Deri ditët e fundit ambasadori amerikan Lu e
la në suspens shpjegimin e deklaratës së tij se katër klane dhe njëzet familje
kontrollojnë vendin. Kjo bëri që ajo të komentohej
gjatë gjithë javës që shkoi si asnjë lajm tjetër. Më skeptikët thanë se kemi të
bëjmë me një keqinterpretim apo ekzagjerim të medieve, sepse ambasadori
deklaroi edhe se është i lumtur në Shqipërinë e Ramës, jo si ata 56% që duan të
ikin. Disa se ky ishte një reagim emocional, që e kishte nxjerrë ambasadorin jashtë
kornizave të diplomatit. Edi Rama tha se kjo ishte një ndihmë që po i jepte
ambasadori në luftën kundër krimit. Por më të shumtët e interpretuan deklaratën
e tij si një “bombë” të hedhur kundër qeverisë. Dhe ky interpretim, duke patur
parasysh mbështetjen që i ka dhënë Lu qeverisë Rama, u bë problemi i problemeve.
Sepse pyetja që ngrihej logjikisht ishte: mirë që e kontrollojnë vendin, por si
e kontrollojnë? Cili është raporti i këtyre kontrollorëve me kontrollorin e
madh: shtetin dhe qeverinë? Mos ambasadori mendon se shteti ndjehet shumë i
dobët përpara këtyre klaneve që janë të mirëorganizuar? Apo se ka disa segmente
të shtetit që janë të lidhur me krimin? Apo apo ka filluar të mendojë edhe ai,
si një pjesë jo e vogël, se krimi dhe shteti janë e njëjta gjë në Shqipëri- siç
ndodhi edhe me ambasadorin Arvizu që andej nga fundi i mandatit e mori vesh se
ç’ndodhte tek ne? Kategoria e këtyre komentuesve filloi të ndërtojë shpresën se
Amerika e mori vesh, më në fund, se çfarë po ndodh në Shqipëri, e njohu fytyrën
e vërtetë të Edi Ramës dhe tani gjërat do të ndryshojnë, se s’mund të lejojnë
ata një gjendje të tillë. Shikoni kur të nxisin popullin të ngrihet në
kryengritje, (se kot nuk foli ambasadori për të drejtën e popullit për të
përmbysur qeveritë), apo kur të vijnë ata të FBI-së ta pastrojnë vetë vendin
nga krimi.
Mirëpo më në fund ambasadori foli prapë e dha
një përgjigje që na i davariti këto hamendje të shumta. Nëpërmjet një
komunikimi virtual me gazetarin Skënder Minxhozi ai iu drejtua politikanëve që
të mos grinden me njëri tjetrin, por të punojnë për të futur në burg
kriminelët. Nëse deklarata e parë mund të quhej bombë kjo e dyta na bëri t’i
vemë bombës epitetin lotsjellëse.
Po si ka mundësi të mos të të vijë për të qarë
kur sheh se ambasadori ende nuk e paska marrë vesh se këta nuk mund të presin
degën ku janë ulur? Po si të mos qash kur mendon se gjithë ajo ambasadë gjithë
ai personel nuk ka fare memorie institucionale, por punuakan si institucionet
tona që kur ikën një shef merr me vete krejt personelin, megjithë kompiuterat,
dhe tjetri vjen e fillon nga zeroja. Nuk e dinë këta se kjo e lidhjes me krimin
është një histori në vazhdim, se struktura jonë autoritare vertikale e pushtetit
nuk lejon as të imagjinohet se dikush mund të guxojë të ndërtojë një shtet që
kontrollon shtetin pa bashkëpunimin me shtetin. A nuk kanë këta fare ndonjë
dokument që flet për lidhjet e hershme dhe të reja të Kryeministrit (dhe jo
vetëm) me trafikantët, për televizionet e ngritur me paratë e drogës, për
kryebashkiakët trafikantë, për deputetët vrasës etj.? Le që s’ka nevojë të kesh memorie fare, se
lidhjet me krimin këtu duken sheshit. A nuk e sheh ambasadori se pasi Erjon
Veliaj na tha se kemi me mijëra apartamente bosh tani kryeministri ka lançuar
një plan ndërtimi kullash dhe qendrash tregëtare që s’ka shqiptar që s’e di se
nuk mund të ndërtohen përveçse nga paratë e krimit dhe kanabizimit?
Me një fjalë: a mund të mendohet se
ambasadori nuk e di këtë gjendje që në anglisht e quajnë “state captured”
(shtet i kapur). Personalisht nuk e besoj këtë. Kam një mendim tjetër që më bën
të mendoj se deklarata e ambasadorit ishte një tërheqje veshi për gjeneralët se
disa nga ushtarët e tyre të krimit po bëjnë ca si shumë zullume dhe po prishin
imazhin që mezi e kemi ndërtuar me vetingun, prandaj duhet të futin brenda
ndonjë syresh, qoftë edhe sa për sy e faqe? Dhe këtë arsyetim unë e lidh me
rëndësinë që kam parë t’u japin amerikanët demokracisë dhe shtetit të së
drejtës në raport me rëndësisë që u japin lidhjeve direkte me politikanët autokratë
që drejtojnë vende si ky i yni. Kur kujtoj presionin që ushtroi dyshja Arvizu -
Rama për të sjellë mbetjet siriane të armëve kimike në Shqipëri, megjithë
protestat popullore, kur kujtoj se në SHBA u bë nami vetëm për dy ujgurë që
deshën t’i fusnin ne territorin amerikan kurse Berisha ua pranoi të gjithë, kur
kujtoj se muhaxhedinët u refuzuan nga vende shumë më të fuqishme evropiane sesa i yni kurse Rama ua
hapi portat kanat them me vete: këtyre u intereson që vendi ynë të drejtohet më
mirë nga autokratë që përdorin edhe paratë e mafjas për të bërë një foto me
presidentin e Amerikës sesa nga demokratë që e kanë një lloj dinjiteti dhe
kërkojnë që edhe vendi i tyre të ketë dinjitet në mes të vendeve ku sundon
ligji.
Prandaj ngulmoj se në vend të shpresës te
bombat e ambasadorëve, që shpesh na dalin lotsjellëse, është më mirë t’i
ndërtojmë shpresat mbështetur në atë thënien tonë të urtë: “I zoti e nxjerr
gomarin nga balta”. (Panorama, 9 tetor
2017)
No comments:
Post a Comment