Saturday, September 9, 2017

Skënderbeu dhe kolibri

Debati i hapur së fundmi midis skënderbejanëve dhe myslimanëve, i nxitur nga mbulimi i Skënderbeut gjatë lutjes tek sheshi, ka të bëjë, në thelbin e vet, me pyetjen: a mundet dhe a duhet të konsiderohet Skënderbeu detyrimisht zoti i parë i gjithë shqiptarëve, sepse përndryshe, po u futën zota të tjerë mbi të, (veçanërisht Allahu i myslimanëve) kombi rrezikohet, apo sekush është  i lirë të ketë zotin e vet sipas vizionit që ka për botën, besimin, profesionit, etj.?  Personalisht do t'i përgjigjesha kësaj pyetje duke cituar Aurelio Simmaco përfaqësues i paganëve në senatin romak (384), i cili, duke debatuar me senatorët e krishterë, që kërkonin eliminimin e besimeve të tjera në perandori, u thoshte atyre: "Un intere non potes pervenire ad tem grande secretum" (një rrugë e vetme nuk mjafton për të të çuar në një sekret kaq të madh).
Pra sipas meje nuk na mjafton as Skënderbeu i nacionalistëve as Allahu i myslimanëve për të gjetur rrugën e së vërtetës sonë. Për ata që mendojnë ndryshe nga unë, se kanë gjetur rrugën e vetme, them se duhet të respektojnë rrugët e të tjerëve. Këtë e them për të gjithë, por mbi të gjitha për skënderbejanët meqenëse ata janë më agresivët.
***
U ngacmova për të rihyrë në këtë debat nga një shkrim i Artan Lames i cili mbyllej me një citim nga kujtimet e Nolit. Atje Noli tregon se, kur ishte fëmijë, i ati, që i kishte kultivuar kultin e heroit, i thoshte që, sa herë të gjendej në ndonjë situatë të vështirë, të pyeste veten: "çfarë do të kishte bërë Skënderbeu në këtë rast?". Dhe Lamja e mbyllte shkrimi duke thënë: "jemi të gjithë Skënderbe".
U ngacmova nga ky pasazh sepse unë p.sh. fëmijës tim i them: kur të jesh në vështirësi ndiq shembullin e kolibrit, zogut më të vogël të pyllit, dhe i tregoj një përrallë indoamerikane.
Por, përpara se të tregoj përrallën po shpjegoj se pse nuk i them: "mendo Skënderbeun" megjithëse i kam lexuar edhe unë kujtimet e Nolit?  Po, ja, duke lexuar Lamen si njeri që e ka interiorizuar këtë porosi, për shoqërim idesh, mu kujtua një rast kur kemi qenë të dy së bashku në vështirësi. Atëherë kur Edi Rama vendosi të prishte stadiumin Qemal Stafa që na dhembi të dyve shumë, e donim ta pengonim. Mu kujtua se Lamja asohere doli në shenjë proteste nga mbledhja farsë tek Hotel  Tirana që Edi Rama e paraqiti edhe si dëgjesë edhe si aprovim projekti. Kurse unë bashkë me disa miq e aktivistë të shoqërisë civile tentuam të hyjmë për të shprehur mendimin tonë kundër, por na ndaluan bodigardët e pronarit të hotelit dhe u mjaftuam duke dhënë disa deklarata për shtyp.
E pra, a ju duket se kaq do të kishte bërë heroi ynë i madh Skënderbeu ashtu siç e kemi të modeluar në kokë? Jo, jo; po të kishte qenë ai në vendin tonë nuk do ta kishe bërë dy, por do të kishte hyrë me kalë në Hotel Tirana, do t'i kishte prerë me shpatë bodigardët e Ram Gecit sikur t 'i kishin dalë përpara, do të kishte vërshyer në sallën e mbledhjes e do të kishte bërë namin.  Le më sikur të kishte qenë në
sallë si Lamja. Kurrsesi s'do kishte dalë prej andej, por do ta kishte detyruar Ramën t'ia mbathte për të shpëtuar kokën duke e bërë që të mos i shkonte më kurrë mendja  të prishte stadiumin, e jo më t'i ngrinte edhe atë gungën e shëmtuar përpara syve  tek sheshi. (Të them të drejtën nuk jam i sigurt nëse, pasi të kishte çliruar sallën nga Rama dhe të vetët,  do të mbante pastaj atë fjalimin e famshëm: "lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush".)
Kurse ne jemi shumë të vegjël për të bërë mrekullira të tilla. Sepse ai është hero kurse ne jemi njerëz të thjeshtë, që as duhet të na shkojë mendja të krahasohemi me të e të pyesim se çfarë do të bënte ai sikur të ishte në vendin tonë, e jo më të themi: "jemi të gjithë Skënderbe". Mirëpo duke parë se sa shumë jemi ne të vegjlit dhe se kërkund nuk po na del ndonjë hero i madh, shpëtimtar, unë shtroj pyetjen: mos duhet ta shohim një çikë si ndryshe këtë punën e heroit. Mos problemi është tek modelimi që i kemi bërë atij duke e paraqitur si supernjeri që vjen e shpëton një popull të tërë. Një psikoanalist jungian do të na shpjegonte se Skënderbeu që kemi në kokë është sendërtim i arketipit të heroit që kemi në subkoshiencën tonë dhe se, që të bëjmë vërtet ndonjë akt të guximshëm, duhet të kuptojmë këtë diference duke e integruar këtë arketip në koshiencën tonë.  Se vetëm atëherë do të mund të bëhemi shpëtimtarë të vetvetes e pastaj do të mund të ndihmojmë dhe të tjerët; kurse fakti që mburremi me Skënderbeun supernjeri dhe presim një Skënderbeg që të na shpëtojë nga e keqja tregon se kemi mbetur në stad fëminor.
Por le t' kthehem modelimit. Unë ngulmoj se vështirësia për ta integruar në koshiencë Skënderbeun si hero qëndron edhe në atë se,  ashtu siç e kanë modeluar rilindasit dhe veçanërisht  rimodelimi që i ka bërë soc-realizmi, nuk na ndihmon për këtë. Së pari, sepse ashtu si ata heronjtë e filmave më të këqij komercialë të Hollivudit apo të soc-realizmit, si superhero ai krijon shumë distancë me realitetin e mundësive të qenies njerëzore. Së dyti, sepse ai është një figurë e modeluar në kohët që kanë pjellë figura autoritare, që kanë udhëhequr masat drejt luftërave kurse ne jetojmë në kohën e paqes dhe në demokraci. Pastaj pamja që i ka dhënë Odhise Paskali bazuar në filmin e famshëm të viteve 50, është, siç shkruan studiuesja Jane Sugarman: "Një formë e pacipë e maçoizmit nacionalist". A mund të imagjinohet një grua shqiptare të pyesë veten çarë do të bënte Skënderbeu në vendin tim?
Atyre që në këtë pikë të shkrimit do të thonë ja ky  maskarai po na shan  përsëri Skënderbeun po nxitoj tu them: mos u ngatërroni, nuk e kam me Skënderbeun e vërtetë, por me ata që e kanë modeluar kësisoj.
Po më mirë të kaloj tek përralla indoamerikane që i tregoj vajzës time të vogël, e që po e sugjeroj për të gjithë. Është një përrallë që e kam dëgjuar nga mendimtari i shquar franko - algjerian ("maître à penser" i thonë francezët) Pierre Rabhi, i cili, çprej 50 vjetësh, ka lënë qytetin dhe ka ndërtuar një jetë në fshat mbi parimin e ndërtimit të lumturisë nëpërmjet një jete të përkorë, në harmoni me natyrën, në mbrojtje të planetit nga ata të shumtë (veçanërisht në vendin tonë) që çdo bukuri natyrore e shohin me syrin e deformuar nga babëzia dhe kërkojnë ta shfrytëzojë për të nxjerrë përfitim material. Duke dashur të përshkruajë kuptimin e zgjedhjes së jetës së tij ai tregon këtë përrallë:
Një ditë, në pyll ra një zjarr i madh, i tmerrshëm dhe të gjitha kafshët u mblodhën të dëshpëruara se ndjeheshin të pafuqishme për ta shuar. Në atë moment kolibri, zogu më i vogël i pyllit, fluturoi e shkoi e mori me sqepin e tij ujë tek një përrua dhe e hodhi mbi flakët. Pastaj shkoi prapë, e prapë. Një nga kafshët e pyllit e pa dhe i tha me qesëndi: "Po ti o kolibër, me atë sqepin tënd kujton se do ta shuash zjarrin?" Kolibri iu përgjigj: "E di, por unë bëj pjesën time." (Panorama,  7 shtator 2017)
    
