Wednesday, August 24, 2011

Batimi djathtas dhe e majta që na duhet

Që kemi nevojë për opozitë këtë e ka thënë dhe e thotë edhe Sali Berisha i cili akuzohet vazhdimisht, – e jo vetëm nga opozita, – se synon asgjësimin e saj. Me ironi do të thoja se  fakti që maxhoranca, ndonëse realisht e injoron opozitën apo  e anatemon si përfaqësuese e “klasave të përmbysura që i kanë pas pirë gjakun popullit” përsëri teorikisht e “do”, e kërkon në Parlament, mund të quhet “arritje” e kulturës sonë demokratike. Ndërkaq duhet pranuar se anija e politikës shqiptare ka lundruar gjithnjë e batuar dhe se, së fundmi, ky batim ka shkuar shumë djathtas çka do të thotë se opozita na duhet më shumë se kurrë për ekuilibrimin e saj. E përdora ndajfoljen “djathtas” konvencionalisht, ashtu sikurse do të përdor edhe atë “majtas”, në funksion të metaforës me anije që kam përdorur, sepse sipas meje, siç do ta shpjegoj më poshtë, nëse flitet për një batim të rëndë ky vjen edhe pse ne nuk kemi një të majtë ëdhe një të djathtë, por dy të djathta që në thelb luajnë e peshojnë në të njëjtin krah.
*
Duket se edhe brenda opozitës tashmë janë bërë të ndërgjegjshëm se duhet bërë diçka që opozita të peshojë më shumë. Pyetja që shtrohet sot është se çfarë duhet bërë, si duhet bërë dhe kush mund ta bëjë.
Nëse do të përpiqemi të shohim se cila ka qenë deri tani strategjia e opozitës kundër “batimit” të anijes, mund të thuhet se karta kryesore që ka luajtur Rama dhe të tijtë ka qenë kryesisht aksioni bllokues, delegjitimues për t’i dhënë mesazhin të huajve se ata duhet të bëjnë diçka për të frenuar Sali Berishën që po uzurpon institucionet duke shkaktuar zemërimin e popullit opozitar dhe popullit në përgjithësi. Skenari i 21 janarit ishte një koncentrat i kësaj strategjie. Fakti është se nuk mbahet mend prej vitesh që të kemi pasur një rol kaq të rritur të ndërkombëtarëve, ndoshta që prej kohës së Limprehtit e të Dan Evertsit. Mirëpo duket qartë se opozita dështoi më së shumti duke luajtur këtë kartë. Sipas meje mungesa e mbështetjes së duhur opozitës i erdhi kryesisht për arsye se me aksionet e saj të shumta jashtinstitucionele, bllokuese, radikale  krijoi bindjen se është një opozite që nuk po punonte për balancimin e anijes, por se po e rrezikonte atë të mbytej fare. Ajo tregoi me këtë strategji dy gjëra: së pari, se nuk ndryshonte kulturalisht nga maxhoranca si në mendësinë e të bërit politikë ashtu edhe në strukturat e mënyrat e funksionimit si parti (psikologjia që e ka shoqëruar këtë opozicion ka qenë ajo se sa më i ashpër dhe pa kompromis të jesh me kundërshtarin aq më i besuar je e se, kush bën kompromise, është i shitur;  – thënë ndryshe psikologjia ”o me ne o kundra nesh!”); së dyti, se pikërisht për këtë nuk gëzonte mbështetjen ashtu dhe aq sa duhej në popull që aksionet e saj të merreshin seriozisht edhe nga të huajt.
*
Nëse flasim për nevojën e ndryshimeve në opozitë gjykoj se këto duhet të vijnë në emër të krijimit të një opozite që do të krijojë një bindje tjetër: se nuk do të rrezikojë mbytjen e anijes, por se synon ta ekuilibrojë atë. Nuk pretendoj me këtë shkrim të hartoj një projekt të detajuar se çfarë, sipas meje, duhet të bëjë opozita për këtë, por disa ide kryesore më duket se janë evidente.
Së pari, dihet se një nga arësyet e krijimit të imazhit të opozitës si e ngjashme me maxhorancën dhe e idesë se ajo po rrezikonte ta mbyste anijen kanë qënë pikërisht tërë ato ndryshime që bënë të dy palët për t’ua pakësuar pushtetin institucioneve të tilla si Presidenti, Prokuroria, Kolegji Zgjedhor apo KQZ-ja në favor të kontrollimit të tyre nga pushtetet e partive. Nuk do shumë mend se nëse “pesha” e këtyre institucioneve do të ishte e palidhur me « peshat” e maxhorancës apo opozitës, sipas strategjisë “o me ne o kundra nesh”, rreziqet e batimit të anijes, gjithsesi, do të ishin më të vogla. E pra, gjëja e parë që duhet të bëjë opozita është të ndërtojë aksione politike, ligjore, diplomatike që do të siguronin më së pari ligjërisht një paanshmëri të këtyre institucioneve, që do ta bënin të qartë se këta nuk i do në anën e saj të anijes, por që të rrinë në qendër si elementë kryesorë institucionalë të ruajtjes së balancës.
Një aspekt i dytë i rëndësishëm i prishjes së balancës është fakti se opozita ka përdorur edhe në lidhje me mediat dhe shoqërinë civile në tërësi të njëjtën strategji. Nuk është nevoja të zgjatem në historikun e marrëdhënieve të opozitës kur ishte në pushtet me mediat dhe shoqërinë civile që i trajtoi si “partnerë” në “biznesin” e përbashkët dhe jo si shprehje e nevojës për “counterpart”, siç konsiderohen këto në botën demokratike. Fakti që Sali Berisha, duke përdorur të njëjtat teknika të krijimit e të blerjes së këtyre me fuqinë e pushteti, sot ka arritur t’i kthejë ato në mbi 75% në favorin e tij duke bërë që ato të kthehen në bumerang për opozitën tregon se sa e gabuar ka qenë politika e ndjekur nga opozita ndaj mediave dhe shoqërisë civile. Le të mos harrojmë këtu edhe Televizionin Publik që në vizionet e opozitës – edhe pse e majtë – nuk ka figuruar veçse si projekt për ta privatizuar e për t’ia dhënë ndonjë grupi oligarkësh afër saj. Ja pse mendoj se një fushë e dytë e ndryshimit të opozitës është pikërisht ndërtimi i aksioneve të tilla politike, ligjore, diplomatike që ky pushtet i rëndësishëm të kalojë në “qendër” të anijes. E theksoj edhe një herë: në qendër, jo të ndjekë opozitën përdrejt krahut të saj siç do të donte ajo në vazhdim të së njëjtës filozofi kapjeje e mbajtjeje pushteti.
Së treti, e njëjta mendësi është aplikuar edhe ndaj të ashtuquajturit treg, jo i palidhur ky me aspektin e dytë pasi në një pjesë rastesh biznesi mediatik apo aktivitetet e së ashtuquajturave organizata të shoqërisë civile dhe interesi privat i individëve që drejtojnë këto janë e njëjta gjë. Dihet se në vend të tregut të lirë dy partitë që ndanin dy pushtetet kryesore luftuan për ndarjen e tregut në monopolet e tyre klientelare. Anija sot është batuar edhe pse fuqia klientelare e maxhorancës, veçanërisht me kapjen e Tiranës, është bërë më e madhe.  Përsëri ngulmoj se në emër të kthimit të anijes në ekuilibër opozita duhet të ndërmarrë aksion të fortë politik, ligjor, diplomatik ashtu që tregu e biznesi të ndahen nga politika. Kësisoj tregu do të mbetet, në mes të anijes, i të gjithëve kurse partitë do të lehtësohen nga klientelizmi që është faktori kryesor i rëndesës së tyre të madhe e të rrezikshme njëherësh.

*
Pyetja që shtrohet në këtë pikë është : a mund ta bëjë Edi Rama me njerëzit që ka përreth këtë, apo mos duhet ndërtuar një opozitë tjetër? E këtu vijmë tek ajo çka thashë në fillim mbi dy të djathtat. Gjykoj se, në thelb, problematika e atij që quajta « batim » i anijes ka ardhur pasi PD dhe PS kanë luftuar për të pushtuar të njëjtin vend në anije : atë të së djathtës në kuptimin si të programit politik në përgjithësi ashtu edhe të çfarë përfaqësojnë: kryesisht grupe interesi të pasuruarish nëpërmjet përdorimit abuziv të pushtetit politik. Në këtë aspekt Rama ka qenë më i drejtpërdrejtë kur ka folur për « përtej të majtës dhe të djathtës » apo për « reforma standart » ndërkohë që PD ka tentuar të mbajë si fasadë ndarëse nga PS retorikën manipulative të kujtesës « komunistë – antikomunistë » në mungesë të diferencës së interesave të vërteta, ndërkohë që, kur ka ardhur puna, ka bërë aleancë me LSI që deri dje konsiderohej krahu me prokomunist i opozitës si dhe, së fundi, nuk ngurroi të bëjë aleancë, për disa vota në Tiranë, edhe me atë që trumbetohet si trashëgimtari i Enver Hoxhës, Hysni Milloshin. Në këtë kontekst pra, ajo që i ka ndodhur Ramës e të tijve është fatkeqësia se lufta për në këtë vend në të djathtë rezultoi në favor të interesave të Sali Berishës dhe të të tijve. Fakti që ai kërkon sot thjesht e vetëm të kontestojë zgjedhjet si të vjedhura e jo të pranojë se ka humbur në lojën e dy të djathtave tregon edhe pamundësinë për të bërë reformën e domosdoshme për krijimin e një opozite vërtet të majtë evropiane shqiptare. Në këto kushte ai duket se do të synojë të korrigjojë ndryshimet kushtetuese që i hoqën Presidentit apo Prokurors së përgjithsme disa fuqi, të ndryshojë diçka në Kodin Zgjedhor e po ashtu të tregohet i hapur për bashkëpunimin me Ilir Metën çka do të thotë se do të synojë thjesht t’i tërheqë këta në anën e tij sëbashku me grupet e interesit oligarkik pranë tyre. Sipas meje ka më pak gjasa se dje ta fitojë këtë lojë në të djathtë, por, edhe nëse e fiton, vendi do të mbetet peng i së njëjtës lojë me anijen e batuar dhe  rrezikun e mbytjes së saj nga kundërveprimi i të djathtës tjetër.
Si përfundim, gjykoj se opozita për të cilën kemi nevojë është një opozitë që do të kërkojë të konsolidohet në vendin e saj në të majtën që është bosh, që do të përfaqësojë interesa të tjera nga ato që përfaqësojnë dy të djathtat që kemi sot, atë të të papërfaqësuarve, që do ta bëjë të qartë këtë përfaqësim ashtu sikurse edhe atë se nuk kërkon kapjen nga ana e vet të institucioneve të kapura sot për sot nga maxhoranca (apo të neutralizuara prej saj), por vendojen e tyre në qendër të anijes si pesha të domosdoshme për balancimin e saj. (Panorama, 27 korrik 2011)

Tuesday, August 16, 2011

Nga na vjen “gjeni vetshkatërrues”


(mbi intervistën e ambasadorit danez)
Ka ardhur koha që shqiptarët t´i bëjnë vetes një pyetje ekzistenciale: Përse nuk jemi aty ku janë sot estonezët? [...] një gjen vetëshkatërrues [...] Kjo është menjëherë e dukshme për shumë të huaj. Nocioni se për të fituar vetë duhet të shkatërroni armikun, se shkatërrimi është rruga e duhur, mendoj se është një mendësi tepër unike e klasës politike shqiptare, e cila po bllokon përparimin. Në shumicën e vendeve përparimi vjen nga ndërtimi mbi arritjet e së kaluarës; nga kuptimi i së mirës së përbashkët dhe interesit kombëtar; nga të pranuarit se, nëse kontribuoni për ta bërë tortën më të madhe për shoqërinë, edhe feta juaj do të jetë më e madhe. Megjithatë, koncepte të tilla, edhe nëse janë dëgjuar ndonjëherë, janë të rralla në debatet politike shqiptare…”
“Nëse Shqipëria nuk bën një ndarje me mentalitetin “klientelist” dhe të fokusohet te aftësitë, arritjet dhe meritat, unë shoh pak shpresë.”
Ambasadori danez, Karsten Ankjaer Jensen, këtë herë ka vendosur të na thotë disa të vërteta lakuriq mbi atë se si e mendojnë shumë të huaj realitetin shqiptar. Intervista është e fortë. Ajo meriton një reflektim të thellë jo vetëm të klasës politike, por të gjithë shoqërisë, pasi vjen në një moment ndjeshmërie të madhe dhe, njëherësh, sepse sintetizon një të keqe nga e cila vuajmë prej kohësh. Mungesa e reagimit nga maxhoranca dhe përdorimi i saj nga opozita thjesht për qëllime të ngushta të çastit qe një provë më shumë e asaj çka thotë ambasadori.

* * *
Interesantja për reflektim në intervistën e ambasadorit është se ai ka tentuar t’i japë përgjigje një pyetjeje që ngrenë shpesh shqiptarët e që duket se ia ngrenë edhe të huajt vetes, kur duan të kuptojnë se çfarë e dallon Shqipërinë nga vende të tjera, si Estonia p.sh: nga vjen ky mallkim, kjo e keqe? Ç’është ky “gjen” “vetëshkatërrues” që ka bërë që edhe komunizmin shqiptarët ta kishin më të tmerrshmin edhe kapitalizmin më çnjerëzorin që i bën gjithnjë e më shpesh të thonë: “ky vend nuk bëhet.” (Veçanërisht e kam dëgjuar këtë shprehje pas këtij konfliktualitetit të fundit për Bashkinë, që është shoqëruar edhe me një vakum pushteti rrënues mbi ambientin, territorin, institucionet dhe, në përgjithësi, mbi shpresën për një të ardhme më të mirë.)

* * *
Nga na vjen “gjeni vetëshkatërrues”?
Për afro një shekull shqiptarëve u është bërë një lavazh truri, duke u thënë se e keqja u vjen nga 500 vjet Perandori Otomane; se më parë kanë qenë të ndritur, por pastaj erdhën otomanët që u sollën errësirën me ferexhe; se kjo ka bërë që të jenë shumë të zotë për të qeverisur të tjerët, por jo për veten e tyre. Ka nga ata që u kanë thënë se e keqja u ka ardhur nga fqinjët e pabesë, serbët apo grekët. Enver Hoxha u shtonte këtyre edhe kishat dhe xhamitë si agjentura të armikut. Kësisoj, ideja e ngulitur thellë në ndërgjegjen shqiptare është se e keqja na ka ardhur nga jashtë, është instaluar në trupin tonë dhe ne tashmë ose jemi duke luftuar ta çrrënjosim me ndihmën e miqve (siç kanë pretenduar ata që kanë marrë përsipër të na udhëheqin), ose i jemi nënshtruar këtij «virusi» që jeton në trupin tonë në trajtën e politikanëve tanë, duke na bërë të lektisemi pa shpresë. Në një shkrim lexova një gazetar të shkruante, duke bërë analizat e zgjedhjeve në Shqipëri, se kush mendon se lufta kundër korrupsionit mund të ketë ndonjë ndikim në rezultat gabohet, pasi korrupsioni është një mënyrë jetese e ngulitur tek shqiptarët për pesëqind vjet nga Perandoria Otomane. Ndërkaq, ky vështrim i të keqes jashtë vetes tek tjetri është një konstrukt kulturor që është aplikuar e aplikohet edhe brenda vendit. Dikur aplikohej në trajtën e «armikut të brendshëm në bashkëpunim me të jashtmin»: agjenti i të huajve ose shfaqjet e mbeturinave borgjeze të së kaluarës, sot merr trajtën e armikut politik që herë është i tillë pse ka qenë komunist, spiun i Sigurimit, herë pse i shërben grekut, herë serbit, herë tjetër sepse nuk është shqiptar, por grek, vllah, shule apo ku di unë. Në fakt, konfliktualiteti e shkatërrimi që sheh ambasadori mbështetet fort mbi paradigmën nacional–komuniste të projektimit të së keqes jashtë vetes tek tjetri, armiku, i keqi, që duhet ta luftojmë derisa ta çrrënjosim e që ka si anë tjetër të medaljes parimin: historia (e së mirës) fillon me mua.
Si provokim ndaj atyre që janë të bindur se «virusi» i të keqes na ka ardhur nga jashtë – më së shumti nga turqit – po sjell një fragment nga libri i Nathalie Clayer, ku tregohet se si përshkruhej shqiptari në teatrin e kukullave të Stambollit në fundshekullin e XIX. «Me mustaqe të trasha dhe ndonjëherë me mjekër të thinjur, shumë naiv, injorant në shkallën e fundit, jashtëzakonisht vulgar, ndonëse përpiqet të tregohet i sjellshëm, gazmor, ai flet gjithmonë si të shkrehë pushkën, si të thyejë, të presë dhe copëtojë. Kur ikën me të katra dhe merr dhenë, thotë se “e bëra t’ia mbathë”, kur ha mirë dajak, vetë thotë se “e zhdëpa”. Në fund të çdo fjale që nxjerr nga goja, ai fillon të kërcënojë atë që i kthen fjalën, duke vendosur dorën mbi kobure dhe figura e tij, gjatë pjesës teatrale, përqeshet në çdo lëvizje.»
Ja pra që edhe turqit, që me vetëmburrjen tonë nacional-komuniste i kemi konsideruar inferiorë duke thënë se jemi ne që i kemi qeverisur, na paskan përqeshur siç ndoshta na përqesh ambasadori danez për gjenin tonë vetëshkatërrues. Jo, e keqja duhet kërkuar gjetkë dhe ndryshe.

* * *
Gjykoj se kjo e keqja e vetëshkatërrimit nëpërmjet konfliktualiteit permanent, që në Shqipëri e gjejmë si një sëmundje endemike të rëndë, deri në atë shkallë saqë në nivel individësh edhe një kritikë racionale na e shndërron menjëherë mikun në armik, kurse në nivel politik i ka shndërruar dy partitë kryesore në gati ushtri mercenarësh, që paguhen për luftën që bëjnë kundër njëra-tjetrës, është një e keqe universale, jo shqiptare. Thjesht kemi të bëjmë me egoizmin njerëzor, që në formën më primitive është shfaqur si egoizëm individual kafshëror, pastaj si egoizëm klanor familjar e më pas në format e egoizmit të tribuve e të kombeve që kanë shkatërruar shumëçka për të fituar vetë. Problemi ynë është se ne nuk kemi mundur, në historinë tonë, të kapërcejmë përtej egoizmit individual dhe atij që mund të quhet egoizëm familjar, klanor e së fundmi i partive të shndërruara në tribu plaçkitësish. Deri tek institucioni i familjes, mirë keq, ne funksionojmë pak a shumë si të tjerët, përtej familjes ne nuk kemi ndërtuar dot thuajse asgjë të qëndrueshme pozitive. Në këtë kontekst, nëse do t’i referohemi metaforës së ambasadorit, them se nuk bëhet fjalë për një «gjen vetëshkatërrues», i cili nënkupton një trup të shëndoshë të cilin ky po e shkatërruaka, por për mungesën e shfaqjes së një «gjeni ndërtues», që e rrit aftësinë e lidhjes dhe bashkëpunimit të qelizave individuale dhe familjare me njëra-tjetrën, duke fuqizuar organizmin shoqëror.
Po të shikosh historinë e shteteve të tjera të quajtur të suksesshme, “kuptimi i të mirës së përbashkët dhe interesit kombëtar” sipas të cilit “nëse kontribuoni për ta bërë tortën më të madhe për shoqërinë, edhe feta juaj do të jetë më e madhe”, ka ardhur nga të tilla “mutacione” në organizimin kolektiv të jetës. Ato kanë ardhur nëpërmjet krijimit të komuniteteve fetare, kanë ardhur nëpërmjet ndërtimit të shoqërisë civile, të lëvizjeve kombëtare, të lëvizjeve sociale, që tek e fundit janë ngjizur në strukturat dhe institucionet e atij që quhet shtet-komb, nëpërmjet një dialektike zhvillimi jo pa dhimbje e probleme edhe në shtetet më të suksesshme. Në shoqërinë dhe shtetin tonë të pas 1912-s, «mutacioni» që do ta bënte shoqërinë tonë të ndërtonte “kuptimin e së mirës së përbashkët”, d.m.th një shtet, me institucionet e tij e një administratë publike që funksionon për shtetasit e tij dhe jo kundër tyre, nuk ka ndodhur ende. Sipas meje, tri janë arsyet kryesore historike të kësaj. E para, sepse krijimi i shtetit shqiptar filloi nga një nivel gati zero më 1912-n, më shumë si dhuratë e të huajve, nëpërmjet bashkimit të gjysmërave të katër vilajeteve otomane pa shumë lidhje me njëra-tjetrën, pa një qendër e administratë të përbashkët; së dyti, për shkak të ndërtimit të lëvizjes sonë kombëtare mbi dobësimin deri eliminimin e komuniteteve fetare (për shkak të qenies shumëfish) dhe të mjaft nga çfarë trashëguam nga shteti otoman; së treti e më i rëndësishmi, për shkak të diktaturës komuniste 45-vjeçare që shkatërroi çdo institucion paraardhës e çdo komunitet në emër të krijimit të një regjimi çnjerëzor që, në fakt, ishte forma më e egër e shfaqjes së «gjenit vetëshaktërrues», denoncuar nga ambasadori danez, që ka si moto vepruese parimin «historia fillon me mua ».

* * *
Megjithatë, historia jonë nuk është shumë e ndryshme nga ajo e shumë vendeve të tjera për sa i përket thelbit të asaj që diskutojmë. Le të marrim fqinjët tanë më të dashur, italianët, që njihen si popull gjenial. Eugenio Scalfari, duke shkruar për shkakun kryesor të korrupsionit në Itali, e vë theksin në faktin se italianët ndihen të tëhuajtur nga shteti i tyre. Origjinën e këtij tëhuajësimi ai e gjen në faktin se shteti i bashkuar, pra ai që u krijua në shekullin e XIX, ka qenë i huaj, i largët për italianët, se historikisht ky shtet është përjetuar më shumë si shfrytëzues sesa si garant i paktit shoqëror; më shumë si autor dhune sesa si tutor i ligjshmërisë; se populli nuk ka marrë pjesë, por vetëm ka qenë i pranishëm në lindjen e këtij shteti, pasi 75% e popullsisë ishte fshatare, me fjalë të tjera jashtë institucioneve. Shteti – thotë Scalfaro – nuk ishte një simbol, as atdheu nuk qe i tillë. Për pjesën më të madhe, këto fjalë ishin të panjohura, pa kuptim. Kurse për shtresën e hollë të të privilegjuarve ishin thjesht mundësi për të zaptuar e ligjëruar pushtet në emër të përfitimit personal (shih edhe “Korrupsioni dhe ‘demokracia hibride’” F.Lubonja, Korrieri, 24 janar 2009).
Ja ku e gjemë të artikuluar shprehimisht atë tipar përmbledhës të së keqes, që i shkon fjalë për fjalë klasës tonë politike: shteti dhe atdheu thjesht si mundësi për të zaptuar e ligjëruar pushtet në emër të përfitimit personal. “Gjendja e mjerueshme e sektorit publik, pas 20 vitesh përpjekje ndërkombëtare”, për të cilën flet ambasadori danez, është bash rezultat i kësaj situate, që pa dyshim është shumë herë më e rëndë se ajo italiane për shkaqe kulturore e historike, analizimi i të cilave e tejkalon synimin e këtij shkrimi.

* * *
Problemi është: ç’duhet bërë që të ndodhë mutacioni që shoqëria të kalojë nga mendësia se “për të fituar vetë (duhet) të shkatërrojmë armikun» në “kuptimin e së mirës së përbashkët”.
Nëse mund të flasim për historinë e këtyre njëzet vjetëve, mund të thuhet se vendi ka pasur dy raste për të kryer mutacionin e mirëpritur: të parin më 1991 me rënien e komunizmit dhe lindjen e Partisë Demokratike, të dytin më ’97-n, pas rënies së piramidave vetëshkatërruese. Mirëpo, si në trajtën e asaj që prodhoi Sali Berisha në vitet e para, ashtu edhe në trajtën e asaj që prodhoi Fatos Nano dhe Edi Rama pas ’97-s, mund të flitet më shumë për një mutacion të virusit të vjetër të së keqes (për mbijetesë) në kushte të reja, sesa për një mutacion pozitiv. Jashtë metaforës, sipas gjykimit tim mund të thuhet se dëmi më i madh që i kanë prurë individë si Sali Berisha, Fatos Nano dhe Edi Rama me rrethet e tyre këtij vendi dhe kësaj shoqërie, është fakti se këta i kanë hequr edhe iluzionin e fundit kësaj shoqërie, se ajo mund të prodhojë nëpërmjet individëve të saj hopin kulturor e social në fjalë. Kjo, mu pse këta konsideroheshin si pjesa më e shkolluar, më e edukuar, më e emancipuar e kësaj shoqërie. Dhe, mu pse këta kanë sot të gjitha pushtetet dhe e kanë përhapur në mënyrë kapilare në çdo qelizë virusin e së keqes, ndaj mundësia e mutacionit është edhe më e vështirë seç paraqitej më 1991 apo më 1997.

* * *
Megjithatë, ndërgjegjësimi për dëmin ka ardhur duke u rritur e këtu ndoshta duhet mbështetur shpresa. Në përpjekjet për të gjetur rrugët e mundshme të “mutacionit”, do të thosha se, që ky të ndodhë, duhet që shembujt më të avancuar të së mirës, që ka përftuar shoqëria, të mbijetojnë, dhe të vdesin ato që përsërisin të keqen. Roli i individëve më të zotë, më të iluminuar, i politikanëve më idealistë, është i rëndësishëm në këtë aspekt. Kur ambasadori thotë se “nëse Shqipëria nuk bën një ndarje me mentalitetin “klientelist” dhe të fokusohet te aftësitë, arritjet dhe meritat, (nënvizimi im FL)” ka “pak shpresë” këtë ka parasysh. Duhet guximi për t’i krijuar këta shembuj pozitivë e për t’i mbrojtur e kultivuar ata. Deri më sot, shumë syresh kanë lindur dhe kanë vdekur, sepse i ka mbytur xhungla e krijuar nga më të këqijtë. Por, në një kuptim më të gjerë, është Shqipëria që po vdes nëpërmjet kësaj xhungle, për shkak se ajo nuk është kompetitive, mbijetuese. Ikja e më të mirëve jashtë atdheut, që vazhdon edhe sot për shkak të saj, mbushja e burgjeve të botës me të rinj që merren me trafik droge e prostitucioni, për shkak të saj, ashtu sikurse shikimi i vendit si plehërishte e Europës, po për shkak të kësaj xhungle janë një formë vdekjeje.
Por që të ndodhë një lindje e re momentesh pozitive që përgatisin mutacionin, gjykoj se duhet të ndodhë një ndryshim antropologjik, një ndryshim në paradigmat e kulturës mbizotëruese shqiptare, që sot për sot është e ndërtuar si shprehje e egoizmit individual kafshëror dhe atij klanor të xhunglës në fjalë. Kam parasysh këtu ato paradigma që i përmbledh bukur shprehja e Ekleziastit “Nëse nuk dua veten, si mund t’i dua të tjerët; por nëse dua vetëm veten, pse të jem fare?” apo principin moral kantian “Mos i bëj tjetrit atë që s’do të ta bëjnë ty”, të cilat në kohë të ndryshme janë shfaqur në forma të ndryshe e që sot për sot kanë gjetur shprehjen më të lartë në shtetin social e të së drejtës. Me fjalë të tjera duhet ngjizja e një fryme të re, që do të bënte që ajo që është e rëndësishme për komunitetin, të jetë në harmoni me atë që është e rëndësishme për individin e jo në kundërshti.
Si të arrihet kjo pa rënë në lëvizje komuniste apo nacionaliste të cilat, siç ka treguar historia, kur kanë marrë përsipër të bëhen garant të interesave të komunitetit, kanë shkatërruar interesat e individit? Personalisht shoh pak shpresë se shqiptarët, kështu siç i ka katandisur klasa e tyre politike, mund të gjenerojnë një frymë të tillë pozitive nga vetvetja. Kjo do të mund të vinte nga kontaktet me kulturën e vendeve të tjera, ku aspirojmë të bëhemi pjesë. E, në këtë kontekst, gjykoj se ndryshimi antropologjik duhet të sjellë edhe ndryshimin e paradigmës së gjetjes së armikut jashtë vetes (e ushqyer shumë nga nacionalizmi dhe komunizmi shqiptar, që ka si faqe tjetër të medaljes vetëmburrjen dhe vetëglorifikimin shterpë) në favor të zhvillimit të paradigmës së një vështrimi vetëkritik mbi shoqërinë dhe vetveten. Por, këtu nuk mund të mos vë në dukje se gazetari shqiptar duhet t’i bënte një pyetje që nuk ia ka bërë ambasadorit danez: mirë shqiptarët, por a ka ndonjë përgjegjësi edhe Europa që, megjithëse ka shpenzuar, sipas tij, kaq kohë e energji e ka dhënë 40 milionë që Shqipëria të zhvillojë e forcojë sektorin publik, këto kanë rezultuar pa sukses? E shtroj këtë pyetje ngase gjykoj se, përveç sfondit historik e kulturor për të cilin bëra fjalë, një nga shkaqet e “vetëshkatërrimit” shqiptar është edhe fryma e triumfit të neoliberizmit që na erdhi nga Perëndimi pas komunist, e sintetizuar në shprehjen e Thatcherit: “shoqëria nuk ekziston, ekziston vetëm individi.” E them këtë pasi, ndonëse është e vërtetë që është shpenzuar shumë nga Perëndimi për të ndërtuar në Shqipëri demokracinë, shoqërinë civile, për të mbrojtur dhe disa vlera themelore të njeriut, s’duhet harruar edhe një faqe tjetër e Perëndimit: ajo se politikat ekonomike të tij nuk e kanë parë Shqipërinë me filozofinë, sipas së cilës, nëse kontribuoni për ta bërë tortën më të madhe, edhe feta juaj do të jetë më e madhe, por, përkundrazi me atë të fetës së çdokujt që vihet përmbi interesat e tortës së të gjithëve. Shtoji kësaj edhe faktin se neoliberizmi ka prodhuar një sistem vlerash, atë të konsumizmit e të përfitimit maksimal individual, që edhe në Perëndim i ka gërryer e minuar jo pak arritjet e shtetit social e të së drejtës, e jo më në një shoqëri shqiptare, që e aplikoi si një ideologji pushteti me një stil totalitar.
Si përfundim do të thosha se intervista e ambasadorit ishte edhe një si paralajmërim i fortë se po të vazhdoni kështu, ne s’jemi të gatshëm të ndajmë fatin me ju, dyert tona do t’i gjeni të mbyllura e do t’ju duhet të trokisni në dyer të tjera. Kjo do të ishte me pasoja tejet të paparashikueshme e të rrezikshme për shqiptarët. Por, mua më duket se për mirë apo për keq kemi arritur në një pikë kur mbyllja e dyerve mund të sjellë më shumë probleme për të gjithë, sesa lënia hapur e tyre. Prandaj, gjykoj se sfida që kërkon ambasadori ashpërsisht e me të drejtë nga ne: ajo e kontributit për ta bërë “tortën” më të madhe në emër edhe të “fetës” së gjithsecilit është një sfidë që, tek e fundit, është edhe sfidë europiane. (Panorama 22 korrik 2011)