Sunday, February 28, 2010

Revolucionarë pa ideal

“Provoko trazira dështo, provoko  trazira dështo, provoko trazira deri në fitoren përfundimtare. Kjo është psikologjia e revolucionarit”. Ky është një nga citatet e Kryetarit Mao që qarkullonte në kapërcyell të viteve ‘60 sëbashku me libërthin e tij që e tundnin në erë gardistët e kuq. Më ka ardhur shpesh këto kohë ndërmend  për të karakterizuar lëvizjen e Edi Ramës për bojkotimin e Parlamentit me parrullën “hap kutitë ose ik”. Sepse kam qenë dhe mbetem i bindur se çështja e hapjes së kutive është thjesht një pretekst për trazira dhe se kështu do të vazhdojë kjo histori, me trazira të herëpasherëshme që nuk do të kenë të sosur. Hyrja dhe dalja menjëherë nga Parlamenti e opozitës ditën e enjte është pjesë e kësaj filozofie veprimi. Dhe, kur gjykoj pak më historikisht, pra, duke patur parasysh jo vetëm këto trazirat e fundit, por tërë periudhën e post komunizmit shqiptar, më del se jeta jonë politike nuk ka qenë gjë tjetër veçse një refleks që na vjen nga koha kur edukoheshim me parullat e kryetarit Mao për revolucionarët, e vënë në përdorim herë nga njëra palë e herë nga pala tjetër. Madje do të thoja se Berisha është treguar një revolucionar ndoshta edhe më i madh sepse ka udhëhequr më shumë se një trazirë, kurse Rama këtë e ka të parën trazirë serioze që po provokon.
Po a ka ndonjë dallim kjo lëvizje me psikologjinë e revolucionarit të Maos? Ka edhe dallime, sigurisht. Por përpara se të shkruaj për dallimet midis revolucionarëve të Maos dhe këtyre tanëve dua të them se ne kemi ndërtuar një sistem që meriton në shumë aspekte të përmbyset sepse është një sistem i bazuar mbi një shpërndarje katërcipërisht të padrejtë dhe të paligjëshme të pasurive; një sistem ku pjesa më e madhe e popullsisë punon për të pasuruar një grusht njerëzish që kanë kapur shtetin. Dikush do të thotë se ky është kapitalizmi. Pjesërisht mund të jem dakort se ky është kapitalizmi, por duke shtuar dy gjëra: së pari se kapitalizmi nuk është një sistem i përsosur dhe, së dyti, se rasti ynë është modeli më i keq i një kapitalizmi që sot po shfaq krizën e tij edhe në botë. Në një farë kuptimi mund të thuhet fare mirë se ky model i kapitalizmit tonë, që ndryshe e kemi quajtur edhe sistemi i korrupsionit, i klientelizmit, i tregut dhe shtetit të kapur, i informalitetit dhe krimit të organizuar, e meriton një revolucion qoftë edhe në emër të një kapitalizmi me fytyrë njerëzore dhe ligjore. Për të ilustruar çka thashë më lart do ta ftoja lexuesin të shihte Greqinë ku njerëzit, ndonëse në kushte shumë herë më njerëzore dhe ligjore se këto tonat, janë ngritur më këmbë mu pse sistemi ka akumuluar të keqen e tij strukturore.
Le të flasim tani për dallimet midis revolucionarëve tanë dhe atyre për të cilët flet Mao. Timonieri i Madh, kur fliste për psikologjinë e revolucionarit, nënkuptonte një ideal që e frymëzonte lëvizjen e tij jashtë institucionale për përmbysjen e institucioneve të sistemit të vjetër. Dhe për të “fitorja përfundimtare”  nënkuptonte jo vetëm ardhjen e tij në pushtet, por edhe instalimin e një sistemi tjetër. Kurse kjo e fundit e Ramës, por edhe ato pararendëset e Berishës, kanë qenë dhe mbeten trazira revolucionarësh pa ideal dhe pa synim ndryshimi sistemi. Tek ne askush nuk beson se trazirat po shkaktohen në emër të një ndryshimi të madh që do të evitojë vjedhjen (edhe të votës)  mu pse të gjithë jemi të bindur se modeli i kapitalizmit që kanë ngritur të dy partitë kryesore ka në thelbin e filozofisë së tij padrejtësinë dhe vjedhjen e qytetarit dhe se vjedhja e votës është rrjedhim logjik i këtij sistemi. Mjaft të kesh parasysh se me ligjin zgjedhor të dy palët vendosën se votat do t’i kontrollojnë vetë, me militantët e tyre,  duke përjashtuar çdo numërues tjetër, qoftë të pavarur, qoftë të partive të tjera, apo mjaft të kesh parasysh se ato bëjnë kaq zhurmë për hapjen e kutive, por nuk thonë asnjë fjalë për hapjen e kutive të transparencës së financimit të fushatave të tyre elektorale. Po ende, askush nuk mund të besojë se Edi Rama lufton për ligjin dhe kundër vjedhjes së qytetarit kur sheh një Tiranë, që ai e ka qeverisur tash dhjetë vjet, ku çdo pëllëmbë ka shkelje ligji dhe grabitje të publikes nga njerëzit e tij. Askush nuk mund ta besojë kur e sheh se e ka mbushur partinë me biznesmenë që janë protagonistët e këtyre shkeljeve. Zor ta besonin edhe sikur të kërkonte ndjesë publike për ato që ka bërë bashkë me të tjerët apo në krye të të tjerëve dhe të na paraqiste një projekt alternativ, si shenjë pendese, e jo më që as i shkon ndërmend një gjë e tillë.
Dikush do të thotë: po edhe kryetari Mao dëngla i kishte ato idealet, se për pushtetin e vet dhe të të tijve luftonte. Kështu ka rezultuar, por përsëri, sipas meje, ka disa dallime të vogla, por të rëndësishme. Së pari kryetari Mao ka qenë idealist përpara se të vinte në pushtet dhe pastaj e ka korruptuar pushteti. Kurse revolucionarët tanë kanë kohë që kanë shijuar shijen e korruptimit nga pushteti madje Edi Rama deri më sot është politikani më jetëgjatë në pushtet (qysh nga viti 1998) dhe në pjesën  më të gjatë të kohës në krye të një pushteti tejet të rëndësishëm, që shumica e ve në vend të dytë pas atij të kryeministrit. Së dyti, sikurse e thashë, revolucionarët e Maos premtonin ndryshimin e sistemit kurse Rama është bash një nga hartuesit kryesorë të sistemit në fjalë me të cilin po na qeveris në shkallë kombëtare rivali i tij Berisha. E këtu, duke folur për dallimet, duhet shtuar edhe se revolucionarët si Mao, pasi kanë marrë pushteti me “fitoren përfundimtare” nuk e kanë lënë atë derisa kanë vdekur me pretekstin se po mbronin idealet e revolucionit, që nuk mund të mbaronte pa u zhdukur edhe mbeturina e fundit e armikut. Kurse këta revolucionarët tanë vërtet e aspirojnë këtë, vërtet janë me një psikologji ravolucionari permanent, por jo në emër të ndonjë ideali sepse ideali i demokracisë për të cilin flasin ditë e natë se punojnë, nuk njeh as fitore përfundimtare dhe as fitimtarë të përjeteshëm, përkundrazi nënkupton alternim të pushteteve. Dikush do të thotë: po transparenca e zgjedhjeve këtë synon, krijimin e kushteve për të pasur nesër zgjedhje të lira që do të siguronin rotacionin. E përsëris, nuk është e besueshme kjo gjë pasi transparenca e zgjedhjeve nuk sigurohet dot vetëm me hapje kutish, siç e kanë reduktuar luftën revolucionarët tanë, pasi kjo u lejon të marrin pushtetin pa ndryshuar sistemin, por me ndërtimin e një alternative që synon ndryshimin e këtij  sistemi të  bazuar mbi vjedhjen, paligjshmërinë dhe kapjen e institucioneve me metoda revolucionarësh pa ideal.
  Personalisht gjykoj se revolucionarët tanë pa ideal duhet, më në fund, të shtrëngohen të heqin dorë nga obsesioni i fitores përfundimtare dhe i instalimit të një pushteti të përhershëm; duhet të heqin dorë nga zëvendësimit të institucioneve me revolucionin, dhe të futen në hullinë e instucionalizimit të konfliteve politike si një përballje përmanente interesash të palëve që përfaqësojnë ku fitimtarët kanë vetëdijen se janë të përkohshëm, dhe se janë të kontrolluar nga pushtetet që nuk varen prej tyre. Me fjalë të tjera të fitojnë psikologjinë e demokratit. Dyshoj se hopin drejt kësaj psikologjie, nevojën e të cilit po e ve në mënyrë dramatike në dukje kjo krizë, mund ta bëjnë njerëz si Berisha dhe Rama, por, nga ana tjetër, dyshoj se ardhja e liderve me një tjetër psikologji mund të vijë pa ndryshim nga poshtë të shoqërisë dhe të bazës së partive. Por, për të ruajtur shpresëm dhe optimizmin, më duhet të them se Partia Socialiste, për shkak të faktit se është në opozitë dhe për shkak se gjatë këtyre afro njëzet vjetëve, ndryshe nga PD-ja, ka ditur të krijojë më shumë debat të brendshëm e më shumë hapësira demokratike, që kanë çuar edhe tek ndërrimi i liderve, ka shansin historik ta bëjë këtë hop e para. (Korrieri, 28 shkurt 2010)

Monday, February 22, 2010

Miopi gjuhësore apo divergjencë vizionesh



 « Është një konvencion linguistik dhe çështje e marrëveshjes si do t’i quajmë komunitetet etno-linguistike në një shtet; a do t’i emërtojmë si komb, popull apo etni, apo edhe ndonjë tjetër fjalë. Është me rëndësi vetëm se nuk duhet të ngatërrohet shtetësia me kombësinë/etninë. » Ky pohim është vënë në okielon e shkrimit të Shkëlzen Maliqit « Ngatërresë miope », botuar në gazetën Express, që konteston shkrimin tim « Pse kemi frikë nga regjistrimi » botuar në gazetën Korrieri. Maliqi merret kryesisht me pjesën ku formuloj dallimin midis komb dhe etni meqënëse, argumentoj unë, jetojmë në kohën e shteteve kombe në të cilët përkatësinë në një komb ta jep shteti në të cilin bën pjesë dhe jo etnia pasi në një shtet komb mund të bëjnë pjesë, siç ndodh rëndom, shumë grupe etnolinguistike. I jam referuar për këtë edhe përdorimit të ekuivalentëve të kombësisë në anglisht apo frëngjisht (nationality, nationalité). Teza e Maliqit është se përdorimi nga shqiptarët i fjalëve komb, kombësi nuk është i njëjtë me përdorimin e këtyre fjalëve nga anglezët apo francezët dhe se ne duhet të përdorim, siç e kemi përdorur, fjalën shtetësi për nationality kurse komb dhe kombësi duhet t’i përdorim, siç i kemi përdorur, për të treguar përkatësinë në grupin etnolinguistik të cilit i përkasin të gjithë shqiptarët e Ballkanit.
Në vështrim të parë duket sikur ai synon të korrigjojë një « miopi linguistike », mirëpo, po ta lexosh me kujdes shkrimin e tij, nuk është vështirë të dallosh se këtu nuk bëhet fjalë thjesht për këtë, por për diçka shumë më të rëndësishme.
Në fakt vetë Maliqi nxiton të bjerë, që në fillim të shkrimit të tij, në një « miopi linguistike » që nxjerr në pah  se kemi nevojë t’i sqarojmë këto « konvencione ». Duke treguar se çfarë po ndodh në Maqedoni me projektin « Shkupi 2014 » ai shkruan se ky projekt flet : « për thellimin e krizës së marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni». Nëse do t’i qëndronte koherent propozimit të tij për përdorim të fjalëve komb dhe kombësi, si sinonime të grupit etnolinguistik për të gjithë shqiptarët dhe etnitë e tjera të Ballkanit, atëhere ai mund ta formulonte fjalinë e tij edhe në trajtën : « për thellimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Maqedoni ». Por kjo do ta bënte fjalinë, minimumi, të pakuptueshme.
Qoftë edhe vetëm ky rast tregon se komb dhe etni nuk mund të jenë sinonime ashtu sikurse do të vemë re se, nëse biem dakort që asaj që në anglisht i thotë nationality dhe në frëngjisht nationalité në shqip t’i themi shtetësi, do të gjejmë vështirësi kur do të na duhet të flasim për shtetësinë (jo nationality) e qytetarëve të federatave që përbëhen nga shumë shtete, si Zvicra psh.. Kujtoj me këtë rast se edhe italianët kanë vendosur me kushtetutën e pas Luftës II për citadinanza dhe jo për nazionalità sepse, pas Luftës, ata humbën territorin e Triestes që e rivendikonin e që iu kthye më 1954.
Sipas Maliqit përdorimi i fjalës kombësi për etni na ka mbetur dhe s’ka pse ta ndrrojmë ashtu sikurse s’kemi pse të mos themi « pakica kombëtare » dhe jo « pakica etnike ». Kurse unë gjykoj se kjo « mbetje», thellë thellë, nuk është rastërore, por buron nga projekti historik për të krijuar shtetin etnik shqiptar si shtet komb të të gjithë shqiptarëve sipas përvojave nacional – romantike në shekullit XIX  të atyre vendeve që në teoritë e kombeve quhen « kombe të kulturës » (siç janë quajtur kombet gjermane dhe italiane) ku identiteti i ashtuquajtur kombëtar, që bazohet kryesisht mbi kulturën (më së pari gjuhën e përbashkët) është krijuar shumë më parë sesa shteti komb i tyre. Po ashtu gjykoj se pikërisht në funksion të këtij projekti përdoret një  koncept esencialist për kombin dhe identitetin kombëtar, si një gjë pra e dhënë njëherë e përgjithmonë dhe e pandryshueshme. Kjo del qartë edhe në shkrimin e Maliqit kur ai,  duke shkruar për sllavët e Maqedonisë, thotë se « kombi ose populli ose etnosi maqedonas është një « konstrukt artificial », « që e ka një parahistori të shkurtër të kërkimeve identitare nga fundi i shek. 19. dhe fillimi i shek . 20., por që është fiksuar si i tillë nga regjimi komunist i Titos.” Sipas tij “popullsia sllave e Maqedonisë në Jugosllavi është ngritur në rang të kombit dhe ka fituar republikën e vet në Federatën Jugosllave, me qëllim që të evitohet molla e sherrit mes Bullgarisë dhe Serbisë.” Me një fjalë Maliqi thotë se ndërsa shqiptarët e Maqedonisë mund të quhen komb ose etni më vete në shtetin maqedon, sllavët e maqedonisë gati gati nuk e kanë as këtë të drejtë pasi ata, sipas konceptit të tij për kombin e dhënë njëherë e përgjithmonë, duhet të jenë ose kombe/etni serbe ose kombe/etni bullgare. E këtu duhet thënë se përdorimi i togfjalëshit “konstrukt artificial” për identitetin kombëtar maqedonas bije ndesh me gjithë teoritë e sotme mbi identitetet kombëtare si konstrukte.  Sot vështirë të gjesh në Evropë intelektualë që merren me identitetin, që të mos e shohin atë si një proces historik gjithmonë në ndryshim varësisht nga faktorë politikë e social kulturorë pra, si një proces konstruktimi identitar dhe jo si një gjë e ngrirë dhe e pandryshueshme. Mafton të lexosh për këtë Eric Hobsbawm, Ernest Gellner, Benedict Anderson. Është normale pra që kjo të ketë ndodhur e të ndodhë edhe me sllavët e Maqedonisë. Kështu ka ndodhur edhe me shqiptarët.
Siç duket qartë nga argementet e Maliqit identifikimi i etnisë me kombin dhe një konceptim i ngurtë i identitetit, nuk e lejon një etni, le të themi serbe apo shqiptare, të shndërrohet në një komb maqedonas. Ndërkohë që, sikur për kombësi të kemi parasysh identitetin që formohet si një proces historik i lidhur ngushtë me historinë e shtetit komb, kurse me etni grupet etno-linguistike brenda tij, ky shndërrim do të ishte i mundur. Mirëpo Maliqi thotë se ky shndërrim, që e gjejmë rëndom të ketë ndodhur në Evropë, është i pamundur për shqiptarët e Maqedonisë apo për serbët e Kosovës të cilët, prandaj, do ta kishin më të lehtë të pranonin termin shtetësi për përkatësinë në shtetet përkatës duke ruajtur kësisoj kombësinë e paraardhësve të tyre. Gjykoj se kjo “pamundësi” nuk është thjesht çështje zakoni gjuhësor, por ka të bëjë me atë se si ndjehen në këto shtete shqiptarët serbët, maqedonasit dhe se si e përfytyrojnë të ardhmen e tyre. Tek e fundit pra, gjykoj se përdorimi i fjalës shtetësi apo kombësi ka të bëjë me projekte të ndryshme politike. Ajo që thellë thellë e shtyn Maliqin të mos e pranojë përdorimin e termit kombësi për qytetarët e shtetit të ri të Kosovës si dhe për ata të Maqedonisë, por kërkon termin shtetësi, vjen ngase ai vazhdon t’i japë më shumë rëndësi grupit etno linguistik të cilit i përket sesa shtetësisë.
