Rezultatit të këtyre zgjedhjeve përmban disa
paradokse që kushdo që ka një fije racionaliteti e ka të vështirë t’i shpjegojë
me reformën në drejtësi, me estetikën urbane apo me sjelljen prej rock-star-i
të Ramës gjatë fushatës - sikurse lexojmë aty këtu të na e shpjegojnë njerëz
nga kampi i mbështetësve të
Kryeministrit. Në fakt rezultati përmban katër paradokse që lipset të
shpjegohen për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht.
Paradoksi
i parë nis me faktin që, sipas të dhënave të Gallupit,
Shqipëria e Edi Ramës u bë e dyta në botë, pas Sierra Leones, përsa i përket
personave që duan të braktisin vendin (56%). Kujtoj se Sierra Leone po
masakrohet në luftëra civile dhe ka një moshë mesatare jetëgjatësie 30 vjeç dhe
se, pas Shqipërisë, në renditje vjen Liberia dhe pastaj Kongoja. Atëherë, si
shpjegohet që, megjithatë, partia në pushtet shpërblehet me vota, madje jo
thjesht me një ruajtje të vendit të parë, por me rritje vote? Po të dëgjoje
fushatën elektorale të Edi Ramës ky paradoks edhe do të mund te shpjegohej me
thirrjen e tij për t’i braktisur partitë e vogla “shushunja” me të cilat ai
paska qenë i detyruar të (keq)qeverisë për shkak të sistemit klientelar dhe të
korrupsionit që e mbiquajti “të tepsisë”.
Mirëpo ky arsyetim na çon tek një paradoksi i dytë. Megjithë akuzat e
Ramës kundër shushunjave, të cilave, madje, iu shtuan edhe akuzat e PD-së së
Lulzim Bashës, partitë bashkëqeverisëse të Ramës LSI dhe PDIU njohën rritje të
votuesve dhe të deputetëve në krahasim me vitin 2013. Dhe të mos harrojmë që në
votime kanë dalë rreth 140 000 votues më pak sesa në 2013-tën.
Paradoksi
i tretë lidhet me pyetjen: si shpjegohet që rritja në
56% e të pashpresëve nuk ndikoi që të rritet sadopak elektorati opozitar i PD, qoftë
edhe thjesht si ndëshkim, por, përkundrazi, pamë një bjerrje të mëtejshme të
deputetëve të saj duke arritur minimumin historik? Një shpjegim mund të ishte
fakti i të kaluarës së kësaj partie, fakti që edhe ajo ka qenë pjesë e të
njëjtit sistem. Disa thonë se për këtë ka ndikuar edhe mosangazhimi i pd-istëve
që Basha i përjashtoi nga listat si dhe i atyre që menduan se ai do të bënte
bashkëqeverisje me Ramën.
Po këto argumente na çojnë tek një paradoks të katërt: mirë që shqiptarët
nuk paskan dashur të votojnë PD për këto arsye, por si ka mundësi që një pjesë
e tyre nuk votuan aq sa për të nxjerrë qoftë edhe vetëm një deputet nga partitë
e Blushit dhe Bojaxhiut, por dhanë më shumë vota për parti si PDIU apo Social
Demokratja e Tom Doshit që janë aleate të djeshme dhe të sotme të partisë në
pushtet?
Është e qartë se shpjegimet e këtyre katër
paradokseve, pra edhe i këtij rezultati paradoksal, nuk mund të konvergojnë
veçse në një pikë: kemi të bëjmë me rritjen e agresvitetit të sistemit klientelar,
korruptiv, të ndarjes së territorit në duar të fortësh - oligarkë apo të lidhur
me paratë e drogës - që po i shndërron shqiptarët gjithnjë e më shumë – nga
halli apo nga malli - në bashkëpunëtorë të këtij sistemi. Përdora termin bashkëpunëtor duke pasur
parasysh thënien e Orwellit se një popull që voton politikanët e korruptuar nuk
është viktimë, por bashkëpunëtor i tyre.
Dobësia e kronike dhe akute e PD-së
Si anë tjetër e medaljes së këtij shkaku të
rezultatit kemi dobësinë e opozitës. Kur
flas për dobësi të opozitës kam parasysh mbi të gjitha dobësinë e PD-së, por
nuk mund të mos anlizohet edhe rezultati i dobët i partive të reja opozitare si
Libra e Blushit dhe Sfida e Bojaxhiut.
Përsa i përket PD-së mund të flisja për dy dobësi
të saj: një “kronike”, që ka të bëjë me kohën që ka qenë në pushtet, dhe një“akute”:
dobësia që tregoi Lulzim Basha në momentet para zgjedhore.
Dobësia kronike e PD-së lidhet me faktin se,
në pushtet, edhe ajo ka vepruar sipas parimit “vidh shqiptarët për të vjedhur
votën dhe vidh votën për të vjedhur shqiptarët”, se nuk ka përfaqësuar
interesate56%-shit, por të një pakice gjithnjë e më të kriminalizuar, pra se
edhe ajo ka dhënë një kontribut jo të vogël për ta çuar shifrën e të
pashpresëve në 56%. Kjo e sëmurë kronike, nuk mund ta fitonte luftën me Ramën e
LSI-në me të njëjtat mjete si të tyret, sepse, ndërkaq, këta i kishin marrë
edhe Bashkinë e Tiranës, duke mbledhur rreth vetes jo vetëm paratë e oligarkëve,
por duke shtuar edhe ato të njërëzve të krimit.
Duke e ndjerë këtë dobësi PD u kujtua në
gjysmën e mandatit të Ramës të denonconte njerëz të krimit të futur në Parlament
dhe në disa bashki, të denonconte kanabizimin e vendit, por, për shkak të
dobësisë kronike, me këto aksione nuk arriti të prekte sensibilitetin e 56%-shit.
Atëhere u fut në çadër. Por edhe aksioni i çadrës (siç rezultoi) nuk synonte
zemrat e këtyre njerëzve, por sensibilizimin
e të huajve. Në momentin kur u pa se këta nuk e mbështetën, Basha doli nga
çadra dhe u fut në një marrëveshje të turpshme me Ramën duke i shtuar dobësisë
kronike të PD-së edhe dobësinë e tij akute.
Gjithsesi, mëkati më i madh i Bashës nuk
është se humbi zgjedhjet. Mëkati i tij më i madh është që, ashtu siç e menaxhoi
situatën e krijuar, me marrëveshjen me Ramën e qendrimin në fushatë, ai mori rolin
e gjethes së fikut për mbulimin e një realiteti dramatik që vetë e kishte
denoncuar (rrejshëm) për tre muaj në çadër. Fakti që LSI, ashtu sikurse dhe
PDIU u rrit në numër votuesish dhe në numër deputetësh, megjithëse ndaj tyre u
hap një front i dyfishtë elektoral për t’u rrëmbyer votën, tregon se me
vendosjen e gjashtë ministrave dhe shtyrjen një javë të zgjedhjeve nuk mund të
neutralizohej kurrsesi sistemin klientelar e i parave të drogës.
Prova e vështirë e partive të reja
Në kontekstin e këtij realiteti dramatik
duhet folur edhe për rezultatin e dobët të partive të reja të sopoformuara si ajo
e Blushit apo e Bojaxhiut. Moshyrja e tyre në Parlament bëhet edhe më
dëshpëruese për shqiptarët që duan t’i rezistojnë këtij sistemi kriminal,
veçanërisht po të kesh parasysh rezultatin e suksesshëm të partive më të vogla
të sistemit si PDIU apo partia Social Demokrate e Tom Doshit që arritën të hyjnë
në Parlament duke i shtuar atij edhe katër deputetë nga ata të fortët e super
të pasurit e vendit e duke i hequr edhe një rezistent ndaj sistemit.
Rezultati i Libra-s dhe Sfida-s flet për rritjen
e numrit të shqiptarëve që kanë zgjedhur bashkëpunimin me sistemin e oligarkisë
dhe krimit, të ndarjes së territorit në duart e të fortëve, në dëm të numrit të
shqiptarëve që duan ta refuzojnë atë. Një qëndrim i tillë duket se tashmë është
bërë kulturë dominante politike e popullsisë. Dëshira për të lënë vendin nuk
është gjë tjetër veçse faqja tjetër e medaljes së manifestimit të kësaj kulture
sepse ajo flet për dorëzim dhe ky nënkupton edhe nënshtrim dhe bashkëpunim me sistemin.
Si përfundim
Kush flet në këto kushte për një boshllëk
opozitar që pret të mbushet kam frikë se sheh një ëndërr me sy hapur. Mjaft të
hedhësh sytë përtej Shqipërisë dhe do të shohësh se regjimet autoritare që
kontrollojnë votën e qytetarëve, duke mos lejuar rotacion e duke i bërë ata
gjithnjë e më shumë bashkëpunëtorë të tyre mbulojnë pjesën më të madhe të
hartës së botës. Nga sa kuptohet prej retorikave të fitimtarit Rama pas zgjedhjeve,
me thirrjet e tij “përtej të majtës dhe të djathtës”, për bashkëpunim të
mëtejshëm me Lulzim Bashën, për ndërtimin e një ministrie që do t’i mundësojë
qeverisjen direkt me popullin, kuptohet se kërkon ta “mbushë” vetë vakuumin
opozitar, duke e rritur këtë kulturë bashkëpunimi edhe më tej.
Pyetja që ngrihet pas këtij rezultati është:
a do të transformohen dot partitë opozitare si PD dhe LSI nga parti klientelare
dhe oligarkësh, që vjedhin votën për të vjedhur shqiptarët dhe vjedhin
shqiptarët për të vjedhur votën, në parti që do të shkojnë vërtet tek 56%-shi
për t’i bërë rezistencë këtij rreziku?Apo protagonistët e tyre kryesorë do të kujdesen
të ruajnë bizneset e interesat personale që kanë kuruar kur kanë qenë në pushet
duke u shkrirë kësisoj gjithnjë e më shumë në ndërmarrjen e madhe monopoliste
të Edi Ramës?
A do t’u bashkohen ato, që nesër, atyre
qytetarëve tek Parku i Autobuzave të Tiranës që vetëm një javë pasi u mori
votën Edi Rama ua rrethoi parkun e fëmijëve sepse ia ka dhënë për ndërtim ndonjërit
prej oligarkëve që i ka financuar fushatën apo do të heshtin siç kanë bërë
rëndom sepse ky oligark ka mbushur dje edhe xhepat e tyre?
A do t’u bashkohen atyre qytetarëve Blushi,
Bojaxhiu dhe njerëzit e tyre në emër të një Shqipërie më të jetueshme për të
gjithë, më të lirë dhe më demokratike apo do të struken nga taksidarët,
policët, shantazhuesit, korruptuesit, votëblerësit dhe denigruesit e sistemit
kriminal? (2 korrik, 2017)
No comments:
Post a Comment