Saturday, February 18, 2012

Drejtësi - Demokraci

Kur shkrova në artikullin mbi dorëheqjen e ministrit Huhne, se në Britaninë e Madhe, deri në  shekullin XVIII, gjykatësit merrnin ryshfet, se një i mençur e zgjidhi këtë punë duke i paguar ata me rroga të larta e se kështu situata ndryshoi, nuk kishte dalë ende në media lajmi rreth korrupsionit (të mundshëm) të  gjykatësit të lartë Dizdari. Pas lajmit mbi Dizdarin, fakti që kisha shkruar rreth pagës së gjyqtarëve më solli rastin të shkëmbeja mendim për këtë punë me disa të njohur gjyqtarë. Edhe biseda me ta u bë shkas i çka po shkruaj.
Do të thosha se shqiptarët sot kanë uri për drejtësi (jo për çimento, siç thotë Kryeministri Berisha) në të njëjtën masë siç kishin uri për liri në vitet e diktaturës. Por, po ashtu, si në vitet e diktaturës, ndjehen të pafuqishëm për ta instaluar këtë drejtësi, jo pse është i padrejtë i gjithë populli, siç thonë disa, por sepse sistemi brenda të cilit jemi ngujuar është, në shumë aspekte, i ndërtuar mbi padrejtësinë; sepse, ashtu sikur sistemi i djeshëm i trembej më shumë se gjithçkaje lirisë, pasi liria e rrezikonte, ky i sotmi i trembet më shumë se gjithçkaje drejtësisë, pasi kjo e shemb menjëherë. Përvoja jonë po tregon përditë se për ndërtimin e një demokracie, si shtet të së drejtës, është më e rëndësishme drejtësia, sesa pluralizmi partiak. Sepse pa drejtësi pluralizmi partiak degjeneron në pluralizëm bandash dhe demokracia në luftën midis këtyre bandave. Dhe kjo luftë e zhyt të gjithë shoqërinë në një sistem kriminaliteti, siç jemi zhytur ne, ku polici duhet të fitojë në mënyrë të paligjshme që të paguajë mësuesin, i cili duhet të fitojë në mënyrë të paligjshme që të paguajë mjekun, i cili duhet të fitojë në mënyrë të paligjshme që të paguajë gjyqtarin e kështu me radhë në rreth vicioz.

Problemi është se sot shqiptarët janë të tejngopur me këtë sistem. Ngjarjet e fundit të 21 janarit, ku Prokuroria kërkon mbështetjen e ambasadorit amerikan për të marrë në hetim dy bandat që akuzojnë njëra-tjetrën, e që i duhet t’i çojë në Amerikë plumbat për të bërë një ekspertizë të thjeshtë, flet vetë për gjendjen. Tek e fundit, pra, sillemi dhe risillemi duke u munduar të gjejmë rrugën e daljes nga kjo luftë e shëmtuar e, ashtu sikurse në vitin ’90, shumica mendonin se liria ishte gjëja kryesore për të cilën kishim nevojë për të dalë nga sistemi që na kishte mbytur, pas njëzet vjetësh shohim se vetëm drejtësia mund të na nxjerrë nga ky sistem. Sot ne kemi nevojë të dalim në rrugë të bërtasim “Drejtësi – Demokraci”, siç kishim nevojë në vitin ‘90 të dilnim në rrugë të bërtisnim “Liri – Demokraci”.

Problemi është që kjo frymë duhet të materializohet. Pyetja që shtrohet është: A duhet të materializohet nëpërmjet një lëvizjeje masash, quaje po deshe revolucionare, apo kemi sot instrumente që kjo të materializohet në mënyrë më të qetë, më institucionale? Personalisht do ta mirëprisja një lëvizje masash, të rinjsh – paqësore, sigurisht – që do të dilnin në rrugë përditë duke bërtitur “Drejtësi – Demokraci” e që do t’i jepte shtysë ndryshimeve të klasës politike dhe të krerëve të Drejtësisë nëpërmjet dorëheqjesh. Dikush do të më pyeste: Pse jo lëvizjet e organizuara nga opozita, e cila po i denoncon çështjet e drejtësisë me forcë? Sepse, që të ishte e suksesshme, do të duhej që kjo të ishte një lëvizje që të drejtohej edhe mbi opozitën. Pse kështu? Sepse opozita e sotme, ashtu si ajo e djeshme dhe e pardjeshme, ka dhënë e jep shenja krejt të lexueshme se asaj i intereson pushteti, jo drejtësia, të cilën kërkon thjesht ta instrumentalizojë. Mjaft të kesh parasysh se ne kemi pasur dy herë rotacione pushteti me premtimin e drejtësisë nga ana e opozitave, siç ishte ai i vitit 1997 dhe ai i vitit 2005, që kanë qenë tejet zhgënjyes mu pse ka munguar drejtësia e premtuar. Mjaft të kesh parasysh se aktorët e opozitës janë po ata që kanë qenë, që i kemi parë në veprim në emër të padrejtësisë, madje një pjesë duke pas qenë më parë në bandën tjetër. Do të thosha se nëse mund të ketë pro dhe kundër përsa i përket asaj nëse Shqipëria ka bërë përpara ose jo në krahasim me 15 vjet më parë, me siguri mund të thuhet se legjitimiteti i krejt klasës politike, si garant se mund të ndërtojë drejtës, i ka bërë shumë, shumë hapa prapa.

Mirëpo, për të qenë realistë, lëvizje masash apo të rinjsh nuk duket në horizont, po të përjashtosh atë kuqezi të Kreshnik Spahiut, i cili mu pse është njeri i drejtësisë së katandisur në këtë derexhe, nuk ka edhe ai kredibilitet. Madje, sipas meje, ajo lëvizje e sposton të keqen që është brenda nesh jashtë nesh, atje ku s’duhet. Fakti është se pjesa më e madhe e të rinjve ende sot aspirojnë ikjen nga ky vend i padrejtësisë, dhe jo luftën për drejtësi këtu. Atëherë, le të kthehemi tek “e mundshmja”, që ka si aktor kryesor opozitën, maxhorancën, institucione të tilla si Prokuroria dhe Gjyqësori, aktorët ndërkombëtarë si dhe një opinion publik të mekët, të nënshtruar, por që ndihet i gjallë si nëpër ajër, megjithatë. Përsa i përket maxhorancës, do të thosha se është më se e qartë se projekti i saj është jo pavarësimi i Drejtësisë, por kapja totale e saj. Sjelljet e saj, që nga Gërdeci e deri te gjyqi i Ilir Metës, janë shenja të sigurta ogurzeza për këtë. Ndërkaq, ajo që po bën opozita, është denoncimi dhe premtimi se po të vijë ajo në pushtet, do të vendosë drejtësinë thjesht sepse Rama me të vetët janë më të mirë, më të ndershëm sesa Berisha me të vetët. Unë ngulmoj se drejtësinë nuk duhet të na e garantojnë këta që thonë kështu (sepse kështu denonconte dhe premtonte edhe Berisha më 2005-n), por ata që punojnë seriozisht dhe bindshëm për ndërtimin e institucioneve të pavarura edhe nga ata vetë. Sepse s’mund të harrojmë se si u soll edhe opozita me Kushtetutën, një veprim nëpërmjet të cilit të dy palët treguan simetrikisht se synonin forcimin e pushtetit të tyre dhe dobësimin e çdo drejtësie dhe arbitri ndaj tyre.

Dikush do të thotë se edhe në vende më demokratike nuk gjen politikanë kaq bujarë që të japin nga pushteti i tyre për pushtetet e tjera. Unë them se kjo nuk është çështje bujarie, por nevoje. Sot maxhoranca dhe opozita ndodhen përpara një shtrëngimi sa të opinionit të brendshëm, aq edhe ndërkombëtar për të respektuar arbitrin që duhet të gjykojë edhe veprimet e tyre dramatike, si 21 janari. Ata s’mund të vazhdojnë të sillen si banda të pakontrolluara që s’i japin llogari kurrkujt. Dëmet që kanë sjellë me këtë luftë tashmë i ndjen nën lëkurë gjithkush. Në kuadrin e kësaj fryme, ne presim propozime konkrete nga të dy palët, dhe jo akuza të ndërsjella boshe në stilin e vjetër. Në këtë kontekst, duke iu referuar përvojës britanike, unë hodha idenë e pagave të larta si një nga rrugët e pavarësimit të Drejtësisë. Më konkretisht, pa pretenduar ndonjë projekt konkret, por duke e shtruar çështjen parimisht, sipas meje, kjo do të duhej të aplikohej në dy nivele. I pari: rritja e rrogave të prokurorëve dhe gjykatësve në përgjithësi. Kam pyetur gjykatës dhe prokurorë se sa do të ulej korrupsioni sikur nga rreth 500 euro, sa ç’e kanë rrogën sot, atyre t’u bëhej 2000 euro? Më janë përgjigjur se do të ulej 50%. Nuk është pak, sipas meje. Madje edhe 10% sikur të ulej, prapë mirë është. Sepse kjo krijon edhe mundësinë e një hapi në nivel të dytë për ta përmbysur pastaj gjendjen në favor të së drejtës. Ky hap kërkon që rroga e gjykatësve të Gjykatës së Lartë, e cila kalon në sitë tërë vendimet e gjykatave të ulëta – e që janë vetëm 17 veta – të bëhet, le të themi, pesë herë më e lartë: pra 10 mijë euro në muaj. Është një nder dhe përgjegjësi e madhe njëherësh që do t’u jepte shoqëria këtyre njerëzve. Me një përzgjedhje të mirë këta njerëz do të evitonin edhe korrupsionin e atyre prokurorëve dhe gjykatësve që nuk u mjafton 2000-euroshi në muaj, sepse gjyqet e tyre do të kalonin në një filtër që s’të fal. A mjafton kaq? Jo, sigurisht. Gjykatësve do të duhej t’u jepnim edhe mbrojtje nga ligji dhe nga politika. Por ngulmoj se pastrimi i Prokurorisë dhe Gjykatës nga korrupsioni ndihmon shumë edhe pavarësimin e tyre nga politike, sepse korrupsioni dhe varësia ushqejnë njëra-tjetrën. Po ashtu ngulmoj se një gjë e tillë do të ishte i realizueshme sikur të mos qe fakti se partitë politike të kthyera në banda nuk duan ta ndryshojnë këtë sistem? Kjo është e gjithë vështirësia që na kthen në rreth vicioz. Dhe kjo vjen nga dy gjëra: e para, nga e kaluara e tyre e mbushur me abuzime dhe krime, që do t’i bënte vulnerabil dhe, e dyta, nga humbja e së ardhmes. Prandaj, ashtu sikurse kanë vepruar me biznesmenët, me mediat, me gazetarët, intelektualët, duke tentuar t’i rekrutojnë të gjithë në bandën e tyre, po kështu ato do të vazhdojnë të veprojnë edhe me prokurorët dhe gjyqtarët. Mirëpo e arsyeshmja ecën me dinakëri, siç do të thoshte Hegeli. Ata nuk mund, megjithatë, në kontekstin ndërkombëtar që ndodhet Shqipëria, e po ashtu në një kontekst të brendshëm të shënjuar fort nga konflikti i pazgjidhur i 21 janarit, i zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm, të prokurorit të Përgjithshëm të ardhshëm, të votimeve të ardhshme etj., të veprojnë pa arbitër të paanshëm. Sistemi demokratik e kërkon pavarësinë e pushteteve, veçanërisht të Drejtësisë, sepse përndryshe degjeneron keq e më keq me pasoja të paparashikueshme. Njëlloj si Ramiz Alia nuk mund të thoshte dot në vitin 1991 se pluralizmi politik nuk mund të lejohej dhe u detyrua ta pranojë, paçka se e ndiente se ky ishte edhe fundi i pushtetit të tij, sepse përndryshe, fundin do ta kishte pasur shumë më dramatik, ashtu edhe këta tanët nuk do të mund ta frenojnë Drejtësinë e pavarur nëse nuk duan një fund dramatik. Ja pse mendoj se ka ardhur koha që thirrja “Drejtësi – Demokraci” të bëhet parullë e ditës për të gjithë shqiptarët, çka do të duhet ta detyrojë si maxhorancën edhe opozitën, si elementi kryesor i ndryshimit në kushtet që ndodhemi, të ndërmarrin veprime serioze të vërteta bindëse për ta vendosur Drejtësinë në vendin që meriton në një demokraci.

3 comments:

Rita Strakosha said...

Rritja e pages nuk e ndalon korrupsionin dhe shton pabarazine sepse dikujt do i merren keto leke qe tu jepen gjyqtareve. Ka miliardera e milionera ne bote qe vazhdojne te shtojne pasuri duke korruptuar te tjere dhe duke u korruptuar vete. Nepunesi publik korruptohet jo thjesht per te qene i pasur, por per te qene me i pasur se te tjeret (natyre e njeriut), kjo gare vazhdon pertej 2000 euroshit, qielli eshte limiti.

Kunder korrupsionit frika eshte me efikase.


Per te luftuar korrupsionin ne gjyqesor, prokurori, polici, mund te decentralizohen me shume gjykatat, prokuroria, policia drejt bashkive dhe komunave, qe gjyqtari,prokurori i korruptuar te perballet perdite me viktimat e tij, dhe te shtrengohet nga forca e opinionit te jete i drejte. Plus, mund te perdoret sistemi i jurive, qe praktikojne amerikanet. Kur per nje veper penale gjykojne 12 vete (anetaret e jurise) atehere eshte e veshtire te korruptohen keta.
Nese kjo nuk funksionon, mund te jete zgjidhje heqja e pavaresise se gjyqesorit dhe prokurorise.

Pavaresia e pushteteve brenda nje shteti mund te shtoje demokracine por mund te shtoje dhe anarkine. Nuk duhet pranuar pavaresia e gjyqesorit si dogme, por duhet pare ne praktike a funksionon. Duhet te sakrifikojme shtetin qe gjyqesori te jete i pavarur?

Zgjedhjet konsiderohen si sine qua non e demokracise, sepse qeveria e paafte mund te hiqet cdo 4 vjet, dhe kjo nxit qeverine te punoje mire. Kjo eshte e vertete dhe per gjyqesorin. Perse mendojme se qe nje gjyqtar te punoje mire duhet te jete shume i sigurte per karrigen, ndryshe nga qeveria qe duhet te jete shume e pasigurte per karrrigen?


Nese pushteti gjyqesor do te kontrollohej nga pushteti ekzekutiv, atehere ky i fundit do te kishte mundesi me te medha ta perdorte per te forcuar pushtetin e vet politik por do te kishte me shume drejtesi ne gjykimin e ceshtjeve jo-politike dhe te personave jo-politike.Gjyqtaret, prokuroret e korruptuar do te mund te hiqeshin lirshem nga puna.


Mund te ndodhemi perpara nje zgjedhjeje jo te kendshme: me shume anarki apo me shume "diktature" eshte me mire per ne?

Naco said...

I nderuar z.Lubonja!
I bashkohem plotesisht shqetesimit tuaj dhe thirrjes "Drejtesi-demokraci".Megjithate, mbetem skeptik ne ngritjen e rinise shqiptare ne rovolta nen kete moto.Fatkeqesisht,nje pjese e mire e rinise shqiptare (per te mos thene pjesa me e madhe) eshe e mefshet dhe tejet materialiste.Si mund te kerkojne "drejtesi-demokraci" ata te rinj qe turren drejt ca kioska-uniersitete per te blere nje cope leter qe certifikon se jane te afte te bejne nje pune qe ne fakt nuk jane te afte ta kryejne!Me keqardhje konstatoj se bashkemoshataret e mij ne Shqiperi duan te arrijne perfitimin maksimal me sforcot minimale (pavaresisht nese rruga qe ndjekin eshte e drejte apo jo).Per mendinim tim sistemin e drejtesise do ta shpetonte nga varesia e politikes forcimi i institucionit te KLD-se.Se pari nepermjet perfshirjes se Gjykates se Larte nen catine e KLD.Gjykata e larte do ta kete te pamundur te denoje ministra per sa kohe ajo konkrollohet drejtperdrejt nga parlamenti qe i ka zgjedhur keta ministra.Pra,ka nje prob me balancimin e pushteteve.Se dyti,mendoj se duhen krijuar mekanizmat e nevojshme per te rikthyer ne vendet e meparshme te punes,me vendim gjykate,nenpunesit civile te larguar per arsye politike duke evituar militantizmin e administrates dhe duke ulur tensionet politike.Besoj se ketyre pikave duhet t'u meshoje klasa intelektuale,rinia e pergjegjshme dhe diplomatet perendimore.Rritja e rrogave te gjyqtare e kombinuar me forcimin e kontrollit te KLD-se mbi ta,mendoj se do te ishte efikase.Gjithsesi,paralelizmat me Mbreterine e Bashkuar kane rendesi relative,sepse britaniket kane nje sistem te ndryshem drejtesia nga Europa kontinentale qe parashikon me pak teknike te se drejtes dhe per rrjedhoje nje sakrifice me te vogel per buxhetin e shtetit ne rast rritje rrogash per gjyqtaret.E mbyll duke shprehur mbeshtetjen maksimale per shqetsimin tuaj.Shpresoj qe ne Shqiperi te shtohen njerezit qe e mendojne se Fatos Lubonja!

312248@studenti.unito.it

Anonymous said...

Dua te shpresh qendrimin tim ndaj neperkembjes tua te vazhdueshme ndaj Shqiptarve te Kosoves dhe te maqedonis.
Pra ne vazhdimsi verehet mllefi yt ndaj nesh, kur ti e din mire qe Kosovaret kan nje meritë te pazavendesueshme qe shteti Shqiptare sod ekziston.
Asnjehere nuk te kam ndegjuar duke e permendur racizmin dhe poshtersin qe e kan bere dhe e bejne serbo maqedonasit sllav ndaj Shqiptareve. Por ne vazhdimsi ju zotri veqoni se si ne nuk jemi integruar mire ne shoqerit sllave. Besom, me ke habit, me fjalet tua se si nje grup i perbere nga Kosovaret i luftonin serbet pushtues gjat LDB, dhe se si Shqiptaret e maqedonis , qe jan AUTOKTON te atij vendi nuk jan te gatshem te integrohen ne shtetin maqedon dhe ta mesojn gjuhen “maqedonase”, qe ne te vertet nuk eshte gjuh, kete e dini mire ju dhe ter bota dhe se nga vijn maqedonasit e sotshem.
Kam dy arsye te mendoj pse ju zotri ma neperkemb babain tim, gjyshin tim dhe vllezerit e mi, Shqiptaret e maqedonis, Kosovën.

1) Mllefi juaj ndaj Shqiptareve eshte revanzhi juaj ndaj asaj se Enveri ta mbylli driten e jetes tende ne moshen me te bukur qe njeriu ka. Qe as mua nuk me vjen mire pere kete. Por zotri nuk te kan faj Shqiptaret e Kosoves e maqedonis per kete fat te zi tendin.
2) Ose, DNA e juaj nuk perket me ate te Shiptareve.

Prap Kosovarët do ta shpetojn Shqipërinë