Saturday, September 9, 2017

Skënderbeu dhe kolibri

Debati i hapur së fundmi midis skënderbejanëve dhe myslimanëve, i nxitur nga mbulimi i Skënderbeut gjatë lutjes tek sheshi, ka të bëjë, në thelbin e vet, me pyetjen: a mundet dhe a duhet të konsiderohet Skënderbeu detyrimisht zoti i parë i gjithë shqiptarëve, sepse përndryshe, po u futën zota të tjerë mbi të, (veçanërisht Allahu i myslimanëve) kombi rrezikohet, apo sekush është  i lirë të ketë zotin e vet sipas vizionit që ka për botën, besimin, profesionit, etj.?  Personalisht do t'i përgjigjesha kësaj pyetje duke cituar Aurelio Simmaco përfaqësues i paganëve në senatin romak (384), i cili, duke debatuar me senatorët e krishterë, që kërkonin eliminimin e besimeve të tjera në perandori, u thoshte atyre: "Un intere non potes pervenire ad tem grande secretum" (një rrugë e vetme nuk mjafton për të të çuar në një sekret kaq të madh).
Pra sipas meje nuk na mjafton as Skënderbeu i nacionalistëve as Allahu i myslimanëve për të gjetur rrugën e së vërtetës sonë. Për ata që mendojnë ndryshe nga unë, se kanë gjetur rrugën e vetme, them se duhet të respektojnë rrugët e të tjerëve. Këtë e them për të gjithë, por mbi të gjitha për skënderbejanët meqenëse ata janë më agresivët.
***
U ngacmova për të rihyrë në këtë debat nga një shkrim i Artan Lames i cili mbyllej me një citim nga kujtimet e Nolit. Atje Noli tregon se, kur ishte fëmijë, i ati, që i kishte kultivuar kultin e heroit, i thoshte që, sa herë të gjendej në ndonjë situatë të vështirë, të pyeste veten: "çfarë do të kishte bërë Skënderbeu në këtë rast?". Dhe Lamja e mbyllte shkrimi duke thënë: "jemi të gjithë Skënderbe".
U ngacmova nga ky pasazh sepse unë p.sh. fëmijës tim i them: kur të jesh në vështirësi ndiq shembullin e kolibrit, zogut më të vogël të pyllit, dhe i tregoj një përrallë indoamerikane.
Por, përpara se të tregoj përrallën po shpjegoj se pse nuk i them: "mendo Skënderbeun" megjithëse i kam lexuar edhe unë kujtimet e Nolit?  Po, ja, duke lexuar Lamen si njeri që e ka interiorizuar këtë porosi, për shoqërim idesh, mu kujtua një rast kur kemi qenë të dy së bashku në vështirësi. Atëherë kur Edi Rama vendosi të prishte stadiumin Qemal Stafa që na dhembi të dyve shumë, e donim ta pengonim. Mu kujtua se Lamja asohere doli në shenjë proteste nga mbledhja farsë tek Hotel  Tirana që Edi Rama e paraqiti edhe si dëgjesë edhe si aprovim projekti. Kurse unë bashkë me disa miq e aktivistë të shoqërisë civile tentuam të hyjmë për të shprehur mendimin tonë kundër, por na ndaluan bodigardët e pronarit të hotelit dhe u mjaftuam duke dhënë disa deklarata për shtyp.
E pra, a ju duket se kaq do të kishte bërë heroi ynë i madh Skënderbeu ashtu siç e kemi të modeluar në kokë? Jo, jo; po të kishte qenë ai në vendin tonë nuk do ta kishe bërë dy, por do të kishte hyrë me kalë në Hotel Tirana, do t'i kishte prerë me shpatë bodigardët e Ram Gecit sikur t 'i kishin dalë përpara, do të kishte vërshyer në sallën e mbledhjes e do të kishte bërë namin.  Le më sikur të kishte qenë në
sallë si Lamja. Kurrsesi s'do kishte dalë prej andej, por do ta kishte detyruar Ramën t'ia mbathte për të shpëtuar kokën duke e bërë që të mos i shkonte më kurrë mendja  të prishte stadiumin, e jo më t'i ngrinte edhe atë gungën e shëmtuar përpara syve  tek sheshi. (Të them të drejtën nuk jam i sigurt nëse, pasi të kishte çliruar sallën nga Rama dhe të vetët,  do të mbante pastaj atë fjalimin e famshëm: "lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush".)
Kurse ne jemi shumë të vegjël për të bërë mrekullira të tilla. Sepse ai është hero kurse ne jemi njerëz të thjeshtë, që as duhet të na shkojë mendja të krahasohemi me të e të pyesim se çfarë do të bënte ai sikur të ishte në vendin tonë, e jo më të themi: "jemi të gjithë Skënderbe". Mirëpo duke parë se sa shumë jemi ne të vegjlit dhe se kërkund nuk po na del ndonjë hero i madh, shpëtimtar, unë shtroj pyetjen: mos duhet ta shohim një çikë si ndryshe këtë punën e heroit. Mos problemi është tek modelimi që i kemi bërë atij duke e paraqitur si supernjeri që vjen e shpëton një popull të tërë. Një psikoanalist jungian do të na shpjegonte se Skënderbeu që kemi në kokë është sendërtim i arketipit të heroit që kemi në subkoshiencën tonë dhe se, që të bëjmë vërtet ndonjë akt të guximshëm, duhet të kuptojmë këtë diference duke e integruar këtë arketip në koshiencën tonë.  Se vetëm atëherë do të mund të bëhemi shpëtimtarë të vetvetes e pastaj do të mund të ndihmojmë dhe të tjerët; kurse fakti që mburremi me Skënderbeun supernjeri dhe presim një Skënderbeg që të na shpëtojë nga e keqja tregon se kemi mbetur në stad fëminor.
Por le t' kthehem modelimit. Unë ngulmoj se vështirësia për ta integruar në koshiencë Skënderbeun si hero qëndron edhe në atë se,  ashtu siç e kanë modeluar rilindasit dhe veçanërisht  rimodelimi që i ka bërë soc-realizmi, nuk na ndihmon për këtë. Së pari, sepse ashtu si ata heronjtë e filmave më të këqij komercialë të Hollivudit apo të soc-realizmit, si superhero ai krijon shumë distancë me realitetin e mundësive të qenies njerëzore. Së dyti, sepse ai është një figurë e modeluar në kohët që kanë pjellë figura autoritare, që kanë udhëhequr masat drejt luftërave kurse ne jetojmë në kohën e paqes dhe në demokraci. Pastaj pamja që i ka dhënë Odhise Paskali bazuar në filmin e famshëm të viteve 50, është, siç shkruan studiuesja Jane Sugarman: "Një formë e pacipë e maçoizmit nacionalist". A mund të imagjinohet një grua shqiptare të pyesë veten çarë do të bënte Skënderbeu në vendin tim?
Atyre që në këtë pikë të shkrimit do të thonë ja ky  maskarai po na shan  përsëri Skënderbeun po nxitoj tu them: mos u ngatërroni, nuk e kam me Skënderbeun e vërtetë, por me ata që e kanë modeluar kësisoj.
Po më mirë të kaloj tek përralla indoamerikane që i tregoj vajzës time të vogël, e që po e sugjeroj për të gjithë. Është një përrallë që e kam dëgjuar nga mendimtari i shquar franko - algjerian ("maître à penser" i thonë francezët) Pierre Rabhi, i cili, çprej 50 vjetësh, ka lënë qytetin dhe ka ndërtuar një jetë në fshat mbi parimin e ndërtimit të lumturisë nëpërmjet një jete të përkorë, në harmoni me natyrën, në mbrojtje të planetit nga ata të shumtë (veçanërisht në vendin tonë) që çdo bukuri natyrore e shohin me syrin e deformuar nga babëzia dhe kërkojnë ta shfrytëzojë për të nxjerrë përfitim material. Duke dashur të përshkruajë kuptimin e zgjedhjes së jetës së tij ai tregon këtë përrallë:
Një ditë, në pyll ra një zjarr i madh, i tmerrshëm dhe të gjitha kafshët u mblodhën të dëshpëruara se ndjeheshin të pafuqishme për ta shuar. Në atë moment kolibri, zogu më i vogël i pyllit, fluturoi e shkoi e mori me sqepin e tij ujë tek një përrua dhe e hodhi mbi flakët. Pastaj shkoi prapë, e prapë. Një nga kafshët e pyllit e pa dhe i tha me qesëndi: "Po ti o kolibër, me atë sqepin tënd kujton se do ta shuash zjarrin?" Kolibri iu përgjigj: "E di, por unë bëj pjesën time." (Panorama,  7 shtator 2017)
    
   

No comments: