Tuesday, October 24, 2017

Krimi ndjell krimin

Pasolini ka një shkrim të famshëm të botuar në "Corriere della Sera" të titulluar "Unë e di". Atje ai shkruan se i di emrat që fshihen pas strategjinë së terrorit në vitet 1968 - 1974, sepse - thotë ai - "jam një intelektual, një shkrimtar që përpiqet të ndjekë se çfarë po ndodh, të lexojë gjithë çka shkruhet, të imagjinojë atë që nuk dihet si dhe atë për të cilën heshtet, […]  të verë së bashku në një kuadër politik koherent copëza të çorganizuara dhe fragmentare, të ndërtojë një rend logjik atje ku duket sikur mbretëron arbitrariteti çmenduria dhe misteri." "Unë e di" - vazhdon ai - "sepse, tek e fundit, rindërtimi i së vërtetës së asaj që ka ndodhur në Itali pas vitit 1968 nuk është i vështirë " "por nuk i kam provat që të përmend emrat sepse provat i kanë ata që kanë pushtetin".
Duke ndjekur skandalin e fundit me emrin Habilaj - Tahiri & Co mu kujtua ky shkrim i Pasolinit dhe më erdhi të them se nuk ka nevojë të jesh mendje e rrallë si ajo e Pasolinit për të rindërtuar historinë e asaj që ka ndodhur në Shqipëri këta vjet dhe për të vendosur skandalin në fjalë në "një kuadër politik koherent". Dora dorës që krimi i organizuar dhe i çorganizuar ka rritur peshën e vet në ekonominë dhe jetën e vendit  politikanët shqiptarë, më të vjetër dhe më të rinj, kanë marrë gjithnjë e më qartazi tiparet e kapove politiko mafiozë duke e zhytur Shqipërinë gjithnjë e më thellë në një rrugë ku krimi ndjell krimin, humnera ndjell humnerën. Që ministri ynë i rendit Sajmir Tahiri, sipas përgjimeve të prokurorisë italiane, ka marrë 30 000 euro për çdo rrugë nga trafikantët e drogës dhe makina e tij është përdorur për trafikim droge është një provë këlthitëse e kësaj.

Por prapë, pas "habisë" së parë, nuk mund të mos kthehemi e t'i themi njëri tjetrit se ne këtë e kemi ditur, madje se dimë shumë më tepër se kaq, por s'kemi prova si ato që kanë siguruar italianët. Po pse? Sepse pushtetin e kanë kriminelët - edhe mbi policinë edhe mbi prokurorinë edhe mbi gjyqësorin. Dhe ky është absurdi në këtë histori. Kriminelët na thonë: ok, ju e dini që ne jemi kriminelë edhe ne e dimë që jemi të tillë, por s'keni prova të na  e vërtetoni. Që tua provosh duhet t'u marrësh pushtetin, por që tu marrësh pushtetin duhet të kesh paratë e tyre të pafundme që i sigurojnë nga krimi. Përndryshe, po të guxosh t'u nxjerrësh ndonjë provë, të bëjnë qindin, të thonë gënjen, maskara, kjo nuk është provë.

Ja kjo ndodhi në komisionin parlamentar të premten dhe të shtunën e javës së sapo kaloi.

Si qytetar duke parë atë shfaqje u ndjeva disa herë i fyer dhe i poshtëruar. U ndjeva kështu sepse pashë një njeri për të cilin ka prova mëse të mjaftueshme për ta quajtur bashkëpunëtor me kriminelët të sillej përpara njerëzve të drejtësisë me një arrogancë dhe siguri të frikshme për çdo njeri që ka shpresë se në këtë vend mund të ketë një çikëz drejtësi. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar sepse pashë deputetë, që pretendojnë se janë intelektualë apo mbrojtës të të drejtave të njeriut, të bëhen një me këtë njeri. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar edhe më shumë duke parë një turmë të organizuar për ta pritur jashtë me brohorima sikur ky sapo të ishte kthyer nga fitimi i ndonjë trofeu sportiv dhe jo sikur të ishte njeriu i akuzuar se ka kthyer shtabin drejtues të policinë në bandë kriminale, që është përgjegjës minimumi për mbulimin e aktivitetit  kriminal të një bande shumë të rrezikshme, që është direkt dhe indirekt përgjegjës edhe për tërë ata të rinj që futen në rrugën e trafikimeve dhe vrasin çdo ditë njëri tjetrin në rrugët e Shqipërisë. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar sepse nuk pashë një gazetar tu afrohej këtyre njerëzve dhe t'i pyesë se përse ndjeheshin kaq krenar për një njeri mbi të cilin rëndojnë akuza kaq të rënda.

Por, përveçse i fyer dhe i poshtëruar, u ndjeva edhe i shqetësuar për atë që na paralajmëron kjo histori.  Zhvleftësimi dhe përçmimi që treguan deputetët socialistë  ndaj atyre provave dramatike ishte edhe shumë ndjellakeq. Këta njerëz thashë, që arrijnë deri këtu, mund të shkojnë edhe më tej për të mbrojtur pushtetin e tyre që u jep garancinë se provat që i inkriminojnë nuk do të dalin në dritë. Sepse krimi ndjell krimin, humnera ndjell humnerën. Historia jonë na e ka provuar mëse një herë këtë. (Panorama, 23 tetor 2017)




Wednesday, October 11, 2017

Bombat lotsjellëse të ambasadorit Lu

Deri ditët e fundit ambasadori amerikan Lu e la në suspens shpjegimin e deklaratës së tij se katër klane dhe njëzet familje kontrollojnë vendin. Kjo  bëri që ajo të komentohej gjatë gjithë javës që shkoi si asnjë lajm tjetër. Më skeptikët thanë se kemi të bëjmë me një keqinterpretim apo ekzagjerim të medieve, sepse ambasadori deklaroi edhe se është i lumtur në Shqipërinë e Ramës, jo si ata 56% që duan të ikin. Disa se ky ishte një reagim emocional, që e kishte nxjerrë ambasadorin jashtë kornizave të diplomatit. Edi Rama tha se kjo ishte një ndihmë që po i jepte ambasadori në luftën kundër krimit. Por më të shumtët e interpretuan deklaratën e tij si një “bombë” të hedhur kundër qeverisë. Dhe ky interpretim, duke patur parasysh mbështetjen që i ka dhënë Lu qeverisë Rama, u bë problemi i problemeve. Sepse pyetja që ngrihej logjikisht ishte: mirë që e kontrollojnë vendin, por si e kontrollojnë? Cili është raporti i këtyre kontrollorëve me kontrollorin e madh: shtetin dhe qeverinë? Mos ambasadori mendon se shteti ndjehet shumë i dobët përpara këtyre klaneve që janë të mirëorganizuar? Apo se ka disa segmente të shtetit që janë të lidhur me krimin? Apo apo ka filluar të mendojë edhe ai, si një pjesë jo e vogël, se krimi dhe shteti janë e njëjta gjë në Shqipëri- siç ndodhi edhe me ambasadorin Arvizu që andej nga fundi i mandatit e mori vesh se ç’ndodhte tek ne? Kategoria e këtyre komentuesve filloi të ndërtojë shpresën se Amerika e mori vesh, më në fund, se çfarë po ndodh në Shqipëri, e njohu fytyrën e vërtetë të Edi Ramës dhe tani gjërat do të ndryshojnë, se s’mund të lejojnë ata një gjendje të tillë. Shikoni kur të nxisin popullin të ngrihet në kryengritje, (se kot nuk foli ambasadori për të drejtën e popullit për të përmbysur qeveritë), apo kur të vijnë ata të FBI-së ta pastrojnë vetë vendin nga krimi.

Mirëpo më në fund ambasadori foli prapë e dha një përgjigje që na i davariti këto hamendje të shumta. Nëpërmjet një komunikimi virtual me gazetarin Skënder Minxhozi ai iu drejtua politikanëve që të mos grinden me njëri tjetrin, por të punojnë për të futur në burg kriminelët. Nëse deklarata e parë mund të quhej bombë kjo e dyta na bëri t’i vemë bombës epitetin lotsjellëse.
Po si ka mundësi të mos të të vijë për të qarë kur sheh se ambasadori ende nuk e paska marrë vesh se këta nuk mund të presin degën ku janë ulur? Po si të mos qash kur mendon se gjithë ajo ambasadë gjithë ai personel nuk ka fare memorie institucionale, por punuakan si institucionet tona që kur ikën një shef merr me vete krejt personelin, megjithë kompiuterat, dhe tjetri vjen e fillon nga zeroja. Nuk e dinë këta se kjo e lidhjes me krimin është një histori në vazhdim, se struktura jonë autoritare vertikale e pushtetit nuk lejon as të imagjinohet se dikush mund të guxojë të ndërtojë një shtet që kontrollon shtetin pa bashkëpunimin me shtetin. A nuk kanë këta fare ndonjë dokument që flet për lidhjet e hershme dhe të reja të Kryeministrit (dhe jo vetëm) me trafikantët, për televizionet e ngritur me paratë e drogës, për kryebashkiakët trafikantë, për deputetët vrasës etj.? Le  që s’ka nevojë të kesh memorie fare, se lidhjet me krimin këtu duken sheshit. A nuk e sheh ambasadori se pasi Erjon Veliaj na tha se kemi me mijëra apartamente bosh tani kryeministri ka lançuar një plan ndërtimi kullash dhe qendrash tregëtare që s’ka shqiptar që s’e di se nuk mund të ndërtohen përveçse nga paratë e krimit dhe kanabizimit?
Me një fjalë: a mund të mendohet se ambasadori nuk e di këtë gjendje që në anglisht e quajnë “state captured” (shtet i kapur). Personalisht nuk e besoj këtë. Kam një mendim tjetër që më bën të mendoj se deklarata e ambasadorit ishte një tërheqje veshi për gjeneralët se disa nga ushtarët e tyre të krimit po bëjnë ca si shumë zullume dhe po prishin imazhin që mezi e kemi ndërtuar me vetingun, prandaj duhet të futin brenda ndonjë syresh, qoftë edhe sa për sy e faqe? Dhe këtë arsyetim unë e lidh me rëndësinë që kam parë t’u japin amerikanët demokracisë dhe shtetit të së drejtës në raport me rëndësisë që u japin lidhjeve direkte me politikanët autokratë që drejtojnë vende si ky i yni. Kur kujtoj presionin që ushtroi dyshja Arvizu - Rama për të sjellë mbetjet siriane të armëve kimike në Shqipëri, megjithë protestat popullore, kur kujtoj se në SHBA u bë nami vetëm për dy ujgurë që deshën t’i fusnin ne territorin amerikan kurse Berisha ua pranoi të gjithë, kur kujtoj se muhaxhedinët u refuzuan nga vende shumë më të  fuqishme evropiane sesa i yni kurse Rama ua hapi portat kanat them me vete: këtyre u intereson që vendi ynë të drejtohet më mirë nga autokratë që përdorin edhe paratë e mafjas për të bërë një foto me presidentin e Amerikës sesa nga demokratë që e kanë një lloj dinjiteti dhe kërkojnë që edhe vendi i tyre të ketë dinjitet në mes të vendeve ku sundon ligji.

Prandaj ngulmoj se në vend të shpresës te bombat e ambasadorëve, që shpesh na dalin lotsjellëse, është më mirë t’i ndërtojmë shpresat mbështetur në atë thënien tonë të urtë: “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”. (Panorama, 9 tetor 2017)