Friday, July 29, 2011

Këshillat e politikave të këqija

Sikur të isha këshilltar politik i Sali Berishës e të më kërkonte një mendim në të mirë të PD, se si duhej të sillej me krizën që u krijua në Tiranë, këshilla ime do të ishte pak a shumë kjo: më vjen keq për Lulzim Bashën, por është më mirë t’i lihet Bashkia e Tiranës me dhjetë vota Edi Ramës, sepse në këtë mënyrë sipas meje, PD fiton më shumë sesa humbet. Së pari, çka është kryesorja, pranimi i humbjes, qoftë edhe për dhjetë vota, do të tregonte se sa e drejtë është kjo maxhorancë; ajo do të merrte pastaj një vlerësim tejet pozitiv përsa i përket procesit zgjedhor që do të gjykohej në standarde të larta e do të kishte një shpërblim të madh kombëtar e ndërkombëtar. Së dyti, kjo do të ishte një goditje shumë e rëndë për opozitën, për politikat e saj destruktive të ndërtuara mbi gjoja vjedhjen e votës në 2009-n, duke bërë që ajo fushatë dyvjeçare të kthehej në bumerang për Edi Ramën. Së treti, opozita do të kishte në krye të saj një kryetar partie që përsëri pas dy vjetësh do të ishte i ndarë midis aspiratës për deputet e kryeministër dhe asaj për të mbetur kryebashkiak. Për më tepër, duke pasur parasysh se Rama e ka humbur interesin për Tiranën dhe, më anë tjetër, ka detyrimin për t’u marrë me të, po ashtu faktin se PD i kontrollon shtatë minibashki dhe Këshillin Bashkiak, do të ishte shumë e lehtë që ai të lihej të gabonte e të dëmtonte veten e partinë me duart e tija e të shkonte në zgjedhjet e 2013-s pa ndonjë bilanc e pa pretendime të besueshme se opozita e demokracia keqtrajtohen në Shqipëri. Kjo do të ishte një politikë edhe në interes të PD, edhe jo në kundërshtim me politikën si menaxhim i interesave të të gjithëve. Kurse duke iu marrë Bashkia me këto forma që vështirë se i beson kush se janë të pastra, procesi zgjedhor do të njolloset, do të bëhen të besueshme shumë nga akuzat e ngritura për 2009-n, politikat e opozitës do të mund të ndërtohen mbi një çështje mjaft të ndjeshme dhe përgjegjësitë për bllokimin e vendit nga konfliktualiteti politik do t’i mbeten kryesisht maxhorancës.

Pyetja që lind është: po a nuk i kanë shkuar ndërmend këto Sali Berishës, apo nuk ka pasur këshilltarë që t’ia çojnë në vesh? Unë besoj se po. Po pse ka mbizotëruar një gjykim tjetër politik, atëherë? Për mendimin tim, thjesht sepse politika në Shqipëri është bërë e po bëhet gjithnjë e më shumë luftë për kontroll të territorit e të përfitimeve financiare ndërmjet grupeve të interesit që komandojnë të dyja partitë, që kanë ardhur duke u ashpërsuar në një kohë krize ekonomike e që, në më të shpeshtën, janë në kundërshtim me politikën si menaxhim të interesit të të gjithëve. Sipas kësaj politike të keqe, t’i lije Tiranën në dorë Edi Ramës do të thotë t’i lije në dorë mundësi shumë më të mëdha frymëmarrjeje. Sipas kësaj politike, duke mos pasur çelësin e Bashkisë në xhepin e djathtë, atij do t’i bjerë shumë më pak telefoni celular në xhepin e majtë, çka do të thotë, do të ketë më pak mbështetje të të fuqishmëve që kanë financuar partinë për interesat e tyre e që shpesh kanë komanduar edhe telefonat e gazetarëve që i kanë ndenjur gati Ramës. Një pjesë syresh tani mund edhe të falimentojnë, një pjesë do të trokasin në zyrën e Bashës. Pra, sipas këtij kalkulimi politik, humbjet që do të vijnë nga komprometimi i zgjedhjeve në sytë e publikut e të ndërkombëtarëve, apo nga bllokimi i Ramës në dy detyra, do të jenë më të vogla sesa fitimet që do të sjellë kjo rritje e kontrollit të territorit e të interesave nga ana e PD-së. Shtoi këtyre kalkulimeve edhe faktin se, tek e fundit, shumë nga këto interesa nuk duan të dinë për të ardhmen e vendit apo edhe të vetë PD-së në terma afatgjatë, pasi veprojnë siç është vepruar rëndom në ekonominë tonë, sipas formulës “më mirë një vezë sot, sesa një pulë mot”, dhe këshilltari i parë, rolin e të cilit mora unë në krye të këtij shkrimi, do të përqeshej si shumë naiv. Realiteti politik shqiptar, – do t’i thoshin atij këshilltarët e politikës së keqe, - është shumë i thjeshtë për ta sofistikuar me aq shumë variable e të panjohura.
Megjithatë, sipas meje, ka dy të panjohura që Berisha nuk i ka konsideruar seriozisht në zgjedhjen që ka bërë e që mund t’ia hedhin keq në erë kalkulimet sempliste. Këto lidhen të dyja me të njëjtën gjë: me pasojat që mund të sjellë ankthi për të siguruar pushtetin duke kontrolluar gjithçka. E para e panjohur lidhet me atë se si do të reagojë pjesa tjetër e popullsisë kur të shikojë se punësuesi më i madh, që mbetet shteti, kësaj here i kontrolluar edhe në kryeqytet nga demokratët, do të rrisë edhe më prirjen që e ka manifestuar tashmë për të punësuar vetëm njerëzit e vet, për të inkurajuar vetëm bizneset e lidhura me të, për ta përdorur edhe ligjin në mënyrë selektive, për ta bërë edhe korrupsionin të gjithin vetë. Qenia e Ramës në pushtet, qoftë me shpërndarjen që bënte në favor të të tijve, qoftë me namin e të korruptuarit që favorizonte të tijtë, ka qenë një mbrojtje jo e vogël për abuzimet e PD në pushtet e njëherësh për krijimin e imazhit të ekzistencës së hapësirave demokratike në vend. Vërtet që me kontrollin e rritur edhe më të mediave, që do të sjellë pashmangshëm kjo situatë, mund të zbutet perceptimi i krizës dhe ai i korrupsionit, por do të rritet edhe ai i pakënaqësive të lidhura sa me gjendjen ekonomike, aq edhe me ngushtimin e hapësirave demokratike dhe kthimin e vendit në një regjim. Së dyti, kombinuar me të parën, sikurse thashë, kohët nuk duken të mira përsa i përket shëndetit të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst duket se Kryeministri nuk ka nxjerrë një mësim të rëndësishëm nga ’97-a. Ai e di shumë mirë se në ‘97-n ra sepse ra ekonomia e ndërtuar mbi sistemin piramidal, kombinuar ky me ngushtimin e hapësirave demokratike që kishte krijuar në fillimvitet ‘90 rënia e komunizmit. Mësimi që duhet të kishte nxjerrë, sipas meje, është se në kohë krizash, përgjegjësitë duhen ndarë sa të jetë e mundur, e jo kërkimi i vendosjes së kontrollit mbi gjithçka, që do të thotë edhe marrje e të gjitha përgjegjësive. Pra, sikur pushtetet të kishin qenë më të balancuara në ‘97-n, edhe përgjegjësitë përsa u përket piramidave, do të kishin qenë më të balancuara, edhe agresiviteti i njerëzve nuk do të ishte përqendruar në një target të vetëm: Berishën dhe qeverinë e tij “Meksi”. Duke parë se zëri i politikave të urtësisë dhe largpamësisë edhe kësaj here po mbyten nga zëri i aventurizmit dhe i babëzisë së politikave të këqija, nuk mund të mos e mendosh se këtë mësim, që popullorçe i thonë, “filli këputet duke u holluar, zullumi duke u trashur”, Berisha e të tijtë, edhe në e paçin pas nxjerrë, duket sikur e kanë harruar.  (Panorama, 16 korrik 2011)

Kriza optimiste e Kryeministrit

Para disa ditësh, Kryeministri, duke folur për ekonominë tonë, shfaqi tone optimiste, madje, duke bërë krahasim me krizën që ka kaluar e po kalon bota perëndimore, e veçanërisht disa vende të saj, tha se Shqipëria paraqitet si e kundërta e kësaj krize: me stabilitet dhe rritje 3,5 për qind. Nuk mund mos të të lindin disa pikëpyetje të rëndësishme mbi këto pohime përsa i përket vërtetësisë e bindshmërisë së tyre. E para pyetje që të vjen ndër mend është se si është i mundur ky pozitivitet e optimizëm, ndërkohë që bota përreth është në krizë? Cilat janë mjetet që i siguruakan “ishullit” shqiptar këtë rritje fatlume? Të lind kjo pyetje natyrshëm pasi, sikurse dihet tashmë dhe sikurse është thënë nga shumë ekonomisë vendas e të huaj Shqipëria është vendi që ka pasur e ka emigracionin më të madh në të gjithë Europën në raport me numrin e popullsisë. Flitet për një milion e ca shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë. Shkaku dihet: vështirësitë ekonomike brenda vendit. Emigrimi është konsideruar si burimi kryesor i mbijetesës shqiptare gjatë periudhës pas komuniste. Atëherë, nëse vendet ku emigrantët jetojnë e punojnë, si p.sh. Greqia e Italia, SHBA e shumë vende të tjera perëndimore janë në krizë, kjo do të thotë që s’ka mundësi që këta të mos e ndiejnë krizën atje, madje më fort se të gjithë, sepse dihet se emigrantët janë të parët që goditen nga papunësia në këto vende. Pra, logjikisht, edhe pa pasur shifra mbi të ardhurat nga emigrimi, nuk mund të thuhet se ne jemi jashtë krizës, nëse elementi më i rëndësishëm i mbijetesës sonë ekonomike këto 20 vjet ka pësuar rënie.

Ndërkaq, brenda vendit nuk shohim të lulëzojë ndonjë ekonomi prodhuese që të na bëjë optimistë. Ndonëse thuhet se diku-diku bujqësia e ka marrë pak veten, vështirë të bindesh se është ky shkaku i rritjes ekonomike. Po ashtu nuk mund të thuash se disa fasoneri andej-këndej, ku punonjësit marrin 100-150 euro pagë në muaj, janë burim rritjeje, pasi edhe tregu i tyre po ai perëndimor është. Edhe turizmi, për të cilin flitet aq shumë tani në verë, nuk është jashtë krizës së rajonit. Mjaft të kesh parasysh se Greqia, që njihet si vend turistik “par exellence”, ka ulur çmimet.
Atëherë, çfarë mund të thuhet për deklaratat e Kryeministrit? Nga cili element i ekonomisë buron optimizmi i tij?
Së pari, duhet thënë se ne nuk kemi institute kredibël matës, qofshin këto publike, qofshin shoqëri civile apo media. Ne jemi të shtrënguar t’u besojmë disa shifrave që na servir qeveria e të themi se janë të besueshme apo të pabesueshme, duke i krahasuar kryesisht me çfarë dimë, dëgjojmë e perceptojmë. INSTAT-in fatkeqësisht nuk e merr kush seriozisht. Ai është një matës që duhet “taruar”, do të thoshte një specialist ndreqës i aparateve matëse.
Së dyti, ne na mungojnë, edhe për shkak të nënshtrimit të gjatë, sensorët që duhet të na bëjnë t’i ndiejmë fort dhimbjet e krizës, ndërkohë që sëmundjen që e shkakton atë e kemi të zhvilluar që ç’ke me të. Me fjalë të tjera, desha të them se nëse grekëve do t’u thuhej sot se pensionet e tyre do të jenë aq sa të shqiptarëve, se rrogat e administratës së tyre do të jenë sa të shqiptarëve, se rrogat e policisë së tyre, të mjekëve të tyre, të mësuesve të shkollave të tyre do të jenë aq sa të shqiptarëve ndërkohë që standardi i jetës do t’u mbetet ai që është (pak a shumë sa ç’e kanë shqiptarët), atëherë trupi i tyre do të ndiente një ethe të tillë, sa nuk do të digjeshin disa dyqane e disa banka, siç po digjen tani nga revolta e të indinjuarve, por do të digjej Athina me gjithë Akropol.
Së treti, sipas shumë të dhënave, ky optimizëm mbahet gjallë në sajë të borxheve gjithnjë e më të fryra që qeveria shqiptare po merr andej-këndej, siç është p.sh. ai për tunelin e Kërrabës, që do të punësojë edhe ca njerëz e do të shpërndajë edhe ca lekë, por që janë lekë që ata që i marrin sot do t’i paguajnë si frëngu pulën nesër.
Së katërti, na mbetet të shohim se mos optimizmi i Kryeministrit, direkt apo indirekt, mbështetet në atë që ka qenë një nga burimet kryesore të mbijetesës së shqiptarëve në këta njëzet vjet: ekonomia kriminale, ajo e trafiqeve të drogës, të prostitucionit, që thuhet se në kohë krizash lulëzon edhe më. E them këtë pasi ndër pak gjërat që përmendi Kryeministri për të na bërë të ndajmë optimizmin me të, ishte se industria e ndërtimit ka filluar të funksionojë përsëri; e s’mund të mos kujtoja se para disa vjetësh ai ka pas thënë se një pjesë e kësaj industrie punonte për riciklim parash të pista. Në fakt, sipas çka shohim me sy, jemi larg bumit në ndërtime të një herë e një kohe, por gjithsesi, a mund të na bëjë optimist rifillimi i kësaj industrie edhe sikur të mos jetë riciklim parash? Edhe qorr të jesh nuk mund të mos shohësh se numri i ndërtimeve të papërfunduara është katastrofik; se numri i ndërtimeve të tepërta është po ashtu katastrofik. Ngado nga shkon vihet re se ka me qindra mijëra ndërtime që duket se janë ndërtime emigrantësh që kanë investuar lekët e tyre për të pasur një shtëpi në Shqipëri, nganjëherë edhe tre-katërkatëshe, por që me mbarimin e shtëpisë nuk kanë asnjë punë, pra s’kanë asnjë interes për ta banuar atë. Pyetja që shtrohet është: për çfarë punon ndërtimi ende, për vetveten si një gjarpër që ha bishtin e vet duke shkatërruar edhe territorin e ambientin, apo për të sjellë zhvillim?
* * *
Kryeministri, megjithatë, e dha një shpjegim kryesor pse tek ne nuk ka krizë: pasi ekonomia jonë është e privatizuar, duke lënë të kuptojë se ka ndër mend ta privatizojë edhe më, duke i qëndruar besnik sistemit neoliberist të “laisez faire”. Për ne që e kemi jetuar realitetin shqiptar të këtyre njëzet vjetëve, kjo do të thotë që shteti të sillet si një prind që thotë se në familjen e tij nuk ka krizë, pasi i ka lënë fëmijët të lirë në rrugë të bëjnë ç’të duan, pa e marrë mundimin as të dijë se çfarë bëjnë ata, se vjedhin, se kalben nëpër burgjet e botës si trafikantë droge e prostitucioni, se rropaten si emigrantë për pesë lekë, apo se me lekët e pensionit që marrin nuk ulen dot të pinë një kafe.
Sot pjesa më e ditur dhe më e përgjegjshme e shoqërive perëndimore e ka kthyer vëmendjen mbi sistemin neoliberist të “laisez faire”, mbi kufizimet e tij dhe mbi nevojën e riformatimit të tij. Së fundi, një nga revistat më prestigjioze amerikane kishte ftuar për këtë në një debat mendje të ndritura të SHBA me pyetjen se ç’duhet bërë për këtë? Bill Klintoni vetë kishte shkruar aty duke mbështetur 13 pikat që sugjeroheshin nga autorë të ndryshëm. Ndër to më tërhoqën vëmendjen dy syresh: njëra kishte të bënte me rolin e shtetit, ku thuhej se është e drejtë që ai duhet të jetë “i vogël”, në kuptimin e të qenit i pangarkuar me administratë etj., por, ama, sugjerohej se ai duhet të jetë i fortë, jo i dobët. Pra, roli i tij si kontrollor i privates, i tregut, si udhëheqës politikash ekonomike etj., duhet të jetë shumë më i madh nga ç’është. Tek ne shteti jo vetëm që s’është ashtu dhe aq i vogël në kuptimin e shpenzimeve për administratën etj., por është aq i dobët ndaj privatit, sa është kapur krejtësisht prej tij, funksionon në shërbim të tij. Së dyti, në trembëdhjetë pikat m’u duk e rëndësishme ideja se ekzaltimi i fitimit privat, që ka çuar në aq spekulime katastrofike, s’mund të jetë motori që vë në lëvizje ekonominë. Në SHBA ka filluar eksperimentimi me ndërmarrje që nuk kanë në qendër të motivimit përfitimin privat, por të tipit “non profit”, ku motivimi i njerëzve është shumë më i motivuar nga shërbimi etj., etj. Një shembull i tillë janë edhe universitetet e ashtuquajtura private prej nesh në SHBA të tipit Harvard, që në fakt janë “non profit”. Tek ne mjaft të shohësh këtë sektor në “lulëzim” dhe mbështetjen që i jep Kryeministri këtij “lulëzimi”, për të kuptuar se çfarë zhvillimi na pret.
* * *
Si përfundim, mund të shtrohet pyetja: cili është shkaku që Kryeministri nuk e sheh tërë këtë problematikë, por rrezaton thjesht e vetëm optimizëm? Ka që thonë se kjo i vjen për shkak të mosnjohjes së realitetit, pasi jeton në botën e tij që s’ka shumë lidhje me realitetin e se për këtë izolim e ndihmojnë edhe ata rrogëtarë të tij puthadorë që punojnë si në INSTAT e kudo gjetkë, që s’guxojnë t’i japin shifrat reale. Unë jam i prirë të besoj se më shumë sesa kjo ndikon lufta për pushtet. Ai e sheh retorikën optimiste si kundërvënie ndaj “depresionit” që synon të ngjallë opozita për ta rrëzuar nga pushteti e në këtë kuadër ka mobilizuar të tijtë “grusht-bashkuar kundër armikut”. E, me “të tijtë” kam parasysh edhe një administratë që vjen e bëhet gjithnjë e më blu. Pra “optimizmi” i vjen ngase “doktori” nuk mund të na thotë se jemi sëmurë, nga frika se do të kërkojmë doktorë të tjerë. Përshtypja ime është se përtej kësaj lufte ai nuk sheh asgjë dhe nuk është në gjendje të shohë asgjë. Ai është i shtrënguar të jetojë në një krizë optimizmi. Mungesa e të indinjuarve si në Greqi apo në Spanjë, për shkak të traditës e të qorrimit me qëllim të shumë sensorëve, për çka fola më lart, ia lehtëson përjetimin e kësaj krize duke bërë, fatkeqësisht, që efektet negative të krizës ekonomike te shumica e popullsisë të rriten dita-ditës. (Panorama 12 korrik 2011)

Wednesday, July 13, 2011

Polemikë me Klosin dhe Tufën

Para disa ditësh, i nxitur nga polemika Klosi – Marku – Tufa, shkrova një artikull mbi nevojën e rolit kritik të intelektualëve pranë partive. Në shkrim bëja një dallim midis pushtetarëve dhe këtyre intelektualëve, i cili, sipas meje, qëndron në atë se këta, gjithë duke qenë të angazhuar pranë një partie, duhet të ruajnë një distancë kritike; se ndryshe nga pushtetarët që jetojnë shumë me përditshmërinë, kanë për detyrë të jenë ruajtës të vizionit të partisë në terma afatgjatë, të zhvillojnë idetë, t’i artikulojnë, të bëjnë edhe kritikën. Së dyti, duke qenë se ekonomikisht jetojnë kryesisht në sajë të punës së tyre dhe jo në sajë të punëve partiake, kjo u siguron edhe më shumë pavarësi mendimi e dinjitet. Pra, pa e denigruar këtë tipologji intelektuali, përkundrazi, duke e konsideruar shumë të rëndësishme ekzistencën e saj, kritika ime ishte se te ne, kjo kategori – ku fusja edhe tre polemizuesit  – nuk e kryen misionin e bërjes së politikës sonë më demokratike, më vizionare, më koherente, më të moralshme, më vetëkritike, më dialoguese, më racionale. Më shtyu për këtë fakti se ndërkohë që shoqëria është e bllokuar nga një konfliktualitet shkatërrues midis dy palëve politike – ku rolin e moderuesit dhe të arbitrit, në vend që ta bëjë pjesa më racionale e shoqërisë, e bëjnë ndërkombëtarët, – intelektualët shqiptarë pranë palëve i hedhin edhe më benzinë zjarrit. Në analizën pse ndodh kjo, akuzoja kryesisht mendësinë e pushtetarëve që nuk janë të hapur për kritikë, faktin se dy partitë në pushtet kanë krijuar një frymë klienteliste në rritje, ku po bëhet gjithnjë e më e vështirë, qoftë edhe për të mbijetuar, pa mbështetjen e njërit apo të tjetrit pushtet, por theksoja edhe mungesën e kurajës intelektuale e përgjegjësinë e intelektualëve për këtë. Sa për pozicionin prej nga e shkruaja, mund të them se ishte nga përvoja e atij që e ka parë veten në rolin e mbështetësit të njërës apo tjetrës palë e që, gjithnjë e më i zhgënjyer, është distancuar prej tyre duke iu afruar pozicionit të gazetarit që e gjen shumë të vërtetë thënien e Montanelit, “larg atyre gazetarëve që hanë e pinë me pushtetarët!”, të cilën ka kohë që e predikoj duke u përpjekur edhe ta aplikoj. Me nuanca dhe pa harruar të theksoj se nuk shkruaja thjesht për këta të tre, u përpoqa që shkrimin ta bëja me mirëkuptim dhe mirëdashjeje, jo me arrogancë dhe as për të thënë se “raca” ime është më e mirë se “raca” e tyre.
 * * *

 Nuk vonoi shumë dhe më erdhën përgjigjet së pari nga Tufa dhe pastaj nga Klosi, që më bënë të rishikoj edhe një herë kategorinë ku i kam futur këta njerëz. Mbeta i çmeritur kur pashë se që të dy refuzonin të shprehnin qoftë edhe një mendim mbi çështjen që kam ngritur. Tufa e thoshte në përgjigjen e tij (vetëm në kllapa), se kjo është e rëndësishme, por ngulmonte me të madhe se marrja e tij për ilustrim si një intelektual i kësaj kategorie ishte një gabim i madh dhe vazhdonte, me stilin e gazetarisë sonë më të rëndomtë, një sërë akuzash kundër meje për të provuar se ky Lubonja, që ngre këtë çështje, s’është ndonjë burrë më i mirë – a thua se kjo e fshin rëndësinë e çështjes që kam ngritur dhe e lan Tufën nga përgjegjësitë vetjake. Klosi, nga ana e tij, pasi e përjashtonte edhe ai veten nga kategoria në fjalë duke thënë se është marrë me punëra kulture, jo me politikë, më këndonte një këngë të vjetër, sipas së cilës, kritikat që kam bërë e bëj unë ndaj Ramës burojnë nga fakti se punët e Edi Ramës në politikë janë si simfonitë e Moxartit, kurse ato çka them e shkruaj unë burojnë nga zilia e Salierit, që s’ka mundur të bëhet një Moxart i politikës si Rama. Them “këngë e vjetër”, pasi këtë e ka kompozuar disa vjet më parë Klosi me porosi të Ramës, kur unë kritikoja disa punëra, sipas meje të mbrapshta, në Tiranë, dhe e kanë mësuar përmendësh dhe e këndojnë në kor një numër klientësh të Ramës.

 Me fjalë të tjera, në vend të debatit që unë e quaj të rëndësishëm mbi kondicionin e intelektualëve pranë partive (për të cilët Klosi në një anë e Marku në anën tjetër përdorin termin “taraf” e thonë plot gjëra të rënda), pashë një personalizim në shijen më të keqe që në fakt e mbyt debatin mbi çështjen duke i ftuar njerëzit të merren me thashethemet se kush është njëri e kush është tjetri, se sa lekë merr e abuzon njeri e sa tjetri, që të bën të mendosh se këta, më shumë se intelektualë, janë lek-tualë. Është e vështirë të hysh në një polemikë të tillë pa u personalizuar çështja. Aq më tepër kur të akuzojnë për gjëra personale njerëz që vetëm me këto duket se dinë të merren. Duke dashur t’i ruhem sa të jetë e mundur këtij meskiniteti, po përpiqem t’u jap përgjigje dy polemizuesve, pa gënjyer e deformuar faktet personale, siç bëjnë ata, dhe, mbi të gjitha, në funksion të debatit në fjalë.

 Siç e kuptoj unë reagimin e tyre, ajo që i ka prekur më shumë polemizuesit nuk është akuza se janë të lidhur me Berishën apo Ramën, por fakti se unë them se ata, si kategori, kanë gëzuar dhe gëzojnë të mira në sajë të këtyre lidhjeve dhe se frika e humbjes së këtyre i pengon të shprehin mendime kritike brenda grupimeve që mbështesin. E them këtë duke pasur një farë respekti për inteligjencën e kësaj kategorie, sepse përndryshe na mbetet të themi se ata janë militantë të bindur në pagabueshmërinë e liderëve që mbështesin. Por mua më rezulton se këta nuk bëjnë pjesë në kategorinë e atyre për të cilët thuhet “falua Zot se s’dinë se ç’bëjnë”. Janë dy gjëra pra që duhen ndarë e që ata nuk i ndajnë qartazi: a hyjnë apo nuk hyjnë ata në kategorinë e intelektualëve mbështetës të Sali Berishës dhe Edi Ramës pa fije kritike ndaj tyre dhe, nëse po, siç më rezulton mua nisur edhe nga fakti se në përgjigjet e tyre nuk jepnin ndonjë provë për të kundërtën, kjo kategori e bën këtë për bindje, për interesa materiale, për frikë, për ndjenjë përkatësie në grup apo për çfarë? Lidhur me të parën, pa ua mohuar shkollimin dhe punën individuale, ka shumë fakte që tregojnë se edhe këta nuk do të ishin këta që janë, për mirë edhe për keq, pa lidhjet e tyre me politikën e dy partive kryesore të vendit, respektivisht me liderët e këtyre dy partive. Për Klosin mjaft të kujtoj se erdhi nga Gjermania i katapultuar si drejtor i Radio Televizionit Shqiptar me ndërhyrjen e Edi Ramës te Fatos Nano. Në media është botuar edhe një letër e tij ku i lutej ish-kryeministrit që t’i shpejtohej emërimi. Po ashtu, ndonëse ai pretendon se gjatë këtyre dhjetë vjetëve është marrë me punëra kulture dhe jo me punën e rëndomtë të “politologjisë”, siç më përqesh mua, nga sa di unë, tre libërthat e vetëm që ka me autorësinë e tij i ka “politologji”, madje i fundit është ai për Gërdecin, ku demaskon korrupsionin e klasës sonë politike. Shto pastaj edhe artikujt e protestat e shumta për politikat ambientale, për monumentet e kulturës si dhe shkrimet e shumta që ka botuar në gazetën “Shekulli” kundër Sali Berishës, në mbrojtje të Edi Ramës e mund të arrish lehtë në përfundimin se tash e gjithmonë ky nuk ka qenë thjesht e vetëm një akademik, siç pretendon, dhe aq më mirë.

 Përsa i përket Tufës, kur e futa tek intelektualët pranë PD-së, kisha parasysh disa gjëra: faktin se ai u shfaq dukshëm pranë PD-së kur u bë një nga anëtarët e KOP-it të Sali Berishës për çështjet e arsimit e kulturës, aq sa, me sa kujtoj, ka dalë në debate politike në prag-zgjedhjet e vitit 2005 përballë ish-ministrit socialist të Kulturës, Klosi; qenien e tij kryetar i Këshillit të Radio Televizionit; (ai thotë se është zgjedhur nga po ai Parlament i djathtë që më zgjodhi edhe mua në vitin 2005, por për këtë do të flas më poshtë.); si dhe faktin që qysh kur ka marrë PD-ja pushtetin, ai më rezulton thuajse çdo vit o fitues çmimesh letrare të Ministrisë së Kulturës, o në jurinë që jep këto çmime. Nuk po përmend këtu numrin e pafundmë të shkrimeve që ka bërë kundër Edi Ramës, ndërkohë që nuk kam lexuar një shkrim të vetëm ku të kritikojë Sali Berishën.

 Kritika që i bëj Klosit, pa i thënë se s’duhet të jetë mbështetës i Ramës e pa ia veshur atij përgjegjësitë kryesore për punët e mbrapshta në Tiranë e në PS, është se si ambientalist i njohur e mbrojtës i monumenteve të kulturës, këtë veprimtari nuk e ka kryer në Tiranën e Edi Ramës, ku është bërë masakra më e madhe qoftë ndaj ambientit, qoftë ndaj monumenteve të kulturës; apo se kur ka shkruar librin për Gërdecin, duhet t’i hynte në thellësi si intelektual sistemit të korrupsionit e të zbulonte lidhjet e Delijorgjit edhe me Ramën e socialistët e se kjo do t’i bënte mirë sa vendit, edhe vetë partisë apo liderit në fjalë. Kritika që i bëj Tufës, pa ia hequr edhe atij të drejtën për të qenë i propozuar nga një palë, lidhet me gjendjen e mjerë të Televizionit Publik i të cilit është kryetar i Këshillit Drejtues, me faktin se s’ka drejtuar asnjë kritikë ndaj Sali Berishës e shumë politikave të tij, duke përfshirë edhe talljen që ka bërë e po bën PD me dëmshpërblimin e ish-të burgosurve politikë – meqë ai thotë se e ka për zemër këtë temë. E, në përgjithësi, u përpoqa të vë në dukje rolin kritik që mendoj se duhet të luajë kategoria ku i futa, që të mund të dalim nga ky bllokim i racionalitetit. U përpoqa ta arsyetoj me mirëkuptim psenë e mungesës së kritikave të tyre. Nga përgjigjet e tyre shpresoja se debati mund të shkonte edhe në hullinë se ç’duhet bërë që intelektualët të jenë më të fortë në këtë shoqëri, e jo vetëm në atë të mbrojtjeve personale shpesh me akuza ndaj meje. Mirëpo, ndërkaq, Klosi nuk jep asnjë përgjigje ndaj pyetjes pse s’ka bërë asnjë kritikë ndaj Ramës në 12 vjet. Kurse Tufa tenton të mbrohet duke thënë se ai ka qenë e mbetet në koherencë me temën e tij të preferuar: persekutimi komunist, e se kjo e bën të jetë i djathtë, d.m.th. me Sali Berishën. Madje ai shfaqet sikur është edhe parimisht kundër kritikës që kërkoj unë kur më thotë se edhe ha në mediat private, edhe i quaj “regjim mediatik”.

 * * *

 Le t’i kthehem këtu çështjes së Televizionit Publik, që ishte shkaku kryesor që unë e futa Tufën në kategorinë në fjalë e që më duket se duhet trajtuar për të shpjeguar pak më gjerë edhe pse jemi në këtë gjendje. Është e vërtetë ajo që thotë Tufa, se unë u zgjodha së bashku me të si anëtar i Bordit të Këshillit Drejtues dhe pastaj kryetar. Por le ta kujtojmë se çfarë ndodhi më pas: ne u votuam vërtet vetëm nga pjesa e djathtë e Parlamentit, por u propozuam sipas një formule/ligji që nënkuptonte se ne ishim shoqëri civile, çka ishte në koherencë me fushatën elektorale që kishte bërë PD-ja për t’ua hequr Televizionin Publik partive dhe për t’ia dhënë shoqërisë civile. Siç duhet ta kujtojë Tufa, menjëherë Edi Rama me shokë na akuzuan se ishim shoqëria civile e Sali Berishës dhe se ai nuk e njihte këtë Këshill, por donte të kishte atje përfaqësuesit e shoqërisë civile “të tij”. Përsa më përket mua, nuk e identifikoja veten as si shoqëri civile e Berishës, as e Ramës, por si pushtet i katërt, dhe synimin e kisha që të bënim një Televizion Publik që t’i kthehej vërtet publikut e që do të rregullonte edhe anomalinë e atij që e quaja prej kohësh dhe vazhdoj ta quaj “regjim mediatik”: shpërdorimi i mediave private nga oligarkë të ndryshëm deri në nivelin e kapjes së shtetit prej tyre, që e kishte ndërtuar Edi Rama me Ilir Metën dhe Fatos Nanon e që ishte një nga shkaqet që si gazetar mbështeta fushatën e Sali Berishës. Hyra në këtë sprovë jo pa dyshime, por me bindjen se duhet të ngulmoja në timen, sepse, tek e fundit, gjykoja (siç gjykoj edhe sot), se për të demokratizuar diçka më shumë këtë shoqëri duhet edhe kuraja individuale për t’u thënë edhe “jo” të pushtetshmëve e për të konsoliduar institucione që ligjërisht duhet të jenë të pavarura nga pushtetet e tyre. E, për hir të së vërtetës, në të vetmin takim që pata me Sali Berishën në atë post, ai më respektoi kur ia kundërshtova idenë e tij se në krye të Televizionit Publik duhej vënë një menaxher, duke i thënë se, sipas meje, aty duhej një gazetar politik me peshë. Tufa e di shumë mirë se ne po kërkonim asokohe një drejtor sa më të pavarur. Mirëpo, pas presioneve të Edi Ramës nëpërmjet një marrëveshjeje në kurriz të ligjit, Sali Berisha pranoi që Këshilli të dyfishohej me të propozuarit e Edi Ramës, d.m.th. me shoqërinë civile të këtij. Ky ishte momenti kur unë dhashë dorëheqjen, pasi – sikurse e kam deklaruar publikisht që atëherë – humba edhe ligjërisht statusin e të propozuarit nga shoqëria civile e pavarur nga partitë dhe rrezikoja të futesha në atë të PD-së. Kurse Tufa mbeti dhe u bë madje kryetar i Këshillit Drejtues, i cili pastaj zgjodhi për drejtor të ri, bash një menaxher. Sot Televizioni Publik është ai që është: një vegël qorre e qeverisë. A mund të thotë Tufa se nuk është përgjegjës për këtë, ndërkohë që është njeriu që me ligj është zgjedhur nga Parlamenti për të drejtuar këtë pronë publike që mbahet me paratë publike, në shërbim të çdo qytetari dhe jo të qeverisë së tij? Në vend se të thotë dy fjalë për këtë, ai më kundërpërgjigjet se unë edhe ha bukë në sarafin e mediave private, edhe i quaj ato “regjim mediatik”, pa kuptuar se unë bash këtë i kërkoj edhe atij: që të mos katandiset në puthador të qeverisë, pasi jo vetëm se ato para që merr nuk janë të Sali Berishës, por të publikut, por edhe sikur të ishin të këtij, punëmarrësit kanë të drejtat e tyre që mbrojnë dinjitetin e punës e të njeriut. Me këtë rast i kujtoj atij (si dhe Klosit), se unë si gazetar nuk jam përgjegjës për politikat editoriale të mediave ku punoj, por vetëm për atë që nxjerr nga goja e pena ime dhe se liria e shprehjes është një e drejtë e garantuar edhe me kushtetutë edhe nga paraja publike që këto media marrin në sajë të shitjeve, audiencave, reklamave etj., pa lënë mënjanë ato përfitime të lidhura me politikën që personalisht i kam denoncuar vazhdimisht. Në këto media, pra, siç e pranojnë edhe vetë, kam kritikuar, në përputhje me vizionin tim për botën dhe për punët e Shqipërisë, si Ramën dhe Berishën (ca më pak këtë të dytin, thotë Klosi, por le të bëjë edhe ai kaq ndaj Ramës), edhe mediat ku punoj (siç thotë Tufa). Kur më kanë censuruar, nën presionet e politikës, siç ka ndodhur te “Shekulli”, kam ikur duke denoncuar censurën dhe duke përballuar vështirësi jo të vogla, por pa mbetur pa bukë. Pra, pa bërë heroin dhe pa pretenduar të jem jashtë sistemit mediatik që është tejet problematik e i deformuar, përsëris idenë e shkrimit të mëparshëm se në këtë sistem, gjithsesi, ndryshe nga diktatura, ka megjithatë mundësi zgjedhjeje për t’u bërë kritik e për t’u thonë “jo” “bukëdhënësve”, për të bërë kompromise, por jo kundër vizioneve që ke për botën e për ta ndryshuar për mirë realitetin.

 * * *

 U zgjata në këtë histori jo për të bërë CV-në time, as për t’i thënë Tufës se kush je ti e kush jam unë, por për të përshkruar mekanizmat që tregojnë përgjegjësit kryesorë të kthimit të intelektualëve e të shoqërisë civile në përgjithësi në klientelën servile të partive dhe për të ngacmuar debatin mbi rrugët se si mund të dilet nga ky qorrsokak. Fakti që sot RTSH është krejtësisht në duart e njërës palë, tregon se deri ku mund të degjenerojë aftësia për kritikë e shoqërisë kur ekuilibrat tentohet të ruhen nëpërmjet presionit e parasë së dy partive. Edhe zgjedhjet e fundit e provuan këtë dramatikisht. Mirëpo, duke lexuar përgjigjet e Tufës dhe Klosit ndriçohesh shumë më qartë lidhur me përgjegjësitë e kësaj gjendjeje. Në shkrimin tim ka një gabim themeltar kur flas për pushtetarë që kërkojnë pushtetin e të sotmes si Berisha apo Rama dhe intelektualë kritikë, të cilët duhet të ngulmojnë për të vërtetën e të nesërmes. Ky është një kategorizim shumë ideal, aq më shumë për një vend si Shqipëria. Realiteti është se një vijë dallimi e prerë nuk ekziston. Problemi është se sipas meje, fakti se ideali nuk mund të arrihet s’do të thotë se s’duhet folur për të. Vë re se në “racën” e gazetarëve dhe në të rinj është rritur numri i atyre që e bëjnë këtë dallim dhe e bëjnë kritikën e sistemit të të dyja palëve pa komplekse. Kurse, për fat të keq, polemizuesit e mi nuk duan të flasin për këtë dallim. Duke lexuar përgjigjet e tyre bindesh se këta, në fakt, vetëm për shkak fuqie më të vogël nuk janë në rolin e Berishës apo Ramës, se nesër, po të merrnin rolin e tyre, do të tregoheshin po aq intolerantë dhe hakmarrës ndaj kritikës, në mos edhe më keq. Madje, siç akuzojnë edhe njëri-tjetrin, duket se kështu sillen në hapësirat e vogla që kanë sot për sot nën pushtet: me paranë publike apo të fondacioneve të huaja që kanë në dorë, me çmimet letrare apo përkrahjet që japin apo nuk japin. Paçka se kanë folur e flasin tërë ditën kundër komunizmit, unë ngulmoj se ata janë tipologjia e intelektualit që kemi trashëguar nga komunizmi: që mendon se mund të mbijetojë e të bëhet i njohur e i vlerësuar, me çmime e me para vetëm në sajë të mbështetjes së pushtetit, dhe jo si denoncues i së keqes së pushtetit, siç janë rëndom intelektualët më të njohur të botës demokratike.

 * * *

 Së fundi, pa dalë nga kjo temë, meqenëse Klosi e Tufa më ftojnë të shprehem mbi qëndrimin ndaj etërve tanë ish-komunistë në pushtet, le të them mendimin tim nisur nga përvoja ime për çka, sigurisht, kam menduar gjatë e shkruar jo pak. Mua më duket se arrij ta kuptoj mirë fanatizmin edhe lakeizmin e atyre që kanë bërë krime gjatë komunizmit. Historia është e mbushur me shembuj revolucionarësh, të cilët, ashtu siç kanë qenë të gatshëm të japin jetën, kanë qenë të gatshëm edhe të çojnë në turrën e druve apo në gijotinë kundërshtarët e tyre. Ajo është e mbushur edhe me njerëz injorantë që kanë ushqyer flakën e turrës së druve të persekutimit nisur nga ajo ndjenjë që Jan Husi e quan “santa semplicita”. E kuptoj edhe etjen për pushtet të revolucionarëve të shndërruar në diktatorë, që për të siguruar pushtetin kanë vrarë e kanë prerë deri në fund të jetës së tyre. Ajo që më ka munduar gjithmonë është pyetja se pse pjesa më e ditur, kur e kuptoi se besimi i tyre ishte i gabuar, nuk u tërhoqën, nuk kërkuan ndjesë, nuk reaguan kundër, por vazhduan të njëjtën rrugën? Historia e atyre, pra, për të cilët, sikurse shkrova më lart, nuk mund të përdoret shprehja “Falua Zot, se s’dinë se ç’bëjnë”. Ajo që më ka munduar gjatë viteve të burgut, që i konsideroj vitet e pjekurisë, edhe lidhur me jetën e tim ati në pushtet, është pyetja se pse, kur e kuptuan ç’bëhej, në vend se të kishin kurajën të ngriheshin kundër Enver Hoxhës nuk bënë diçka në kohën e duhur, por pritën që ai t’i hante të gjithë me shpresë se atë më lajkatarin do ta hante të fundit? Kam shkruar edhe një roman nën petkun e një drame, “Ploja e Mbrame”, mbi këtë temë. Mungesa e kurajës qytetare e intelektuale, frika për të humbur pushtetin, privilegjet, frika për të përfunduar ashtu siç kishin përfunduar paraardhësit, janë disa nga përgjigjet. Por këto përgjigje kanë qenë të lidhura edhe me pyetjen: çfarë do të bësh ti, o njeri, nesër nëse do të jesh në kushte që të kesh diçka në dorë? A do të pranosh që për fëmijët e tu të krijohet e njëjta situatë, që ata të detyrohen të ulin kokën, të poshtërohen e të humbasin lirinë përpara arrogancës së më të fuqishmit, të abuzuesit me pushtetin, të korruptuesit apo do të përpiqesh që ata të kenë më shumë liri e dinjitet? Im atë, ndjesë pastë, kishte reflektuar mjaft në burg për këtë çështje. Në fillim të viteve ‘90, kur Sali Berisha filloi të linçonte kundërshtarët e tij dhe shumë njerëz filluan të trembeshin e konformoheshin, na thoshte me qesëndi mua e disa miqve të mi ish-të burgosur: “Ju na keni kritikuar pse nuk bëmë diçka për të ndaluar Enver Hoxhën. Keni të drejtë, por ne ishim me rrezik koke atëherë, kurse ju tani jeni në demokraci dhe s’po keni kurajë?”. Në fakt, historia për çdo brez nxjerr përpara sfidat e veta. Kishte ardhur radha jonë dhe, për fat, në kushte shumë më të lehta. Është kjo arsyeja kryesore pse në fillimvitet ‘90 unë u bashkova me tërë ata që u ngritën kundër autoritarizmit të ri të Sali Berishës. I kam përshkruar dilemat e kësaj zgjedhjeje në librin “Nëntëdhjeteshtata, apokalipsi i rremë”, ku përpiqem, mes të tjerash, të tregoj edhe se është lehtë të godasësh me shqelma një monument diktatori të rrëzuar përtokë, por është shumë më e vështirë t’i kundërvihesh sivëllait të tij kur ky është më këmbë, i fuqishëm e të rrezikon jetën e dinjitetin. Është kjo arsyeja pse iu kundërvura Fatos Nanos e Edi Ramës kur fillova të shoh se ia kishin shitur shpirtin të njëjtit djall të pushtetit e të parasë. Klosi e ka harruar, siç harrojnë tërë mosmirënjohësit lek-tualë të sojit të tij, se për të mbrojtur statusin e këtij intelektualit nga arroganca e pushtetarit, pra edhe timin, kam bërë diçka edhe në mbrojtje të tij asokohe (kam dhënë dy dorëheqje dhe kam shkruar disa artikuj kur e poshtëruan njerëzit e Nanos, ndërkohë që miku i tij “Moxarti i politikës” nuk hapte gojë). Është po kjo arsyeja që, me sa kam mundur, e kurrë sa duhet, jam përqendruar në kritikën ndaj çdo autoritarizmi e abuzimi me pushtetin dhe kam mbrojtur pavarësinë e shoqërisë civile e të mediave ndaj pushteteve, pa pretenduar aspak se jam “Moxart” në këtë punë, por i bindur se me mbështetjen e kategorisë ku futa Klosin apo Tufën, do të kishim bërë të gjithë “muzikë” më të mirë. Por, fatkeqësisht, kori ku ata bëjnë pjesë nuk hyn në kategorinë e atyre që kanë mësuar diçka nga e kaluara e atyre etërve intelektualë që me hir apo me pahir u bënë vegla të diktaturës. Kam pasur gjithnjë dyshim mbi vërtetësinë e asaj thënies se historia përsëritet dy herë: të parën si tragjedi, kurse të dytën si farsë. Ajo është përsëritur e mund të përsëritet si tragjedi edhe shumë herë, ndonëse në forma të ndryshme. Mënyra se si i qaset kjo kategori asaj të kaluare dhe mënyra se si sillet në të sotmen për mua është tregues i përsëritjes së të njëjtës tragjedi, që, edhe pse jo më me humbje jetësh njerëzore, po shkakton përditë humbje jetësh morale dhe humbje shprese në shoqërinë tonë. (Panorama, 6 Korrik 2011)