Eshte e qartë se kjo është ndjenja e të gjithë popujve/etnive/kombeve (sipas termonologjisë që preferon Maliqi) në Kosovë e Maqedoni e jo vetëm, por edhe në Bosnje. Është e qartë se në shtetin kosovar, maqedonas, bosnjak ata nuk kanë ndërtuar dot një shtet komb si Zvicra  - le të themi - ku megjithëse me përkatësi të ndryshme kombëtare (gjithë sipas terminologjisë që preferon Maliqi), nuk prezantohen në botë si francezë, gjermanë, italianë, romanë, por si zviceranë (me shtetësi zvicerane do të thoshte Maliqi me kombësi zvicerane thonë zviceranët). Por çështja është a duan ta ndërtojnë këtë shtet komb apo jo?  Sepse, tek e fundit, pavarësisht nga zgjedhja e termit shtetësi apo kombësi për atë që anglezët i thonë nationality, po qe se pranohet projekti i ndërtimit të një shteti si Zvicra, kjo fjalë nesër do të jetë më e rëndësishme sesa përkatësia në grupin etnolingusitik kurse, përndryshe, etnia do të jetë më e rëndësishme sesa përkatësia në të njëjtin shtet. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme ndaj të cilës intelektualët nuk mund të shmangen duke bërë lojra fjalësh. Projekti Ahtisari për Kosovën, apo ai evropian për Maqedoninë, mbështetet pikërisht në konceptin e ndërtimit të një shteti si Zvicra, çka e reflekton edhe flamuri i zgjedhur për Kosovën ku gjashtë yjet përfaqësojnë gjashtë grupet etnoliguistike (sipas koncepti tim), kombe (sipas Maliqit). Kjo do të thotë se në një të ardhme, po eci ky projekt, mendohet se këta qytetarë do të identifikohen më shumë me flamurin me gjashtë yje sesa me flamujt e shteteve (“amë”   i quan Maliqi) si Shqipëria, Serbia, Turqia, Bosnia. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për projektin evropian për Maqedoninë. Pra çështja shtrohet nëse mund të ndërtohet apo jo shteti komb maqedon apo shteti komb kosovar apo do të shkohet drejt një procesi të krijimit të shteteve etnike të pastra shqiptare dhe maqedonase.  Lidhur me këtë çështje, përsa i përket Kosovës, duket se intelektualët dhe politikanët kosovarë  janë të ndarë midis atyre që thonë se ndërtimi i shtetit kosovar nënkupton se do të ketë një kombësi kosovare të të gjithë etnive që banojnë në Kosovë dhe atyre që janë kundër idesë që ky të quhet një komb e që, prandaj, preferojnë fjalën shtetësi. Sipas gjykimit tim këta të dytët përfaqësojnë atë pjesë që duket se nuk ka besim tek projekti evropian ose nuk ka vullnetin për të punuar për këtë projekt. Ndër ta do të dalloja ata që historikisht kanë aspiruar dhe vazhdojnë të aspirojnë një shtet komb të të gjithë Shqiptarëve (nuk po përdor fjalën Shqipëri të Madhe se kjo frikëson shumë) dhe që e thonë hapur këtë; ata që mendojnë se më së pari duhet krijuar shteti kosovar i njohur nga Kombet e Bashkuara e pastaj mund ta lenë hapur çështjen e bashkimit me Shqipërinë apo jo, si dhe ata që, pa pasur ndonjë projekt të qartë, mendojnë se projekti evropian nuk është realist sepse shohin se edhe etnitë e tjera (kombet do të thoshte Maliqi) nuk e kanë këtë projekt prandaj dhe s’ka pse shqiptarët të tregohen kaq ortodoksë. Kurse përsa i përket Maqedonisë do të thoja se sot për sot nuk mund të mohoet se ai që thjesht e quajmë shteti maqedon është një shtet multietnik ku shqiptarët kanë një pasaportë në të cilën ajo që Maliqi e quan shtetësi dhe unë kombësi për të dy palët është maqedonase. Por nga ana tjetër duket qartë se si sllavët maqedonë ashtu edhe shqiptarët maqedonë jetojnë, si të thuash, në dy botë të ndara që takohen në pak pika. Pra edhe për Maqedoninë, e përsëris, çështja shtrohet: ndarja dhe diskriminimi që ekziston sot do të vijë duke u zbutur në emër të ndërtimit të një shteti të ngjashëm me Zvicrën, apo do të kemi thellimin e një procesi ndarjeje që do të çojë në ndërtimin e një shteti të tretë shqiptar në Maqedoninë perëndimore dhe të një shteti tjetër sllav në Maqedonin lindore? Pra, nëse shqiptarët e Maqedonisë dhe sllavët e Maqedonisë kanë vullnetin për të jetuar në të njëtin shtet me njëri tjetrin ky është një projekt politik i cili, për t’u realizuar, kërkon angazhimin e tyre më së pari, por edhe negocimin me palën tjetër e me ndërkombëtarët dhe se realizimi i këtij projekti do të çonte në atë që ajo që Maliqi e quan shtetësi dhe unë propozoj ta quajmë kombësi do të bëhej, herët ose vonë, më e rëndësishme sesa të qënit shqiptar apo sllav. Nëse ky konsiderohet si një projekt i parealizueshm apo i padëshirueshëm që imponohet nga rrethanat e sotme apo nga vullneti i ndërkombëtarëve apo që duhet sabotuar në emër të një ndarjeje të re shtetërore me apo pa bashkim me Shqipërinë nga pala shqiptare, me apo pa bashkim me Serbinë apo Bullgarinë nga pala sllavomaqedonase, ky është një projekt tjetër.
Sipas meje, këto qëndrime është më mirë të debatohen hapur, edhe me ndërkombëtarët, sesa të fshihen me maska gjuhësore.
Në kontekstin e sa thashë më sipër gjykoj pra, se përdorimi i fjalës shtetësi preferohet nga ata që nuk kanë besim tek projekti dhe që ndryshimin e kufijve nesër e lenë hapur, kurse përdorimi i fjalës kombësi preferohet nga ata që besojnë tek projekti evropian dhe punojnë për të. Realiteti është se këta të dytët janë minorancë sot për sot. Po ashtu gjykoj se ambiguiteti në përdorimin e termave kombësi, etni, shtetësi flet për një gjuhë të dyfishtë që buron nga kontradiktat e këtyre vullneteve politike të cilat bëhen edhe më të thella sepse bijen ndesh me vullnetin aktual të ndërkombëtarëve të cilët, duhet thënë, nuk janë pa mëdyshje përsa i përket suksesit të projektit të tyre.
Personalisht, sikurse duket edhe nga të dy shkrimet me këtë temë, preferoj përdor termin kombësi për të përcaktuar atë që Maliqi e quan shtetësi dhe ta dalloj këtë nga etnia. E bëj këtë jo vetëm pse kështu do të shpreheshim më kthjellët gjuhësisht, e më në përputhje me konceptin e sotëm të kombit në vendet e botës ku aspirojmë të bëjmë pjesë, por edhe pasi mendoj se vullnetet tona politike duhen orientuar për kah ideali i ndërtimit të atyre shteteve (në Kosovë, Maqedoni, Bosnje e kudo qoftë në botë) ku punohet për barazinë e të drejtave të të gjithë qytetarëve, të çfarëdolloj race, feje, seksi, etnie qofshin, për zhdukjen e diskriminimeve të maxhorancave nga minorancat, për shndërrimin e diferencave kulturore nga faktorë ndarës në faktorë pasurimi të ndërsjelltë kulturor. (Korrieri, 22 shkurt 2010)

Tuesday, February 16, 2010

Pse po kthehemi në kosh plehërash

Mbi takimin Berisha Berlusconi

Presidenti i rajonit të Puglias, Nichi Vendola, gjatë një interviste të para disa ditëve, u pyet nga një gazetare italiane edhe për mundësinë e ndërtimit të një termocentrali bërthamor në Puglia. Kjo, sepse flitet se Puglia është një nga zonat e mundshme të projektuara për një ndërtim të tillë. Përgjigja që dha Vendola ishte: « Për të ndërtuar një termocentral bërthamor në Puglia qeverisë do t’i duhet të vijë atje me ushtri. » Në fakt aq e fortë është ndjeshmëria e opinionit publik italian kundër termocentraleve bërthamore saqë qeveria e Berlusconit,  që e ka rihapur çështjen e lejimit të ndërtimit të bërthamorëve, meqënëse është në prag të zgjedhjeve rajonale, ku kandidon edhe Vendola për t’u zgjedhur për herë të dytë president, nuk i ka bërë publike rajonet ku mendon se mund të ndërtojë termocentralet bërthamore sepse kjo do t’i sillte humbjen në ato rajone. Italianët, pra, edhe kur mendojnë se mund të kenë nevojë për bërthamorë thonë se, gjithsesi, kjo duhet të bëhet larg bythës së tyre.
Dhe ja ku u del në ndihmë «presidentit i rajonit të Shqipërisë», Sali Berisha, i cili përsëriti edhe një herë propozimin për të ofruar tokën shqiptare si mundësi për ndërtimin e një termocentrali bërthamor. Dhe kjo pasi kryeministri ynë bëri edhe një ekspoze ku, midis të tjerash, tha se qeveria e tij planifikon të ndërtojë mbi katërqind hidrocentrale të vegjël e të mëdhenj në lumenjtë e Shqipërisë, e tece, e parkun më të madh eolik në Evropë, pa përmendur tecin me qymyr në Durrës. Berisha pra, edhe një herë, pa u marrë leje shqiptarëve, u ofroi tokën e tyre italianëve dhe kujtdo qoftë, për të ndërtuar ato që ata nuk guxojnë t’i ndërtojnë në vendet e tyre pasi nuk i lejon popullsia.
Për të kuptuar se pse italianët ia lejojnë vetes ta përdorin Shqipërinë si «kosh plehërash», siç e quajti edhe vetë shtypi italian këto ditë, mjafton të kesh parasysh batutën e Berlusconit kur tha se, për trafikimin e femrave të bukura shqiptare, italianët janë të gatshëm ta mbyllin një sy, batutë kjo që sikur erdhi për të ilustruar  një vlerësim të shtypit francez të vetëm dy ditëve më parë që shkruan se Italia, nga një vend që ka qenë « laboratori i avangardës së Evropës » po shkon « drejt barbarizimit», po « kthehet në një vend provincial », « me një klasë politike provinciale », « me televizione që kanë mbetur në vitet 80, me programe « të dielëzuar », « me talk show gjithë britma », « me shalë e bythë jashtë », që i ka ndërtuar pikërisht Berlusconi. (Liberation, 11 shkurt 2010)
Pra problemi nuk është pse kërkon Berlusconi ta shndërrojë Shqipërinë në një kosh plehërash të Italisë, por pse kërkon ta shndrrojë kështu një shqiptar si Berisha. Pyetja që mund të shtrohet është: e bën nga halli, e bën nga padituria, apo çfarë ? Gjykimi im është se Berisha e bën këtë nga halli dhe padituria bashkë, e jo vetëm, por   edhe nga një ndjenjë papërgjegjshmërie morale ndaj bashkëqytetarëve të tij, që është karakteristike për të gjithë klasën tonë politike. Mund të quhet edhe kriminale pa patur frikë se po bën ndonjë teprim. Por cili është halli i Berishës që e çon deri në këtë krim ndaj vendit e ndaj brezave që do të vijnë - shtrohet pyetja. Halli i Berishës është i thjeshtë : të qëndrojë në pushtet me çdo kusht. Dhe me këtë ofrim të tokës së Shqipërisë Berlusconit ai mendon se do të mund të zgjidhë dy probleme serioze përsa i përket qëndrimit në pushtet. Së pari, të zgjidhë problemin e mbështetjes ndërkombëtare për qeverisjen e tij, duke patur parasysh edhe gurguletë e kontestimet e kohëve të fundit nga ana e opozitës. Së dyti, çka sipas mendimit tim është kryesorja, synon të zgjidhë një problem edhe më të madh. Arka e shtetit shqiptar është bosh ose është duke u zbrazur pasi vendi është në krizë ekonomike. Për hir të së vërtetës duhet thënë se shkaku i kësaj krize nuk është thjesht e vetëm qeveria Berisha. Sipas gjykimit tim Shqipëria po kalon një krizë ekonomike që lidhet me shterimin e burimeve kryesore që e kanë mbajtur ekonominë më këmbë deri vitet e fundit. Nuk ka dyshim, tashmë, se industria e ndërtimit, që ka qenë ajo kryesorja në vend, është frenuar pas lulëzimit që pati në dhjetëvjeëçarin 1995 – 2005 për disa arësye ndër të cilat do të veçoja si më kryesoret: pakësimin e kërkesës për banim të njerëzve e lidhur kjo edhe me rënien dramatike të cilësisë së jetës në qytetet kryesore të vendit për shkak të urbanizimit të egër, pakësimin e të ardhurave të emigrantëve, pakësimin e investimit të parave të pista të drogës e prostitucionit në këtë industri. Ndërkaq burime të tjera ka pak sepse shumë pak është investuar tjetërkund për shkak të politikave të keqorientuara. Kështu që, për të mbajtur në këmbë administratën dhe kastën rreth tij, që e mban edhe në pushtet, si dhe për të evituar një rënie dramatike të mirëqënies që do ta fuste vendin në krizë edhe më të thellë social politike, Berishës i duhen para. Dhe rruga më e shkurtër për të siguruar këto para dhe për të mbajtur pushtetin është të shesë ç’mund të shitet nga ky vend njëlloj si ai i falimentuari që shet edhe plaçkat e shtëpisë për të paguar borxhet. Dhe në këtë pikë del edhe paaftësia apo padituria e qeverisë së Berishës. Në fakt ekonomia shqiptare, qysh kur erdhi Berisha në pushtet, i ka pasur këto simptoma sëmundjeje dhe një qeveri e aftë e inteligjente do të duhej të projektonte një ndryshim të politikave ekonomike në mënyrë që investimet të kanalizoheshin tjetërkund. Mirëpo kjo nuk është bërë, dhe jo thjesht për shkak të  mungesës së vizioneve, por për shkak të faktit se qeveria nuk ka qenë asnjëherë tek ne shprehëse e interesave të popullsisë së gjerë, por shprehëse e interesave të një ekonomie pakice biznesesh që ndryshe cilësohen si biznese « kafsho dhe ik ». Eshtë kjo që nuk e ka lejuar të ndërtojë politika ekonomike që do të siguronin atë që në botë, prej kaq kohësh, sot quhet zhvillim i qëndrueshëm.
Shkurt, pra, Berisha mendon se duke shitur çka mund të shitet me konçesion tek të huajt do të ketë mundësi të sigurojë, krahas mbështetjes politike, edhe atë të punësimit të ca shqiptarëve dhe të mbledhjes çfarë të mundë për të investuar kryesisht në rrugë apo edhe në vepra të tjera publike të cilat do t’ua japë me tenderime klientelës së tij. Në këto kushte klientela a djeshme e opozitës ose do të falimentojë ose do të mblidhet rreth sofrës së tij për të mbledhur thërrimet që do të lenë klentët besnikë të Berishës. Duke i shtuar kësaj edhe mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht italiane, për heqjen e vizave këtë vit, çka do të shërbente edhe si valvol shkarkimi për shqiptarët që do të jenë pa rrugëdalje në Shqipëri, Berisha mendon se do të mund të qeverisë për bukuri.
Ky është leximi im për lëvizjet e fundit të Berishës në takimin me Berlusconin.
Kësaj i duhet shtuar fakti se opozita, në vend se të bëjë një analizë të thellë kësaj gjendjeje, duke parë edhe përgjegjësitë e saj, në mënyrë që të ndërtojë një alternativë bindëse, bën një luftë krejtësisht superficiale. Sipas meje shkaku i mungesës së alternativës  është përsëri i njëjtë në thelb me atë që e shtyn Berishën në sillet kështu, dmth duke shitur interesat afatgjata të shqiptarëve. Rama dhe njerëzit e tij, të ndodhur përpara rrezikut të humbjes së çdo mundësie për t’u rikthyer në pushtet e për të shpëtuar interesat e tyre nga rreziku në rritje i klientelës së Berishës dhe Metës, po bëjnë një luftë për jetë a vdekje, në të cilën atyre u duhen aleatë nga të mundin, pavarësisht principshmërisë, ideve apo qëllimeve të tyre. Kjo shpjegon edhe faktin se në vend që të kishim një protestë të fortë të kësaj opozite ndaj takimit të Berishës me Berluskonin, qoftë edhe për deklaratën e turpshme të këtij të fundit lidhur me trafikimin e femrave shqiptare, opozita vazhdoi të merret vetëm me « të hapen a të mos hapen kutitë ». Sikur një të dhjetën e energjive që ka shpenzuar për luftën e kutive opozita ta kishte shpenzuar për të denoncuar brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht, tek partitë e majta evropiane, projektin e shndrrimit të Shqipërisë në kosh plehërash, e për të projektuar e propozuar një program alternativ për daljen nga kriza, jam i bindur se për këto projekte nuk do të flitej më. Mirëpo për këtë nuk e lejon e njëjta e keqe : funksionimi i saj në shërbim të ekonomisë « kafsho dhe ik. »
Eshtë e qartë se në këto kushte, Shqipëria e kthyer tashmë në një skelet të shqyer nga hijenat, nuk ka alternativë tjetër veçse të kthehet në koshin e plehërave të Evropës e të vazhdojë të ofrojë mish të freskët femrash për evropianë të edukuar sipas modelit Berlusconi. (Korrieri, 16 shkurt 2010)

Sunday, February 7, 2010

Pse kemi frikë nga regjistrimi

Ndërkohë që në Shqipëri flitet aq shumë për hapjen e kutive të votimit ka nisur edhe një debat tjetër i cili, edhe pse jo aq i nxehtë sa i pari, është goxha i mprehtë. E kam fjalën për debatin mbi projektin e qeverisë për “hapjen e kutive” të përkatësisë etnolinguistike dhe të besimit fetar të shqiptarëve.
Ajo që vihet re është një frikë e shqetësim i madh ndaj hapjes së këtyre kutive nga një pjesë jo e vogël e njerëzve publikë. Them “e njerëzve publikë”  sepse popullsia “jo publike” duket shumë më indiferente ndaj këtij debati. Frikërat janë rreth të të dy temave të regjistrimit: si përsa i përket asaj të grupit etnolinguistik ashtu edhe të përkatësisë fetare. Këto dy frikëra herë shkrihen në një dhe herë ndahen, por, gjithsesi, mendoj se janë dy tema që meritojnë të trajtohen veçmas. Në këtë shkrim do të merrem vetëm me njërën syresh, regjistrimin etnolinguistik, duke i rezervuar një shkrim tjetër frikërave të regjistrimit të përkatësisë fetare.
Ndonëse kundërshtimi ndaj regjistrimit etnolinguistik shpesh mbulohet me interpretime kushtetuese, apo mbrojtjeje të drejtash të njeriut, nuk është e vështirë të dallosh në të një gjuhë nacionaliste: sikur, pra, ky regjistrim të jetë një rrezikim i kombit. Dhe, po ashtu, nuk është vështirë të dallosh se frika kryesore në këtë aspekt është ndaj asaj që mund të ndodhë me regjistrimin në jug të vendit ku mund të na dalë një numër më i madh, nga ç’e duam, i minoritetit grek. Pra është frika e atyre që bëhen, si të thuash, zëdhënësit e maxhorancës etnolinguistike shqiptare për të regjistruar një minorancë etnolinguistike në vend. Një tjetër gjë që bijë në sy gjatë debatit është se këto frikëra nacionaliste sot i kalëron politikisht më së shumti e majta në opozitë duke akuzuar qeverinë se po tradhëton interesa kombëtare duke shfaqur, kësisoj, edhe një herë paradokset e politikës shqiptare. Së fundi vura re se deri G99 kishte organizuar një tryezë me këtë synim. Jam i bindur se sikur në qeveri të ishte e majta dhe ta bënte këtë akt nën kërkesën e ndërkombëtarëve, siç duket se po e bën e djathta, do të ishte kjo e fundit që do ta kundërshtonte me të njëjtat argumente nacionaliste.
Por, përpara se të jap mendimin tim se pse mendoj se duhet bërë kjo transparencë, le të shtjelloj më parë nja dy koncepte që, duke lexuar debatin, kam konstatuar se  tek shumica janë ende konfuzë.
Së pari,  desha të them se shpesh në debate ngatërrohet koncepti i kombësisë apo nacionalitetit të një individi, si përkatësi në një shtet kombëtar, me konceptin e etnicitetit apo etnolinguicitetit si përkatësi në një grup të caktuar etnolinguistik.  Ky keqkuptim, që shtrihet deri në përdorimin e termave, buron nga mungesa e vetëdijes se ne jetojmë në kohën e shteteve kombe, çka do të thotë se ajo që në anglisht quhet nationality dhe në frëngjisht nationalité, e që në shqip përkthehet me fjalën kombësi, përcaktohet nga shteti komb qytetar i të cilit je dhe jo nga grupi etnolinguistik të cilit i përket. Mirëpo në pasaportat tona nuk është përdorur termi kombësi, që do të ishte ekuivalenti, i nationality, por fjala shtetësi. Madje në këto pasaporta, përbri fjalës shqipe shtetësi, figurojnë fjalët cityzenship në anglisht dhe citoyenneté në frëngjisht ndërkohë që nuk janë këto fjalët që përdoren në Angli SHBA dhe Francë për të treguar përkatësinë e qytetarit në këto shtete kombe. Vetëm në pasaportën biometrike kemi, më në fund,  zëvendësimin e fjalës angleze cityzenship me fjalën nationality që përdorin amerikanët dhe anglezët për të përcaktuar përkatësinë në shtetin e tyre komb. Dhe kjo është më e saktë sepse një shtet komb mund të jetë një federatë shtetesh, siç janë pesëdhjetë të tillë në SHBA psh., apo si në Zvicër, ku çdo kanton është shtet më vete. Në fakt në pasaportat amerikane kjo fjalë është në tre gjuhë : nationality/nationalitè/nationalidad (spanjisht kjo e fundit). Kurse në një pasaportë si ajo zvicerane, ku, siç dihet, ka katër grupe të mëdha  etnolinguistike, e gjejmë ne pesë gjuhë : nationalität (gjermanisht), nationalité (frëngjisht), citadinanza Iitalisht), naziunalitad (romanisht), nationality  (anglisht). Vlen të vihet në dukje se edhe në italisht nuk përdoret fjala nazionalità, por fjala citadinanza që mund të përkthehet si qytetari në një shtet. Por, po te vesh re pasaportat italiane, fjalët koresponduese ndaj saj në anglisht dhe frëngjisht janë nationality në anglisht dhe nationalité në frëngjisht.
Ky problem që kemi ne në mospërdorimin e fjalës kombësi lind nga identifikimi ynë i gabuar i grupit etnolinguistik me kombin çka e ka origjinën në dallimin midis kombit të kulturës dhe kombit të shtetit. Ne kemi thënë gjithmonë se jemi i njëjti komb me shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë duke krijuar kështu barazinë midis grupit etnolinguistik dhe kombit, që, thellë thellë, ka përmbajtur aspiratën për të krijuar shtetin etnik shqiptar si shtet komb të shqiptarëve. Kohët e fundit edhe Berisha bëri një deklaratë që reflekton këtë konfuzion duke thënë për Shqipërinë dhe Kosovën se janë dy shtete, por një komb. Por nisur nga koncepti sipas të cilit kombësinë ta jep shteti komb, ne duhet të themi se jemi të të njëjtit grup etnolinguistik me shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Kosovës, por jo të së njëjtës kombësi. Në fakt në pasaportat e shqiptarëve të Maqedonisë përbri fjalës nationality nuk shkruhet shqiptar, por meqedonas. E njëjta gjë do të vlente edhe për një Kosovë të njohur nga Kombet e Bashkuara  ku për shqiptarët edhe serbët etj. ndonëse do të thuhet se i përkasin grupeve etnolinguistike të ndryshme, (dhe grupe etnolinguistike në botë ka shumë shumë më tepër sesa kombe) do të thuhet se i përkasin të njëjtës kombësi, asaj kosovare.
Dua të them, pra, se në këtë debat duhet të kemi parasysh se tjetër gjë është grupi etnolinguistik dhe tjetër gjë është kombësia e se, në projektin e debatuar, bëhet fjalë për regjistrimin e grupit etnolinguistik dhe jo të kombësisë apo shtetësisë. Kjo duhet pasur parasysh edhe kur debatojmë për të drejtën e vetëdeklarimit. Një qytetar nuk mund të vetëdeklarojë kombësinë, por vetëm grupin etnolinguistik, sepse, që të deklarojë një kombësi të caktuar, për këtë duhet të ketë njohjen e shtetit komb që e njeh si qytetar të tijin. Ashtu sikurse një grup etnolinguistik nuk mund të vetëdeklarohet anëtar i Kombeve të Bashkuara, pasi një e drejtë e tillë i përket vetëm shteteve kombe të njohur ndërkombëtarisht.
Pas këtij sqarimi le të hidhem në temën në fjalë. Nga sa jam informuar regjistrimi i popullsisë, përsa i përket grupimeve etnolinguistike dhe fetare, është një kërkesë e Evropës. Dhe gjykoj se kjo kërkesë lind pikërisht për të mbrojtur ata grupe etnolinguistike që janë minoritare në një vend. Sepse, siç dihet, një nga problemet e shkeljes së të drejtave të njeriut në vendet jo demokratike, siç ka qenë edhe regjimi nacional – komunist shqiptar, është diskriminimi i këtyre grupeve nëpërmjet mohimit të shumë të drejtave. Ndër këto shkelje bëjnë pjesë edhe politikat e asimilimit ku mund të futet edhe mosnumërimi i tyre nga maxhorancat etnolinguistike, pakësimi i numrit të tyre që lidhet, pastaj, edhe me të drejtat e shkollimit të tyre etj. Dihet se pretendimin më të madh për këtë e ka pasur minoriteti grek, i cili ka pasur edhe mbështetjen e shtetit grek. Të pëlqen s’të pëlqen kjo është një e drejtë e tyre sepse në këto gjëra duhet, minimumi, të jesh parimor. Sikur të bëhej fjalë që maqedonasit e grupit etnolinguistik sllav, që janë maxhorancë, të mos i lejonin shqiptarët e Maqedonisë sot të numëroheshin kjo nuk do të na pëlqente, do ta konsideronim shkelje. Pra, nëse bëhet fjalë, siç thonë disa, për diskriminim, ky nuk qëndron në regjistrimin, por në mosregjistrimin për shkak të presionit të grupit më të madh.
E këtu vlen të komentohen edhe argumentet që kemi njëzet vjet që i dëgjojmë kur preket kjo temë sipas të cilëve kjo mund të ishte e drejtë në kushte normale, por jo në kushtet kur shqiptarët, nga varfëria dhe nga halli, janë të detyruar të shkojnë të punojnë në Greqi dhe atje të ndërrojnë edhe emrat edhe përkatësinë etnolinguistike, shoqëruar ky me argumentin se ky ndërrim nuk mund të quhet i vlefshëm sepse ai tjetri e ka kthyer nga halli emrin nga Muhamet në Kristo dhe, meqënëse ne e kemi të regjistruar si Muhamet, nuk duhet ta lejojmë të quhet Kristo e as të vetëdeklarohet minoritar. Së pari, pyetja që shtrohet është: edhe sa vjet do të vazhdojmë ta quajmë vendin tonë anormal? Së dyti, kjo ideja se po e ruajmë shqiptarësinë duke mos regjistruar njerëzit sipas deklarimit të tyre është si të bësh strucin. Sepse, ndërkohë që këtu bëhet fjalë për regjistrimin e grupit etnolinguistik, numri i shqiptarëve që e kanë ndërruar apo janë të gatshëm ta ndërrojnë atë që është më e rëndësishmja:  kombësinë/shtetësinë në kuptimin që i dhashë më lart, është shumë më i madh. Ai shqiptari musliman që e bën emrin Kristo në zyrat e gjendjes civile, e bën këtë nga halli se shtetësinë/kombësinë e ka shqiptare, sepse, po të kishte marrë tashmë shtetësinë/kombësinë greke, këtë veprim ndoshta nuk do ta bënte fare apo do ta bënte në shtetin grek me gjithë të drejtat që i lejon ligji që për fat është po ai edhe tek ne, sepse e drejta e ndërrimit të emrit vetëm në diktaturat më të egra mund të ndalohet. E megjithatë kjo nuk është thjesht çështje ndërrimi emri. Sa shqiptarë janë bërë gjermanë dhe e kanë humbur automatikisht kombësinë/shtetësinë shqiptare. Sa të tillë janë bërë italianë, amerikanë apo grekë, britanikë, belgë etj. Nuk e dimë, dhe as këtë nuk duam ta dimë. Sepse, ashtu siç thuhet për gomarin, ne na pëlqen të mbetemi në ëndërr. Madje paradoksalja është se një pjesë të këtyre shqipëtarëve i gjen të shkruajnë nëpër internet, dhe me sinqeritet madje, se po na rrezikohet kombi me këtë regjistrim. Dhe problemi nuk është as thjesht se ata kanë ndërruar kombësinë/shtetësisë, por sepse në brezin e dytë do t’u lindin fëmijë që as nuk do të dinë shqip, kurse fëmijët e fëmijëve të tyre do të përmendin vetëm në tryeza me miqtë origjinën e tyre shqiptare, siç ka ndodhur me shumë e shumë emigrantë.
Sipas gjykimi tim kjo hemorragji nuk mund të ndalohet me retorikat nacionaliste që përdorin diskutantët e debatit në fjalë e as  duke mos u dhënë njerëzve të drejtën e vetëdeklarimit. Këto tingëllojnë sa anakronike aq edhe hipokrite, veçanërisht kur ke parasysh se një pjesë e atyre që i mëshojnë këtyre retorikave,  kanë përgjegjësi direkte për katandisjen e Shqipërisë në një vend që shqiptarët vazhdojnë ta braktisin.
E gjithë kjo energji do të duhej të derdhej, mundësisht, për të mbyllur plagët që e prodhojnë hemoragjinë në fjalë  duke ndërtuar një Shqipëri ku njerëzit të duan të rrisin fëmijët e tyre dhe jo të ikin.
Nuk është vështirë të kuptosh nga debati se frika ndaj deklarimit të përkatësisë etnolinguistike tek disa shkon deri tek një frikë e vjetër se, duke dalë një numër i madh minoritarësh grekë, nesër Greqia do të ketë të drejtë të ndryshojë kufijtë e shtetit tonë kombëtar – pra teza e vjetër e Vorio Epirit. Besoj se në kushtet e sotme një ndryshim i tillë i kufirit është fantapolitikë që mund të vihej në diskutim vetëm nëse shqiptarët një ditë të bukur, pas shumë hyneresh, si ato që kanë bërë deri më sot, do të deklarojnë se janë të paaftë të qeverisen vetë dhe do të kërkojnë të shpërbëhet shteti i tyre. Nuk e përjashtoj që edhe kjo ka gjasë të ndodhë me këtë lemeri politikanësh që kemi. Por edhe atëhere them se do të jetë e vështirë të ndërrohen kufijtë pasi askush nuk do t’i marrë kaq lehte përsipër shqiptarët. Më e mundëshmja është të na sjellin ndonjë trojkë protektorësh.
Prandaj gjykoj se më mirë se sa të mbajmë poza pseudopatriotike ia vlen të punojmë për të përmirësuar kushtet e jetës së njerëzve në këtë vend, të të gjitha grupeve etnolinguistike, e, në këtë kontekst, të bëjmë edhe regjistrimin etnolinguistik që do të ishte një radiografi e mirë e shoqërisë sonë që do të na ndihmonte për të njohur edhe më mirë veten e për të kapërcyer  një tjetër trashëgimi të keqe të nacional – komunizmit. (Korrieri, 7 shkurt 2010)

Tuesday, February 2, 2010

Edi Rama dhe komuniteti

Shpresoj se do të vijë një ditë kur breza shqiptarësh më të mençur e më të ditur se këta të sotmit, e më me personalitet, - kjo është e rëndësishme sepse do të thotë që nuk do të kenë më kompleksin e inferioritetit ndaj perëndimorëve, - do të merren me studimin e një fenomeni “të çuditshëm” të kohës sonë: se si nevoja për të fituar autoritetin e munguar tek bashkëkombasit brenda vendit i ka çuar shumë figura të politikës (dhe jo vetëm) tek teknikat e rritjes së këtij autoriteti nëpërmjet vlerësimeve të të huajve; se si këto teknika kanë përdorur aq shumë edhe mashtrimin e korruptimin e të huajve dhe se si, pastaj, ky autoritet i fituar kësisoj, është ushtruar në mënyrë abuzive mbi shqiptarët.
Midis të tjerave, në kërkimet e tyre, ata do të zbulojnë edhe se si diskursi i drejtuar të huajve nga këta figura, në më të shpeshtën e rasteve, ka qenë krejt i ndryshëm nga diskursi për shqiptarët brenda, madje edhe i kundërt.
Para disa ditësh pashë Edi Ramën, nëpërmjet youtube, të flasë për revolucionin e ngjyrave që ai ka sjellë në Tiranë, në një takim në Harvard Kenedy School (për qeverisje) Cambridge, MA. organizuar në kuadrin e Programit Kokkalis për Evropën Juglindore dhe
Qendrore.
Ajo që më bëri përshtypje ishte se e paraqiti lyerjen e fasadave të ndërtesave me ngjyra të forta  lara lara si një inisiativë që synonte krijimin e komunitetit të munguar në Tiranë. U tha dëgjuesve se, kur ai filloi ngjyrimin e ndërtesave, befas njerëzit harruan gjithë problemet dhe debati kombëtar u përqendrua tek ngjyrat e Tiranës. Dhe ky ishte fillimi i një reaksioni zinxhir emancipues. Njerëzit që kishin dyqane në pallatet e lyera filluan të paguajnë 100% taksat sepse u bënë më të vetëdijshëm për qytetarinë e tyre dhe, po ashtu, ngjyrat ulën shkallën e kriminalitetit. Më pas Rama tregoi se si, në një pyetsor të kryer nga Bashkia, 63% e shqiptarëve e pëlqenin operacionin e lyrejes, por ç’është më e lezetëshmja, ndaj pyetjes nëse ata donin të vazhdonte ky operacion kishin dhënë përgjigje pozitive 85%.  Tregoi po ashtu se si gjatë filmimit të dokumentarit që ka bërë bashkë me Anri Salën për qytetin me ngjyra, Sala i kishte treguar se, kur e vendoste kameran në pjesët e lyera dhe me trotuare të shtruar, njerëzit qëndronin me kënaqësi përpara kamerave (krenar për qytetin e tyre) kurse kur ai e vendoste kameran në pjesët e shëmtuara njerëzit ishin shumë agresivë ndaj kameras. Kësisoj pra, sipas Ramës, ngjyrat e tij jo vetëm na ndihmuan për të dalë nga “Tirana, no man’s land” (Tirana, tokë e askujt), por deri edhe për të ndryshuar sjelljen shoqërore të njerëzve. Nuk ka më bukur. Dëgjuesit dukeshin të kënaqur e entuziastë; veçanërisht drejtuesja e takimit. Duke dëgjuar Ramën të vinte ideja: o burra të lyejmë edhe pallatet që kanë mbetur dhe do të kalojmë në “më të mirën e botëve të mundëshme”.
Mirëpo, për fat të keq, ky është një diskurs për Tiranën virtuale që u serviret të hujave për qëllimin që thashë në krye. Diskursi që bëhet këtej është i ndryshëm, jo vetëm nga protagonisti, por edhe nga tiranasit. Megjithëse Rama ka folur aq shumë e vazhdimisht nuk kujtoj që këtu në Tiranë lyerjen e pallateve të na e ketë shpjeguar ndonjëherë si një aksion që ka ndihmuar krijimin e komunitetit. As gazetarët e shumtë në shërbim të tij nuk i kam dëgjuar të japin këtë argument. Na kanë thënë se ka dashur të na heqë trishtimin e ndërtesave gri të komunizmit. Kur i kemi thënë se ka gjëra më substanciale për të bërë në këtë qytet të varfër na është përgjigjur se fakti që është e varfër nuk e pengon një grua të lyejë buzët me të kuq. E kemi dëgjuar Ramën edhe të thotë se ngjyrat janë si klithmat e Robinson Kruzoit në ishull për t’u thënë anijeve që afroheshin (kupto perëndimorët): hej, jemi këtu, ose jam këtu edhe unë! Por që, nëpërmjet ngjyrave, paska pasur për qëllim të na rrisë ndjenjën e komunitetit është hera e parë që e dëgjoj. Ashtu sikurse është hera e parë që dëgjoj se demokratët i kërkonin në këtë operacion që ballkonet e tyre të lyheshin me blu kurse socialistët me të kuq, gjë që e dëfreu shumë sallën e dëgjuesve.
Personalisht kujtoj se e kam kritikuar këtë aksion.  Ndër argumentet që kam paraqitur kanë qenë ata se arkitektura është një art që flet kryesisht me volume, forma dhe material jo me ngjyra, pra i afërt me skulpturën jo me pikturën,  se ngjyrat e çelura, apo ngjyrat e tokës, që përdoren për të lyer ndërtesat kudo në botë, nuk janë thjesht një rastësi, por nevojë, pasi ndërtesat janë të ekspozuara ndaj diellit dhe shiut  që i shkatërrojnë ngjyrat e forta, apo edhe argumentin se shumë ndërtesa, përfshirë edhe ato të socializmit, duke u shpërndërruar ashtu, humbisnin identitetin e tyre. Megjithatë të gjitha këto argumente do t’i kisha hedhur në koshin e plehërave, me gëzim, sikur ky aksion i nisur nga qytetarët, për qytetarët do të na forconte komunitetin. Mirëpo ne e dimë mirë se në fakt “operacioni ngjyra” u shfaq një ditë për habinë e të gjithëve (edhe sot nuk di nëse ka ndonjë vendim kolektiv që e ligjëron kryerjen e tij), si trilli i një ish artisti që veshi petkun e poliktikanit dhe, duke bërë realitet ëndrrën e shumë shqiptarëve që thonë: po më ra një herë në dorë pushteti do t’i nxjerr ujët e zi, mendoi se do të bëhej i famshëm në Perëndim duke bërë një instalacion të tillë të paparë, dhe kjo famë pastaj do t’i shërbente për t’i rritur autoritetin e pushtetin brenda vendit. Jo rastësisht “operacioni ngjyra” filloi me Rrugën e Durrësit që është rruga prej nga hyjnë në Tiranë të huajt kur vijnë nga aeroporti i Rinasit. Është e vërtetë se komuniteti ndërtohet edhe me aksione të përbashkëta të qytetarëve, veçanërisht ato vullnetare, por  ai i ngjyrave nuk lindi kështu, por nga lart poshtë, madje edhe disa artistë që morën pjesë me rastin e një Bienaleje u sollën nga jashtë pasi shumica e artistëve këtu, nga sa di, nuk deshi të përfshihej në këtë farsë ku, si në kohën e komunizmit, artistët dhe intelektualët, në vend se të denonconin se çfarë ndodh prapa fasadës, morrën pjesë në lyerjen e propagandimin fasadave të pushtetit.
Sot e kësaj dite nëpër tryezat e gazetarëve tregohen anekdota për mënyrën se si organizoi Rama pritjen e gazetarjes së New Yorker, se si u manipula ajo prej Ramës e njerëzve të tij, se si u evituan apo u denigruan kritikët e tij me intriga e shpifje, që, më në fund, artikulli i saj, “Painting the town”, i botuar në revistën prestigjioze,  t’i tundej në fytyrë çdo shqiptari që guxonte të vinte në dyshim punët e Ramës.
Dimë po ashtu se si iu përgjigj Rama njërit prej arkitektëve më të shquar, Petraq Kolevicës, kur ky e kritikoi këtë ndërmarrje si kllouneske dhe se çfarë makinerie interesi media-ndërtim u vu në veprim për të lançuar këtë kryebashkiak që, edhe pas nëntë vjetësh, mu pse ka qenë në shërbim të interesave të një grupi të vogël njerëzish dhe jo të komunitetit, nuk ka hartuar planin rregullues të qytetit, që është kushtetuta e një qyteti, ligji bazë i jetës dhe i zhvillmit të një komuniteti.
Mungesa e komunitetit mbetet një çështje e madhe, por edhe më e madhe është pyetja se si mund ta krijojmë këtë komunitet. E në këtë kontekst dua të them se krijimi i komunitetit bëhet edhe më i vështirë mu pse njerëz si Rama janë armiq të komunitetit, sepse thellë thellë e përçmojnë atë ashtu sikurse edhe institucionet dhe ligjin. Sepse komunitet do të thotë bashkësi njerëzish që merr në dorë fatet e veta. Kurse ajo që duan njerëz si Rama (dhe jo vetëm) është bash e kundërta: një masë njerëzish të bindur që adhuron liderin, fatet e të cilëve janë pikërisht në dorë të liderit. Edhe gjatë bisedës në fjalë Ramës i shpëtoi kjo mendësi kur, duke replikuar me një dëgjues, tha se  zviceranët, pikërisht pse e bëjnë çdo gjë me referendum, nuk do të kenë kurrë ngjyra si të tijat në qytetet e fshatrat e tyre.
Komunitet do të thotë të ruash identitetin, historinë kujtesën e një bashkësie qytetarësh. Ajo që ka ndodhur në Tiranë, nën udhëheqjen e Ramës, është bash e kundërta: një shkulje nga rrënjët e kujtesës e të historisë së tiranasve. Komunitet do të  thotë të ruash e kurosh hapësirat publike, parqet, lulishtet, fushat e sportit ku fëmijët luajnë e bashkohen, kinematë e teatrot ku njerëzit përjetojnë emocione sëbashku. Në këtë aspekt Tirana e Ramës është një shkretëtirë betoni dhe po bëhet gjithnjë e më shkretëtirë. Komuniteti ndërtohet nga individë që bëjnë punë të mëdha duke ndejtur modestë mes pjesëtarëve të tij, jo nga ata që e shohin komunitetin thjesht në rolin e piedestalit për të ngritur delirin e tyre të madhështisë. Komuniteti ndërtohet nga ata që i japin publikes nga pasuria e tyre private dhe jo nga ata që i rrëmbjenë publikes edhe tullën e fundit për t’u pasuruar vetë. Komuniteti ndërtohet nga ata që bashkojnë njerëzit në emër idealesh të mëdha dhe jo nga ata që i përçajnë ata në emër interesash meskine. Komuniteti mbi të gjitha ndërtohet kur marrdhëniet me të dhe qëllimet ndaj tij i ke të sinqerta.
Gjendja e mjerë e Tiranës, me masakrën urbane, me ndotjen e ajrit përtej çdo kufiri të lejueshëm, me mungesën dramatike të hapësirave të gjelbërta, me ekzistencën e vetëm një kinemaje për afro një milion banorë, me mungesën skandaloze të muzeumeve dhe shkatërrimin e atyre që kanë mbetur, me projektet për të privatizuar edhe centimetrin e fundit katror që ka mbetur publik është rezultat politikash të ndërtuar nga njerëz që vetëm ndjenjën e  komunitetit nuk kanë. Këto politika e kanë kthyer Tiranën në një grackë prej betoni e helmi ku cilësia e jetës vjen duke u përkeqësuar. E në kushte të tilla nuk mund të flitet për ndërtim komuniteti, por për shpërbërje të mëtejshme edhe të atij që ka mbetur. (Korrieri, 2 shkurt 2010)