Pasolini ka një shkrim të famshëm
të botuar në "Corriere della Sera" të titulluar "Unë e di".
Atje ai shkruan se i di emrat që fshihen pas strategjinë së terrorit në vitet
1968 - 1974, sepse - thotë ai - "jam një intelektual, një shkrimtar që përpiqet
të ndjekë se çfarë po ndodh, të lexojë gjithë çka shkruhet, të imagjinojë atë që
nuk dihet si dhe atë për të cilën heshtet, […] të verë së bashku në një kuadër politik koherent copëza të çorganizuara
dhe fragmentare, të ndërtojë një rend logjik atje ku duket sikur mbretëron
arbitrariteti çmenduria dhe misteri." "Unë e di" - vazhdon ai - "sepse,
tek e fundit, rindërtimi i së vërtetës së asaj që ka ndodhur në Itali pas vitit
1968 nuk është i vështirë " "por nuk i kam provat që të përmend emrat
sepse provat i kanë ata që kanë pushtetin".
Duke ndjekur skandalin e fundit me
emrin Habilaj - Tahiri & Co mu kujtua ky shkrim i Pasolinit dhe më erdhi të
them se nuk ka nevojë të jesh mendje e rrallë si ajo e Pasolinit për të rindërtuar
historinë e asaj që ka ndodhur në Shqipëri këta vjet dhe për të vendosur
skandalin në fjalë në "një kuadër politik koherent". Dora dorës që
krimi i organizuar dhe i çorganizuar ka rritur peshën e vet në ekonominë dhe
jetën e vendit politikanët
shqiptarë, më të vjetër dhe më të rinj, kanë marrë gjithnjë e më qartazi
tiparet e kapove politiko mafiozë duke e zhytur Shqipërinë gjithnjë e më thellë
në një rrugë ku krimi ndjell krimin, humnera ndjell humnerën. Që ministri ynë i
rendit Sajmir Tahiri, sipas përgjimeve të prokurorisë italiane, ka marrë 30 000
euro për çdo rrugë nga trafikantët e drogës dhe makina e tij është përdorur për
trafikim droge është një provë këlthitëse e kësaj.
Por prapë, pas "habisë"
së parë, nuk mund të mos kthehemi e t'i themi njëri tjetrit se ne këtë e kemi
ditur, madje se dimë shumë më tepër se kaq, por s'kemi prova si ato që kanë
siguruar italianët. Po pse? Sepse pushtetin e kanë kriminelët - edhe mbi
policinë edhe mbi prokurorinë edhe mbi gjyqësorin. Dhe ky është absurdi në këtë
histori. Kriminelët na thonë: ok, ju e dini që ne jemi kriminelë edhe ne e dimë
që jemi të tillë, por s'keni prova të na
e vërtetoni. Që tua provosh duhet t'u marrësh pushtetin, por që tu marrësh
pushtetin duhet të kesh paratë e tyre të pafundme që i sigurojnë nga krimi. Përndryshe,
po të guxosh t'u nxjerrësh ndonjë provë, të bëjnë qindin, të thonë gënjen,
maskara, kjo nuk është provë.
Ja kjo ndodhi në komisionin
parlamentar të premten dhe të shtunën e javës së sapo kaloi.
Si qytetar duke parë atë shfaqje
u ndjeva disa herë i fyer dhe i poshtëruar. U ndjeva kështu sepse pashë një
njeri për të cilin ka prova mëse të mjaftueshme për ta quajtur bashkëpunëtor me
kriminelët të sillej përpara njerëzve të drejtësisë me një arrogancë dhe siguri
të frikshme për çdo njeri që ka shpresë se në këtë vend mund të ketë një çikëz
drejtësi. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar sepse pashë deputetë, që pretendojnë
se janë intelektualë apo mbrojtës të të drejtave të njeriut, të bëhen një me këtë
njeri. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar edhe më shumë duke parë një turmë të
organizuar për ta pritur jashtë me brohorima sikur ky sapo të ishte kthyer nga
fitimi i ndonjë trofeu sportiv dhe jo sikur të ishte njeriu i akuzuar se ka
kthyer shtabin drejtues të policinë në bandë kriminale, që është përgjegjës
minimumi për mbulimin e aktivitetit
kriminal të një bande shumë të rrezikshme, që është direkt dhe indirekt
përgjegjës edhe për tërë ata të rinj që futen në rrugën e trafikimeve dhe
vrasin çdo ditë njëri tjetrin në rrugët e Shqipërisë. U ndjeva i fyer dhe i
poshtëruar sepse nuk pashë një gazetar tu afrohej këtyre njerëzve dhe t'i pyesë
se përse ndjeheshin kaq krenar për një njeri mbi të cilin rëndojnë akuza kaq të
rënda.
Por, përveçse i fyer dhe i poshtëruar,
u ndjeva edhe i shqetësuar për atë që na paralajmëron kjo histori. Zhvleftësimi dhe përçmimi që treguan
deputetët socialistë ndaj atyre
provave dramatike ishte edhe shumë ndjellakeq. Këta njerëz thashë, që arrijnë
deri këtu, mund të shkojnë edhe më tej për të mbrojtur pushtetin e tyre që u
jep garancinë se provat që i inkriminojnë nuk do të dalin në dritë. Sepse krimi
ndjell krimin, humnera ndjell humnerën. Historia jonë na e ka provuar mëse një
herë këtë. (Panorama, 23 tetor 2017)
No comments:
Post a Comment