Wednesday, June 4, 2014

Drafti për arsimin e lartë: në shërbim të sistemit oligarko - mafjoz

Po sjell në debatin mbi reformën në arsimin e lartë një fragment nga fjala e Piero Calamandreit në Kongresin e Shoqatës për Mbrojtjen e Shkollës Nacionale, mbajtur në Romë në vitin 1950, që më duket profetike kur ke parasysh gjendjen e arsimit në Shqipërinë e vitit 2014. Piero Calamandrei është intelektual i shquar italian, antifashist, jurist, profesor universiteti i cili, kur iu kërkua të nënshkruante një  tekst nënshtrimi ndaj Musolinit, preferoi të jepte dorëheqjen nga universiteti - “akt ky vetmitar zhdenjimi- sipas Norberto Bobbios–që na bën të mendojmë se është e vështirë të dallosh se kush është më i urryer, padroni apo shërbyesi i tij.”
Thotë Calamndrei në fjalën e tij:
“Le të bëjmë një hipotezë, thjesht duke abstraguar, se kemi në pushtet një parti autoritare, por që, formalisht,nuk do që ta shkelë kushtetutën, as të bëjë ndonjë marrshim mbi Romën, as t’i shndërrojë klasat e shkollave në vende manipulimi, por të vendosë, ashtu si pa u ndjere, një diktaturë të maskuar.
Çfarë do të bëjë ajo për të kapur shkollat? Ajo ka vënë re se ato kanë një defekt: janë të paanshme. Ka një lloj rezistence në ato shkolla që ka ekzistuar, madje,deri edhe në kohën e fashizmit. Atëherë partia fillon e ndjek një rrugë tjetër (është hipotezë kjo, të kuptohemi). Ajo fillon t’i lerë pas dore shkollat publike, t’i delegjitimojë, t’i varfërojë, t’i bëjë anemike dhe fillon të favorizojë gjithnjë e më shumë shkollat private. Sigurisht, jo të gjitha, ato të vetat, shkollat e lidhura me partinë. Ajo drejton tek ato tërë përkujdesjet në të holla dhe privilegje. Fëmijët këshillohen të shkojnë në ato shkolla sepse, u thuhet,janë më të mira se ato të shtetit. Madje mund t’u jepen edhe stimuj prindërve që t’i dërgojnë fëmijët në ato shkolla private ku provimet janë më të lehta, studiohet më pak dhe u krijohen më shumë mundësira në jetë…” […]
“Duhet të ruhemi shumë nga kuzhinierët e kësaj kuzhinë të keqe – paralajmëron Calamandrei – ata synojnë ta arrijnë qëllimin e tyre në tre faza: e para, duke lenë të rrënohen shkollat e shtetit, duke pakësuar financimet dhe injoruar kërkesat e tyre; pastaj,duke pakësuar kontrollin mbi shkollat private dhe seriozitetin e tyre, duke lejuar që atje të japin mësim edhe mësues të pakualifikuar si duhet; dhe, më në fund, duke u dhënë shkollave private para publike.”
Besoj se çdo shqiptari që ka ndjekur se çfarë ka ndodhur në Shqipëri me shkollën gjatë këtyre njëzet vjetëve do t’i kujtojë diçka kjo hipotezë e Calamandrei.