   

Friday, September 8, 2017

Nëse PD dhe LSI duan të mbijetojnë

Dy shkrimet e fundit ia kam dedikuar analizës së të kaluarës dhe të ardhmes së dy partive opozitare më të votuara në vend: PD-së dhe LSI-së. Në këta shkrime, më të rëndësishme se analizat e të shkuarës, konsideroj propozimet që bëj për transformimet e tyre të mundshme me synim daljen nga sistemi i grabitjes së shqiptarëve  dhe kundërvënien ndaj tij. Në këtë kontekst, përsa i përket  PD-së, meqenëse ka njëzetepesë vjet që deklarohet parti e djathtë, propozoj kthimin e saj nga një parti e sistemit të grabitjes, që ideologjikisht predikon të djathtën liberale, në parti të djathtë sociale. Për LSI-në propozoj kthimin e saj nga parti “pragmatiste”, në fakt parti e sistemit, në parti vërtetë socialiste, - ndryshe mund të përdor termin e majtë sociale si kundërvënie ndaj të majtës liberale siç vetëkonsiderohet PS-ja.
Qoftë nëpërmjet kontaktesh direkt qoftë nëpër rrugë mediatike më kanë ardhur disa vërejtje e komente të rëndësishme përgjigja ndaj të cilave më ndihmon të shtjelloj më mirë se çfarë kam pasur parasysh.

 A nuk do të ishte më mirë që PD të luftonte për tu bërë një parti e vërtetë liberale, pra e qendrës së djathtë, dhe jo e djathtë sociale që, veç të tjerash, evokon partitë fashiste – më shkruan dikush - sepse edhe vetë PS-ja nuk është parti liberale në kuptimin e vërtetë të fjalës, që t’i ketë uzurpuar PD-së vendin në  spektrin politik.
Në kushtet aktuale këtë sugjerim  e shoh të pamundur të realizohet. Le të shpjegohem. Ajo çka vihet re prej kohësh në Shqipëri është fakti se individualizmi, si shprehje e ideologjive liberale apo neoliberale (që fillimisht i kemi përqafuar të gjithë si reaksion ndaj komunizmit) ka marrë përmasa të frikshme. Për njeriun shqiptar çdo gjë publike: zyra në administratë, spitalet apo shkollat publike, politika, vetë shteti janë bërë mjete për t’u përdorur për përfitime personale; për t’i grabitur tjetrit mundësisht edhe hisen e ajrit, diellit, tokës apo detit. Për këtë ka ndikuar jo vetëm regjimi komunist, që, duke imponuar një kolektivizim të detyruar dhe absurd, e bëri njeriun shqiptar antisocial, por ka ndikuar edhe përqafimi nga politika i ideve neoliberiste që triumfuan në fillim të viteve 90, të sintetizuara në thënie e Thatcherit: “Nuk ka shoqëri, ka vetëm individë”. (Më poshtë do të përdor termin “liberiste” dhe jo “liberale” duke bërë dallimin që bëjnë italianët midis dy termave që me “liberale” kuptojnë liri shumë më të gjëra sesa liria ekonomike kurse me “liberiste” kuptojnë vetëm lirinë ekonomike, që merr konotacion negativ për pasojat që sjell edhe për liritë e tjera).
Problemi është rënduar sepse të gjitha partitë e krijuara (si PD e LSI) apo  transformuara (si PS) përqafuan neoliberizmin si ideologji duke e keqpërdorur atë për të justifikuar përdorimin e shtetit si instrument individësh grabitqarë. Sot mund të thuhet se energjia që çliroi njeriu i promovuar prej këtyre politikave rezultoi shkatërrimtare për shoqërinë, kombin - nëse me këto do të kuptojmë bashkësi individësh që s’kanë vetëm të sotme, por edhe një të kaluar dhe një të ardhme. Sot Shqipëria banohet nga një masë kaotike individësh që vështirë se mund ta quash shoqëri apo komb sepse po hanë njëri tjetrin, aq sa po diskutohet mbyllja e dyerve të Evropës për shqiptarët pse po eksportojnë atje krimin. Pra, ashtu sikurse dje u bëmë rasti më i shëmtuar i totalitarizmit komunist sot jemi bërë shembulli ekstrem i neoliberizmit të praktikuar me frymë totalitare.
Gjykoj se në këto kushte kërkesa për një parti “liberale të vërtetë” për opozitën e djathtë, siç vetëquhet PD-ja, nuk do të ishte gjë tjetër veçse ruajtje e statukuosë. Sepse nuk ka një liberalizëm të vërtetë. Individualizmi i ka në AND-në e vet shumë nga të këqijat nga të cilat vuan sot edhe bota perëndimore ku ka parti vërtet liberale. Por ndërsa atje këto të këqija  i zbut shteti i së drejtës si dhe kundërpeshat institucionale bazuar në faktin se njeriu nuk është vetëm qenie individuale, por edhe qenie sociale, siç janë psh. komunitetet fetare, organizatat fetare, filantropike apo edhe partitë e djathta e të majta sociale, në Shqipëri ato janë ulëritëse sepse këto mungojnë mungojnë tërësisht ose janë pa ndikim.
Normalisht të gjitha partive u duhet kërkuar zhvendosje drejt sociales. Por mundësia që këtë ta bëjnë partitë opozitare është më e madhe. Sepse rreth PS-së së Edi Ramës sot janë grumbulluar të tërë ata që po e aplikojnë individualizmin në formën më agresive, shpesh kriminale, me në krye kryeministrin, i cili ka arritur deri aty sa ka zhdukur çdo dallim midis Kryeministrisë si institucion publik dhe si pronë private, prandaj më duket e vështirë të vijë ndryshimi prej saj, përkundrazi ajo është objektivi që duhet goditur.
Në këtë kontekst, nuk e kam përdorur termin “e djathta sociale” duke pasur parasysh partinë fashiste të Musolinit, aq më pak një parti me frymë totalitare, të dhunës dhe nacionalizmit si urrejtje ndaj të tjerëve. Kam pasur parasysh faktin se sot në botë ekzistojnë të djathta edhe të majta që kanë zhvilluar një mendim politik alternativ ndaj neoliberizmit dominant.
Me të djathtë sociale kuptoj një të djathtë që i kundërvihet  individualizmit liberist (ndryshe këtij kapitalizmi të egër) duke predikuar shpirtin e komunitetit (komunitarizëm), që e sheh njeriun pra jo thjeshtë si individ, por si pjesë e një komuniteti qoftë ky fetar, etnik apo nacional, që i mëshojnë idesë se nëse me individualizmin njeriu vdes me njeriun në komunitarizëm ai vazhdon të jetojë pasi shihet si pjesë e një komuniteti. Dhe prandaj komunitarizmi kërkon t’i ruajë dhe mbrojë traditat e të drejtat e këtyre komuniteteve nga agresioni i individualizmit që kërkon t’i copëzojë ato.
Ky është një propozim që e bëj për PD-në që nuk do të ishte gjithsesi, si e tillë, partia ime. Personalisht do të votoja për një të majtë që i rikthehet sociales, që i propozoj LSI-së. Me të kam parasysh një të majtë që i mëshon sociales, mbështetur mbi idealet e barazisë kundër polarizimit, të solidaritetit kundër egoizmit, që i kundërvihet  alienacionit të njeriut të reduktuar në “homo economicus”, kombinuar me gjithë ato tipare të reja që ka përqafuar e majta sot si p.sh idetë e ruajtjes së natyrës nga degradimi që po i bën etja për pasurim e një grushti njerëzish, kritikat kundër “zhvillimit” i kuptuar si rritje e GDP-së – më së shumti nëpërmjet rrënimit të ambientit -  në emër të “progresit” i kuptuar si rritje e cilësisë së jetës në harmoni me natyrën, si humanizim i shoqërisë etj.. Nuk është vështirë t’i gjesh idetë nëse i kërkon; problemi është se partitë tona janë të izoluara nga këto ide dhe e kanë mbajtur edhe shoqërinë të izoluar sepse u ka interesuar që njeriu të ndjehet thjesht e vetëm si individ i braktisur  në fatin e tij dhe jo si pjesë e një komuniteti që mendon jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen e tij e që vepron i bashkuar kundër rreziqeve që i kanosen.
Sistemi i grabitjes arrin të mbajnë sot për sot shumicën e popullit nga vetja jo vetëm pasi oligarkët kanë para për t’u siguruar mbijetesën sot për sot, por edhe nëpërmjet mbajtjes së njerëzve në analfabetizëm funksional, që të mos dinë/duan të lexojnë as të artikulojnë mendime të tilla, deri as të njohin kuptimin e fjalëve të tilla të rëndësishme si e djathta sociale apo e majta, liberizmi, neoliberizmi, komunitarizmi etj.. Deri më sot PD si parti e sistemit është mjaftuar tu thotë të vetëve, me gjuhën primitive të një komunisti të konvertuar në antikomunist, se të jesh i djathtë do të thotë të jesh kundër komunistëve të djeshëm që ju kanë persekutuar dhe bijve të tyre, të jesh me Amerikën të jesh nacionalist e fraza të tilla, kurse një parti si PS-ja apo edhe LSI-ja u thënë të vetëve se ata (të majtët pra) janë më të mirë, madje më antikomunistë, se komunisti i konvertuar në antikomunist Sali Berisha. Ndërkaq, të gjitha akuzojnë njëra tjetrën për korrupsion dhe të gjitha u propozojnë shqiptarëve Evropën e modelit liberist, paçka se në realitetin Evropë ka aq shumë diferenca dhe aq shumë debat mbi të ardhmen e saj nga këndvështrime të ndryshme.
PD dhe LSI duhet të shkëputen nga ky thjeshtëzim banal nëse duan të mbijetojnë.


Një pyetja e dytë është: Por, duke propozuar këtë dalje në ekstreme të dy partive si mund të mendohet një koalicion midis tyre që të mund të heqë qafe këtë parti oligarkësh që duke pas pushtuar ideologjikisht qendrën kërkon të mbulojë të gjithë spektrin siç është ajo e Edi Ramës.
Përgjigja ime është kjo:   
Në thelbin e shkrimit tim është nevoja për të përfaqësuar të papërfaqësuarit qoftë si shtresë ekonomiko-sociale e papërfaqësuar, qoftë edhe si dimension social i njeriut i pa kultivuar.  Kjo punë duhet të fillojë pavarësisht a merret apo nuk merret pushteti nesër. E sigurt është se ndërgjegjësimi i të papërfaqësuarve nëpërmjet kësaj pune herët ose vonë do t’i merrte elektoratin maxhorancës  neoliberiste të oligarkëve – duke imponuar edhe ridimensionimin e saj - si dhe për të ngritur shtetin ligjor që sot për sot nëpërkëmbet edhe pse dy partitë në fjalë, duke qenë pjesë e sistemit të grabitjes, nuk u ka interesuar drejtësia dhe shteti ligjor. Pra, nëse Edi Rama sot predikon se përfaqëson të gjithë popullin, duke punuar për një grusht njerëzish kundër popullit, ajo që propozoj në thelb është që partitë opozitare të transformohen ashtu që t’i marrin PS-së popullin dhe t’i lenë oligarkët dhe kriminelët.  Edhe për koalicion gjykoj se ka vend nëse të dyja takohen e bien dakord të konvergojnë tek socialja.

Dakord me këtë analizë e këto kërkesa, por a mund të transformohen këto parti të korruptuar fund e majë me sistemin apo duhen lëvizje të reja, siç ka folur edhe vetë? – më thotë dikush tjetër.
Kush i ka lexuar me vëmendje dy shkrimet e mija të fundit nuk është se shfaq ndonjë optimizëm për të ardhmen e këtyre partive. Përkundrazi, duke iu referuar një thënieje të famshme të Romain Rolandit “pesimizmi i intelekti, optimizmi i vullnetit” them se gjasat që të ndodhë ajo që kërkoj janë minimale për të mos thënë zero, por me “optimizmin e vullnetit”  nuk mund të mos e kërkosh këtë nga këto parti. Historia tregon se kanë qenë shpesh herë nevojat ulëritëse të kohës që i kanë detyruar shumë parti historike të transformohen për të mbijetuar. Mjaft të kemi parasysh partitë ish komuniste si në Lindje edhe në Perëndim.  E vërteta është se ato u transformuan kur ra sistemi, por unë gjykoj se shenjat e rënies së këtij sistemi janë shfaqur dukshëm tashmë. Personalisht jam i bindur se thirrja për socialen për mbrojtjen e publikes për uljen e polarizimit herët ose vonë do t’i imponohet edhe partisë sistem siç është sot PS-ja.
Lindja e forcave të reja mbi këto ide do ta nxiste përshpejtimin e këtij fenomeni. Kam parasysh PSD. se disa nga propozimet kryesore të “Lëvizjes Pesë Yjet” në Itali, siç është caktimi i një të ardhure mujore për çdo shtetas italian që është i papunë tashmë janë bërë pjesë edhe e programeve të partive tradicionale.  Por ajo që vere me keqardhje është se edhe parti të reja si ajo e Blushit dhe e Bojaxhiut që janë konsiderohen anti-sistem  tentojnë të rrinë në qendër, si parti liberale.
Një pyetje tjetër që mund të lindë në këtë diskurs është: po e mund të lindin parti komunitariste atje ku, siç e thua edhe vetë, nuk ka komunitete? Vërtet kështu është, por shpirti komunitar edhe mund të zhvillohet, pasi bën pjesë në potencialitetet njerëzore  Dhe në këtë aspekt mendoj se e djathta mund tu drejtohet vlerave të komuniteteve fetare që ekzistojnë në vend, atyre rajonale pa harruar edhe  ndjenjat e vërteta patriotike me të cilat deri më sot kanë abuzuar të gjitha. E majta, nëse do të jetë e majtë e ka më të vështirë për të kërkuar komunitarizmin dhe solidaritetin në drejtim të traditës, por e ka edhe më të lehtë nëse do të punojë për të zgjuar të gjithë atë pjese të popullsisë shqiptare që është viktimë e vendimmarrjeve oligarike që kanë pasuruar një grusht njerëzish në kurriz të pasurisë publike dhe djersës së shumicës. (25 gusht, 2017)

LSI – e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja

Ilir Meta e ka pasur një talent si politikan, që e veçonte nga bashkëmoshatarët që i hynë politikës pas viteve 90. Ai ishte edhe i ngjashëm me liderë si Berisha, Rama përsa i përket ambicies për të qenë i parë dhe për të vënë interesin e vet përmbi çdo gjë, por edhe i ndryshëm sepse dukej më realist dhe më i aftë për të dëgjuar të tjerët, autoritar më me takt se ata, gjithashtu. Ky talent u shfaq mbi të gjitha në aftësinë që tregoi për të krijuar nga zeroja një parti me peshë në lojën politike.
E vërteta është se përveç këtyre aftësive e ndihmuan edhe disa rrethana. Për shkak të Nanos më herët dhe të Ramës më pas ai mundi të tërheqë rreth vetes mjaft figura socialistësh që e panë se në PS-në gjithnjë e më të kapur nga njerëzit e paskrupullt ose do të hiqeshin qafe krejt ose do të depersonalizoheshin edhe më. Po ashtu atë e mbështeten shumë socialistë që u zhgënjyen me Nanon e korruptuar, por që kurrsesi nuk mund të shkonin tek Berisha.  Sigurisht e ndihmoi edhe fakti se, duke pas qenë kryeministër, kishte krijuar një rrjet të vetin, madje, sipas gojëve të liga, kishte siguruar edhe mjaft para që i futi në punë - sepse, le të mos harrojmë se Nano e rrëzoi Metën  kryeministër pikërisht me akuzat për korrupsion.
A mjaftonte kaq për të krijuar një parti të re që do të mund të konkurronte me dy partitë e mëdha? Koha ka provuar se jo. Një nga arsyet kryesore është sepse një parti duhet të jetë edhe një lloj kishe a xhamie laike rreth të cilës mblidhet një komunitet. Njerëzit duhet të besojnë në të edhe mbi bazën e një interesi shpirtëror, shpresash e idealesh të përbashkëta, përkatësie të përbashkët klasore, apo edhe thjesht trashëgimie historike. Ky dimension i ka munguar Ilir Metës dhe partisë së tij ose më saktë ai s’ka ditur apo s’ka mundur ta ndërtojë, dhe as nuk e ka trashëguar. Sepse pema e Partisë Socialiste, përtej degëve të reja gjithnjë e më të fuqishme të njerëzve të krimit e korrupsionit, ka trashëguar edhe ndoca “rrënjë” të “rrapit” të vjetër d.m.th. ish komunistë nostalgjikë që shohin tek ajo partinë e Enver Hoxhës, apo forcën që mundi t'i kundërvihej Berishës që kërkonte tu shkatërronte edhe mitin e Luftës e t’i nxirrte jashtë loje duke i akuzuar për të shkuarën. Po ashtu PD-ja, përveç degëve të saj të krimit e korrupsionit (sot të dobësuar shumë për shkak të mungesë së pushtetit), ka ruajtur edhe ajo do rrënjë që të çojnë tek e kaluara antikomuniste e shumë prej mbështetësve të saj që votojnë kundër Partisë Socialiste sepse shohin tek ajo persekutorët e tyre të djeshëm.
Kurse Ilir Meta dhe LSI e tij nuk i kishte këto rrënjë. Nga rrënjët e vjetra të partisë mëmë ai tentoi të merrte komunistët e Skraparit, bazuar mbi ndjenja krahinore dhe nderet që u kishte bërë kur qe kryeministër i PS, por pas koalicionit me Berishën më 2009 e humbi edhe këtë shans bashkë me ambicien që të rimerrte PS. Kështu LSI mbeti një parti “pragmatiste”, siç i pëlqen Metës ta cilësojë, duke keqpërdorur konceptin e pragmatizmit, (pasi ai nënkupton një ide të suksesshme për shoqërinë dhe jo manovra për tu fuqizuar e pasuruar Ilir Meta me shokë në kurriz të shoqërisë). Si e tillë, veçanërisht pasi u lidh me PD-në në 2009, LSI-ja mori gjithnjë e më shumë tiparet e atyre bimëve kacavjerrëse që në vend të rrënjëve kanë ventuza me të cilat u ngjiten trungjeve të pemëve të mëdha.
Duke dashur ta justifikojë shkacavjerrjen e tij nga njëra pemë në tjetrën Meta ka thënë se ai ka ruajtur stabilitetin e vendit. Në fakt, më së pari, ai ka gjetur mënyrën më efikase për të mbajtur gjallë e rritur anëtarësinë e partisë së tij - pa rrënjë dhe pa ideale - në një Shqipëri me njerëz gjithnjë e më të varfër shpirtërisht e intelektualisht. Përsa i përket pretendimit të “stabilitetit”  do të thosha se partia e  tij ka funksionuar, siç e kam quajtur në një shkrim të vitit 2014, më shumë si “shtylla e sistemit” të partito/bandokracisë. Kjo në dy kuptime: njëri negativ e tjetri pozitiv. Negativ sepse ajo po stimulonte sistemin të zhveshur nga idealet dhe, e legjitimonte atë, duke dhënë iluzionin e rotacionit dhe ndryshimit pa ndryshuar asgjë. Pozitiv, sepse duke u thithur një pjesë të lëngut pemëve të mëdha nuk i linte ato të fuqizoheshin aq shumë duke penguar rrëshqitjen e parti/bandës qeveritare të radhës në autoritarizëm e autokratizëm ekstrem.
Por, në artikullin në fjalë, që u shkrua në kulmin e pushtetit të tij, kur  festoi ditëlindjes me 600 të ftuar nga PS dhe PD bashkë me gazetarë e intelektualë përkatës, kam bërë edhe një parashikim. Aty shkruaja se, “paradoksalisht, Ilir Meta është edhe njeriu më i dobët i Shqipërisë pikërisht pasi është njeriu më i fortë.” Këtë e shpjegoja me faktin se në të dy krahët e Ilir Metës qenë dy parti që, për të fituar simpatinë e munguar të shumicës së shqiptarëve, do ta sulmonin atë, kur të binte sistemi, për të larë duart e tyre të pista. Ju kujtoj se PD kishte filluar ta përgojonte LSI si shkakun e humbjes së zgjedhjeve të 2013-ës, medemek se ishte aleanca me një parti të korruptuarish, si ajo e Ilir Metës, që kishte prishur edhe imazhin e PD-së së pastër me Saliun, njeriun e ndershëm, në krye të saj. Në anën tjetër kishte filluar të rritej numri i atyre socialistëve që, kur flisnin për Edi Ramën, njeriun që me idealizmën e tij punonte vetëm për historinë, alibinë e mashtrimeve të tij të përditshme, e gjenin tek “ventuzat “e partisë së Ilir Metës.  Në këtë lojë i vetmi që s’dukej të kishte shans të ndahej nga sistemi, sepse kishte qenë vazhdimisht në pushtet, qe  “shtylla e tij”, Ilir Meta.
Them se parashikimi im u vërtetua vetëm pjesërisht gjatë fushatës elektorale 2017, ku si PS dhe PD filluan, që të dyja, të sulmonin “shtyllën e sistemit”. Madje kulmin në këtë fushatë denigruese e arriti bashkëqeverisësi i katër vjetëve të fundit, Edi Rama. Pse them “vetëm pjesërisht”? Sepse sistemi i grabitjes së shqiptarëve nga partitë/banda nuk ka rënë. Sulmet e Ramës dhe Bashës ndaj Metës, si përfaqësues i sistemit  të “tepsisë” apo “shushunjave”, nuk erdhën pse këta panë fundin e tij, siç panë shumë ish komunistë fundin e hoxhizmit dhe nxituan të bëhen demokratë duke demonizuar të tjerët. Rama e sulmoi sistemin duke i vënë emrin “tepsi” ku hante LSI-ja, sepse kërkonte të hiqte ventuzat e Metës që të fuqizohej duke mbetur ngrënësi i vetëm. Basha e ndihmoi për këtë s’dihet saktë se pse (pasi marrëveshja e tyre ka qenë e fshehtë), por ndoshta duke menduar se kështu mund të mbetej skuadra e vetme rezervë e sistemit pas plakjes së lojtarëve të Rilindjes.
Por, edhe pse sistemi nuk ka rënë, diçka ka ndryshuar megjithatë. Më së pari është bërë e qartë natyra e tij ekstremisht e dëmshme. Mjaft të kesh parasysh se të tre palët e sulmuan në këtë fushatë duke ia atribuuar atë njëri tjetrit. Fakti është se, siç e kam shkruar edhe në shkrimin para këtij për PD-në, edhe ato që i quajta “parti/pemë”, për lehtësi krahasimi, në fakt me kohë janë shndërruar gjithnjë e më shumë në parti pa vizione pa kujtesë historike dhe pa ideale, në përbindësh kacavjerrëseme ventuza të stërmëdha të ngjitura në trupin e vendit në forma koncesionesh e tenderimesh korruptive si dhe lidhjesh me botën e krimit të organizuar. Në luftën midis tyre, edhe për shkak të etjes për pushtet edhe për shkak se “ushqimi” po pakësohet përditë edhe për shkak të mbështetjes miope ndërkombëtare  Edi Rama ia arriti të mbetet përbindëshi i vetëm mbi shpinët e kërbunjura të shqiptarëve, shtylla e vetme e sistemit – në fakt vetë sistemi. Ilir Meta, pra, s’mund të quhet më “shtylla e sistemit” në të gjitha kuptimet që i kam dhënë në 2014. Ideja e Ramës për bashkëqeverisjes direkt me popullin pa përfillur opozitën, mediet kritike, shoqërinë civile nuk është gjë tjetër veçse mashtrimi i radhës që ka gjetur  një nga krijuesit më agresivë të sistemit Rama, për të zëvendësuar rolin që luante Meta me alibinë e rotacionit.
Në këtë kushte LSI, edhe pse mori një numër të konsiderueshëm deputetësh në sajë të dhjamit që kishte vënë kur ishte në pushtet, sot është çdo ditë e më shumë me ventuzat në ajër. Sot pyetja që shtrohet është: a mundet LSI me burimet njerëzore që ka, dmth. njeriun që ndjek partinë vetëm për paranë, të ndërtojë një parti të majtë (siç vetëquhet pa qenë e tillë deri më sot)  me rrënjët në tokë, dmth tek shtresat më të brishta të shoqërisë, të kërkojë më shumë shtetin social, mbrojtjen e publikes nga agresioni i privates dhe të kontribuojë për shembjen e kësaj oligarkie të papërgjegjshme dhe kriminale? Apo gjethet e degët e saj të mbetura në ajër, pa ventuza të ngulitura në trungun e PS do të thahen e do të bëhen humus për ta ushqyer atë? Me pesimizmin e intelektit” mund të them se gjasat më të mëdha janë që të ndodhë kjo e dyta  sepse të besosh të kundërtën është sikur të besosh se një bimë kacavjerrëse mund të shndërrohet në pemë me rrënjë në tokë. Me “optimizmin e vullnetit” mund të them se s’duhet reshtur së kërkuari, qoftë edhe nga LSI-ja një mutacion i tillë (ashtu sikurse kërkova në shkrimin paraardhës kthimin e PD-së në një parti të djathtë sociale), sepse vendi është në ditët më të errëta përsa i përket shpresës  se këtu mund të mbesin njerëz normalë, që nuk jetojnë thjesht e vetëm për fitimin e parasë duke grabitur të tjerët dhe të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi, por që  të kenë inteligjencë për të parë se ku po shkon ky vend në duart ku ka rënë, simpati dhe  empati për të tjerët, aspirata për ta humanizuar këtë shoqëri. (Panorama, 14 gusht 2017)




E ardhmja e PD-së si ideal dhe si realitet

Shqetësimi për fatet e opozitës sot duhet parë i pandarë nga shqetësimi për të ardhmen e vendit, veçanërisht në një situatë ku gjithkush ndjen rrezikun e mbetjes pa opozitë. Me këtë vështrim kam ndjekur zhvillimet e fundit në PD, pas humbjes së rëndë të zgjedhjeve, veçanërisht polemikat brenda dhe jashtë saj  të iniciuara nga kritikët e Bashës.
Në këtë shkrim do të ndalem në disa tema kryesore të kësaj çështjeje.

PD dhe trashëgimia e saj
Tema kryesore e kritikave dhe sulmeve kundër Bashës ka qenë mungesa e demokracisë në vendimmarrjet e tij: për hapjen e mbylljen e çadrës, për marrëveshjen me Ramën, për listat e deputetëve, për mosdhënien e dorëheqjes, për mënyrën se si i organizoi zgjedhjet për kryetar. Janë të gjitha kritika të drejta, por puna është se ato janë ndalur tek faza akute e sëmundjes (Basha) duke lënë jashtë shkakun e vërtetë të sëmundjes: kulturën politike të kalçifikuar në PD gjatë periudhës së Berishës, protagonistë të së cilës kanë qenë edhe shumica e kritikëve të sotëm të Bashës. Në kritikat e tyre periudha e Berishës u mistifikua si një periudhë “e artë” e “fitoreve”, dhe PD u trajtua si  një “pasuri kombëtare” që po shpërdorohet apo po shitet nga Basha tek kundërshtari. Kurse gabimet e përgjegjësitë e asaj  periudhe u kaluan me një frazë të vetme: “për këtë janë dhënë dorëheqjet.”
Gjykoj se një qasje e ndershme dhe serioze do të ishte ajo që do ta fillonte kritikën me atë periudhë, me ballafaqimin me vetveten, me Berishën, që do të çonte në një trajtim krejt tjetër të trashëgimisë së PD-së. Sepse e vërteta historike është se pas atij momenti të parë të shkurtër kur PD përbashkoi shumicën e shqiptarëve kundër regjimit,  ajo,  me në krye liderin e saj historik, ka bërë thuajse vetëm gabime përsa i përket idealeve të lirisë dhe të demokracisë që po përmenden aq shumë sot si atribute të saj. Lideri Sali Berisha, fill pasi mori pushtetin, filloi të pastrojë partinë nga kundërshtarët, kryesisht intelektualë, të demonizojë opozitën, të uzurpojë e shpërdorojë televizionin publik, të verë nën kontroll drejtësinë, shoqërinë e porsalindur civile. Këto e çuan tek  rënia e shpejtë e popullaritetit çka e shtyu të rrëmbejë me dhunë zgjedhjet më 1996, ndërkohë që ekonominë e vendit e kishte futur në një hulli kriminale, atë të trafiqeve, të kontrabandës e pastaj   të piramidave financiare që u bënë aleatet elektoralë të tij.  Kështu, në harkun e disa vjetëve, PD degjeneroi deri në atë pikë sa brenda dhe jashtë vendit sistemi që ajo  kishte ngritur u cilësua si “regjim gangsterësh”.
Kjo është trashëgimia   e PD-së gjatë pushtetit të parë. Ishte një PD kaq e mbrapshtë që mbajti në këmbë një tjetër “pasuri kombëtare”, që meritonte të shkrihej, partinë ish komuniste të kthyer në PS.
Nuk mohohet se gjatë periudhës opozitare (1997 – 2005) PD ka luajtur një rol kundër sistemit të kapjes së shtetit nga oligarkët, që ndërtuan socialistët e Nanos, Metës e Ramës, por e bëri në mënyrë të rrejshme sepse, me ardhjen në pushtet, në vend sa ta luftonte sistemin kriminal që kishte denoncuar, e kalëroi, duke zhgënjyer edhe një herë rëndë shqiptarët.
Kjo është trashëgimia e vërtetë e PD-së që duhet marrë në analizë seriozisht nëse kërkohet një ndryshim i vërtetë. Sepse degjenerimi i sotëm i PD-së, ashtu sikurse edhe ai që po njeh vendi sot nën drejtimin e Edi Ramës nuk mund të kuptohen pa këtë trashëgimi.

PD dhe demokracia
Lulëzim Basha erdhi tek kjo parti pasi kishte kaluar një periudhë pune në ambiente evropiane ku – siç tregonte edhe vetë në fillim – kur shkonte në mëngjes në punë eprorët e tij mblidhnin stafin dhe bënin atë që në gjuhën angleze quhet “brain storming”, që do të thotë se shtronin problemet dhe vilnin mendimet e të gjithë pjesëtarëve. Kur u fut në partinë e Berishës, veçanërisht pasi PD mori pushtetin, pa se punët nuk shkonin kështu. Eprori i madh me nofkën “doktori” nuk bënte “brain storming”, por u jepte urdhra vartësve që duhet t’i zbatonin. Basha iu përshtat kësaj “forma mentis” të liderit me “forma mentis”-in e vartësit shqiptar, i cili nuk e kundërshton apo kritikon kurrë lliderin e vet, por vetëm i bën qejfin. Gjykoj se me këtë “forma mentis” kanë punuar me Berishën edhe ata që kritikojnë sot Bashën.
E pra, idealisht, ndryshimi i PD-së duhet të fillonte që këtu. Ajo nuk ka nevojë për një lider të modelit Sali Berisha e për vartës të modelit Basha, por për drejtues që kanë mësuar se ku të çon kjo rrugë dhe prandaj, me përunjësi dhe respekt ndaj të tjerëve, do të duhej të mblidheshin e të bënin analizën e të kaluarës së tyre anti-demokratike dhe pastaj të gabimeve që e kanë sjellë në këtë gjendje, përfshirë edhe ato të fundit të Bashës. Duke bërë këtë PD-ja do t’i jepte nismën një ndryshimi kulturor që nuk ka filluar ende në Shqipëri. Vetëm kjo mënyrë sjelljeje do të mund të krijonte njerëz me personalitet dhe dinjitet që dinë të respektojnë veten më së pari prandaj edhe të tjerët. Por, për fat të keq, nuk po ndodh kjo. Lulëzim Basha po bën të kundërtën: po përpiqet të ndërtojë figurën e liderit që jep urdhra se çfarë duhet të bëjnë vartësit e tij dhe po zgjedh vartës që të pranojnë këtë rol të tij.

