Përshtypja dominuese mbi aksionin
e policisë në Lazarat është se edhe vetë opozita, që tradicionalisht në Shqipëri
mohon çdo gjë të kundërshtarit, duhet të pranojë se ai ishte një aksion i
suksesshëm.
E para, ishte i suksesshëm pasi
goditi ekonominë e drogës, duke dhënë idenë se shqiptarët duhet të mendojnë
urgjentisht për një ekonomi tjetërsoj. Në këtë kontekst mund të hyjë edhe
debati, tashmë i hapur, se në çfarë ekonomie të shëndoshë duhet të punësohen
ata që kanë humbur punën në Lazarat.
E dyta, operacioni dha idenë se
shteti mund të funksionojë, po të dojë, për luftën kundër krimit dhe për çlirimin
e territorit të zaptuar nga abuzuesit me pronën publike.
Ishte i suksesshëm gjithashtu
pasi operacioni u krye pa shkaktuar të vdekur.
Këtyre u shtohet edhe përmirësimi
apo ndryshimi i imazhit të Shqipërisë. E në këtë aspekt duhet thënë se
operacioni kishte suksesin e tij më të madh. Qeveria e Edi Ramës i tregoi botës
se, ndryshe nga ajo paraardhësja, është e vendosur ta luftojë krimin e
organizuar duke fituar goxha pikë në raport me ish maxhorancën e Sali Berishës.
E, në këtë aspekt, nëse politikën do ta reduktojmë thjesht në luftën për
pushtet, mund të themi se ky aksion i shtoi shumë pikë maxhorancës në raport me
kundërshtarin e saj.
Por, a duhet të na bëjë ky aksion
entuziastë aq sa të fillojmë të shpresojmë se gjërat po marrin, më në fund, për
mirë në këtë vendin tonë?
Nëse do ta shohim politikën si shërbim
ndaj interesit publik, dhe jo si luftë për pushtet, sipas meje, pikërisht tek
imazhi, që është pika më e fortë e këtij aksioni, qëndron edhe një nga pikat më
të dobëta të tij.
Ndërkohë që ndërkombëtarët ky
aksion i bind ndoshta më shumë se çdo aksion që është kryer ndonjëherë nga
qeveritë shqiptare kundër krimit të organizuar shqiptarët mbeten - dhe duhet të
mbeten - skeptikë pasi e njohin tashmë goxha mirë dyfytyrësinë dhe
kamaleontizmin e politikës shqiptare.
Problemi kryesor që mbetet është
pikërisht një pohim që bëri Edi Rama mu në ditën që filloi aksioni. Ai tha se Lazarati i vërtetë është sistemi i
drejtësisë në Shqipëri. Ky pohim është i rëndësishëm jo thjesht pse ve gishtin
mbi drejtësinë, çka është vërtet problem i madh, por edhe pasi shtron pyetjen
se cili është Lazarati i vërtetë. Sepse, po të pyesësh gjyqtarët ata, të
prekur, të thonë se Lazarati i vërtetë është pikërisht politika dhe politikanët
që kemi në Parlament me në krye Edi Ramën dhe Berishën. Kurse ka politikanë të
prekur që me plot gojën të thonë se Lazarati i vërtetë janë mediet shqiptare… e
kështu me radhë përgjithësisht përgjigjet të adresojnë tek tjetri në një rreth
vicioz nga i cili nuk dimë se si të dalim.
Përpara ndërhyrjes në Lazarat kam
bërë një shkrim me titull: "Lazarati - tumori malinj dhe metastazat"
ku ndërhyrjen e parashikueshme në Lazarat
e krahasoja me operacionin ndaj një tumori malinj duke apeluar për
identifikimin e virusit shkaktar të tumorit, pasi, përndryshe, pas aparencës së
imazhit, që mund të krijojë ky operacion, metastazat e krimit të organizuar
mund të fillojnë e të zhvillohen edhe më me virulencë tjetërkund.
Ky është problemi që mbetet edhe
pas këtij operacioni imazhi. Po përpiqem ta ilustroj këtë pikërisht me një
operacion të ngjashëm që ka bërë Edi Rama kur ka qenë kryetar bashkie.
Sikur të pyesësh sot se cila ka
qenë vepra më e rëndësishme e Ramës në Bashkinë e Tiranës besoj se të gjithë do
të thonë pastrimi i Lanës. Edhe vetë Rama këtë ka paraqitur si kartolinën e punës
së tij në Bashki - sëbashku me ngjyrat e pallateve që ka qenë një operacion
imazhi par exellence për nga vetë natyra e vet. Edhe sot e kësaj dite gazetarët
e huaj që shkruajnë për të tregojnë se si ai pastroi 500 e kusur godina dhe e
gjelbëroi atë zonë - duke e ekzagjeruar sigurisht se ato nuk ishin pallate, por
kryesisht baraka.
Çfarë ishte në thelb uzurpimi i
Lanës dhe pastaj pastrimi i tij? Uzurpimi ishte një veprimtari që u krye shkallë
shkallë nga privatë të paskrupullt ndaj tjetrit dhe ligjit, që duke bashkëpunuar
me politikën zaptuan hapësira publike për tu pasuruar vetë në kurriz të
shqiptarëve më të mirë e më të ndershëm. Nëse shtrojmë pyetjen se cili është
Lazarati i vërtetë, e keqja, tumori tek e fundit, nuk mund të mos arrijmë në përfundimin
se ai e ka rrënjën tek ky lloj shqiptari që pastaj mund të bëhet
profesionalisht gjyqtar, politikan, gazetar, tregtar, ndërtues apo edhe
trafikant droge. Dhe e vërteta është se, ky lloj shqiptari me kohën, në vend se
të pakësohet është shtuar dhe fuqizuar gjithnjë e më shumë derisa ka pushtuar
edhe trurin dhe organet vitale të shoqërisë.
Tani pyetja është: po pastrimi i
Lanës që ishte një operacion goxha i suksesshëm (që të kujton edhe hedhjen në
erë të Pallatit në Vlorë për të ndërtuar shëtitoren edhe Lazaratin), pse nuk
kontribuoi sadopak për ta ulur këtë të keqe, por madje e thelloi. Çfarë ishte
ai?
Për t'i dhënë përgjigje kësaj le
të kujtojmë, për ata që e kanë harruar, se si dhe pse u krye pastrimi i Lanës.
Puna është se ashtu sikurse edhe pastrimi i kioskave në Parkun Rinia, ai nuk u
krye nga shteti kundër njerëzve që kishin uzurpuar pronën publike për interesin
e tyre, por në bashkëpunim me ta, si operacion imazhi. Kush e ka ndjekur, si unë,
me kujdes atë operacion e di se shteti, dmth. Bashkia kryesisht, por edhe
qeveria qendrore e asaj kohe, për të kryer këtë operacion, hyri në marrëveshje
me shumicën e "të fortëve" që kishin zaptuar ato prona publike duke u
dhënë privilegje të majme tjetërkund. Po ashtu, për të realizuar materialisht këtë
operacion, nuk u përdorën paratë e taksave që kishin paguar qytetarët, pasi ato
nuk mjaftonin, por u përdorën "gratis" ruspat dhe punëtorët e po kësaj
kategorie njerëzish - miq të kryetarit të Bashkisë apo Kryeministrit, të cilëve
iu dhanë, si shkëmbim, leje ndërtimi për të ngritur pallate atje ku pallate
s'do të duhej të ishin ngritur kurrsesi. Me një fjalë dua të them se tumori i
Lanës nuk u luftua realisht dhe sinqerisht. Ai u përdor si operacion
imazhi dhe, ndërkaq, lëshoi
metastazat e veta shumë herë më të pariparueshme sesa barakat e Lanës, dhe njëherësh
forcoi njeriun e ri të kapitalizmit tumoral shqiptar: që shkatërron interesin
publik për interesin privat.
Imazhi pra shërbeu për të mundësuar
dhe mbuluar përparimin e sistemit tumoral.
Ja pse, duke pasur parasysh edhe
përvojën, gjithë duke e mbështetur aksionin e policisë në Lazarat, duhet ta
ndjekim hap pas hapi me vigjilencë veprimtarinë e kësaj maxhorance përsa i përket
luftës kundër krimit të organizuar. Sepse ajo thënia e vjetër se e mira nuk
matet me aktin e kryer, (që mund të duket i mirë), por me qëllimin e tij (që
mund të jetë i mbrapshtë), mbetet në fuqi edhe në këtë rast, aq më tepër kur e
dimë se kemi të bëjmë me të njëjtin artist të imazhit. (Panorama, 24 qershor 2014)
No comments:
Post a Comment