***
Për draftin e reformës së pritshme në arsimin e lartë në Shqipëri janë  bërë debate të shumta pro dhe kundër. Duke iu referuar fjalës së Calamandreit unë po rreshtohem në mbrojtje të shkollës publike duke vënë në dukje vetëm një problem(ndër të shumtit që ajo paraqet)se favorizimi që ai parashikon për shkollat private është në shërbim të sistemit oligarko - mafioz, antidemokratik, që kemi ngritur.
Në fjalën e tij Calamandrei thotë diçka që tërheq vëmendjen veçanërisht. Shkollat publike - thotë ai -  paraqesin një farë rezistence ndaj pushtetit që e kanë treguar, madje,deri edhe në kohën e fashizmit. Le të qëndrojmë për një çast tek ky moment. Çdo të thotë kjo dhe pse ndodh kjo? Sipas meje kjo rezistencë ndodh, deri edhe në regjimet autoritare, sepse shkollat publike janë një investim i tërë shoqërisë për t’i dhënë garanci fëmijëve dhe të rinjve që, në moshën e rritjes, formimit, edukimit, në kohën e ëndrrave dhe të krijimit të personalitetit, të mos kenë mbi shpinë barra të tjera të rënda, siç është barra ekonomike. Lidhur ngushtë me këtë investim është edhe trajtimi i mësuesve të cilët, edhe ata, për të kryer sa më mirë këtë mision, duhet të jenë të çliruar nga presionet e mbijetesës ekonomike për veten dhe familjen e tyre. Në fashizëm dhe komunizëm ky mësim gratis ka pasur koston që klasat e atyre shkollave ktheheshin në vende “vende manipulimi”. E megjithatë, sikurse ve në dukje Calamandrei, edhe ashtu, ato kishin një lloj mundësie rezistence që vjen pikërisht nga garancia se shkolla është një detyrim për shtetin. Ndërkaq, në vendet demokratike, mundësia e shkollës publike për të gjithë, është konsideruar si një nga arritjet më të rëndësishme përsa i përket rritjes së lirisë dhe demokracisë së shoqërisë. Pikërisht kjo garanci, e konsideruar nga shteti si detyrë, e lidhur sigurisht ngushtë me dashurinë për të rinjtë, ka bërë që universitetet të jenë vendi më i lirë i krijimtarisë, i kritikës dhe kontestimit të pushteti ashtu sikurse edhe i gjenerimit të ideve për ndryshimin e shoqërisë. Jo rastësisht revolucioni më i madh dhe më i rëndësishëm paqësor i kryer në vendet demokratike, ai i viteve 60, që ishte pikërisht kundër autoritarizmit në emër të lirisë më të madhe është kryer nga rinia universitare. Jo rastësisht shohim se në botë janë të rinjtë universitarë ata që ngrihen në protesta. Edhe në shoqërinë tonë të ndrydhur mund të kujtojmë lëvizjet studentore dhe grevat e studentëve të vitit 1990 apo vitit 1997 të lindur pikërisht në universitetet publike.
***
Ndërkaq, kushdo që ka lexuar draftin e reformës në arsimin e lartë nuk mund të mos arrijë në konkluzionin se ajo shkon në drejtim të kundërt me krijimin e kësaj garancie lirie për të rinjtë. Dhe e bën këtë nëpërmjet dy rrugësh. E para është rritja e papërballueshme për shumicën e studentëve të kostos së shkollimit që do t’i vërë studentët dhe familjet e tyre nën presione të mëdha ekonomike.  E dyta, nëpërmjet plotësimit të fazës së tretë të reformës që imagjinon Calamandrei: dhënies universiteteve private para publike. Sikurse e thashë ajo e Calamandrei është vetëm një hipotezë, që nuk ka marrë parasysh faktin se shpesh ndodh që realiteti ia kalon edhe fantazisë. Ai nuk ka imagjinuar rolin aktiv që luajnë për këtë nënshtrim të shkollës ndaj pushtetit pronarët dhe grupet e interesit rreth shkollave private. Sado  larg që e ka shtyrë imagjinatën Calamandrei nuk besoj se do t’i kishte shkuar mendja se në vitin 2014 do të kishte shtete evropiane ku universitetet private do të kishin edhe televizione edhe gazeta të përditshme edhe shtëpi botuese në shërbim të partive dominante në pushtet dhe udhëheqësve të tyre. Calamandreit, që dha dorëheqjen nga universiteti në një regjim diktatorial, nuk do t’i kishte shkuar as nëpër mendje se profesorë universitetesh, intelektualë, shkrimtarë, gazetarë, politikanë, nga shërbëtorë të publikut në vendin “par exellence” të lirisë, krijimtarisë dhe mendimit kritik do të ktheheshin në shërbëtorë të një sistemi abuzues oligarko - mafioz në të cilin universitetet private, ku ata japin mësim dhe njëherësh shkruajnë nëpër gazetat e tyre, flasin nëpër televizionet e tyre dhe botojnë në shtëpitë e tyre botuese, luajnë prej kohësh rol protagonisti. Dhe është e qartë se, duke pasur parasysh lidhjet e pronarëve apo të universiteteve në fjalë me pushtetin dhe pushtetarët, reforma, ashtu siç parashikohet në draftin që është hedhur në treg, do të thellojë kontrollin e sistemit që përfaqësojnë partitë në pushtet mbi studentët dhe elitën mësimdhënëse. Dikush mund të më bëjë vërejtjen se deri dje këtë universitete private ishin në shërbim të partisë që ishte në pushtet. Por sipas meje midis këtyre dy partive nuk ka ndonjë ndryshim përsa i përket sistemit oligarkik - mafioz që sundon vendin, e që ato e përfaqësojnë dhe mbrojnë. Partia demokratike kreu dy fazat e hipotezës së Calamandreit; rrënimin e shkollës publike dhe favorizimin e shkollave private. Partia që e ka zëvendësuar në krye të sistemit po kryen fazën e tretë. Shembulli më elokuent i kësaj që thashë më lart është UET që ka qenë universiteti më i lidhur me partinë që ishte në pushtet, që sot është bërë bashkëpunëtori më i zjarrtë i bashkëpunimit me partinë e re për të përfunduar këtë fazë të tretë.
Dikush do të bëjë vërejtjen se edhe universiteti shtetëror është kontrolluar, tradicionalisht, nga partia në pushtet dhe se, përkundrazi, privatja të krijon garanci lirie më të madhe. Sipas meje edhe kur pushteti nuk është autoritar dhe garanton lirinë e tregut, vetë fakti që të rinjve dhe familjeve të tyre u hiqet garancia për të cilën fola më lart dhe lihen në mëshirën e luftës për mbijetesë ekonomike përbën kërcënim serioz për lirinë dhe krijimtarinë e tyre – fenomen ky i theksuar fort, si problem, edhe në vendet me demokraci të konsoliduar si SHBA apo Britania e Madhe që gjithnjë e më shumë akuzohen për rritje të oligarkisë në dëm të demokracisë. Kurse në një vend ku në vend se për tregun e lirë shteti punon “për” dhe “me” grupime oligark - mafioze që synojnë ta përdorin atë për përfitimet e tyre, siç është ky i yni, tu japësh këtyre grupimeve edhe mundësi fitimi dhe abuzimi me shkollën do të thotë ta vesh rininë edhe më shumë nën thundrën e këtij sistemi të cilin ajo duhet ta kontestojë.

