Thursday, February 27, 2014

“Santa Semplicita!”


Jan Husi, teksa e ngjisnin mbi turrën e druve për ta djegur të gjallë, pasi e kishin zhveshur dhe i kishin hedhur rrobat në zjarr, pa një grua plakë që u afrua me një shkarpë në dorë për të dhënë edhe ajo kontributin e saj në turrën e druve dhe tha fjalët e famshme që kanë mbetur në histori: “O Santa Semplicita!”
Guximi i këtij heretiku të famshëm për të bërë humor edhe përpara turrës së druve, më ndihmoi edhe mua për ta marrë me të qeshur faktin se ndaj një shkrimi tim të botuar në Panorama, ku shpreh habinë, pikëpyetjet dhe ftoj për reflektim mbi histerinë kolektive që nxitën mediat me rastin e vdekjes së Vaçe Zelës  (që kulmoi me varrimin butaforik që i organizoi Kryeministri dhe Ministrja e Kulturës), Gazeta Shqiptare, në vend të reflektimit, më fton me një shkrim të botuar në faqe të parë, të vras veten me plumb ose me litar dhe më siguron se në funeralin tim do të vijë vetë autorja e "ftesës", këngëtarja Aurela Gaçe të këndojë këngën “Vare veten me litar… o Dino."
““Santa Semplicita!”, Aurela!
“Santa Semplicita!”, Gazeta Shqiptare!
Gjendja është e rëndë, miq, shumë e rëndë. Më thonë, pasaj, pse ke shkruar se mënyra se si u qa dhe u përcoll Vaçja ishte një histeri kolektive që më shumë sesa për respekt, reflektim, e dhimbje ndaj të vdekurit fliste për një debilizim të shoqërisë. Po a ka provë më bindëse se këta vajtonjës dhe vajtojca të shpërfytyruar. Tjetri shkruan se kjo histori kërkon një reflektim mbi atë se "sa" dhe "si" jemi ndarë ne me diktaturën, se nuk i pëlqejnë këngët e asaj kohe për një, dy, tre arsye, duke futur edhe atë që sot duhet të ishte bërë pjesë e ligjit: - pasi glorifikojnë një sistem kriminal që ka shkatërruar jetën e një populli të tërë, - e këta, që paradoksalisht janë vetë pjesë e këtij populli të shkatërruar, por në fakt pikërisht për këtë, pasi të thonë se ti je "i lik", "i marrë", "antishqiptar", "i paguar nga serbi", "greku", se "duhet të kishe hyrë në burg që në 68-tën", e të tjera si këto, nuk të lenë alternativë tjetër veçse të zgjedhësh mënyrën se si të vrasësh veten: me plumb apo me litar.
"Santa semplicita!" çfarë gazetarie!
E përsëris, i inspiruar nga ai fatkeqi i madh mbi turrën e druve po e marr me të qeshur se, në fakt, kjo është për të qarë dhe, altro che "santa", kjo është e frikëshme, kriminale. Këto janë shenja të rënda jo debilizimi, por dehumanizimi, kanibalizimi të shoqërisë. Në një vend normal të shtysh njerëzit në vetvrasje, qoftë edhe indirekt e jo më direkt, siç e bëjnë këta, mund të denoncohesh dhe dënohesh, kurse këtu se kanë për gjë të të nxjerrin thirrjen për vetëvrasje në faqet e para të gazetave. Dhe pastaj pyesim se nga dalin biznesmenët që paguajnë sinanajt për t'u venë tritol konkurrentëve.
Por mos të kenë merak as Aurela as ata që botojnë e shpërndajnë shkrime si ai i saj se s'kam ndërmend t'i hedh në gjyq. Ne e dimë ku jetojmë apo jo. Kjo është një komedi e madhe që askush nuk e merr seriozisht, as vetë kryekomediani i rradhës, e jo më prokurorët tanë. Prandaj, meqënëse më kanë lënë kohë të zgjedh midis plumbit dhe litarit, po e shfrytëzoj kohën e zgjidhjes së kësaj dileme hamletiane "me plumb apo me litar/kjo është çështja" për të reflektur edhe ca mbi këtë fenomen.

***
E para gjë që dua të them është një falenderim pasi më bënë një nder se më kujtuan një histori të lezeçme me një gardian burgu që e kisha harruar. Në fakt ma kujtoi një bashkëvuajtës që kishte lexuar edhe ai, i çmeritur, titujt e Shqiptares dhe më tha: "A të kujtohet historia e Gjin Zefit me altoparlantin në Spaç? Këta janë më keq se Gjini."
Po jua tregoj historin e Gjinit. Siç e kam thënë edhe në shkrimin "Valsi i Lumturisë" të burgosurit kishin brenda kampit altoparlanët që s'pushonin gjithë ditën me të cilët dëgjonin me përdhunë Radio Tiranën, (edhe këngët e Vaçes) sepse ky dëgjim bënte pjesë në procesin e riedukimit dmth. të vuajtjes. Sipas këtyre vajtonjësve edhe Vaçja ka vuajtur, teksa i këndonte, pasi këto këngë qenë "zgjedha" e saj jo "zgjedhja" e saj. E them edhe unë që kanë qenë zgjedhë, por problemi është se s'më rezulton as t'ia shoh shenjat e vuajtjes në filmimet  e interpretimeve e asaj kohe dhe as që ta ketë shprehur këtë vuajtje kur mbaroi regjimi, përkundrazi shoh që ne vazhdojmë të mburremi me ato këngë e t'i mburrim. Nejse, kthehemi tek Gjini. Një ditë në kamp ndodhi një gjë e pazakontë. Ushtari që ishte në qendrën e zërit, kushedi se për çfarë gabimi, kishte luajtur sumbullën e radios dhe altoparlanti filloi të fliste në gjuhë të huaj. Në fakt ishte Radio Tirana në gjuhë të huaj. Të burgosurit u mblodhën për të dëgjuar. Dhe  e dini se ç’bëri Gjini për ta ndaluar sa më shpjet këtë infiltrim të armikut në rradhët tona: meqënëse nuk e arrinte dot altoparlantin, mori një bisht lopate dhe filloi t’i bjerë me forcë derisa e bëri copë dhe ky pushoi.
Atëhere ne ngritëm edhe pyetjen se pse e bëri Gjini këtë, - përveç faktit që ishte gdhë, kuptohet - nga frika e papërballueshme se mos i thonin "po ti ç’bëre?" apo nga besnikëria e papërballueshme ndaj Partisë. Është pyetje që s'ka përgjigje të lehtë. Ashtu sikurse s'kanë përgjigje të lehtë as pyetjet që ngre sot edhe unë për këtë histeri. Jo për atë pse shumë njerëz pëlqejnë këngët e Vaçes, sepse këtë e kam më të lehtë ta kuptoj, dhe as i fajësoj për këtë, por për atë që s'e kuptoj dot tamam se pse, edhe pas mëse njëzet vjetësh demokraci, s'kanë as kuriozitetin më të vogël të dëgjojnë se ç'thotë një gjuhë e ndryshme nga e tyrja dhe, ç'është më e keqja, pse marrin kopaçen dhe godasin për ta vrarë atë që flet një gjuhë tjetër? Një përgjigje për një kategori syresh ta jep edhe mirëkuptimi i Jan Husit për plakën e shkretë: "Santa semplicita!". "Falua zot se s'dinë se ç'bëjnë.' - ka thënë edhe inspiruesi ti tij i parë. Por nuk jam i sigurt se të gjithë vajtonjësit dhe vajtojcat që pamë në skenë dhe prapa skenës janë kaq shenjtërisht të thjeshtë. Ka nga ata që e shpërndanë me gaz autodafenë kundër meje të Shqiptares që i kanë thënë derrit dajë dhe dajës derr, sipas thirrjeve të kuletës jo të zemrës, aq shpesh, sa s'mund të mendohet se kanë një ide të vetme tek e cila besojnë verbërisht dhe dëshpërimisht, përkundrazi që e lenë trurin bosh, pa asnjë ide, kastile që ta mbushin pastaj, sëbashku me kuletën, me çdo lloj bajge, për ta derdhur pastaj, sipas kërkesave të padronit të rradhës, në gazetat WC të tyre.



***
Të gjesh arësyet e këtij lloj reagimi, pra, është një punë më e ngatërruar sesa gjetja e Jan Husit teksa ngjitej mbi trurën e druve. Unë po vazhoj si altoparlanti i Gjinit, që u çmend e filloi të flasë në gjuhë të huaj, të përpiqem të them aq sa kuptoj, edhe ngaqë jam i bindur se ka shumë shqiptarë që e njohin gjuhën që flas, dhe, ashtu si unë, kërkojnë një kuptim. Dhe ky kuptim nuk ka të bëjë me të kaluarën. Ka të bëjë dëshpërimisht me të tashmen e kësaj shoqërie. Është kuptimi që kërkonte një lexuese e shkrimi tim që më shkruante: Po si shpjegohet mor zoti Lubonja  që edhe sot ne rrimë gjithë kohën duke rrotulluar "sumbullën e radios" për të kapur stacionet e botës, sepse këta tanët janë vulgarë e bajatë? Apo përsëri e ka fajin Enveri? … kur do të pushojmë së fajësuari 50 vjetët e Enverit…”
Sipas meje ky "vulgaritet" dhe "bajatllëk" i sotëm kanë edhe faktorë që lidhen me të tashmen: psh. me trushpëlarjen që bën edhe konsumizmi për interesat e tij, por problemi në thelb nuk qëndron tek boja e trushpëlarjes, por tek truri i ndërtuar jo për të menduar e prodhur mendim kritik, por për t'u shpëlarë e lyer me bojë. Dhe ky tru, sipas meje, vazhdon të ndërtohet sipas modelit të asaj kulture prandaj dhe vulgariteti, edhe kur e gjejmë të ndryshëm në bojë tani në kapitalizëm, rrënjët i ka në kulturën e bojës të kohës së Enverit. Ai është i lidhur fort edhe me faktin se pushteti politik dhe kuluror që dominon sot buron prej asaj kohe, jo thjesht si trashëgimi biologjike, por si trashëgimi e të njëjtit model kulturor. Madje pikëpyetjet e mija lidhur me histerinë e varrimeve si ai i Vaçes më ndihmon t'i kuptoj pikërisht varrimi i Enver Hoxhës. E kam fjalën për faktin se  ka shumë që dëshmojnë sot se në atë varrim kishte shumë që qanin dhe nuk e dinin pse qanin; apo se qanin edhe ata që thellë thellë e urrenin. Po pse qanin atëhere? Sipas shpjegimit që i jap unë  - nuk pretendoj assesi se po jap shpjegimin e vetëm të mundshëm e shterrues - kjo ndodhte për shkak të trushpëlarjes. Pra sespse ai "tjetri" që kishte ngjizur brenda njerëzve trushpëlarja (e ndihmuar nga frika, sigurisht) ishte bërë pjesë organike e njeriut, ishte bërë më i madh sesa vetë uni i vërtetë që qëndronte i strukur diku e nuk i lejohej as të zhvillohej e as të shprehej publikisht dhe kështu, tek një pjesë jo e vogël, ishte atrofizuar e zhdukur krejt. Pra qante maska e lyer me bojë në fakt, por maska ishin vetë ata.
Poblemi është: mirë se të vjetërve u qan maska që kanë veshur që në atë kohë e që nuk e zhveshin dot, po pse qajnë të rinjtë atëhere. Sepse pushteti politik dhe kulturor, që jo rastësisht  e kanë në dorë të njëjtët njerëz që kanë krijuar në atë kohë, vazhdon të prodhojë  tek të rinjtë shqiptarë tjetrin/maskën sipas kallëpit të vjetër me metodën e ndërtimit të një truri që s'është i aftë të prodhojë bojë, por vetëm të lyhet me bojë. Njerëzit vazhdojnë të manipulohen që të adhurojnë punën dhe kujtimin e baballarëve të djeshëm kulturorë pasi kjo konsolidon pushtetin e tyre të sotëm. Këtë e ndihmon edhe fakti se, sipas kallëpit tonë kulturor,  identifkimi me familjen vazhdon të jetë shumë herë më i rëndësishëm - dhe më i lehtë - në shoqërinë tonë sesa krijimi i individualitetit dhe personalitet - dhe shumë nga të rintë që shkruajnë sot e kanë nga një të afërm nga ajo armatë e soc- realizmit të asaj kohe. Ilustrimi më i mirë i kësaj që po them është kryekomediani i kësaj butaforije, Edi Rama dora vetë. Mjaft t'ju kujtoj se në vitet '90, atëhere kur ishim të gjithë pak më të vërtetë, apo kishim mundësi të bëheshim të tillë, pasi ende të patjetërsuar keqas nga pushteti dhe paraja, ai tallej me veprat e shkrimtarëve dhe artistëve të kohës së komunizmit (duke përfshirë edhe Kristaqin); mjaft t’ju kujtoj se një herë e një kohë, kur sapo kishte ardhur në pushtet, u tall me brekët  e një aktoreje "të madhe" aq sa iu vërsulën ta hanë nostalgjikët inkoshientë të  komunizmit. Pastaj ç'ndodhi? Duke parë se këta ishin shumica dhe se këta i duheshin për votë, ky tipi, mori maskën dhe u vu në krye të tyre. Këtë bojë maske duan këta, me këtë bojë po e lyej edhe unë trurin. Ja pse them se kuptimi i kësaj ceremonie e tejkalon thënien e Husit "Santa semplicita!". Në këtë histori ka ca që janë të shenjtë dhe ca që janë më të shenjtë se të tjerët e që, prandaj, u lejohet çdo lloj profanimi; ca që të vrasin se besojnë vërtet se je heretik dhe ca që të vrasin si heretik që të sundojnë të patrazuar mbi turmat syleshe.
Dhe kështu arrijmë e organizojmë varrime groteske si ai i Vaçes (apo edhe si ai i Sokol Olldashit), që për mua janë një lloj karnavaleje e kthyer për së mbrapshti. Në ç'kuptim? Në kuptimin se në karnavalet njerëzit veshin maska për të mos u njohur dhe në këtë mënyrë i lejojnë vetes të shprehin vetvehten e fshehtë, atë që kanë turp nga të tjerët ta shprehin kur janë fytyrëzbuluar. Kurse në këto varrime njerëzit zhveshin edhe atë pak vete të veçantë që kanë (ata që u ka mbetur kjo e kam fjalën) dhe vishen njëlloj, me maskën që i bën identik me të tjerët, që të mos ndjehen jashtë, dhe qajnë njëzëri për diçka për të cilën ajo vetja e fshehtë as që do t'ia dijë fare. Dhe kur del ndonjëri që thotë se kjo është hipokrizi, se i ndjeri apo e ndjera s'ka qenë aq të mirë dhe ju që qani nuk jeni të sinqertë - bëhen keq dhe nuk ia falin që ka guxuar e ka ardhur në varrim pa maskë.

***
Por përsëri pyetja mbetet: si shpjegohet qe edhe sot ne rrimë gjithë kohën duke rrotulluar "sumbullën e radios" për të kapur stacionet e botës sepse këto tonat janë vulgare e bajate?
Po jap edhe mendimin e një lexuesja të mençur që më shkruante:
“Unë kam ndjekur edhe ca intervista të Vaces që kanë qarkulluar prej kohësh në Internet. Më bën përshtypje (ose më mirë nuk ka pse të më bëjë përshtypje) që nuk mund të gjendet aty asgjë tjetër - fare fare asgjë tjeter - përveç banalitet (psh.: malli për popullin - d.m.th. nostalgjia për lavdet, flamuri që nuk e harron asnjeherë ta vendosë në krye të vendit, dashuria për njerëzit...)
Natyrisht që Vaçja ka pasur vokal të mrekullueshëm, por vokal shumë të mirë ka bie fjala edhe X (është fjala për një këngëtare të re që s'po ia ve emrin FL) e megjithatë për mua si Vaçja si X janë artiste të cilat nuk provokojnë dot shijet dhe interesat e mia si art-dashëse […] pasi u mungon vetëdija, autenticiteti, shtysa për reflektim dhe vetë-reflektim, arti përtej imitacionit, kreativiteti dhe guximi për të sjellë diçka të pangjashme e të padëgjuar më parë, përçimi i padrejtësive, konfliketeve dhe problemeve të ditës, ngacmimi i mendimit dhe i ndjenjës."
Me fjalë të tjera një dhunti e lindur - e në këtë rast ve në dukje se çdo njeri lind me dhunti të ndryshme - duhet të kultivohet. Pasi, po s'u kultivua si duhet, mund të shkatërrohet e të shesë broçkulla me ato që thotë e me ato që këndon. Sipas meje banaliteti dhe vulgariteti në shumicën e krijimtarisë sonë vazhdon pasi vazhdon në jetën tonë më së pari kultura shkatërrimtare e gënjeshtrës së imponuar, e manipulimit të njerëzve dhe jo e komunikimit të sinqertë e të vërtetë me vetveten dhe pastaj edhe me njerëzit. Sepse përmbysja e diktaturës nuk u shoqërua, fatkeqësisht, me një revolucion kulturor që do t’i bënte shqiptarët të mendonin me kokën e tyre, që do të mund të krijonte individualitete, personalitetete dhe jo një turmë të re trushpëlarësh që besojnë verbërisht, nga frika apo interesi, çfarë thonë më të mëdhjenjtë, çfarë thonë pushtetarët, çfarë thonë pronarët apo ndërkombëtarët   
Ja për shembull: në këtë proces trushpëlarje, kur vjen puna për të vlerësuar krijimtarinë e asaj kohe sot në mediat tona - që kanë një rol të pakrahasueshëm në këtë lyerje me bojë sistematike - gjen gati në mënyrë unanime një gënjeshtër të imponuar sipas të cilës ajo që quhet formë dhe ajo që quhet përmbajtje (apo "intentio operis" (qëllimi i veprës)  do të thoshte Eco) ndahen sikur të jenë dy gjëra që s’kanë lidhje me njëra tjetrën. Flitet për artistë të mëdhenj të asaj kohe, këngëtarë, aktorë, regjizorë, shkrimtarë, poetë  duke u nisur nga zëri, tingulli, ngjyra, fjala, ose thjesht fama e asaj kohe… dhe thuhet se kjo ishte vepra dhe vetja e tyre e vërtetë, "zgjedhja" e tyre, kurse "intentio operis" për të cilën i paguante Partia dhe u jepte edhe çmime e lëvdata quhet "zgjedha" e tyre. Harrohet vetëdijshëm dhe pavetëdijshëm se s'mund të ketë art pa harmoninë e intentios me formën, se në veprën e artit forma është edhe përmbajtje dhe përmbajtja është edhe formë e, të dyja, nuk ndahen dot nga konteksti nga kanë dalë. Ashtu sikurse edhe njeriu, për fatin e tij të mirë apo të keq, është ai që është jo ai që do të mund të ishte në një kontekst tjetër. Kjo është elementare, e di edhe një me shkollë fillore në botën ku ka mendim kritik, mirëpo ja që ka mjete lyerjeje me bojë me të cilat mund t'i bësh shumicën të mendojnë ndryshe. Janë mjetet e një kulture pra që në vend se të kërkojë të zhvillojë individualitetin dhe personalitetin tek njeriu, mendimin e tij kritik, synon ta manipulojë atë duke i edukuar gënjeshtrën, hipokrizinë, shtirjen. Kjo kulturë shfaqet pastaj edhe në krijimtari duke bërë që edhe sot shumica a krijuesve, ashtu si shumica e njerëzve, të  mos zhvillojnë ndërgjegjen e komunkimit të sinqertë me veten dhe me të tjerët, çka ngjall ndjenja, emocion, dashuri; të mos angazhohen në "përçimin e padrejtësive, konfliketeve dhe problemeve të ditës", që vepra e tyre të mos ketë "vetëdije" "autenticitet", por të jetë shtirje, simulim/imitim aktorësh, shkrimtarësh e këngëtarësh të mëdhenj me qëllim manipulimin e njerëzve dhe jo komunkimin e sinqertë me ta. E kjo bën që pastaj të tingëllojnë pa ndjenjë, pa mendim, pa dashuri deri vulgare, banale të bajatëshme.
Për mua në thelbin e kësaj kulture kemi një fenomen dehumanizimi: njeriut i hiqen nëpërmjet kësaj kulture dy dimensione të tij që përbëjnë dy të drejta të tij themelore që janë dy anë të së njëjtës medalje: ajo për të qenë individ dhe për të qenë i lirë, që sikurse thuhet nuk janë vetëm të drejta, por edhe detyra të tij. Duke mos i pasur, apo duke i humbur këto të drejta e detyra themelore, ai çpërgjegjësohet, bëhet thjesht pjesë, por edhe skllav, i një turme të manipuluar dhe, pastaj, mund të arrijë që të çojë njerëzit deri edhe në turrën e druve  apo në litar në emër të saj. "Santa semplicita!".(Panorama, 26 shkurt, 2014)

Saturday, February 15, 2014

Valsi i lumturisë (Mbi këngët e Vaçes dhe një letër që Enveri i shkruan Edit nga Ferri pas funeralit të saj)

Një herë e një kohë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek më të rriturit; kur, prandaj, besoja se këngët tona qenë më të bukurat në botë, se jetoja “në të bukurin atdhe, ku lulëzon jet’ e re”, kur ende nuk njihja botë tjetër përtej asaj shqiptare, kur nuk kisha lexuar libra të tjerë përveç atyre të shkruara nga shkrimtarët e soc – realizmit dhe as gjuhë tjetër dhe as këngë të tjera të këngëtarëve të botës. Me një fjalë kur isha fëmijë dhe ende nuk isha në gjendje të kuptoja se në çfarë regjimi jetoja.
Të më falin të gjithë  ata që vdekjen e Vaçes e përjetuan sikur u vdiq një pjesë e shpirtit, por unë i përkas një brezi që, pasi kaloi këtë periudhë të fëmijërisë, nuk e ka dëgjuar muzikën e Vaçes veçse me detyrim: nëpër altoparlantët e zboreve, të aksioneve dhe pastaj në ata të burgjeve. Në vitet 60-të, kur ajo u bë këngëtarja e parë e muzikës së lehtë, unë dhe shokët e shoqet e mija rrinim tërë ditën duke rrotulluar sumbullën e radios për të kapur stacionet e botës, ku mund të dëgjoje Beatles dhe RolligStones, Charles Aznavour dhe Jacques Brel, Celentano-n dhe Mina-n, Fabrizio de Andre dhe Lucio Batiisti-n. Edhe kur organizonim në shtëpitë tona ato që i quanim “mbrëmje” kërcenim e këndonim këngë të huaja. Dhe këto nuk i them për t’u mburrur se kushedi se ç’paskemi bërë. Por për të thënë thjesht se këngët që kompozoheshin e këndoheshin në atë kohë në Shqipëri nuk i përgjigjeshin botës dhe jetë sonë. Ose, më saktë, ato çka ndjenim e përjetonim, ashtu në mënyrë spontane dhe të sinqertë, e refuzonin, si trup të huaj, frymën që përçonin këngët e muzikës së lehtë shqiptare të asaj kohe. Pra, nëse një këngë dhe këngëtari i saj mund të konsiderohen shprehës të ndjenjave dhe, njëherësh, formues dhe zëdhënës të një brezi (siç konsiderohen psh. Beatles, Rolligstones, Bob Dylan, Joan Baez për rininë e viteve “60) mund të them se për ne s’kanë qenë të tilllë as Vaçja dhe askush nga këngëtarët e muzikës së lehtë. Madje vështirë të thuash se cilin brez përfaqësojnë ata pasi i përkasin, më së shumti, një kohe pa kohë që e mohonte konfliktin midis brezave në emër të pushtetit të “baballarëve” të saj pa moshë. Nuk flas në emër të të gjithëve, sigurisht, por them se flas në emër të shumicës së të rinjve të gjimnazeve të Tiranës, që kam njohur në vitet ‘60, të shumë syresh që ishin bij komunistësh dhe të atyre, më të shumtëve, që vinin nga familje që e duronin me heshtje atë regjim që gjurmonte për njolla në biografi deri në brezin e shtatë.  Pra, edhe nëse mund të flas për një edukim sentimental, do të thoja se, me aq sa kemi mundur, këtë e kemi marrë nga këngët perëndimore të dashurisë pasi këngët e festivaleve tona, edhe ato që na këndonte Vaçja, kërkonin të na edukonin dashurinë e rrejshme për Atdheun, shokun Enver, Partinë, Revolucionin, socializmin, arat, fabrikat, kantjeret...
Po, pse të rrejshme do të thoni ju. Të rrejshme për ata që e kishin kuptuar se kush ishte Partia, Shoku Enver dhe “atdheu” që ata na servirnin, jo për të tjerët. Dhe kjo diferencë vlen për të reflektuar. Por, gjithsesi, mund të them se, për nga vetë karakteri i tyre, këto këngë e përjashtonin refleksionin, introspeksionin, aq më tepër protestën ndaj autoritetetit, siç qenë shumë këngë të famshme perëndimore të viteve 60. Po ashtu ato as këndoheshin dot në intimitetin e një shoqërie dhe as kërceheshin, pasi qenë kompozuar që të të ftonin për marrshim, për entuziazëm dhe patos revolucionar. Me fjalë të tjera si për ata që besonin edhe për ata që nuk besonin, ishin pjesë e programit propagandistk trushpëlarës për të cilin punonte një armatë e tërë poetësh dhe artistësh në Shqipërinë e asaj kohe.
Pra e vërteta ime është se këngët e Vaçes unë nuk i dëgjoj dot as sot; ato nuk janë këngë as për shpirtin tim, as për zemrën tim dhe as për kujtesën time, pasi nuk janë të lidhura as me kujtimet e mija më të bukura, as me emocionet e mija më të forta as me mënyrën se si e shikoja dhe shikoj unë jetën dhe shoqërinë e asaj kohe. Dhe sigurisht nuk janë këngët që do t’ia rekomandoja ndokujt t’i dëgjonte përveçse si dokumente të një kohe dhe aq më pak do t’ua këshilloja të rinjve për tu zhvilluar shijen e muzikës dhe dashurinë për këngën.

* * *
Lexova edhe një reagim të Nexhmije Hoxhës pas vdekjes së Vaçes. Më tërhoqi vëmendjen pasazhi ku ajo tregon se si i ka kënduar këngët e Vaçes në burg. Besoj se edhe kjo dëshmi flet shumë për karakterin e këtyre këngëve. Është e vërtetë ajo që thotë se, në vetminë e qelisë, njeriu i drejtohet kujtimeve dhe, midis tyre, edhe melodive e këngëve që i di përmendësh e që i ngjallin emocione. Edhe unë kam pasur një repertor timin të qelisë që më ndihmonte të shtyja disa orë të vetmisë vrastare të saj. E pra, me keqardhje, mund të them se në atë repertor nuk kishte këngë shqiptare përveç një kënge të kompozuar apo përshtatur në burg që i drejtohej qelisë me fjalët: ” ... Si s’ke shpirt si s’ke pak zemër që po kalb kta djemt e rinj/ dalngadal ma more jetën / burgu i namun, burgu i zi.” E përsëris, kjo ndodhte për arsyen e thjeshtë sepse këngët e festivaleve tona nuk i përgjigjeshin ndjenjave të vërteta njerëzore, gjendjeve të vërteta shpirtërore dhe aq më pak aspiratave për të ndryshuar jetën tonë. Sepse “Valsi i lumturisë”, që e kuptoj se mund të emocionojë Nexhmije Hoxhën e cila prej shumë kohësh jeton në një botë virtuale për të mos u shqetësuar nga kujtimet e vrasjeve pa numër që ka bërë i shoqi dhe partia e tij, ishte një këngë e rrejshme, e kompozuar  për të ilustruar thënien e Enver Hoxhës se “rinia jonë është më e lumtura në botë”. “Vals o vals ti jehon, në të bukurin atdhe, fushat tona i përshkon, ku shpërthen jet e re”. Këto të dashur miq janë vargjet banale të një kënge banale propagandistike dhe kush thotë sot se Vaçja i zgjidhte me kujdes këngët që do të këndonte gënjen. Në fakt këto këngë i jepeshin Vaçes që kishte aftësi më të larta vokale dhe ajo i merrte e i këndonte pa u menduar gjatë, sepse kështu do të kishte famë e sukses. Dhe tek kjo mungesë mendimi “gjatë” fillon një problem tjetër mbi të cilin duhet reflektuar.
Pra, sa për vete, duke dëgjuar ato që u thanë e shkruan për Vaçen me rastin e vdekjes së saj nuk mund të mos ndjehesha keq e të mos shtroja pyetjen: ç’është kjo histeri, si ta shpjegojmë? A jemi në një regjim tjetër nga ai që kaluam apo vazhdojmë të jemi në po atë regjim? A kemi mësuar ne ndonjë gjë nga ajo kohë dhe a jemi bërë më të rritur apo jemi qorrollepsur edhe më? Mos vallë unë jetoj në një botë tjetër nga këta që shprehen kështu apo kemi të bëjmë me një epidemi konformizmi, hipokrizie dhe debilizimi masiv? Pastaj thashë me vete, ndoshta nuk është e drejtë t’i gjykosh kaq ashpër dhe t’i quash hipokritë tërë ata njerëz që mbuluan me lule arkivolin e Vaçes, ndoshta ndjenjat e tyre janë të sinqerta. Por, në këtë rast, s’mund të mos shtroja edhe pyetjen: produkt i çfarë gjëje janë këtë ndjenja, të paktën t’i kuptojmë sepse, siç thuhet, “të kuptosh gjithshka do të thotë të justifikosh gjithshka”. Mos vallë kemi të bëjmë me nostalgjinë e një jete që na iku, paçka se në izolim nga bota, e madhe disave edhe në vuajtje e persekutime (kam shkruar edhe vetë një ese me titull “Nostalgji e hidhërimit”). Është e vërtetë se “Valsi i Lumturisë” mund të ngjallë tek shumë njerëz kujtimet e mallin e një moshe, të një kohe, të një jete në të cilën, pa dyshim, kanë njohur edhe gëzime e kënaqësira. Truri i njeriut mbetet një mister i madh. Loja që bën ai me asosacionet është nga më të çuditshmet. Ja edhe unë, që e kam pritur vdekjen e Enver Hoshës me një gëzim të pakrahasueshëm, e kap ndonjëherë veten duke më gurgulluar pavetëdijshëm në tru muzika dhe vargjet e këngës “Enver Hoxha, tunjatjeta” … “n’ato male n’ato shkrepa…” Nuk e di pse, por duket janë ato qelizat e bombarduara me vite e vite nga kjo këngë, aq sa më kap tmerri kur mendoj se në moshën e pleqërisës, kur siç thuhet njeriut i mbesin vetëm kujtimet e fëmijërisë, mund të më gjëmojnë në tru vetëm këngët për partinë dhe për shokun Enver. Por të paktën mua sot më kap tmerri kurse këta, për të cilët po flas, duken sikur ose kanë mbetur në fëmijëri o kanë hyrë në pleqërinë të thellë pa e kaluar moshën e pjekurisë. Ndryshe, ndryshe mund të them se kjo është një nostalgji të sëmurë, e prekur nga amnezia, apo nostalgjia e një jete të jetuar në mënyrë inkoshiente, mbi të cilën nuk kanë reflektuar asnjë çast. Sepse këngët në fjalë, me muzikën dhe tekstet e tyre, flasin qartazi, sipas meje, për kufizimin mendor shpirtëror e artistik ku kemi jetuar si shoqëri. Mjaft të kesh parasysh se në “të vetmen kështjellë të socializmit në botë” ato kanë shërbyer si ushtarë mbrojtës ndaj sulemve të tërë atij  revolucioni muzikor me rrok, e me pop e me rradhë që njohu bota nga vitet ‘60 deri në vitet ‘90.
Por një shqetësim më të madhe më ngjalli shprehja e një gazetë se  “Vaçja iku sëbshku me sistemin që ia zbuloi dhe ia rriti vlerat. Në Shqipërinë që kemi sot Vaçja nuk do t’ia dilte të kapërcente sekserët e festivaleve tona banale…” që më bëri të mendoj: mos vallë koha që po jetojmë është kaq e shëmtuar saqë disave ua ka bërë të vyer edhe atë kohë të tmerrshme? Si nuk arrijnë të kuptojnë se jemi kështu si jemi pikërisht prej atij sistemi? Apo gazetarët e rinj shkruajnë kështu pasi nuk e kanë provuar në kurriz atë sistem, por dëgjojnë vetëm përralla enveristësh?
Sigurisht nuk mund t’u jap përgjigje gjithë këtyre pyetjeve në një artikull. Po të kisha kohë, do të shkruaja një roman me titull “Vdekja e artistes së popullit” ku do t’i mpleksja tërë këto teme nëpërmjet kujtimeve të personazheve të romanit për këngëtaren dhe këngët e saj. Dhe në këtë roman nuk do të mungonin edhe personazhet e përlotur të funeralit që  i përgjigjen ndokujt si puna ime: “Po pse ngjisnin këto këngë atëhere? Apo nuk ngjisnin? Sepse ishin më të bukura se të tjerat për nga forma e tyre…“
Po ngjisnin, do t’i përgjigjesha edhe unë. E provon këtë edhe ajo që përjetuam në homazhe dhe funeral dhe në mediat e këtyre ditëve. Sepse arti jo vetëm shpreh, por edhe formon. Dhe ai art formonte njeriun e ri, që zbrazësinë e mendimit e mbushte me entuziazmin e të vërtetave që i servirte ideologjia, kjo gënjeshtër e madhe siç e quante Solzhenjicini. Dhe këto këngë qenë forma e kësaj përmbajtjeje të gënjeshtërt. Talenti, zëri i bukur apo shija e ngjyrës apo e fjalës për artistin nuk janë gjëra që mund të qëndrojnë në vete nga ato që ai thotë nëpërmjet këtyre tingujve, fjalëve e ngjyrave. E gënjeshtërt përmbajtja, e gënjeshtërt forma, i gënjeshtërt edhe njeeriu që formonte ky art.
Në fakt për mua, mbetet e pakuptueshme deri në fund se si mund të kishte njerëz që i frymëzonin sinqerisht këto këngë, pa i menduar këta si të mbetur në stadin fëminor. Më së shumti besoj se ato funksiononin tek të rriturit si dhunë mendore dhe psikike, që ushtrohej, përveç të tjerave, për të mos u lënë njerëzve mundësisht asnjë çast të mendonin me mendjen e tyre mbi realitetin e brendshëm dhe të jashtëm që përjetonin. Ato dhe për tu dëgjuar nuk mund të dëgjoheshin në vetmi por në masë. Derisa arrinin vrasjen e kësaj aftësie. Atëhere këta si fanatikë edhe mund të hidheshin në zjarr me këto këngë. Nuk mund të mos mendoj se edhe ata ushtarët që vrisnin  të burgosurit që hidheshin tek telat me gjemba, edhe ata hetuesit që torturonin të burgosurit janë inspiruar në këtë mënyrë të dhunshme nga këngët revolucionare që ka kënduar edhe Vaçja.

* * *
Nuk dua me këtë të fajësoj Vaçen, se kjo është e ekzagjeruar, por ftoj për reflektim megjithatë dhe ju ftoj, që të mos harroni, o njerëz, se dhuna e këtyre këngëve nuk është përçuar vetëm në këtë mënyrë inkoshiente. Dua të them se ato këngë nuk i kanë dëgjuar vetëm Nexhmije Hoxha dhe ata që përmenda më sipër, që mirë keq kanë qenë të privilegjuar në atë regjim. (Pashë me dëshpërim se edhe Ministra jonë e re e Kulturës e do shumë “Valsin e lumturisë”).  Ato i kanë dëgjuar me detyrim edhe njerëzit që vuanin nëpër burgje dhe internime, të cilët, duke i dëgjuar, kanë provuar ndjenja shumë të tjera nga ekzaltimi dhe himnizimi që u përçon fanatikëve “Valsi i lumturisë”. A mund t’i imagjinoni ata, në qelitë e Burrelit apo të reduktuar në kafshë pune të detyruar,  duke kënduar me kënaqësi të madhe shpirtërore dhe estetike “… bashk me pranverën edhe ti lulëzon…”? Në burgun e Burrelit, altoparlanti i ndezur gjithë ditën tek Radio Tirana konsiderohej si një torturë dhe shumë të burgosur kanë bërë biruca ndëshkimore pse e kanë mbylluar atë. Atëhere të paktën bëni kujdes në emër të të gjithë atyre që kanë vuajtur në atë regjim, në emër të atyre që ende sot, pas njëzet vjetësh, nuk keni bërë asgjë për t’u gjetur eshtrat e trupave të lëna pa jetë në mënyrën më mizore, se po kontribuoni, direkt apo indirekt, për t’i vrarë edhe një herë.
Në filim të viteve 90-të, kur kryeministri ynë i sotëm Edi Rama bënte publicistikë midis të tjerave shkruante edhe letra nga Ferri që Enver Hoxha ia dërgonte Sali Berishës. Duke parodizuar ato letra po i shkruaj edhe unë një letër që Enveri ia dërgon Edi Ramës nga Ferri pas funeralit të Vaçes:

·      * *
·       
“I dashur Edi,
Ishte një momenti i veçantë i jetës sime këtu në Ferr kur të pashë, sëbashku me Saliun dhe gjithë shokët e tjerë, në homazhet e artistes sonë të madhe të pupullit Vaçe Zela. U përlota, Edi i dashur, jo vetëm nga kujtimet për atë kohë të artë të popullit shqiptar, që vërshuan e më zunë grykën deri në ngashërim, por edhe për faktin që ju pashë bashkë.  Mos harro Edi, asnjëherë, se ju jeni bijtë tanë, megjithë kontradiktat që keni. Partia, unë dhe shoku Ramis pas meje, kanë bërë kujdes që pushteti të mos shkonte kurrë në duart e armiqve.  Ata më të rrezikshmit i “dekoruam”, të tjerët i kalbëm nëpër burgje e internime e i bëmë që të mos i duhen as dreqit. Saliu e ka ruajtur më së miri vazhdimësinë e pushtetit tonë dhe ja tani është rradha jote, Edi, që je më i ri, më energjik dhe më i përgatitur për të përballuar rreziqet që i kanosen Partisë dhe atdheut tonë të dashur nga armiqtë tanë të brendshëm dhe të jashtëm. Sepse ti Edi, ke pasur ca lajthitje në fillim. Je tallur me artistët dhe shkrimtarët tanë të mëdhenj dhe veprat e tyre, madje je bërë edhe me armiqtë për një kohë të shkurtër kur ata tentuan të krijojnë atë partinë reaksionare Kristian - Islamike, që e pe vetë si përfundoi. Sikur të kishe vazhduar në atë rrugë sot do ishe duke lypur nëpër galeritë e botës të të varnin ndonjë pikturë në mur kurse shiko ç’të bëri Partia jonë, të bëri kryeministër, të bëri dhe artist të madh, aq sa pikturove gjithë Tiranën dhe u bëre i famshëm në botë. Prandaj mos e harro kurrë forcën e partisë që qëndron pikërisht tek njerëzit e mrekullueshëm që ajo ka edukuar nëpërmjet punës, por edhe nëpërmjet artit dhe letërsisë tonë revolucionare. Mos u shkëput kurrë nga këta njerëz.
Lamtumira që ju i dhatë Vaçes ishte shumë inkurajuese për mua. Edhe Nexhmija ishte emocionuar shumë. Sepse ti nuk e merr dot me mend se çfarë ngushëllimi është për mua, i zhytur nga mesi e poshtë në llumrat e zeza të Ferrit të një gjaku të prishur që kutërbon erë, dhe i përvëluar nga mesi e lart në flakë të tmerrshme, kur shoh kolegët e mij këtu jo vetëm të vuajnë këto tmerre, por edhe të shohin se ç’bëjnë të gjallët me kujtimin dhe veprën e tyre.  Pse si mendon ti, Edi, se në Gjermaninë e Hiterit apo Italinë e Musolinit dhe po ashtu në Poloni, Hungari, Çeki e gjetkë nuk ka pasur këngëtarë të talentuar që i kanë kënduar këngë udhëheqësve dhe lavdisë së tyre. Pa dyshim që po. Por shumica janë varrosur bashkë me ata regjime, kurse unë, kur dëgjoj këngët tona, për mua, Partinë, atdheun, socializmin dhe veprat e mëdha që ndërtuam së bashku të jehojnë nëpër televizionet dhe radiot tona, (tani së fundmi ka hyrë edhe këtu interneti dhe i shoh edhe atje), nuk e ke idenë se sa inkurajohem.  Shoh Hitlerin, Musolinin, Frankon, Stalinin, Brezhnjevin, Gomulkën, Kadarin të pashpresë dhe ndjehem ndryshe nga ata. Kam gjithnjë e më shumë shpresa për të ardhen.
Sepse, dua të të them edhe diçka, i dashur Edi. Dantja është një gënjeshtar i pacipë. Nuk është e vërtetë ajo që ka shkruar ai sikur në portën e Ferrit shkruhet “O ju që hyni, braktisni çdo shpresë!”. E kam parë vetë që s’kishte gjë të tillë tek ajo portë. Në fakt, herë pas here, ky i madhi që kemi këtu, bën edhe rishikime dënimesh. Dhe a e di ku bazohet. Në atë që thoni e bëni për ne ju të gjallët atje. Sepse mos kujto se Ai nuk ndikohet, siç thuhet atje. Ndikohet që çke me të, sidomos nga mediet dhe  intelektualët. Prandaj kujdes mediet dhe intelektualët Edi, mos i lësho nga duart asnjëherë, të t’i marrë armiku, kundërrevolucioni. Mbaje lart frymën revolucionare! Edhe mediat perëndimore mos i harro, mos kurse as euro as dollarë për këtë. Megjthëse e di, se për këtë ty s’ta ha qeni shkopin. Më tepër të kam merak një gjë tjetër: kujdes, ti e di mirë që unë thoja gjithmonë “partia”, jo “unë”, veçanërisht kur eliminoja tradhëtarët e Partisë. Kjo është një nga gjërat që Saliu nuk e mësoi dot kurrë. E ke edhe ti këtë defekt. Korrigjoje sa më parë.
Sikundër po të thoja pra me mediet dhe inteligjencien popullore me vete jo vetëm popullin do ta kemi gjithnjë grusht çeliku rreth Partisë, por edhe Zotin do ta bëjmë me ne. Ja, pas fitores tënde, veçanërisht kur pa fotografinë time tek varrezat e dëshmorëve, Ai m’i ka kursyer disa nga flakët më të tmerëshme të Ferrit - nga ato që e kanë bërë Hitlerin të pendohet që ka lindur. Më krijoi edhe mundësinë e një takimi me Maon, që e trajton shumë ndryshe pikërisht pse kinezët vazhdojnë ta adhurojnë. S’e kisha takuar ndonjëherë sa qemë gjallë. Por kishte rrjedhur fare, fliste vetëm për dashnoret, asnjë fjalë për fitoren e borgjezisë dhe humbjen e revolucionit tonë.
Pra,unë, të them të drejtën, kam shumë shpresë se qëndrimi im këtu do të rishkohet, pasi ka qenë një padrejtësi e madhe ajo që u bë ndaj meje. Keni faj edhe ju që nënvleftësuat në ato fillime forcën e Partisë e kujtuat se do të përfitonit duke e mohuar atë e duke u bashkuar me armiqtë që hodhën parrullat Enver - Hitler dhe më përmbysën shtatoren në qendër të Tiranës.
Sot po kujtoheni për vlerat e mija gjithnjë e më shumë. Ja ndodhi vdekja e Vaçes dhe u kujtuat prap se – siç ua thoshte edhe Nexhmija  - jam unë, ai  dashamirës i madh i kulturës, artit që i kam mbështetur këta artistë që ju sot i adhuroni, që i  kam ndjekur personalisht festivalet e koncertet e tyre në salla, i kam përgëzuar; jam kujdesur, sëbashku me Nexhmijen edhe për problemet e tyre familjare, për strehimin e plot e plot probleme të tjera. Po titullin “artist i popullit” kush ua dha? Mendon ti se e merrnin dot ata pa kaluar në filtriat e Partisë, të Sigurimit e pa aprovimin tim?

Po e mbyll këtë letër duke të porositur ta mbash partinë bashkuar, Edi. Edhe me Ilirin, të cilit bëji shumë të fala nga ana ime dhe falenderoje që  kurrë se ka prishur gjuhën me mua, por kërkon që figura ime të rivlerësohet, të bashkohesh sa më parë. Por ëndrra ime finale është t’ju shoh përsëri të gjithë bashkë, edhe me Saliun. Siç e pe, ajo parrulla “pluralizëm i mendimit; jo pluralizëm partiak”, që hodhi Ramisi me intelektualët tanë të shquar, për t’ua hedhur imperialistëve dhe revizionistëve në ato ditë të vështira për Marksizëm - Leninizmin e vërtetë, kur u pa se nuk e mbanim dot më pushtetin me forcat tona, dështoi. Ajo që funksionoi ishte prap dredhia ime që ia këshillova Saliut në letrat e para që i kam dërguar që këtej: “pluralizëm partiak, pa pluralizëm mendimi”. Saliu tregoi se ishte kockë e fortë, nuk e hëngri sapunin e revizionizmit për djathë. Nën udhëheqjen e tij ju vazhduat të mendoni të gjithë sipas mësimeve të Partisë dhe të mijat. Sot ka ardhur koha, siç e treguat edhe në funeralin e Vaçes, që të bashkoheni të gjithë përsëri në një parti të vetme me në krye ty, Edi, që për hir të së vërtetës duhet të them se të kam më për zemër, se je djalë më i zgjuar dhe më me shije se Saliu, se ai ishte ca avdall. Jam i bindur se ti do të ndreqësh së shpejti edhe gabimet që janë bërë ndaj meje; dhe Zoti duke parë këtë, do të më çlirjojë nga flakët e ferrit dhe llumi i gjakut të ndyrë, kutërbues ku më ka zhytur dhe do të më kalojë në Purgator ku unë do të jetoj me shpresën se brezat e rinj, që po edukohen nën kujdesin tuaj, do të më çojnë më në fund në Parajsë, ku një ditë do të takohemi së bashku me ty me Saliun, Ilirin, Nexhmijen e të gjithë shokët.
Përshëndetje revolucionare,
I juaji
Enver”
                                                                                      (Panorama, 13 shkurt 2014)

Friday, February 7, 2014

TRITOLI; LIDHJA E POLITIKËS ME KRIMIN; NEVOJA PËR NJË DEBAT TË MADH PUBLIK

Intervistë gazetës Dita (7 shkurt 2014)


Zoti Lubonja të mërkurën  ka pasur një tjetër aksion të INUK në Tiranë dhe një tjetër godinë është demoluar me lëndë shpërthyese. Në një kuptim këto aksione që raportohen “live” nga televizionet duket sikur po kthehen në njëfarë spektakli, në një sport popullor dhe ndiqen nga mijëra teleshikues. Ju si e shikoni këtë efekt, ndikon në dhënien e një sinjali të fortë të shtetit kundër paligjshmërisë, apo paralelisht dhe po i bëhet marketing tritolit, pra nëse ekziston rreziku që ne të familjarizohemi me tritolin, ta ndjellim atë, si pasojë e këtyre aksioneve të shoqëruara me “show” mediatik?

Sikurse mund ta dini unë e kam mbështetur shembjen e pallatit në Vlorë dhe, që të jem i sinqertë, kur shoh masakrën që është bërë në Shqipëri me ndërtimet me leje të palejueshme dhe pa leje, shpesh mendoj se është i nevojshëm një projekt i madh i pastrimit dhe rifitimit të territorit dhe peizazhit tonë urban të masakruar. Thënë kjo, gjykoj se shembje të tilla kurrsesi nuk duhen kthyer në show mediatik. Ato s’duhen ndjekur kurrsesi thjesht me kënaqësinë e ndëshkimit që po i bëhet një abuzuesi që e meriton – që në një farë mënyre është i ligjshëm tek ata njerëz që vetë respektojnë ligjin - dhe aq më pak me gëzimin (infantil) për hakmarrjen që po merr kundërshtari politik. Nëse mund të përdor një krahasim shembje të tilla unë i mendoj se duhen parë si operacione të rënda që duhet të na bëjnë të mendojmë shumë për atë se çfarë nuk kemi bërë për të ndaluar përhapjen e metastazave të tumorit në trupin tonë dhe po ashtu për pasojat dhe efektet sekondare që do të ketë ky operacion në trupin e operuar. Do të duhet të mendonim seriozisht sepse ne jemi të vetmit që shpenzojmë kaq para dhe energji për të shkatërruar territorin e përbashkët dhe pastaj të tjera energji e para për të ri-shkatërruar ato shkatërrime (e të kalkulojmë se ç’mund të kishim bërë pozitive me këto) . Po ashtu do të duhej të mendonim seriozisht për atë se këto shembje janë tregues i mungesës së shtetit të së drejtës e të zëvendësimit të tij me një lloj vetëgjyqësie të një qeverie revolucionare, ku tritoli zëvendëson vendime e drejta që do të duhet të ishin ndërmarrë në kohën e duhur në institucione të tilla si bashkitë, hipotekat, policia ndërtimore e deri në gjyqësorin tonë.
Një problem tjetër që ngrenë këto shembje është edhe ai se cilët janë kriteret, kush vendos për shembjen e këtij dhe jo të atij pallati. Veçanërisht kur rezulton se ato bëhen vetëm mbi ato pallate që i kanë ndërtuar apo lejuar kundërshtarët politikë. Ju kujtoj se një nga pallatet më të diskutuar për tu shembur në Tiranë ka qenë ai i ngritur në oborrin e Fakultetit të Ekonomisë. U çuan në masë studentët për shembjen e tij. A nuk kanë të drejtë këta të mendojnë sot se kjo shembje nuk po ndodh pasi lejen e atij pallati e ka dhënë Rama? Pra, sipas mendimit tim, nëse është e nevojshme të bëhen shembje, përcaktimi i tyre duhet të bëhet mundësisht duke u hartuar më së pari një projekt nga ekspertë të paanshëm qoftë në fushën e urbanistikës, qoftë në atë të legjislacionit e për të cilin të kihet mundësisht edhe konsensusi i opozitës. Ju kujtoj se një konsensus i tillë u arrit kur u vendos të prishen kioskat në Tiranë. Në këtë projekt mund të përcaktohet se cilat ndërtime me leje të palejueshme apo pa leje duhen shembur dhe cilët mund të mos shemben, por u duhet vendosur masa e sekuestrimit apo gjoba sipas rastit. E di që ju do të më thoni se strategjia e opozitës është lufta për interesin e vet dhe jo konsensusi për interesin e publikut, por pikërisht për këtë do të duhej që, në rast shembjesh, të kishte një projekt që të mos kishte selektivitet politik. Kjo do t’ia bënte opozitës shumë të vështirë kundërshtimin. Përndryshe shembjet apo kërcënimet për to shumë lehtë mund të interpretohen ose si sulm për të dëmtuar kundërshtarin ose si kërcënim që ai të kalojë në barrikadën tjetër apo edhe që t’ia shesë pallatin një klienti të maxhorancës - siç ka ndodhur rëndom më parë, duke i lënë shëmtirat dhe tmerret në këmbë edhe në shumë vende ku prania e tyre ulëret për shkelje të ligjit, uzurpim të hapësirës publike apo shkatërrim të natyrës dhe territorit.
Sigurisht këto shpërthime spaktakolare nuk janë pa impakt edhe në stimulimin e klimës së tritolit në vend. Një nga argumentet kundër dënimit me vdekje është se shteti, duke ushtruar vetë dhunë, stimulon dhunën. Edhe tritoli i përdorur nga shteti në mënyrë spektakolare duke anashkaluar vendimet e drejtësisë stimulon vetëgjyqësitë me tritol dhe, po ashtu, në një kuptim më të gjerë, zgjidhjen me dhunë dhe arbitraritet të problemeve.

Këto godina janë ndërtuar si pasojë e një procesi problematik. Në kuptimin që ato shpesh janë legalizuar, kanë marrë leje ndërtimi madje dhe janë blinduar në procedurë me vendime gjykate në disa raste. Mendoni se të merresh me kaq pompozitet me godinën, pra me pasojën, ekziston rreziku për të lënë në hije shkakun, që janë zyrtarët shtetërorë që i kanë hapur rrugë këtyre objekteve të konsideruara të paligjshme?

Pikërisht për të vazhduar ato që them më sipër këto shembje janë pasojë e paaftësisë sonë për të parandaluar dhe jo vetëm kaq, por shpesh janë pasojë e përfshirjes së shumë hallkave të pushteti dhe të gjyqësorit në prodhimin e këtyre tumoreve. Në këtë kontekst unë do të preferoja disa masa të tjera që besoj se janë edhe më efikase për të rivendosur autoritetin e shtetit ligjor. Po të marrim rastin e pallatit që u shemb në Vlorë, nga sa jam konsultuar edhe me njerëz që e njohin shumë nga afër tërë procesin e ndërtimit, që nga marrja e lejes e deri tek shitja e apartamenteve, shkeljet ligjore atje janë bërë hallkë pas hallke duke filluar që nga specialistët e bashkisë e të hipotekës deri tek noteri që rezulton se u ka bërë klientëve kontrata blerjeje të ajrit sepse pallati, përveç të tjerave, kishte edhe kate më tepër sesa projekti. E pra të gjithë këta që janë përgjegjës, ku duhet të hyjnë edhe shefat e INUK-ut që duhet të kishin ndërhyrë që në krye të punimeve, duhet të çohen përpara gjyqit. Atyre u duhen kontrolluar edhe pasuritë që kanë dhe edhe tu sekuestrohen këto pasuri sepse këto shkelje nuk është se i kanë bërë ashtu për qejf.  Në shumicën e rasteve këto janë të lidhura me praktikat e korrupsionit. Sepse, veç të tjerave, nuk është e drejtë që shpenzimet për këto shembje t’i paguajnë qytetarët. Ato duhet të paguhen me të hollat e këtyre sekuestrimeve ose të gjobave të rënda që duhet të paguajnë fajtorët. Kështu bëhem punët në një shtet të  së drejtës. Përndryshe mbetemi tek praktikat e aksioneve me goditje të përqendruar të diktaturës.

Ju keni trajtuar gjerësisht në shkrimet tuaja edhe atentatet intensive të periudhës Dhjetor-Janar të bëra me lëndë shpërthyese. Dhe keni marrë në shqyrtim dhe deklaratat e Berishës që akuzonte pa prova qeverinë si autore të bombës së vendosur në mjetin e Prefektit Dervishi. Në qëndrimin tuaj keni thënë se ose Berisha ka të drejtë dhe Edi Rama duhet të shkojë në burg, ose Berisha mashtron mbi një vepër të rëndë dhe është ai që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë. Mendoni se është ky qëndrim i juaji ai që e bëri Berishën të shpërthente aq fort ndaj jush? Mos i keni dekonspiruar në kohë linjën politike të “ndjelljes” së tritolit?

Arroganca dhe papërgjegjshmëria e atij qëndrimi të opozitës me në kryer Berishën është kriminal për mendimin tim, duke pasur parasysh rëndësinë e aktit. Ajo reflekton frymën e atyre që janë të gatshëm të përdorin çdo lloj mjeti në luftën për pushtet e për para. Vini re, nëse ju kujtohet, folën për “burime të sigurta të PD-së ” se bomba është vënë nga vetë Dervishi dhe njerëzit e qeverisë. Dhe sot jo që nuk ndjejnë përgjegjësi ligjore, por as përgjegjësi morale përpara publikut për të thënë se kemi gabuar. Me këtë frymë arrogance dhe papërgjegjshmërie e kanë trajtuar opinionin publik pasi u duket vetja të paprekshëm ngase sundojnë edhe mbi drejtësinë sepse po të kishte pasur drejtësi në këtë vend, do të ishin vënë, me kohë, përpara bankës së të akuzuarit.
Gjithsesi nuk mund të them se opozita ka dorë direkte në atentatet që po ndodhin e se “zbulimi” i kësaj ka shkaktuar mllefin e Berishës ndaj meje. Aq më tepër po të kesh parasysh se ata të Vlorës tregojnë se protagonistët kanë lidhje me PS. Por them se duket sheshit se një destabilizim i vendit nuk e shqetëson aspak një opozitë si kjo,  përkundrazi ajo e pret me gëzim këtë sepse kështu mendon se mund të rikthehet në pushtet dhe, pa dyshim, militantë të saj, duke parë këtë qëndrim, mund të mos hezitojnë t’i japin një dorë me bomba dhe tritol destabilizimit.

Në një nga shkrimet e fundit jeni marrë me arrestimet e fundit konkretisht në artikullin tuaj “Ujqërit i kemi prapa derës”. Duket se ky artikull ka bërë që kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, të ndihej i cenuar padrejtësisht prej jush. Ai pretendon se insinuata e ngritur ndaj tij në shkrimin tuaj e ka kaluar cakun. Ju si e shikoni këtë reagim të zotit Gjika, a ka të drejtë ai të ndihet i paragjykuar padrejtësisht nga shqyrtimi që kishit bërë ju në artikull?
Sikurse e thashë edhe më sipër politikanët tanë, duke qenë se mendojnë se pandëshkueshmëria e tyre është si ajo e drejta hyjnore e mbretërve të dikurshëm për të sunduar pa i dhënë llogari kurrkujt, i lejojnë vetes jo vetëm të mos përgjigjen për bëmat e tyre, por edhe të bëjnë çdo lloj akuze e çdo lloj shpifjeje ndaj kujtdo. Këtë psikologji reflekton edhe Gjika në atë hapësirën e vet të pushtetit. Në fakt unë them se ai duhet të japë llogari morale, politike ndoshta edhe ligjore për lidhjet e politikës me krimin në Vlorë. Dhe këtu nuk kam kaluar ndonjë cak, përkundrazi. Nuk se kam thënë se porositësi i bombës është Gjika, sikurse e kanë përkthyer shkrimin tim disa. Sepse, që të thuash këtë, duhet të kesh prova. Por, duke parë se bombë-vënësi ka qenë punonjës i Bashkisë së Gjikës, duke parë se megjithëse kishte një parkim pa leje ky nuk i është prishur sa kohë që Gjika ishte i plotfuqishëm në Vlorë, a nuk kam unë të drejtë të mendoj se ky është i klanit të Gjikës sikurse ka thënë edhe Prefekti, që me siguri i di më mirë se unë punët në Vlorë? Dhe, po ashtu, nisur nga ky rast, por jo vetëm, a nuk kam të drejtë të mendoj se ndërrimi i pushteteve dhe aksionet e qeverisë kanë prishur ekuilibrat e vendosura midis botës së krimit dhe botës së politikës në Vlorë (e jo vetëm) dhe se këto bomba janë reflektimi i prishjes së këtij ekuilibri (duke shprehur njëherësh frikën se mos kemi të bëjmë thjesht me luftën për të vendosur ekuilibra të reja kriminale).A nuk ngrenë edhe krimet në Durrës kësi dyshimesh?Përse biznesmeni Karçini, që duket se është më afër PS-së,  priti ndërrimin e pushteteve për të porositur bombë kundër biznesmenit  tjetër që është afër PD-së. A nuk kemi të drejtë të dyshojmë se e bëri tani pasi ndjehej më i fortë, pasi kishte në policinë e Durrësit njerëzit e vet,  ashtu siç ndjehej ai tjetri më i fortë për t’i bërë luftë këtij kur në pushtet kishte të tijtë? (Lexoni për këtë edhe shkrimin e Mentor Kikisë “Në një shtet të korruptuar Juliani zëvendëson drejtësinë”). Dhe e gjithë kjo luftë për interesa kriminale ekonomike e lidhur direkt apo indirekt me politikën, që na sugjeron veç tjerash të hetojmë edhe për burimet financiare të partive tona, (se mos këta biznesmenë janë edhe sponsorizuesit e tyre) a nuk është e frikshme? Unë besoj se me ato që kam shkruar kam shprehur si gazetar shqetësimin e një opinioni të tërë dhe kam ngulmuar se ky është debati i madh që duhet hapur sot mbi krimet që po ndodhin. Mund të kem shkruar edhe pasaktësira, por Gjika le të japë argumente se unë gaboj, jo thjesht të fyejë apo të më thotë: shko në Prokurori. Aq më tepër duke pasur parasysh se kjo është përgjigja më e zakonshme që japin pushtetarët tanë duke pasur sigurinë e paprekshmërisë së tyre nga Drejtësia. I kujtoj me këtë rast se çka thënë për Drejtësinë tonë,me rastin e proceseve të tilla si ai i Bashës apo i Metës, vetë kryetari i tij i partisë, kur ishte në opozitë.

Intervistoi: Habjon Hasani