Wednesday, July 30, 2014

"Çunat e Tironës", Blloku i vjetër dhe Blloku i ri


Postimi i Ramës me vlerësimin për Santos si "Çun Tirone", "nga ata të vërtetët", hapi një debat jo të vogël kryesisht në rrjetin social. Lehtësia, për të mos thënë papërgjegjshmëria, me të cilën e lëshoi Kryeministri postimin e tij, veçanërisht duke marrë parasysh se është një politikan,  ngacmoi shumë vetë. "Po të tjerët që s'kanë lindur në Tironë ç'janë?" - ishte reagimi më i përhapur. "Ç'është kjo ndjenjë superioriteti si tironas, që tregon ky, ndërkohë që e kemi kryeministër të të gjithëve?"
 Ndërkaq, ne na duhet ta marrim me mend se ç'kupton Kryeministri me "çun Tirone" "të vërtetë", pasi ai nuk e shpjegoi; por edhe gazetaria nuk i kërkoi ndonjë sqarim. E këtu ndoshta duhet venë në dukje ana negative e rrjeteve social si Twiteri apo Facebooku përsa i përket komunikimit të politikanëve me publikun sepse këta duket se gjithnjë e më shumë mjaftohen me ndonjë postim, që mediet dembele apo servile e marrin dhe e publikojnë pa u ballafaquar me ta e pa na thelluar kësisoj për nga e vërteta.  Kurse, me këtë rast, mendoj që postimi i Ramës mund të na shërbente të bënim një radiografi jo vetëm të stereotipeve dhe thashethemeve që kanë qarkulluar e vazhdojnë të qarkullojnë në Shqipëri për të kategorizuar njerëzit, por edhe të statuseve sociale të njerëzve dje edhe sot, atyre të trashëguara dhe atyre të fituara pas 90-tës si dhe të faktorëve kryesorë të përcaktimit të tyre.

Blloku i vjetër

Shumë nga të prekurit nga postimi i Ramës i mëshuan menjëherë stereotipit të bijve të Bllokut, të ushqyer aq shumë nga makina  propagandistike e Berishës: pra sikur Rama identifikohet me ata të Bllokut dhe sheh me përçmim të tjerët.
Për mendimin tim ideja se Rama me "çun Tirone" ka pasur parasysh, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, "bijtë e Bllokut" nuk qëndron. Pikë së pari as Santo as Rama nuk i kanë përkitur Bllokut, nëse me këtë kuptojmë banorët e asaj zone në qendër të Tiranës ku banonte nomenklatura më e lartë. Dhe, nëse flasim për këta, duhet vënë në dukje se - të paktën siç e kujtoj unë - elita e ashtuquajtur e Bllokut ka pasur një status të veçantë qe e diferenconte deri edhe nga nomenklatura dhe elita e privilegjuar  që s'bënte pjesë në Bllok, e jo më nga qytetarët e Tiranës, ata të provincës apo dhe fshatarët, pra edhe nga të supozuarit "çuna Tirone". Kurse ata që e quanin veten "Tiranas" apo "Tironas" (me sa kujtoj jo "çuna Tirone") i përkisnin një kategorie tjetër. Gjithë duke qenë i vetëdijshëm se kategorizimi, si semplifikim, mund të të çojë në thjeshtëzime të realitetit dhe gabime, do të thosha se në kategorinë  e "Tiranasve" në vitet '60 bënin pjesë më së shumti ata që, duke dashur të dallonin statusin e tyre social, flisnin për lebër që u kishin pushtuar qytetin (dhe në këtë kategori mund të hynin edhe një pjesë e familjeve të Bllokut) dhe për provinciale qe s'linin gjë pa bërë për të ardhur në kryeqytet. Gjithashtu këta "tiranas", më së shumti, nuk identifikoheshin me pushtetarët, por i qesëndisnin ata. Në vitet '80 një pjesë e bijve të "të padëshiruarve" janë integruar në këtë kategori duke diskriminuar të tjerë.
Gjithë duke folur për statuse sociale në diktaturë le të mos harrojmë, po ashtu, se në atë kohë kishte edhe një diferencim të madh social, bazuar në biografinë e "familjeve" që e kishte përcaktuar "lufta e klasave". Kishte "familje të mira" dhe "familje të këqija". Por ama familjet e ashtuquajtura "të këqija", në më të shpeshtën, kishin qenë të privilegjuarit e dikurshëm madje quheshin edhe "klasat e përmbysura" apo "të deklasuarit" dhe shumë syresh, ndër ta edhe mjaft tironas të vjetër thellë thellë, ndjeheshin superiorë ndaj klasës që i kishte përmbysur edhe pse këtë nuk mund ta shprehnin hapur.
Dua të them se nuk është kaq e thjeshtë të flasësh për kategori dhe statuse sociale në kohën e diktaturës pa rënë në semplifikime. Le të mos harrojmë edhe se diktatura, me atë prirjen rrafshuese që paranoja e diktatorit e bënte edhe më vrastare, bënte çmos t'i priste herë pas here kokat që tentonin të ngriheshin sadopak, si dhe t'i lëvizte kuadrot nga qyteti në qytet. Mjaft të kujtojmë se edhe pjesa më e madhe e të ashtuquajturve familje të bllokut përfunduan nëpër burgje dhe internime.
Gjithsesi, statuset e ndryshme sociale në komunizmën, ekzistonin - me gjithë propagandën e vazhdueshme për barazinë apo për klasën punëtore si udhëheqësen e revolucionit dhe vëllazërinë e saj me fshatarësinë dhe inteligjencien. Paradoksalisht, në atë kohë, edhe vetë fjala "shok", që ishte përdorur për të shenjuar barazinë e komunistëve, kishte marrë një kuptim hierarkik: ai që ishte më poshtë i drejtohej duke i vene fjalën "shoku" përpara emrit të atij që ishte më lart, kurse ky i fliste vetëm me emër atij që kishte më poshtë.
Përsa u përket faktorët që përcaktonin hierarkinë e statuseve sociale, para së gjithash do të veçoja sipas rëndësisë:
Së pari Pushteti dmth. kush kishte më shumë pushtet kishte status më të lartë. Dhe sigurisht Blloku kishte statusin më të lartë dhe rreth tij nomenklatura komuniste.
Biografia politike, që, sikurse e thashë, kishte edhe anën tjetër të medaljes
Arsimimimi, dija, që përcaktonte edhe llojin e punës shpesh edhe vendin e qytetin e punës. E këto nuk ishin pa lidhje me pushtetin dhe biografinë politike pasi, siç dihet, të deklasuarit, në më të shpeshtën e rasteve, nuk kishin të drejta studimi për në universitet dhe bënin punët më të rëndomta.
Nga ana tjetër nuk mohohet se pjesa më e paarsimuar, edhe kur nuk ishte e persekutuar, ishte fshatarësia. Kjo ishte edhe pjesa më e varfër e shoqërisë, me aq sa mund të flitet për varfëri dhe pasuri në atë sistem që tentonte kolektivizimin absolut, ku varfëria e pasuria vareshin nga faktorët e mësipërm, nuk ishin, pra, faktor më vete në përcaktimin e statusit social 

Blloku i ri

Sipas mendimit tim, termi "çun Tirone" nuk i përket kohës së diktaturës dhe Edi Rama nuk e ka përdorur duke pasur parasysh të privilegjuarit e asaj kohe. Megjithë ambiguitetin që ka termi - që e ve në dukje edhe Rama kur shton "nga ata të vërtetët" - nuk mund të mos ndjesh tek  postimi i tij identifikimin e vetë Kryeministrit me kategorinë ku ka futur Santon dhe shfrytëzimin politik të këtij përcaktimi. Ai e ka përdorur atë term sigurisht për të shprehur një diferencim duke përcaktuar, dashur pa dashur, një status më superior se të tjerët. Santoja ishte si puna jonë… jo si e tyrja… qe nënkuptimi i parë. Disa, që futën edhe ish kryeministrin Nano në këtë kategori, i mirënjohur si mik i Santos, pasi debatuan nëse edhe ky ishte apo jo, sipas Kryeministrit, "çun Tirone i vërtetë" arritën në përfundimin se përkthimi i postimit mund të ishte pak a shumë ky: ne jemi nga ata "çuna"  Tirone që e duan jetën, lekun e luksin, që bëjnë edhe marifete për ta fituar atë, por që nuk meritojmë të vritemi, se edhe ne nuk shkojmë deri tek vrasja siç shkojnë ca malokë.
Pra termi është një rimarrje e një ideje fort të përhapur pas rënies së komunizmit për të bërë diferencimin midis atyre që rënia e komunizmit i gjeti qytetarë dhe të tjerëve që u dyndën kryesisht për në kryeqytet e që shpesh morën edhe cilësime të tilla si "çeçenë", "malokë", "bathoras" e që të parët i veshin përgjegjësinë për të keqen që i ka ndodhur Shqipërisë këta 20 vjet. Nëse do t'i referohemi filozofit frëng Derrida mund të thoshim se tek ky kategorizim ndjehet edhe ekzistenca e nevojës së "tjetrit", "të përjashtuarit", "çifutit" për të përligjur vetveten dhe sistemin që ti përfaqëson.
Lidhur me këtë do të thosha se nuk mohohet se ky urbanizim i menjëhershëm ka krijuar transformime dhe njëherësh probleme pa fund në Kryeqytetin shqiptar, por nga kjo deri në veshjen e përgjegjësisë për çfarë ka ndodhur atyre që kanë migruar ka një hendek të madh. Mjaft të kesh parasysh dy gjëra për ta hedhur poshtë këtë pretendim. Migrimi i brendshëm, ashtu sikurse edhe emigrimi, u bënë nga njerëz kryesisht në nevojë që s'kishin kurrfarë pushteti. Pushtetin e kishin elitat post komuniste që ishin kryesisht, në mos ekskluzivisht, qytetare. Le të marrim një nga të këqijat më të mëdha të këtyre njëzet vjetëve: uzurpimin dhe shkatërrimin e territorit ku më i dukshëm është ai i kryer në Tiranë dhe në Durrës.
Nëse do të kërkojmë të gjejmë përgjegjësit e këtij shkatërrimi nuk ka pikë dyshimi se përgjegjësit janë "çunat e Tironës" dhe të Durrësit jo katundarët dhe malokët. Dhe nuk kam parasysh vetëm faktin se kryeministrat, kryebashkiakët e ndihmësit e tyre që lejuan dyndjet në rrethinat kanë qenë qytetarë, por edhe se "dyndja" më e tmerrshme u bë brenda qyteteve nga vetë banorët e Tiranës dhe të Durrësit që prishën pa u dhimbsur çdo normë urbane. Është e vërtetë se ata që u quajtën "bathorasit" apo "çeçenët" zbritën e zaptuan toka, por, po të vesh re, ata sollën atje ku zbritën pak a shumë kulturën e tyre të fshatit; ndërtuan shtëpi, maksimumi dy tre katëshe me oborr dhe me pemë, kurse masakra e vërtetë është bërë nga ndërtuesit e pallateve dhe mu në qendër si të Tiranës edhe të Durrësit e mu prej atyre që kishin statusin më të lartë.
***
E këtu le t'i kthehemi edhe një herë idesë së Bllokut si status social dhe postimit të Ramës. Më së pari duhet thënë se ashtu sikurse udhëheqësit e Bllokut në retorikën e tyre nuk identifikoheshin me Bllokun, por me "popullin", "klasën punëtore" ashtu edhe Rama, kur ka përdorur termin "çuna Tirone", nuk ka dashur të përcaktojë Bllokun e ri të Shqipërisë, por një kategori të perceptuar pozitivisht, sipas tij, nga një pjesë e mirë e elektoratit që ai përfaqëson.
Po cili është Blloku i sotëm mund të shtrohet pyetja. Përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta gjejmë duke iu përgjigjur pyetjes se cilët janë diferencimet sociale të sotme dhe nga cilët faktorë përcaktohen ata.
Sipas meje disa ndër këta janë të përbashkët me faktorët e sistemin të djeshëm dhe disa të ndryshëm.
I përbashkëta është pushteti, pra kush ka në dorë vendimmarrjen ka status më të lartë social.
I përbashkët deri diku është edhe arsimimi. Kush ka më shumë dije kush ka studiuar jashtë shteti ka një status social më të lartë.
Përsa i përket biografisë mund të thuhet se megjithë përpjekjet e ish të deklasuarve për të kthyer shkëlqimin e kohëve të para të familjeve të tyre dhe po ashtu megjithë përpjekjet e Berishës dhe krahut më intolerant të antikomunistëve për të zëvendësuar të deklasuarit e djeshëm me ish bllokmenët biografia nuk ka peshë të madhe sot në përcaktimin e një statusi më të lartë social.  Prandaj, kur bëhet fjalë për pushtetin e ri, megjithë faktin  e pamohueshëm se ai është kryesisht në duart e të privilegjuarve të diktaturës, është abuzive dhe manipulative të thuash, siç bëjnë disa, se fijet e tij tërhiqen nga ish bllokmenët.
Po ashtu edhe të qenit katundar apo qytetar nuk e ka peshën, që ka pasur përsa i përket statusit social ndërkohë që edhe vetë të qenit tiranas e kane siguruar thuajse të gjithë ata që kanë dashur.

Pasuria
Nuk ka pikë dyshimi se në këtë shoqërinë tonë shumë nga dallimet e dikurshme përsa i përket statusit social janë duke u zbehur për t'ia lënë peshën kryesore në përcaktimin e statusit pasurisë. Ky faktori i ri në përcaktimin e statusit social në shoqërinë lidhet me faktin se ajo është modeli ndoshta më radikal i asaj që quhet shoqëri e konsumit. Duke karakterizuar shoqërinë e konsumit Jean Baudrillard thotë se shumë nga objektet që prodhohen dhe blihen në këtë shoqëri më shumë sesa shprehje të nevojës funksionale janë shprehje e nevojës për tu diferencuar në statusin social. Pra pasuria në formën e vilave, makinave të shtrenjta, shkollave private ku çon fëmijët, vendeve ku kalon pushimet etj. si këto janë përcaktuesit e statusit social. Edhe kur flasim për Bllokun e ri atë duhet ta kërkojmë në komplekset e vilave të shtrenjta të pasunarëve të rinj që, si në vendet e Amerikës Latine, janë të rrethuara me mure dhe me roje private. Besoj se edhe Santo bënte pjesë në këtë kategori, por jo si "çun Tirone", por si "bllokmen i ri".

E përbashkëta e të dy Blloqeve

Ajo që mund të thuhet në tërësi për shoqëritë shqiptare (po e përdor termin në shumës pasi nuk mund të flitet për një shoqëri të vetme) është fakti se, që kur është krijuar shteti shqiptar, ato nuk kanë qenë dhe vazhdojnë të mos jenë demokratike, nuk janë bazuar mbi meritokacinë dhe punën e ndershme dhe sundimin e ligjit, por mbi sundimin e personave dhe klaneve të fuqishme që kapin pushtetin politik. Në këto shoqëri, ndryshe nga ato demokratike, statuset sociale janë shumë më hierarkike dhe njëherësh shumë më të përqendruara rreth pushtetit. Pra nëse në shoqëritë demokratike statusi i politikanit apo ai i intelektualit dhe statusi i pasanikut ashtu sikurse edhe statusi i punëtorit apo i fshatarit mund të bashkëjetojnë sadokudo më ndarazi, secili në vendin e vet dhe dinjitetin e vet, në mënyrë si të thuash sa më horizontale, në shoqëritë autoritare këta janë të vendosur shumë më vertikalisht dhe në mënyrë shumë më të ndërvarur. Sipas meje kjo çon në fenomenin e Bllokut që mbetet maja e kësaj hierarkie dhe përcaktuesi kryesor, në mos i vetëm, i statuseve sociale. Sipas meje jo rastësisht, por bash si vazhdimësi e fenomenit që krijoi Bllokun e vjetër, në komplekset e vilave të Bllokut të ri, të shoqërisë së sotme, ku kulturës së saj autoritare e të pushteti të personave e klaneve i është bashkuar edhe kultura konsumiste, gjen një mpleksje paradoksale të njerëzve të pushteteve që në një demokraci duhet të jenë të ndara, siç janë  vilat e pushtetarëve politikë, atyre financiarë, të gjyqësorit  atyre mediatike e shoqërisë civile madje edhe të atyre të botës së krimit, ku dhe vetë rrethimet me mure më shumë se nevojë mbrojtjeje janë shenja statusi.
Dhe jo rastësisht në këto shoqëri njohim edhe përmbysje të forta e të dhunshme të statuseve sociale. (Panorama, 29 korrik 2014)

Saturday, July 19, 2014

Reforma në drejtësi dhe krimi në Parlament



Kryefjala e luftës politike që zhvillon sot maxhorancës është reformimi i drejtësisë. Në retorikën e saj ajo duket e vendosur të luftojë kundër korrupsionit duke i shpallur luftë, për këtë, një drejtësie të korruptuar si simbol i së cilës po shërben së fundmi gjyqtari Gjin Gjoni. Maxhoranca duket se ka edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve për këtë.
Ndërkaq, kryefjala e luftës që po bën opozita është denoncimi i faktit se qoftë Parlamenti shqiptar qoftë administrata po njohin një rritje dramatike të numrit të njerëzve me të kaluar kriminale, çka, sipas saj, po e bën gjithnjë e më të frikshme këtë maxhorancë në rreziqet që ajo paraqet për lirinë dhe demokracinë.  Së fundi ajo denoncoi edhe faktin se deputeti i PS-së Arben Ndoka  është i dënuar nga gjykata italiane për prostitucion dhe rrëmbim personi - pas sulmit fizik që ky i bëri deputetit Strazimiri që përsëriti këto akuza në Parlament.
A janë të vërteta këto akuza të ndërsjella ku vërtetësia e së dytës përjashton mundësinë e kryerjes së të parës? Sipas meje, në mos plotësisht, ato janë aq të vërteta sa të konsiderohen shqetësime të mëdha që nuk po përballohen, ashtu siç duhet, si nga njëra palë edhe nga tjetra, por edhe nga e gjithë shoqëria. Le t’i referohemi ngjarjes së goditjes së deputetit të PD Strazimiri nga dy deputetë socialistë fill pasi ai foli për mbushjen e Parlamentit nga PS me kontigjentë të krimit. Është një ngjarje që na bën të ndjehemi dëshpërimisht të dëshpëruar. Dhe na bën të ndjehemi kështu jo vetëm gjysma e parë skandaloze e filmit me grushte, por i tërë filmi. Me një anë ne u njohëm me faktin tronditës se një deputet i maxhorancës qenkërka një trafikant prostitutash i dënuar për këtë, si dhe për rrëmbim personi, nga gjykatat italiane, e që, megjithatë s’e ka problem jo vetëm të hyjë në politikë, por edhe të çohet e të godasë fizikisht në Parlament një deputet të opozitës. Por na la pa gojë edhe fakti që nxori ky njeri si mbrojtje: se në kohën e Berishës, deri në mars të vitit 2013, paska qenë drejtor i rëndësishëm në administratën e tij. Çdo shqiptar, sado naiv e budalla të jetë, nuk mund të mos ngrejë pyetjen: po pse është zgjedhur ky njeri në poste kaq të rëndësishme për të na e bërë shtetin më të drejtë apo më të padrejtë? Ne kërkojmë një përgjigje për këtë si nga ish Kryeministri ashtu edhe nga Kryeministri.
Paradoksi i madh që lind duke parë këtë ngjarje e më në tërësi duke ndjekur konfliktin maxhorancë opozitë është: a mundet të presim ne një drejtësi më të mirë, në një vend ku forcat politike që drejtojnë vendin  kanë ardhur duke u pasuruar me kriminelë në gjirin e tyre; a mund të guxojë shoqëria të flasë me zë më të fortë për drejtësi kur ndodhet nën një kërcënim të tillë? Me fjalë të tjera, a mund t'i besojmë ne Kryeministrit se e ka kaq për zemër drejtësinë kur e shohim që s’ngurron të fusë në Parlament njerëz përpara të cilëve Gjin Gjoni i korruptuar duket si engjëll e që të bëjnë të mendosh se Lazarati i vërtetë është Parlamenti shqiptar. Sepse drejtësia e akuzuar prej tij mund t'i thotë se ajo, të paktën, e ka dënuar këtë njeri kurse ky i ka varur mëlçitë në qafë. Dhe a mund të mos rikujtojmë ne, me këtë rast, se një njeri, që sipas vetë Edi Ramës, “duhej të largohej” si “plaçkitës i shqiptarëve” është ngritur mu në krye të këtij Parlamenti pas marrëveshjes që ky ka bërë me të me ndërmjetësinë e një njeriu të dënuar edhe ai nga drejtësia?
Sigurisht që nuk mund të besojmë. Lufta që po bën sot PS-ja, me të gjitha taborret e veta mediatike në emër të drejtësisë ashtu si dhe kundërsulmi i opozitës me akuzat se krimi po kap shtetin janë në vazhdën e fasadës që i kanë ofruar shqiptarëve, tash njëzet e ca vjet, ndërkohë që prapa saj gëlon lufta për kontroll të territorit, krimi, korrupsioni dhe padrejtësia. Këta njerëz nuk kanë lidhje me drejtësinë pasi kanë bërë pakt, prej kohësh, me padrejtësinë. Madje, sipas meje, edhe një kategori individësh në Parlament e administratë që të thonë se nuk hanë e pinë dreka e darka me kriminelë, e që, në mbështetje apo duke heshtur ndaj kësaj maskarade, flasin rrjedhshëm anglisht me ndërkombëtarët, nuk janë jashtë këtij pakti. Minimalisht ata duhet të turpërohen, kur shohin skandale të tilla si ai i fundit në Parlament, sepse me anglishten e tyre shërbejnë thjesht si gjethe fiku për ata që vazhdojnë ta shikojnë shtetin dhe sistemin e drejtësisë në funksion të pushtetit të plaçkitësve, kriminelëve dhe vrasësve që po na trokasin gjithnjë e më fort në derë.
Thënë kjo, gjithsesi, në këtë debat të ndezur nuk mund të mungojë pyetja: mos vallë edhe kundër vullnetit të politikanëve në fjalë kjo retorikë dhe kjo luftë që bëjnë këta mund të na çojë ndonjë hap para drejt përmirësimit të drejtësisë. Megjithë skepticizmin dhe zhgënjimet e shumta unë them se jemi të dënuar të mendojmë për drejtësinë dhe nevojën e forcimit të saj. Por pikërisht mosbesimi më një anë dhe nevoja për reforma, aq e nevojshme në drejtësi, që duket sikur e imponon koha, më anë tjetër, duhet të na shtyjnë ta shohim dhe trajtojmë reformën si një punë jo vetëm e tyrja dhe për hesapet e tyre, por edhe e gjithë shoqërisë. Pra ky debat që është hapur lidhur me drejtësinë nuk duhet të lerë jashtë shoqërinë, njerëzit e drejtësisë, më së pari, por edhe të medies, të shoqërisë civile etj.
Ky shkrim synon të hedhë ndonjë ide, në kontekstin që po jetojmë, se si drejtësia të hedhë, nëse mund ta hedhë, ndonjë hap përpara.
Ideja e parë që dua të shpreh është kjo: Kur themi drejtësia nuk duhet të kemi parasysh vetëm gjyqtarët, siç duket se po reduktohet debati. Duhet të kemi parasysh tërë atë sistem institucionesh që është i ngarkuar për ta zbuluar e çuar krimin dhe korrupsionin në bangon e gjyqësorit. Pra duhet të kemi parasysh edhe policinë edhe prokurorinë edhe gjyqësorin. Vrasja së fundi e bankierit Artan Santo është emblematike në këtë drejtim. Drejtësi në rastin e tij do të thotë të gjinden vrasësit dhe motivet e tyre të vrasjes si dhe të kryhet ndëshkimi i tyre. Kjo punë filloi keq duke nisur që nga policia të cilës nuk i punuan motorët se s’kishin benzinë; vazhdoi keq me prokurorinë që mbajti dy javë brenda dy të pafajshëm duke humbur mes tjerash edhe kohë e energji dhe vazhdoi edhe me gjyqtarët që i mbajtën këta brenda padrejtësisht. Sigurisht me shpenzimet tona.
Së dyti, nëse duam hapa para duhet të mos përsërisim një gabim që e kemi bërë më shumë se një herë. E kam fjalën për faktin se kur i kemi dhënë votën një partie opozitare për të ardhur në pushtet kemi menduar se ajo do të verë në vend edhe padrejtësitë që na ka bërë tjetra. Ne ia dhamë votën PS-së në 97-tën me shpresën se ajo do të bënte drejtësi për piramidat mashtruese e gjithë çfarë kishte ndodhur me qeverisjen e parë Berisha. Nuk e pamë një gjë të tillë, përkundrazi pamë një sofistikim të sistemit të korrupsionit e të pandëshkueshmërisë. Ne ia dhamë votën Berishës më 2005 pikërisht pse pandehëm se ai do t’i dërrmonte “Baronët e drogës”, “klanet e Zemunit”, se do t‘i zëvendësonte prokurorët që “flinin mbi dosjet e krimit” me prokurorë të ndershëm, aktivë e të pavarur. Por pamë Gërdecin dhe 21 Janarin të pandëshkuar, krimin që u zgjua edhe më, kurse prokurorët e gjyqtarët ashtu si dhe policët, të hanin e pinin me të. Tani kemi një Kryeministër që në emër të fitores përsëri kërkon të na identifikohet me prurësin e drejtësisë a thua se i kemi dhënë votën edhe të kryeprokurorit e të kryegjyqtarit. Ajo që vihet re në gjuhën e Kryeministrit, ashtu sikurse në gjuhën e ishit të tij, që bërtiste kundër prokurorëve që flinin mbi dosje pa bërë asnjë përpjekje serioze për të reformuar drejtësinë është prirja për ta identifikuar veten me drejtësinë, llafet e përgjithshme pa asnjë projekt serioz konkret. Duket sikur më së shumti synimi i Kryeministrit është që të verë njerëzit e tij në drejtësi, të godasë ndonjë oligark apo ndonjë të korruptuar, ashtu sikurse ka shembur ndonjë pallat, sa për të krijuar imazhin tek ndërkombëtarët se ai ka vullnet të mirë ndërkohë që brenda vendit justifikon paturpësisht deputetët e krimit duke thënë se ishte gjuha e dhunshme e opozitës që provokoi aktet e dhunshme - çka mund të përkthehet: mbyllni gojën, se përndryshe ju pret dhuna.
Jo, sipas meje drejtësia nuk vjen dot nga pushtetarët e radhës. Rrugët për të forcuar drejtësinë duhet të jenë të tjera dhe duhen kërkuar ndryshe. Dhe në kërkimin e këtyre rrugëve një gjë më duket se duhet të kemi të qartë. Politika më shumë e dëmton sesa e forcon drejtësinë prandaj na duhet një drejtësi gjithnjë e më e lirë nga politika dhe jo e kontrolluar prej saj.
Sistemi ynë i drejtësisë ka dy probleme: së pari korrupsionin endemik nëpërmjet të cilit shumë individë që punojnë në të e shohin punën që kanë si mjet pasurimi personal nëpërmjet vjeljes së ryshfeteve qytetarëve; së dyti, pafuqinë e këtij sistemi për të goditur korrupsionin që na godet nëpërmjet vjedhjes së parave publike si dhe, më në përgjithësi, për të bërë të funksionojë shteti i së drejtës. Sipas meje, edhe pse këto dy forma korrupsioni të drejtësisë vështirë se mund të ndahen, nëse do të përcaktonim prioritete problemi i dytë është më i rëndi dhe ai që duhet ndrequr i pari. Kjo do të thotë, pra, se reformat para së gjithash duhet të synojnë një drejtësi sa më të pavarur nga politika sepse është korruptimi i drejtësisë nga politika, nëpërmjet garantimit të pandëshkueshmërisë së politikanëve, ai që e ndihmon dhe garanton pastaj korrupsionin e drejtësisë në kuptimin e parë, atë të marrjes ryshfete. Po të ndjekësh ngjitjen në nivelet më të larta të drejtësisë të shumë të përfolurit Gjin Gjoni do të vesh re se ai e ka karrierën e tij nga politikanët.
E përsëris, e vërteta e provuar këta njëzet vjet e kusur është se, në thelb, politikanët tanë nuk e duan një drejtësi të pavarur e të pakontrolluar prej tyre, ashtu sikurse nuk duan edhe një media të pavarur e të pakontrolluar prej tyre,  ashtu sikurse nuk duan edhe një shoqëri civile të pavarur e të pakontrolluar prej tyre; përkundrazi, i duan të kapur e korruptuar prej tyre. E duke pasur parasysh këtë hapat e hedhur duhet të jenë të tillë që të sigurojnë sa më shumë pavarësi të drejtësisë nga politika. Presioni duhet ushtruar që reformat e votuara prej tyre të garantojnë sa më shumë pavarësi. Nuk marr këtu përsipër të sugjeroj gjëra që njihen nga specialistët e drejtësisë shumë më mirë nga unë, por po ngre shqetësimin se prirja nuk më duket kjo. Sepse, sipas meje, një reformë e tillë duhet të kryhet së bashku me opozitën dhe me aktorë të tjerë dhe jo vetëm, madje kundër të tjerëve, siç po duken bathët. Për shembull, një reformë serioze në drejtësi duket se duhet domosdo të prekë edhe Kushtetutën pasi gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, që mund të shërbejnë si një filtër shumë i rëndësishëm për gjykatat më të ulëta, zgjidhen nga parlamenti vetëm me maxhorancë të thjeshtë. Nuk do shumë mend se nëse duam gjyqtarë më të pavarur ashtu sikurse edhe president, dmth. Kryetar KLD-je të tillë, këta do të ishte më mirë të zgjidheshin me tre të pestat. E kjo kërkon ndryshim kushtetues që ta  do mendja se duhet bërë së bashku. Dikush do të thotë se me këtë konfliktualitet që kemi ne dhe me këtë opozitë bllokuese kjo nuk mund të arrihet kurrë. E vërtetë, por sipas meje më mirë hapa më të ngadalshëm e të sigurt sesa akte të forta konfliktale. Aq më tepër kur përditë dalin akuza që provojnë se ata që do të bëjnë reformën në mënyrë konfliktuale vetëm me drejtësinë nuk kanë lidhje.
E këtu vijmë në një pikë tjetër: atë se reforma në drejtësi nuk duhen parë kurrsesi e veçuar nga ecja e institucioneve të tjera, se këtu bëhet fjalë për ecjen e një flote dhe jo të një anijeje të vetme. Pra, nuk mund të ecë anija e drejtësisë përpara kur anija e politikës, anija e medies, anija e shoqërisë civile, anija e ekonomisë lundrojnë në drejtim të kundërt apo qëndrojnë në vend.
Edhe ky këndvështrim nuk mund të mungojë në debatin për drejtësinë që ai të mund të sjellë një reformë vërtet legjitime. (Panorama, 17 korrik 2014)



Thursday, July 10, 2014

Jo vetëm kush dhe si, por edhe pse u vra Santo


U bënë rreth dhjetë ditë nga vrasja e Artan Santos dhe ngjarja tashmë thuajse është harruar nga pikëpamja e interesit publik që ajo paraqet. Nuk e kam fjalën për punën e Prokurorisë, por për atë vetinë e shoqërisë shqiptare për t'i thënë vetes: "S'ka ç'të duhet.", "Mos e vrit mendjen", "Ai gjarpër që s'të kafshon ty rroftë 110 vjet." Dhe them se ata që kanë organizuar vrasjen e kanë njohur mirë këtë mendësi, por edhe diçka tjetër: Ma do mendja, se ata kanë zgjedhur jo rastësisht kohën e "Kampionatin Botëror të Futbollit" kur shqiptarët i ke të gjithë të qorrollepsur para ekraneve të panumërta të të gjitha madhësive, duke ndjekur ndeshjet në një proces trushpëlarjeje përzierë me adrenalinë bixhozi që mund të them se nuk ia gjen shoqin në botë. “Nëse në një sistem, iluzioni me format e tij spektakolare arrin deri atje sa të mbizotërojë ndaj realitetit, kjo tregon se i gjithë rendi social është në një krizë të thellë” - thotë Debord. Ne jemi rasti më ekstrem i një shoqërie të arratisur nga realiteti nëpërmjet iluzionit dhe spektaklit. Edhe vetë tragjedia e Santos menjëherë u kthye në spektakël në funksion të arratisjes nga realiteti.

***     
Në deklarimet e pakta që u bënë fill pas vrasjes më tërhoqi  vëmendjen ai i Jozefina Topallit e cila e krahasoi me vrasjen e Azem Hajdarit, duke e quajtur si më e rënda pas asaj. Kjo personalisht më kujtoi edhe diçka: Për vrasjen e Azemit ne dimë detajet më të hollësishme, madje me minuta nga pikëpamja kronologjike, se si lëvizën vrasësit, se si u krye vrasja, cilët qenë ekzekutuesit, etj. por ajo që s'kemi të qartë edhe sot janë motivet. Sali Berisha e Jozefina Topalli na thanë se atë e vrau Fatos Nano. Me këtë akuzë organizuan edhe një "puç' apo "grusht shteti" duke pushtuar edhe zyrat e Kryeministrisë dhe të TVSH-së. Por disa vjet më vonë thanë se akuzat e tyre ndaj Nanos  kishin qenë për efekte elektorale. Spektakël politik dhe mediatik me një fjalë. Edhe prokurorët dhe gjykatat, nuk na i dhanë motivet, por vetëm dinamikën e vrasjes. Motivet qarkullojnë në "media" që mbetet ende më e lira, por edhe më paranojakja e më e papërgjegjshmja në Shqipëri: ajo e bisedave të kafeneve midis njerëzve, që tani është transferuar edhe në rrjetet sociale, duke u shndërruar edhe ajo gjithnjë e më shumë në iluzion e spektakël.
 Sigurisht dikujt nuk i ka interesuar të zbulojë deri në fund motivet e vrasjes së Azem Hajdarit. Dhe ky dikush, sipas meje, është elita jonë politike, ekonomike, mediatike që kontrollon edhe drejtësinë duke i dhënë sinjale të qarta se deri ku duhet t'i fusë hundët e duart. Nuk dua këtu të shes të vërteta pa pasur mjetet për t'i provuar, por nuk mund të mos them se, sipas meje, motivet e vrasjes nuk kanë qenë fort të lëvdueshme përderisa u mbajtën të fshehura. Dhe kjo jo thjesht për interes të të vdekurit, por për interes të të gjallëve.
Të njëjtën ndjesi kam edhe për vrasjen e Santos ndoshta me ndryshimin se përpjekjet për të mbuluar motivet nëpërmjet spektaklit politik kësah here janë më të dobëta.  Nuk se mungojnë akuzat depistuese se e vrau kundërshtari, por s'janë aq të forta.  Para disa ditësh pati një përplasje midis eksponentësh të opozitës dhe ministrit Tahiri. Ata të opozitës akuzuan se kohët e fundit janë vrarë 13 biznesmenë dhe nuk u është gjetur vrasësi dhe as motivi, kuptohet. Tahiri u përgjigj se nëse ju quani biznesmenë ata që pastrojnë para të pista kjo është puna juaj, duke nënkuptuar se këto vrasje janë larje hesapesh brenda grupesh kriminale. Të nesërmen RD e hapi faqen e parë me akuzën se qeveritarët edhe e lëvduan Santon edhe e akuzojnë për pastrues parash. Në fakt ministri nuk e kishte për Santon, por ajo që ndjehet nëpër ajër është se të dy palët nuk duan të thellohen. Ajo që bije në sy tek opozita është se asaj i pëlqen vetëm të akuzojë, por jo të analizojë dhe reflektojë sadopak mbi atë se si dhe pse gjatë qeverisjes së tyre është rritur kaq shumë numri i njerëzve ndaj të cilëve mund të ketë motive për t'i vrarë. Kurse tek maxhoranca dominon gjetja e alibisë në bëmat e paraardhësve, pa munguar edhe premtimet mbi një fillim të ri, - por pa pikë reflektimi e besueshmërie se ndonjë gjë do të ndryshojë. 
Përgjithësisht klasa jonë politike, e biznesit, por edhe ajo mediatike, e vlerësoi Santon si një njeri me kontribute të mëdha gjatë këtyre njëzet vjetëve. Me këtë, sipas meje, ajo sikur u mbylli dyert analizave dhe reflektimeve problematizuese, jo për Santon, por për atë vetë. Sepse duhet thënë se, megjithë fjalët e mira që dëgjojmë për Santon nga ata që e kanë njohur,  - ku kuptohet se ka edhe shumë hipokrizi - kjo e tija nuk është historia e qartë e vrasjes së një njeriu të institucioneve nga mafia siç janë vrarë, psh. Falcone apo Borselino apo gazetari Giusepe Fava në Itali. Kjo është historia e paqartë e vrasjes së një bankieri, biznesmeni dhe pronari mediesh - me një fjalë të një oligarku nga ata që kemi shumë në Shqipëri - i cili, ashtu siç janë korkolepsur tek ne punët, ku nuk dallon më se ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti, në një mënyrë apo në një tjetër ka pasur lidhje sa me njerëzit e politikës së madhe aq edhe me njerëz nga ata që janë në gjendje edhe të paguajnë vrasës për ta vrarë.
Është thënë se Prokuroria po skarton një nga një pistat duke arritur në ato më të mundshmet. Nëse pistat që po krasit Prokuroria mund të krahasohen me degët e një peme dhe ato të krasiturat nuk na interesojnë për hetimin,  gjykoj se ato janë shumë domethënëse për njohjen e sistemit tonë oligarkik. Sepse ato pista nuk janë ngritur më kot. Ato janë, si të thuash, degë që të çojnë tek rrënjët e këtij sistemi; çka do të thotë se i gjithë degëzimi na ndihmon për ta njohur - për ta ndryshuar pastaj - këtë sistem që prodhon kaq shumë vrasje.
Dhe teza ime e këtij shkrimi është se ne duhet ta zbulojmë këtë "pemë", përtej "degës" që mund të na zbulojë Prokuroria se si dhe kush e vrau Santon. Duhet të kërkojmë "pse" - në. Në fakt ne do të duhej ta kishim bërë me kohë këtë, me rastet e vrasjeve të shumnta para kësaj, sepse në këtë mënyrë mund ta kishim shpëtuar jetën e Santos, por duhet ta bëjmë sot për të shpëtuar jetë të tjera gjithashtu.
Për ta ilustruar po marr vetëm një nga pistat, ndoshta më të përfolurën. E përsëris: këto më poshtë janë thjesht reflektime në funksion të interesit publik, dhe jo sugjestion për hetuesit, që jam i bindur se dinë shumë më tepër sesa unë.
Pista më e përfolur është ajo se kemi të bëjmë me hakmarrjen apo paralajmërimin e mafies apo biznesmenëve azerë, pasi banka Credins  u ka bërë ca hile që lidhen me privatizimin e Armos.  Në këtë aferë qindra milionëshe - në thelb e luajtur në kurriz të shqiptarëve - thuhet se janë përfshirë shumë aktorë: qeveritarë, biznesmenë shqiptarë dhe të huaj,  bankierë, por edhe gazetarë. Them gazetarë pasi kush ndjek shtypin ka vënë re se mbi këtë aferë ra një heshtje investigative  e pashoqe, nga mediet e të dyja llogoreve dhe, sipas zërave që qarkullojnë nëpër korridoret e medieve, kjo ndodhi sepse mediet apo gazetarë të veçantë të tyre u paguan për të heshtur me sponsorizime nga Credins apo me para të thata në dorë.
E përsëris, mund të mos jetë kjo pista e vrasjes, por është një pistë që është marrë në shqyrtim si një aferë që mund të çojë deri në vrasje dhe kjo pistë do të duhej të na nxiste fuqimisht të flisnim e hetonim mbi shumëçka që lidhet me sistemin tonë. A nuk ka ardhur koha që t'i rikthehemi edhe një herë diskursit mbi konfliktin e interesave që sikur është harruar fare? Si ka mundësi që nuk flitet fare për faktin se rëndom tek ne një biznesmen, mund të jetë njëherësh edhe bankier edhe ndërtues edhe pronar mediesh edhe deputet (po të përdorim fjalët e Tahirit edhe pastrues parash të pista) dhe ne ta konsiderojmë këtë normale? Unë gjykoj se nëse ne do të kishim folur e shkruar më hapur për këto raste në media, që do të duhej të kishin qenë të pavarura nga interesat e pronarëve të tyre, të gjithë aktorët rrezikues apo të rrezikuar do të kishin qenë më të survejuar, por edhe më të mbrojtur nga shteti njëherësh. Po ashtu, sikur privatizimet të mos bëheshin në mënyrë korruptive dhe jotransparente dhe me konflikte interesash dhe opozita të ngrinte zërin dhe drejtësia të nxiste hetime, sikur të gjitha institucionet, pra, të kishin kryer detyrën që u ngarkon ligji i shkruar dhe ligji moral, ne do të kishim shpëtuar edhe jetën e Santos, e shumë jetë të tjera përveç interesit publik.
Sigurisht kjo situatë mund të çojë edhe një numër individësh në dyert e drejtësisë e të burgjeve, por kjo është rruga për të mos jetuar në një shoqëri vetëgjyqësie ku, ndërkohë që kemi hequr dënimin me vdekje edhe për kriminelët më të egër, brenda disa muajsh kemi 13 vrasje të pazbuluara ku edhe më i keqi syresh nuk meriton t'i ikë jeta ashtu siç i iku Santos. (Panorama, 8 korrik 2014)

Wednesday, July 2, 2014

Disa mendime mbi statusin

Pyetja "ç'mendim ke për statusin,  a duhej dhënë apo jo?" vazhdon të bëhet si nga të huajt dhe nga shqiptarët. Po shkruaj edhe unë mendimin tim.

Pse u dha statusi

Gjykoj se statusi u dha kryesisht për disa arsye që nuk kanë të bëjnë thjesht e vetëm me gjendjen e Shqipërisë.
Në nivel kontinenti një arsye, sipas meje, ishte nevoja e vazhdimit të projektin evropian në këtë periudhë krize për idenë e Evropës së Bashkuar. Brukseli pra sikur donte të jepte edhe një mesazh vetinkurajimi. Dhe, gjithë në këtë kontekst, në nivel rajonal Shqipëria nuk mund të mbetej jashtë e vetme. Kjo krijonte një anomali.
Duke e parë pastaj, nga jashtë brenda situatën në Shqipëri sipas meje evropianët nga një vështrim pragmatist kanë menduar se dhënia e statusit ishte e keqja më e vogël në raport me mosdhënien. Ata kanë menduar se një mosdhënie e statusit do ta bënte opozitën tejet agresive dhe destruktive, kurse në këtë moment që u dha statusi opozita mund të pretendojë se ka edhe ajo meritat e veta e, duke parë mbështetjen që ka qeveria, të bëhet disi më e urtë e më bashkëpunuese. Po ashtu, një mosdhënie e statusit do të dekurajonte edhe elementë brenda maxhorancës që, gjithsesi, e kanë një motivim për të bërë diçka. Kurse, duke mos dhënë statusin, evropianët do të binin në një mendje me shumë shqiptarë të dekurajuar që të thonë: "Ky vend nuk bëhet."
Pra statusi duhej për të mbajtur gjallë, si për evropianët edhe për shqiptarët, utopinë e Evropës e cila (utopia), siç thuhet, shërben për të ecur ose më saktë për të pasur një drejtim për nga ecën.

A e meritojmë statusin

Përtej këtyre argumenteve të "po'-së pyetja që shtohet është: a e meritojmë objektivisht statusin? Kjo pyetje lidhet me përgjigjen që duhet t'i japim pyetjes: a ka bërë progres apo ka bërë regres Shqipëria gjatë këtyre viteve. A ndjehen shqiptarët sot më mirë, le të themi, se dhjetë vjet më parë?
Kjo është një pyetje të cilës, sipas meje, duhet t'i qasemi duke vënë në dyshim mitin e progresit, idenë se gjithsesi ecet vetëm përpara ndonëse diku më shpejt dhe diku më ngadalë. Historia na ka treguar se ka edhe projekte të gabuara që kanë përcaktuar drejtime të gabuara ecjeje për një kohë të gjatë e që kanë sjellë, madje, edhe katastrofa. Po ashtu duhet vënë në dyshim edhe ideja se ka vende që njohin vetëm progres me të cilët ne identifikojmë demokracitë perëndimore pasi  edhe në këta vende sot vëmë re kriza të rënda. Për ilustrim të çka thashë më sipër mjaft të kesh parasysh se ç'po ndodh në Irak apo faktin se në vende si Italia, Greqia, por edhe Franca apo Spanja e Portugalia mbizotëron ndjenja e një regresi të fortë.
Duke pasur parasysh këto dhe realitetin shqiptar unë gjykoj se është e vështirë të thuash se Shqipëria ka bërë progres gjatë këtyre viteve.
Por, le t'i marrim me radhë disa tregues kryesorë me të cilët mund të matet progresi.
Së pari, ekonomia. A ka ndryshuar për më mirë ajo gjatë këtyre viteve? Duke mos mohuar disa zhvillime pozitive, veçanërisht në bujqësi dhe turizëm aty këtu, si dhe në ndërtimin e rrugëve, personalisht fakti që Shqipëria gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një territor ku tentohet të mbillet kanabis është shenjë e dukshme falimentimi ekonomik. Është i panumërt numri i atyre që të thonë sot se me zhdukjen e ekonomisë së drogës niveli i papunësisë në vend, edhe kështu në rritje, do të njohë rritje të jashtëzakonshme. Mjafton kjo për të venë në dyshim progresin ekonomik. I duhet shtuar kësaj note pesimiste edhe faktin se e ashtuquajtura rritje e GDB (që sot nuk njihet më si tregues mirëqenieje) është kryer gjatë këtyre vjetëve mbi bazën e një shfrytëzimi të egër dhe të paskrupullt të territorit për përfitimet e një grupi të vogël njerëzish në kurriz të gjithë të tjerëve dhe duke mos hedhur kurrsesi themelet e një ekonomie të qëndrueshme.
Së dyti, çfarë mund të thuhet lidhur sistemin politik të përfaqësimit prej nga del edhe klasa politike? A ka ardhur duke u përmirësuar klasa jonë politike dhe a është ajo gjithnjë e më shumë përfaqësuese e interesave të sa më shumë shqiptarëve apo ka ndodhur e kundërta? Sipas meje kemi një klasë politike gjithnjë e më të kriminalizuar në krahasim dhe dhjetë vjet më parë dhe këtë e provon edhe niveli i Parlamentit që kemi sot. Po ashtu kemi një klasë politike gjithnjë e më shumë përfaqësuese të një pakice oligarkësh, deri  edhe të krimit të organizuar
Së treti, mund të merret në analizë se a kemi më shumë apo kemi më pak besim tek institucionet e rëndësishme shtetërore si drejtësia psh. Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje po mjaftohem të sjell deklaratën e Kryeministri Rama se drejtësia është Lazarati i vërtetë i Shqipërisë.
Së katërti, a mund të thuhet se kanë bërë përpara mediet shqiptare? Sipas meje jo. Mund të flitet për përparime teknologjike,  por niveli i medieve, përsa i përket informimit dhe formimit të publikut, ka përjetuar një degradim. Zor të dëgjosh sot njeri - ndoshta përveç atyre që kanë interesa të lidhura me mediet - që të të thotë se respekti për mediet, për personalitetin dhe profesionalizmin e gazetarëve është më i lartë se para dhjetë vjetësh. 
Së pesti, mund të shtrohet pyetja nëse ka bërë përpara sistemi arsimor, niveli i edukimit të njerëzve. Edhe këtu, jo vetëm përsa i përket nivelit të arsimit të lartë, që këta vitet e fundit, me universitetet private ka njohur deri edhe fenomenin e paparë të shitblerjes së diplomave pa ndjekje mësimi, por duke filluar që nga arsimi i ulët e i mesëm vështirë të gjesh sot njerëz që mund të të flasin për progres, që mund të të thotë se edukimi dhe figura e pedagogut kanë njohur ngritje dhe jo degradim në këtë vendin tonë. Madje puna ka arritur deri atje sa shumica e shqiptarëve mendojnë se arsimimi, në shumë aspekte, hiq atë të ideologjizimit, është shumë më keq se në kohën e diktaturës.
Mund të merrja në analizë edhe tregues të tjerë si psh a kemi një rritje apo rënie të korrupsionit, të krimit, të papunësisë, por nuk po zgjatem.
Personalisht nga sa kam mundur të hulumtoj duke venë edhe në dyshim pesimizmin personal, më rezulton se po të pyesësh shqiptarët se si ndjehen në tërësi - më mirë apo më keq, më të kënaqur apo më të pakënaqur, më të lumtur apo më të palumtur, më me shpresë apo më me pak shpresë  sesa dhjetë vjet më parë të përgjigjen se ndjehen më keq.
Kjo sipas meje vjen pasi drejtimi për nga kemi ecur, edhe pse duke pasur një vështrim drejt Evropës, nuk është drejtimi i Evropës. Shqiptarët pra i ngjasojnë atij që, gjithë duke parë Evropën, ecën në një drejtim tjetër, edhe mbrapsh në shumë aspekte. Dhe kjo e ka një arsye. Elitës politike ekonomike që është edhe instrumenti kryesor që ve në lëvizje vendin e me të cilin manipulojnë edhe evropianët me politikën e shkopit dhe karotës, thellë thellë nuk i intereson hyrja në Evropë. Sepse tek e fundit kjo do të thotë instalim i shtetit të së drejtës që më konkretisht do të thotë që pushteti nga duart e tyre të shkojë në "duart" e së drejtës, ligjit. E në këtë mënyrë ata kanë tërhequr zvarrë një popull të tërë në drejtimin e kundërt nga Evropa. Vrasja fill pas dhënies së statusit, mu në mes të ditës, njëqind metra larg selisë së Kryeministrisë dhe pesëdhjetë metra larg Zyrave të Kuvendit  e bankierit, biznesmenit dhe pronarit të medieve Artan Santo  ishte një ngjarje që, po ta rrëmosh, flet shumë për këtë ecje mbrapsht.
Dhe këtu, sipas meje, vjen pika e dobët e dhënies së statusit, "por"-i madh. A duhej dhënë statusi po të kesh parasysh se në një farë mënyre ai e legjitimoi këtë elitë politike ekonomike ndërkohë që ajo meriton të ndëshkohet? Po të kesh parasysh këtë aspekt sigurisht që jo.
Pra, nëse do të tentojmë të bëjmë një sintezë midis argumenteve të "po"-së dhe atyre të "jo"-së si përfundim, do të thoja këtë gjë: Nëse dhënia e statusit për perëndimorët  mund të konsiderohet karota e radhës që tani duhet t'i lerë vendin përdorimit me mençuri të shkopit të radhës, ne këtu brenda, nuk duhet thjeshtë të hamë e reklamojmë karotën duke vazhduar të bëjmë hapa prapa. Përgjigja që duhet të jepet sipas meje lidhur me statusin është një "po", të cilës i duhet shtuar një "por" i madh nga prapa mbi të cilin gjithkush duhet të reflektojë sipas vendit që ka ne punë e shoqëri. (Panorama, 30 qershor 2014)