Nuk dua të them me këtë që shkolla publike e, në rastin në fjalë, universiteti ynë publik nuk ka probleme si përsa i përket lirisë së studentëve ashtu edhe rritjes së cilësisë. Arsimi ynë i lartë ka nevojë, pa dyshim, për reformë. I gjithë arsimi. Por, sipas meje, kjo reformë duhet të kryhet në drejtimin e kundërt nga ai që kërkon ta bëjë  Edi Rama dhe partia e tij në pushtet. Reforma duhet të synojë në shtimin e garancive për të cilat fola në lart, pra që t’u sigurojnë të rinjve sa më shumë barazi të mundësive, sa më shumë liri, sa më shumë krijimtari, sa më shumë cilësi dhe kohë studimi. Kjo arrihet nëpërmjet investimit të tërë shoqërisë për këtë nëpërmjet rritjes së cilësisë së mësimdhënies e të ambienteve shkollore, nëpërmjet autonomisë së universiteteve publike, nëpërmjet rritjes së rrogave të pedagogëve dhe luftës kundër korrupsionit në arsimin publik e të tjera reforma në këtë drejtim dhe jo duke e lënë rininë në duar aventurierësh privatë që këta njëzet vjet kanë treguar se vetëm për të mirën publike dhe të ardhmen e shoqërisë nuk kanë menduar as edhe një sekondë të jetës së tyre. Këto reforma duhet të parashikojnë edhe diferenca dhe diferencime në bursa, në të drejta studimi, në degë studimi, por këto nuk duhet të bazohen mbi atë se kush ka më shumë dhe kush më pak, ose aspak, para për të paguar shkollimin, por, në emër të stimulimit të meritokracisë kundër oligarkisë,  mbi atë se kush meriton më shumë pasi studion më shumë dhe arrin rezultate më të larta. Vetëm nëpërmjet investimit në një shkollë publike të konceptuar kësisoj mund të fillojë të ndërtohet një sistem meritokratik e demokratike që duhet të zëvendësojë sistemin oligarko - mafioze që kemi ndërtuar këta njëzet vjet. (Panorama, 3 qershor 2014)

No comments: