Sa më shumë përjetoj llumin në të cilin po na zhyt përditë e më thellë politika aq më shumë më mundon një pyetje retorike: si është e mundur që ne na dalin në krye të vendit gjithmonë aventurierë të papërgjegjshëm të cilët, për të arritur qëllimet e tyre, nuk ndalen përpara asnjë marrëzie; individë që vuajnë rëndë nga delire madhështie dhe paranoja, të shkëputur gjithnjë e më shumë nga realiteti? A ndodh kjo pasi vetëm këta mendjesëmurë mund të marrin përgjegjësi në një vend të mbrapsht si ky i yni, sepse njerëzit me arësye të shëndoshë tërhiqen përballë vështirësive që paraqet menaxhimi për mbarë i kësaj shoqërie; apo mos vallë këta sëmuren për shkakun e sëmundjes së shoqërisë; pra, se jemi ne që i bëjmë këta paranojakë dhe delirantë të tillë që sa më shumë rrinë në pushtet aq më shumë humbasin kontaktin me ne? Sipas meje e vërteta është një kombinim i të dyjave: antropologjia vetiake nuk është pa ndikim në daljen në skenë të personazheve të tilla, por, nga ana tjetër, kjo dalje në skenë është thellësisht e kondicionuar nga terreni social - kulturor ku mbillet fara e tyre. Pra fara e tyre nuk do të mbinte dot e të bëhej pemë e lartë në një terren tjetër. Thënë ndryshe, në një vend tjetër, me njerëz të tjerë, në vend se në institucionet e drejtimit të shtetit këta, fare mirë, mund të ndodheshin në institucione kurimi psikoterapeutik. Kjo që thashë vlen për individë si Enver Hoxha, por vlen edhe për tërë liderët që kami pasur e kemi pas komunizmit duke filluar nga Sali Berisha. Vlen edhe për Edi Ramën. Shpeshtësia, për të mos thënë rregullsia, e shfaqjes së fenomenit flet për faktin se s'kemi të bëjmë thjesht me veti personale, por shoqërore, pa mohuar, megjithatë, aspektin individual për të cilin jam ftuar të shprehem në këtë shkrim.
Personalisht, duke njohur karakterin e personit, e kam parë me dyshim të madh hyrjen e Edi Ramës në politikë. Kjo sepse më një një anë kam konstatuar që herët se prirjen ekzibicioniste për t'u dukur, për të dalë në skenë, për të qenë vetëm ai në skenë, e kishte tejet të hipertrofizuar dhe, nga ana tjetër, pasi nuk gjeja tek ai instrumente që të të linin shpresë se do të mund ta moderonte dhe temperonte këtë prirje. E kam fjalën për instrumente të tilla si morali i shëndoshë, aftësia vetëkritikuese, apo një formim intelektual solid.
Si artist e intelektual i ri prirja e tij "e sëmurë" për t'u dukur manifestohej në fillimvitet 90 nëpërmjet rebelimit ndaj shumicës konformiste, ndaj baballarëve, ndaj psudovlerave të instalura në kohën e komunizmit. Imazhi i Edi Ramës, kur u shfaq në skenë, dukej sikur përkonte me atë të një artisti dhe intelektuali që donte të thyente tabu qoftë edhe duke imituar ato që bëheshin tashmë në Perëndim kurse tek ne jo. Dhe në këtë aspekt roli i tij ishte pozitiv, duke patur parasysh një shoqëri si e jona, e ndrydhur nga tabutë e nacional - komunizmit e të patriarkalizmit. Mirëpo ky manifestim kuptohej lehtë, veçanërisht po të vije re dominimin e imitimit, se ishte sipërfaqësor, sepse dukej qartë se thyerjen e tabuve ai nuk e bënte si rrjedhojë e një armiqësimi me to për shkak të një përvoje të thellë të jetuar e të studiuar pastaj edhe nëpër libra, por si mënyrë për t'u dalluar nga të tjerët me çdo kusht. Megjithatë, edhe kështu, kjo mund të ishte një nisje e mirë. Në rini shumëkush mund të niset nga imitimi i të tjerëve apo nga motive të lehta që rrugës i kupton se janë shumë të vegjël në krahasim me kënaqësinë që të jep puna në vetvete. Mund të nisesh, pra, me ambicien që të bëhesh artist i madh, të fitosh famë, çmime e ku di unë dhe dora dorës që piqesh mund të kuptosh se këta motive të fillimit nuk janë asgjë përpara kënaqësisë që të jep puna, përpara impaktit shoqëror që ka vepra jote etj., e, sëbashku me këtë, të kuptosh se përpara historisë je shumë shumë i vogël.
Rama nuk e ndoqi dot këtë rrugë pjekurimi si artist dhe si intelektual dhe aq më pak mund ta ndjekë si politikan, përkundrazi braktisja e artit për politikën ishte shenja e paaftësisë së tij për tu pjekur si artist dhe intelektual do të thoja edhe si njeri e politikan. Dikush thotë se ishte piktor i dështuar sepse i pa talent, prandaj shkoi për kompensim në politikë. Nuk jam i këtij mendimi. Fakti që nuk u pranua nëpër galeritë e Parisit ka ndikuar tek ai sigurisht, por ai ka pasur edhe jo pak suksese në jetë asokohe. Sipas meje shkaku që gjëra të tilla t'i përjetonte si dështim e të hidhej, prandaj, për kompensim, në politikë i ka rrënjët diku tjetër, jo tek mungesa e talentit, sepse është e vështirë të thuash se çfarë është talenti. Van Gogu nuk shiti asnjë pikturë për së gjalli, por qëndroi ngulshëm në artin e tij sepse kishte besim tek vetja dhe tek ajo çka bënte. Shkaku që e shtyu Ramën, sipas meje, të kërcejë nga arti në politikë lidhet me ankthin e pafrenueshëm të tij për t'u dukur në skenë. Ky lloj ankthi, në thelbin e vet, shpreh një pasiguri edhe më të thellë. Këta karaktere nuk i mundon mosuksesi, as mungesa e parasë, por pamjaftueshmëria e çdo suksesi, e çdo paraje, për t'u dhënë atyre sigurinë që u mungon. Shkaqet më të thella të këtyre pasigurive janë objekt i studiove të psikoterapeutëve, i tejkalojnë pra mundësitë e autorit të këtij shkrimi, por, nga ana tjetër, ne duhet të merremi me shfaqjet e tyre shoqërore sepse ato i kapërcejnë pasojat individuale pasi bëhet fjalë për individë që kanë në dorë fatet e një shoqërie të tërë. Në këtë kontekst do të thoja se politika, më saktë pushteti politik, ishte një trampolinë e lehtë suksesi që e kishte joshur qysh herët Ramën ashtu si shumë karaktere të ngjashme. E këtu të mos harrojmë edhe vlerën që mori paraja, krahas pushtetit, si formë e suksesit në shoqërinë tonë pas komuniste. Ky ankth për t'u dukur i suksesshëm e çoi në përdorimin e çdo mjeti për t'i arritur këto. Ai kishte provuar me PD në krye të herës pastaj me Partinë Kristiano Islamike, e me rradhë deri tek PS. Dhe, kur bëhet fjalë për mjete suksesi, politika shqiptare, siç dihet, është më e keqja e mundëshme pasi ajo përdor rëndë gënjeshtrën, mashtrimin, demagogjinë, korruptimin, bashkëpunimin me çdo lloj pisllëku, deri edhe me krimin. Ishte shtysa e tij e sëmurë, sipas meje, që i jepte Ramës forcën e paturpësisë për t'i përdorur të gjitha këto mjete. Por edhe pafuqia, për të mos thënë ndonjëherë edhe admirimi, me të cilin reagon shqëria ndaj tyre. Ndryshe nuk mund t'i përgjigjesh pyetjes që të vjen natyrshëm duke e parë atë në veprim: si ka mundësi që gënjen e mashtron me kaq lehtësi e paturpësi ky njeri? Kështu, pra, ai erdhi në politikë me imazhin e atij që kishte kontestuar fort politikën e vjetër autoritariste, kulturën e vjetër nacional - komuniste etj etj. - mjaft të kemi parasysh çfarë kishte shkruar për PS, figurat e saj kryesore, mitet e saj kryesore duke përfshirë edhe Luftën Nac - Çl. gazetën e saj Zëri i Popullit etj. - por i harroi me lehtësi shumë shpejt të gjitha këto duke u vënë në krye të njerëzve e metodave që deri dje i kishte përqeshur e përçmuar.
Bertrand Rusell thotë: ka njerëz që përpiqen t'i përshtaten botës, ka të tjerë që përpiqen t'ia përshtatin botën vetes së tyre - në kuptimin e farkimit të botës sipas vizioneve dhe idealeve të tyre. Sipas Rusell e ardhmja u përket të dytëve sepse të parët, me përshtatjen e tyre ndaj situatave, nuk sjellin ndonjë ndryshim. Rama u shfaq si një figurë që kërkonte të bënte pjesë në kategorinë e dytë. Dikush mund të thotë se një politikan, për të realizuar idetë e tij, është i detyruar të marr pushtetin dhe, që të marë pushtetin, i duhet të bëjë edhe kompromise. Mirëpo, po ta shohësh, lehtësia me të cilën ai i flaku tej tërë idetë që kishte mbrojtur si intelektual për të përqafuar të kundërtat e tyre si politikan tregoi se përbindëshi i dukjes nëpërmjet pushtetit, pushteti për pushtet dhe para, e jo për të ndryshuar, e çoi në përshtatjen ndaj sitemit që gjeti në politikën shqiptare dhe jo në kompromisin me të për ta ndryshuar më pas atë. Madje sipas meje ai e përkeqësoi atë. Shumë shpejt e pamë të tregohej servil në kulm ndaj atyre që kishte sipër dhe arrogant ndaj atyre që kishte poshtë. E pamë t'u nënshtrohej interesave të të gjithë mafiozëve që i sponsorizonin fushatat elektorale; e pamë të përdorë mjetet më të panderëshme për të blerë gazetarë e pronarë mediash në vend se të inkurajonte mendimin kritik dhe dialogun e hapur me kundërshtarët. E pamë të shesë copa copa sa idetë e tij aq edhe truajt e Tiranës, vilat e shtëpitë e vjetra të Tiranës historike, për ta mbajtur nën kontrollin e pushteti të tij korruptiv dhe jo të ligjit urbanistik qytetin. E pamë deri t'i rrahë supet Berishës ditën e zezë të Gërdecit, por me të njëjtën lehtësi me të cilën nesër i ktheu kurrizin. Shkaku kryesor është se prirja e sëmurë për të cilën fola deri tani i mund të gjitha instrumentet e tjerë që mund të ofrojë morali, racionaliteti apo ideali. E në këtë sëmundje duhet të fusim edhe një element që, paradoksalisht, është shumë i fortë tek këta karaktere: frika. Ndryshe nga ç'mund të mendohet karakteret autoritare kanë thellë thellë një frikë të madhe, frikë se mos humbasin pushtetin, se mos dalin nga skena, sepse, pastaj, jeta e tyre u duket zbrazësirë e bijen në depresion të thellë. Adrenlina atyre u prodhohet vetëm nëpërmjet lojës me pushtetin. Këtë frikë e amplifikon edhe frika e ndëshkimit për të këqijat që kanë bërë. Nëse do t'i referohemi Canettit njerëz të tillë kanë një frikë iracionale, thellë thellë ata do të donin një botë pa njerëz por, në pamundësi të kësaj, kërkojnë një botë me njerëz të nënshtruar ku vetëm ata qëndrojnë në këmbët kurse të tjerët shtrirë (në pamundësi për të qenë të vdekur). Prandaj thotë Canetti në "Masa dhe Pushteti" këtyre karaktereve, kur arrijnë e dalin në pushtet, duhet t'u rrish gati me kurajo dhe guxim, për t'u hequr spinën (e pushtetit) sepse përndryshe bëjnë dëme të mëdha. Rama është ndër ata që, sëbashku me Berishën, duhet t'u ishte hequr spina me kohë, por i mban në prizë ajo gjysma tjetër që nuk ishte objekt i këtij shkrimi: shoqëria dhe strukturat e saj social kulturore që krijojnë terenin ku mbijë e lulëzojnë kaq shumë farëra të tilla të këqija. (Revista Klan, 28 dhjetor 2008)
Tuesday, December 30, 2008
Rama - i duhej hequr spina me kohë
Shpresë!
Përpara se të ulesha të shkruaja këtë shkrim të fundit të vitit po më brente mendimi se i jam angazhuar vetes dhe lexuesit që në shkrimin e fundit të vitit nuk do të merrem me politikën dhe politikanët, por me një temë që nuk ka të bëjë me ta. Mirëpo edhe ky mendim, që mban gjithsesi vulën e kushtëzimit nga politika, sikur më futi në mendime politike. Në mendimet se përse në vendin tonë jemi kaq të uzurpuar nga politika e aktorët e saj saqë nuk gjejmë dot një qoshe ku të futemi e të ndjehemi jashtë rrezatimit të saj rraskapitës as në ditët e festave të fundvitit? Dhe kjo nuk është thjesht sëmundje profesionale e gazetarit. Sipas çka konstatoj me vite kjo është sëmundje e të gjithëve, edhe e atyre që nuk lexojnë kurrë ndonjë gazetë. Madje edhe e atyre që të thonë se nuk shohin më as lajmet nga neveria - pasi edhe neveria e tyre është e kushtëzuar nga kjo politikë. Madje, madje do të thoja se, në kategorinë e të uzurpuarve nga politika, mund të futen edhe vetë uzurpuesit, politikanët, sepse edhe mjaft syresh të thonë, në momente sinqeriteti, se i kanë hyrë një valleje nga e cila nuk dalin dot.
Shkaqet e këtij uzurpimi janë të shumta. Besoj se, nëse do t'i reshtonim, do të vinim në themel të tyre trashëgiminë e politikës së shtetit totalitar, që na bënte të varur tek ajo në gjithshka, që na përcaktonte punën, ekonominë, gëzimet dhe hidhërimet. Shteti totalitar kishte, për këtë, edhe një ideologji zyrtare që e trajtonte edhe si shkencë edhe si fe, të cilën na e impononte njëherësh si instrumentin e vetëm për të kuptuar të vërtetat e kësaj bote dhe si besimin e vetëm fetar. Na duhej, pra, të jetonim me klerikët e saj (politikanë e intelektualë me në krye udhëheqësin e madh e të pagabueshëm) edhe fizikisht, edhe intelektualisht edhe shpirtërisht, edhe ditët e javës edhe të djelën. Shkurt shteti totalitar ishte vetë jeta jonë, ne ishim në një gjendje pafuqie përballë tij, sepse, paradoksalisht, ishim qeliza të trupit të tij.
Sipas gjykimit tim gjithshka përjetojmë sot është vazhdimësi - dekompozuese do të thoja - e atij lloj përbindëshi, e asaj lloj politike e politikanësh, e asaj lloj kulture, e asaj lloj elite. Varësia e jetës sonë nga politika dhe njëherësh pafuqia ndaj saj, që janë evidente edhe sot, e kanë burimin në ripërsëritjen e modeleve të politikës dhe politikanëve të atij regjimi e të kulturës që rrrezatojnë intelektualët në shërbim të tij. Personalisht konsideroj veten ndër ata që tërë jetën e ka parë në papajtueshmëri me këtë lloj shteti, me kësi lloj plitikanësh e me këtë varësi poshtëruese nga pushteti i tyre. E kam parë veten në përpjekjen, herë të dëshpëruar herë më shpresëdhënëse për ta ndryshuar në mos, të paktën, për t'i rezistuar statukuosë që ata kanë vendosur. E, në ditë si këto, kur lihet një vit e hyet në një tjetër, nuk ka se si të mos ndalesh e të bësh një bilanc. Nuk flas dot në emër të të gjithëve, por besoj se ndaj mendimin e një shumice njerëzish të vullnetit të mirë kur them se vitet po kalojnë dhe, me dëshpërim, vërej se mund ta konsideroj veten një humbës. Humbës përpara virulencës së pareshtur të asaj që e konsideroj të keqen më të madhe: "injoranca në veprim". Sepse tek ajo, injoranca në veprim, gjej edhe shkakun e egërsisë njerëzore, të babëzisë, të fanatizmit dritëshkurtër, të padrejtësisë, të pandëshkueshmërisë së të keqes, të hipokrizisë, të kulturës së rrenës e manipulimit, të prirjeve fashistoide e me rradhë, që po e mbajnë shoqërinë tonë në gjendjen e dekompozimit të së djeshmes, në vazhdimësinë e triumfit të së keqes. Ajo që nuk e them dot me siguri është shkalla e humbjes, nëse ajo është totale apo nëse dominimi në jetën tonë i të keqes - për këtë dominim nuk kam dyshim - nuk na le të shohim rrezet e dritës që paralajmërojnë agimin. E, kur them agimin, nuk kam parasysh eliminimin e së keqes, sepse nuk jam aq naiv sa të besoj se e mira dhe e keqja do të ndahen ndonjë ditë. E di mirë se ato do të bashkëjetojnë gjithnjë në këtë botë. Por kam parasysh fillimin e një dinamike kur e mira të shënojë edhe ajo fitoret e saj dhe jo të shënojë çdo ditë humbje. Në fakt, është e vështirë ta gjesh mënyrën e matjes së shkallës së humbjes. Nganjëherë këtë matje e kërkoj duke kërkuar me kandil në mes të ditës të rinjtë. Dhe kur shoh se sa shumë mungojnë të rinjtë që të dalin në skenë me tjetër kulturë, me tjetër peshë dhe fuqi, me tjetër personalitet, me refuzim ndaj pushtetit të të padrejtëve nuk ka se si të mos ndjej edhe më fort humbjen. Mjafton të shihje se çfarë bëri rinia në Greqi muajin e fundit për të parë diferencën e për të rënë në dëshpërim. Atëhere i kthehem një matësi tjetër ndoshta më i mirë: shpresës. A ka shpresë apo nuk ka? Sa shpresë ka? Është një pyetje që e dëgjoj shpesh. Dëgjoj shpesh edhe përgjigjen e saj, nganjëherë nga po ata që bëjnë pyetjen. Janë të shumtë bashkëqytetarët që, duke të parë aktiv në debate e shtypin e shkruar, të thonë: lodhesh kot, këtu nuk ka shpresë. E kur thonë shpresë është e qartë se nënkuptojnë shpresën se e mira do të fitojë mbi të keqen, drejtësia mbi padrejtësinë, dija mbi injorancën, rendi mbi kaosin, puna mbi vjedhjen, njeriu i ndershëm mbi mafjozin, arësyeja mbi dhunën, e vërteta mbi gënjeshtrën. Personalisht, përsa i përket shpresës dhe angazhimit e gjej vetën tek Jean Paul Sartri kur thotë se "gjithnjë e më shumë mendoj - sot e mendoj në mënyrë absolute - se një karakteristikë thelbësore e veprimit njerëzor … është shpresa. Shpresa nënkupton se unë nuk mund të ndërmarr asnjë veprim pa llogaritur se do ta realizoj atë. Sipas meje … kjo shpresë nuk është një iluzion lirik, ajo është në vetë natyrën e veprimit … tek shpresa ekziston, pra, edhe një lloj domosdoshmërie. Ideja se po sfidoj nuk është tek unë, në këtë moment, themelore; përkundrazi është shpresa - si raport i njeriut me qëllimin e vet, raport që ekziston edhe nëse qëllimi nuk arrihet - ajo që nuk i shqitet asnjëherë mendimit tim."
Më kujtohet se në burgun e Spaçit në vitet më të vështira, policia ndëshkonte me izolim në qeli ata të burgosur të cilëve u gjente ndonjë bllok me fjalë të huaja që tregonte se ai mësonte gjuhë të tilla si anglisht, italisht apo frëngjisht. Ishte një ndëshkim që synonte të vriste bash shpresën. Ti shpreson se do të vijë një ditë kur do të dalësh prej këtej e do të të duhen gjuhët e huaja. Pra shpreson se do të rrëzohet ky pushtet dhe ti do të bëhesh ndonjë ambasador - dukej sikur mendonte gardiani - shko pra ngordh në birucë që të mos guxosh më të shpresosh gjëra të tilla, që ta ngulitësh mirë në mendje se, tërë jetën, do të punosh si skllav për ne. Ishte një akt shpresëvrasës, që, në të vërtetë, ka vrarë jo pak shpresa. Kush mendon se shpresa nuk vdes kurrë gabohet. Shpresa edhe vritet. Kur njeriu nuk e ndërmerr më një veprim, pasi nuk beson se do ta realizojë, kemi të bëjmë me një vrasje shprese. Dhe ne kemi patur fatin e keq të jetojmë në regjime shpresëvrasës në masë.
Që ai i djeshmi ishte një regjim shpresëvrasës mund të bien dakort shumë, por pse ky i sotmi? Sepse edhe pushteti i sotëm ka të njëjtën prirje të regjimit nacional - komunist shqiptar: t'u thotë njerëzve se jeta juaj nuk është në dorën tuaj, por në duart tona; se ne jemi ata që mund t'ju sjellin gëzimin apo hidhërimin, mirëqënien apo varfërimin, lëvizjen e lirë apo lëvizjen e ngujuar, t'ju ndëshkojnë apo t'ju ruajnë nga ndëshikimi, t'ju lartësojnë apo t'ju ulin poshtë, t'ju tregojnë të vërtetën dhe gënjeshtrën. Sepse pushtatarët e sotëm na vjedhin, na shkatërrojnë vendin për përfitimet e tyre, duke na poshtëruar kështu përditë, dhe ne nuk kemi mundësi të gjejmë drejtësi, as t'i ndëshkojmë për krimet e tyre. Sepse, ashtu si horrat e djeshëm edhe këta të sotmit, i mbulojnë të pabërat e tyre me fjalë të mëdha për atdheun e të ardhmen e tij të ndritur. Sepse, ashtu sikurse regjimi i djeshëm i komprometonte njerëzit me njëmijë mënyra edhe ky i sotmi e ka bërë thuajse të pamundur jetën me nder dhe dinjitet. Sepse edhe ky regjim përballë inteligjencës, dijes dhe mendimit kritik preferon arrogancën, padijen dhe servilizmin. Sepse edhe ky regjim, tek e fundit, pra, synon o të na bëjë qelizën e pafuqishme të trupit të tij të sëmurë, ose të na flakë jashtë.
A është vallë e vërtetë se, kur terri është më i madh, mund të shihen edhe më mirë yjet, sikurse thuhet. Dyshoj se është më e drejtë të thuhet se, kur jemi të zhytur në gjiriz, është më e vështirë të mund të shihen prej andej yjet. Por gjithsesi yjet e shpresës vështirë se shuhen ndonjëherë. Të shpresës, jo si një "iluzion lirik", por si një dimension i yni i brendshëm që na mban në jetë, që na bën të ruajmë e kultivojmë vlerat e idealet, paçka se mund të mos i realizojmë kurrë, të shpresës që mund të na bashkojë nesër në emër të këtyre idealeve e të na nxise veprimin për të kërkur një jetë më të mirë. Prandaj, në këtë fund viti të errët 2008, që paralajmëron një vit edhe më të errët, urimi im për të gjithë ata që ende nuk e kanë humbur shpresën janë fjalët e një vajze gjermano holladeze që shkruante më 15 korrik 1944: "Është një mrekulli e madhe që unë nuk i kam humbur të gjitha shpresat e mija, megjithëse ato duken aq absurde dhe të parealizueshme. Pavarësisht nga gjithë çfarë ka ndodhur, i ruaj ende ato, sepse vazhdoj të besoj tek mirësia e brendëshme e njeriut. E kam të pamundur të ndërtoj gjithshka mbi vdekjen, mjerimin dhe konfuzionin. E shoh botën të shndrrohet pak nga pak në një shkretëtirë, e dëgjoj gjithnjë e më të fortë zhurmën e makinës që do të na vrasë edhe ne, marr pjesë në vuajtjen e miliona njerëzve e, megjithatë, kur shoh qiellin, mendoj se gjithshka do të kthehet përsëri drejt të mirës, se edhe kjo egërsi e pamëshirëshme do të rreshtë, se do të rikthehet rregulli, paqja dhe mendjekthjellësia. E, ndërkaq, më duhet të ruaj të paprekur idealet e mija; ndoshta do të vijë një kohë kur do të jenë të realizueshme." (Korrieri, 29 dhjetor 2008)
Monday, December 22, 2008
Qëllimi i keq i një ligji
Parlamenti shqiptar sot do të shqyrtojë ligjin e ashtuquajtur të hapjes së dosjeve të mbyllura të ish Sigurimit, por që, në fakt, do të mbetet në kujtesë më shumë si ligji i dosjeve të hapura të pastrimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve të komunizmit. Këtë shkrim po e bëj edhe me mendimin se ndoshta ndonjë deputet, duke qëndrur në sallë nga njëra orë në tjetrën, edhe mund ta lexojë dhe kjo do ta ndihmonte sadopak, të reflektonte disi më thellë mbi problematikën e ligjit: për ta aprovuar, kundërshtuar apo për të kërkuar ndryshime në të.
Sipas meje janë më shumë se një problemet që ngre ky ligj në planin politik, juridik dhe moral pasi çështja është mjaft komplekse. Nëse ka ndonjë gjë që ilustron thënien e Oskar Wildit se e "vërteta rrallë herë është e qëruar dhe kurrë e thjeshtë" është pikërisht problematika e këtij ligji. Prandaj personalisht i kam mëshuar idesë se kjo është një gjë që kërkon kirurgë shumë të zot kurse tek ne kjo çështje është në duar kasapësh. Diferenca është e madhe: nëse kirurgu synon të shpëtojë jetë, kasapi synon të presë mish që ta shesë për të nxjerrë fitime.
Cilat janë problemet kryesore që po hapin me hanxharët e tyre kasapët tanë për veten dhe për tërë shoqërinë. Problemi i parë është ai që vjen nga instrumentalizimi politik i antikomunizmit që rrezikon ta tjetërsojë tërë çështjen e dënimit të krimeve të komunizmit - çështje kjo kaq e rëndësishme dhe vendimtare për të ardhmen vërtet demokratike të shoqërisë. Dhe, kur them instrumentalizim, kam parasysh kryesisht mazhorancën, që po e ve në lëvizje këtë ligj, por edhe opozitën socialiste. Sot është vështirë të gjesh njeri që ka pak mend në kokë i cili - duke iu referuar edhe pëvojës së deritanishme të bëmave të politikanëve tanë - të mos e ketë të qartë se ky ligj nuk bëhet për shkak të ndjeshmërisë ndaj vuajtjeve të ish të persekutuarve, por në kuadrin e një lufte politike në një moment kyç ku e tërë politika e kundërshtarëve të Berishës është fokusuar në nxitjen e prokurorisë për vazhdimin e hetimve ndaj akuzave që i janë ngritur qeverisë, kryeministrit e familjes së tij për korrupsion. Me fjalë të tjera ky ligj synon të trembë dhe ndrydhë Prokurorinë, edhe më shumë nga ç'është e ndrydhur dhe e nënshtruar, përsa i përket çështjeve të tilla të nxehta si ajo e Gërdecit, rruga Durrës - Kukës si dhe ajo Fazlliç (dhe ky kontroll mbi institucionin e drejtësisë është mendësi tipike e autoritarizmit komunist). Apo, të justifikojë atë që tashmë është thënë me kohë se këta procese janë vepër e njerëve të lidhur me të kaluarën që i instrumentalizon opozita sepse me të i lidh e kaluara. Dhe kjo është metodë e njohur e komunizmit i cili tërë dështimet e tij ia atribuonte sabotimeve dhe veprimtarisë armiqësore të mbeturinave të borgjezisë. Kujtoj se edhe për piramidat financiare dhe tragjedinë që ndodhi në 97-tën u akuzuan ish sigurimsat. Por ndërkaq, edhe opozita, duke u strehuar tek mbrojtja e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nuk hedh asnjë hap më tej përsa i përket dekomunistizimit të rradhëve të saj dhe të mbështetësve të saj. Ishte tipik fakti që ndërkohë që Berisha e akuzonte Ramën se i mbron prokurorët për shkak të së kaluarës komuniste të familjes së vet Rama e mbronte familjen e vet duke mbrojtur indirekt edhe të kaluarën e saj komuniste. Kishte edhe një rrugët tjetër Rama: t'i thoshte Berishës: ti edhe im atë keni qenë komunistë deri më 1990-shin në një front, kurse unë distancohem nga vepra juaj e përbashët deri më 1990. Mirëpo nuk e bënte dot këtë sepse Partia Socialiste e ka mbështetur një pjesë të mirë të unitetit dhe forcës së saj tek ajo e kaluarë të cilën, në rastin më të mirë e dënon me fjalë, por jo me vepra të tilla që të pastrojë vërtet, të dekomunistizojë vërtet veten dhe elektoratin e saj. Prandaj dhe kemi mbetur në të njëjtën pikë përsa i përket dekomunistizimit. Asnjë prokuror nuk thotë në këto kushte: kam përgjegjësi por thotë: kam zbatuar ligjet e asaj kohe. Këtë vendnumëro përsa i përket dekomunistizimit e vërtetojnë shumë gjera edhe në fusha të tjera të kulturës të kujtesës historike e me rradhë. E vërteton edhe fakti që vetë mënyra e drejtimit të PD dhe PS nga Berisha dhe Rama ngjajnë si dy pika uji me mendësinë enveriste të kultit të individit absolut e të pakundërshtueshëm.
Një problem tjetër që ka ligji është fakti se megjithë fjalët e rënda që shkëmbejnë dy enveristët tanë kundër njëri tjetrit ai ligj është në vazhdën e monoplizimit të politikës nga dy partitë kryesore dhe liderëve të tyre respektivë. Sipas çka është shkruar në media produkt i këtij ligji do të jetë një komision kontrollues i dosjeve ku dy prej anëtarëve do të jenë të PD, dy të PS dhe një kryetar me konsensus. Pra edhe ky instrument kontrolli mbi të shkuarën dhe shantazhi mbi njerëzit dhe institucionet do të zotërohet nga dy forcat kryesore të cilat sigurisht, ashtu sikurse kanë ndarë trojet e ndërtimit mes vetes, mund të ndajnë edhe listat e spiunëve për të hequr nga lista ata që duan dhe të venë ata që s'duan. Aq më tepër kur, sipas gjithë të dhënave të ditura fort mirë nga ata, por jo nga publiku, dosjet janë pastruar e zhdukur e manipuluar. Sinjalin e parë të funksionimit të këtij "komisioni" e dha vetë ligji ku, çuditërisht, megjithëse në kriteret e spastrimit mund të hyjë edhe një pastrues i ish Sigurimit aty nuk hyjnë as ish ministra si Gjinushi e Ruçi as ish sekretarë partie si Berisha.
Ky ligj, ashtu sikurse është hartuar, paraqet edhe probleme juridike dhe morale jo të pakta. Pjesa e tij e lustracionit ka problemin kryesor atë se ligjet e lustracionit, që kur kanë dalë në fillim në Lindje janë parë me skepticizëm nga aktivistët e të drejtave të njeriut sepse hapnin problemin e të drejtës së njeriut për t'u zgjedhur e cila mund të hiqet me gjykatë dhe me afate të caktuara. Ligji nuk mund të sanksionojë heqjen nga detyra në bllok të prokurorëve dhe gjyqtarëve apo hetuesve të kohës së komunizmit tani pas 18 vjetësh. Kjo automatikisht do t'i fuste të gjithë në një thes dhe do të çlironte madje nga përgjegjësia tërë ata prokurorë që kanë bërë nga ato krime kundër drejtësisë që nuk mund të falen, as parashkruhen pasi meritojnë të dënohen. Mirëpo duket sheshit se ligji nuk synon këtë, por thjesht pastrimin e rrugës për pushtet. Dhe kjo vërtetohet edhe me mënyrën se si ka vepruar PD (e jo vetëm) në raste të tjera të ngjashme, psh. me ata për të cilët ka pretenduar se ka pasur prova se kanë bërë korrupsion. I ka akuzuar rëndë derisa mori pushtetin dhe i hoqi nga detyra, por, kur erdhi puna që të kërkojë që ata të përgjigjen para drejtësisë për dëmet që kanë bërë, nuk e kemi parë të nxisë më prokurorinë që ajo të veprojë, duke nxjerrë zbuluar të vërtetën se qëllimi i gjithë kësaj lufte nuk ishte drejtësia, por zënia e vendit të tyre - për tu bërë si ata, madje edhe duke bashkëpunuar me ta.
E njëta gjë lidhur me të drejtën e zgjedhjes mund të thuhet edhe për ish bashkëpunëtorët e fshehtë të Sigurimit për të cilët, për më tepër, është bërë një ligj dhe një pastrim në vitet 1996- 2001. Këto aspekte juridike kanë pasur parasysh gjermanët të cilët ligjin e tyre të hapjes së dosjeve e kanë hartuar në mënyrë të tillë që jo vetëm kontrolli i pastërtisë së figurave bëhet rast pas rasti, por e drejta për tu zgjedhur apo punësuar në institucione të caktuara nuk hiqet me ligj, por nëpërmjet instrumentesh të tjera morale.
Si përfundim do të thoja se ky aksion i aprovimit me ngut dhe pa kërkuar konsulencë, të këtij ligji është ilustrim i asaj thënies së vjetër romake sipas së cilës e mira apo e keqja e një veprimi nuk duhet gjykuar nga fjalët e bukura me të cilat ky veprim vishet, por me qëllimin e vërtetë se pse bëhet ky veprim. Nëse qëllimi i vërtetë është i keq - dhe e përsëris: sipas meje kjo "e mirë" në emër të "dekomunistizimit" bëhet për një qëllim të keq: mbulimin e akuzave për korrupsion të qeverisë, shtimin edhe më të kontrollit mbi institucionet e pavarura dhe njerëzit,- atëhere kemi të bëjmë me një veprim të keq, që sjell pasoja të këqija. (Korrieri 22 dhjetor 2008)
Tuesday, December 16, 2008
Në prehërin e Berishës
Shkrimin paraardhës të Korrierit (paragrafi i fundit i të cilit mbeti i këputur në mes për një gabim teknik të faqosjes) e kam mbaruar duke shkruar se përgjegjësia për rrugën e mbrapshtë që ka marrë vendi nuk mund t'i lihet vetëm shoferit Berisha. Sepse, vërtet struktura e tij karakteriale e shtyn të mos pranojë t'i flasë njeri në autobuz, duke e bërë përgjegjësin kryesor për mungesë bashkëpunimi e dialogu, por kjo nuk i lehtëson nga përgjegjësia ata ndihmës të tij të cilët, sa për strukturë të tyre karakteriale e të marrëdhënieve tona hierarkike, aq edhe për kalkulime meskine s'marrin guximin t'i flasin. I premtova lexuesit se për këta "skuthër të politikës", do të shkruaja më vete. Po rrekem ta bëj këtë më poshtë.
Partia Demokratike erdhi në pushtet kryesisht në sajë të tre faktorëve: Së pari, në sajë të korrupsionit galopant e të padurueshëm të socialistëve, denoncimin dhe ndëshkimin e të cilit e bëri lejtmotiv të veprimit të saj opozitar të viteve të fundit. Së dyti, në sajë të thithjes së të rinjve, në rradhët e saj që u paraqitën me një emër shumë premtues: Komiteti i Orientimit të Politikave. Së treti, në sajë të tërheqjes pranë PD të shumë figurave që ishin larguar për shkak të nëpërkëmbjes së personalitetit të tyre apo pse nuk pranuan të ndanin gjer në fund rrugën e Berishës të viteve 1992- 1997. Tema e këtij shkrimi ka të bëjë me dy faktorët e fundit.
Me të rinjtë e KOP-it Berisha dha imazhin e një pastërtie morale më të madhe, të profesionalizmit më të lartë si dhe të energjisë rinovuese të partisë. Me të rithirrurit në parti ai dha imazhin e një lideri që nuk kërkonte më pushtet absolut, si më parë, por që ishte edhe tolerant ndaj kundërshtarëve. Pra, se nuk do të shihnim më skenat e viteve të para të pushteti të tij kur kundërshtarët përjashtoheshin me fishkëllima nga PD-ja. Me të dy palët sëbashku ai ndryshoi një imazh të përhapur në opinion për partinë e sij, sipas të cilit ajo përbëhej prej militantësh më të varfër intelektualisht e më të paaftë sesa militantët e PS e se, pushteti absolut i Berishës në PD, i dedikohej jo pak edhe kësaj "syverbësie" të militantëve të PD-së. Përfaqësuesi më i spikatur i të rinjve u bë Lulzim Basha, por, krahas tij, mund të përmenden edhe Bregu, Bumçi etj.. Ndër të përjashtuarit apo të larguarit e rithirrur përfaqësues më të spikatur qenë figura si Imami, Ruli, Pollo, Zogaj, Xhaferri etj.
Në përgjithësi, mendohej se profesionalizmi i bashkuar me një personalitet më të spikatur do të sillte aftësi më të mëdha jo vetëm menaxhuese, por edhe vetkorrigjuese të PD-së dhe të Berishës vetë. Mirëpo kanë kaluar pak më shumë se tre vjet dhe çfarë mund të themi lidhur me këto premtime rinovuese të PD-së? Ato janë një zhgënjim në të gjitha aspektet e sipërpërmendura. Në thelbin e vet zhgënjimi konsiston në paaftësinë/pafuqinë e të gjithë këtyre figurave për të ngritur qoftë edhe një herë të vetme zërin ndaj gjërave që i mendojnë ndryshe, për të korrigjuar pra trajektoren e PD që po shkon nga gabimi në gabim, gjithë duke lënë përshtypjebn se përgjegjësinë për çdo gjë e mban Sali Berisha, përballë të cilit ata shfaqen gjithnjë e më të zhveshur nga fuqitë, por edhe nga përgjegjësitë.
Është e vertetë se nuk kemi më skena përjashtimi me fishkëllima nga PD-ja; është po ashtu e vërtetë se në krahasim me vitet e herës së parë në pushtet Berisha është shfaqur shumë më i duruar ndaj kundërshtarësh gjithsesi shumë të pakët, por është po aq e vërtetë se zërat kundërshtues janë thuajse krejtësisht të fikur dhe krejtësisht të izoluar, prandaj nuk e dimë se nga vjen kjo tolerancë, nga Berisha apo nga konformizmi pa kufi i shumicës dërrmuese të zotërinjve deputetë e anëtarë të PD. Sot për sot dimë se një zë që u ngrit për të kritikuar dhe kërkuar llogari për premtimet, ai i një prej njerëzve më të afërt të Berishës, gazetarit Mero Baze, u skualifikua duke u bërë një shembull kuptimplotë për të karakterizuar edhe guximin e të tjerëve rreth tij. Besnik Mustafai u largua pa deklaruar në publik shkaqet më të thella të mosmarrëveshjeve me Berishën, Ngjela dhe deputeti Bakalli duken krejtësisht të izoluar nga PD. Flitet për një grup të presidentit Topi, por deri tani nuk ka asnjë artikulim politik që të lidhet me kritika për çështje që i interesojnë gjithë publikut.
Po a ka pasur dhe a ka gjëra për të kundërshtuar? Shpejt e shpejt mund të rendisja ato kryesoret që, në thelb, janë në kundërshtim me programin e premtuar të PD-së edhe nga këta zotërinj që u shpërndanë gjithandej vendit në fushatën elektorale: mosmbajtja, pas marrjes së pushtetit, e premtimit të dënimit të korrupsionit të kryer nga ish mazhoranca përkundrazi shenja të qarta të bashkëpunimit me interesa korruptive (pra kapja e sistemit në vend të luftimit të tij); prirja e bërë tashmë krejtësisht e dukshme për t'i kapur dhe nënshtruar institucionet që duhet të jenë garanci e kontrollit të abuzimit me pushtetin, shnderrimi i premtimit për Shqipëri turistike në projekt për park energjitik të Italianëve me pasoja katastrofike për ambjentin, skandale të tilla si Gërdeci, çështja Fazlliç, rruga Durrës - Kukës që tregojnë qartazi se në vendimarrje vazhdon të mos sundojë ligji dhe insitucionet, por lidhjet e shkurtra korruptive politikë - biznes. Për të gjitha këto, dhe për të tjera, nuk kemi parë asnjë lloj debati apo kërkese për sqarim e jo më kundërshtim brenda PD. A është e vërtetë se të gjithë këta zotërinj rrotull shoferit mendojnë njëlloj me Berishën, se nuk kanë dyshimet e tyre apo pakënaqësitë për rrugën që ka marrë shoferi? Absolutisht jo. Problemi është se një pjesë nuk guxojnë të shprehin qoftë edhe një mendim kundër, kurse të tjerë, edhe më keq, as nuk guxojnë të mendojnë më me kokën e tyre, por kanë zgjedhur ta lenë bosh trurin në mënyrë që ta mbushin me idetë e ndryshme të liderit. Thënë më troç njerëz si Imami, Ruli, Pollo, Zogaj etj. sot nuk kanë më ambiciet që kishin dikur: të thonin edhe ata fjalën e tyre në pritje të një simpatie dhe mbështetjeje të opinionit publik. Ata e shohin politikën si punësimin e vetëm të mundshëm për të siguruar jetën dhe kaq. Me fjalë të tjera nëse kanë treguar ndonjëherë ndonjë fije ndjenje rebelimi ndaj padrejtësive apo gjërave që i mendojnë ndryshe, sot i janë nënshtruar totalisht rregullave të lojës të imponuara nga më të fuqishmit se ata. Sigurisht, bashkë me këtë, për një pjesë, nuk mund të mos përmendim edhe përfitimet "e vogla" korruptive që kanë nga ndarja e sofrës, të cilat shërbejnë jo pak për tu mbyllur edhe gojën. Por ata të KOP-it, sipas meje, janë një zhgënjim edhe më i madh. Sepse, ndërsa për të parët mund të thuhet se e kanë jetuar gjithsesi një moment rebelimi dhe tani dallgët e ashpra të politikës shqiptare i kanë lodhur, për këta të rinj mund të thuhet se as nuk u shkon ndërmend një "aventurë" e tillë. Në fakt, nga të rinjtë pritet të kenë më shumë ideale, më shumë ambicie dhe më shumë kurajo për të sakrifikuar në emër të tyre, prandaj dhe më pak konformizëm. Një i ri mund të ketë më shumë guxim dhe shpresë për të formuar një parti të re, apo për të dalë jashtë një grupimi që po shkon drejt të keqes e të nisë një punë tjetër. Të gjitha këto mund t'i shumëzojmë pa frikë me zero. Shembulli më dëshprues ishte ai i Lulzim Bashës që duket qartë se, me mënyrën se si ka vepruar me çështjen për të cilën e kanë akuzuar, rrugën Durrës - Kukës, dhe me mënyrën se si po vepron për t'u mbrojtur nga akuzat, tregon se është strehuar tërësisht në politikën e njohur tradicionale të bashkëpunimit në grup për kapjen e pushtetit e mbajtjen e tij me forcë duke nëpërkëmbur ligjin e institucionet dhe të mbulimit të të gjitha këtyre abuzimeve me një retorikë nacionaliste. Dhe të mos harrojmë se ky njeri, kaq i ri, kur hyri në politikë kishte një pasuri të deklaruar që do t'ia kishin zili jo vetëm mbi 95% e shqiptarëve, por edhe një përqindje shumë e madhe e perëndimorëve që kanë punuar një jetë të tërë dhe nuk e kanë atë. Dua të them me këtë, se e kishte më të lehtë largimin se disa që të thonë: "s'kam ç'bëj, dua të ushqej kalamajtë".
Montenji thotë: "duhet të dish se sa më lart të ngrihesh aq më shumë je i ulur mbi bythën tënde". Kurse këta zotërinj sa më lart ngrihen aq më shumë zëne vend në prehërin e Berishës.
Duke patur parasysh se edhe në rreshtin e majtë të autobuzit, me në krye pretendentin për shofer Edi Rama, gjendja është pothuajse simetrike, shembulli i këtyre zotërinjve është tejet dëshpërues dhe flet për një gjendje degraduese të demokracisë në vend. (Korrieri, 14 dhjetor 2008)
Thursday, December 4, 2008
Superfuqi apo koloni
Para disa kohësh Ben Blushi, duke përshkruar gjendjen në partinë e tij, përdori një metaforë sipas së cilës PS është si një autobuz ku shkruhet "mos i fol shoferit". Është një metaforë e gjetur që po e zhvilloj edhe ca më tej.
Problemi nuk është thjesht se vetëm PS ka një shofer të tillë. Problemi është se ne të gjithë, dmth. të gjithë shqiptarët, jemi të shtrënguar të udhëtojmë në një autobuz të tillë. Ne jemi ndarë në dy rradhë brenda autobuzit sipas dy grupimeve partiake më të mëdha, - ku disa nga pasagjerët ndërrojnë edhe krah - dhe ndonjëherë bëjmë ndërrimin e shoferëve dhe të gardës së tyre. Por, ama, rregulli i shoferëve, edhe kur ndërrohen, është "mos na flisni!".
Le ta zhvilloj edhe ca më tej metaforën. Në një autobus normal, nëse shihet se shoferi është çmendur apo se ka qëllim të shkojë në një vend që s'është drejtimi i caktuar, njerëzit do të fillonin të shihnin jashtë dritareve, do të konstatonin rrugën e gabuar dhe do të fillonin të rebeloheshin. Por, në këtë autobuzin tonë, kjo nuk ndodh. Pse? Për shumnë arësye. Së pari, sepse bukën e gojës ua ka në dorë shoferi dhe garda e tij. Por edhe sepse autobuzi ynë, në fakt, nuk ka xhama transparentë për të parë jashtë. Shumica e xhamave janë bllokuar me ekrane televizionesh që shoferi i ka blerë për të paraqitur një realitet virtual. Nuk mungojnë, për këtë, edhe intelektualët e gazetarët e blerë që përgatisin programet - sigurisht që nga brenda autobuzit. Pasagjerët, me hir apo me pahir, nuk duhet të shikojnë greminat se ku po shkojnë, por lulëzim, ndërtim, rrugë, zhvillim, ullinj e vreshta. Sigurisht kanë mbetur akoma disa xhama nga ku mund të shihen copa greminash në horizont, por shumica e pasagjerëve nuk ka as sy për të parë sepse e tërheqin më shumë të vërtetat e televizioneve ku shohin edhe figurat e mëdha të kombit tua ngrenë lart dinjitetin me Skënderbeun apo me spektaklet "Dua më shumë Shqipërinë". Dikur kishte edhe opozitë brenda autobuzit, që e ngrinte zërin, e pasagjerët lëviznin nën drejtimin e saj. Tani kemi një opozitë kryetari i së cilës, duke pritur të bëjë shoferin e rradhës, sheh gjithë ditën veten nëpër xhamat/erkranet e autobuzit duke kënaqur narçizizmin e tij proverbial.
Çdo metaforë ka kufizimet e veta, dihet. Prandaj po e le deri këtu metaforën dhe po përpiqem ta ilustroj më konkretisht.
Dita që Berlusconi "miku i madh" i Shqipërisë erdhi në Tiranë, e transmetuar me bujë në ekranet e televizonave shqiptare, më gjeti në Itali. Sigurisht i hapa ekranet italiane për të parë se çfarë do të thonin. Dëgjova edhe radiot, madje. Ndryshe nga ç'mund të mendojnë pasagjerët e autobuzit tonë, jashtë "xhamave" të tij, vizita e Berlusconit nuk u lidh fare me Shqipërinë. Në mediat italiane u fol vetëm për çfarë kishte deklaruar në Tiranë kavalieri lidhur me çështjet italiane - konkretisht me skandalin e fundit të konfliktit të interesavce të kavalierit (shtimin e taksave ndaj "Sky" të Murdokut që indirekt favorizon televizionet e familjes së tij) si dhe sulmet ndaj kryeredaktërëve të "Corriere della Sera" dhe "La Stampa". As emri i Berishës nuk u përmend kund. Njëlloj si në Shqipëri kur Berisha bën ndonjë vizitë në ndonjë vend të humbur ku e pret ndonjë kryetar komune kurse televizionet tona japin ato që ai ka thënë për Edi Ramën në Tiranë ndërsa kryetari i komunës mbetet një nga figurantët e skenës. Për turpin e mediave italiane asgjë nuk u tha për projektet neokolonizuese, të paligjëshme, për të mos thënë kriminale, që italianët po përgatisin në Shqipëri sëbashku me klasën e korruptuar politike shqiptare.
Por le të kthehemi në autobuzin tonë që, sikurse e kam thën edhe herë tjetër, është një imitim karikaturesk i autobuzit italian që ka për shofer Berlusconin.
Projekti i kthimit të Shqipërisë në një superfuqi energjitike, për të cilin erdhi kavalieri në Tiranë, është një projekt delirant dhe mashtrues njëherësh. Pse është delirant nuk do shumë të kuptohet. Mjafton të kesh parasysh deklaratën e Berishës: "unë dhe Berluskoni e duam përjetësinë" apo përdorimin e fjalëve "superfuqi energjitike" për Shqipërinë. Po pse është mashtrues? Sepse Shqipëria mund të bëhet superfuqi nëpërmjet këtyre projekteve aq sa ç'u bë superfuqi në kohën e Hoxhës, megjithë deklaratat e vazhdueshme të këtij të fundit se ishim më të fortë se superfuqitë. Ajo thjeshtë do të përdoret vetëm si terren për t'u vendosur parqet energjitike e industriale: më i madhi në Evropë i energjisë eolike në Karaburun, petroliferat, tecet në veri të Durrësit, rigazifikatorët në Fier e ku dihet çfarë tjetër. Ajo do të shërbejë vetëm si terren ku do të vendosen çisternat që do të furnizojnë Ballkanin me naftë e gaz. Kurse energjia që ata do të prodhojnë është për jashtë shtetit, më konkretisht për Italinë. Nafta do të jetë pronë e italianëve e të tjerëve, gjithashtu, që do ta tregëtojnë duke e perdorur vendin tonë vetëm si depo. Par, asgjë nuk do të jenë pronë e shqiptarëve. Këto projekte do të ndihmojnë që Italia të zgjidhë problemet energjitike të saj pa ndotur territorin e vet, pra, duke e transportuar këtë ndotje jashtë Italisë. Sa për dijeni projekte të tilla Italia ka edhe në Libi e gjetkë rrotull saj. Kurse shqiptarët energjinë do ta blejnë, nuk do t'ua falin gratis italianët. Shumë shumë ata do të punësohen me rroga sa për të mbajtur frymën gjallë. Ashtu sikurse edhe në fabrikat e çimentos që do të prodhojnë përsëri për të pasuruar pronarët italianë (sigurisht edhe politikanët tanë të korruptuar).
Askush nuk u ka bërë pasagjerëve të autobuzit një pasqyrë transparente se çfarë do të fitojnë dhe çfarë do të humbasin në terma afatshurtëra dhe në terma afatgjata. Askush nuk u ka kërkuar mendim nëse janë pro apo kundër. As shoferi i opozitës nuk merret me projektet e Berlusconit e as nuk flet me njerëzit për këto megjithëse thotë se është në një dialog të vazhdueshëm me shqiptarët. Pasagjerët dëgjojnë vetëm se do të bëhemi superefuqi. Të tjerat i di partia dhe udhëheqja.
Le të marrim vetëm projektin e Karaburunit sepse, për të tjerët, si ai i Durrësit, është fulur shumë - për hir të së vërtetës, nga një pjesë jo e vogël intelektuale e vendit, paçka se shoferi, siç e thamë, nuk do të dëgjojë.
Që projekti i Karaburunit është një krim ndaj Shqipërisë le ta ilustroj duke përdorur fjalët e një italiani. Genario Belmonte, Profesor i biologjisë detare në universitetin e Salentos thotë se: "Karaburuni është një vend mitik, një kartolinë e asaj se si ka qenë Mesdheu" "Është aseti më i mirë i rajonit për të tërhequr turistë nga Bashkimi Evropian". Dhe, kur flitet për turizëm, nuk është fjala se atje mund të ndërtohen hotele e motele, por se, si natyrë e virgjër, ai mund të tërhiqte turistë që, për hoteleri, do të kishin hotelet e shtëpitë e shumta në Vlorë e Llogara e fshatrat aty rrotull. Boll të vizitosh Italinë për të parë ç'do të thotë ky turizëm. Pasagjerët e autobuzit duhet të dinë se në Italinë e Berlusconit, në arqipellagun rreth Elbës, Kryetarit të Parlamenti italian, Fini, i vunë një gjobë, që e pagoi duke kërkuar edhe ndjesë publike, vetëm pse bëri zhytje me polumbar në ujra e mbrojtura për shkak të faunës e florës detare të atyre brigjeve. Kurse këta tanët kanë për borxh ta mbysin Adriatikun me naftë vetëm për pushtetin dhe paratë e tyre të qelbura. Kush mendon se pas vendosjen së parkut më të madh energjitik me erë të Evropës në Karaburin mund të shkelin më turistë gabohet. Pra, edhe sikur energjia eolike e këtij projekti të ishte prodhuar për Shqipërinë, një projekt i tillë nuk duhej vendosur në Karaburun, e jo më që është e tëra për Italinë. Pastaj, shtroj edhe një herë pyetjen për qeverinë: pse Italianët - në këtë rast siçilianët, të cilët, për fat të keq, nuk i shpëtojnë dot mbiemrit "mafjozë" - nuk e ndërtojnë në Siçili këtë park? Mos vallë pse atje nuk ka erë?
Jo, kjo nuk është të bëhesh superfuqi, kjo është të bëhesh koloni me duart e tua. Shqiptarët duhet ta dinë këtë gjë. Sipas një studimi të ditëve të fundit të një instituti anglez del se ai që u paraqitet pasagjerëve të autobuzit tonë si zhvillim në sajë të ekonomisë glabale, është një shfrytëzim i egër i burimeve natyrore të planetit që shkon kryesisht për pasurimin e një pakice, përveçse me pasoja dramatike për të ardhmen e planeti. Sipas këtij studimi del se, që një i varfët të pasurohet me 1 dollar, i ashtuquajturi zhvillim global duhet të prodhojë 166 dollarë më shumë. Është një raport që tregon se në duart e kujt shkon përfitimi i 165 dollarëve të tjerë. Sipas po këtij studimi, nëse e gjithë bota do të bënte jetën e amerikanëve, që janë vetëm 4% e popullsisë së botës (dhe nuk jetojnë të gjithë në luks, përkundrazi), do të duheshin pesë planete si i yni (duke konsideruar shfrytëzimin e burimeve energjitike etj.). Në këtë kontekst, lidhur me projektin e Karaburunit pasagjerët e autobuzit tonë duhet të dinë jo vetëm që energjia e prodhuar nga ky park do të shkojë e gjitha në Itali dhe për pasurimin e italianëve, por edhe se paratë që jep Brukseli për energjinë alarnative - siç jepen në këtë rast - përsëri do të shkojnë për kompaninë italiane.
Përjetësia fitohet për mirë ose për keq, kjo dihet. Berisha e ka fituar një herë përjetësinë në vitin 1997 kur, pasi lejoi piramidat financiare dhe i paraqiti si zhvillim, e çoi autobuzin deri në greminë pa u tërhequr nga timoni. Ai kishte vetëm një shans ta korrigjonte përjetësinë për keq që ka fituar. Që njerëzit të mund të thonin se ka bërë keq, por ka bërë edhe ca gjëra të mira, pasi mësoi nga gabimet. Mirëpo jo. Atij i duket pak përjetësia për keq që ka fituar me 97-tën, ai don të lerë vulën e përjetësisë së tij edhe me këto projekte që, për dëmet që do t'i shkaktojnë vendit, i kalojnë në terma afatgjata dëmet që ka shkaktuar lejimi prej tij i piramidave financiare dhe tërë tragjedia që shkaktoi ajo. Edhe në terma jetesh njerëzore, madje, sepse, po të bësh kalkulimin e dëmeve shendetsore që do të sjellë ndotja që ai don t'i bëjë pjesës më të banuar nga shqiptarët, që nga Lezha deri në Vlorë, numri iviktimave do të dalë më i madhe sesa ai i 97-tës. Megjithatë, ashtu sikurse në 97-ën, përgjegjësia për këtë nuk mund t'i lihet vetëm shoferit. Për këtë kanë përgjegjësi edhe shumë nga ata rrotull tij që as nuk duan t'ia dinë për përjetësinë, pasi janë të verbuar pas parasë, e që s'kanë guximin të marrin as përgjegjësi për çka po i gatuajnë vendit duke ia lënë këtë të gjithën Berishës. Por për këta skuthër të politikës, që nesër mund t'i shohim pa problem në ekipin e shoferit tjetër, do të shkruaj një herë tjetër. (Korrieri, 4 nëntor 2008)
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...