Thursday, November 25, 2010

Përsëri mbi strehën e fundit të horrave



Lexova para disa ditësh në Shekulli shkrimin “Manipulimi i mendjeve”. të Ardian Klosit. Nga ai mësova se në tekstet e mësimit të gjuhës e letërsisë të klasës së 10 paska çudira. Klosi tregon se atje ku fëmijëve u mësohet strategjia e të shkruarit jepen për ushtrim, midis të tjerash, edhe fragmente tekstesh, për të cilët fëmijëve u kërkohet të bëjnë një përmbledhje. Dhe deri këtu nuk ka ndonjë çudi. Çudia që sjell Klosi në shkrimin e tij ka të bëjë me përzgjedhjen e këtyre fragmenteve. Sëbashku me një fragment nga romani i Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në librin në fjalë na qënkej vendosur edhe një fragment i një libërthi të Ardian Ndrecës ku ky i kundërvihet monografisë së Skënderbeut të historianit zviceran Oliver Schmitt. Është një fragment ku, siç e shtjellon Klosi, mes tjerash, thuhet se autori qënka nisur me synimin për të çmitizuar Skënderbeun (ndërkohë që në të vërtetë autori thjesht shkruan historinë e Skënderbeut sipas studimeve dhe dokumenteve të tij), se paskësh shkruar se e ka pasur të atin sllav (çka është rrenë sepse ai nuk e ka shkruar) gjë që e paska bërë të bijën e Klosit, që është edhe ajo nxënëse e klasës së dhjetë, t’i thotë të atit: "Nxënësit mendojnë shumë keq për ju të dy”, “Schmitti dhe emri i tij janë bërë për nxënësit tashmë “tabu".
Për ata si unë që kanë lexuar librin e Schmitt (por besoj se edhe për ata që nuk e kanë lexuar, por që kanë minimumin e racionalitetit e të pavarësisë së gjykimit), zgjedhja e një fragmenti me përmbajtje të tillë është skandaloze dhe alarmante në shumë aspekte. Së pari kjo zgjedhje më bën të ngre disa pyetje. Nuk paskemi ç’tu japim fëmijëve tanë ndonjë vlerë më të mirë sesa ato të kulturës së vjetër të urrejtjes etnonacionaliste, aq më tepër në një kohë kur aspirojmë të bëhemi pjesë e shoqërive që jetojnë periudhën postnacionaliste dhe kur ne, në Ballkan, jemi më të vonuarit në këtë aspekt? Si ka mundësi që fëmijët tanë kanë mbetur në rrethimin e kulturës nacional – romantike të Rilindjes, që e vinte shkencën në shërbim të ideologjisë nacionaliste (çka qe fenomen i kohës edhe gjetkë në atë kohë) e që pastaj u ngurtësua keqas në kohën e ideologjisë nacional - komuniste dhe të  vetizolimit të pushtetit të Enver Hoxhës? Si ka mundësi që fëmijët tanë, ashtu si në atë kohë, vazhdojnë të frymëzohen që të mbajnë qëndrime armiqësor ndaj shkencëtarëve e studiuesve që japin versione të tjera të historisë nga ato të kulturës zyrtare të pushtetit, në një kohë kur s’duhet të ketë më versione zyrtare të historisë? A do të mundin fëmijët tanë nesër, pas kësaj shkolle, të aftësohen për t’iu qasur metodave të reja shkencore në shkencat humane apo do të mbeten përfundimisht jashtë tyre (siç duket se ka mbetur Ndreca dhe autori i  tekstit të gjuhës), apo do të përdorin edhe ata nesër, ashtu si mësuesit e tyre, teknikat e mashtrimit, të rrenës e të manipulimit në punimet e tyre?

Ndaj këtyre pyetjeve, me fjalë të tjera ndaj pyetjes se çfarë po ndodh në shkolla me fëmijët tanë, përgjigja që të vjen duke iu referuar këtij fakti është: në vend se t’u ndërtohet mendja me aftësinë për të gjykuar e për të kërkuar e dashuruar të vërtetën po u shkatërrohet duke iu mbushur me stereotipe e klishe të stërvjetëruara e me kulturën e rrenës. (Dhe, siç do ta shtjelloj më poshtë, nuk është thjesht e vetëm ky fakt që më shtyn të mendoj kështu.)

Pyetja tjetër që shtrohet është pse ndodh kjo? E këtu më duhet të kundërshtoj autorin e shkrimit kur shpreh një lloj nostalgjie për shkollën e kohës së tij. Ai thotë se “dekada më parë brezi ynë [I Klosit F.L.], në pikëpamje të njohjes dhe përdorimit të gjuhës shqipe, të njohjes dhe dashurimit me letërsinë e mirë, u rrit shumë më i shëndetshëm se i sotmi.” duke na lënë të kuptojmë, indirekt, se ajo shkollë ishte superiore ndaj kësaj të sotmes. Nga sa dëgjoj pedagogë të djeshëm e të sotëm, jo vetëm gjuhën, por edhe matematikën edhe fizikën edhe biologjinë nxënësit e kohës së regjimit e kanë mësuar më me zell se sot, jo aq për shkak të teksteve, se sa për shkak se rëndësia që i jepej shkollës/shkollimit ishte më e madhe dje sesa sot. Por çështja që ngre fakti në fjalë, megjithatë, nuk vjen nga diferenca midis dy shkollave, por nga vazhdimësia e tyre. Fakti tronditës i sjellë flet për vazhdimësinë e shkollës nacional – komuniste të kohës së Hoxhës, të metodave të trushpëlarjes apo manipulimit të mendjeve të brishta të fëmijëve, veçanërisht përsa i përket lëndëve të tilla si historia apo letërsia shqipe që janë edhe më të lidhura me instrumentet e dominimit e manipulimt të njeriut shqiptar nga elitat. Sepse, kur ngre pyetjen se pse ndodh që Ndreca shkruan ashtu, apo pse autori i tekstit të gjuhës ka zgjedhur tekstin e Ndrecës për të venë në atë libër, nuk mund të kemi tjetër shpjegim përveç atij se ata janë produkte të asaj shkolle e jo i asaj të Schmittit. Dhe kur them “shkollë” nuk kam parasysh thjesht shkollat fillore të mesme apo universtitetet, por një kulturë që ka transmetuar ai regjim edhe nëpërmjet atyre shkollave. Dhe nuk e kam  fjalën vetëm për Ndrecën dhe për këtë rast. Ky rast flet për politika dhe për një elitë të tërë që po dikton kulturën e vet retrograde në shkollat tona. Madje me në krye një nga mësuesit dhe frymëzuesit e Ndrecës, autorin e vendosur në tekstin në fjalë sëbashku me të, Ismail Kadarenë. Jo më larg se disa javë më parë ky botoi një libër sprovë letrare, “Mosmarrëveshja”, ku, në kapitullin “Gjergj K. Kundër Arbërit”, i quan ata që guxojnë të thonë se nëna e Skënderbeut qënkej sllave “renegatë” (kështu i ka quajtur ai, me gjuhën e Enver Hoxhës, tradhëtarët e atdheut në librat që botonte asaj kohe kurse në “shqipërimet” e paskomunizmit i quan “rimohues”), si njerëz që punokan që të zhbëhet kombi shqiptar, që inspirohen, në mos po paguhen, nga serbët. Nëse Fatos Lubonja ka shkruar më 1999 një shkrim të botuar në Courrier International, ku, duke shpjeguar historinë shumëshekullore të marrëdhënieve shqiptaro serbe, thotë se urrejta e shqiptarëve me serbët është një produkt i nacionalizmit të shek XIX-XX, nuk është një produk i kohës ë Skënderbeut kur shqiptarët dhe serbët kanë jetuar së bashku gati në simbiozë (dhe nën identitetin e krishterë jo atë nacional) aq sa nëna e Skënderbeut është sllave, për Kadarenë kjo është t’i futësh një thikë pas shpine Kosovës, të thuash gjëra që i ka thënë Vuk Drashkoviçi (paçka se atë e thotë edhe Fan Noli). Po të lexosh çka shkruan Kadare, dhe jo vetëm ai, për tema si kjo kupton se Ndreca nuk është një rastësi, por produk i asaj kulture që shkencën e letërsinë i ka vënë në shërbim të ideologjisë, të rrenës dhe manipulimit aq keq e kultivuar kjo veçanërisht nga intelektualët e komunizmit. Kupton pra edhe pse kjo kulturë është kaq e përhapur sot tek ne, aq sa të lind dyshimi nëse këta i kanë bindje këto apo i kanë konformizëm, dhe se sa e vështirë do të jetë të mbrohen fëmijët tanë prej saj.

Problemi pra është se fakti i sjellë nga Klosi tregon se thelbi i shkollimit dhe kulturës që i japim fëmijëve tanë, veçanërisht përsa i përket historisë sonë dhe gjuhës e letërsisë sonë, nuk ka ndryshuar edhe pse ndoshta kur bëhet fjalë për tekstet në përgjithësi formalisht mund të kenë më pak indoktrinim se dje. Dhe ky thelb buron nga fakti se shkrimtarët dhe studiuesit dhe mësuesit e regjimit/eve nuk i paraprijnë shoqërisë me ide të reja, me  antikonformizëm, nuk guxojnë t’i kundrëvihen kulturës dominante të propaganduar në mënyrën më vulgare nëpër masat nga politikanët për t’i manipuluar ato, por i konformohen asaj, janë në shërbim të saj, dhe pastaj në një rreth vicioz, si gjarpëri që ha bishtin e vet, lidhen me pushtetin që të mbrojnë veprën e tyre dhe e përdorin pushtetin që të indoktrinojnë pasardhësit me kulturën e veprës së tyre. Thelbi pra është ai i ngritjes kësisoj të një kulture zyrtare për të cilën punon e paguhet një elitë retrograde, e cila nuk i paraprin shoqërisë, por ecën dorë për dorë me pushtetin. Thelbi është ai i një shkrimtarie, i një shkence, i një dijeje në shërbim të një pushteti, të sponsorizuar nga pushteti, të kontrolluar nga pushteti; të një ideologjie pushteti që sot vetëquhet antikomuniste, por që në thelb përdor të njëjtat metoda të komunizmit e që fare mirë mund ta quash nacional evropianiste, por edhe katoliciste në mjaft raste, siç është edhe ky i Ndrecës që në librin e tij Skënderbeun e nxjerr edhe katolik sepse kështu i leverdis ideologjisë së të sotmes paçka se ç’thotë shkenca. Ky është problemi që sipas meje ngre fakti i gjendur në atë tekst mësimor.

Dhe problemi tjetër është se kjo kulturë ka pasoja përtej edukimit të fëmijëve pasi retorika pseudopatriotike se kush na shkruan ndonjë libër apo thotë ndonjë të vërtetë që nuk përkon me të vërtetat e të paditurve që kanë sunduar historikisht këtë vend, na i shërbeka armikut serb apo grek është bërë një nga gjërat e padurueshme në këtë vendin tonë. Sepse njerëzit shohin përditë se çfarë po i bëjnë vendit efektivisht këta patriotë sot me babëzinë dhe me paditurinë  e tyre. Karakteristika e kësaj elite, mu pse jeton në simbiozë me pushtetin dhe nuk lulëzon dot pa të, është që ajo tjerr retorika nacionaliste, por, kur vjen puna për plagët e hapura të shoqërisë të shkaktuara nga pushteti nuk hap gojën, por vazhdon t’i fryjë tamtameve të patriotizmit të shtirë. Nuk është rastësi që ndërkohë që Shqipëria po rrënohet nga një klasë politika super e korruptuar këta flirtues të përjetshëm me pushtetin i bijen kaq shumë tamtameve se kombi po rrezikohet nga ata që thonë se nëna apo babai i Skënderbeut paskesh qenë me origjinë sllave, se ky vetë paskesh qenë tregëtar kuajsh, nga Janullatosi në krye të Kishës Ortodokse, nga muslimanët me shami, apo ku di unë.  Shqipëria vërtet po lëngon, por po lëngon mu nga kjo kategori që e ka kaq për zemër fjalën “atdheu” apo “kombi shqiptar”. Le të kujtojmë psh. se Sali Berisha shkoi në Krujë për t’u thënë shqiptarëve se heqja e vizave ishte ngjarja më e rëndësishme që nga koha e Skënderbeut, por nuk kishte sy e gojë, sëbashku me elitën e tij që harton këto tekste e punon nëpër institutet e tij, për të parë se banorëve të Krujës po u merret fryma nga fabrikat e çimentos që u ka sjellë Sali Berisha dhe sivëllezërit e tij tek dera e shtëpisë, se katastrofa ambjentale që po i shkaktojnë Krujës këta të babëzitur  po i bën banorët të ikin fare prej kalasë së Skënderbeut. Më duket e tepërt të numëroj se çfarë gjëmash i ka bërë vendit kjo elitë gjithë duke i kënduar kalasë së Skënderbeut, atdheut dhe maleve të Shqipërisë.

Ja ky është problemi, prandaj ajo thënia e mençur ”nacionalizmi është streha e fundit e horrave” është e para gjë që duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë nëse do të duam të ndërtojmë një Shqipëri ndryshe nga kjo që kanë ndërtuar nacional - komunistët deri më sot. (Panorama, 25 nëntor 2010)

Wednesday, November 17, 2010

Nga diktatura në postdemokraci



Para disa ditësh më telefonoi një person i cili m'u prezantua si kryetari i partisë së pensionistëve. Më tha se kishte një shqetësim me rëndësi për të më thënë. Lashë të pi një kafe me të. Kur u takuam, përpara se të më thotë shqetësimin, më shpalosi programin e partisë së tij që ishte shumë i thjeshtë. Pensionistët janë të nëpërkëmbur me shifrën qesharake të pensioneve që marrin; partia jonë do t'u premtojë atyre një pension prej 60 000 lekësh; pensionistët janë një numër shumë i madh votuesish; ata do të votojnë partinë tonë; ne, kësisoj, do të mund të vimë në pushtet e do të ndryshojmë gjendjen e pensionistëve.
Pastaj kaloi tek shqetësimi. Në përçapjet e tij për të hyrë në zgjedhje kishte zbuluar se Kodi Zgjedhor ia bënte shumë të vështirë partisë së tij hyrjen në zgjedhje. E aty më tregoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese nga i cili rezultonte se, në bazë të ankimimit të partisë së tij,  kjo Gjykatë kishte nxjerrë si antikushtetues dy nene të Kodit Zgjedhor. Nga sa kuptova, duke i hedhur një sy dokumentit që më tregoi, vendimi e konsideronte Kodin Zgjedhor në kundërshtim me një nga parimet themelore kushtetuese: atë të barazisë përpara ligjit. Rezultonte se, sipas Kodit tonë Zgjedhor, një parti e vogël, që të mund të regjistrohet, ka nevojë për 10 000 firma të cilat duhet të jenë të gjitha të noterizuara dhe, duke marrë parasysh se një noterizim kushton minimumi 1500 lekë, vetëm mbledhja e firmave do t'i kushtonte një partie as më shumë as më pak se 1500000 lekë, një shifër jo e vogël kjo për buxhetin e një partie të posakrijuar, aq më tepër pensionistësh. Dhe më interesantja ishte se kjo shifër, çuditërisht, nuk u kërkohej partive të mëdha.  Dhe këtu qëndronte shkelja e parimit kushtetues të barazisë përpara ligjit që kishte gjetur Kushtetuesja, për vendimin e së cilës nuk kisha dijeni se ekzistonte, pasi mediat e kanë injoruar thuajse krejtësisht.
E solla këtë histori për të trajtuar një problem që ky rast e ilustron më së miri, që ka të bëjë  me një shqetësim themelor për fatet e demokracisë në kohën që po jetojmë dhe që, për fat të keq, nuk është një shqetësim që e gjen vetëm tek ne, por edhe në vendet e ashtuquajtura demokratike. Madje le ta filloj prej andej. Ka kohë që në Perëndim vihet re një krizë e institucioneve demokratike aq sa kjo i ka çuar politologë të njohur si Colin Crouch ta quajnë fazën që po kalojnë sot si "postdemokraci". Çfarë është postdemokracia sipas tij? Ajo karakterizohet nga rritja e madhe e ndikimit të elitave ekonomike në vendimet politike aq sa janë ato që përcaktojnë prioritetet e jetës publike. Kjo do të thotë, më anë tjetër, pakësim i mundësisë për qytetarët e thjeshtë të marrin pjesë në këto vendime jo vetëm nëpërmjet votës, por edhe nëpërmjet organizimeve të pavarura. Postdemokracia e ruan formën e demokracisë siç janë psh. ritualet e zgjedhjeve si dhe debatet politike në Parlament apo në media, por nuk ruan thelbin e saj: sipas të cilit është zëri dhe interesat e pjesës më të madhe të njerëzve të zakonshëm që ka ndikimin më të madh në punët e shtetit. Ky çekuilibër, sipas Crouch, ka bërë që politika të bëhet instrument i elitave ekonomike ku të tjerët nuk hyjnë dot, siç ka ndodhur në periudha parademokratike.
Zëri i atyre që thonë se në Perëndim demokracia ka ardhur duke u mrrudhur duket se është në rritje. Sipas gjykimit tim, dy janë arsyet kryesore. Së pari, pasi partitë e majta e lëvizjet sindikaliste që impononin politika sociale kanë qenë shumë më të forta dje ndoshta, paradoksalisht, edhe sepse socializmi real i Lindjes qëndronte si kërcënim për të pasurit në vendet perëndimore. Së dyti,  pasi mbarimi i Luftës së Ftohtë u shoqërua me globalizmin që gjithnjë e më shumë ka zbehur rolin e shtetit komb dhe bashkë me të edhe të politikave sociale të tij,  në favor të pushtetit gjithnjë e më të pakontrolluar të shumëkombësheve që veprojnë pa ekzistencën e një shteti global.
Problemi që kemi ne, si shqiptarë, në këtë kontekst është se ne kemi kaluar nga diktatura  në post demokraci pa kaluar fazën e demokracisë perëndimore: dmth. na ka munguar një shtet komb me parti të majta dhe lëvizje sindikaliste që të impononin politika sociale, si dhe u gjendëm pa asnjë lloj aftësie kompetitive në tregun global përveçse me krah pune emigrantësh dhe ekonomi kriminale që do të thotë krejtësisht nën mëshirën e elitave shpesh mafjoze brenda vendit dhe të investimeve të huaja nga jashtë, jo pa lidhje me njëra tjetrën. Kjo sipas gjykimit tim ka bërë që në Shqipëri të dështojë qysh në lindje ai që Crouch e quan thelbi i demokracisë si një formë shteti ku prioritetet i përcakton shumica. Kategori të tilla si pensionistët apo në përgjithësi shtresat e varfëra nuk kanë pasur kurrë mundësi të mbrojnë interesat e tyre pasi prioritetet në këtë vend janë përcaktuar së brendëshmi nga elita që kanë i kanë diktuar politikës interesat e tyre të pasurimit, dhe së jashtëmi nga të huajt që, po për interesa pasurimi e shfrytëzimi kanë inkurajuar politika në kundërshtim me ato të masës së gjerë të popullsisë vendase. Sa për ilustrim le të kujtojmë (ndër shembujt pa fund që mund të sillen krahas atij të pensionistëve) se para pak kohësh u aprovua një projektligj i cili lejon sjelljen e ndotjeve të huaja në Shqipëri me qëllim riciklimi. Shumëkush ngriti pyetjen e thjeshtë: Pse kemi nevojë për plehërat e huaja? A nuk do të ishte më normale të ndërtohej një impiant që do të digjte, pas një procesi ndarjeje, vetëm plehërat e Shqipërisë? Përgjigja është se ky kushton 50 milion euro prandaj jemi të shtrënguar të na e ndërtojnë të huajt të cilët, si kusht për këtë, kërkojnë djegjen e plehërave të tyre.  Po si ka mundësi që ndërkohë që kemi kaq dëshpërimisht nevojë të ndërtojmë një djegës plehërash nuk mund të investojmë 50 milion euro kur kemi investuar 1 miliard euro në rrugën Durrës Kukës. Po ashtu: si ka mundësi që Kryeminstri vendos të prishë Piramidën dhe të ndërtojë atje një ndërtesë të re të parlamentit e cila, sipas kalkulimeve të përafërta, mund të kushtojë afro 50 milion euro. Shkaku është shumë i thjeshtë: sepse prioritetet në vend i vendosin interesa të tjera nga ato të njerëzve të thjeshtë.

* * *
A mund të dilet nga kjo situatë dhe si mund të dilet. Sot për sot i vetmi mekanizëm që na jepet për ndryshim janë zgjedhjet. Por pas njëzet vjetësh pluralizëm politik vihet re se ndaj zgjedhjeve shumica e njerëzve janë bërë gjithnjë e më skeptikë. Pse kështu? Sepse zgjedhje do të thotë mundësi votimi për parti që përfaqësojnë interesa të tjera nga ato të elitave ekonomike brenda dhe të shumëkombësheve jashtë në mënyrë që interesat e të gjithëve të ekuilibrohen njëfarësoj. Këto parti, ashtu si edhe në Perëndim, do të duhet të ishin parti të majta të cilat për ideologji dhe histori kanë qenë më afër shtresave të varfra. Por sikurse e thashë më lart për arsye të dobësimit të shtetit komb nga globalizimi i cili, veç tjerash, ka dobësuar edhe sindikalizmin, si dhe për arsye të humbjes së projektit të ndryshimit apo të humanizimit të sistemit kapitalist edhe partitë e majta në Perëndim janë kthyer gjithnjë e më shumë në parti që i janë adoptuar këtij sistemi çka do të thotë në përfaqësuese të interesave të të pasurve (ndonëse jo në shkallë të njëjtë me ato të djathtat), e pikërisht për këtë janë në krizë.
Ndërkaq rasti ynë si vend që doli nga diktaturat lindore është shumë më dëshpërues.  Partitë e majta në përgjithësi në vendet ish komuniste kanë mbetur  parti të të privilegjuarve të komunizmit që janë shndrruar në më të pasurit pas rënies së komunizmit. Në Shqipëri ky fenomen qe edhe më i dukshëm: të dyja partitë kryesore kanë funksionuar si dy gjysma të Partisë së Punës që u futën në garë dhe vazhdojnë të jenë në garë se cila do ta shfrytëzojë më mirë politikën për të pasuruar klientelën e saj.  Madje nuk është rastësi që të dyja, kur flasin për sistemin politik, i rferohen më shumë atij amerikan sesa atij evropian pasi në atë sistem shumë më tepër sesa në atë evropian mungojnë partitë e mirëfillta të majta që gjithsesi, ndonëse në krizë, vazhdojnë të ekzistojnë në Evropë. Që të dyja nga ana tjetër janë njëlloj në shërbim të çdo projekti investimi që vjen nga jashtë.
Në këto kushte kur këto parti janë rritur e forcuar në pushtet pikërisht nëpërmjet këtyre instrumenteve dhe për këto qëllime a nuk rrezikon PD apo PS  të kthehet si partia e pensionistëve nëse shkëputet nga përfaqësimi i interesave të elitës ekonomike të vendit që tashmë ka kapur kryesinë e tyre? A nuk rrezikojnë ato të dalin jashtë mediave që përsëri janë në duart e elitës në fjalë? Sigurisht që po, por pa harruar një paradoks, megjithatë, sipas të cilit del se në postdemokraci shumica voton për interesat e pakicës pasi shumica e votuesve nuk janë të pasurit. Paradoksi shpjegohet thjeshtë me faktin e provuar tashmë nga përvoja sipas të cilit opozita përdor retorikat e intresave të njerëzve të thjeshtë për tu marrë votën dhe, pasi vjen  pushtet, punon për elitat që i kanë sponsorizuar fushatën elektorale. Kështu ka bërë PS-ja kur erdhi në pushtet më 1997 kështu ka bërë PD-ja kur erdhi më 2005. Në fakt partitë tona në këtë kontekst të kujtojnë personazhin e Brehtit Mackie Messer "Punë për tre grosh" i cili shfrytëzon një grup lypësish për të realizuar me sukses vjedhjet e tij. Gjithë në këtë kontekst edhe retorikat perëndimore të të drejtave të njeriut e shumçka tjetër tingëllojnë në postdemokraci më shumë si fasada prapa të cilave diktojnë interesat e të pasurve. Në këto kushte, pra, parti të reja nuk mund të dalin sepse s'kanë shans jo vetëm pasi partitë e të pasurve kanë bërë Kode Zgjedhore si ai i yni, që e nxorrën jashtë partinë e pensionistëve, por edhe pse fushatat elektorale janë bërë gjithnjë e më të shtrenjta e gjithnjë e më televizive, çka nënkupton se janë gjithnjë e më shumë në duart e të pasurve dhe mediave të kontrolluara prej tyre. (Nuk po flas për shoqërinë civile si forcë kundërvepruese apo ndikuese në vend sepse ajo nuk ka mundur të ngrihet më lart se grupime të vegjël individësh në shërbim të njërës apo tjetrës parti.) Atëhere, e përsëris pyetjen, si do të mund të kalonim nga postdemokracia në demokraci?
Shtrimi i vetë pyetjes nënkupton se ka një rrugëzgjidhje të cilën duhet ta gjejmë përderisa jemi në një pikë që shumicës nuk i pëlqen. Por mund të thuash edhe se nuk ka rrugëzgjidhje, duke pranuar se ky është statusi normal i gjërave në një botë ku ka pasur gjithnjë të pasur dhe të varfër. Gjykoj se përsa i përket Shqipërisë, e cila vuan nga një provincializëm i thellë, (dhe ka probleme më të rënda për të zgjidhur, siç janë ato të korrupsionit, të mungesës së drejtësisë etj.) kjo e dyta është më e vërtetë. Ndërkohë që bota po sheh rrezikun në rritje të postdemokracisë në Shqipëri vihet re një vonesë përsa i përket ndërgjegjësimit të kësaj problematike, madje postdemokracia perëndimore shitet nga elita pseudointeolektuale në vend si idealja ose si arritje e një statusi të cilit tashmë duhet t’i adoptohemi.
Prandaj gjykoj se vendimtar në këtë kontekst për Shqipërinë  do të jenë ndryshimet nga jashtë. Kur flas për këto kam parasysh se për ato shoqëri që kanë ushqyer idealet e demokracisë të lirisë dhe barazisë kthimi nga postdemokracia në demokraci është tashmë një çështje e shtruar për zgjidhje në një kontekst të ri që është ai i globalizimit nga i cili s’del dot as Shqipëria. Këto ndryshime do të vinin në formën e ndërtimit të institucioneve globale që do të siguronin kontrollin e abuzimit me pushtetin të elitave ekonomike lokale dhe ndërkombëtare në  emër të interesave të shumicave të nëpërkëmbura prej tyre; që do të bënin të mundur, pra, që prioritetet politike të vendosen në emër të interesave të shumicës. Dhe besoj se këto ndryshime do të vijnë, ndoshta edhe pas krizash më të thella se kjo që po kapërcen sot sistemi kapitalist botëror, ndoshta edhe pas mrrudhjesh tërheqjesh apo disfatash të përkohëshme.
 

Thursday, November 11, 2010

Një propozim për Piramidën


Duke ndjekur debatin Berisha - Rama (me disa ndërhyrje të Jozefina Topallit) mbi prishjen e Piramidës, ku njëri thoshte se ai çiban i mallkuar duhet mbuluar me një Parlament demokratik për të zhdukur kujtimin e Enver Hoxhës dhe tjetri se Parlamenti i ri e ka të gjetur tashmë vendin tek ajo shtesa e katit mbi zyrat e Enver Hoxhës, të projektuar mrekullisht nga ndërkombëtarët, me lindi një ide që, edhe pse jo fort në koherence me ç'kam shprehur në mbrojtje të idesë së vazhdimit të projektit të shfrytëzimit të hapësirës brenda Piramidës për teatër (jo pse me duket më e gjetura, por sepse janë investuar tashmë disa milionë Euro të taksapaguesit), shpresoj se lexuesi do ta vleresojë. Tek e fundit, siç thotë Seneka, "Errare humanum est - sed perseverare diabolicum."
Dua të them, pra, se jam dakort qe Piramida te shpërndërndryshohet përsëri nga brenda (nuk guxoj të them nga jashtë sepse është në kundërshtim me ligjin që e ka shpallur monument kulture). Por mendimi im është që nga teatër e bibliotekë të mos bëhet Parlament, por diçka tjetër. Përsa i përket Parlamentit gjykoj se deputetëve tanë do t'u shkonte shumë mirë edhe ajo shtesa e katit mbi zyrat e Enver Hoxhës që ka projektuar Rama, deri në një moment tjetër kur t'i vijë rradha një parlamenti joenverist. Mirëpo për këtë do të duhet shumë kohë, e, në funksion të kësaj kohe të pritshme, po hedh idenë që vijon.

Shkurt, ideja ime është që Piramida të bëhet "Qendra Kombëtare e Psikoterapisë Politike".  Me këtë kam parasysh nje qendër të veçantë psikoterapie për politikanët shqiptarë për pastrim, ç'helmim, dekontaminim nga traumat e enverizmit dhe nga sindromat e homo economicus (këto do t'i shpjegoj më poshtë). Jam i bindur se kjo do t’i shërbejë vendit shumë më tepër se Parlamenti dhe teatri. Sepse është e vërtetë që teatri, me një fjalë drama, tragjedia që luhet aty, mund të shërbejnë për atë që Aristoteli e quante katharsis nëpërmjet përjetimit të tragjikes, por, duke patur parasysh se politanët tanë, edhe kur shkojnë në teatër apo shfaqje të tjera, shkojnë atje që t'i shohin jo që të shohin, mendoj se një qendër e tillë, e rregulluar me ligj, megjithë shpenzimet fillestare që do të kërkonte për një vend të varfër si ky i yni, e megjithë çuarjen në erë të disa milion eurove të projektit për teatrin, them se do të ishte shumë më e dobishme.

Le ta shtjelloj edhe pak më shkoqur idenë time. E para, le të shpjegoj pak më qartë qëllimin. Qëllimi kryesor të cilit do t'i shërbente një qendër e tillë është që politikanët tanë të fillojnë të provojnë ndjenja të tilla si empatia, bujaria, ndershmëria, besnikeria, turpi apo ndjenja e fajit që janë që të gjitha ndjenja që burojnë nga raporti i njeriut me të tjerët atje ku ka shoqëri dhe drejtësi, të cilat ndjenja duket sheshit se këta tanët i kanë bjerrur tashmë thuajse krejt duke na bërë të dyshojmë nëse mund të quhemi më apo jo shoqëri dhe nëse ka më kuptim të flitet për drejtësi tek ne. Duke patur parasysh se Piramida është shumë afër vendit të punës së shumicës së politikanëve tanë, Kryeministrisë, Ministrive, Bashkisë, Presidencës. Kryesisë së Kuvendit, Parlamentit, por edhe selive të partive, mendoj se Piramida, e kthyer në një Qendër të Psikoterapisë Politike, do të ishte vendi ideal ku, pas mbarimit të punës ose ndoshta edhe në fillim të saj (për këtë mendoj se duhet të merret mendimi i ekspertëve ndërkombëtarë), udhëheqësit tanë të kishin mundësinë të bënin seanca psikoterapie. Nuk mund të rekomandoj në detaje punën e një pastrimi psikoterapik të tillë pasi është punë specialistësh. Di të them se ajo mund të ishte si individuale ashtu edhe kolektive (në grup siç i thonë), dhe se duhet të kapërcente atë fazën e shkollës frojdiste, e cila, ndonëse të ndërgjegjëson për shkaqet e neurozave, nuk të ndihmon ashtu dhe aq që të mos të të  përsëriten ato. Kam parasysh faktin që ka kaq kohë që ne themi "enverizmi", "enverizmi", por nuk shërohemi prej tij. Jam i mendimit pra, që duhet aplikuar Gestalt-terapia, siç më duket se i thonë, që do të thotë një psikoterapi që niset nga gjendja e të tashmes së pacientit, jo nga ajo e traumës së të kaluarës që, sipas frojdistëve, ka përcaktuar ekzistencën e tij. Gestalti frymëzohet nga filozofia ekzistencialiste "L'existence precede l'essence" - sipas së cilës njeriu nuk është i determinuar pashpresërisht për të qenë i keq apo i mirë, por e ka vazhdimisht në dorë të zgjedhë të jetë i keq apo i mirë nëpërmjet akteve të tij në të sotmen, çka do të thotë se enverizmi, pra, nuk na ka determinuar  përfundimisht për të qenë të këqij, se po u kuruam kemi shpresë të bëjmë edhe mirë. Veçanërisht kam parasysh degën e Gestaltit në të cilën pacienti apo pacientët çohen, me ndihmën e psikoterapeutit, në gjendjen emocionale të traumës që ka/në pësuar duke zhvilluar psh. edhe shfaqje teatrale që inskenojnë traumën. Dhe kjo do ta afronte shumë punën e Qendrës edhe me idenë e katharsisit aristotelian të teatrit. Dhe për këtë ndoshta do të shërbente ajo salla e vogël poshtë, që është në mbarim e sipër. Dhe po ashtu aty do të mund të punësoheshin edhe regjizorë, si Arben Kumbaro, që kanë punuar që Piramida të bëhet teatër, duke mos u zhgënjyer tërësisht për punën e çuar dëm.

Nejse, siç e thashë, nuk jam ekpert, por, di të them megjithatë se psikoterapeutët duhet të punojnë në disa drejtime që do të thoja se janë shumë, po, shumë të rëndësishme për njerëz të cilët kanë në dorë punët tona publike. Ja dy  drejtime dekontaminimi që modestisht po i rendis si kryesorët.

Se pari, gjykoj se prirja e politikanëve tanë për të shkatërruar edhe fizikisht gjithshka që kanë bërë të tjerët përpara tyre ka brenda edhe elementë të paranojës hoxhiste të njeriut që mendon se ekziston vetëm ai në këtë botë. Në këtë Qendër psikoterapie të politikës do të duhej urgjentisht që një grup mjekësh të punonin intensivisht me udhëheqësit tanë për t’i çliruar nga deliri i madhështisë hoxhiste, me fjalë të tjera, që hap pas hapi të fillojnë të ndërgjegjësohen se nuk kanë ekzistuar dhe nuk ekzistojnë vetëm ata në hapësirë dhe në kohë, por edhe qënie të tjera, të barabarta me ta sipas ligjit apo dhe sipas moralit të trashëguar prej shumë kohësh që thotë, se jemi të gjithë të barabartë përpara Zotit. Nga sa kam lexuar arritja e këtij ndërgjegjësimi mund të ketë nevojë për terapi grupi. Pra do të duhej që në seancat të merrnin pjesë deputetët psh. me grupe parlamentare, ku sejcili deputet të luante rolin e Sali Berishës apo të Edi Ramës dhe këta të luanin rolin e deputetëve të thjeshtë duke provuar reciprokisht ndjenjat e skllavit dhe padronit. Edhe ministrat do të duhej të vinin me të gjithë stafin e tyre. Por, e përsëris edhe një herë, nuk jam ekpert, aq më pak ndërkombëtar, e puna në detaje u përket atyre.

Së dyti, duke qenë se politikanët tanë janë për të bërë punë publike, dmth., siç thuhet rëndom, për t'i shërbyer publikut dhe jo vetvetes dhe familjes së tyre, një pavjon tjetër i kësaj Qendre mendoj se duhet të punojë që ata të çlirohen nga sindromat e homo economicus. Antropologjikisht homo economicus karakterizohet si një qënie që vepron i shtyrë vetëm nga motive instumentalizimi të gjithshkaje që e rrethon për të arritur qëllimet e tij materiale dhe egoistike; me një fjalë ai nuk bën kurrë një gjë për asgjë si ç'është psh. të kënduarit apo të menduarit me vete, shëtitjet në ndonjë park apo bisedat me miqtë e fëmijërisë për të kujtuar të kaluarën e lumtur. Është një qënie që atë mësimin moral të Kantit që thotë "Njerëzit mos i shih si mjete, por si qëllime" e ka të kthyer kokëposhtë: i sheh të tjerët vetëm si mjete për përfitimin e tij material. Dikush do të thotë se kjo është tashmë diçka normale në shoqërinë e konsumit, se nuk është sëmundje. Mirë, por problemi është se politikanët nuk janë biznesmenë as industrialistë të cilët, si të thuash, e kanë këtë sëmundje "profesionale". Politikanët, edhe në të ashtuquajturën botë e konsumit, demokratike, me ndonjë përjashtim sigurisht si psh., Berlusconi në Itali, shihen si në shërbim të publikut për çka ky i paguan ata me rroga jo të këqija, por që s'u lejojnë kurrsesi të bëhen milionerët e vendit.  Kurse këta tanët janë në garë se cili të bëhet milioner më parë, sikur të punojnë në Bursë jo në Parlament. Mendoj se puna që këta të kuptojnë se Parlamenti nuk është Bursa ka nevojë edhe për një trajtim psikoterapeutik.

Jam i bindur se nëse punohet në këto dy drejtime shumë shpejt do të vihen re përmirësime të dukshme tek politikanët tanë. Ndër këto do të theksoja rizgjimin tek ata të ndjenjës së të bukurës që bije në sy se e kanë humbur krejtësisht. Dikush do të thotë se ndjenja e të bukurës ka nevojë për edukim estetik dhe jo për kura psikoterapeutike. Unë ngulmoj se diçka anormale ka ndodhur tek ata dhe se kjo e ka burimin tek dy problemet psikike që përmenda. Përndryshe s'kam se si e shpjegoj që Sali Berishës vetëm pas njëzet vjetësh i duket e shëmtuar Piramida, kurse Edi Ramës, që ka mbaruar akademinë e arteve të bukura, i duket një mrekulli arkitektonike shtesa e katit mbi ish Komitetin Qendror?

Sipas teorisë time, kjo humbje e ndjenjës së të bukurës vjen së pari, nga uni i stërfryrë i politikanëve tanë që i ka bërë të besojnë se e vetmja gjë e bukur që ekziston mbi tokë është vetja e tyre. Mjafton të shohësh se sa shpesh e sa gjatë dalin nëpër televizione. Së dyti, nga homo economicus. Sepse, sikurse dihet, e bukura lidhet shumë me formën: "formë e pastërt e paqëllimtë" e quan Kanti artin; lidhet me ruajtjen e trashëgimisë, të kujtesës, të pejsazhit etj., etj.. Kurse homo economicus, me deformacionin e tij, që e bën të shohë vetëm përfitimin material, i humbet këto forma marrëdhënieje me botën që e rrethon. Ai po pa një pejsazh të bukur nuk ka aftësinë ta shijojë atë, por menjëherë mendon se sa fitim do t'i sillte ndërtimi i një pallati, i një vile apo i një fshati turistik atje; po pa një plazh të bukur thotë se mbi rërën e tij mund të ngrihet një hotel; po pa një lumë ai thotë se aty mund të bëhet një hidrocentral; po pa një pyll thotë se nga shitja e drurit të tij mund të fitoj kaq e aq; po pa një vilë të vjetër dykatëshe thotë se kjo duhet shembur sa më parë që të ngrihet një dhjetëkatëshe; po pa nje pallat katërkatësh thotë se aty mund të bëhet për bukuri një shtesë kati; po pa piramidë thotë se ajo nuk e shfrytëzon si duhet ajrin mbi bazament duke llogaritur menjëherë se sa metra katrorë sipërfaqe ndërtimi ka humbur atje. A nuk e keni vënë re se homo economicus ka filluar të ndërtojë në Tiranë piramida me majën poshtë për të shfrytëzuar sa më mirë ajrin?

Ja pse mendoj se kurat e propozuara do të risillnin ndjeshmërinë për të bukurën tek politikanët tanë dhe do të na e bënin të gjithëve kësisoj jetën dhe ambjentin një çikë më të bukur. Po u realizua projekti i kësaj Qendre, Piramida, që është si të thuash simboli i diktaturës, dmth. i psiqikës së sëmurë të individit dhe kolektivit shqiptar, do të kthehej kështu në vendin ku do të fillojnë të çlirohen potencialet sociale, afektive, etike të "kafshëve politike" të vendit të shqiponjave. Do të ishte një vend ku madje do të mund të vinin për shkëmbim eksperience edhe nga bota. Personalisht duke qenë se punën që bëj si gazetar e person publik e konsideroj edhe atë politikë, do të nxitoj të regjistrohem ndër pacientët e parë të Qendrës e cila mendoj se herë pas here duhet të jetë e hapur edhe për publikun i cili duhet të vigjëlojë rreptësisht se mos politika korrupton psikoterapeutët.

Përfundimisht, sikurse e thashë disa herë gjatë këtij shkrimi, ky propozim ka nevojë të konsultohet me ekspertë ndërkombëtarë, të cilët do të jenë ata që do të përcaktonin në detaje punën që duhet bërë në Qendrën e Pastrimit Psiqik të Politikës dhe e pranoj se, tek e fundit, për këtë do të vendosë Parlamenti. (Panorama, 10 nëntor 2010)

Tuesday, November 2, 2010

Kudhes - Qeparo

Shënime udhëtimi


Gjetja e një vendi për të fjetur ku të mos binim pre e zhurmave ishte për ne aventura e çdo mbrëmjeje. Duke parë se në Porto Palermo nuk kishte disko, pyetëm se mos ishte e lirë ndonjëra nga ato shtëpizat prej druri. Përgjigja që morëm ishte se qenë të gjitha të zëna. Vendosëm të vazhdonim rrugën për më në jug, drejt Borshit apo Lukovës. Dikush na tha se ndoshta do të na duhej të udhëtonim deri në Sarandë për të gjetur një vend të qetë, por planet tona ishin të vizitonim edhe fshatra të tjera përpara se të mbrrinim në Sarandë. 
Darkën u ndalëm ta hamë në Qeparoin e poshtëm, në një lokal buzë detit. Aty ishin një numër lokalesh jo më larg se njëzet metra nga bregu prapa të cilëve s’kishte as rrugë makine, kështu që ai breg i bukur nuk shërbente vetëm për çadrat e diellit të plazhistëve, por edhe si rrugë për ca xhipa që shkonin e vinin nëpër rërë, nga e për në lokalet më përtej.
Supa e peshkut ishte e mirë. Pronari u interesua për të na gjetur ndonjë vend për të fjetur, por, pas disa telefonatash, na tha se të gjithë të njohurit e tij që merreshin me këtë biznes i kishin të zëna dhomat. Ishte vonë, krejtësisht terr, kur u nisëm për më në jug drejt Borshit me shpresën se do të gjenim dhoma fjetjeje aty. Dhe në fakt na buzëqeshi fati. Në një shtëpi në hyrje të një rruge që të çonte për në plazhin e Borshit pamë një tabelë ku shkruhej se jepeshin dhoma fjetjeje. I ramë celularit dhe na u përgjegj një burrë që na tha se kishte, por vetëm një dhomë. Ndaluam dhe pritëm të dilte. Shtëpia ishte një dykatëshe me obor rreth e rrotull me një hyrje të mbuluar me hardhija rrushi. Hymë brenda dhe pamë se dhoma për ne ishte në katin përdhes, dhomë ndenjeje e kuzhinë bashkë, ku përveç një krevati dopio kishte edhe një si divan  për të cilin i zoti i shtëpisë na tha se hapej e bëhej shtrat dysh.
Vendosëm menjëherë të qëndrojmë të pestë atje, Yuri me Davidin tek divani shtrat, ne me Lunën në krevatin dopio, pa e çuar më tej aventurën nëpër terr. Banja ishte jashtë, prapa një dere që dilte në oborr. Debora me shqipen e saj i tha atij nëse mund të hanim mëngjesin aty. Është shumë “carino” të hamë nën ato hardhitë e rrushit këtu jashtë – na tha ne në italisht. E paguajmë veçmas dhomës - më tha - thuaji. I zoti i shtëpisë në fillim ose nuk mori vesh shqipen e saj ose nuk mori vesh kërkesën. Por për mua ishte e qartë se atje nuk mund të kërkonim këtë lluks agroturistik. Ajo megjithatë ngulmonte se isha unë që nënvleftësoja, s’provoja. Gati sa nuk u zumë sepse unë pretendoja se isha ekspert në vendin tim dhe s’mund të bëja qesharakun duke kërkuar një gjë që atje s’mund të kërkohej pasi kuptohej me një të parë se ajo ishte një shtëpi e improvizuar për t’u bërë bujtinë. Le të tjera, por as na u shfaq ndonjë grua e shtëpisë që të nesërmen mund të na shërbente ndonjë gjë nga kuzhina e tyre sepse, sa për burrin, dukej sheshit se s’bëhej fjalë. I zoti i shtëpisë, pasi e kuptoi më në fund se për çfarë po grindeshim, na tha se kishte plot lokale andej rrotull ku mund të haej.
Kur ne mbaruam punë në banjo, në shtëpi kishte rënë qetësi e madhe, ishin fikur të gjitha dritat. Por jo ajo e koridorit të hyrjes së shtëpisë që, kur fikëm tonën, vumë re se na hynte keqas në dhomë sepse gjysma e derës ishte prej xhami. Dolëm në koridor për të gjetur çelësin që s’gjindej kërkund. Një provë më tepër se kishim të bënim me një bujtinë të improvizuar. Dhamë e morëm derisa vendosëm të varim mbi derë një batanije që ndodhej aty për të penguar dritën.
Gjithsesi një problem më i madh na doli pasi errësuam dhomën: mickonjat me të cilat luftuam ndonjë copë herë derisa na zuri gjumi.
Të nesërmen fëmijët e familjes na përcollën me kuriozitet dhe me shumë dashamirësi.

Kudhës
Për të ngrënë mëngjesin u kthyem në Qeparoin e poshtëm në të njëjtin lokal ku hëngrëm darkën. I zoti i lokalit na tha se për në fshatin Kudhias rruga nuk na merrte më shumë se njëzet minuta.
Kudhësi nuk duket nga deti, është i fshehur prapa kodrave. Kjo e bënte zbulimin e tij edhe më tërheqës në imagjinatën tonë. U ngjitëm atje pasi kaluam një luginë të bukur plot gjelbërim e lule, ngjyra ngjyra të lumit të Qeparoit që në pjesën e sipërme, që zbret nga malet, quhet i Kudhësit dhe pastaj morëm një rrugë të përpjetë që ishte, në pjesën më të madhe, njëkalimshe, e shtruar me një si beton të vijëzuar.
Rruga e makinës, kur hynte në fshat, kalonte nëpër shtëpitë e poshtme të tij dhe mbaronte në një shesh që mund të konsiderohej qendra e fshatit. Ajo që na befasoi ishte se fshati dukej më i mbajtur sesa fshatrat e tjerë që kishim vizituar. Kishte më pak shtëpi të rrënuara.
Tek sheshi, parkuam makinat nën hijen e një rrapi anës të cilit ishte një ndërtesë nga ato të kohës së Hoxhës. Në krahun e sipërm të sheshit ishte një lokal i vogël në oborrin e të cilit kishte një tjetër rrap, më të madh se i pari, rreth të cilit ishin disa tryeza e karrike ku qenë ulur disa djem të rinj. Kurse përmbi klubin ishte një rrugë e ngushtë me kalldrëm që të çonte në pjesën më të vjetër të fshatit, ku na thanë se ndodhej edhe kisha.
U ulëm për të pirë kafe nën hijen e rrapit të madh. Prej aty dukej fasada e ndërtesës bri së cilës kishim parkuar makinat. Ishte nga ato të kohës së Hoxhës që i dallon menjëherë, kryesisht për shkak të formës së dritareve që janë të mëdha, me tre kanate dhe me një sopraluçe sipër. Me vështrimin e parë mu duk se mund të kishte qenë o shkolla e fshatit, o zyrat e kooperativës, sepse ishte e pabanuar dhe kishte shumë parrulla të vjetra mbi fasadën e saj. Fillova t’i deshifroja ato. Ashtu si në Porto Palermo, në tërë gjatësinë e fasadës pëmbi dritaret kishte një mbivendosje shtresazh, ku disa fjalë të shtresës së sipërme lexoheshin më qartë me atë të kuqen në vishnje  rroftë…  ppsh, kurse poshtë tyre dalloje ndonjë SH e ndonjë P, por jo fjalë të plota. Edhe në të dy anët e derës së hyrjes kishte nga ato citatet e gjata, të futura në korniza, ku jepet ndonjë mësim moral a politik i partisë apo shokut Enver. parti … mësimet kongresit të saj ishte një copë fraze që lexova. Në fasadë kishte edhe shenja të kohës së paskomunizmit që tregonin se funksioni i ndërtesës ishte ndryshuar. Diku përbri derës kryesore ishte shkruar në të zezë “bufe” dhe bri saj një shigjetë që tregonte derën e hyrjes prej llamarine të ndryshkur.  Diku më poshtë dikush kishte shkruar edhe të dua. Por spikaste mbi të gjitha një e kuqe e freskët: ps. fitore me të njëjtën ngjyrë me të cilën ishte shkruar, ndoshta në të një njëjtën ditë me të, edhe një ps e madhe në trungun e rrapit nën hijen e të cilit po rrinim. Fshat socialist ky, – thashë me vete.

* * *
Pasi pimë kafen morëm rrugën e kalldrëmtë për në pjesën e vjetër të fshatit ku na thanë se ishte edhe kisha. Takuam atje pak a shumë të njëjtën romantikë të shtëpive me gurë të vjetër, me vilet e rrushit dhe gomerët që ngjiten e zbresin të heshtur në rrugicat me kalldrëm. Na ra në sy se kishte më pak shtëpi të rrënuara dhe më shumë njerëz dhe gomerë nga ç’mund ta imagjinonim.
Gjatë rrugës dëgjova disa vajza të vogla që flisnin greqisht me njëra tjetrën. I pyeta në shqip se ku ishte kisha dhe u habita kur dëgjova  të ma shpjegonin me një shqipe mjaft të pastër.
“Ku e keni mësuar shqipen?” – i pyeta, duke menduar se ishin minoritare dhe se shkollën fillore e bënin në greqisht.
“Na e kanë mësuar prindërit.” - mu përgjegjën.
Mbeta pak i habitur: fëmijë që me njëri tjetrin flisnin greqisht dhe që, megjithatë, si gjuhë të prindërve kishin shqipen.
“Po greqishten ku e keni mësuar?”
“Në shkollë.”
Prap s’po kuptoja gjë. Prindër shqiptarë që i kanë çuar fëmijët në shkollë greke? Por më ndihmoi një grua që kaloi aty më në atë çast.
“Këta janë fëmijë shqiptarësh – më tha. Fshati ynë është fshat shqiptarësh në origjinë, por shumica e banorëve kanë shkuar në Greqi dhe këto vajza që sheh ti janë fëmijë shqiptarësh që e bëjnë shkollën në Greqi prandaj flasin greqish me njëra tjetrën. Tani janë këtu me pushime.
Po prekja një realitet të ri shqiptaro-grek të atyre anëve. Pas një periudhe gati gjysëm shekullore që minoriteti grek u shtrëngua të jetonte i izoluar nga Greqia e ku, për ata që synonin arsim të lartë, shqipja bëhej gjuha më e rëndësishme kulturore, tani po jetojmë një kohë kur shqiptarët e atyre anëve shkojnë të punojnë e studiojnë në Greqi aq sa gjuha greke bëhet për fëmijët e tyre gjuha më e rëndësishme kulturore. Një provë tjetër e identiteteve të lëngshëm e të shumëidentiteteve kundër identiteteve të ngurta e njëidentiteteve në të cilët janë reduktuar gjyshërit e prindërit e këtyre fëmijëve nga politikat nacionaliste dhe do të duan t’i reduktojnë edhe këta fëmijë nesër nacionalistët e rinj të të dy anëve duke u thënë jeni puro shqiptarë ose puro grekë.

* * *
Kur arritëm tek kisha e lyer e tëra në të bardhë, me këmbanoren të re, pamë se nuk hynim dot brenda. Vendosëm të zbresim. Duke zbritur më poshtë më tërhoqi vëmendjen një sheshi i vogël ku ishte rritur një bar i egër, tufa-tufa, në fund të të cilit kishte një si varr e memorial njëherësh në një stil që mu duk i çuditshëm. Kur u afrova pashë se ishte memorial i tre vëllezërve dëshmorë të fshatit me mbiemrin Dako. Nuk ngjasonte me stilin e monumenteve që kanë ngritur komunistët. Ata zakonisht kanë pasur një ballinë që ngrihej vertikalisht ku shkruhej emri i dëshmorit dhe dita e lindjes e vdekjes dhe, në rastet kur kishte varr, edhe një pllakë horizontale, por nuk kanë qenë të mbyllur anash. Kurse ballina e këtij, ku spikasnin tre pllaka mermeri me emrat e dëshmorëve, të futura në një si mur të trashë me një si hark sipër, vazhdonte nga përpara me një rrethim katror që zbriste shkallë-shkallë për t’u mbyllur me derë hekuri përpara. Mu duk një gjë si pa stil dhe, sikur të mos ishin tre yje partizani në pllakat prej mermeri, zor ta merrje për memorial të kohës komuniste. Fotot e dëshmorëve, midis yllit të kuq lart dhe emrit poshtë, kishin rënë. Pas gjasash, thashë me vete, ky memorial është modifikuar në kohët e mëpastajme.

 * *
Kur po dilja nga ai shesh i vogël më tërhoqi vëmendjen, në një cep të tij, një çezmë publike e rrënuar dhe e tharë çprej kushedi se sa kohësh. Mbi murin mbi të cilin ishte mbështetur ajo kishte një pllakë përkujtimore ku thuhej se ajo çezmë ishte dhuratë që ia kishte bërë fshatit nëna e tre dëshmorëve të Kudhësit.
Pra nëna e tre dëshmorëve paskësh qënë një lloj kulti në fshat. E lidha këtë me parrullat që pashë tek fasada e ndërtesës, tek sheshi ku kishim pirë kafen, dhe mendova se fshati duhej të ishte nga ata që kanë nxjerrë pushtetarë komunistë që pastaj i kanë vënë vulën  historisë së fshatit dhe identitetit të tij politik duke përdorur edhe nënat e dëshmorëve. Më intrigoi figura e kësaj nëne. E imagjinova të veshur me petkun e personazheve të ashtuquajtur tipike të socrealizmit, që i kanë dhënë asaj një rol që duhej ta shkërbente tërë jetës duke u bërë personazh e duke e humbur veten si person. Nëna, e cila dashurinë për fëmijën, një nga ndjenjat më të forta njerëzore, e sakrifikon në altarin e një ndjenje më të lartë. Nëna që pjell heronj, krenare për bijtë e saj që i janë vrarë në luftë, që këtë krenari e ve mbi dhimbjen e vuajtjen e humbjes së bijve; një kopje e vogël e nënës Shqipëri që i jepte kuptim vdekjes dhe sakrificës së dëshmorëve të kombit. Ky ishte pesonazhi tipik socrealist që kishte për bazë nënën e maksim Gorkut. Por thellë-thellë ndoshta personazhi e kishte burimin që nga e ëma e Krishtit. Mirëpo Maria është shumë më e besueshme si personazh, ajo vuan e qan për kryqëzimin e të birit, kurse në socrealizmin tonë ky personazh nëne nuk mundi të bëhej kurrë bindës.Heronjtë e socrealizmit tonë nuk duhet të vuanin, nuk duhet të kishin dobësi, as dhimbje, sepse këto qenë shenja dobësie. Ata duhet të ishin edhe të pamëshirshëm ndaj atyre që tradhëtonin idealet. Ndoshta është pikërisht mungesa e vuajtjes, e dhimbjes, e mëshirës - dimensione kaq të rëndësishëm njerëzor - që realizmi socialist ua hoqi personazheve të veta, duke i bërë të paarritshëm nga vdekëtarët, që i bëri ata krejt të pabesueshëm, pa lidhje me realitetin dhe prandaj edhe jo frymëzonjës. Kush e di se sa e ka vuajtur në fakt ajo nënë humbjen e tre djemve.
Mu kujtua historia e një nëne tjetër, edhe ajo nga fshatrat e Jugut, që jo rastësisht s’u bë kurrë personazh i realizmit socialist. Asaj iu vra djali në luftë. Kur ishte në kulmin e dhimbjes dhe shokët e djalit partizan i dërguan një gjerman që e kishin kapur rob që ta vriste vetë apo që t’ia vrisin në sy për shpagim, ajo refuzoi duke u thënë: ka edhe ky nënën e vet.
Gellenri, në “Feja dhe profanja”, duke u marrë me pyetjen se pse marksizmi nuk u bë dot një fe e qëndrueshme si Krishtërimi apo Islami e gjen shkakun në faktin se marksizmi kërkoi të zhdukë dallimin midis së shenjtës dhe profanes në jetën njerëzore, duke argumentuar se njeriu ka nevojë për profanen. Persomazhet e socrealizmit më duket se janë  ilustrimi më i mirë i kësaj ideje, i prirjes për ta zhdukur profanen nga jeta njerëzore. Sepse vuajtja, apo dobësia janë profania. Në fakt, refuzimi nga Krishti i tre tundimeve të Djallit, e ruan ndarjen midis profanes dhe së shenjtës.
 

Qeparo
Fshatrat e Jugut shpesh më vjen t’i krahasoj me tablotë e ndryshme, të së njëjtës periudhë, të ndonjë piktori të madh, në të cilat gjen të njëjtën dorë, talent, frymëzim, stil, dashuri, por midis tyre, megjithatë, veçon ndonjërën që të duket më e bukura, më e veçanta. Qeparoi i sipërm në këtë kuptim është, për mua, më i bukuri krijim i “autorit” të fshatrave të Jugut.
Dhe përsëri, kur them këtë, ndodhem përpara vështirësisë për të shpjeguar deri në fund: Pse është më i bukuri? E ndjen dhe thua se të pëlqen më shumë nga të tjerat që ke parë, se është kryevepra e autorit, po pse? Rrugët dhe rrugicat e Qeparoit mund t’i gjesh edhe në Vuno, edhe në Dhërmi, edhe në fshatrat e tjera të Jugut. Edhe intimitetin, edhe stilin e shtëpive, edhe befasitë që të presin në kthesat e papritura të rrugicave. Po ashtu, një pjesë e rrënojave të Qeparoit sikur kanë marrë atë shkrirjen me shkëmbin, me natyrën që kanë në Himarë, sa tashmë janë kthyer në monumente artistike që sikur të vjen keq t’i ndryshosh.
Por  Qeparoi veçohet, është më magjepësi nga të gjithë dhe duke dashur ta shpjegoj pse do të thoja se kjo vjen ngase disa nga karakteristikat e bukurive të fshtrave të Jugut në Qeparo shfaqen në mënyrën më ekspresive apo më të skajëshme. Njëra syresh, ndoshta më kryesorja, është vendosja e këtyre fshatrave mbi lartësitë e kodrave dhe maleve që shohin mbi det. Në Qeparo kjo lartësi është më e madhe se e të gjithë të tjerëve. Dhe lartësia nuk e bën Qeparoin të veçantë vetëm përsa i përket bukurisë së pejsazhit që të hapet nga ballkoni malor ku është vendosur ai. Edhe vetë fakti që njeriu ka shkuar aq larg, aq lart për të ngritur ato shtëpi të mrekullueshme prej guri, i jep një magji të veçantë këtij fshati. Dhe prap nuk është vetëm kjo. Pejsazhi që shfaqet kur je në Qeparo është i mrekullueshëm jo vetëm për nga ana e detit poshtë, por edhe për nga ana e maleve prapa tij. Jo gjithmonë majat e maleve të krijojnë të njëjtën ndjenjë estetike. Duhet një distancë prej ku ata të duken më të bukur, duhet edhe një kënd gjithashtu. Vendi që ka zgjedhur “autori” për të ngritur fshatin e ka bërë këtë mrekulli. Midis fshatit dhe maleve prapa tij ka një distancë që jo vetëm të jep mundësi lëvizjeje nëpër hapësira të sheshta, por që i jep edhe shikimit frymëmarrje për të parë e shijuar qiparisat përtej, tek varreza e fshatit, e për të ngritur pastaj shikimin tek malet e larta të cilat nuk i rrinë fshatit si barrë mbi kurriz, por i ofrojnë pamjen e një pejsazhi malor me maja që qëndrojnë në një harmoni të veçantë ndaj njëra-tjetrës e ndaj qiellit.

Çezmat e shterura

Një nga gjërat e veçanta që më tërhoqi duke ecur nëpër rrugicat e Qeparoit qenë disa çezma publike, edhe ato tashmë të shterura si çezma e nënës së heronjve në Kudhias.
Shumica ishin të thjeshta: një kuadrat çimentoje i mbështetur mbi një mur prej ku dilte tubi i rubinetit dhe një kuadrat i poshtëm, po prej çimentoje, me vendin për të venë këmbët dhe vrimën katrore. Tashmë, tubi ku duhej të derdhej uji ishte në të gjitha çezmat i tharë dhe pa rubinet dhe, po ashtu, gropa poshtë kishte tashmë një zgarë të ndryshkur. Të gjitha, së jashtmi, mbanin shenjat e kohës së komunizmit. Në njërën prej tyre kishte të shkruar 1962 në pjesën e sipërme. Por aty, më tërhoqi në mënyrë të veçantë vëmendjen një çezmë e madhe, që ngrihej më vete edhe si një vepër arti. Ajo kishte edhe një prag të lartë ku mund të hipje kur doje të mbushje ujë, edhe vendin ku derdhej uji e kishte të lartë e të gjerë; kishte edhe një si ballinë prej çimentoje të dalë përpara përmbi mbi vendin e rubinetit në të cilën spikaste relievi i një ylli të madh.
Për një çast mendova se, paradoksalisht, mungesa e mundësisë për të lëvizur gjatë diktuturës sikur i kishte mbajtur gjallë ato fshatra, sepse kuptohej qartë se ato çezma ishin rezultat i ujësjellësave të ndërtuar nga diktatura. Megjithatë, duke parë shtëpitë e bukura të ndërtuara shumë më herët, nuk mund të rikujtoje se edhe koha e komunizmit ka qenë, gjithsesi, kohë e braktisjes së tyre.  Koha e lulëzimit të tyre është ajo kur uji mblidhej me stere, kur ende nuk kishte filluar urbanizimi dhe industrializimi i Shqipërisë.
Por përtej këtyre persiatjeve, duke parë ato çezma të shterura, nuk mund të mos ndjeje trishtimin e braktisjes. Një çezme ku të gjithë pijnë të njëjtin ujë, si dhe përpjekja e përbashkët e njeriut për ta sjellë atë ujë atje ku jeton, ka një simbolikë shumë të fortë bashkësie, do të thoja. Nuk di sa ndikoi për këtë vëzhgim një nostalgji e jashtzakonshme që kam për çezmat publike që ekzistonin edhe në Tiranën e fëmijërisë sime. Ato ishin një pikë e rëndësishme, sa simbolike aq edhe jetësore, e lagjes.  Zhdukja e tyre, që mesa kujtoj filloi që me kohën komuniste, me pakësimin e ujit anës rrugës apo në cepa rrugësh ku ndaleshim, pinim ujë, freskoheshim apo lanim duart, ishtë një gjë e trishtueshme. Kjo zhdukje ishte një shenjë degradimi, jo thjeshtë e qytetit, por e cilësisë së jetës e relacioneve njerëzore.
Çezmat e shterura të Qeparoit sikur ishin dëshmia më e fortë e një jete që kishte qenë aty dhe që nuk dihet se kur do të kthehet, nëse do të kthehet ndonjëherë.

* *  *

Në një nga rrugicat e fshatit dëgjuam, prapa një dere, lehjen e një qeni që duket e shqetësuam me praninë tonë. Pas pak nga dera doli një grua e vjetër, me një shami lidhur pas koke, me një fund mbi pantallona të zeza si tuta, të futura në fund nën çorapa të bardha, dhe një bluzë të lëshuar. Megjithëse ajo doli, qeni nuk pushonte së lehuri. Pasi pak hipi edhe mbi njërin nga muret e shtëpisë, duke vazhduar të lihte derisa pa që filluam të flasim me të zonjën e shtëpisë.
Gruaja u duk menjëherë se kishte qejf të bisedonte.
“Si ia kaloni këtej?” – e pyeta.
“Si t’ia kalojmë – më tha. Enver Hoxha ka qenë njeri i ditur. Ai ka thënë një fjalë: po u hapën kufijtë njerëzit do të ikin. Dhe ashtu ndodhi. I doli fjala.”
Duke i ngatërruar kohët dhe vitet, e duke i veshur Enver Hoxhës fjalë që nuk i kishte thënë kurrë, na la të kuptojmë se jetonte me nostalgjinë e kohës kur kishte qenë mësuese fshati, që kishte qenë për të një kohë shumë më e mirë se kjo që po jetonte tani aty, e vetmuar me një pension të vogël nga koperativa.

Duke i ngatërruar kohët dhe vitet, e duke i veshur Enver Hoxhës fjalë që nuk i kishte thënë kurrë, na la të kuptojmë se jetonte me nostalgjinë e kohës kur kishte qenë mësuese fshati, që kishte qenë për të një kohë shumë më e mirë se kjo që po jetonte tani aty, me një pension të vogël, e vetmuar në mes të shtëpive të braktisura.
Takimin me këtë ish mësueses fshati, ashtu si atë me çezmat e shterura të Qeparoit e përjetova edhe me kënaqësisë e emocioneve të zbulimit të tyre, që sikur vjen përpara e përtej reflektimit. Më pas, sa më shumë mendoja, aq më pak isha në gjendje të dalloja se ç’pjesë të këtyre emocioneve e zinte përjetimi i takimit me to si me dëshminë e një jete që kishte qenë aty dhe që nuk dihet nëse do të kthehet ndonjëherë dhe ç’pjesë e zinte dëshira që kjo jetë të rikthehet aty duke i dhënë gjallëri edhe bukurive të Qeparoit. Por - vazhdova të mendoj - nëse ajo rikthehet kjo do të duket jo me rindërtimin e shtëpive private, që shihje se aty këtu kishte filluar, por me rrjedhjen e ujit nëpër ato çezma publike dhe me mbushjen përsëri me fëmijë të shkollës së asaj ish mësuesje.


vijon