PD-ja - identiteti dhe përfaqsueshmëria e saj
Si rezultat i varfërimit intelektual e ideal që ka sjellë mungesa e debatit dhe e njerëzve me personalitet në PD ka ardhur  edhe paqartësia përsa i përket identitetit dhe vizionit të kësaj partie. Ajo u vetëpërcaktua kur lindi si parti e djathtë. Ky ishte një identitet që ajo e mori duke iu referuar kundërshtarit të atëhershëm që ishte partia komuniste, që teorikisht konsiderohej e majtë, madje e ekstremit të majtë.
Por çfarë partie u bë PD në të vërtetë? Ajo u bë një parti që synoni të përfaqësonte të gjithë popullin, njëlloj si partia-shtet që kishte edukuar Sali Berishën.  Si e tillë kundërshtarët politikë ajo i trajtoi me të njëjtën frymë siç i trajtoi Enver Hoxha ish reaksionarët apo kulakët: duke i demaskuar, duke i mbiquajtur trashëgimtarë të bllokmenëve, pra si një e keqe që duhej eliminuar dhe jo si një "pjesë", nga vjen dhe fjala "parti",  me të cilët duhet të dialogonte mbi bazë programesh dhe përfaqsueshmërie të ndryshme. Kështu, ndërkohë që teorikisht programet e të dy partive kryesore PD – PS u bënë thuajse të njëjta përsa u përket retorikave nacionaliste, të integrimit në Evropë, të tregut të lirë, privatizimeve, reformave standarde dhe ndërkohë që prapa këtyre retorikave punonin të dyja për të njëjtët oligarkë, PD, me një propagandë trushpëlarëse manipulonte elektoratin e saj duke i ekzaltuar përkatësinë familjare antikomuniste "të djathtë", ndonse, për shkak të persekutimit të gjatë, ishte shtresa më e varfër dhe më në nevojë për politika të majta. Duke ruajtur në mënyrë manipulative dallimin sipas të cilit i djathtë baraz i mirë, i majtë baraz i keq PD pranonte që PS ta quante veten të majtë, ndonëse kjo parti harroi krejtësisht principin e së majtës së barazisë apo barazisë së mundësive dhe ajo filloi të bëhet gjithnjë e më shumë parti e njerëzve që hanin njeriun për tu pasuruar.
Mirëpo pas një çerek shekulli, për shkak të ndryshimit të brezave, për shkak të fallcitetit të këtyre retorikave si dhe të halleve e nevojave të përditshmërisë, e kaluara historike e njerëzve ka humbur peshën. Njerëzit tashmë janë shumë të qartë se përtej këtyre manipulimeve të dy partitë kur vijnë në pushtet ushtrojnë vendimmarrje në favor të një pakice të pasurish kundër shumicës gjithnjë e më të varfëruar (pavarësisht se për shkak të manipulimit e lënies në injorancë një pjesë ende nuk arrijnë ta kuptojnë se, në terma teorike kjo është sjellje partish ultra të djathta  se ky është fashizëm ekonomik). Si të tilla këto "pjesë' që punojnë për një pakicë dhe pretendojnë se mbulojnë të tërën prej kohësh janë shndërruar në dy banda të destinuara të hanë njëra tjetrën. Dhe siç treguan zhvillimet e fundit  partia e destinuar për tu ngrenë është PD-ja. Edi Rama e ka manifestuar më qartë se kushdo këtë synim. Ai pretendon sot se përfaqëson të gjithë popullin edhe ish të persekutuarit edhe ish komunistët edhe të pasurit edhe të varfrit, edhe edhe prandaj dhe në fushatë elektorale i mori PD-së edhe shenjën e vet dalluese, V-në e dy gishtave.

Në këtë situatë dëgjoj nga kritikët brenda dhe jashtë PD se ajo duhet të korrigjojë gabimet  duke u kthyer tek ish të persekutuarit, të tregojë më respekt për parti të djathta si Balli Kombëtar apo Legaliteti apo Partia Republikane si parti e ish pronarëve si dhe të forcojë lidhjet me biznesin. Ajo që dëgjoj pak ose aspak është fakti se askush nuk kritikon politikat vendimmarrëse të PD-së në pushtet, në favor të pakicës shpesh edhe kriminale, dhe se çfarë duhet të ndryshojë ajo për të përfaqësuar të papërfaqësuarit. Opozita që na duhet sot është ajo që do të kthejë vëmendjen drejt politikave sociale, drejt mbrojtjes së pasurisë publike, mbrojtjes së territorit që po gërryhet përditë nga çakejtë që do të thotë një parti të shumicës kundër partisë së pakicës së të pasurve. Nëse PD  ngulmon ta quajë veten të djathtë nuk i mjafton për këtë vetëm përkatësia historike e një pjese të elektoratit. Një mundësi do të ishte të kthehen nga e djathtë liberale në të djathtë sociale psh., por ajo që shqetësoj është se ky lloj debati mbi përfaqësueshmërinë e saj as nuk ceket fare në PD. Ajo ka mbetur një parti që, ashtu si dhe PS-ja, kërkon që kur t'i vijë radha e pushtetit të thotë se përfaqëson të gjithë popullin, dhe të punojë për të njëjtin grusht oligarkësh dhe njerëzish të lidhur me krimin e organizuar. Por dyshoj shumë se mund t'i vijë ndonjëherë më kjo radhë po vazhdoi kështu. (Panorama, 30 korrik 2017)

Sunday, September 3, 2017

Bashkëqeverisja me popullin - antiinstitucionale, antidemokratike

Pasi e ka denigruar për katër vjet elektoratin e partisë opozitare duke e quajtur “dele” dhe kryetarin e saj “dështak”; pasi ka punuar për të kastruar shoqërinë civile deri në atë pikë saqë, pastaj, ka ngritur pyetjen “ku është shoqëria civile që t’i çoj një tufë lule në varr?”; pasi ka skualifikuar tërë gazetarët kritikë duke i quajtur “kazan”,  pasi bëri pakt me Metën për të nxjerrë Bashën nga protesta në çadër dhe pastaj  me Bashën për ta akuzuar Metën si “shushunjë”, Edi Ramës i duket se me rezultatin që arriti në votime i ka elimminuar të gjitha këto pengesa. I ka cilësuar si e keqja e Shqipërisë që u mund nga populli (në fakt nga paratë e drogës) dhe tani po shtron platformën e tij të qeverisjes, pa i llogaritur më këta faktorë. Emri që i ka vënë kësaj platforme është “bashkëqeverisje direkt me popullin”. Me një fjalë, tashmë, kush ka probleme që kanë të bëjnë me keqqeverisjen apo nevojën e ndryshimit të ndonjë gjëje nuk ka më pse të  humbasë kohë e energji të organizohet në shoqëri civile; as pse t’u drejtohet mediave, e aq më pak të mendojë të organizohet në opozitën e vjetër apo me ndonjë parti opozitare të re. Mjafton të komunikojë direkt me liderin suprem dhe gjthshka do të shkojë si jo më mirë.
Po të kthesh kokën pak në historinë jo shumë të largët, por edhe mjaft të afërt, do të gjesh jo pak shembuj qeverisjesh kësisoj. I pari që mu kujtua kur lexova nëpër media për këtë “gjetje” të re të Ramës ishte Çavesi i Venezuelës. Ai kishte organizuar një program televiziv në të cilin lidhej direkt me popullin ku njerëzit i shprehnin shqetësimet e nevojat që kishin dhe ai ua zgjidhte menjëherë direkt, me një telefonatë nga studioja.  Ka shumë gjasa që, duke e perfeksionuar idenë e bashkëqeverisjes me popullin, edhe udhëheqësi yni ta bëjë këtë nëpërmjet televizionit të tij EdiRama tv. Kush do të mësojë se ku të çon kjo lloj qeverisjeje le të shohë se ç’po ndodh sot në Venezuela.
Në fakt një variant të zbehtë të kësaj ideje, sa të vjetër aq edhe të re, e ka përdorur edhe paraardhësi i tij Sali Berisha. A nuk ju kujtohet numri i telefonit të tij ku qytetarët mund të çonin sms të ankoheshin? Po qytetari dixhital që në vend se të ankohet në institucione ankohet tek lideri legjendar i opozitës Berisha?
Sigurisht, kush e ka marrë seriozisht se Edi Rama ka nevojë vërtet të dëgjojë ankesa e kritika të njerëzve të popullit që të përmirësojë punën e tij gabohet. Po të kishte nevojë vërtet për të dëgjuar kritika, dhe t’i merrte ato seriozisht, ai do të vraponte me vrap tek Erjon Veliaj, sapo të shihte qytetarët duke protestuar për parkun që ua rrëmbeu fëmijëve pa pikë turpi një javë pasi u rrëmbeu votën. Jo. Kjo qeversje direkt me popullin duke anashkaluar institucionet është krejt tjetër gjë nga mirëqeverisja; është bash forma ekstreme e keqqeverisjes. Në thelbin e saj qëndron ideja (e gabuar) e kultit të pagabueshmërisë së liderit suprem, i cili, i shtyrë nga nevoja e sëmurë për gjith[pushtetshmëri, mendon se ai i mjafton dhe i tepron popullit të vet; i liderit që, për të rritur gjithpushtetshmërinë, përdor idenë tjetër të gabuar - se populli është i pagabueshëm - për të eliminuar kundërshtarët e tij.
Ata që duan shpjegimin e këtij fenomeni nga pikpamja psiko-sociale i ftoj të lexojë shkrimin tim “Edi Rama - narçizizmi malinj dhe shoqëria shqiptare” http://perpjekja.blogspot.si/2017/04/edi-rama-narcizizmi-malinj-dhe-shoqeria.html.
Por këtu nuk bëhet fjalë më për analiza psiko-sociale dhe as për t’i bërë thirrje Ramës që të heqë dorë nga sëmundja e tij, që nuk e kontrollon dot. Këtu bëhet fjalë për të mbrojtur ato pak arritje demokratike që na kanë mbetur. Sepse kjo lidhje direkt me populin duke anashkaluar institucionet, veçanërisht ata që shërbejnë si kontrollues të pushtetit, si opozita, mediet, shoqëria civile na kthen në kohë të errëta që i kemi provuar e që duket sheshit se nuk i kemi kaluar.
Në funksion të rezistencës ndaj këtij rreziku le të kthejmë pak vështrimin mbrapa në historinë e diktatorit tonë për të kërkuar rrënjët e fenomenit në fjalë. Historia e Shqipërisë diktatoriale ka njohur dy faza që, po t’i shohësh me kujdes, kanë dallim me njëra tjetrën, pikërisht përsa i përket fenomenit të raportit të liderit me institucionet. Faza e parë është ajo e kohës kur ishim të lidhur me Bashkimin Sovjetik. Në atë periudhë, ndonëse kishim sestemin e partisë – shtet ku pushteti i Enver Hoxhës ishte shumë i madh, u ndërtua, megjithatë, një lloj ndarje kompetencash, nëse mund ta quaj kështu, midis atij që quhej shteti dhe partisë. Për këtë Enver Hoxha hoqi dorë nga posti i kryeministrit, që e mbante në vitet e para pas Luftës. E kam fjalën se në fazën e parë ekzistonte ajo që rëndom quhet “burokraci” apo pushteti i zyrave, i njerëzve teknikë e specialistë, me në krye kryeministrin e vendit Mehmet Shehu. Vërtet një pjesë e ministrave, si dhe vetë kryeministri ishin anëtarë të Byrosë Poltike, por këta qenë të detyruar të respektonin sadokudo punën e kësaj burokracie e teknokracie ku lideri suprem ndërhynte për gjëra të mëdha, po jo për të qeverisur gjithshka vetë e për të vendosur edhe se ku kishte naftë dhe ku nuk kishte psh.. Kjo pa dyshim vinte nga ajo pak përvojë e shtetit të Zogut, por edhe nga përvoja e shteti sovjetik, që edhe pse i ndërtuar mbi parimin e partisë – shtet, respektonte më shumë kompetencat e specialistëve apo  teknicienëve që punonin në institucioneve të shtetit, veçanërisht pas vdekjes së Stalinit.
Periudha e dytë është ajo e pas prishjes me BS që u inspirua nga idetë e revolucionit kulturor kinez kur kryetari Mao lëshoi gardistët e kuq për të goditur kundërshtarët e tij si Liu Shao Ci etj. duke i nxjerrë një pjesë syresh në rrugë me dacibao të varur në qafë dhe kapuç në kokë si autodafe. Ky revolucion në thelb ishte një sulm kundër pushtetit të institucioneve dhe njerëzve të tij në emër të pushtetit absolut të Maos. Të njëjtën gjë, me të njëjtin synim, bëri edhe Enver Hoxha në atë kohë. Është periudha kur mbajti fjalimin e famshëm “Kur flet klasa (punëtore F.L.) nuk flet burokratizmi”, që qe një goditje kundër Mehmet Shehut, kur hoqi edhe gradat e ushtarakëve dhe kur institucionet e shtetit, deri edhe ato të studimeve shkencorea u vunë nën një presion të madh të fletë rrufeve që bënin njerëzit e popullit (gjoja nga poshtë, por të nxitur nga lart). Ishte periudha kur shteti u zëvendësua totalisht me udhëheqësin e lavdishëm që vazhdoi (në vitet 70) me eliminimin e gjithë atyre kuadrove që kishin një lloj merite nga e kaluara e tyre e Luftës apo edhe profesionale dhe zëvendësimin e tyre me njerëz të klasës që kishin vetëm një meritë: adhurimin e diktatorit. Fundi mjeran i kësaj qeverisjeje dihet.
Sigurisht sot nuk mund të arrijmë në çmendurinë dhe tragjizmin e atyre viteve. Por ajo çka shohim tregon se trashëgimia e asaj të kaluare ka mbetur shumë e fortë si tek njerëz si Edi Rama që na drejtojnë, edhe tek populli. Prandaj mendoj se kjo strategji e eliminimit të institucioneve e të kundërshtarëve nëpërmjet masave s’mund të merret kurrsesi me mendjelehtësi. As duke aplikuar atë thënien sipas së cilës historia përsëritet dy herë: të parën si tragjedi dhe të dytën si farsë. Edi Rama nuk duhet parë, siç e shohin një pjesë, si një përsëritje komike e Enver Hoxhës sepse situata e shqiptarëve nën drejtimin e tij nuk po është edhe aq komike. Thënia në fjalë i atribuohet  filozofëve si Hegeli apo Marksi që kishin një konceptim determinst të historisë, që e shihnin historinë si një ecje gjithnjë përpara drejt realizimit të një ideje që ishte përtej vullneteve njerëzore. Sipas këtij konceptimi kush kërkon ta kthejë historinë prapa bëhej qesharak. Por sipas filozofëve të tjerë si Karl Poperi psh. historia nuk ecën kështu. Ajo mund të kthehet edhe prapa e të shkojë edhe më për dreq. Ashtu sikurse nuk është e vërtetë ideja që populli nuk gabon kurrë. Tragjedi të tilla si fashizmi apo komunizmi e provuan këtë. Thënia në fjalë mund të jetë vërtethënëse (në mënyrë të kufizuar në kohë dhe hapësirë) vetëm kur bëhet fjalë për popuj që ecin përpara në dije dhe përvojë, të cilët, kur e kanë provuar një të keqe nuk e lejojnë më atë të përsëritet.  Por jo të gjithë popujt e kanë këtë mënçuri. Madje edhe ata që i konsiderojmë më të përparuarit bëjnë gabime pa fund prandaj dhe janë aq vigjilentë për të ruajtur institucionet e kontrollit të pushteve të tilla si opozita, shoqëria civile, mediat e pavarura etj.
Duke parë historinë tonë mund të thuash se në këta 100 vjet shqiptarët kanë mësuar pak apo aspak nga historia e tyre tragjike me liderë supremë. Prandaj dhe e kanë provuar përsëritjen e historisë së tyre në forma, edhe pse të ndryshme, gjithmonë tragjike, edhe në kohën e Zogut edhe në kohën e Hoxhës edhe në kohën e paskomunizmit që nesër mund të quhet edhe koha e Berishës, e Nanons, e Metës, e Ramës.  Mefshtësia me të cilën është reaguar ndaj arrogancës së Ramës dhe po reagohet edhe ndaj kësaj aveture të tij të re është shenjë e një historie që po përsëritet në formën e një tragjedie të re. (12 korrik, 2017)

  

Zgjedhjet - pardokset e rezultatit dhe rreziku i tij

Rezultatit të këtyre zgjedhjeve përmban disa paradokse që kushdo që ka një fije racionaliteti e ka të vështirë t’i shpjegojë me reformën në drejtësi, me estetikën urbane apo me sjelljen prej rock-star-i të Ramës gjatë fushatës - sikurse lexojmë aty këtu të na e shpjegojnë njerëz nga  kampi i mbështetësve të Kryeministrit. Në fakt rezultati përmban katër paradokse që lipset të shpjegohen për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht.
Paradoksi i parë nis me faktin që, sipas të dhënave të Gallupit, Shqipëria e Edi Ramës u bë e dyta në botë, pas Sierra Leones, përsa i përket personave që duan të braktisin vendin (56%). Kujtoj se Sierra Leone po masakrohet në luftëra civile dhe ka një moshë mesatare jetëgjatësie 30 vjeç dhe se, pas Shqipërisë, në renditje vjen Liberia dhe pastaj Kongoja. Atëherë, si shpjegohet që, megjithatë, partia në pushtet shpërblehet me vota, madje jo thjesht me një ruajtje të vendit të parë, por me rritje vote? Po të dëgjoje fushatën elektorale të Edi Ramës ky paradoks edhe do të mund te shpjegohej me thirrjen e tij për t’i braktisur partitë e vogla “shushunja” me të cilat ai paska qenë i detyruar të (keq)qeverisë për shkak të sistemit klientelar dhe të korrupsionit që e mbiquajti “të tepsisë”.
Mirëpo ky arsyetim na çon tek një paradoksi i dytë. Megjithë akuzat e Ramës kundër shushunjave, të cilave, madje, iu shtuan edhe akuzat e PD-së së Lulzim Bashës, partitë bashkëqeverisëse të Ramës LSI dhe PDIU njohën rritje të votuesve dhe të deputetëve në krahasim me vitin 2013. Dhe të mos harrojmë që në votime kanë dalë rreth 140 000 votues më pak sesa në 2013-tën.
Paradoksi i tretë lidhet me pyetjen: si shpjegohet që rritja në 56% e të pashpresëve nuk ndikoi që të rritet sadopak elektorati opozitar i PD, qoftë edhe thjesht si ndëshkim, por, përkundrazi, pamë një bjerrje të mëtejshme të deputetëve të saj duke arritur minimumin historik? Një shpjegim mund të ishte fakti i të kaluarës së kësaj partie, fakti që edhe ajo ka qenë pjesë e të njëjtit sistem. Disa thonë se për këtë ka ndikuar edhe mosangazhimi i pd-istëve që Basha i përjashtoi nga listat si dhe i atyre që menduan se ai do të bënte bashkëqeverisje me Ramën.
Po këto argumente na çojnë tek një paradoks të katërt: mirë që shqiptarët nuk paskan dashur të votojnë PD për këto arsye, por si ka mundësi që një pjesë e tyre nuk votuan aq sa për të nxjerrë qoftë edhe vetëm një deputet nga partitë e Blushit dhe Bojaxhiut, por dhanë më shumë vota për parti si PDIU apo Social Demokratja e Tom Doshit që janë aleate të djeshme dhe të sotme të partisë në pushtet?
Është e qartë se shpjegimet e këtyre katër paradokseve, pra edhe i këtij rezultati paradoksal, nuk mund të konvergojnë veçse në një pikë: kemi të bëjmë me rritjen e agresvitetit të sistemit klientelar, korruptiv, të ndarjes së territorit në duar të fortësh - oligarkë apo të lidhur me paratë e drogës - që po i shndërron shqiptarët gjithnjë e më shumë – nga halli apo nga malli - në bashkëpunëtorë të këtij sistemi.  Përdora termin bashkëpunëtor duke pasur parasysh thënien e Orwellit se një popull që voton politikanët e korruptuar nuk është viktimë, por bashkëpunëtor i tyre.


Dobësia e kronike dhe akute e PD-së

Si anë tjetër e medaljes së këtij shkaku të rezultatit kemi dobësinë e opozitës.  Kur flas për dobësi të opozitës kam parasysh mbi të gjitha dobësinë e PD-së, por nuk mund të mos anlizohet edhe rezultati i dobët i partive të reja opozitare si Libra e Blushit dhe Sfida e Bojaxhiut.
Përsa i përket PD-së mund të flisja për dy dobësi të saj: një “kronike”, që ka të bëjë me kohën që ka qenë në pushtet, dhe një“akute”: dobësia që tregoi Lulzim Basha në momentet para zgjedhore.
Dobësia kronike e PD-së lidhet me faktin se, në pushtet, edhe ajo ka vepruar sipas parimit “vidh shqiptarët për të vjedhur votën dhe vidh votën për të vjedhur shqiptarët”, se nuk ka përfaqësuar interesate56%-shit, por të një pakice gjithnjë e më të kriminalizuar, pra se edhe ajo ka dhënë një kontribut jo të vogël për ta çuar shifrën e të pashpresëve në 56%. Kjo e sëmurë kronike, nuk mund ta fitonte luftën me Ramën e LSI-në me të njëjtat mjete si të tyret, sepse, ndërkaq, këta i kishin marrë edhe Bashkinë e Tiranës, duke mbledhur rreth vetes jo vetëm paratë e oligarkëve, por duke shtuar edhe ato të njërëzve të krimit.
Duke e ndjerë këtë dobësi PD u kujtua në gjysmën e mandatit të Ramës të denonconte njerëz të krimit të futur në Parlament dhe në disa bashki, të denonconte kanabizimin e vendit, por, për shkak të dobësisë kronike, me këto aksione nuk arriti të prekte sensibilitetin e 56%-shit. Atëhere u fut në çadër. Por edhe aksioni i çadrës (siç rezultoi) nuk synonte zemrat e këtyre njerëzve, por  sensibilizimin e të huajve. Në momentin kur u pa se këta nuk e mbështetën, Basha doli nga çadra dhe u fut në një marrëveshje të turpshme me Ramën duke i shtuar dobësisë kronike të PD-së edhe dobësinë e tij akute.
Gjithsesi, mëkati më i madh i Bashës nuk është se humbi zgjedhjet. Mëkati i tij më i madh është që, ashtu siç e menaxhoi situatën e krijuar, me marrëveshjen me Ramën e qendrimin në fushatë, ai mori rolin e gjethes së fikut për mbulimin e një realiteti dramatik që vetë e kishte denoncuar (rrejshëm) për tre muaj në çadër. Fakti që LSI, ashtu sikurse dhe PDIU u rrit në numër votuesish dhe në numër deputetësh, megjithëse ndaj tyre u hap një front i dyfishtë elektoral për t’u rrëmbyer votën, tregon se me vendosjen e gjashtë ministrave dhe shtyrjen një javë të zgjedhjeve nuk mund të neutralizohej kurrsesi sistemin klientelar e i parave të drogës.

Prova e vështirë e partive të reja

Në kontekstin e këtij realiteti dramatik duhet folur edhe për rezultatin e dobët të partive të reja të sopoformuara si ajo e Blushit apo e Bojaxhiut. Moshyrja e tyre në Parlament bëhet edhe më dëshpëruese për shqiptarët që duan t’i rezistojnë këtij sistemi kriminal, veçanërisht po të kesh parasysh rezultatin e suksesshëm të partive më të vogla të sistemit si PDIU apo partia Social Demokrate e Tom Doshit që arritën të hyjnë në Parlament duke i shtuar atij edhe katër deputetë nga ata të fortët e super të pasurit e vendit e duke i hequr edhe një rezistent ndaj sistemit.
Rezultati i Libra-s dhe Sfida-s flet për rritjen e numrit të shqiptarëve që kanë zgjedhur bashkëpunimin me sistemin e oligarkisë dhe krimit, të ndarjes së territorit në duart e të fortëve, në dëm të numrit të shqiptarëve që duan ta refuzojnë atë. Një qëndrim i tillë duket se tashmë është bërë kulturë dominante politike e popullsisë. Dëshira për të lënë vendin nuk është gjë tjetër veçse faqja tjetër e medaljes së manifestimit të kësaj kulture sepse ajo flet për dorëzim dhe ky nënkupton edhe nënshtrim dhe bashkëpunim me sistemin.

Si përfundim

Kush flet në këto kushte për një boshllëk opozitar që pret të mbushet kam frikë se sheh një ëndërr me sy hapur. Mjaft të hedhësh sytë përtej Shqipërisë dhe do të shohësh se regjimet autoritare që kontrollojnë votën e qytetarëve, duke mos lejuar rotacion e duke i bërë ata gjithnjë e më shumë bashkëpunëtorë të tyre mbulojnë pjesën më të madhe të hartës së botës. Nga sa kuptohet prej retorikave të fitimtarit Rama pas zgjedhjeve, me thirrjet e tij “përtej të majtës dhe të djathtës”, për bashkëpunim të mëtejshëm me Lulzim Bashën, për ndërtimin e një ministrie që do t’i mundësojë qeverisjen direkt me popullin, kuptohet se kërkon ta “mbushë” vetë vakuumin opozitar, duke e rritur këtë kulturë bashkëpunimi edhe më tej.
Pyetja që ngrihet pas këtij rezultati është: a do të transformohen dot partitë opozitare si PD dhe LSI nga parti klientelare dhe oligarkësh, që vjedhin votën për të vjedhur shqiptarët dhe vjedhin shqiptarët për të vjedhur votën, në parti që do të shkojnë vërtet tek 56%-shi për t’i bërë rezistencë këtij rreziku?Apo protagonistët e tyre kryesorë do të kujdesen të ruajnë bizneset e interesat personale që kanë kuruar kur kanë qenë në pushet duke u shkrirë kësisoj gjithnjë e më shumë në ndërmarrjen e madhe monopoliste të Edi Ramës?
A do t’u bashkohen ato, që nesër, atyre qytetarëve tek Parku i Autobuzave të Tiranës që vetëm një javë pasi u mori votën Edi Rama ua rrethoi parkun e fëmijëve sepse ia ka dhënë për ndërtim ndonjërit prej oligarkëve që i ka financuar fushatën apo do të heshtin siç kanë bërë rëndom sepse ky oligark ka mbushur dje edhe xhepat e tyre?
A do t’u bashkohen atyre qytetarëve Blushi, Bojaxhiu dhe njerëzit e tyre në emër të një Shqipërie më të jetueshme për të gjithë, më të lirë dhe më demokratike apo do të struken nga taksidarët, policët, shantazhuesit, korruptuesit, votëblerësit dhe denigruesit e sistemit kriminal? (2 korrik, 2017)