Në Shqipëri po kemi disa lëvizje në lojën politike që meritojnë vëmendje, pasi duken të mbarsura me të papritura interesante. Nuk mund të mos binte në sy fakti që udhëheqësi i lëvizjes Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, u shfaq në Top Channel i vetëm përballë katër gazetarëve. Këtë “nder” të madh mediat dhe gazetarët ua kanë bërë vetëm figurave të staturës së liderit të maxhorancës, Berisha, liderit të opozitës, Rama, dhe ndonjëherë më të rrallë Ilir Metës. Çfarë po ndodh kështu? A ka lindur vërtet një forcë e rëndësishme politike? U mbetet zgjedhjeve ta vërtetojmë, por ndërkaq kjo shfaqje e ka një kuptim, madje më shumë se një. Po të dëgjosh retorikën e Spahiut, do të vëmë re se krahas fushatës së deritanishme, që ka qenë ajo kundër censusit si dhe ajo për promovimin e bashkimit kombëtar tashmë, pas dorëheqjes së detyruar, janë shtuar dy-tre elemente të reja: së pari, deklarimi se lëvizja që ai drejton është kundër të gjithë klasës politike, e cila, sipas tij, ka dështuar në misionin e saj për të kryer tranzicionin; së dyti, se partia që do të krijojë e konsideron veten të djathtë, ndërkohë që dy partitë e mëdha janë të dyja të majta, bolshevike, si dhe se nuk do të bëjë koalicion me asnjërën syresh.Nuk po e paragjykojmë Spahiun përsa i përket asaj nëse e ka seriozisht se do ta ndryshojë për mirë Shqipërinë, apo ka të njëjtin “hall” të paraardhësve të tij, por le të ndalim te disa gjëra që duken sheshit. Më e dukshmja është se lëvizja e tij drejtohet kundër PD dhe Sali Berishës, çka është bërë edhe më evidente nga sulmet që i ka adresuar maxhoranca kohët e fundit, agresiviteti i së cilës ndaj tij nuk ka lindur për shkak të Drejtësisë, që është në pikë të hallit (më shumë për shkak të vetë maxhorancës, sesa të Spahiut), por ngase ai filloi një lëvizje politike që, në bashkërendim me Topin, dukej se po përgatitej, sipas saj, të bëhej partia simetrike me atë të Metës në krahun e saj. E këtu le të ndalemi pak edhe te partia e pritshme e Bamir Topit. Edhe ky ka deklaruar se do të ndërtojë apo drejtojë një parti të djathtë, ku mendohet se do të rreshtohen të gjithë të pakënaqurit apo të përjashtuarit nga PD-ja: ata që gjatë këtyre viteve e kanë parë veten të margjinalizuar, të përjashtuar apo të zhvleftësuar padrejtësisht. Tashmë duket se partia e Topit nuk do të jetë e njëjtë me atë të Spahiut, pasi ai, të paktën deri më tani, s’ka dalë me pretendime nacionaliste bashkimi kombëtar dhe as akuzon për korrupsion dhe për dështim krejt klasën politike. E vetmja pikë e fortë që e ndan Topin nga të vetët në PD është mungesa e demokracisë në parti, çka do të thotë se, më së shumti, kemi të bëjmë me një sulm ndaj Berishës dhe grupit të skifterëve të rinj brenda partisë së tij, që ky i ka mbështetur duke mënjanuar disa nga të vjetrit.Nuk ka dyshim, po ashtu, se këto lëvizje reflektojnë një gjendje të vështirë politike të maxhorancës përsa i përket kredibilitetit politik. Gjithnjë e më autoreferenciale, e mbyllur në rrethin e të besuarve dhe përjashtuese ndaj të tjerëve, me intolerancë dhe agresivitet të shtuar ndaj çdo zëri kundër, me një klientelë që, sipas zërave të besueshëm, tenton të kapë e kontrollojë krejt përfitimet ekonomike të sistemit korruptiv dhe e gatshme deri edhe të bëjë krime për këto, me një ekonomi në gjendje krize dhe me kriminalitet në majat e veta dhe me prirjen, gjithnjë në rritje, për t’i mbyllur të gjitha këto nëpërmjet kontrollit të të gjitha institucioneve të pavarura, veçanërisht Drejtësisë, maxhoranca dhe lideri i saj Berisha duket se kanë humbur shumë pikë si në mbështetësit e tyre të deridjeshëm, ashtu dhe te ndërkombëtarët. Lulëzimi i lëvizjeve Spahiu dhe Topi nuk mund të shihen jashtë këtij konteksti.Duket, po ashtu, sheshit se pikërisht në këtë kontekst, Ramës dhe aleatëve të tij partitë e Spahiut dhe Topit i interesojnë fort dhe prandaj, për të mos i komprometuar ato, duke komentuar këtë lëvizje, Rama është shprehur, në dukje me indiferentizëm, se lëvizjet e Spahiut dhe Topit nuk i interesojnë shumë, sepse janë çështje të së djathtës. Madje, të paktën hë për hë, atë nuk e shqetëson as akuza e Spahiut se ai dhe partia e tij, ashtu si ajo e Berishës, janë që të dyja të majta/bolshevike. Sepse nuk do shumë mend për të kuptuar se, duke i quajtur të dyja partitë e mëdha të majta, bolshevike, Spahiu nuk kërcënon të tërheqë elektoratin e Ramës, por atë elektorat që ka qenë historikisht antikomunist për shkak të persekutimit nga regjimi i Enver Hoxhës dhe që e pa veten të diskriminuar ose të përdorur, ose të mashtruar nga PD-ja, por që, më anë tjetër, në mungesë të një force serioze politike, ka votuar PD-në, pasi PS-në e ka ndjerë të huaj dhe armiqësore.Kësisoj, në zgjedhjet e ardhshme ne mund të ndodhemi në një rezultat shumë të pritshëm: që Spahiu dhe Topi të marrin vota të së djathtës aq sa partia më e madhe të rezultojë PS dhe koalicioni i saj, e të vijë kështu në pushtet. Asgjë të çuditshme nuk ka këtu. A nuk futi në lojë koalicioni i Berishës partinë e Hysni Milloshit, që është partia enveriste, për t’i marrë vota sa të mundte Ramës? Mësimi Meta – Milloshi që na ka dhënë Berisha këta vjet mund fare mirë të tejkalohet nga mësimi Spahiu – Topi.Kjo është loja politike, thonë disa. Rama dhe të vetët kanë të gjitha arsyet që të fërkojnë duart me shpresë dhe mediat afër tyre të inkurajojnë Spahiun dhe Topin, ashtu sikurse Berisha me të vetët të shqetësohen seriozisht.Por, a duhet ta ndalim analizën deri këtu? Mendoj se jo. Ta ndalësh arsyetimin deri këtu, do të thotë të pranosh mjerimin e klasës politike shqiptare, e cila e sheh gjithë aksionin e vet politik si një lojë pokeri në të cilën, pasi mbaron njëra dorë, ku secili bën blofet e veta duke nxjerrë përfitimet e veta, përzihen kartat përsëri për të filluar dorën tjetër e ku gjithçka ka për synim atë se cili do të grumbullojë më shumë fishe.Për shembull, vini re paradokset e këtij pokeri: sipas lojës, ashtu siç e parashtrova se mund të ndodhë, ish-të persekutuarit dhe ish-pronarët, shtresa më e pakënaqur dhe më e diskriminuar, sepse e qeverisur nga ish-komunistët kuqeblu (dhe këtu ka të drejtë Spahiu), do t’ia hedhin votat që dikur ata ia jepnin Berishës partive të Spahiut dhe Topit për të sjellë në pushtet “bijtë e Bllokut” të Ramës, ashtu sikurse dje simpatizantët dhe dashamirët më të mëdhenj të “bijve të Bllokut” i hodhën votat e tyre për të sjellë në pushtet persekutorët e tyre demokratë, që edhe pas njëzet vjetësh tentojnë të mbahen më këmbë në pushtet me retorika kundër “bijve të Bllokut”.Jo vetëm, por shikoni se si komplikohet edhe më paradoksi po t’i shohim partitë e reja nga pikëpamja e programeve të tyre politike: ne na del Spahiu dhe na thotë që dy partitë e mëdha janë që të dyja të majta e se ai do të krijojë të djathtën e vërtetë. Edhe Topi po këtë gjë na thotë. Mirëpo, nga pikëpamja e programeve politike – dhe jo të historisë së tyre – dy partitë tona të mëdha çdo gjë mund të jenë, por vetëm parti të majta nuk mund të jenë jo vetëm pasi teorikisht programet e tyre kanë qenë ultraliberiste, por edhe pasi praktikisht deri sot ato kanë qenë instrumente, deri kriminale, të shtresave më të pasura të vendit. Pra, për t’iu përgjigjur ndjenjave antiklasë politike, Spahiu do të duhej të dilte e të thoshte se ai po krijon një parti të majtë, përfaqësuese të popullit jo vetëm të tejngopur me këtë klasë politike, por edhe të diskriminuar nga polarizimi ekstrem, nga kapitalizmi i egër, nga shitja e Shqipërisë për një euro, nga mungesa e çdo mbrojtjeje sociale, nga privatizimi i gjithçkaje publike, nga taksat e sheshta që favorizojnë të pasurit etj. Madje, edhe ish-të burgosurve do të duhej t’u shpjegonte se ata vetëm një etiketë historike e kanë si të djathtë, pasi ata janë shumica në statusin e shtresave social-ekonomike që i përfaqëson e majta kudo në botë, pasi janë më të varfrit. Mjaft të kesh parasysh se i ndjeri Zaharia, që para disa ditësh u bë shkas për goditjen e deputetit berishist Rusmali nga dy ish-të dënuar politikë, kishte njëzet ditë që dergjej në morg dhe shteti as e çante kokën për t’i bërë një varrim, ndërkohë që qoftë edhe me lekët që i ka dhënë virtualisht si dëmshpërblim, mund t’ia organizonte një të tillë. Mirëpo, nëse Spahiu do të dilte e të deklaronte se ai ka krijuar një parti të majtë të vërtetë me idetë që rreshtova më sipër, do të kishte shumë probleme për të hyrë në tryezën e pokerit jo vetëm pse teorikisht një e majtë e vërtetë nuk mund të jetë nacionaliste, por edhe sepse kjo do t’i merrte elektoratin Ramës më shumë sesa Berishës dhe, në këtë rast, nuk di a do ta nxirrte Top Channeli në statusin e një lideri të madh në ekranin e vet apo jo.Ja, pra, se si ngatërrohen me duart e veta politikanët tanë për shkak se adrenalina e tyre ngacmohet vetëm nga fishat e pokerit mbi tryezë, dhe jo nga principe morale, as nga nevoja për koherencë, dhe as nga ajo se si e gjykon publiku tërë këtë lojë. Ata dhe mediat rreth tyre sot të lënë përshtypjen se sikur të ngjallej Enveri dhe të krijonte një Parti të re të Punës, do të fillonin menjëherë të rrekeshin se kush ta përdorte partinë e tij që t’i merrte ca vota kundërshtarit.Kur arrin deri në këtë pikë dëshpëruese të diskursit, një gjë të thonë shumica (kur them shumica kam parasysh shumicën e opinionit me të cilit kam kontakt, ku përjashtoj militantët e të dyja palëve): mirë, mirë, por të ikë ky Berisha njëherë. Duke lënë të kuptohet se ky edhe rregullat e lojës së pokerit i ka prishur keqas. Pra, këta e shohin Berishën si një kërcënim që loja të mos vazhdojë fare, dhe kjo, pa metafora, do të thotë si kërcënim i vendosjes së një diktature alla-Putin. Bashkohem me këtë mendim, e kam thënë edhe vetë, “më mirë shumë banda, sesa një bandë e vetme”, d.m.th., më mirë një lojë pokeri e ndyrë me shumë lojtarë, sesa një dorë e vetme që tërheq tërë fishat, por, në këtë pikë nuk mund të mos ngre disa pyetje që më duken të rëndësishme. E para pyetje është: a nuk ju duket se vetë loja e pokerit që kemi ndërtuar është e tillë që në fund do të ketë një lojtar të vetëm që do të grumbullojë tërë fishat, pavarësisht se ky mund të jetë Berisha, apo ndonjë tjetër me emrin Rama (për të cilin nuk janë të pakët ata që thonë se është më i sëmurë se Berisha), apo Spahiu (i cili po kërkon të manipulojë me një ndjenjë që, për interesat e tij të lojës, mund të na çojë kollaj deri në atë thënien e Durrenmattit “shteti kur kërkon të bëjë një vrasje merr emrin atdhe)? E dyta: edhe nëse nuk nxjerr një fitues të vetëm, a ka kuptim që ne të vazhdojmë të shohim këtë lojë të ndyrë me shumë lojtarë që vazhdon të luhet mbi kurrizin tonë dhe me paret tona? Pra, pse ne duhet të jetojmë midis Shillës dhe Karridbës, ku më një anë na kërcënon një sistem alla-Putin, më anën tjetër një lojë pokeri e ndyrë, të cilën jemi të detyruar ta shohim si spektatorë në mediat e lojtarëve, sipas teorisë “O mangi questa minestra o salti dalla finestra”. Pse duhet të mjaftohemi me kaq?“Po ç’të bëjmë?” - do të më pyesë dikush - duhet zgjedhur e keqja më e vogël. Personalisht jam përpjekur të jap zgjidhjen (sigurisht joshteruese) në shkrimet e fundit, thelbi i të cilave është: na duhet një aksion sa i brendshëm, aq edhe me ndihmën e aktorëve ndërkombëtarë për të dobësuar lojtarët e tryezës së pokerit dhe për të forcuar ato institucione që duhet t’i detyrojnë më në fund ata, apo zëvendësuesit e tyre, të ngrihen nga tryeza e pokerit dhe të shkojnë të punojnë në zyrat e shtetit të së drejtës. (Panorama, 28 shkurt 2011)
Tuesday, February 28, 2012
Ç’po ndodh në pokerin e politikës
Tuesday, February 21, 2012
Edhe një herë për drejtësinë
Nuk ishte i papritur për mua numri i madh i reagimeve të atyre lexuesve që, pas shkrimit “Drejtësi – Demokraci”, m’u drejtuan duke më thënë se nuk rregullohet me paga të larta korrupsioni në Drejtësi, se 2000 euro në muaj nuk bëjnë punë, pasi këta janë mësuar me shumë më tepër, e më përmendnin pastaj, kush faktin se mjafton të shikosh se çfarë makinash kanë gjyqtarët e prokurorët tanë, kush se këta shpenzojnë deri 100 000 euro në vit vetëm për pushime, kush duke më treguar vilat e tyre e me radhë e me radhë. Nuk ishte e papritur edhe një ndjenjë nënshtrimi total ndaj këtij realiteti që shprehej në shumicën e këtyre reagimeve, ku, si ekstrem që puqet me nënshtrimin do të fusja edhe reagimet e egra të atyre që propozonin si zgjidhje efikase jo rritjen e pagave, por “dajakun”, “burgun”, “gijotinën”, duke harruar se në një demokraci “burgun” do të duhet ta vendosin po të akuzuarit në fjalë.Nuk ishte e papritur, po ashtu, heshtja nga ana e politikës, që dihet se ka axhendën e vet, në të cilën vetëm propozim i dobësimit të pushteti të tyre në favor të pushteteve të tjera nuk mund të bëjë pjesë, siç nuk ishte e papritur edhe heshtja e shumicës së gazetarëve të llogoreve, që më provoi edhe një herë se çështja e pavarësisë së gjyqtarëve nga partitë politike është në thelb e njëjtë me çështjen e pavarësisë së gazetarëve.Megjithatë, duke qenë se çështjen e pavarësisë së Drejtësisë e konsideroj më të rëndësishmen për momentin, po e rimarr edhe një herë temën duke replikuar me ato argumente kundër propozimit tim, që më duken të rëndësishmet.Së pari, dua të ve në dukje se thelbi i shkrimit tim nuk ishte thirrja për t’i ngritur rrogat prokurorëve dhe gjyqtarëve, por thirrja për të çliruar Drejtësinë nga “prangat ekonomike” – siç komentonte një lexues, – ku propozimi për rrogat merrte një vlerë përtej shumës së parave që propozoja. Le të ndalemi pak këtu. Kam ngulmuar dhe ngulmoj se pas vitit 1997 sistemi i ndërtuar në Shqipëri, që shumë e kanë quajtur herë oligarki, herë kleptokraci, herë shkërdhatokraci, herë klientelokraci, herë postdemokraci, por kurrë demokraci, e ushtron sundimin e tij jo nëpërmjet burgjeve, as nëpërmjet policisë apo shërbimeve sekrete, por nëpërmjet “prangave ekonomike”. Nuk ka pikë dyshimi se këtyre prangave i shtohet edhe injoranca, edhe shpëlarja e truve, por, kur bëhet fjalë për elitën, ku do të hynin pa dyshim edhe prokurorët e gjyqtarët, elementi kryesor janë prangat ekonomike.Çfarë e karakterizon këtë sistemin tonë të prangave ekonomike, që është sui generis në egërsinë e tij, siç ka qenë edhe komunizmi ynë? Në një rreth vicioz, ky sistem më një anë ka vendosur në qendër të vet paranë jo vetëm si nevojë mbijetese, por edhe si të vetmin burim lumturie dhe, më anë tjetër, duke mos krijuar dot mundësi që ta shpërndajë atë në mënyrë të ligjshme, i shtyn njerëzit drejt korrupsionit, kriminalitetit etj. Me fjalë të tjera, në një rreth vicioz, sa më shumë nevojë për para kanë njerëzit në këtë sistem, aq më shumë shtyhen në krim e paligjshmëri.Kur bëhet fjalë për Drejtësinë, në terma thjeshtëzues do të thuhej se prokurorët dhe gjykatësit tanë janë përpara alternativës: ose të mjaftohen me rrogën që nuk mund t’u kënaqë as nevojat e tyre materiale dhe jo më ato të “lumturisë”, ose të shiten te mafia dhe krimi që i paguan shumë më tepër. Shumica ka bërë zgjedhjen e dytë, çka implikon edhe korruptimin e tyre nga politika, pasi marrja e një vendi të tillë pune në sistemin tonë klientelar për shumicën nënkupton të kesh dorën e ngrohtë të partisë. Kur arrijnë në këtë pikë të analizës së realitetit tonë, të gjithë i kap dëshpërimi, duke të thënë se të gjithë kanë bërë këtë zgjedhje, duke filluar që nga Presidenti dhe Kryeministri, e duke shtuar: mirë prokurorëve e gjyqtarëve, po administratës, po deputetëve, po policëve, po mësuesve, po mjekëve, a nuk u duhen rritur rrogat, dhe ku t’i gjejmë këto para? Dikush më ka kujtuar se edhe vetë kam shkruar se këtu bëhet fjalë për një flotë që duhet të ecë e tëra, jo për një anije të vetme që shkëputet përpara. Dhe më në fund kryeargumenti kundërshtues është ai se çfarëdo rroge t’u vësh gjyqtarëve dhe prokurorëve, kjo s’mund t’i çlirojë nga varësia prej politikanëve që i emërojnë, që me ndryshimet kushtetuese i kanë bërë edhe më të varur nga pushteti i politikanëve.I quaj shumë të rëndësishme këto kundërargumente. E quaj shumë të rëndësishëm edhe argumentin se një ndryshim i madh do të vinte nga ndryshimi kulturor: d.m.th. kur në sistemin e vlerave të njerëzve nuk do të siguronte vetëm paraja, por edhe vlera të tjera të ashtuquajtura “shpirtërore”, që te prokurorët dhe gjyqtarët do të përktheheshin, veçanërisht, në dashuri për drejtësidhënie dhe krenarinë e të qenit i drejtë.Por, në këtë pikë unë shtroj pyetjen: a duhet filluar diku? A po themi se një nga këqijat më të mëdha që na lë prapa është konfliktualiteti i dy bandave dhe korrupsioni i tyre, si dy anë të së njëjtës medalje: a po flasim përditë për reforma: a kemi një prezencë ndërkombëtare që asiston Shqipërinë në rrugën e saj drejt demokracisë, me fjalë të tjera, a shpenzohen përditë energji për ta ndryshuar gjendjen? Askush nuk e mohon dot këtë, ndonëse, ç’është e vërteta, shumica janë të mendimit se ajo që bëhet është një teatër, sipas të cilit, lëviz gjithçka për të mos ndryshuar asgjë. Por, s’mund të mohohet, po ashtu, se e gjithë kjo klimë ua imponon nevojën e një Drejtësie të pavarur edhe atyre që më pak se kushdo do ta donin një gjë të tillë, siç janë politikanët tanë. Kujtoj me këtë rast se fakti që me ligj në sistemin ku jetojmë ndarja e Drejtësisë nga pushtetet e tjera është parim themelor, e prandaj askush nuk guxon ta kundërshtojë, e lehtëson këtë punë. Ndërkohë që po shkruaja këto radhë, lajmet e TV Klanit transmetuan një akuzë të rëndë, se një biznesmen i lidhur me socialistët paska shtyrë/paguar disa nga ata njerëz që kanë bërë dhunë më 21 janar të hedhin në erë shtyllat e tensionit të lartë në Lezhë, për ta futur vendin në terr ditën e 31 janarit. Nëse është kështu, krimi është shumë i rëndë; nëse nuk është kështu, ky lajm të kujton akuzat e fabrikuara për sabotim në kohën e Hoxhës. Kush do ta ndajë të vërtetën: të dënojë fajtorët për sabotim, apo fabrikuesit për fabrikim akuzash të rreme? Apo do të vazhdojmë me akuza ekranesh që i shërbejnë vetëm teatrit elektoral të partive, apo me pretendimin se Drejtësia na sigurohet kur këta kontrollojnë njëri-tjetrin? Unë them se jo. Këta duhet të gjejnë urgjentisht rrugët për t’ia lënë këtë pushtet Drejtësisë së pavarur prej tyre. Siç shkruaja edhe në shkrimin paraardhës, njerëzit janë tejngopur dhe me këtë teatër, dhe ka ardhur koha të fillohet diçka serioze, që vërtet të ndryshojë diçka.Le të rendis disa arsye shtesë nga ato të artikullit paraardhës pse, sipas meje, çlirimi i njerëzve nga sistemi i “prangave ekonomike”, që, e përsëris, nuk janë të vetmet, duhet të fillojë nga Drejtësia.
Së pari, sepse puna e prokurorit dhe gjyqtarit është e një përgjegjësie sipërore në mbarëfunksionimin e shtetit dhe të një shoqërie. “Një vendim i padrejtë (gjyqësor), – thotë Fracis Baconi, – bën shumë herë më keq sesa shumë shembuj të këqij, sepse nëse këta ndotin lumin, ai ndot vetë burimin”.
Së dyti, sepse ekonomikisht, nëse një mjeku, një mësuesi, qoftë edhe një njeriu të administratës mund t’ia pranosh (duke pasur parasysh vështirësitë), edhe një punë të dytë me të cilën të plotësojë rrogën, është e vështirë që një prokurori apo një gjyqtari t’i thuash të gjejë kohë të hapë një aktivitet tregtar.Së treti, sepse numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve është më i vogël në numër sesa ai i mësuesve mjekëve, njerëzve të administratës etj., etj.Në një koment të tij mbi shkrimin tim, një lexues që dukej se ishte njeri i së drejtës, pasi thoshte se “kurrsesi nuk mund të presësh të marrësh drejtësi nga dikush që nuk ka mjetet për ta dhënë atë, që janë minimalisht statusi i gjyqtarëve/prokurorëve: duke përfshirë, garancitë ekonomike, sociale deri edhe fizike për ata dhe familjen e tyre”, shtonte edhe faktin se në raportin e EURALIUS-it është thënë prerazi që para 4-5 vjetëve, se: “Është e rrezikshme për sistemin e drejtësisë shqiptare të ketë paga më të ulëta se 1000 euro në muaj për gjyqtarët dhe prokurorët e shkallës së parë”.Përsa i përket argumentit – shumë serioz – se edhe një gjyqtar apo prokuror i mirëpaguar mund të mbetet i varur e në shërbim të politikës, unë gjykoj se nëse akti i mirëpagimit do të shoqërohej me disa rregullime shtesë në ligj, që do ta bënin zgjedhjen e gjyqtarëve edhe më të pavarur nga ç’është prej politikës, do të rritej shumë më tepër mundësia që Drejtësia të varet te ligji, dhe jo te partitë politike.Si përfundim, duhet pranuar se “malli” që marrim ne prej njerëzve të Drejtësisë nuk është i krahasueshëm as me ushqimet që blejmë në treg, as me cilësinë e mësimeve në shkolla, as me atë të shërbimeve mjekësore dhe as me atë të shërbimeve gazetareske, politike apo administrative. Të gjitha këto që përmenda janë tejet të rëndësishme, pa dyshim, por për të gjitha ato mund të flasësh për procese përmirësimi që vijnë me kohën. Për të gjitha ato mund të flasësh edhe për “blerjen” e tyre “sipas takatit”, pra, për ushqime më cilësore dhe më të dobëta, për mësues më të zotë dhe më pak të zotë, për gazetari më profesionale dhe më pak; edhe shërbimin e politikanëve e të administratës mund ta relativizosh, por kurrsesi Drejtësinë. Sepse ajo, sikurse liria, është e drejtë themelore që ka të bëjë me thelbin e jetës, para së cilës duhet të ndjehen të barabartë të gjithë, të pasur dhe të varfër, të fortë dhe të dobët, kriminelë dhe të ndershëm. Prandaj dhe për këtë “mall” duhet të paguajmë më shumë se për çdo mall tjetër. Dhe jam i bindur se do të ketë shumë prokurorë dhe gjyqtarë që do ta ndiejnë peshën e përgjegjësisë që do t’u jepte një akt i shoqërisë që do t’i vendoste ata në qendër të shpresës për të ndërtuar një shoqëri të drejtë.Një thënie arabe thotë: “Mjerë ata breza, gjyqtarët e të cilëve meritojnë të gjykohen”. Ka disa breza shqiptarësh që e vuajnë këtë mallkim. Është koha për të thënë mjaft. (Panorama, 21 shkurt 20011)
Saturday, February 18, 2012
Drejtësi - Demokraci
Kur shkrova në artikullin mbi dorëheqjen e ministrit Huhne, se në Britaninë e Madhe, deri në shekullin XVIII, gjykatësit merrnin ryshfet, se një i mençur e zgjidhi këtë punë duke i paguar ata me rroga të larta e se kështu situata ndryshoi, nuk kishte dalë ende në media lajmi rreth korrupsionit (të mundshëm) të gjykatësit të lartë Dizdari. Pas lajmit mbi Dizdarin, fakti që kisha shkruar rreth pagës së gjyqtarëve më solli rastin të shkëmbeja mendim për këtë punë me disa të njohur gjyqtarë. Edhe biseda me ta u bë shkas i çka po shkruaj.
Do të thosha se shqiptarët sot kanë uri për drejtësi (jo për çimento, siç thotë Kryeministri Berisha) në të njëjtën masë siç kishin uri për liri në vitet e diktaturës. Por, po ashtu, si në vitet e diktaturës, ndjehen të pafuqishëm për ta instaluar këtë drejtësi, jo pse është i padrejtë i gjithë populli, siç thonë disa, por sepse sistemi brenda të cilit jemi ngujuar është, në shumë aspekte, i ndërtuar mbi padrejtësinë; sepse, ashtu sikur sistemi i djeshëm i trembej më shumë se gjithçkaje lirisë, pasi liria e rrezikonte, ky i sotmi i trembet më shumë se gjithçkaje drejtësisë, pasi kjo e shemb menjëherë. Përvoja jonë po tregon përditë se për ndërtimin e një demokracie, si shtet të së drejtës, është më e rëndësishme drejtësia, sesa pluralizmi partiak. Sepse pa drejtësi pluralizmi partiak degjeneron në pluralizëm bandash dhe demokracia në luftën midis këtyre bandave. Dhe kjo luftë e zhyt të gjithë shoqërinë në një sistem kriminaliteti, siç jemi zhytur ne, ku polici duhet të fitojë në mënyrë të paligjshme që të paguajë mësuesin, i cili duhet të fitojë në mënyrë të paligjshme që të paguajë mjekun, i cili duhet të fitojë në mënyrë të paligjshme që të paguajë gjyqtarin e kështu me radhë në rreth vicioz.
Problemi është se sot shqiptarët janë të tejngopur me këtë sistem. Ngjarjet e fundit të 21 janarit, ku Prokuroria kërkon mbështetjen e ambasadorit amerikan për të marrë në hetim dy bandat që akuzojnë njëra-tjetrën, e që i duhet t’i çojë në Amerikë plumbat për të bërë një ekspertizë të thjeshtë, flet vetë për gjendjen. Tek e fundit, pra, sillemi dhe risillemi duke u munduar të gjejmë rrugën e daljes nga kjo luftë e shëmtuar e, ashtu sikurse në vitin ’90, shumica mendonin se liria ishte gjëja kryesore për të cilën kishim nevojë për të dalë nga sistemi që na kishte mbytur, pas njëzet vjetësh shohim se vetëm drejtësia mund të na nxjerrë nga ky sistem. Sot ne kemi nevojë të dalim në rrugë të bërtasim “Drejtësi – Demokraci”, siç kishim nevojë në vitin ‘90 të dilnim në rrugë të bërtisnim “Liri – Demokraci”.
Problemi është që kjo frymë duhet të materializohet. Pyetja që shtrohet është: A duhet të materializohet nëpërmjet një lëvizjeje masash, quaje po deshe revolucionare, apo kemi sot instrumente që kjo të materializohet në mënyrë më të qetë, më institucionale? Personalisht do ta mirëprisja një lëvizje masash, të rinjsh – paqësore, sigurisht – që do të dilnin në rrugë përditë duke bërtitur “Drejtësi – Demokraci” e që do t’i jepte shtysë ndryshimeve të klasës politike dhe të krerëve të Drejtësisë nëpërmjet dorëheqjesh. Dikush do të më pyeste: Pse jo lëvizjet e organizuara nga opozita, e cila po i denoncon çështjet e drejtësisë me forcë? Sepse, që të ishte e suksesshme, do të duhej që kjo të ishte një lëvizje që të drejtohej edhe mbi opozitën. Pse kështu? Sepse opozita e sotme, ashtu si ajo e djeshme dhe e pardjeshme, ka dhënë e jep shenja krejt të lexueshme se asaj i intereson pushteti, jo drejtësia, të cilën kërkon thjesht ta instrumentalizojë. Mjaft të kesh parasysh se ne kemi pasur dy herë rotacione pushteti me premtimin e drejtësisë nga ana e opozitave, siç ishte ai i vitit 1997 dhe ai i vitit 2005, që kanë qenë tejet zhgënjyes mu pse ka munguar drejtësia e premtuar. Mjaft të kesh parasysh se aktorët e opozitës janë po ata që kanë qenë, që i kemi parë në veprim në emër të padrejtësisë, madje një pjesë duke pas qenë më parë në bandën tjetër. Do të thosha se nëse mund të ketë pro dhe kundër përsa i përket asaj nëse Shqipëria ka bërë përpara ose jo në krahasim me 15 vjet më parë, me siguri mund të thuhet se legjitimiteti i krejt klasës politike, si garant se mund të ndërtojë drejtës, i ka bërë shumë, shumë hapa prapa.
Mirëpo, për të qenë realistë, lëvizje masash apo të rinjsh nuk duket në horizont, po të përjashtosh atë kuqezi të Kreshnik Spahiut, i cili mu pse është njeri i drejtësisë së katandisur në këtë derexhe, nuk ka edhe ai kredibilitet. Madje, sipas meje, ajo lëvizje e sposton të keqen që është brenda nesh jashtë nesh, atje ku s’duhet. Fakti është se pjesa më e madhe e të rinjve ende sot aspirojnë ikjen nga ky vend i padrejtësisë, dhe jo luftën për drejtësi këtu. Atëherë, le të kthehemi tek “e mundshmja”, që ka si aktor kryesor opozitën, maxhorancën, institucione të tilla si Prokuroria dhe Gjyqësori, aktorët ndërkombëtarë si dhe një opinion publik të mekët, të nënshtruar, por që ndihet i gjallë si nëpër ajër, megjithatë. Përsa i përket maxhorancës, do të thosha se është më se e qartë se projekti i saj është jo pavarësimi i Drejtësisë, por kapja totale e saj. Sjelljet e saj, që nga Gërdeci e deri te gjyqi i Ilir Metës, janë shenja të sigurta ogurzeza për këtë. Ndërkaq, ajo që po bën opozita, është denoncimi dhe premtimi se po të vijë ajo në pushtet, do të vendosë drejtësinë thjesht sepse Rama me të vetët janë më të mirë, më të ndershëm sesa Berisha me të vetët. Unë ngulmoj se drejtësinë nuk duhet të na e garantojnë këta që thonë kështu (sepse kështu denonconte dhe premtonte edhe Berisha më 2005-n), por ata që punojnë seriozisht dhe bindshëm për ndërtimin e institucioneve të pavarura edhe nga ata vetë. Sepse s’mund të harrojmë se si u soll edhe opozita me Kushtetutën, një veprim nëpërmjet të cilit të dy palët treguan simetrikisht se synonin forcimin e pushtetit të tyre dhe dobësimin e çdo drejtësie dhe arbitri ndaj tyre.
Dikush do të thotë se edhe në vende më demokratike nuk gjen politikanë kaq bujarë që të japin nga pushteti i tyre për pushtetet e tjera. Unë them se kjo nuk është çështje bujarie, por nevoje. Sot maxhoranca dhe opozita ndodhen përpara një shtrëngimi sa të opinionit të brendshëm, aq edhe ndërkombëtar për të respektuar arbitrin që duhet të gjykojë edhe veprimet e tyre dramatike, si 21 janari. Ata s’mund të vazhdojnë të sillen si banda të pakontrolluara që s’i japin llogari kurrkujt. Dëmet që kanë sjellë me këtë luftë tashmë i ndjen nën lëkurë gjithkush. Në kuadrin e kësaj fryme, ne presim propozime konkrete nga të dy palët, dhe jo akuza të ndërsjella boshe në stilin e vjetër. Në këtë kontekst, duke iu referuar përvojës britanike, unë hodha idenë e pagave të larta si një nga rrugët e pavarësimit të Drejtësisë. Më konkretisht, pa pretenduar ndonjë projekt konkret, por duke e shtruar çështjen parimisht, sipas meje, kjo do të duhej të aplikohej në dy nivele. I pari: rritja e rrogave të prokurorëve dhe gjykatësve në përgjithësi. Kam pyetur gjykatës dhe prokurorë se sa do të ulej korrupsioni sikur nga rreth 500 euro, sa ç’e kanë rrogën sot, atyre t’u bëhej 2000 euro? Më janë përgjigjur se do të ulej 50%. Nuk është pak, sipas meje. Madje edhe 10% sikur të ulej, prapë mirë është. Sepse kjo krijon edhe mundësinë e një hapi në nivel të dytë për ta përmbysur pastaj gjendjen në favor të së drejtës. Ky hap kërkon që rroga e gjykatësve të Gjykatës së Lartë, e cila kalon në sitë tërë vendimet e gjykatave të ulëta – e që janë vetëm 17 veta – të bëhet, le të themi, pesë herë më e lartë: pra 10 mijë euro në muaj. Është një nder dhe përgjegjësi e madhe njëherësh që do t’u jepte shoqëria këtyre njerëzve. Me një përzgjedhje të mirë këta njerëz do të evitonin edhe korrupsionin e atyre prokurorëve dhe gjykatësve që nuk u mjafton 2000-euroshi në muaj, sepse gjyqet e tyre do të kalonin në një filtër që s’të fal. A mjafton kaq? Jo, sigurisht. Gjykatësve do të duhej t’u jepnim edhe mbrojtje nga ligji dhe nga politika. Por ngulmoj se pastrimi i Prokurorisë dhe Gjykatës nga korrupsioni ndihmon shumë edhe pavarësimin e tyre nga politike, sepse korrupsioni dhe varësia ushqejnë njëra-tjetrën. Po ashtu ngulmoj se një gjë e tillë do të ishte i realizueshme sikur të mos qe fakti se partitë politike të kthyera në banda nuk duan ta ndryshojnë këtë sistem? Kjo është e gjithë vështirësia që na kthen në rreth vicioz. Dhe kjo vjen nga dy gjëra: e para, nga e kaluara e tyre e mbushur me abuzime dhe krime, që do t’i bënte vulnerabil dhe, e dyta, nga humbja e së ardhmes. Prandaj, ashtu sikurse kanë vepruar me biznesmenët, me mediat, me gazetarët, intelektualët, duke tentuar t’i rekrutojnë të gjithë në bandën e tyre, po kështu ato do të vazhdojnë të veprojnë edhe me prokurorët dhe gjyqtarët. Mirëpo e arsyeshmja ecën me dinakëri, siç do të thoshte Hegeli. Ata nuk mund, megjithatë, në kontekstin ndërkombëtar që ndodhet Shqipëria, e po ashtu në një kontekst të brendshëm të shënjuar fort nga konflikti i pazgjidhur i 21 janarit, i zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm, të prokurorit të Përgjithshëm të ardhshëm, të votimeve të ardhshme etj., të veprojnë pa arbitër të paanshëm. Sistemi demokratik e kërkon pavarësinë e pushteteve, veçanërisht të Drejtësisë, sepse përndryshe degjeneron keq e më keq me pasoja të paparashikueshme. Njëlloj si Ramiz Alia nuk mund të thoshte dot në vitin 1991 se pluralizmi politik nuk mund të lejohej dhe u detyrua ta pranojë, paçka se e ndiente se ky ishte edhe fundi i pushtetit të tij, sepse përndryshe, fundin do ta kishte pasur shumë më dramatik, ashtu edhe këta tanët nuk do të mund ta frenojnë Drejtësinë e pavarur nëse nuk duan një fund dramatik. Ja pse mendoj se ka ardhur koha që thirrja “Drejtësi – Demokraci” të bëhet parullë e ditës për të gjithë shqiptarët, çka do të duhet ta detyrojë si maxhorancën edhe opozitën, si elementi kryesor i ndryshimit në kushtet që ndodhemi, të ndërmarrin veprime serioze të vërteta bindëse për ta vendosur Drejtësinë në vendin që meriton në një demokraci.
Thursday, February 9, 2012
Dorëheqja e ministrit Huhne dhe ne
Këto ditë në Britaninë e Madhe ka ndodhur një ngjarje interesante. Ajo e ka burimin në vitin 2003, kur ministri liberal–demokrat i Energjisë, Chris Huhne, ka bërë një tejkalim shpejtësie duke u kthyer nga një aeroport, ndërkohë që ishte në makinë me të shoqen. Kur u ka ardhur gjoba, në marrëveshje, kanë deklaruar se makinën po e ngiste ajo, meqë s’kishte pikë të hequra në patentë. Pas nëntë vjetësh, kur lidhja e çiftit ka shkuar në divorc, e shoqja e ka thënë faktin në një intervistë në Sunday Times. Kjo ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të publikut, por edhe të policisë së Essex-it, e cila u vu në kërkim të provave. Dhe, pas mbledhjes së provave, prokurori deklaroi se të dy partnerëve u është hapur çështje gjyqësore për mashtrim të drejtësisë.Ç’bëri ministri në këtë rast? Thjesht, në një deklaratë të shkurtër deklaroi se është i pafajshëm dhe do të mbrohet në gjyq dhe se, për të shmangur çdo interferencë të postit në gjykimin e çështjes, e sheh të nevojshme të japë dorëheqjen.Kur e dëgjojmë ne shqiptarët një lajm të tillë nuk reagojmë si anglezët. Do të thosha se jemi në regjistra krejt të ndryshëm. Ndërsa ata merren me ministrin që disa e quajnë një gënjeshtar që meriton të ndëshkohet e të tjerë shprehin respekt për aktin e tij, me lëvizjet që mund të ndodhin në kabinet apo në Partinë Liberal – Demokrate etj., ne na mbetet mendja në diçka krejt tjetër: te krahasimi i këtij fakti me gjendjen në vendin tonë, me politikanët tanë, me popullin tonë, me veten tonë. “Si ka mundësi që ministri as e akuzoi prokurorinë se po bashkëpunonte me opozitën në një konspiracion kundër tij, as hapi ndonjë fushatë politike ndaj kundërshtarëve të tij, as akuzoi ish-të shoqen madje?!” – themi ne me ironi. Na vjen të bëjmë humor më së shumti dhe fillojmë, nga marazi dhe pafuqia, sigurisht, të numërojmë skandalet tona me ministra e kryeministra. Nuk kam ndërmend t’i rreshtoj në këtë shkrim, se e di se lexuesi është i tejngopur deri në neveri me to. Por, meqë bëhet fjalë për ngjarje makine, s’mund të mos them se personalisht, për asosacion, nuk mund të mos kujtoja se një kryeministrit tonë i doli në media jo që kishte tejkaluar shpejtësinë, por se kishte shkelur e lënë në rrugë të vrarë një njeri pa i dhënë as ndihmë. Dhe jo dorëheqje që s’dha, e jo që s’hapi kush hetime ndaj tij dhe shokut që e kishte ndihmuar të hidhte tjetrin në kanal, (që e kishte bërë ndërkohë ministër), por ne e quajmë më të mirin e politikanëve që kemi pasur, e kërkojmë ta bëjmë edhe President madje. Lëre mos e nga se ç’popull jemi. Kur ia kujtova këtë histori një të njohurit tim, duke komentuar dorëheqjen e britanikut, ai më tregoi edhe një barcaletë që qarkullon për këtë ngjarje të Nanos, si për të vazhduar humorin dhe talljen që na vjen t’i bëjmë vetvetes në këto raste: Një ditë, – më tha, – i biri i atij plakut që shkeli Kryeministri shkoi te njëri nga ata “çunat” që i kishin dhënë shumën e majme të lekëve për t’i mbyllur gojën dhe i tha: “Dua të takoj shefin”. “Ç’është ky muhabet? – i tha ai, - lekët i more dhe jo pak. S’ke më punë me shefin”. Mirëpo ai ngulmonte që ngulmonte: “Dua që dua ta takoj shefin”. Një ditë, më në fund, mori guximin e shkoi drejt e në Kryeministri. Atje i doli prapë ai tipi dhe i tha: “Ç’mutin ke? Çfarë do t’i thuash shefit, se ia them unë?”. Ai uli zërin dhe i tha: “Thuaji se kam edhe nonën”.Jo, jo, jemi botë tjetër. Kështu mbyllet ky muhabet nga shumë shqiptarë.* * *Por, le të flasim pak më seriozisht, të nisur nga ideja se diçka duhet bërë për ta zvogëluar këtë humnerë ndarëse, që them se duhet ta njohim se ekziston, gjithë pa e idealizuar botën përtej Adriatikut, sepse, në fakt, edhe në Itali mbajnë të njëjtin qëndrim tallës me vetveten, si ne, kur komentojnë dorëheqjen e Huhne: kujtojnë proceset skandaloze të Berlusckoni-t, që pushtetin politik e ka parë si rrugë për t’u mbrojtur edhe nga drejtësia (përveçse për të rritur pasurinë e tij) e që magjistraturën e quan vegël të komunistëve. A është e mundur, pra, të ndërtojmë një shtet ku drejtësia të ketë autoritetin që na tregon një ngjarje si ajo e ministrit Huhne dhe ministrat tanë të kenë shtrëngimin moral të dorëheqjes edhe për gjëra kaq “të vogla”? Personalisht bëj pjesë ndër ata që nuk mendojnë se kjo është e pamundur dhe, po ashtu, mendoj se nuk na duhen shekuj për të arritur këtë. Aq më pak mendoj, siç thonë disa, se seleksioni natyror (i ushtruar nga nevoja për t’i mbijetuar xhunglës së më të fortit këtu te ne dhe nevoja për të respektuar drejtësinë e ligjin atje) paska bërë që ne të jemi edhe gjenetikisht të ndryshëm me anglezët. Këto teza raciste i ka hedhur poshtë vetë historia e atyre që e aplikuan racizmin në emër të racës superiore, gjermanëve, të cilët brenda një gjenerate apo dy u kthyen nga populli që e glorifikonte luftën, në një shoqëri që ka neveri për luftën. Jo, problemi ka të bëjë me ndryshim kulturor, jo racor, midis nesh dhe anglezëve, me çka do të kuptojmë mënyrën e jetesës së njerëzve atje dhe këtu, që sigurisht, është rezultat i proceseve të gjata e të ndryshme historike, por kjo s’do të thotë se njeriu shqiptar qenka gjenetikisht i paaftë për t’i pranuar e respektuar vlera të tilla si barazia përpara ligjit, respekti për drejtësinë e shtetit të vet, dënimi i gënjeshtrës etj., që sot s’janë ashtu dhe aq të vetat. Në shekullin XVIII edhe në Angli gjykatësit merrnin ryshfet. Pastaj në shekullin XIX dikush pati idenë se këta duhen paguar shumë. U paguan shumë, shumë më tepër se kushdo tjetër në mbretëri. (Edhe sot gjykatësit e lartë atje paguhen më shumë e Kryeministri). Dhe kjo i rregulloi shumë gjërat. Deri para 60 vjetësh edhe në Britani mbetej problemi i një farë varësie të gjykatësve nga partitë e mëdha. Por edhe ky u kapërcye në sajë të vullnetit të mirë.Dikush mund të vërë re se në Britani qenkan dashur të kalojnë minimumi dy shekuj që të arrihet në këtë gjendje që kanë ata sot. Sipas meje, kjo s’do të thotë aspak se ne duhet të presim dy shekuj. Se sa shpejt apo vonë mund të ndodhë ky ndryshim, nuk e përcakton dot asnjë shkencë: është çështje sa e rrethanave, aq dhe e vullnetit njerëzor, por s’ka dyshim se jetojmë në një kohë kur ndryshimet ndodhin shumë më shpejt se në shekullin XVIII apo XIX, sepse edhe informacioni qarkullon shumë më shpejt. Prandaj jam si kundër atyre që me një lloj fatalizmi e mbyllin këtë diskur duke thënë se ne kështu jemi e kështu do të mbetemi, ashtu edhe kundër atyre që thonë se duhet kohë e gjatë për këtë; se, gjithsesi, kjo ditë do të vijë një herë, në mos për fëmijët tanë, për nipërit apo stërnipërit tanë. Kohën e bëjmë ne, me veprimet dhe mosveprimet tona. E përderisa jemi të ndërgjegjshëm për nevojën e këtij ndryshimi kulturor, kjo do të thotë se koha ka ardhur të veprojmë përditë me fjalë dhe me vepra. Edhe këtë shkrim e quaj pjesë e këtij veprimi.Ajo që më intereson të komentoj në këtë kontekst në lidhje me ngjarjen në fjalë, është roli i individit për këtë proces ndryshimi kulturor dhe, më ngushtësisht, do të fokusohesha te roli i politikanit apo edhe i gjyqtarëve (por duke nënkuptuar edhe gjithë ata që futen tek e ashtuquajtura “elitë”), sepse më duket se rruga më e shpejtë për të kryer ndryshimin kulturor për të cilin bëj fjalë është, paradoksalisht, roli aktiv i këtyre në këtë proces. Them “paradoksalisht” pasi ky proces bie ndesh me pushtetin e tyre të sotëm, që është bazuar në të kundërtat e vlerave që përmenda më sipër: të respektit të barazisë përpara ligjit, të pavarësisë së drejtësisë, të moskorruptimit etj. E këtu më duhet t’i referohem një ideje të Havelit, që kujtoj ta kem përmendur edhe herë tjetër, por që më duket se ia vlen ta përmendsh përditë, veçanërisht për veshët e politikanëve tanë apo edhe të gjyqtarëve tanë. Kur shtron çështje nëse pushtetarët janë pasqyrë e popullit të tyre apo jo, Haveli thotë se edhe populli mund të jetë pasqyrë e pushtetarëve të vet. Në ç’kuptim? Në kuptimin se pushtetarët, me sjelljen e tyre publike, janë edhe një shembull i rëndësishëm për popullin që drejtojnë. Nëse aktet e tyre rrezatojnë ndershmëri, drejtësi, respekt për ligjin, ata ndikojnë që edhe populli i tyre t’i kultivojë këto virtyte. Nëse ata zgjedhin si bashkëpunëtorë njerëz të ndershëm, të virtytshëm dhe jo kriminelë, edhe populli do të jetë më në gjendje të mbajë afër të ndershmit dhe larg kriminelët. Nëse ata nxjerrin në pah anët e tyre pozitive si qenie njerëzore, edhe njerëzit do të bëjnë kështu. Në këtë kuptim, populli bëhet edhe pasqyrë e pushtetarit të vet në të mirë apo në të keq. Pra, nëse ministri Huhne jep dorëheqjen në respekt të drejtësisë, (çka sipas ligjin në Britani edhe mund të mos e bënte), ky është një shembull që ai i jep çdo qytetari për të kultivuar respektin për drejtësinë. Nëse ai do të bënte tërë makinacionet e mundshme për ta akuzuar drejtësinë si vegël të armikut, duke përdorur edhe fuqinë politike edhe atë korruptive etj., siç bëjnë këta tanët, kjo do të kultivojë edhe në popull kulturën e pushtetarit që e nëpërkëmb drejtësinë apo e sheh si vegël të pushtetit të tij.Dikush do të kundërargumentonte duke më thënë se një njeri i drejtë me virtyte nuk do ta kishte të mundur të ngjitej aq lart në shkallën politike apo gjyqësore sa t’u jepte shembullin njerëzve te ne, sepse do ta kishin ngrënë me kohë të këqijtë. E vërtetë, por jo tërësisht. Ka mjaft argumente edhe për ta kundërshtuar këtë. Për shembull, unë do të rendisja disa: Së pari, sepse çdo njeri nuk është ose i mirë ose i keq, por ka anët e tij të mira dhe të këqija. Së dyti, sepse sot ka shumë më tepër mundësinë që ta verë në veprim anën e tij të mirë. Së treti, sepse konteksti ndërkombëtar ku jetojnë shqiptarët sot ua imponon në një farë mënyre ndërtimin e shtetit të së drejtës. Së katërti, sepse e gjithë shoqëria ndien më shumë se kurrë nevojën e drejtësisë së pavarur dhe të fortë. Ka edhe argumente të tjera pro, ashtu sikurse ka edhe shumë të tjera kundërt, ku hyjnë edhe ato të të dëshpëruarve, që thonë se “ky vend s’bëhet”. Por unë po e mbyll këtu me pak optimizëm “të tepruar”, i bindur se i ngacmuar shqiptarisht nga dorëheqja e ministrit britanik, ripreka një çështje të ngritur prej kohësh në ndërgjegjen e shqiptarëve. Nuk pretendoj kurrsesi se po jap ndonjë zgjidhje, por ngulmoj se sjellja në vëmendjen e publikut dhe të protagonistëve kryesorë të politikës apo Gjyqësorit të informacionit mbi këto ngjarje dhe mënyrës se si komentohen ato në Shqipëri, i shërben hopit kulturor që duhet të kryejmë në emër të ndërtimit të një shoqërie më të mirë e më të drejtë për fëmijët tanë. (Panorama, 8 shkurt 2012)
Thursday, February 2, 2012
Pse pa Berishën dhe pa Edi Ramën
Në shkrimin paraardhës, të titulluar “Në pamundësi të hetimit gjithëpërfshirës”, duke u nisur nga fakti se, në gjendje krizash, si kjo që ka shpërthyer, krijohen kushte për reflektim më të thellë, pasi ndjehet nevoja që ato të mos përsëriten, hidhja propozimin (jo për herë të parë) e ndëshkimit të liderëve të të dyja partive si nevojë ndryshimi të politikave të mbrapshta që e kanë bllokuar vendin. E thosha këtë duke iu referuar mundësive ligjore e morale që implikon për këtë 21 janari, por duke pasur parasysh edhe të kaluarën e tyre, edhe rreziqet që na kanosen prej tyre në të ardhmen. Reagimet (po ashtu të njohura) ishin disa llojesh. Kategoria e militantëve e të rreshtuarve mbronte liderin e vet duke fajësuar ekskluzivisht tjetrin apo duke pretenduar se, përderisa këta janë më të votuarit, s’kemi pse t’i heqim dhe se prandaj gjithçka përcaktohet nga vota. Një kategori tjetër e pranon problemin, por jo zgjidhjen e propozuar. Sipas tyre, asgjë nuk ndryshon me ndryshimin e liderit/liderëve, pasi do të vijnë të tjerë që do të sillen po si ata. Këta sjellin, madje, edhe shembuj të më të rinjve, si këtu edhe në Kosovë, që sillen po njëlloj, me kult të individit në vend të institucionit. Janë më në fund edhe ata të shumtë që të thonë: “Mirë e ke ti, por këta janë bërë gjithnjë e më të fuqishëm e prandaj s’guxon kush t’i sfidojë”. Disa syresh theksojnë jo vetëm kultin e tyre të individit në rritje, por edhe monopolet dhe oligopolet e fuqishme të vendit, si dhe mediat e tyre, madje edhe ndërkombëtarët që, tek e fundit, me këta po operojnë.Duke pranuar idenë se “këta” janë sot gjithnjë e më të fuqishëm për shumë nga arsyet e përmendura, e se prandaj nuk është e lehtë ajo që propozoj, unë gjykoj se, po për këto arsye, paradoksalisht, ata janë edhe më të dobët se kurrë e prandaj puna edhe mund të bëhet e mundshme. Kjo jo vetëm sepse dëmet e tyre dhe vetëdija e këtyre dëmeve, me gjithë punën e madhe dizinformuese që bëjnë mediat që i mbështesin, është më e madhe se kurrë ndër njerëzit, por edhe sepse një politikë e tillë, që synon të dobësojë deri shkatërrojë tjetrin, ka rezultuar shkatërruese edhe për ata vetë. Pa dyshim, qëndron argumenti i atyre që thonë se kjo nuk është punë ndërrimi liderësh, por kulture. Por, kur them se duhen ndryshuar liderët, nuk kam parasysh thjesht personat Berisha dhe Rama, por “rolin” që kanë luajtur këta individë dhe ata më afër tyre në “dramën” e imponuar nga “regjisori”, siç do ta quaja metaforikisht kulturën dominuese, veçanërisht te militantët dhe sistemin e tërë politik ekonomik që i qëndron prapa, më i kriminalizuar se kurrë. Ndëshkimi i tyre si liderë, pra, nuk duhet kuptuar si ndëshkim dy personash, por si ndëshkim edhe me kuptim simbolik, kulturor të një modeli lideri dhe i një mendësie bërjeje politikë që na ka çuar e rrezikon ende të na çojë deri në vrasje të njëri-tjetrit. E këtu më duhet të shtoj se, në këtë ndëshkim, karakteristikat individuale të tyre nuk duhen injoruar. Jo të gjithë aktorët janë të gatshëm ta luajnë rolin prej protagonisti që luan Berisha apo Rama në këtë dramë. Ata kanë karakteristika të tilla individuale që një “regjisor tjetër” në një “pjesë tjetër teatrale” nuk do t’i zgjidhte për protagonistë. Dhe unë mendoj se e kemi mundësinë e një regjisori tjetër dhe të aktorëve të tjerë protagonistë. Pa metafora, duke mos mohuar argumentet e atyre që janë pesimiste për të ardhmen, unë ngulmoj se ka, megjithatë, jo pak të dhëna që tregojnë se kjo shoqëri është pjekur aq sa t’i duket normal një tjetër antropologji lideri nga ajo e Berishës dhe Ramës që, sipas gjykimit tim, janë mjaft simetrikë me njëri-tjetrin, paçka se të rreshtuarit me socialistët e gjykojnë Ramën ndryshe nga Berisha, duke thënë se ky s’ka vrarë, kurse ai ka vrarë, apo duke thënë se atë nuk e kemi provuar, këtë e kemi provuar. Këtu po hap një parantezë ndaj kësaj vërejtjeje. Gjykimi im është se Ramën e kemi provuar jo pak për të parë se ai, edhe në nivele jogjithëpushtetshmërie (si ministër i Kulturës dhe si kryebashkiak) ka treguar një shkallë të frikshme personalizimi të institucionit, mospërfilljeje ndaj ligjit, korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin, ashtu sikurse edhe një shkallë të frikshme prirjeje për të kontrolluar dhe “vrarë” çdo zë të lirë që ekziston në këtë vend. Sa vetëm budallenjtë apo ata që kërkojnë ta përdorin për të zgjidhur hesapet e tyre personale mund të besojnë se në rolin e të gjithëpushtetshmit, ky do të vepronte ndryshe. Kujtoj po ashtu se ai e çoi PS një hap prapa edhe duke eliminuar një traditë që tentoi të vendoste me Fatos Nanon; atë të largimit të liderit në rast humbjeje, duke u bërë kështu edhe më simetrik me Berishën.Për t’u kthyer përsëri te tema e pjekurimit: unë gjykoj se ka tregues jo të paktë dhe jo të parëndësishëm se kjo shoqëri është pjekur deri në atë shkallë sa të pranojë lider me tjetër antropologji.Së pari, do të sillja faktin se kjo shoqëri ka vuajtur aq gjatë nga kjo “dramë politike” e konfliktit permanent dhe nga këta aktorë politikë, sa prej kohësh ka zhvilluar vetëdijen për një lider tjetërsoj. Në fakt, kjo është një krizë e stërpërsëritur, që në thelbin e vet mund të përkufizohet kështu: lufta e egër për pushtet e dy partive me mendësi autoritare dhe me liderë autoritarë për shkak të së cilës në vend se të kemi dialog dhe një dialektikë të kundërtash që sjellin zhvillim, kemi një refuzim total të ndërsjellë të të dyja palëve që nuk e lënë të arsyeshmen, e së bashku me këtë edhe shoqërinë, të hedhë hapa përpara, përkundrazi, e mban të bllokuar. Po ashtu, kjo mendësi autoritare totalitare nuk bllokon vetëm dialogun dhe dialektikën, por edhe instrumentet që duhet ta çojnë atë përpara, që janë institucionet. Ngulmoj se ky është një mendim i gjithëpërhapur sot ndër shqiptarët dhe tentativat për t’ia veshur fajin vetëm njërës palë, siç bëjnë partitë dhe propagandistët e tyre, nuk janë aspak bindëse si për shqiptarët, edhe për ndërkombëtarët që ndjekin proceset në vend. Prandaj ndëshkimi duhet të jetë dykrahësh. Kujtoj, po ashtu, se kjo nevojë nuk është e re. Ajo është shprehur, madje duke pasur mbështetje të fortë popullore e ndërkombëtare, edhe në kohën kur Erion Veliaj krijoi lëvizjen “Mjaft” që, në thelb, me bekimin edhe të ndërkombëtarëve, synonte largimin e Nanos dhe Berishës si përfaqësues të frymës së vjetër. Sot vëmë re se njerëzit në Partinë Socialiste janë po ata, madje se edhe vetë Nano po kthehet me shpresat që të bëhet President, pasi përvoja e socialistëve e ka nxjerrë më demokrat se Ramën. Nëse Velinë dhe të vetët, që u bënë protagonistë në politikë pikërisht në sajë të kësaj lëvizjeje, nuk i shqetëson më ky fakt, pasi u “thithën” nga sistemi që denonconin apo se nuk ishin ashtu dhe aq të sinqertë në lëvizjen e tyre, kjo nuk do të thotë se motivet për t’i thënë “mjaft” klasës së vjetër politike nëpërmjet ndryshimit të lidershipit të saj janë shuar. Ato janë bërë edhe më akute madje.Së dyti, edhe vlerësimi pozitiv që i bëhet nga një numër i madh shqiptarësh natyrës më tolerante, më të hapur ndaj kritikës dhe më të gatshme për të dhënë dorëheqjen të Fatos Nanos, tregon se vetëdija e epërsisë së një lideri ndryshe ekziston te shqiptarët. Po përmend gjithashtu faktin se Lulzim Basha e impostoi fushatën e tij elektorale duke luajtur rolin e një lideri të hapur, jo urrejtës, madje duke evituar edhe Berishën, çka tregon se sondazhet e kompanive që i kanë organizuar fushatën elektorale i kanë folur për papëlqimin nga shumica e shqiptarëve të këtij lloj lideri.Së treti, një pjesë e mirë e shqiptarëve janë sot tejet të informuar për çka ndodh në botën demokratike. Shumë syresh i dëgjon të bëjnë krahasime me këto vende edhe përsa i përket faktit se liderët e partive apo qeverive ndryshojnë vazhdimisht në këto vende duke prodhuar zhvillim më të shpejtë dhe demokraci më të madhe. Është e vërtetë se ne, në këtë aspekt, kemi imituar më shumë rastet e Italisë apo Greqisë, me të cilët kulturalisht jemi edhe më afër, ku liderët partiakë nuk ndryshojnë aq shpesh, por përsëri shqiptarët kanë parë se këta, gjithsesi, tregojnë se dinë të ndajnë pushtet me të tjerët, se dinë të dialogojnë, të bëjnë autokritikë, të njohin aspekte pozitive te kundërshtari, se luftën e bëjnë parlamentare dhe jo me gurë në rrugë dhe, mbi të gjitha, se i respektojnë institucionet e tjera duke filluar nga ai i votës së lirë.E vetmja gjë që e vështirëson jashtë mase propozimin tim, pra, nuk është vetëdija e shqiptarëve, por pafuqia e tyre për ta kthyer në akt këtë vetëdije. Dhe kjo kryesisht për shkak të faktit se rreth këtyre dy liderëve janë mbështjellë interesat e shumicës së atyre që sot diktojnë direkt apo indirekt opinionin në Shqipëri, shumë prej të cilëve u intereson kjo luftë e egër midis të dy palëve jashtë kontrollit të institucioneve, pasi kështu interesat personale i mbrojnë në sajë të lidhjes e besnikërisë ndaj liderit, apo pse, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, nuk janë në gjendje të bëjnë punë tjetër veçse atë të mercenarit në njërën apo tjetrën ushtri, pa qenë në gjendje të kuptojnë se në terma afatgjata ajo është edhe kundër interesave të tyre. Por edhe për këtë arsye, mendoj se tragjedia e 21 janarit duhet trajtuar edhe nën dritën e ndërgjegjësimit për nevojën e ndëshkimit të liderit jashtë e përmbi-institucional nëse nuk duam që tragjedi të tjera, ndoshta edhe më të rënda se 21 janari, të na e diktojnë këtë ndryshim.
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...