PD-j
ka kohë që po del thuajse përditë për të denoncuar faktin se në administratën e
socialistëve janë vendosur mafiozë. Aq e zakonshme po bëhet kjo saqë duket se
po humbet efektin goditës që ajo synon.
Kundërargumenti që dëgjon rëndom nga njerëzit është: po pse ata të PD-së
nuk e mbushën me kriminelë. Ndonjëri ndërhyn, në mbrojtje të Berishës, duke thënë
se ai, të paktën, i mbante në rresht të dytë nuk i nxirrte, si Rama, në rresht
të parë. Mirëpo pastaj të tjerë kujtojnë emra që Berisha i ka në Parlament. Dhe
duket sikur njerëzit më shumë fillon i preokupon rezultati i ndeshjes së mërzitshme PD - PS,
mbi atë se kush ka më shumë kriminelë, sesa përmbajtja e frikshme e këtyre
lajmeve që dëgjojmë.
Nuk
mund ta mohoj se edhe vetë ndjej këtë apati dhe lodhje për të reaguar ndaj këtyre
lajmeve. As të shkruash nuk të vjen më se të duket sikur po përsërit të njëjtat
gjëra. Punë qelbësirash të vjen të thuash e ta mbyllësh. Por të them të drejtën
mu prish gjaku keq kur dëgjova denoncimin që u shoqërua edhe me botimin nga “Corriere
della Sera” dhe “La Repubblica” mbi Kryetarit e sapozgjedhur nga PS të Këshillit
të Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj. U vura t’i lexoj
me kujdes lajmet e dy të përditshmeve më serioze italiane dhe sikur u zgjova
nga një ëndërr e frikshme. Midis të tjerash thashë me vete; si ka mundësi që këto
lajme u anashkaluan në një mënyrë aq të turpshme nga mediet tona, nga gazetarët
dhe analistët tanë, nga shoqëria jonë civile, madje edhe nga ndërkombëtarët që,
medemek, po na thonë se kemi bërë hapa para drejt Evropës.
Shikoni se çfarë
shkruan “Corriere della Sera” në lajmin me
titull: “Sicilia, shqiptarë prapa një tentative për rrëmbim. Alarm i Tinebra
(prokurorit): janë aleatë të Cosa Nostra-s"
Në
lajm thuhet se dy italianë dhe dy shqiptarë Gëzim Jacaj dhe Sadrit Danaj, nga
Vlora po projektonin rrëmbimin dhe ndoshta vrasjen e të bijës së një sipërmarrësi
toskan, por janë arrestuar nga karabinierët para se ta realizonin planin e
tyre. Prokurori italian i Caltanissetës, ku janë arrestuar këta të katërt, është
shprehur: “jemi shumë të shqetësuar sepse kjo lidhje midis të skeduarve të Cosa
Nostras dhe kriminalitetit shqiptar shton frikën e një rritjeje të krimit.”
“La
Repubblica” jep një njoftim edhe më të hollësishëm e më dramatik. Ajo e fillon
lajmin e saj (po të 23 marsit 2000) me këto fjalë: “Rrëmbimi më i mirë është
ai kur e vret menjëherë pengun. Kështu trupi nuk gjindet dhe ti nuk rrezikon
asgjë.” Janë fjalë që i atribuohen heroit tonë shqiptar, Sadrit Danajt, të
nxjerra nga përgjimet e karabinierisë italiane.
Sipas lajmit që vazhdon pas këtij
citimi dy sipërmarrësit italianë, Graziano Ambrogetti dhe Dante Cavasini, që
ishin në vështirësi ekonomike, e kishin përgatitur me kujdes planin nëpërmjet të
cilit synonin të zgjidhnin problemin e tyre. Duhet të ishte një rrëmbim që të
zgjaste pak ditë. Për të realizuar këtë ishin lidhur me një grup kriminal
shqiptar. Por … lexoni me vëmendje të dashur lexues…. Ambrogetti dhe Cavasini
hezitojnë ta realizojnë planin pasi janë të shqetësuar për fatin e pengut dmth.
të asaj vajzës që donin të rrëmbenin. Sepse, sipas Ambrogettit, shqiptarët që
kanë zgjedhur për të kryer operacionin “Janë defiçentë, njerëz pa mend në kokë,
të uritur për para aq sa nuk dinë se deri ku t’i zgjasin duart.” Kështu i thotë
ky Cavasinit, i cili, i terrorizuar, i përgjigjet: “Ata mund ta vrasin. Nuk e
kuptojnë se janë në Itali ku ne na duhet të kalojmë në teh të briskut. Na duhet
dikush që t’i kontrollojë.”
Pra, për fat të vajzës toskane,
këto hezitime kanë bërë që rrëmbimi të shtyhet. Megjithatë, gjithë sipas “La
Repubblica”-s, Ambrogetti, Cavasini dhe Sadrit Danaj vazhdojnë të mbajnë
lidhjet. Në një përgjim të mëvonshëm nga karabinierët, duke komentur një rrëmbim
tjetër, të kryer nga të tjerë, që
ka përfunduar me lirimin e pengut dhe kapjen e banditëve, Kryetari i sotëm i Këshillit
të Qarkut të Vlorës, u thotë italianëve për pengun që është çliruar nga
policia: “Duhet ta kishin varë. Vetëm kështu do të kishin shpëtuar. Sepse trupi
nuk do të ishte gjetur dhe s’do të kishin rrezikuar asgjë.”
Kjo është pika kulminante e
rrëfimit.
Pastaj “La Repubblica” jep
edhe disa hollësi të tjera, jo pa rëndësi për shqiptarët: Graziano Ambrogetti,
42 vjeç, i kishte transferaur prej vitesh bizneset e tij në Shqipëri, në Vlorë.
Dante Cavasini, 51 vjeç, pas disa përvojave biznesi të pasukseshme kishte qenë
një vit më parë në Shqipëri për të përfunduar disa afera në fushën e ndërtimit.
E pra si u trajtua kjo
histori në shtypin shqiptar. E turpshme! Gazetarët tanë u mjaftuan të japin
deklaratat e PD-së dhe kundërpërgjigjet e PS-së, pa bërë asnjë koment apo
analizë. Në fillim dhanë denoncimin e PD-së, që, duke qenë se nuk e ka
seriozisht këtë punë, por i duhet thjesht për të manipuluar publikun, dha një
version më shumë çorientues. Doli Ristani dhe tha se Sadrit Danaj ishte arrestuar e dënuar sepse kishte
kryer rrëmbim e më pas kishte thënë: “''Vajza duhej vrarë, vetëm kështu do t’ia kishim hedhur. Trupi nuk do të
gjendej kurrë dhe ne nuk do të kishim rrezikuar asgjë.” Mirëpo, sikur ata ta
kishin kryer rrëmbimin zorr se Danaj do të ishte sot jashtë. Rrëmbimi s’kishte
ndodhur për arsyet që shpjegova më sipër dhe sepse më pas ata u arrestuan si
masë parandaluese nga karabinieria.
Se çfarë ka ndodhur më vonë, nga viti 2000 e këtej me Danajn, ne, që
s’jemi vlonjatë, dhe as njerëz të policisë, apo drejtësisë, dhe as të PD-së që
ka qenë në pushtet, nuk kemi asnjë
informacion përveç faktit se Danaj na doli Kryetar i Këshillit të Qarkut.
Po PS-ja ç’bëri? Si përgjigje të parë u
tha se PD-ja gënjente pasi Danaj e kishte të bardhë çertifikatën e dënimit të lëshuar
nga Ministria e Drejtësi Italiane. Pastaj na thanë se këta të PD-së janë të
pabesueshëm pasi Danajn e kanë votuar të dy palët si Kryetar. Ama asnjë përgënjeshtrim
i asaj që shkruajnë gazetat italiane.
Pastaj doli Berisha në Parlament dhe tha
se Danajn e ka vënë aty Kokëdhima pasi ky i ka dhënë 100 000 euro. Po kush e vërteton
këtë? Aq më tepër kur e thotë Berisha që veç të tjerash nuk tha një fjalë për të
tijtë që e votuan Danajn në Vlorë.
Më në fund vulën ia vuri deputeti socialist i Vlorës, miku i Kryeministrit, Koço Kokëdhima,
njeriu që të vetmin mëkat që i njeh Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të
Parlamentit Meta është se kanë vonuar bashkimin e të majtës. Ai e cilësoi “të
vonuar”, ashtu si dhe bashkimin e të majtës, zgjedhjen e Sadrit Danajt, pasi
kishin vërtetuar se qe njeri i pastër dhe zgjedhja e tij ishte mirëpritur nga të
gjitha forumet e koalicionit.
Çfarë mrekullie! Në fakt
edhe zgjedhja e Kokëdhimës deputet ka qenë shumë shumë e vonuar.
Me kaq historia u mbyll. Më
falni, harrova: del nganjëherë zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, dhe i thotë
Kryeministrit të japë përgjigje pse ka vënë kriminelë në punët e rëndësishme të
shtetit, por ky nuk ia ka ngenë të përgjigjet pasi po del nëpër botë për të
promovuar, medemek, dhënien “e vonuar” Shqipërisë të statusit të vendit
kandidat për Evropë duke thënë se qeveria “ka bërë gjithshka që duhej bërë për
këtë”. Sigurisht, siç thotë kryeministri, kjo nuk do të thotë se ne do të bëhemi
anëtarë nesër. Anëtarësinë do ta fitojmë pas dhjetë vjetësh, ndoshta kur të jetë
bërë Danaj Kryetar Parlamenti.
Tani, të dashur lexues, desha t’ju drejtohem ju me një pyetje:
Nëse ju keni informacion se në pallatin tuaj keni një komshi për të cilin dy
gazetat më prestigjizoe Italiane kanë shkruar ato që citova unë më sipër dmth
se, sipas karabinierisë dhe prokurorisë italiane ka qenë pjesë e kriminalitetit
shqiptar në Itali lidhur me Cosa Nostrën, njeri i gatshëm jo vetëm të kryejë rrëmbime
për para, por edhe të vrasë pengjet, pasi sipas disa kriminelëve më të butë është “defiçent, njeri pa mend në kokë, i
uritur për para sa nuk di se sa duhen zgjatur duart” a do të ndiheshit të qetë vetëm se
ai ju tregon një çertifikatë që tregon se nuk është i dënuar? Dhe, nëse do të bëhej
ndonjë zgjedhje në lagje apo në pallat, a do t’ia jepnit atij çelsat e zyrës së
lagjes apo të shtëpisë? Personalisht unë do të kujtohesha se edhe Al Capone, që
kishte vrarë dynjanë, nuk u dënua për asnjë vrasje, por vetëm për evazion
fiskal, pas shumë e shumë vitesh. Po ashtu, personalisht,
do të uroja që gjatë këtyre 14 vjetëve që kanë kaluar që nga ngjarja në fjalë,
Danaj të ketë arritur nivelin e koshiencës së dy kolegëve të tij mafjozë
italianë, të ketë mësuar pra, të paktën, se duart nuk duhen zgjatur deri në
vrasje, por dyshimet do t’i ruaja dhe çelsat e shtëpisë nuk do t’ia jepja
kurrsesi.
Tani imagjinoni, këtij i kanë dhënë çelsat
e Këshillit të Qarkut të Vlorës! Dhe të gjithë, si ata të PS-së dhe ata të PD-së.
Altro che Cosa Nostra – do të thonin italianët.
Të dashur lexues kjo është
sa e pabesueshme aq edhe e frikshme.
Të dashur gazetarë, kjo është
sa e pabesueshme aq edhe e frikshme!
Të dashur prokurorë, kjo është
sa e pabesueshme aq edhe e frikshme!
I dashur ambasador Ganiani,
i Italisë që ka dhënë 15 milion euro për riabilitimin e Portit të Vlorës, kjo është
sa e pabesueshme aq edhe e frikshme!
Zot, na ruaj!
(Panorama,13 qershor 2014)
No comments:
Post a Comment