Me rastin e përvjetorit të krijimit të PD, nuk mund mos të të binte në sy se sa është shtuar në shtypin opozitar trajtimi i lëvizjes studentore si një lëvizje idealiste, por që u uzurpua dhe u shprish për shkak se në të u fut Sali Berisha (njeriu i Ramiz Alisë) bashkë me disa të këqij të tjerë si ai. Gjykohet, pra, sipas një ideje të njohur që thotë se revolucionet i bëjnë idealistët dhe prej tyre përfitojnë maskarenjtë, të cilët zhdukin, pastaj, më të mirët. Pa dyshim që projektohen në këto komente edhe traumat që ka shkaktuar dhe shkakton Berisha i sotëm me demokracinë dhe lirinë, fakti se po grumbullon pushtet të frikshëm dhe se po e shfrytëzon pushtetin për interesa të tij personale e të familjes. Megjithatë, gjykoj se ka një problem me idenë në fjalë: jo pse nuk besoj se ka “më të mirë” dhe “më të këqij” në një grupim apo lëvizje të caktuar, por sepse faktin e triumfit të më të këqijve nuk e shoh thjesht si një rastësi apo si vepër diabolike të një “të keqi”, por si një gjë shumë më komplekse që duhet të na shtyjë të mendojmë se çfarë “cilësish” ka ky “i keqi” që i japin atij “fitoren”. Sepse nuk mund të harrojmë se, në historinë tonë, nuk kemi një rast të vetëm kur na del një “i mirë” në krye. Në fakt, historia jonë e ka “të keqin” si rregull që nga Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha e deri te Sali Berisha dhe Fatos Nano, për të përmendur vetëm ata më kryesorët.Në këtë kontekst unë nuk mund të mos shtroj dy pyetje të lidhura njëra me tjetrën. E para: po mirë, pse partia e Ilir Metës nuk akuzohet si partia e një autoritari dhe të korruptuari, pse partia e Edi Ramës nuk është po ashtu, pse Kreshnik Spahiu nuk ka shenjat e një lideri që kërkon të vendosë gjithçka vetë e për vete, pse…, pse…, pse…? Do të arrinim me pyetjet deri në strukturat më të vogla të shoqërisë sonë. Dhe, e dyta: po sikur të mos ishin këta të tjerët kështu siç janë, a do të mund të kishte Berisha pushtetin që ka?Një përgjigje e arsyeshme ndaj kësaj pyetjeje do të ishte ajo se, në momentin që po jetojmë, Berisha ka prirjen për t’i eklipsuar të gjithë, për të mos thënë për t’i eliminuar, dhe nuk ka dyshim se do të merremi me të më së shumti dhe jo me këta të tjerët. E drejtë, pa pikë dyshimi – por problemi qëndron te mënyra se si po merremi me Berishën.Ashtu siç e lexoj unë shtypin dhe ndjek shumë zëra të ndryshëm opozitarë, më bie në sy se më së shumti në këtë zonë të spektrit politik ka një garë se kush të gjejë sharjet dhe epitetet më të tmerrshme për individin Berisha. Si në ato përrallat e frikshme për fëmijë ai paraqitet si dragoi që na ka bllokuar ujin dhe që kërkon një nga një vajzat tona, sa herë që na lëshon pak ujë, dhe që pret një trim që ta vrasë që të shpëtojmë prej tij. Me fjalë të tjera, pa përralla, Berisha paraqitet si shkaku i gjendjes sonë. Njëlloj siç e kemi paraqitur Enver Hoxhën si shkakun e gjendjes sonë në komunizmin që e vuajtëm aq tragjikisht. Dikush ia atribuon të keqen karakterit të Berishës, dikush prejardhjes, dikush të qenit komunist, ndonjë edhe gruas apo familjes apo ndonjë të keqi që ka rrotull, por deri këtu shkohet.Personalisht nuk më shkon ky shpjegim, sepse, më e pakta, më duket se me këtë rast duam të lajmë duart nga përgjegjësitë tona, madje edhe nga e keqja brenda nesh. Prandaj më duket e arsyeshme ta shtroj pyetjen kokëposhtë: mos vallë nuk është Berisha shkaku i gjendjes sonë, por është gjendja jonë që prodhon Sali Berishët? Sipas meje, ashtu sikurse nuk mund ta kuptojmë tragjedinë e komunizmit që ndërtuam duke iu referuar vetëm Enver Hoxhës, por duke studiuar kontekstin që e lindi dhe e mbajti atë në pushtet, po ashtu edhe berishizmin duhet ta trajtojmë dhe luftojmë si një fenomen që ka të bëjë me të gjithë ne. Përndryshe Berisha mund të shërbejë si një alibi në rastin më të mirë për të mbajtur ndërgjegjen të qetë – se po e luftojmë të keqen – dhe në rastin më të keq për të manipuluar njerëzit, gjithë duke e lënë në pushtet të keqen që ai përfaqëson.Shekspiri te “Jul Cezari” na jep një mësim të rëndësishëm moral pikërisht lidhur me atë se si duhet ta luftojmë “vrasim” një të keqe. Në kohën kur konspiratorët përgatisin vrasjen e Cezarit, kërcënim për republikën, dhe Caius Cassiusi propozon që, me këtë rast, të vrasin edhe Mark Antonin, Bruti, më fisniku i konspiratorëve, i thotë: “Kjo që po bëjmë është një sakrificë, dhe jo punë kasapësh, Caius. Ne duhet të ngrihemi kundër frymës së Cezarit; dhe në frymën e një njeriu nuk ka gjak: Ah sikur të mund të vrisnim frymën e Cezarit pa e gjymtuar trupin e tij!… … puna jonë duhet të vlerësohet nga njerëzit si punë e nevojshme, jo si punë zilie, ne duhet të quhemi pastrues, dhe jo vrasës…” (përkthimi im i lirë FL).E, pra, nën dritën e këtij gjykimi të lartë, më duket se gjuha dhe argumentet që përdoren më së shumti në shtypin tonë kundër Berishës janë argumente “kasapësh” që synojnë “vrasjen” e trupit dhe jo të frymës. Janë një përsëritje – prandaj dhe një përforcim – i berishizmit; njëlloj siç bën edhe vetë Berisha që mban gjallë enverizmin duke folur gjithë ditën kundër Enver Hoxhës dhe bllokmenëve të tij.A mund të bashkohet lufta ndaj Berishës si individ me atë kundër frymës që ai përfaqëson? Sipas meje, po. Por, jo me parullën që të bashkohen të gjithë maskarenjtë kundër tij. Madje thelbi i kësaj gjuhe kasapësh, sipas meje, është bash legjitimimi që ka fituar këta njëzet vjet praktika e bashkimit të kujtdo me këdo, pa respektuar asnjë princip moral, asnjë kujtesë dhe asnjë vizion për botën. Kjo është lehtësuar nga fakti (kulturor) se një kategori, fatkeqësisht shumë e gjerë shqiptarësh, e kanë shumë të lehtë që, ndonëse s’kanë lënë gjë pa thënë e pa bërë ndaj njëri-tjetrit, pajtohen një ditë (pa u pajtuar) dhe e kalojnë tërë kohën bashkë duke sharë një armik të përbashkët, pa u kujtuar asnjë çast se, më së pari, duhet të sqarohen për çka i kanë bërë njëri-tjetrin. Kjo ndodh sepse në vend të disa parimeve morale kanë vetëm interesa të çastit të përbashkëta, sepse në vend të vizioneve për botën, shohin përpara vetëm veten e tyre. Jo, nëse do të bashkohen të gjithë qelbësirat kundër Berishës, jua siguroj unë se një kryeqelbësirë do të kemi përsëri në krye.Prandaj gjykoj se mënyra më efikase për të bashkuar opozitarizmin ndaj Berishës si individ me luftën kundër frymës që ai përfaqëson, duhet bërë tjetërsoj. Sipas meje, ajo bëhet duke dhënë shembullin se vetë jemi të ndryshëm prej tij në atë që bëjmë përditë. Duke treguar se atë që luftojmë te Berisha e luftojmë më së pari te njerëzit tanë, te vetja jonë. Duke treguar se ne nuk jemi nga ata që ulen me kriminelë, vrasës, trafikantë, hileqarë e mashtrues gjithfarësh për të ndarë pare e pushtet me ta.Po flitet këto ditë shumë për shifrat – skandaloze sipas meje – që marrka e bija e Berishës për mësimdhënie nëpër universitete private. Po si është e mundur që nuk shkruhet një rresht për ata që ia japin këto para. Ku qëndron lepuri? E përsëris pyetjen: a mund të qëndrojë më këmbë Berisha dhe berishizmi pa frymën e lakeut, matrapazit dhe korruptuesit që mbisundon gjithandej në shoqërinë tonë? A nuk duhet të merremi me këtë fenomen kur luftojmë berishizmin? Nëse përfaqësuesit e kësaj fryme, madje edhe kriminelë të vërtetë që bashkëpunojnë me politikën - i lëmë pa prekur pasi kështu na e do interesi, përfitimi – apo edhe frika prej tyre – a nuk tingëllon atëherë lufta vetëm kundër personit Berisha si alibi për të mos u marrë me gjithçka e mban atë në pushtet si frymë?Ka një argument që duhet marrë në konsideratë për të vënë në diskutim çka po them: ai sipas të cilit personi Berisha po ka prirjen të krijojë pushtet absolut dhe, sikurse thuhet, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute; prandaj, edhe sikur të gjithë maskarenjtë pa pushtet të bashkohen kundër tij, përsëri mirë bëjnë, pasi kështu të paktën Berisha do të marrë mësimin se nuk është absolut dhe, nëpërmjet tij, edhe gjithkush tjetër. Është një argument që vlen të diskutohet. Por ky argument, le ta quajmë pragmatist, kam shumë frikë se mund të kthehet në bumerang. Së pari, në princip, nuk jam i sigurt se e mira ecën përpara edhe nëpërmjet luftës së të këqijve, sepse kjo është si të thuash se do të shpëtojmë nga mafiozët ngase ata do të vrasin njëri-tjetrin. Në fakt, ata kështu fitojnë më shumë terren në një shoqëri. Së dyti, duke e gjykuar nga pikëpamja e pragmatizmit politik, me këtë lloj lufte i bëjmë një shërbim shumë të madh Berishës dhe frymës që ai përfaqëson: i japim atij dhe të tijve të drejtën që të mbrohen me të njëjtat mjete: duke akuzuar se qëllimi i atyre që e sulmojnë është i ulët, se janë të gatshëm të përdorin çdo qelbësirë kundër tij, dhe prandaj edhe ata do të përdorin çdo mjet dhe qelbësirë. Dhe, kësisoj, nuk ka se si të mos përfundojmë përsëri te triumfi i qelbësirave.Dikush do të thotë se ajo që kërkoj është një luftë që kërkon kohë, prandaj më mirë të krijojmë koalicionin fitues kundër Berishës sot, sesa një pulë mot, pa parë se me kë po bashkohemi. Sipas meje, këtë e thonë ata që nuk duan të guxojnë ose ata që kanë uzurpuar politikën dhe kujtojnë se ajo s’bëhet pa ta. Sipas meje, nëse kërkojmë vërtet luftën kundër frymës që përfaqëson Berisha dhe impenjohemi në këtë drejtim, kjo luftë do të kërkonte kohën më të shkurtër për të sjellë fitoren që kërkojmë prej një kohe shumë të gjatë: të arrijmë të sjellim njerëz të mirë në krye të punëve tona. (Panorama, 21 dhjetor 2012)
Saturday, December 22, 2012
Berisha si alibi
Thursday, December 20, 2012
Shqiptarët dhe nacional - evropianizmi
Kur Parlamenti Evropian aprovoi heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen në vitin 2010, në Tiranë kjo u festua si rrallë ndonjëherë. Dekori kryesor i festës u vendos në sheshin qëndror "Skënderbej", dëshmitar i ngjarjeve më të mëdha në historinë e vendit. Kolonat e rënda të fasadës së Pallatit të Kulturës gurin themeltar të të cilit e ka vendosur Hrushovi në kohën kur Shqipëria ishte pjesë e kampit socialist, u mbuluan me pankarta gjigante. Ngjyra e tyre ishte në blunë e flamurit evropian që jo rastësisht përkon me ngjyrën e flamurit të Partisë Demokratike në pushtet, themeluar më 1990 si kurorëzim i protestave studentore që, mes tjerash, lëshuan edhe thirrjen: "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa". Në pankartën e madhe në qendër të fasadës, krahas yjeve të verdhë të Bashkimit Evropian ishte disenjuar shqiponja e zezë e flamurit shqiptar, flamuri i SHBA, aleati i madh, si dhe shkruhej me gërma të mëdha të bardha: “Pa viza në Evropë”. Nëpër flamujt e tjerë, që mbulonin krej fasadën gjigante të Pallatit, shkruheshin emrat e kryeqyteteve të mëdha të Evropës dhe kohët e fluturimit përdrejt tyre duke transmetuar idenë se tashmë, brenda një harku kohor prej një, dy, maksimumi tre orësh, shqiptarët do të mund të gjendeshin në Paris, Romë, Berlin, Vjenë, Madrid, Athinë, Zyrih e me radhë. Në të gjithë vendin u hodhën fishekzjarre, u mbajtën koncerte që shoqëronin fjalime të zjarrta politike. Kryeministri Berisha e quajti ngjarjen më të rëndësishmen në historinë e shqiptarëve, që nga koha e Skënderbeut - heroi kombëtar që, në mitologjinë nacionaliste shqiptare, të ripërpunuar në kohën e nacional-komunizmit të Enver Hoxhës sipas një konceptimi teleologjik dhe një qasjeje thellësisht esencialiste përsa i përket identitetit kombëtar, luftoi me osmanët në Shek XV për çlirimin e atdheut e që, pas rënies së komunizmit është ri-ripërpunuar edhe si hero i besimit se shqiptarët always already (ngaherë e tashmë) kanë qenë/janë evropianë, kurse pesëqind vjet pjesë e Perandorisë Osmane apo 50 vjet komunizëm kanë qenë thjesht aksidente në historinë e tyre.Shqipëria e madhe evropianeKy mitizim i Evropës, i filluar nga levizja nacional romantike në kapërcyell të shekujve XIX - XX, kur Shqipëria u bë shtet i pavarur (1912-1913), me ndihmën veçanërisht të Austro Hungarisëe dhe Italisë, i ndërprerë për gjatë gjysëm shekulli nga diktatura nacional - komuniste, dhe i rivitalizuar pas viteve 90, është shoqëruar gjatë këtyre njëzet vjetëve postkomunizëm edhe me një aspiratë tjetër që shqiptarët e formulojnë me shprehjen: "zgjidhja e çështjes kombëtare". Me këtë ata kuptojnë pavarësimin e Kosovës në kuadër të dizintegrimit të Jugosllavisë dhe bashkimin e saj në shtetin mëmë të cilit do t'i bashkohet edhe një pjesë e FYROM-it (Maqedonisë), ajo perëndimore, banuar kryesisht me shqiptarë. Ndonëse elitat në pushtet e shprehin me doreza këtë aspiratë dhe, veçanërisht në deklarimet për ndërkombëtarët, flasin për respektim të kufijve, brenda përbrenda hapësirave shqiptare bashkimi konsiderohet si hap i mëtejshëm i paevitueshëm i historisë së tyre që ata vazhdojnë ta konceptojnë si një rrugë metafizikisht të determinuar.Në Shqipëri dhe Kosovë refuzohet të përdoret fjala kombësi ("nationality" në anglisht) për të shprehur përkatësinë në shtetin komb shqiptar, maqedonas, apo atë kosovar që sapo ka nisur si projekt. Në vend të saj përdoret fjala shtetësi (citizenship) ndërkohë që kombësi përdoret për të gjithë shqiptarët në rajon, për të treguar përkatësinë etnolinguistike, gjakun, që, sipas tyre, ka qenë dhe është po ai qysh në kohën e ilirëve dhe është më i rëndësishëm sesa shtetësia. Në Kosovë, por edhe në Shqipëri, janë të pakët ata që besojnë në projektin që simbolizon flamuri me gjashtë yje i Kosovës sipas të cilit kjo mund të bëhet një shtet - komb multietnik që do t'i bënte serbët dhe etnintë e tjera që banojnë atje, krahas maxhorancës shqiptare, të vetëquheshin kosovarë përsa i përket kombësisë (nacionality). Mbi 80 % e shqiptarëve të Kosovës përgjigjen ne çdo survey se janë pro Shqipërisë etnike. Sipas sondazheve të Gallupit (2010) janë mbi 60% shqiptarët e Shqipërisë që mbështesin idenë e kësaj Shqipërie, ku një pjesë nuk hezitojnë të fusin edhe pretendimin për Çamërinë, rajon i Epirit në Greqi i banuar deri në Luftën e Dytë kryesisht nga shqiptarë të cilët pësuan një spastrim etnik nga grekët pasi u akuzuan si bashkëpunëtorë me gjermanët.Paradoksalisht, projekti i integrimit të shqiptarëve në BE-në e krijuar pikërisht si pasojë e tragjedisë së shkaktuar nga projektet nacionaliste evropiane dhe projekti nacionalist i "Zgjidhjes së çështjes kombëtare" nuk trajtohen në diskursin dominant brendashqiptar si në kontradiktë me njëri tjetrin. Përkundrazi këta trajtohen si dy projekte që, ndonëse për një kohë mund të ecin paralelisht, tek e fundit do të konvergojnë. Sipas zgjidhjes më të reklamuar të këtij diskursi futja në bashkimin Evropian do t'i bëjë të panevojshëm kufijtë dhe atëhere shqiptarët në të tre shtetet ku jetojnë do të mund të bashkojnë interesat e tyre në atë që disa ideologë të bashkimit e quajnë "Shqipëria natyrore" - duke evituar të përdorin termin "Shqipëria e madhe" për shkak të konotacionit negativ që ka ky term në Ballkan. Po ashtu në këtë diskurs bëhen pak përpjekje për ta trajtuar integrimin në Evropë të shqiptarëve si përpjekje për ndërtimin në Ballkan të një kulture postnacionaliste në frymën e kulturës që u zhvillua në Evropën e pas Luftës së Dytë midis vendeve ndërluftuese. Ai më shumë e trajton atë si një lidhje me Evropën mike, ndërkohë që me fqinjët armiq historikë, serbët, maqedonasit, malazezët, apo me grekët duket sikur do të vazhdohet të jetohet me ndjenjat e vjetra të armiqësisë dhe mosbesimit.Me shpatë në dorëMbështetja që ka dhënë shumica e shteteve evropiane për çlirimin e Kosovës më 1999 si dhe për njohjen pavarësisë së saj, e lehtëson jo pak këtë diskurs. Por ambiguiteti i tij i ka rrënjët edhe në të kaluarën e trashëguar, ashtu sikurse edhe me kontekstin gjeopolitikë në rajon e më gjerë. Le të mos harrojmë se edhe nacional - komunizmi. ideologjia e sundimit të Enver Hoxhës, bashkoi glorifikimin nacionalist të historisë së shqiptarëve që e "kanë çarë rrugë e historisë me shpatë në dorë" me Shqipërinë si "kështjellë e vetme e marksizëm leninizmit në Evropë" në një sinkretizëm ideologjish teorikisht kontradiktore. Sot në një farë kuptimi mund të thuhet se elita e sotme politike, trashëguese e të njëjtave metoda të menduari, gjithë duke ruajtur degën nacionaliste të asaj ideologjie, e ka zëvendësuar atë komuniste me mitizimin e evropianizimit, duke ndërtuar si ideologji pushteti nacional - evropianizmin, ku ndërsa nacionalizmi shihet si themeli i patundshëm i sigurt identitetdhënës, evropianizmi si idelogjia që përcakton "të ardhmen e ndritur" për kombin shqiptar.Por nuk është vetëm bota shqipare që punon sipas kësaj ideologjie binare. Ku më shumë e ku më pak edhe të gjitha vendet e Ballkanit funksionojnë po kështu. Po ashtu rritja e lëvizjeve nacionaliste kudo në Evropën e pasur si pasojë e globalizmit, rrezikut të emigracionit si dhe krizës së fundit ekonomike e lehtësojnë jo pak ambiguitetin e këtij diskursi nacional evropianist në Ballkan. Për Shqipërinë mund të theksohet si më i veçantë fakti se, për shkak të së kaluarës që e mbajti të izoluar nga Perëndimi dhe Lindja deri në 1990, vuan më shumë nga mpirja e mendimi kritik dhe, për pasojë edhe nga mungesa thuajse e plotë e problematizimit të diskursit nacional - evropianist.Ndërkaq, gjatë këtyre njëzet vjetëve realiteti social ekonmik si në Shqipëri edhe në Kosovë po ndeshet me jo pak probleme të akumuluara që e bëjnë shoqërinë të jetojë një lloj skicofrenie midis realitetit tejet të vështirë social ekonomik dhe premtimeve të diskursit nacional - evropianist.Takimi më globalizimin e ka kthyer vendin gjithnjë e më shumë në një hapësirë ekonomike të hapur për investime e që, në kushtet e varfërisë dhe prapambetjes, po përkthehet në shtitblerje të vendit nga kapitali i huaj.Klasa e korruptuar politike në pushtet e ka kthyer politikën gjithnjë e më shumë në menaxhim të bizneseve të veta duke bërë që efektet e kapitalizmit dhe globalizmit të rëndohen edhe më.Ekonomia informale - për të mos thënë kriminale - që filloi të zhvillohet pas rënies së komunizmit, edhe si pasojë e paaftësisë së vendit të rrënuar ekonomikisht për të përballuar kompeticionin në tregun e lirë global, ka kapur gjithnjë e më shumë krejt strukturat e shtetit.Në këto kushte ka vazhduar ikja e njerëzve jashtë vendit në emigrim për të mbijetuar. Shqipëria 3-4 milion banorëshe ka thuajse 1 milion banorë të saj jashtë kurse Kosova ka një shifër rreth gjysëm milioni që është edhe kjo një e katërta e popullsisë së saj.Projekti i integrimit evropian i cili veç të tjerash, edhe nëpërmjet prezencës aktive perëndimore, i ka mshuar vazhdimisht, përveç arritjes së standarteve demokratike edhe kapërcimit të urrejtjeve të vjetra nacionale në rajon, dialogut, multikulturalizmit ka qenë themelor për të ruajtur deri më sot ekuilibrin në këtë skicofreni, për të mos lejuar që pushteti të kalojë në rrjedha ekstremiste ku më të mundëshmet janë ato nacionaliste autoritare. Ndonëse, sikurse thashë më lart, shumica e shqiptarëve në Kosovë gjakojnë Shqipërinë etnike janë të pakët ata që duken të gatshëm të bëjnë luftë për këtë: shumica e mendojnë se kjo do të bëhet me aprovimin e Evropës apo të SHBA-ve. Po ashtu, kur bëhet fjalë për vështirësitë e mëdha social ekonomike apo për krimin e organizuar apo standartet e ulta demokratike, këto, në diskursin dominanat, nuk artikulohen si probleme që kërkojnë riformulime radikale. Ato më së shumti konsiderohen si vështirësi të tranzicionit drejt Evropës dhe për kapërcimin e tyre ngulmohet në reformat që do të ndërtonin shtetin e së drejtës sipas modelit evropian. Po ashtu thuajse askush nuk guxon të verë në diskutim mitin e tregut apo mitin e rritjes me të cilët identifikohet Perëndimi.Ha shqipMitizizmi me frymën e së kaluarës i integrimit evropian më një anë dhe rëndësia pragmatiste që që ka ky mit për ekuilibrat në rajon janë shkaqet më të rëndësishme se pse në diskursin dominant shqiptar flitet aq pak, për të mos thënë asfare, për krizën që po kalon sot Evropa, veçanërisht në termat e rrezikut që paraqet kjo krizë për shpërbërjen e projektit të Bashkimit Evropian. Këtë heshtje e ndihmon edhe fakti se Shqipëria, përsa i përket gjendjes ekonomike, mbijeton në një stad varfërie me një ekonomi tejet informale çka ndikon që ajo të mos ketë sensorët e duhur për ta matur krizën ekonomike në vend. Qeveria, duke manipuluar edhe me shifrat e rritjes, ashtu si deri vonë qeveria Greke, spekulon duke thënë se vendi nuk po njeh krizën që po njohin vendet e tjera evropiane.Kush ndjek politikën shqiptare do të shohë se, njëlloj si në vitet 90, ndeshja më e madhe midis maxhorancës dhe opozitës është e përqendruar mbi akuzat dhe kundërakuzat se kush është fajtori që Shqipëria nuk po arrin standartet evropiane që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, se pse nuk po merr dot statusin e vendit kandidat ashtu si fqinjët.Megjithatë, përtej këtij diskursi që dominon mediat, nuk mund të mos konstatosh se pasiguria e së ardhmes dhe frika e një kolapsi janë përhapur jo pak në vend sëbashku me pakënaqësinë në rritje ndaj kastës të ashtuquajtur reformatore në pushtet, të mbështetur nga Perëndimi, duke bërë që retorika e saj evropianiste të tingëllojë gjithnjë e më shumë si një demagogji. Edhepse ende në minorance, janë shtuar zërat që, duke parashikuar mossuksesin e projektit të integrimit në Evropë, qoftë në formën e dështimit të tij në tërësi përfshi dhe vdekjen e Euros, qoftë në formën e refuzimit të shqiptarëve për një kohë të gjatë, nuk e shohin fatin e shqiptarëve të lidhur ekskluzivisht me integrimin evropian dhe tentojnë ta prishin ekuilibrin e deritanishëm të diskursit nacional - evropianist. Zërat më të fuqishëm vijnë nga Lëvizja Vetvendosja e Kosovës e cila ka 16% konsensus në zgjedhjet e fundit në Kosovë me një rrezatim edhe tek të rinjë e Shqipërisë. Të rinjët e Vetvendosjes, që kanë organizuar edhe aksione me parrullën "ha shqip" duke prishur ushqime të sjella nga Serbia, ndoshta pa e ditur se një parrullë të ngjashme e ka përdorur Musolini, shprehen hapur kundër efekteve të globalizimit si dhe kundër kastët së korruptuar në pushtet, të cilës i bashkojnë edhe protektorët ndërkombëtarëve të cilët i akuzojën se, në funksion të interesave të kapitalit që përfaqësojnë, kanë një aleancë me klasën politike në pushtet si dhe me atë serbe. Ata kanë lështuar projektin e mbrojtjes së interesave kombëtare nëpërmjet bashkimit kombëtar të cilit i japin përparësi ndaj Bashkimit Evropian. Ndërkaq në Shqipëri ka lindur partia Aleanca Kuq e Zi e cila ka si qëllim final të vetin bashkimin e të gjithë shqiptarëve nën flamurin kuq e zi të Shqipërisë. Me aksionet e saj ajo nxit urrejtje nacionale, duke folur për rrezikun grek, apo duke sulmuar martesat e shqiptarëve me sllavë në FYROM (Maqedoni), dhe në programin e saj imediat ekonomik ka bashkimin e ekonomisë shqiptare me atë të Kosovës duke hequr të gjitha barrierat doganore si ato që ekzistojme me Greqinë apo shtetet e tjera fqinje.Nuk mungojnë zërat se prapa këtyre lëvizjeve qëndrojnë edhe financime nga Turqia erdoganiste e cila, e frustruar nga mospranimi i gjatë në Bashkimin Evropian, po kërkon gjithnjë e më shumë të krijojë hapesirat e veta gjeopolitike veçanërisht në ato vende të ish perendorisë Osmane ku mbizotëron popullsia muslimane, si Shqipëria e Kosova apo Bosnja. Ky projekt synon të fitojë brenda përbrenda vendit edhe mbështetjen e pjesës muslimane të popoullsitë që gjatë njëqind vjetëve të dominimit të projektit laik nacional - evropianist pastaj nacional - komunist dhe përsëri nacional - evropianist (që në dekadën e fundit, veçanërisht pas 11 Shgtatorit jo rrallë merr edhe tipare nacional - kristiane) është ndjerë e frustruar për shkak të demonizimit orientalist që i është bërë fesë së saj islame dhe më në përgjithësi trashëgimisë së saj të lidhur me Turqinë.Ajo që mungon krejtësisht në vend si përgjigje e krizës, qoftë edhe në nivelin embrional, është një lëvizje si ajo Syriza në Greqinë - e majtë përsa i përket qasjes ndaj efekteve të krizës dhe shkaqeve që e kanë prodhuar atë dhe antinacionaliste njëherësh. Shkaqet e kësaj mungese janë kryesisht pesha e rëndë e ideologjisë komuniste të së kaluarës më një anë dhe përqafimi me frymën e asaj të kaluare i neoliberimit dhe globalizmit më anë tjetër.Si përfundim,Duke patur parasysh kontekstin që skicova deri këtu një dështim i projektit të bashkimit Evropian - dalja e Greqisë nga zona euro do të ishte sinjali dramatik i këtij dështimi - do ta gjente rajonin, veçanërisht hapësirat shqiptare, me një humbje shikimi përsa i përket drejtimit të ecjes, duke krijuar një pasiguri të jashtëzakonshme. Në kërkim të sigurisë gjasat më të mëdha janë që vendet e Ballkanit t'i bashkojnë degës nacionaliste të diskursit nacional - evropianist të elitës reformatore në pushtet një komponente tjetër në vend të evropianizmit e cila do të kërkohet duke rivitalizuar aleancat e vjetra si dhe ato me bazë fetare. Është e vështirë të parashikosh se sa larg mund të shkonte një kthim i tillë prapa në kontekstin e ri të krijuar pas luftrave që përgjakën vendet e ish Jugosllavisë dhe pas lidhjes së interesave ekonomike midis vendeve të rajonit që kanë krijuar investimet e shumta veçanërisht nga Evropa. Megjithatë, një Evropë e shteteve nacionale që braktisin projektin Evropian do ta shikonte vetveten në pasqyrë në pamjen saj më karikatureske, por edhe më dramatike, pikërisht në Ballkan. (Panorama, 19 dhjetor 2012)* Ky shkrim është botuar në nëntor në gjuhën angleze me titullin “The Eurozone Crisis and Tirana” (Kriza e Eurozonës dhe Tirana) në revistën “Aspen Review” një periodik i Aspen Institute, Pragë.
Tuesday, December 11, 2012
Optimizmi i çuditshëm shqiptar
Nëse Vaso Pasha do të mund të shihte festimet e këtij 100-vjetori, do të kishte konstatuar me habi se atë vargun “feja e shqiptarit është shqiptaria” bashkatdhetarët ia kanë marrë aq “ad literam”, saqë e kanë bërë vërtet shqiptarinë fe të shqiptarëve. Kulti i flamurit, kulti i shqiponjës, i bashkimit të të gjithë shqiptarëve rreth tyre; Ismail Qemali me dyzet apostujt, u celebruan kësaj here si kurrë ndonjëherë: madje të pastruar nga “ndotjet” e tjera si komunizmi apo europianizmi që kanë “njollosur” celebrimet e tyre të mëparshme. Kryeministri, si i dehur nga festa e adhurimit të Zotit të vërtetë të shqiptarëve, nxori të tilla fraza nga goja, saqë u bë shkak i anulimit të vizitës së Presidentit të Maqedonisë dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë. Kulmi ishte torta stërgjigante kuq e zi mbi të cilën turmat e shqiptarëve u vërsulën si në një liqen, për ta ngrënë, për të marrë kështu, si në një rit pagan, fuqi nga gjaku i kuq i flamurit dhe mishi i shqiponjës së tij të zezë.Nuk e dimë se sa do t’i shijonte Vaso Pashës gjithë ky ritualitet, por një gjë është e sigurt: se kaq shumë shqiptarë nuk janë parë prej kohësh të mblidhen me vullnetin e tyre në qendrën e kryeqytetit. Disa komentatorë të huaj kanë mbetur të impresionuar nga këto festime. “Kombi optimist” e quante kombin tonë gazetari zviceran Andreas Ernst te rubrika Feuilleton e NZZ. Ai shkruante se “ndërsa në Serbi bie në sy depresioni dhe fakti se parullat nacionaliste nuk kanë efekt, te shqiptarët, të ndarë në disa shtete, mbizotëron optimizmi”. Sipas tij, është një optimizëm që në pamje të parë të duket “i çuditshëm”, sepse “Kosova dhe Shqipëria janë dy vendet më të varfra të Europës: nuk prodhojnë dhe eksportojnë pothuaj asgjë, … shteti është në duart e karteleve të pushtetit, të cilët shkëmbejnë votat dhe bindjen e qytetarit me vende pune, drejtësia është e dobët dhe e korruptuar”, … por optimizmi në territoret shqiptare, gjithë sipas tij, ka arsye të forta: “sepse prej 1990-s po zhvillohet një shoqëri panshqiptare”. Shkurt, shqiptarët i motivon nacionalizmi i tyre, bashkimi, për të qenë optimistë për të ardhmen.Pyetja që shtrohet është: a qëndron ky optimizëm, apo ai epiteti “i çuditshëm” që ka përdorur gazetari kërkon një zhbirilim më të thellë?Në fakt, qenë të shumtë ata shqiptarë që konstatuan se kishte diçka që nuk shkonte në tërë këto celebrime, diçka të tepruar, për të mos thënë edhe të shëmtuar. Personalisht m’u desh të mendoj gjatë për t’i dhënë një artikulim konceptual së shëmtuarës që, së jashtmi, shprehej me shëmtinë e dekorit, me mbiteprimin në përdorimin e flamurit dhe të shqiponjës, me ngritjen e monumenteve që s’kishin asgjë nga fryma e kohës që jetojmë. “Jo, ka diçka që nuk shkon, – thashë me vete, – po si do t’ia vëmë emrin kësaj gjëje që nuk shkon?”Mendimi më çoi te një thënie e Gëtes: “E shenjta është ajo që bashkon shumë shpirtra”. Vërtet flamuri, shqiponja mund të konsiderohen si të shenjta për besimtarët e fesë së shqiptarizmit. Por, kur flitet për të shenjtën dhe raportin e njeriut me të, nuk mund të mos kujtosh urdhëresën e dytë që i dha Zoti Moisiut: “Mos e përmend emrin e Zotit vend e pavend”. Duke parë flamurin të mbulojë fasada të tëra ndërtesash si qe ajo e hotel “Tiranës” apo ajo e selisë së Kryesisë së Kuvendit, shqiponjën në çdo rrotullame udhëkryqi; apo njerëzit dhe makinat të mbështjellë me flamur, për të mos folur pastaj për tortën-flamur, nuk mund të mos kishe ndjesinë se ato po “përmendeshin” vend e pavend.Po ç’kuptim ka urdhëresa e mospërmendjes së Zotit vend e pa vend, që Krishti, tek Ungjilli, sipas Mateut, e thotë me fjalët: “Jo çdokush që më thërret Zot, Zot! do të hyjë në mbretërinë e qiellit”. Një nga kuptimet e kësaj thënieje është se nuk duhet ta instrumentalizosh “Zotin”, nuk duhet të tentosh ta “rreshtosh” në ushtrinë tënde për beteja në emër të interesit tënd apo të palës tënde. Po ashtu, premtimet që bëhen në emër të Zotit nënkuptojnë ndershmëri, besnikëri, vërtetësi; ato duhen mbajtur. Të mos i mbash ato do të thotë të abuzosh me emrin e Zotit; me fjalë të tjera, ta bësh Zotin një gënjeshtar. “Në mbretërinë e qiellit do të hyjë vetëm ai që e zbaton vullnetin e Atit tim…”, vazhdon Krishti.Ja këtu, tek abuzimi me të shenjtën qëndron, sipas meje, shpjegimi i brendshëm i shëmtisë që pamë së jashtmi me abuzimet me flamurin dhe shqiponjën. Ato u shpërdorën vend e pa vend pikërisht sepse ata që i shpërdorën nuk i ndiejnë me të vërtetë si të shenjta. Madje, sipas disa “thashethemeve”, ky shpërdorim kishte motive deri fare banale: fitimin maksimal të parave nga të tenderuarit për zbukurime e shitje flamujsh.Prandaj, ndaj pyetjes nëse flamuri dhe shqiponja dykrerëshe vërtet na bëjnë të ndjehemi kaq optimistë? – edhe në kuptimin e iluzionit se nacionalizmi mund të na nxjerrë në dritë, – gjykoj se duhet të japim përgjigje të kujdesshme. Sipas meje, nëse në Serbi ka një depresion pasi ka dështuar nacionalizmi apo se serbët janë të vetëdijshëm se as nacionalizmi nuk i nxjerr dot nga gropa, nuk është se te ne nuk ekziston kjo vetëdije, paçka se festimet e 100-vjetorit dhanë idenë se këtej nga ne ka optimizëm nacionalist. Kosovarët që paketojnë flamurin dhe nisen me entuziazëm për në Shqipëri duke i mbushur tumllas sheshet e Tiranës apo Vetevendosja që po fiton terren, mund dhe t’u japin idenë të huajve se diçka po ndodh andej kufirit. Por, sipas meje, zor se ka njerëz në botën shqiptare që kanë shpresë seriozisht te nacionalizmi. Celebrimet që pamë dhe monumentet e shumta butaforike janë pjesë e një teatraliteti që e kemi mësuar mirë në kohën e regjimeve ku kemi jetuar, e që askush nuk i merr seriozisht. Aleanca Kuqezi që duket se kërkon të zëvendësojë mungesën e plotë të lëvizjeve civile, por edhe shkatërrimin e çdo shprese që ka sjellë shndërrimi i dy partive politike që drejtojnë vendin në dy banda, është edhe ajo pjesë e këtij teatraliteti. Ashtu siç ishte edhe filmi i koncertit të Pavarësisë me këngën që e bënte të qante Enver Hoxhën: “Për ty atdhe… shkëmb graniti vigan… s’u përkule nga çdo stuhi e tufan…”. Vini re: njeriu që i ka bërë më shumë se kushdo të qajnë shqiptarët, qante për atdheun. A ka përshkrim më elokuent se ky të teatralitetit tonë? Ky i yni është vërtet një “optimizëm i çuditshëm”. Në fakt, pasi bie perdja e festës, shqiptari i varfër u kthehet halleve dhe vuajtjeve të përditshme me nënshtrimin e skllavit që mallkon tërë ditën shtetin e tij të keq. Kurse shqiptari shtetar mendon se si të identifikohet sa më shumë me atdheun, duke organizuar ndonjë festë tjetër, pikërisht për ta shtypur atë sa më lehtë.Në këto kushte, sipas meje, me një rritje të mëtejshme të krizës ekonomike, siç ka shumë gjasa të ndodhë, shqiptarët e varfër përsëri nuk do ta shohin shpresën apo shpëtimin te dashuria nacionaliste për granitin, por tek ikja prej “shkëmbit vigan” në shtetet që funksionojnë si shtete të së drejtës për të gjithë qytetarët e tyre. Nuk përjashtohet që në një situatë të tillë, grupimet nacionaliste të mund të marrin pushtetin, por jam i bindur se kurrsesi nuk do të mund të ngjallin besim e shpresë te shqiptaret për t’u kthyer. Aq sa ç’kanë ngjallur Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha, Fatos Nano, Hashim Thaçi apo Ramush Haradinaj si këtej, dhe andej kufirit.Prandaj gjykoj se, që optimizmi ynë të mos jetë “i çuditshëm”, siç qe në celebrimet e këtij 100-vjetori të pavarësisë, shqiptarët do të duhet të reflektojnë ca më shumë për atë se si është e mundur që, ndërkohë që flasin kaq shumë për dashurinë për atdheun, me veprat e tyre punojnë për ta bërë Shqipërinë vendin e urrejtjes së shqiptarit ndaj shqiptarit; se pse ndërkohë që flasin kaq shumë për bashkimin, janë aq të përçarë sa edhe festimet i bënë ndaras, se pse në këta 100 vjet kanë nxjerrë në krye të punëve të tyre vetëm kriminelë, vrasës, hajdutë që u kanë vrerosur jetën? Dhe, mbi të gjitha, se çfarë duhet bërë që të ndryshojë kjo gjendje përderisa duket sheshit se nuk mjafton përmendja e atdheut vend e pa vend.“Nuk do ta gjesh kurrë të vërtetën nëse nuk je i gatshëm të pranosh edhe atë që nuk e pret”, thotë Erakliti. Që do të thotë, sipas meje, në kontekstin e çka po shkruaj, se ndoshta duhet ta fillojmë tjetërkund nga ritualet e dashurisë së rrejshme për atdheun që janë vetë jeta jonë – siç e pamë edhe në këtë 100-vjetor – për të arritur te dashuria e vërtetë për atdheun. (Panorama, 11 dhjetor 2012)
Saturday, December 1, 2012
Refuzimi i Bekim Fehmiut
Më 16 nëntor u inaugurua në Firence ekspozita e titulluar "Uliksi që erdhi nga Ballkani" dedikuar Bekim Fehmiut. Kjo ekspozitë, e realizuar dhe promovuar nga shoqata italiane "Pasagi di storia" në kuadrin e aktivitetit "Balkan Florence Express", ka shëtitur edhe në disa qytete të Ballkanit si Pejë, Beograd, Sarajevë, Prizren. Më 21 nëntor, po në kuadrin e këtij ektiviteti, folën në Firence mbi Bekim Fehmiun kantautori italian Vinicio Capossela dhe Michele Nardelli, president i "Forum trentino per la pace". Capossela erdhi aty pasi këngët e tij të fundit i ka me temën e Uliksit dhe, kur mori vesh vdekjen e Bekim Fehmiut, ia dedikoi diskun me këto këngë aktorit të famshëm, pasi për të Uliksi është, ashtu siç i është ngulitur në fëmijëri, me fytyrën e Bekim Fehmiut.Ditën e inaugurimit të ekspozitës ishin ftuar të flisnin Fatos Lubonja që jeton midis Tiranës dhe Firences dhe Dejan Atanackovic, artist dhe pedagog serb i artit që jeton midis Firenzes dhe Beogradit. Po botojmë fjalën e të dyve.Refuzimi i Bekim FehmiutNga Fatos LubonjaBekim Fehmiun e kam takuar personalisht vetëm një herë: në vitet 2000 në Beograd, në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor ku isha i ftuar për një përkujtimore të vdekjes së Danilo Kish. Por për këtë takim dhe për Qendrën që drejtohej nga regjizorja Borka Pavićević mund të them dy fjalë më vonë.Në fillim dua të them se, në fakt, Bekim Fehmiun më vjen edhe sot në përfytyrim ashtu siç e kam takuar në moshën e rinisë, në vitet '60, nëpërmjet filmit Ulisi, që e kemi ndjekur asokohe, në Shqipërinë e izoluar, nëpërmjet RAI-t. Nuk di nëse është e vërtetë, por mbaj mend se tek ne, në rrethet që e ndoqën filmin, u tha, jo pa një lloj krenarie kombëtare, se regjizorët kishin zgjedhur për dy rolet kryesore Bekimin dhe Irene Papas, si ballkanas, në mënyrë që tiparet fizike të dy protagonistëve kryesorë të ishin sa më afër atyre të banorëve të lashtë të këtyre trevave. Dhe ne të rinj krenoheshim asokohe me hijeshinë e tipareve të tyre duke u identifikuar me to.* * *Ashtu siç i mendoj vitet '60, kur Bekim Fehmiu luante Ulisin, them se ka qenë një kohë kur fakti që ai ishte njëherësh shqiptar dhe aktor jugosllav që luante kryesisht në serbokroatisht nuk qenë dy gjëra të papajtueshme; se shqiptarët pra, mund të ndjeheshin krenarë që kishin një aktor të madh në teatrin dhe filmin jugosllav dhe aktorët e tjerë sllavë të ndjeheshin mirë që kishin në mes tyre një shqiptar. Nuk di nëse këtu në sallë ka shqiptarë nga Kosova. Ata ndoshta do të më kundërshtojnë, por, sipas meje - pa rënë në një vizion të idealizuar të Jugosllavisë, - në vitet '60, kur Bekim Fehmiu luante "Shitësit e puplave" dhe "Ulisin", parrulla e famshme "bashkim - vëllazërim" kërkonte ende të funksiononte; ose më mirë të them atmosfera jugosllave nuk ishte kontaminuar ende keqas nga nacionalizmat. Kontaminimi, si rimarrje e urrejtjeve nacionaliste të vjetra, ka qenë një proces, që, sipas çfarë kam lexuar, fillon në fund të viteve '50 - kur idealet e komunizmit për një botë të re dështuan duke humbur edhe besimin dhe forcën e tyre inspiruese - dhe kulminon në vitet '90.Por këtu nuk është vendi të bëjmë analizën përse dështoi projekti Jugosllav i "bashkim vëllazërimit" dhe fitoi ai i nacionalizmave që shpërbënë Jugosllavinë nëpërmjet tragjedish të pabesueshme për kohën. Ndoshta është më mirë t’ju tregoj një histori që direkt apo indirekt lidhet edhe me Bekim Fehmiun. Është një histori që më vjen në kujtesë nga një bisedë e disa viteve më parë me një mikun tim, një intelektual i njohur kosovar, Shkëlqen Maliqi, e që flet shumë për kohën që erdhi më pas.Shkëlzeni në vitet '80 studionte në Beograd. Një tjetër shqiptar nga Kosova ishte asokohe mjaft i njohur në Beograd. Ky ishte aktori Enver Petrovci. Të dy jetonin në Beograd ndoshta me ëndrrën apo iluzionin që, ashtu si Bekim Fehmiu, do të bëheshin intelektualë e aktorë të shquar Jugosllavë, gjithë duke qenë edhe shqiptarë. Por kohët kishin ndryshuar. Kontaminimi ishte thelluar. Nacionalizmat në Jugosllavi kishin filluar të ndizeshin fort, ai serb mbi të gjitha kontaminonte Beogradin, por edhe ai shqiptar kontaminonte jo pak Prishtinën. Asokohe, Enver Petrovci luajti në Begrad në një komedi rolin e car Llazarit. Reagimet që erdhën nga të dy palët qenë shumë emblematike. Serbët në Beograd thoshin: "si mund të ridikulizojë një shqiptar car Llazarin!"; shqiptarët në Prishtinë: "si mundet një shqiptar të luajë car Llazarin!" Në Beograd, jashtë rretheve intelektuale, Shkëlzeni dhe Enveri ndjeheshin të diskriminuar; në Prishtinë i konsideronin si dora e zgjatur e Beogradit. Derisa më në fund ata vendosën të kthehen përfundimisht në Prishtinë duke hequr dorë nga ëndrra jugosllave.Është një histori që të bën të mendosh mbi aspektin tragjik të identitetit dhe të nevojës për përkatësi të njeriut; se si identitetet mund të shndrrohen në instrumente diskriminimi, ndarjeje, urrejtjeje duke shkuar shumë larg, duke u bërë, pra, “vrastare”, sikurse i quan Malouf. Ajo çka ndodhi më pas në fundvitet '80 dhe pastaj në vitet '90 është ilustrimi më i mirë i kësaj.* * *Si do ta vendosja në këtë histori Bekim Fehmiun, aktorin me origjinë shqiptare që kishte luajtur në skenat e teatrit të Beogradit në gjuhën serbokroate, martuar me një serbe me të cilën ka dy djem, pastaj i bërë i njohur në të gjithë botën si aktor kinematografie, veçanërisht me rolin e Uliksit, simbol i njeriut universal që shëtit nëpër botë?Unë bëj pjesë ndër ata që janë shumë kritikë ndaj identitetit si nevojë e njeriut për përkatësi në një bashkësi sepse mendoj se, kur flasim për identitetin, duhet të kemi parasysh një proces gjithnjë në lëvizje dhe ndryshim, sepse duhet të kemi parasysh shumë identitete brenda një njeriu; sepse përkatësia në një bashkësi mund ta shndrrojë shumë lehtë njeriun edhe në rob e pastaj viktimë të kësaj bashkësie. Por histori si ajo që tregova më bëjnë ta shtyj kritikën deri në refuzimin e identitetit. Në ç'kuptim? Në kuptimin se shpesh, kur tentojmë të identifikojmë një person, kryejmë ndaj këtij personi një proces thjeshtëzimi, reduktimi të tij në diçka që në të vërtetë ai nuk është. E etiketojmë psh. "shqiptar" apo "serb" dhe, nëpërmjet një mekanizmi instrumentalizues, të diktuar nga të tjera instrumente nga ata të njohjes, një qënie shumë komplekse, multi-identitare, gjithherë në zhvillim e ndryshim, me historinë e tij personale, e zhveshim, e varfërojmë duke e kthyer thjesht në një objekt që duhet dashur apo urryer.Bekim Fehmiun e shoh në një farë kuptimi si njeriun që ndërkohë që ka ndërtuar indivudualitetin e personalitetin e tij ndeshet me këtë proces varfërues, të cilin e refuzon në emër të personalitetit të tij, të vlerave me të cilat është formuar, por edhe në emër të bijve të tij dhe të të gjithë atyre njerëve që i ka dashur dhe e kanë dashur. Ai ka lindur në Sarajevë në një familje shqiptare, ka jetuar fëmijërinë në Shkodër dhe Prizren, ka studiuar në Beograd, ka aktruar në shumë gjuhë të botës, është dashuruar dhe martuar me një serbe me të cilën ka bërë dy djem të cilëve - siç thotë - ua ka lënë të zgjedhin vetë mënyrën e jetës që duan të bëjnë. A mund të mohoen të gjitha këto për t'u bërë thjesht e vetëm "shqiptar" apo "serb"? Kur Bekimi ka dalë në New York i veshur me kostum kombëtar shqiptar ai ka dashur të verë në dukje një faqe të identitetit të tij që ndoshta shumëkush nga jo-shqiptarët atje e lexonte për herë të parë. Po ashtu ai protestoi nëpërmjet tërheqjes nga teatri dhe heshjes kur Millosheviçi filloi sulmet ndaj shqiptarëve, duke u hequr autonominë. Por, nga ana tjetër, atë nuk e kemi parë t'i fryjë zjarrit të nacionalizmit shqiptar dhe të urrejtjes ndaj serbëve. Sipas meje ka vepruar kështu sepse nuk ka dashur ta shihte veten të reduktuar, të varfëruar, të shpërfytyruar dmth. ashtu siç nuk e ndjente të ishte por edhe sepse nuk ka dashur të bëhet instrument i këtij varfërimi vrastar - siç për fat të keq kanë bërë dhe bëjnë shumë intelektualë në trevat tona.Lidhur me tërheqjen dhe heshtjen e tij, si formë e këtij refuzimi, mund të thuhet se gjithkush bën zgjedhjet e veta; personalisht mendoj se ai edhe mund ta kishte shfaqur refuzimin në një formë tjetër: duke luftuar për mbrojtjen e pasurisë që kishte ndërtuar me artin dhe figurën e tij.Gjithsesi do të thoja se ai i përket kategorisë së atyre intelektualëve që nuk e pranuan prishjen e Jugosllavisë, veçanërisht luftrat, e për të cilët shumë shpesh është përdorur edhe termi jugonostalgjikë e që i qëndruan koherent këtij qëndrimi. Pjesa më e madhe e atyre që kam takuar nga kjo kategori bëjnë pjesë në grupin më të iluminuar të shqiptarëve, serbëve, kroatëve, sllovenëve, maqedonasve, e malazezve që kanë jetuar në Jugosllavinë e asaj kohe. Jo rastësisht unë e takova Bekimin në Qendrën e Dekontaminimit Kulturoror, ku mblidheshin intelektualë të tillë e që ndjehej se ishte një ishull i vogël i rrethuar nga kontaminimi. Ishte një takim i shkurtër. Ma prezantoi mikja e tij e vjetër dhe mikja ime më e re Borka Pavićević, drejtoresha e Qendrës. Ai foli shumë pak gjatë kohës së shkurtër që qëndruam sëbashku; me mua shqip me Borkën serbokroatisht. Ishte një takim për të cilin mund të them se nuk ma ka zëvendësuar dot në kujtesë imazhin e Bekim Fehmiut në rolin e Uliksit, me atë vështrimin e tij depërtues e plot jetë.Sot në hapësirat serbe dhe shqiptare kategoria e intelektulëve si Bekim Fehmiu duken si specie e zhdukur, e harruar. Por nuk është tamam kështu. Unë mendoj se vërtet Bekim Fehmiu vazhdon të jetë "i heshtur", por heshtja e tij, ndoshta e bën edhe më të rëndë praninë e tij në realitetin tonë mendor. Për mua ajo heshtje, si refuzim i varfërimit identitar, na grish ne që ta rimarrim jetën dhe veprën e tij për të ushqyer shpresën për një botë të dashurisë dhe jo të urrejtjes, të hapjes ndaj kulturave të tjera dhe jo të kulturave të mbyllura. Ashtu siç na ushqen personazhi me të cilin Bekim Fehmiu na është bërë më i dashur, Uliksi, njeriu që e tërheq bota dhe të panjohurat e saj, që eksploron shumë vende, kultura, duke u dashuruar me to e duke kërkuar të njohë të tjera, - ndoshta simboli më i fortë i njeriut si banor i tërë universit.Pupla dhe gjakNga Dejan AtanackovicNuk e meritoj të flas në inaugurimin e kësaj ekspozite dedikuar Bekim Fehmiut në cilësinë e një njohësi të punës së tij. Sepse, përkundrazi, për mua imazhi i tij është ai i një legjende, i një fytyre të fëmijërisë, i një simboli "pop" të adoleshencës sime.Në fakt ne dinim pak për të asokohe. Dihej se gjendej në ndonjë cep të botës duke ndjekur karrierën e tij ndërkombëtare dhe se rrethohej, si në një ëndërr, nga emra të mëdhenj si Jon Huston, Ava Gardner, Dirk Bogard… Ky është kujtim i atyre kohëve kur TV-ja ecte më ngadalë, por shumë më me seriozitet; kur flitej për kinemanë duke transmetuar cikle të plota të një regjizori apo të një aktori dhe duke dhënë fragmente të tërë filmash pak a shumë të njohur. Madje më së shumti filmat bëheshin të njohur fillimisht nga këta fragmente (jo nga trailer-ët publicitarë, si sot) dhe vetëm më pas i shihnim të plotë.Një skenë që kujtoj ta kem parë shumë herë në televizion, kohë përpara sesa ta shihja filmin e plotë ishte nga “Skupljači perja” [Shitësit e puplave) i Saša Petrović. Në atë skenë shohim një Bekim Fehmiu tragjik e në vuajtje që bije në një trishtim të pafundëm dhe që përplas ballin e duart mbi gota të thyera duke u çarë e gjakosur keq; i gjithë filmi pastaj luan me imazhin e gjakut që kontraston fort me atë të puplave. Janë dy materie: njëra e një peshe të pamatë dhe tjetra e një lehtësie onirike.Puplat të njollosura me gjak janë një kontradiktë per exellance, një kontradiktë që në të gjithë natyrën nuk shfaqet me aq vërtetësi sa në natyrën njerëzore, në variancionet e saj absurde dhe të rrezikëshme. Sepse njeriu është vetëm pjesërisht një qënie natyrore, fati i tij është shenjuar prej kohësh të zvarritet në labirintet mbytëse të konstruksioneve të tij, të produkteve dhe të hijeve të tij të shumta. Njeriu është bërë një produkt dhe duket se Bekim Fehmiu, një ditë të jetës së tij, vendosi të tërhiqej nga ky produkt.Kujtoj mbi të gjitha shikimin e tij, një shikim i fortë dhe i trishtë që ne asokohe na hiqte çdo kuptim dallimi nacional apo etnik. Ishte ai, sëbashku me të mëdhenj të tjerë si Rade Šerbedžija, Ljuba Tadić, Radko Polič, Relja Bašić - që recitonin në skenën e atij teatri që e quanim Jugosllavia, i cili dinte të kalonte me lehtësi nga heroikja tek erotikja dhe nga ideologjikja tek komikja. Ishte e qartë se herët a vonë - e thonin shumë këtë - do t'i vinte rradha edhe tragjedisë.Në shtëpinë time thuhej gjithmonë se do të kishte luftë. Por këta figura, - aktorët, muzikantët jugosllavë kultura "e lartë" dhe "pop" e viteve 80 - mua ma bënin krejtësisht të pabesueshme realizimin e kësaj profecie. E megjithatë lufta ndodhi. Bekim Fehmiu thotë në shkrimet e tij: "Këtu nuk mbyllet jeta pa të paktën dy apo tre luftra." Nuk e di nëse luftrat e viteve '90 do të të jenë të fundit në jetën time. Erdhën me rradhë: Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Kosova dhe e vetmja gjë e pranueshme që kishin ato qe se ne i humbëm ato të gjitha. Nuk e di se si do ta kisha pranuar një fitore.Në fund të viteve '90 ndoshta mund të ma sillte rasti ta takoja Bekim Fehmiun. Banonte në një zonë afër shtëpisë sime. Sillesha shpesh andej nga Qendra e Dekontaminimit Kulturor ku disa beogradas shkonin për të mos u çmendur apo për t'u çmendur sëbashku. Por nuk e takova kurrë. Në të vërtetë, siç munda të vija re asokohe, intelektualët dhe artistët jugosllavë i ruajtën kontaktet edhe gjatë luftës: eksistone një rrjet normaliteti sadoqë shumë i brishtë. Normaliteti - kjo fjalë kyç, befas u bë kaq e çmuar. Por për ta jetuar nuk ishte e mjaftueshme të ishe një intelektual apo një artist. Sa shumë prej tyre ranë në meskinitetet dhe interesa private duke u përlyer me gjak dhe llum.Edhe sot ekziston harta e normalitetit, një rrjetëzim i qytetve të Jugosllavisë së asaj kohe, por është pak i dukshëm dhe i kuptueshëm për qytetarin e zakonshëm. Në Beogradin e viteve '90 ndryshuan gjuhët, fytyrat, shikimet deri edhe trupat. Nuk mund të rrihej më dhe kështu iku shkrimtari, aktori, muzikanti, miku, i panjohuri. Pak nga pak Beogradin na e vodhi një provincializëm ambiciozësh me dhëmbë të mprehtë, një periferi që zaptoi qytetin duke e kthyer këtë vetë pastaj përfundimisht në periferi, në një zgjatim të madh të abuzivizmit, të mungesës së rregullave.Me rënien e Milošević-it u duk sikur u rivendos normaliteti. Befas, në televizionin që ndërkohë ishte bërë i shpejtë, filluan të shfaqen fytyra të njohura, miq që thonin gjëra me kuptim. Por kjo zgjati pak.Ndoshta Bekim Fehmiu e ka konsideruar atë vit 2001 si vitin e një fillimi të ri dhe prandaj vendosi të botonte autobiografinë e tij që e kishte shkruar prej kohësh. Kur e pyetën: Pse tani? ai u përgjegj: "askush nuk e di në të vërtetë se pse lind, apo pse lind në një vend të caktuar. Lind dhe kaq." Nuk fliste me shumë gazetarë dhe, kur fliste, recitonte shpesh poezinë e Dušan Vasiljev-it "Njeriu këndon pas luftës". Një tekst i hidhur që një aktor i zoti e reciton i pushtuar nga ndjenja e turpit, e pafuqisë, e një habije të thellë me vetveten, me rënien e padurueshme që ka pësuar. Vasiljevi ishte vetëm 24 vjeç kur vdiq. Vitet e tij qenë ato që shoqëruan fillimn e shekullit të XX, të cilit Bekim Fehmiu dhe ne sëbashku me të i pamë fundin absurd. Një shekull gjaku dhe puplash.Në librin e tij "E ndritshmja dhe e tmerrshmja" Fehmiu flet edhe për një të kaluar Jugosllave, ku gjen pak trëndafila e lule - sa për të hequr çdo iluzion mbi faktin se ajo ka qenë një periudhë pa paragjykime. Nuk ishte kështu as koha përpara tragjedisë që na duket si ajo më shembullorja e më pak e kritikueshmja. Ai kujton me shije të hidhur, se si presionet politike, megjithë suksesin dhe popullaritetin, i kanë hequr çmimet më prestigjioze. Megjithatë ai ka jetuar si jugosllav dhe besoj si jugosllav i bindur, duke e ditur se çdo teatër ka prapaskenën e tij dhe se përpara publikut të magjepsur zhvillohen gjithmonë së paku dy shfaqje ndër të cilat vetëm njëra duket. Këto dy shfaqje, tek e fundit. mund të ndryshojnë shumë në cilësi, por ajo që mbetet e rëndësishme është të jesh gjithmonë recitues i asaj më të mirës. Dhe janë ata të recitimit më të mirë që na kujtojnë Jugosllavinë.Së fundi, meqënëse jam këtu, dua të them edhe diçka. Nuk duhet tu besojmë atyre që thonë se luftrat në Jugosllavi i kanë bërë popujt, etnitë, dhe aq më pak fetë dhe ideologjitë. Nuk ishte kështu. Dhe as duhen mistifikuar konfliktet që ndodhën duke e lidhur apo zgjidhur gjithshka me interesat ndërkombëtare të fuqive botërore. Nuk ishte kështu. Është shumë, po, banalisht shumë më e thjeshtë: ishte një hakmarrje e njërëzve pa talent. E atyre të prapaskenës, që nuk dinin të bënin gjë tjetër veçse të fshiheshin, të cilëve u shfaqej përpara syve Sarajeva, Dubrovniku, Vukovari, Mostari dhe këta qytete, islame, austro - hungareze, veneciane ishin për ta prova e tmerrshme se nuk do të arrinin kurrë ta kuptonin botën në bukurinë dhe brishtësinë e saj më të thellë. Dhe prandaj qëndronin prapa kuintave duke i dëgjuar duartrokitjet që u dedikoheshin të tjerëve me urrejtje në gjak.Përktheu nga italishtja Fatos Lubonja(Panorama, 30 nëntor 2012)
Sunday, November 25, 2012
Era e hajdutërisë
Ka plot histori që ndodhin në Perëndimin e idealizuar nga shumë prej nesh që të bëjnë të mendosh se ne shqiptarët, që na njohin e diskriminojnë në Perëndim si hajdutë e trafikantë, duhet ta normalizojmë disi ndërgjegjen tonë. Nuk jemi vetëm ne që vjedhim – ne kemi të keqen se sistemeve që adoptojmë u japim tiparet më groteske – por sistemin që ka çelur erën e hajdutërisë nuk e kemi sjellë ne. Shikoni krizën që ka mbërthyer botën perëndimore. Në rrënjë të saj është fakti se jetojmë në erën e hajdutërisë, ju siguroj unë. Po pse e quan “era”? – do të thoni ju - hajdutëria është një erë e vjetër, që hundët tona e njohin shumë mirë që në lashtësi; dhe vetë sistemi kapitalist është akuzuar me kohë si i tillë; mjaft të kesh parasysh Marksin dhe teorinë e tij të “mbivlerës”. Megjithatë, unë e kam fjalën pikërisht për një erë të re në kuptimin e një epoke të re dhe të një njeriu të ri, “homo hajduticus”, “ladronicus” do t’i thoshin italianët, që po del në pah si mbijetuesi më i fuqishëm i seleksionimit natyror në këtë epokën tonë.Por, më mirë, përpara se të filozofoj, le t’ju tregoj historinë që më nxiti të dal në përfundimet në fjalë.Të hënën në mëngjes të kësaj jave u nisa nga Firencja me autobus për në Aeroportin e Pizës, për të fluturuar për në Tiranë. Kisha prerë një biletë vajtje-ardhje dhe po kryeja “ardhjen”. Kur mbërrita në Aeroportin e Pizës shkova në vendin e Check-in-it dhe po kërkoja tabelën AIR ONE, kompania italiane me të cilën do të fluturoja. (Sa për dijeni të atyre që nuk e njohin, është kompania “low cost” e Alitalia-s, për privatizimin e së cilës (Alitalia-s) u bë një zhurmë e madhe sepse u tha se pronarët e rinj morën pjesën e shëndoshë, duke i lënë shtetit borxhet).Kërkova te radha e check-in-eve të gjej tabelën ku shkruhej “Tirana”, por nuk po shihja gjë. Atëherë shkova te një nga ekranet ku jepeshin të gjitha nisjet dhe, për çudinë time, vura re se ora e nisjes 11:25 nuk figuronte kurrkund, as emri Tiranë.Diçka ka ndodhur – thashë – po shkoj të pyes informacionin. Ndërkaq, nxora nga çanta fletën e printuar të biletës së blerë on-line, për të parë se mos kisha lajthitur dhe kisha gabuar datën. Jo, hiç fare, 19 nëntor, ora 11:25.Punonjësja e informacionit më tha se fluturimi im ishte ndryshuar, por se, për më tepër, mund të shkoja të pyesja te biletaria… në fund të korridorit, majtas.Ajo e biletarisë më dha një lajm që nuk po doja ta besoja: se fluturimi im ishte kryer një ditë më parë, të dielën, dhe se, për këtë ndryshim date, unë kisha marrë një njoftim me e-mail.“Me e-mail! – i thashë, – po unë marr kushedi se sa e-mail-e në ditë, midis të cilave edhe ato që dërgon AIR ONE-i për reklamë. Ja nuk e pashë unë e-mail-in, kaq mjaftuaka që të më fshini ju nga lista. Po numrat e telefonit pse m’i keni marrë atëherë? Pastaj, kam dëgjuar për fluturime që shtyhen, por për fluturime që kryhen përpara, kurrë ndonjëherë”.Mirëpo ajo e biletarisë nuk ishte punonjëse e AIR ONE-it. Më zgjati një fletë A4, ku kishte numrat telefonikë të “call center”-ave të kompanive ajrore, midis të cilave edhe AIR ONE.Bëra numrin 892 444. Në fillim më doli një zë burri që më njoftonte për tarifat se sa kushtonte një minutë a ku di unë. S’kisha nerva ta dëgjoja e të bëja kalkulimin se sa do të më kushtonte telefoni. Vura re se ishte një zë që fliste një italishte me aksent. Pas atij më doli një zë tjetër i regjistruar, që thoshte se duhej të prisja dhe pasi mbaroi edhe ai, më doli më në fund një operatore. Fliste një italishte shumë të mirë. “Më jep një çikë numrin e regjistrimit të biletës”, më tha. Fillova t’ia bëj me spell: “B come Bologna, 4, C come Como…”, derisa e mbarova dhe ajo gjeti emrin tim.“Lubonja?”.“Po, Lubonja, Fatos”“Ne na rezulton se ju kemi dërguar një e-mail…”“Po njeriu mund të jetë i sëmurë, mund të jetë i hutuar, mund të jetë në mal, ku s’ka internet, mund të jetë…, – fillova t’i dërdëllis, – si mund të mjaftoheni ju me një e-mail për ta ndier veten të qetë se e keni kryer shërbimin ndaj klientit, ndërkohë që i keni shkaktuar një bela kaq të madhe duke i ndërruar datën e fluturimit…?”“Keni të drejtë, do të përpiqem të bëj diçka, – më tha, – por ne jemi thjesht operatorë”. Më përsëriti disa herë “keni të drejtë” kur i shprehja argumentet e mia. Dukej sheshit se edhe ajo ishte e pakënaqur. Me gjithë hallin që më kishte zënë, fillova të kërkoj të gjej me mend se nga më flisnin ato operatoret. “Ndoshta nga Shqipëria, – thashë me vete, – ndoshta edhe nga India”. Mu kujtuan ulërimat e Peper Grillos: “Ju duket punë ajo në call center?!”. Por edhe një shkrim i “La Republica”, një faqe e tërë, që tregonte se si i transferojnë këto ndërmarrje në Shqipëri pasi atje kushton pesë herë më pak “krahu”, më falni, “goja” a punës, sesa në Itali.Gjithsesi, përgjigjja përfundimtare e operatores ishte se ata shefat i kishin thënë se nuk mund të bëhej që unë të fitoja të drejtën për fluturimin pasardhës. Mirëpo ndërkohë që filloi të më shpjegonte se ç’duhet të bëja më tej, u pre telefoni. “Janë këto linjat e dobëta të internetit…”, – thashë me vete gjithnjë e më i acaruar. Prita pak dhe mora përsëri. Dëgjova edhe një herë dy lloje zërash të regjistruar, pastaj më doli një zë femre që m’u duk si zëri i parë, por nuk ishte ajo. “Kushedi është në një tjetër ‘call center’, kësaj here ne Kinë”, – thashë. Edhe një herë operatorja e dytë më kërkoi numrin e biletës. “B… come Bologna, 4, C come Como…”. Mirëpo, sapo mbarova spellingun dhe fillova t’i shpjegoj edhe një herë nga e para se ç’kishte ngjarë, m’u ndërpre lidhja përsëri. “Dreqi ta hajë, – thashë, – me këto linjat e internetit”. Gjeta në ekranin e celularit numrin që kisha bërë dhe shtypa tastierën. Por kësaj here, në vend të tri radhëve të zërave, më doli krejt tjetër muzikë: “Në rimbushjen tjetër paguaj një euro që të fitosh dy euro… Grazie”“Ç’është kjo? – thashë. – I kam rënë numrit gabim?”. I rashë prapë. Prapë i njëjti zë: “Në rimbushjen tjetër paguaj dy euro të fitosh një euro… Grazie”.E kuptova. E pabesueshme! Ju betohem se celularin nuk kisha shumë që e kisha mbushur dhe duhet të kisha minimumi dhjetë euro. Kishin ikur të gjitha për “call center”-at e mallkuar dhe pa zgjidhur asgjë. Kisha mbetur edhe pa celular, sepse ndërkaq i kisha hipur autobusit për t’u thyer nga Piza në Firence jo pa llogaritur edhe shpenzimet e ikura dëm për biletat.Kur mbërrita në shtëpi nxitova të marr një numër fiks të AIR ONE-it. Kësaj here duket se ishte numër italian, sepse kishte prefiksin e Italisë. Më doli një operatore edhe kësaj radhe. Edhe një herë “…B come Bologna, 4, C come Como…”. Edhe njëherë i shpjegova se çfarë më kishte ndodhur.“Të shohim çfarë mund të bëjmë, – më tha, – prit një minutë”.Nuk di çfarë provoi dhe pastaj tha:“Jo, nuk ma lejon sistemi ta kaloj biletën tuaj në fluturimin e së mërkurës”.Kësaj here dukej sikur vullneti i njeriut ishte, por nuk kishin vullnet makinat, d.m.th. kompjuterët. Pasi shkëmbyem edhe disa fjalë të tjera, ku i thashë se AIR ONE një dy e ndërron oraret e fluturimit me Shqipërinë, se një fluturim më parë kisha ndenjur pesë orë në Aeroportin e Pizës, ajo më tha:“Prit një minutë se duhet të sinjalizoj shefat më lart, sepse vetëm ata mund ta lejojnë një veprim ndërrimi date bilete në kompjuter”.Iku e më la të prisja një copë herë me telefon hapur. Më në fund u kthye e më tha se nuk mund të bëhej gjë e se, me sa dukej, nëse doja të fluturoja për në Tiranë, unë duhet të blija një biletë të re.“Po kujt mund t’i ankohem për këtë që më bëri AIR ONE?” – e pyeta.“Mund të bëni reklamim”.“Ku mund ta bëj?” – i thashë. Po kërkoja dëshpërimisht një emër njeriu. Por ajo më dha vetëm një e-mail: customerserviceairo-ne@alitalia.it.U ula menjëherë të shkruaj:“Gentili signori di AIR ONE” (nuk më vinte fare t’u thosha “gentili”, por kuptohej se ishte “per modo di dire”, siç i thonë italianët.E fillova duke përshkruar tërë historinë: “… Sot, më datë 19 nëntor shkova në Aeroportin e Pizës…” dhe e përfundova duke u kërkuar dëmshpërblim për dëmin që më kishin shkaktuar me këtë sjellje që e gjeja të padrejtë dhe të një moskorrektese të rëndë – pasi më kishin prishur krejt planet e punës për atë javë, si dhe që të më mundësonin fluturimin të mërkurën, pa shpenzime shtesë.Për hir të së vërtetës, të nesërmen shërbimi i klientit i AIR ONE-it më ktheu përgjigje duke më njoftuar se fluturimin tim të së hënës, që ishte kryer të dielën, e kishin spostuar për të mërkurën, pa shpenzime.* * *Sidoqoftë, kjo nuk më bëri ta ndërpres refleksionin që zhvillova tërë atë ditë e të nesërmen mbi idenë se jetojmë në epokën/erën e hajdutërisë. Po cili është dallimi i kësaj epoke me të tjerat? – do të thoni ju – duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi. Menjëherë do të thosha se dallimi qëndron në atë se në epokat paraardhëse veprimet e shtyra nga etja e panginjur për fitim ishin në mos një gjë e paligjshme, të dënueshëm moralisht, kurse në këtë epokën tonë sikur jo vetëm është zhdukur kufiri midis së ligjshmes dhe së paligjshmes në hajdutëri, por sikur po zhduket çdo skrupull moral përpara etjes për fitim me çdo mjet. Dhe po ashtu, ndryshimi qëndron sepse epoka jonë, duke u bërë gjithnjë e më virtuale në sajë të teknologjisë së internetit, krijon një lloj hajdutërie si në ajër, kur ti nuk e merr vesh se si të merren të hollat dhe as se cili t’i merr. Kjo historia me “call center-a” e me një e-mail që mjafton për të të marrë qyl të hollat e biletës, është vetëm një aspekt i vogël i kësaj bote të madhe të frikshme. Mjaft të mendosh ato që quhen “bonuse të helmatisura” që qarkullojnë nëpër bursat e gjithë botës, të shpërndara nga disa “golden boys” në Wall Street apo për të famshmin “spread” që po rrëzon qeverinë, në emër të diktaturës së tregut, e që, tek e fundit, është edhe ai një lojë virtuale me kompjuterë nëpër bursa që bëhet me qëllim fitimin maksimal të disa pehlivanëve, të cilët ligjërisht nuk ke ku i kap. Prandaj them se, më shumë sesa e globalizimit, kjo epoka jonë po bëhet gjithnjë e më shumë e hajdutizimit.Por, këtë refleksionin tim e bazoj edhe mbi dy paradigma të tjera. Së pari, njeriu perëndimor i kohës sonë jo vetëm që jeton shumë më pak se në epokat e tjera me besimin në vlerat që promovojnë fetë si ato të sakrificës së njeriut për njeriun apo të karitasë që kanë qenë themelore deri në shekujt e fundit, por nuk jeton më as si në shekullin XX si pjesë e projekteve të mëdha nacionaliste apo komuniste. Ato projekte kanë dështuar duke marrë me vete, për fat të keq, edhe dy ëndrra/vlera të mëdha të njeriut: atë se njeriu mund ta ndryshojë botën me vullnetin e tij dhe atë të barazisë – duke e lënë kësisoj njeriun e shkretë në projektet e tij të vogla personale, meskine që, tek e fundit, reduktohen te nevoja për para, që kështu të ndërtojë një shtëpi, të blejë një makinë, të sigurojë fëmijët, e ku di unë. Me një fjalë, t’i adoptohet këtij realiteti të ndyrë dhe jo të kërkojë ta ndryshojë atë, nga frika se mos krijon një monstër si nazizmi apo komunizmi. E dyta, kur vjen puna te paraja, problemi është se këto shoqëritë tona kanë tendencën të shndërrohen gjithnjë e më shumë nga kapitalizëm prodhues në kapitalizëm spekulativ financiar dhe në shoqëri shërbimi. E kam fjalën veçanërisht për këto perëndimoret, ku ne aspirojmë të bëjmë pjesë. Dhe kjo do të thotë që në vend se të fitohen paratë duke prodhuar mollë, rrush, dardha, vezë, mish, djathë, hekur, çelik, bakër, energji, aeroplanë, makina, e ku di unë, këto të fitohen gjithnjë e më shumë duke ofruar shërbime, siç janë edhe “call center”-at e duke bërë spekulime financiare nëpër bursat. Kjo çon në gjetjen dhe sofistikimin e trukeve se si të nxirren para nga paraja e klientit. Dhe ata që krijojnë këto truke gjithnjë e më shumë shtrëngohen t’i sofistikojnë ato pasi paraja që vjen nga prodhimi bëhet gjithnjë e më e pakët. Këta djem, pra, që jo më kot i quajnë “golden” (të artë), seleksionimi i ka nxjerrë në pah si qenie superiore. Unë i quajta “homo hajduticus”, si përfaqësuesit më të suksesshëm të një epoke që nuk e dimë se ku po na çon, por që sot ka hyrë në krizë. A do të zhduken këta nga ky ndryshim klimaterik që po ndodh me krizën, apo do të triumfojnë plotësisht këta? – Dhe unë në një rast të tillë nuk do të merrja më fare përgjigje nga customerserviceairo-ne@alitalia.it. Nuk e dimë ende.Desha ta ngjyroj me pak humor këtë refleksionin pas historisë me AIR ONE-in që tregova, por shoh se nuk ia dola siç desha ca nga paaftësia ime dhe ca, ndoshta, ngaqë me pengoi serioziteti i çështjes. Prandaj po e lë me kaq, si pa fund, këtë shkrim, me shpresë se lexuesi do të më mirëkuptojë. (Panorama, 24 nëntor, 2012)
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...