Pyetja "ç'mendim ke për
statusin, a duhej dhënë apo
jo?" vazhdon të bëhet si nga të huajt dhe nga shqiptarët. Po shkruaj edhe
unë mendimin tim.
Pse u dha statusi
Gjykoj se statusi u dha kryesisht
për disa arsye që nuk kanë të bëjnë thjesht e vetëm me gjendjen e Shqipërisë.
Në nivel kontinenti një arsye,
sipas meje, ishte nevoja e vazhdimit të projektin evropian në këtë periudhë
krize për idenë e Evropës së Bashkuar. Brukseli pra sikur donte të jepte edhe
një mesazh vetinkurajimi. Dhe, gjithë në këtë kontekst, në nivel rajonal Shqipëria
nuk mund të mbetej jashtë e vetme. Kjo krijonte një anomali.
Duke e parë pastaj, nga jashtë
brenda situatën në Shqipëri sipas meje evropianët nga një vështrim pragmatist
kanë menduar se dhënia e statusit ishte e keqja më e vogël në raport me mosdhënien.
Ata kanë menduar se një mosdhënie e statusit do ta bënte opozitën tejet
agresive dhe destruktive, kurse në këtë moment që u dha statusi opozita mund të
pretendojë se ka edhe ajo meritat e veta e, duke parë mbështetjen që ka
qeveria, të bëhet disi më e urtë e më bashkëpunuese. Po ashtu, një mosdhënie e
statusit do të dekurajonte edhe elementë brenda maxhorancës që, gjithsesi, e
kanë një motivim për të bërë diçka. Kurse, duke mos dhënë statusin, evropianët
do të binin në një mendje me shumë shqiptarë të dekurajuar që të thonë:
"Ky vend nuk bëhet."
Pra statusi duhej për të mbajtur
gjallë, si për evropianët edhe për shqiptarët, utopinë e Evropës e cila
(utopia), siç thuhet, shërben për të ecur ose më saktë për të pasur një drejtim
për nga ecën.
A e meritojmë statusin
Përtej këtyre argumenteve të
"po'-së pyetja që shtohet është: a e meritojmë objektivisht statusin? Kjo
pyetje lidhet me përgjigjen që duhet t'i japim pyetjes: a ka bërë progres apo
ka bërë regres Shqipëria gjatë këtyre viteve. A ndjehen shqiptarët sot më mirë,
le të themi, se dhjetë vjet më parë?
Kjo është një pyetje të cilës,
sipas meje, duhet t'i qasemi duke vënë në dyshim mitin e progresit, idenë se
gjithsesi ecet vetëm përpara ndonëse diku më shpejt dhe diku më ngadalë.
Historia na ka treguar se ka edhe projekte të gabuara që kanë përcaktuar
drejtime të gabuara ecjeje për një kohë të gjatë e që kanë sjellë, madje, edhe
katastrofa. Po ashtu duhet vënë në dyshim edhe ideja se ka vende që njohin vetëm
progres me të cilët ne identifikojmë demokracitë perëndimore pasi edhe në këta vende sot vëmë re kriza të
rënda. Për ilustrim të çka thashë më sipër mjaft të kesh parasysh se ç'po ndodh
në Irak apo faktin se në vende si Italia, Greqia, por edhe Franca apo Spanja e
Portugalia mbizotëron ndjenja e një regresi të fortë.
Duke pasur parasysh këto dhe
realitetin shqiptar unë gjykoj se është e vështirë të thuash se Shqipëria ka bërë
progres gjatë këtyre viteve.
Por, le t'i marrim me radhë disa
tregues kryesorë me të cilët mund të matet progresi.
Së pari, ekonomia. A ka ndryshuar
për më mirë ajo gjatë këtyre viteve? Duke mos mohuar disa zhvillime pozitive,
veçanërisht në bujqësi dhe turizëm aty këtu, si dhe në ndërtimin e rrugëve,
personalisht fakti që Shqipëria gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një
territor ku tentohet të mbillet kanabis është shenjë e dukshme falimentimi
ekonomik. Është i panumërt numri i atyre që të thonë sot se me zhdukjen e
ekonomisë së drogës niveli i papunësisë në vend, edhe kështu në rritje, do të
njohë rritje të jashtëzakonshme. Mjafton kjo për të venë në dyshim progresin
ekonomik. I duhet shtuar kësaj note pesimiste edhe faktin se e ashtuquajtura
rritje e GDB (që sot nuk njihet më si tregues mirëqenieje) është kryer gjatë këtyre
vjetëve mbi bazën e një shfrytëzimi të egër dhe të paskrupullt të territorit për
përfitimet e një grupi të vogël njerëzish në kurriz të gjithë të tjerëve dhe
duke mos hedhur kurrsesi themelet e një ekonomie të qëndrueshme.
Së dyti, çfarë mund të thuhet
lidhur sistemin politik të përfaqësimit prej nga del edhe klasa politike? A ka
ardhur duke u përmirësuar klasa jonë politike dhe a është ajo gjithnjë e më
shumë përfaqësuese e interesave të sa më shumë shqiptarëve apo ka ndodhur e
kundërta? Sipas meje kemi një klasë politike gjithnjë e më të kriminalizuar në
krahasim dhe dhjetë vjet më parë dhe këtë e provon edhe niveli i Parlamentit që
kemi sot. Po ashtu kemi një klasë politike gjithnjë e më shumë përfaqësuese të
një pakice oligarkësh, deri edhe të
krimit të organizuar
Së treti, mund të merret në
analizë se a kemi më shumë apo kemi më pak besim tek institucionet e rëndësishme
shtetërore si drejtësia psh. Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje po mjaftohem të
sjell deklaratën e Kryeministri Rama se drejtësia është Lazarati i vërtetë i
Shqipërisë.
Së katërti, a mund të thuhet se
kanë bërë përpara mediet shqiptare? Sipas meje jo. Mund të flitet për përparime
teknologjike, por niveli i
medieve, përsa i përket informimit dhe formimit të publikut, ka përjetuar një
degradim. Zor të dëgjosh sot njeri - ndoshta përveç atyre që kanë interesa të
lidhura me mediet - që të të thotë se respekti për mediet, për personalitetin
dhe profesionalizmin e gazetarëve është më i lartë se para dhjetë vjetësh.
Së pesti, mund të shtrohet pyetja
nëse ka bërë përpara sistemi arsimor, niveli i edukimit të njerëzve. Edhe këtu,
jo vetëm përsa i përket nivelit të arsimit të lartë, që këta vitet e fundit, me
universitetet private ka njohur deri edhe fenomenin e paparë të shitblerjes së
diplomave pa ndjekje mësimi, por duke filluar që nga arsimi i ulët e i mesëm vështirë
të gjesh sot njerëz që mund të të flasin për progres, që mund të të thotë se
edukimi dhe figura e pedagogut kanë njohur ngritje dhe jo degradim në këtë
vendin tonë. Madje puna ka arritur deri atje sa shumica e shqiptarëve mendojnë
se arsimimi, në shumë aspekte, hiq atë të ideologjizimit, është shumë më keq se
në kohën e diktaturës.
Mund të merrja në analizë edhe
tregues të tjerë si psh a kemi një rritje apo rënie të korrupsionit, të krimit,
të papunësisë, por nuk po zgjatem.
Personalisht nga sa kam mundur të
hulumtoj duke venë edhe në dyshim pesimizmin personal, më rezulton se po të
pyesësh shqiptarët se si ndjehen në tërësi - më mirë apo më keq, më të kënaqur
apo më të pakënaqur, më të lumtur apo më të palumtur, më me shpresë apo më me
pak shpresë sesa dhjetë vjet më
parë të përgjigjen se ndjehen më keq.
Kjo sipas meje vjen pasi drejtimi
për nga kemi ecur, edhe pse duke pasur një vështrim drejt Evropës, nuk është
drejtimi i Evropës. Shqiptarët pra i ngjasojnë atij që, gjithë duke parë Evropën,
ecën në një drejtim tjetër, edhe mbrapsh në shumë aspekte. Dhe kjo e ka një
arsye. Elitës politike ekonomike që është edhe instrumenti kryesor që ve në lëvizje
vendin e me të cilin manipulojnë edhe evropianët me politikën e shkopit dhe
karotës, thellë thellë nuk i intereson hyrja në Evropë. Sepse tek e fundit kjo
do të thotë instalim i shtetit të së drejtës që më konkretisht do të thotë që
pushteti nga duart e tyre të shkojë në "duart" e së drejtës, ligjit.
E në këtë mënyrë ata kanë tërhequr zvarrë një popull të tërë në drejtimin e
kundërt nga Evropa. Vrasja fill pas dhënies së statusit, mu në mes të ditës, njëqind
metra larg selisë së Kryeministrisë dhe pesëdhjetë metra larg Zyrave të
Kuvendit e bankierit, biznesmenit
dhe pronarit të medieve Artan Santo
ishte një ngjarje që, po ta rrëmosh, flet shumë për këtë ecje mbrapsht.
Dhe këtu, sipas meje, vjen pika e
dobët e dhënies së statusit, "por"-i madh. A duhej dhënë statusi po të
kesh parasysh se në një farë mënyre ai e legjitimoi këtë elitë politike
ekonomike ndërkohë që ajo meriton të ndëshkohet? Po të kesh parasysh këtë
aspekt sigurisht që jo.
Pra, nëse do të tentojmë të bëjmë
një sintezë midis argumenteve të "po"-së dhe atyre të
"jo"-së si përfundim, do të thoja këtë gjë: Nëse dhënia e statusit për
perëndimorët mund të konsiderohet
karota e radhës që tani duhet t'i lerë vendin përdorimit me mençuri të shkopit
të radhës, ne këtu brenda, nuk duhet thjeshtë të hamë e reklamojmë karotën duke
vazhduar të bëjmë hapa prapa. Përgjigja që duhet të jepet sipas meje lidhur me
statusin është një "po", të cilës i duhet shtuar një "por"
i madh nga prapa mbi të cilin gjithkush duhet të reflektojë sipas vendit që ka
ne punë e shoqëri. (Panorama, 30 qershor 2014)
No comments:
Post a Comment