri i ri i pllakve të varrit, standart gjithandej, i prerë me sharra elektrike dhe i lëmuar deri në shkëlqim, kërcet si një trup i huaj në atë atmosferë gurësh të lashtë të gdhendur me daltë. Një ndjenjë edhe më e fortë mospranimi të ngjallet kur sheh se mu pranë Kishës së 12 Shenjëtorëve ka filluar një ndërtim i ri, ndoshta i vetmi në të gjithë fshatin. Është e tmerrëshme të shohësh një ndërtesë betoni të ndërkallet në atë peisazh shtëpish prej guri ku dora e mjeshtrit ndërtues, pasi ka arritur përkryerjen, ka ndalur së projektuari prej një kohe shumë më të lashtë se ajo e betonit.
Pronari i shtëpisë që ndërtohet qëllon aty pranë. “Duam edhe ne shtëpi moderne - thotë me një shqipe të rregullt - pastaj, më kushton shumë ta ndërtoj me gurë”. “Më mirë kishe blerë një shtëpi nga këto të braktisurat - i them - e kishe restauruar”. “Dua të kem shtëpinë time në truallin tim–, përgjigjet.
Duket e kotë t’i hysh atij muhabeti sepse ai nuk jep as shenjën më të vogël se është i vetëdijshëm për bukurinë e fshatit të tij dhe për shëmtinë që po i ngul në trup.
Një ndërdyshje e madhe të lind kur mendon se më një anë thuhet se turizmi është një nga mundësitë e mëdha potenciale të Jugut dhe nga ana tjetër përfytyron se si mund të përçudnohen gjithë ato bukuri nga zhvillimi i pa studiuar i turizmit. Mjafton të shikosh brigjet e Korfuzit për të parë shembullin e asaj se si nuk duhet të bëhen brigjet e Jugut dhe fshatra të tilla si Dhroviani. Një pjesë e madhe e brigjeve të Korfuzit janë mbushur me ndërtime të reja shtëpish, restorantesh, hotelesh krejtësisht të standartizuara duke i dhënë pamjen e një ishulli të projektuar vetëm ndaj turizmit masiv, të shndërruar thuajse tërësisht në një makinë grumbullimi dollarësh; ku mungon një nga gjërat më interesante për një vizitor të huaj, jeta e vërtetë e vendasve, zbulimi i kulturës së vërtet të ishullit. Vetëm atje ku kanë blerë të huajt ka copa tokash të ruajtura ashtu siç kanë qenë, por ato janë të rrethuara me tela dhe në hyrje kanë tabelën “Pronë private. Ndalohet hyrja”.
Gjëja e parë që të vjen ndërmend kur kërkon të zgjidhësh ndërdyshjen e zgjedhjes midis pasurimit të “varfërisë“ magjike të fshatrave të Jugut dhe pasurisë standarte të Korfuzit është se në vend të ndërtimeve të reja në këto vende duhet inkurajuar ruajtja dhe restaurimi i ndërtesave që po shkatërrohen, pa prishur raportin e tyre me natyrën përreth. Mundësitë për t’i ruajtur dhe restauruar ato nuk mungojnë. Një projekt si ai i Butrintit mund të shtrihet edhe më gjerë. Ka plot partizanë të turizmit ekologjik nëpër botë që janë të organizuar edhe në fondacione, e që do të mund të vinin këtu, të investonin, të merrnin ndonjë shtëpi me qira, edhe të paguanin për restaurimin e saj e të të tjerave. Edhe banorët e shtëpive që janë në Greqi mund të gjejnë një burim të ardhurash më të mira duke i dhënë ato me qira, pasi të rinovohen. Por mbi të gjitha duhet ndërgjegjësimi i vendasve për bukurinë që kanë përeth tyre. Përndryshe, brenda dhjetë vjetësh, brigjet e Jugut mund të bëhen një imitim i shëmtuar i Korfuzit.

GJIROKASTRA, ENVER HOXHA DHE HISTORIA

Qyteti që sikur i përmbledh të gjitha bukuritë e fshatrave të Jugut është Gjirokastra. Këtë e ndjen veçanërisht kur mbërrin atje pasi ke parakaluar me rradhë fshatrat e Dropullit. Ata i shikon në shpatet e malit që nga rruga automobilistike dhe nuk ngopesh me bukurinë e tyre, ke dëshirë t’i vizitosh, mirëpo rruga deri atje të duket e gjatë, ke frikë se vonohesh apo se të bllokojnë rrugën banditët e fshatit Lazarat që janë bërë të famëshëm me sulmet e tyre ndaj udhëtarëve që shkojnë e vijnë për në Greqi. Kurse Gjirokastra të jep mundësinë t’i shikosh nga afër tiparet e tyre karakteristike, si të zmadhuara dhe të mbledhura në një vend. Aty sheh më mirë edhe çatitë të mbuluara me rrasa guri të hirtë, një nga gjërat më karakteristike të shtëpive të Jugut. Nga ua ka pjellë mendja këtë stil çatie, pyet veten kur vjen direkt nga Tirana. Disa shtëpi të Gjirokastrës psh. të kujtojnë shtëpitë e tregëtarëve në Firence, por ajo çka i bën ato të ndryshme është çatia e mbuluar me rrasa guri. Mirëpo, kur sapo ke ardhur nga qafa e Muzinës, e ke të qartë misterin e atyre çative. Ato rrasa, sikur ua ka bërë gati vendasve vetë mali i Muzinës. Ato shtrihen aty shtresa shtresa, gati gati si në një çati natyrore dhe vendasve s’u mbetej veçse t’i merrnin, t’i prisnin e t’i përdornin në formën që i ka vendosur mali.
Por Gjirokastra është edhe qyteti që përmbledh në mënyrën më të plotë shkatërrimin e Jugut, braktisjen e pronës publike dhe çoroditjen e këtyre shtatë vjetëve tranzicion. Më mirë se çdo gjë tjetër në mënyrë simbolike këtë e shpreh ora e madhe në kullën e kalasë në fushat e ndryshkura të së cilës akrepat kanë ngecur në çdo faqe në një orë të ndryshme të ditës. Shumë shtëpi karakteristike po shemben. Ndërtimet e reja po bëhen jashtë karakterit. Çatitë me rrasa prej guri po zevendësohen me tjegulla. Dyqanet e lagjes së pazarit në qendër të qytetit, pas sulmeve të vitit 1997, janë të mbyllur apo janë shndërruar në vende ku hidhen mbeturinat. I vetmi vend ku ka gjallëri është sheshi përballë konsullatës greke ku njerëzit presin të marrin viza.
Një të huaji që po ngjitet i shoqëruar për në kala i tërheq vëmendjen udha e shtruar me kalldrëm dhe pyet se kur është meremetuar. Në kohën e Hoxhës, i thotë shoqëruesi shqiptar. “Nuk paska qenë edhe aq i keq Enver Hoxha” reagon menjëherë i huaji.
Kjo vërejtje të bën të mendosh nëse ka të drejtë ky i huaj. A është e vërtetë se sot shqiptarët mund të quhen më pak të kulturuar sesa në kohën e Enver Hoxhës, sikurse dëgjon të thuhet shpesh? Apo është më e saktë të thuhet se ishte pikërisht fryma e asaj kulture që i bëri njerëzit të mos i njohin dhe ndjejnë si vlera këto bukuri që po i shkatërrojnë apo braktisin përditë?
Në të vërtetë komunizmi ishte një mith që pretendoi t’i shpëtonte njerëzit nga e keqja që i kishte ndjekur gjatë gjithë historisë së tyre shekullore dhe të ndërtonte një shoqëri tjetër. Ideja e shembjes së botës së vjetër dhe ndërtimit të një bote të re me mekanizmin e zhvillimit të forcave prodhuese që përcaktonin zhvillimin e marrëdhënieve në prodhim, e kombinuar me idenë se klasa më e përparuar ishte ajo punëtore, bëri që përparimi dhe e bukura të identifikohet në kulturën komuniste me hekurin, çimenton e betonin e fabrikave dhe ndërtimeve të reja. Përgjithësisht shembja e një shtëpije të vjetër dhe ngritja e një pallati ishte shenjë e padyshimtë përparimi. E vjetra ishte simbol i botës që duhej shembur, prandaj e shëmtuar. E reja ishte e bukur. Shkatërrimi i pazarit të vjetër të Tiranës, që tregonte karakterin oriental të qytetit, prej nga e ka origjinën, dhe ndërtimi i Pallatit të Kulturës në vend të tij, ishte një nga aktet simbolike të kësaj përmbysjeje. Shkatërrimi i shumë kishave dhe xhamijave, si simbole të një ieologjie reaksionare, apo veshja e fasadave të tyre me rrobë tjetër sëbashku me shndërrimin e destinacionit të tyre, ishte edhe një hap më tej në aventurën e largimit nga çdo vlerë tjetër.
Megjithatë, në Shqipëri, sikurse edhe në vende të tjera lindore, kultura komuniste kishte edhe një shtresëzim të fortë nacionalist i kombinuar me kultin e popullit, i parë ky si një e tërë abstrakte që shpesh i kundërvihej individit. Pa këtë shtresëzim mbajtja e pushtetit do t’u bëhej komunistëve një punë shumë e vështirë. Në sajë të ruajtjes dhe kultivimit të këtij shtresëzimi jo gjithshka e historisë u shemb. U ruajt psh. gjithshka që ushqente idenë e një të kaluare të lavdishme si kështjellat, që u trajtuan si simbole të luftrave të shqiptarëve në shekuj, “Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë.” (Enver Hoxha). Ndërkohë që u shkatërruan gjëra të rralla për nga vlerat historike, si kisha romane e Vaut të Dejës apo pazari i Shkodrës, shtresëzimi kulturor nacional-romantik bëri që të ruhet Berati dhe të zhvillohen shkencat arkeologjike. Amfiteatri i Durrësit, Apollonia, Butrinti u gërmuan, u ruajtën dhe u mirëmbajtën sepse konsideroheshin shenja të lashtësisë së shqiptarëve, ndonëse fillimet e gërmimeve të tyre lidheshin me një veprimatari që kishte për bazë të njëjtën pretendim për lashtësi, të njëjtën ideologji, atë të fashistëve italianë që kërkonin të ringjallnin lavdinë e prendorisë romake për të justifikuar pushtimet e tyre.
Pjesë e propagandës nacional-komuniste u bë më vonë edhe ajo që paradoksalisht ruajti dhe pasuroi Gjirokastrën apo Korçën e vjetër nga ndërtimet e reja: kulti i individit i diktatorit. Gjirokastra dhe Korça ishin vende ku ai kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë prandaj malli i tij për ato vite ishte diçka që filloi të nderohet në mënyrë të veçantë. Kështu, nën kujdesin e tij personal, u mirëmbjatën kalldrëmet e Gjirokastrës dhe ulicat e kangjellat e Korçës. Po ashtu, u ruajtën edhe shumë shtëpi të vjetra prej qerpiçi në Tiranë, jo pse ishin pjesë e historisë së qytetit, tejet karakteristike, por pse kishin qenë bazë ilegale të komunistëve.
Edhepse nuk duhet mohuar fakti se e bukura ka pasur aty këtu edhe forca në vetvete për t’iu imponuar estetikës së nacional-komunizmit shqiptar, përgjithësisht mund të thuhet se shumëçka u ruajt në emër të kësaj kulture që e tjetërsonte njeriun dhe jo në emër të një kulture humaniste, që ka në qendër njeriun, që e sheh historinë si pjesë e njohjes dhe vlerësimit më të mirë të vetvetes dhe shoqërisë, si pjesë e shijeve estetike të një periudhe historike të një qytetërimi, si pjesë e pronës publike të banorëve të një qyteti. Edhe në muzeume të tilla si ato etnografike të cilët kanë patur brenda vlera të ralla, e kaluara nuk u ruajt me frymën e vazhdimësisë së historisë, por si një ndarje prej saj ose si një mburrje me të, që të dyja tjetërsuese. Prandaj sot ata ose janë shkatërruar ose i vizitojnë vetëm të huajt.
Për shkak të këtij tjetërsimi brezat që u rritën dhe edukuan gjatë pesëdhjetë vjetëve komunizëm nuk mundën t’i vështrojnë vlerat që mbetën si visare që duheshin ruajtur ngaqë vijmë prej andej, as t’i njihnin si gjëra të bukura, por shpesh i shoqëruan me ndjenjat e antipatisë që ngjallte propaganda komuniste. Kuptohet se me rënien e komunizmit dhe kulturës së tij, që i mbante në këmbë ato vlera, filloi shkatërrimi ose braktisja e tyre në masë.
Por nuk është vetëm kjo mungesë kulture shkaku i këtij shkatërrimi. Ajo që u kombinua keqas me mungesën e kulturës humaniste është mungesa e ndjenjës së pronës publike, e shënjtërimit të saj. Në kohën para komuniste kjo ndjenjë ka munguar për shkak shqiptarët jetonin në një shoqëri ku konsiderohej e shenjtë dhe e paprekëshme vetëm prona e fisit, kurse në kohën komuniste për shkak se nuk e la të zhvillohet i urryeri shtet paternalist dhe tiran. Gjatë kësaj periudhe tranzicioni shqiptarët ndodhen në vakumin midis këtyre dy eksperienave të cilat, me ndryshimet që kanë ndodhur, nuk funksionojnë, asnjëra. Ata ende nuk po gjejnë rrugët për të mbrojtur e ruajtur si të shenjtë pronën publike pa e quajtur atë të shtetit dhe të zhvillojnë pronën private pa e konsideruar atë vetëm të tyren.
Syri i Kaltërt, kishat e Himarës, kështjella e Porto Palermos, Kampi i Ballshit, mozaikët komuniste në shaktërrim janë thirrje për të gjetur këto rrugë, thirrje që bashkohen me thirrjet e bregut të detit, kafshëve të pyllit, lumenjve, rrugëve, urave, e gjithshkaje përbën trashëgiminë historike e kulturore shqiptare dhe që duhen konsideruar si të shenjta.
Çfarë është e shenjta? “Ajo që bashkon shumë shpirtrat” thotë Gëtja.