Kryefjala e luftës politike që
zhvillon sot maxhorancës është reformimi i drejtësisë. Në retorikën e saj ajo
duket e vendosur të luftojë kundër korrupsionit duke i shpallur luftë, për këtë,
një drejtësie të korruptuar si simbol i së cilës po shërben së fundmi gjyqtari Gjin
Gjoni. Maxhoranca duket se ka edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve për këtë.
Ndërkaq, kryefjala e luftës që po
bën opozita është denoncimi i faktit se qoftë Parlamenti shqiptar qoftë
administrata po njohin një rritje dramatike të numrit të njerëzve me të kaluar
kriminale, çka, sipas saj, po e bën gjithnjë e më të frikshme këtë maxhorancë në
rreziqet që ajo paraqet për lirinë dhe demokracinë. Së fundi ajo denoncoi edhe faktin se deputeti i PS-së Arben
Ndoka është i dënuar nga gjykata
italiane për prostitucion dhe rrëmbim personi - pas sulmit fizik që ky i bëri
deputetit Strazimiri që përsëriti këto akuza në Parlament.
A janë të vërteta këto akuza të
ndërsjella ku vërtetësia e së dytës përjashton mundësinë e kryerjes së të parës?
Sipas meje, në mos plotësisht, ato janë aq të vërteta sa të konsiderohen shqetësime
të mëdha që nuk po përballohen, ashtu siç duhet, si nga njëra palë edhe nga
tjetra, por edhe nga e gjithë shoqëria. Le t’i referohemi ngjarjes së goditjes
së deputetit të PD Strazimiri nga dy deputetë socialistë fill pasi ai foli për
mbushjen e Parlamentit nga PS me kontigjentë të krimit. Është një ngjarje që na
bën të ndjehemi dëshpërimisht të dëshpëruar. Dhe na bën të ndjehemi kështu jo vetëm
gjysma e parë skandaloze e filmit me grushte, por i tërë filmi. Me një anë ne u
njohëm me faktin tronditës se një deputet i maxhorancës qenkërka një trafikant
prostitutash i dënuar për këtë, si dhe për rrëmbim personi, nga gjykatat
italiane, e që, megjithatë s’e ka problem jo vetëm të hyjë në politikë, por
edhe të çohet e të godasë fizikisht në Parlament një deputet të opozitës. Por
na la pa gojë edhe fakti që nxori ky njeri si mbrojtje: se në kohën e Berishës,
deri në mars të vitit 2013, paska qenë drejtor i rëndësishëm në administratën e
tij. Çdo shqiptar, sado naiv e budalla të jetë, nuk mund të mos ngrejë pyetjen:
po pse është zgjedhur ky njeri në poste kaq të rëndësishme për të na e bërë
shtetin më të drejtë apo më të padrejtë? Ne kërkojmë një përgjigje për këtë si
nga ish Kryeministri ashtu edhe nga Kryeministri.
Paradoksi i madh që lind duke parë
këtë ngjarje e më në tërësi duke ndjekur konfliktin maxhorancë opozitë është: a
mundet të presim ne një drejtësi më të mirë, në një vend ku forcat politike që
drejtojnë vendin kanë ardhur duke
u pasuruar me kriminelë në gjirin e tyre; a mund të guxojë shoqëria të flasë me
zë më të fortë për drejtësi kur ndodhet nën një kërcënim të tillë? Me fjalë të
tjera, a mund t'i besojmë ne Kryeministrit se e ka kaq për zemër drejtësinë kur
e shohim që s’ngurron të fusë në Parlament njerëz përpara të cilëve Gjin Gjoni
i korruptuar duket si engjëll e që të bëjnë të mendosh se Lazarati i vërtetë është
Parlamenti shqiptar. Sepse drejtësia e akuzuar prej tij mund t'i thotë se ajo,
të paktën, e ka dënuar këtë njeri kurse ky i ka varur mëlçitë në qafë. Dhe a
mund të mos rikujtojmë ne, me këtë rast, se një njeri, që sipas vetë Edi Ramës,
“duhej të largohej” si “plaçkitës i shqiptarëve” është ngritur mu në krye të këtij
Parlamenti pas marrëveshjes që ky ka bërë me të me ndërmjetësinë e një njeriu të
dënuar edhe ai nga drejtësia?
Sigurisht që nuk mund të besojmë.
Lufta që po bën sot PS-ja, me të gjitha taborret e veta mediatike në emër të
drejtësisë ashtu si dhe kundërsulmi i opozitës me akuzat se krimi po kap
shtetin janë në vazhdën e fasadës që i kanë ofruar shqiptarëve, tash njëzet e
ca vjet, ndërkohë që prapa saj gëlon lufta për kontroll të territorit, krimi,
korrupsioni dhe padrejtësia. Këta njerëz nuk kanë lidhje me drejtësinë pasi kanë
bërë pakt, prej kohësh, me padrejtësinë. Madje, sipas meje, edhe një kategori
individësh në Parlament e administratë që të thonë se nuk hanë e pinë dreka e
darka me kriminelë, e që, në mbështetje apo duke heshtur ndaj kësaj maskarade,
flasin rrjedhshëm anglisht me ndërkombëtarët, nuk janë jashtë këtij pakti.
Minimalisht ata duhet të turpërohen, kur shohin skandale të tilla si ai i
fundit në Parlament, sepse me anglishten e tyre shërbejnë thjesht si gjethe
fiku për ata që vazhdojnë ta shikojnë shtetin dhe sistemin e drejtësisë në
funksion të pushtetit të plaçkitësve, kriminelëve dhe vrasësve që po na
trokasin gjithnjë e më fort në derë.
Thënë kjo, gjithsesi, në këtë
debat të ndezur nuk mund të mungojë pyetja: mos vallë edhe kundër vullnetit të
politikanëve në fjalë kjo retorikë dhe kjo luftë që bëjnë këta mund të na çojë
ndonjë hap para drejt përmirësimit të drejtësisë. Megjithë skepticizmin dhe zhgënjimet
e shumta unë them se jemi të dënuar të mendojmë për drejtësinë dhe nevojën e
forcimit të saj. Por pikërisht mosbesimi më një anë dhe nevoja për reforma, aq
e nevojshme në drejtësi, që duket sikur e imponon koha, më anë tjetër, duhet të
na shtyjnë ta shohim dhe trajtojmë reformën si një punë jo vetëm e tyrja dhe për
hesapet e tyre, por edhe e gjithë shoqërisë. Pra ky debat që është hapur lidhur
me drejtësinë nuk duhet të lerë jashtë shoqërinë, njerëzit e drejtësisë, më së
pari, por edhe të medies, të shoqërisë civile etj.
Ky shkrim synon të hedhë ndonjë
ide, në kontekstin që po jetojmë, se si drejtësia të hedhë, nëse mund ta hedhë,
ndonjë hap përpara.
Ideja e parë që dua të shpreh është
kjo: Kur themi drejtësia nuk duhet të kemi parasysh vetëm gjyqtarët, siç duket
se po reduktohet debati. Duhet të kemi parasysh tërë atë sistem institucionesh
që është i ngarkuar për ta zbuluar e çuar krimin dhe korrupsionin në bangon e
gjyqësorit. Pra duhet të kemi parasysh edhe policinë edhe prokurorinë edhe gjyqësorin.
Vrasja së fundi e bankierit Artan Santo është emblematike në këtë drejtim.
Drejtësi në rastin e tij do të thotë të gjinden vrasësit dhe motivet e tyre të
vrasjes si dhe të kryhet ndëshkimi i tyre. Kjo punë filloi keq duke nisur që
nga policia të cilës nuk i punuan motorët se s’kishin benzinë; vazhdoi keq me
prokurorinë që mbajti dy javë brenda dy të pafajshëm duke humbur mes tjerash
edhe kohë e energji dhe vazhdoi edhe me gjyqtarët që i mbajtën këta brenda
padrejtësisht. Sigurisht me shpenzimet tona.
Së dyti, nëse duam hapa para
duhet të mos përsërisim një gabim që e kemi bërë më shumë se një herë. E kam
fjalën për faktin se kur i kemi dhënë votën një partie opozitare për të ardhur
në pushtet kemi menduar se ajo do të verë në vend edhe padrejtësitë që na ka bërë
tjetra. Ne ia dhamë votën PS-së në 97-tën me shpresën se ajo do të bënte drejtësi
për piramidat mashtruese e gjithë çfarë kishte ndodhur me qeverisjen e parë
Berisha. Nuk e pamë një gjë të tillë, përkundrazi pamë një sofistikim të
sistemit të korrupsionit e të pandëshkueshmërisë. Ne ia dhamë votën Berishës më
2005 pikërisht pse pandehëm se ai do t’i dërrmonte “Baronët e drogës”, “klanet
e Zemunit”, se do t‘i zëvendësonte prokurorët që “flinin mbi dosjet e krimit”
me prokurorë të ndershëm, aktivë e të pavarur. Por pamë Gërdecin dhe 21 Janarin
të pandëshkuar, krimin që u zgjua edhe më, kurse prokurorët e gjyqtarët ashtu
si dhe policët, të hanin e pinin me të. Tani kemi një Kryeministër që në emër të
fitores përsëri kërkon të na identifikohet me prurësin e drejtësisë a thua se i
kemi dhënë votën edhe të kryeprokurorit e të kryegjyqtarit. Ajo që vihet re në
gjuhën e Kryeministrit, ashtu sikurse në gjuhën e ishit të tij, që bërtiste
kundër prokurorëve që flinin mbi dosje pa bërë asnjë përpjekje serioze për të
reformuar drejtësinë është prirja për ta identifikuar veten me drejtësinë,
llafet e përgjithshme pa asnjë projekt serioz konkret. Duket sikur më së shumti
synimi i Kryeministrit është që të verë njerëzit e tij në drejtësi, të godasë
ndonjë oligark apo ndonjë të korruptuar, ashtu sikurse ka shembur ndonjë
pallat, sa për të krijuar imazhin tek ndërkombëtarët se ai ka vullnet të mirë
ndërkohë që brenda vendit justifikon paturpësisht deputetët e krimit duke thënë
se ishte gjuha e dhunshme e opozitës që provokoi aktet e dhunshme - çka mund të
përkthehet: mbyllni gojën, se përndryshe ju pret dhuna.
Jo, sipas meje drejtësia nuk vjen
dot nga pushtetarët e radhës. Rrugët për të forcuar drejtësinë duhet të jenë të
tjera dhe duhen kërkuar ndryshe. Dhe në kërkimin e këtyre rrugëve një gjë më
duket se duhet të kemi të qartë. Politika më shumë e dëmton sesa e forcon drejtësinë
prandaj na duhet një drejtësi gjithnjë e më e lirë nga politika dhe jo e
kontrolluar prej saj.
Sistemi ynë i drejtësisë ka dy
probleme: së pari korrupsionin endemik nëpërmjet të cilit shumë individë që
punojnë në të e shohin punën që kanë si mjet pasurimi personal nëpërmjet
vjeljes së ryshfeteve qytetarëve; së dyti, pafuqinë e këtij sistemi për të
goditur korrupsionin që na godet nëpërmjet vjedhjes së parave publike si dhe, më
në përgjithësi, për të bërë të funksionojë shteti i së drejtës. Sipas meje,
edhe pse këto dy forma korrupsioni të drejtësisë vështirë se mund të ndahen, nëse
do të përcaktonim prioritete problemi i dytë është më i rëndi dhe ai që duhet
ndrequr i pari. Kjo do të thotë, pra, se reformat para së gjithash duhet të
synojnë një drejtësi sa më të pavarur nga politika sepse është korruptimi i drejtësisë
nga politika, nëpërmjet garantimit të pandëshkueshmërisë së politikanëve, ai që
e ndihmon dhe garanton pastaj korrupsionin e drejtësisë në kuptimin e parë, atë
të marrjes ryshfete. Po të ndjekësh ngjitjen në nivelet më të larta të drejtësisë
të shumë të përfolurit Gjin Gjoni do të vesh re se ai e ka karrierën e tij nga
politikanët.
E përsëris, e vërteta e provuar këta
njëzet vjet e kusur është se, në thelb, politikanët tanë nuk e duan një drejtësi
të pavarur e të pakontrolluar prej tyre, ashtu sikurse nuk duan edhe një media
të pavarur e të pakontrolluar prej tyre,
ashtu sikurse nuk duan edhe një shoqëri civile të pavarur e të
pakontrolluar prej tyre; përkundrazi, i duan të kapur e korruptuar prej tyre. E
duke pasur parasysh këtë hapat e hedhur duhet të jenë të tillë që të sigurojnë
sa më shumë pavarësi të drejtësisë nga politika. Presioni duhet ushtruar që
reformat e votuara prej tyre të garantojnë sa më shumë pavarësi. Nuk marr këtu
përsipër të sugjeroj gjëra që njihen nga specialistët e drejtësisë shumë më mirë
nga unë, por po ngre shqetësimin se prirja nuk më duket kjo. Sepse, sipas meje,
një reformë e tillë duhet të kryhet së bashku me opozitën dhe me aktorë të tjerë
dhe jo vetëm, madje kundër të tjerëve, siç po duken bathët. Për shembull, një
reformë serioze në drejtësi duket se duhet domosdo të prekë edhe Kushtetutën
pasi gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, që mund të shërbejnë si një filtër shumë i
rëndësishëm për gjykatat më të ulëta, zgjidhen nga parlamenti vetëm me
maxhorancë të thjeshtë. Nuk do shumë mend se nëse duam gjyqtarë më të pavarur
ashtu sikurse edhe president, dmth. Kryetar KLD-je të tillë, këta do të ishte më
mirë të zgjidheshin me tre të pestat. E kjo kërkon ndryshim kushtetues që
ta do mendja se duhet bërë së
bashku. Dikush do të thotë se me këtë konfliktualitet që kemi ne dhe me këtë
opozitë bllokuese kjo nuk mund të arrihet kurrë. E vërtetë, por sipas meje më
mirë hapa më të ngadalshëm e të sigurt sesa akte të forta konfliktale. Aq më
tepër kur përditë dalin akuza që provojnë se ata që do të bëjnë reformën në mënyrë
konfliktuale vetëm me drejtësinë nuk kanë lidhje.
E këtu vijmë në një pikë tjetër:
atë se reforma në drejtësi nuk duhen parë kurrsesi e veçuar nga ecja e
institucioneve të tjera, se këtu bëhet fjalë për ecjen e një flote dhe jo të një
anijeje të vetme. Pra, nuk mund të ecë anija e drejtësisë përpara kur anija e
politikës, anija e medies, anija e shoqërisë civile, anija e ekonomisë lundrojnë
në drejtim të kundërt apo qëndrojnë në vend.
Edhe ky këndvështrim nuk mund të
mungojë në debatin për drejtësinë që ai të mund të sjellë një reformë vërtet
legjitime. (Panorama, 17 korrik 2014)
No comments:
Post a Comment