Thursday, July 10, 2014

Jo vetëm kush dhe si, por edhe pse u vra Santo


U bënë rreth dhjetë ditë nga vrasja e Artan Santos dhe ngjarja tashmë thuajse është harruar nga pikëpamja e interesit publik që ajo paraqet. Nuk e kam fjalën për punën e Prokurorisë, por për atë vetinë e shoqërisë shqiptare për t'i thënë vetes: "S'ka ç'të duhet.", "Mos e vrit mendjen", "Ai gjarpër që s'të kafshon ty rroftë 110 vjet." Dhe them se ata që kanë organizuar vrasjen e kanë njohur mirë këtë mendësi, por edhe diçka tjetër: Ma do mendja, se ata kanë zgjedhur jo rastësisht kohën e "Kampionatin Botëror të Futbollit" kur shqiptarët i ke të gjithë të qorrollepsur para ekraneve të panumërta të të gjitha madhësive, duke ndjekur ndeshjet në një proces trushpëlarjeje përzierë me adrenalinë bixhozi që mund të them se nuk ia gjen shoqin në botë. “Nëse në një sistem, iluzioni me format e tij spektakolare arrin deri atje sa të mbizotërojë ndaj realitetit, kjo tregon se i gjithë rendi social është në një krizë të thellë” - thotë Debord. Ne jemi rasti më ekstrem i një shoqërie të arratisur nga realiteti nëpërmjet iluzionit dhe spektaklit. Edhe vetë tragjedia e Santos menjëherë u kthye në spektakël në funksion të arratisjes nga realiteti.

***     
Në deklarimet e pakta që u bënë fill pas vrasjes më tërhoqi  vëmendjen ai i Jozefina Topallit e cila e krahasoi me vrasjen e Azem Hajdarit, duke e quajtur si më e rënda pas asaj. Kjo personalisht më kujtoi edhe diçka: Për vrasjen e Azemit ne dimë detajet më të hollësishme, madje me minuta nga pikëpamja kronologjike, se si lëvizën vrasësit, se si u krye vrasja, cilët qenë ekzekutuesit, etj. por ajo që s'kemi të qartë edhe sot janë motivet. Sali Berisha e Jozefina Topalli na thanë se atë e vrau Fatos Nano. Me këtë akuzë organizuan edhe një "puç' apo "grusht shteti" duke pushtuar edhe zyrat e Kryeministrisë dhe të TVSH-së. Por disa vjet më vonë thanë se akuzat e tyre ndaj Nanos  kishin qenë për efekte elektorale. Spektakël politik dhe mediatik me një fjalë. Edhe prokurorët dhe gjykatat, nuk na i dhanë motivet, por vetëm dinamikën e vrasjes. Motivet qarkullojnë në "media" që mbetet ende më e lira, por edhe më paranojakja e më e papërgjegjshmja në Shqipëri: ajo e bisedave të kafeneve midis njerëzve, që tani është transferuar edhe në rrjetet sociale, duke u shndërruar edhe ajo gjithnjë e më shumë në iluzion e spektakël.
 Sigurisht dikujt nuk i ka interesuar të zbulojë deri në fund motivet e vrasjes së Azem Hajdarit. Dhe ky dikush, sipas meje, është elita jonë politike, ekonomike, mediatike që kontrollon edhe drejtësinë duke i dhënë sinjale të qarta se deri ku duhet t'i fusë hundët e duart. Nuk dua këtu të shes të vërteta pa pasur mjetet për t'i provuar, por nuk mund të mos them se, sipas meje, motivet e vrasjes nuk kanë qenë fort të lëvdueshme përderisa u mbajtën të fshehura. Dhe kjo jo thjesht për interes të të vdekurit, por për interes të të gjallëve.
Të njëjtën ndjesi kam edhe për vrasjen e Santos ndoshta me ndryshimin se përpjekjet për të mbuluar motivet nëpërmjet spektaklit politik kësah here janë më të dobëta.  Nuk se mungojnë akuzat depistuese se e vrau kundërshtari, por s'janë aq të forta.  Para disa ditësh pati një përplasje midis eksponentësh të opozitës dhe ministrit Tahiri. Ata të opozitës akuzuan se kohët e fundit janë vrarë 13 biznesmenë dhe nuk u është gjetur vrasësi dhe as motivi, kuptohet. Tahiri u përgjigj se nëse ju quani biznesmenë ata që pastrojnë para të pista kjo është puna juaj, duke nënkuptuar se këto vrasje janë larje hesapesh brenda grupesh kriminale. Të nesërmen RD e hapi faqen e parë me akuzën se qeveritarët edhe e lëvduan Santon edhe e akuzojnë për pastrues parash. Në fakt ministri nuk e kishte për Santon, por ajo që ndjehet nëpër ajër është se të dy palët nuk duan të thellohen. Ajo që bije në sy tek opozita është se asaj i pëlqen vetëm të akuzojë, por jo të analizojë dhe reflektojë sadopak mbi atë se si dhe pse gjatë qeverisjes së tyre është rritur kaq shumë numri i njerëzve ndaj të cilëve mund të ketë motive për t'i vrarë. Kurse tek maxhoranca dominon gjetja e alibisë në bëmat e paraardhësve, pa munguar edhe premtimet mbi një fillim të ri, - por pa pikë reflektimi e besueshmërie se ndonjë gjë do të ndryshojë. 
Përgjithësisht klasa jonë politike, e biznesit, por edhe ajo mediatike, e vlerësoi Santon si një njeri me kontribute të mëdha gjatë këtyre njëzet vjetëve. Me këtë, sipas meje, ajo sikur u mbylli dyert analizave dhe reflektimeve problematizuese, jo për Santon, por për atë vetë. Sepse duhet thënë se, megjithë fjalët e mira që dëgjojmë për Santon nga ata që e kanë njohur,  - ku kuptohet se ka edhe shumë hipokrizi - kjo e tija nuk është historia e qartë e vrasjes së një njeriu të institucioneve nga mafia siç janë vrarë, psh. Falcone apo Borselino apo gazetari Giusepe Fava në Itali. Kjo është historia e paqartë e vrasjes së një bankieri, biznesmeni dhe pronari mediesh - me një fjalë të një oligarku nga ata që kemi shumë në Shqipëri - i cili, ashtu siç janë korkolepsur tek ne punët, ku nuk dallon më se ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti, në një mënyrë apo në një tjetër ka pasur lidhje sa me njerëzit e politikës së madhe aq edhe me njerëz nga ata që janë në gjendje edhe të paguajnë vrasës për ta vrarë.
Është thënë se Prokuroria po skarton një nga një pistat duke arritur në ato më të mundshmet. Nëse pistat që po krasit Prokuroria mund të krahasohen me degët e një peme dhe ato të krasiturat nuk na interesojnë për hetimin,  gjykoj se ato janë shumë domethënëse për njohjen e sistemit tonë oligarkik. Sepse ato pista nuk janë ngritur më kot. Ato janë, si të thuash, degë që të çojnë tek rrënjët e këtij sistemi; çka do të thotë se i gjithë degëzimi na ndihmon për ta njohur - për ta ndryshuar pastaj - këtë sistem që prodhon kaq shumë vrasje.
Dhe teza ime e këtij shkrimi është se ne duhet ta zbulojmë këtë "pemë", përtej "degës" që mund të na zbulojë Prokuroria se si dhe kush e vrau Santon. Duhet të kërkojmë "pse" - në. Në fakt ne do të duhej ta kishim bërë me kohë këtë, me rastet e vrasjeve të shumnta para kësaj, sepse në këtë mënyrë mund ta kishim shpëtuar jetën e Santos, por duhet ta bëjmë sot për të shpëtuar jetë të tjera gjithashtu.
Për ta ilustruar po marr vetëm një nga pistat, ndoshta më të përfolurën. E përsëris: këto më poshtë janë thjesht reflektime në funksion të interesit publik, dhe jo sugjestion për hetuesit, që jam i bindur se dinë shumë më tepër sesa unë.
Pista më e përfolur është ajo se kemi të bëjmë me hakmarrjen apo paralajmërimin e mafies apo biznesmenëve azerë, pasi banka Credins  u ka bërë ca hile që lidhen me privatizimin e Armos.  Në këtë aferë qindra milionëshe - në thelb e luajtur në kurriz të shqiptarëve - thuhet se janë përfshirë shumë aktorë: qeveritarë, biznesmenë shqiptarë dhe të huaj,  bankierë, por edhe gazetarë. Them gazetarë pasi kush ndjek shtypin ka vënë re se mbi këtë aferë ra një heshtje investigative  e pashoqe, nga mediet e të dyja llogoreve dhe, sipas zërave që qarkullojnë nëpër korridoret e medieve, kjo ndodhi sepse mediet apo gazetarë të veçantë të tyre u paguan për të heshtur me sponsorizime nga Credins apo me para të thata në dorë.
E përsëris, mund të mos jetë kjo pista e vrasjes, por është një pistë që është marrë në shqyrtim si një aferë që mund të çojë deri në vrasje dhe kjo pistë do të duhej të na nxiste fuqimisht të flisnim e hetonim mbi shumëçka që lidhet me sistemin tonë. A nuk ka ardhur koha që t'i rikthehemi edhe një herë diskursit mbi konfliktin e interesave që sikur është harruar fare? Si ka mundësi që nuk flitet fare për faktin se rëndom tek ne një biznesmen, mund të jetë njëherësh edhe bankier edhe ndërtues edhe pronar mediesh edhe deputet (po të përdorim fjalët e Tahirit edhe pastrues parash të pista) dhe ne ta konsiderojmë këtë normale? Unë gjykoj se nëse ne do të kishim folur e shkruar më hapur për këto raste në media, që do të duhej të kishin qenë të pavarura nga interesat e pronarëve të tyre, të gjithë aktorët rrezikues apo të rrezikuar do të kishin qenë më të survejuar, por edhe më të mbrojtur nga shteti njëherësh. Po ashtu, sikur privatizimet të mos bëheshin në mënyrë korruptive dhe jotransparente dhe me konflikte interesash dhe opozita të ngrinte zërin dhe drejtësia të nxiste hetime, sikur të gjitha institucionet, pra, të kishin kryer detyrën që u ngarkon ligji i shkruar dhe ligji moral, ne do të kishim shpëtuar edhe jetën e Santos, e shumë jetë të tjera përveç interesit publik.
Sigurisht kjo situatë mund të çojë edhe një numër individësh në dyert e drejtësisë e të burgjeve, por kjo është rruga për të mos jetuar në një shoqëri vetëgjyqësie ku, ndërkohë që kemi hequr dënimin me vdekje edhe për kriminelët më të egër, brenda disa muajsh kemi 13 vrasje të pazbuluara ku edhe më i keqi syresh nuk meriton t'i ikë jeta ashtu siç i iku Santos. (Panorama, 8 korrik 2014)

No comments: