Friday, July 29, 2011

Kriza optimiste e Kryeministrit

Para disa ditësh, Kryeministri, duke folur për ekonominë tonë, shfaqi tone optimiste, madje, duke bërë krahasim me krizën që ka kaluar e po kalon bota perëndimore, e veçanërisht disa vende të saj, tha se Shqipëria paraqitet si e kundërta e kësaj krize: me stabilitet dhe rritje 3,5 për qind. Nuk mund mos të të lindin disa pikëpyetje të rëndësishme mbi këto pohime përsa i përket vërtetësisë e bindshmërisë së tyre. E para pyetje që të vjen ndër mend është se si është i mundur ky pozitivitet e optimizëm, ndërkohë që bota përreth është në krizë? Cilat janë mjetet që i siguruakan “ishullit” shqiptar këtë rritje fatlume? Të lind kjo pyetje natyrshëm pasi, sikurse dihet tashmë dhe sikurse është thënë nga shumë ekonomisë vendas e të huaj Shqipëria është vendi që ka pasur e ka emigracionin më të madh në të gjithë Europën në raport me numrin e popullsisë. Flitet për një milion e ca shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë. Shkaku dihet: vështirësitë ekonomike brenda vendit. Emigrimi është konsideruar si burimi kryesor i mbijetesës shqiptare gjatë periudhës pas komuniste. Atëherë, nëse vendet ku emigrantët jetojnë e punojnë, si p.sh. Greqia e Italia, SHBA e shumë vende të tjera perëndimore janë në krizë, kjo do të thotë që s’ka mundësi që këta të mos e ndiejnë krizën atje, madje më fort se të gjithë, sepse dihet se emigrantët janë të parët që goditen nga papunësia në këto vende. Pra, logjikisht, edhe pa pasur shifra mbi të ardhurat nga emigrimi, nuk mund të thuhet se ne jemi jashtë krizës, nëse elementi më i rëndësishëm i mbijetesës sonë ekonomike këto 20 vjet ka pësuar rënie.

Ndërkaq, brenda vendit nuk shohim të lulëzojë ndonjë ekonomi prodhuese që të na bëjë optimistë. Ndonëse thuhet se diku-diku bujqësia e ka marrë pak veten, vështirë të bindesh se është ky shkaku i rritjes ekonomike. Po ashtu nuk mund të thuash se disa fasoneri andej-këndej, ku punonjësit marrin 100-150 euro pagë në muaj, janë burim rritjeje, pasi edhe tregu i tyre po ai perëndimor është. Edhe turizmi, për të cilin flitet aq shumë tani në verë, nuk është jashtë krizës së rajonit. Mjaft të kesh parasysh se Greqia, që njihet si vend turistik “par exellence”, ka ulur çmimet.
Atëherë, çfarë mund të thuhet për deklaratat e Kryeministrit? Nga cili element i ekonomisë buron optimizmi i tij?
Së pari, duhet thënë se ne nuk kemi institute kredibël matës, qofshin këto publike, qofshin shoqëri civile apo media. Ne jemi të shtrënguar t’u besojmë disa shifrave që na servir qeveria e të themi se janë të besueshme apo të pabesueshme, duke i krahasuar kryesisht me çfarë dimë, dëgjojmë e perceptojmë. INSTAT-in fatkeqësisht nuk e merr kush seriozisht. Ai është një matës që duhet “taruar”, do të thoshte një specialist ndreqës i aparateve matëse.
Së dyti, ne na mungojnë, edhe për shkak të nënshtrimit të gjatë, sensorët që duhet të na bëjnë t’i ndiejmë fort dhimbjet e krizës, ndërkohë që sëmundjen që e shkakton atë e kemi të zhvilluar që ç’ke me të. Me fjalë të tjera, desha të them se nëse grekëve do t’u thuhej sot se pensionet e tyre do të jenë aq sa të shqiptarëve, se rrogat e administratës së tyre do të jenë sa të shqiptarëve, se rrogat e policisë së tyre, të mjekëve të tyre, të mësuesve të shkollave të tyre do të jenë aq sa të shqiptarëve ndërkohë që standardi i jetës do t’u mbetet ai që është (pak a shumë sa ç’e kanë shqiptarët), atëherë trupi i tyre do të ndiente një ethe të tillë, sa nuk do të digjeshin disa dyqane e disa banka, siç po digjen tani nga revolta e të indinjuarve, por do të digjej Athina me gjithë Akropol.
Së treti, sipas shumë të dhënave, ky optimizëm mbahet gjallë në sajë të borxheve gjithnjë e më të fryra që qeveria shqiptare po merr andej-këndej, siç është p.sh. ai për tunelin e Kërrabës, që do të punësojë edhe ca njerëz e do të shpërndajë edhe ca lekë, por që janë lekë që ata që i marrin sot do t’i paguajnë si frëngu pulën nesër.
Së katërti, na mbetet të shohim se mos optimizmi i Kryeministrit, direkt apo indirekt, mbështetet në atë që ka qenë një nga burimet kryesore të mbijetesës së shqiptarëve në këta njëzet vjet: ekonomia kriminale, ajo e trafiqeve të drogës, të prostitucionit, që thuhet se në kohë krizash lulëzon edhe më. E them këtë pasi ndër pak gjërat që përmendi Kryeministri për të na bërë të ndajmë optimizmin me të, ishte se industria e ndërtimit ka filluar të funksionojë përsëri; e s’mund të mos kujtoja se para disa vjetësh ai ka pas thënë se një pjesë e kësaj industrie punonte për riciklim parash të pista. Në fakt, sipas çka shohim me sy, jemi larg bumit në ndërtime të një herë e një kohe, por gjithsesi, a mund të na bëjë optimist rifillimi i kësaj industrie edhe sikur të mos jetë riciklim parash? Edhe qorr të jesh nuk mund të mos shohësh se numri i ndërtimeve të papërfunduara është katastrofik; se numri i ndërtimeve të tepërta është po ashtu katastrofik. Ngado nga shkon vihet re se ka me qindra mijëra ndërtime që duket se janë ndërtime emigrantësh që kanë investuar lekët e tyre për të pasur një shtëpi në Shqipëri, nganjëherë edhe tre-katërkatëshe, por që me mbarimin e shtëpisë nuk kanë asnjë punë, pra s’kanë asnjë interes për ta banuar atë. Pyetja që shtrohet është: për çfarë punon ndërtimi ende, për vetveten si një gjarpër që ha bishtin e vet duke shkatërruar edhe territorin e ambientin, apo për të sjellë zhvillim?
* * *
Kryeministri, megjithatë, e dha një shpjegim kryesor pse tek ne nuk ka krizë: pasi ekonomia jonë është e privatizuar, duke lënë të kuptojë se ka ndër mend ta privatizojë edhe më, duke i qëndruar besnik sistemit neoliberist të “laisez faire”. Për ne që e kemi jetuar realitetin shqiptar të këtyre njëzet vjetëve, kjo do të thotë që shteti të sillet si një prind që thotë se në familjen e tij nuk ka krizë, pasi i ka lënë fëmijët të lirë në rrugë të bëjnë ç’të duan, pa e marrë mundimin as të dijë se çfarë bëjnë ata, se vjedhin, se kalben nëpër burgjet e botës si trafikantë droge e prostitucioni, se rropaten si emigrantë për pesë lekë, apo se me lekët e pensionit që marrin nuk ulen dot të pinë një kafe.
Sot pjesa më e ditur dhe më e përgjegjshme e shoqërive perëndimore e ka kthyer vëmendjen mbi sistemin neoliberist të “laisez faire”, mbi kufizimet e tij dhe mbi nevojën e riformatimit të tij. Së fundi, një nga revistat më prestigjioze amerikane kishte ftuar për këtë në një debat mendje të ndritura të SHBA me pyetjen se ç’duhet bërë për këtë? Bill Klintoni vetë kishte shkruar aty duke mbështetur 13 pikat që sugjeroheshin nga autorë të ndryshëm. Ndër to më tërhoqën vëmendjen dy syresh: njëra kishte të bënte me rolin e shtetit, ku thuhej se është e drejtë që ai duhet të jetë “i vogël”, në kuptimin e të qenit i pangarkuar me administratë etj., por, ama, sugjerohej se ai duhet të jetë i fortë, jo i dobët. Pra, roli i tij si kontrollor i privates, i tregut, si udhëheqës politikash ekonomike etj., duhet të jetë shumë më i madh nga ç’është. Tek ne shteti jo vetëm që s’është ashtu dhe aq i vogël në kuptimin e shpenzimeve për administratën etj., por është aq i dobët ndaj privatit, sa është kapur krejtësisht prej tij, funksionon në shërbim të tij. Së dyti, në trembëdhjetë pikat m’u duk e rëndësishme ideja se ekzaltimi i fitimit privat, që ka çuar në aq spekulime katastrofike, s’mund të jetë motori që vë në lëvizje ekonominë. Në SHBA ka filluar eksperimentimi me ndërmarrje që nuk kanë në qendër të motivimit përfitimin privat, por të tipit “non profit”, ku motivimi i njerëzve është shumë më i motivuar nga shërbimi etj., etj. Një shembull i tillë janë edhe universitetet e ashtuquajtura private prej nesh në SHBA të tipit Harvard, që në fakt janë “non profit”. Tek ne mjaft të shohësh këtë sektor në “lulëzim” dhe mbështetjen që i jep Kryeministri këtij “lulëzimi”, për të kuptuar se çfarë zhvillimi na pret.
* * *
Si përfundim, mund të shtrohet pyetja: cili është shkaku që Kryeministri nuk e sheh tërë këtë problematikë, por rrezaton thjesht e vetëm optimizëm? Ka që thonë se kjo i vjen për shkak të mosnjohjes së realitetit, pasi jeton në botën e tij që s’ka shumë lidhje me realitetin e se për këtë izolim e ndihmojnë edhe ata rrogëtarë të tij puthadorë që punojnë si në INSTAT e kudo gjetkë, që s’guxojnë t’i japin shifrat reale. Unë jam i prirë të besoj se më shumë sesa kjo ndikon lufta për pushtet. Ai e sheh retorikën optimiste si kundërvënie ndaj “depresionit” që synon të ngjallë opozita për ta rrëzuar nga pushteti e në këtë kuadër ka mobilizuar të tijtë “grusht-bashkuar kundër armikut”. E, me “të tijtë” kam parasysh edhe një administratë që vjen e bëhet gjithnjë e më blu. Pra “optimizmi” i vjen ngase “doktori” nuk mund të na thotë se jemi sëmurë, nga frika se do të kërkojmë doktorë të tjerë. Përshtypja ime është se përtej kësaj lufte ai nuk sheh asgjë dhe nuk është në gjendje të shohë asgjë. Ai është i shtrënguar të jetojë në një krizë optimizmi. Mungesa e të indinjuarve si në Greqi apo në Spanjë, për shkak të traditës e të qorrimit me qëllim të shumë sensorëve, për çka fola më lart, ia lehtëson përjetimin e kësaj krize duke bërë, fatkeqësisht, që efektet negative të krizës ekonomike te shumica e popullsisë të rriten dita-ditës. (Panorama 12 korrik 2011)

1 comment:

Rita Strakosha said...

Kryeministri ka natyre optimiste ne pergjithesi.

Problemi tjeter eshte qe ne gjendemi perpara nje realiteti qe njerezimi nuk e ka perjetuar ndonjehere. Sipas raportit Hirch qe i eshte bere Departamentit Amerikan te Energjise gjendemi perpara pikut te naftes, i cili do te jete nje ndryshim i shpejte i paradigmes se energjise. Nga energji me bollek do te kalojme ne energji gjithmone e me te paket. Dhe qe ndryshimi te mos jete traumatik kalimi nga nafta ne energji te rinovueshme duhet te filloje ne mase te pakten 1 dekade perpara pikut te naftes. Piku i naftes po ndodh dhe kalimi masiv ne energji alternative nuk ka ndodhur ende. GDP-ja e vendeve te industrializuara do te filloje te pakesohet dhe keto do te zhyten ne krize borxhesh.

Kete informacion kryeministri nuk e ka, prandaj eshte optimist. Jane keshilltaret e tij ekonomike dhe te energjise qe duhet te mesojne per sa me siper.