Më 16 nëntor u inaugurua në Firence ekspozita e titulluar "Uliksi që erdhi nga Ballkani" dedikuar Bekim Fehmiut. Kjo ekspozitë, e realizuar dhe promovuar nga shoqata italiane "Pasagi di storia" në kuadrin e aktivitetit "Balkan Florence Express", ka shëtitur edhe në disa qytete të Ballkanit si Pejë, Beograd, Sarajevë, Prizren. Më 21 nëntor, po në kuadrin e këtij ektiviteti, folën në Firence mbi Bekim Fehmiun kantautori italian Vinicio Capossela dhe Michele Nardelli, president i "Forum trentino per la pace". Capossela erdhi aty pasi këngët e tij të fundit i ka me temën e Uliksit dhe, kur mori vesh vdekjen e Bekim Fehmiut, ia dedikoi diskun me këto këngë aktorit të famshëm, pasi për të Uliksi është, ashtu siç i është ngulitur në fëmijëri, me fytyrën e Bekim Fehmiut.Ditën e inaugurimit të ekspozitës ishin ftuar të flisnin Fatos Lubonja që jeton midis Tiranës dhe Firences dhe Dejan Atanackovic, artist dhe pedagog serb i artit që jeton midis Firenzes dhe Beogradit. Po botojmë fjalën e të dyve.Refuzimi i Bekim FehmiutNga Fatos LubonjaBekim Fehmiun e kam takuar personalisht vetëm një herë: në vitet 2000 në Beograd, në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor ku isha i ftuar për një përkujtimore të vdekjes së Danilo Kish. Por për këtë takim dhe për Qendrën që drejtohej nga regjizorja Borka Pavićević mund të them dy fjalë më vonë.Në fillim dua të them se, në fakt, Bekim Fehmiun më vjen edhe sot në përfytyrim ashtu siç e kam takuar në moshën e rinisë, në vitet '60, nëpërmjet filmit Ulisi, që e kemi ndjekur asokohe, në Shqipërinë e izoluar, nëpërmjet RAI-t. Nuk di nëse është e vërtetë, por mbaj mend se tek ne, në rrethet që e ndoqën filmin, u tha, jo pa një lloj krenarie kombëtare, se regjizorët kishin zgjedhur për dy rolet kryesore Bekimin dhe Irene Papas, si ballkanas, në mënyrë që tiparet fizike të dy protagonistëve kryesorë të ishin sa më afër atyre të banorëve të lashtë të këtyre trevave. Dhe ne të rinj krenoheshim asokohe me hijeshinë e tipareve të tyre duke u identifikuar me to.* * *Ashtu siç i mendoj vitet '60, kur Bekim Fehmiu luante Ulisin, them se ka qenë një kohë kur fakti që ai ishte njëherësh shqiptar dhe aktor jugosllav që luante kryesisht në serbokroatisht nuk qenë dy gjëra të papajtueshme; se shqiptarët pra, mund të ndjeheshin krenarë që kishin një aktor të madh në teatrin dhe filmin jugosllav dhe aktorët e tjerë sllavë të ndjeheshin mirë që kishin në mes tyre një shqiptar. Nuk di nëse këtu në sallë ka shqiptarë nga Kosova. Ata ndoshta do të më kundërshtojnë, por, sipas meje - pa rënë në një vizion të idealizuar të Jugosllavisë, - në vitet '60, kur Bekim Fehmiu luante "Shitësit e puplave" dhe "Ulisin", parrulla e famshme "bashkim - vëllazërim" kërkonte ende të funksiononte; ose më mirë të them atmosfera jugosllave nuk ishte kontaminuar ende keqas nga nacionalizmat. Kontaminimi, si rimarrje e urrejtjeve nacionaliste të vjetra, ka qenë një proces, që, sipas çfarë kam lexuar, fillon në fund të viteve '50 - kur idealet e komunizmit për një botë të re dështuan duke humbur edhe besimin dhe forcën e tyre inspiruese - dhe kulminon në vitet '90.Por këtu nuk është vendi të bëjmë analizën përse dështoi projekti Jugosllav i "bashkim vëllazërimit" dhe fitoi ai i nacionalizmave që shpërbënë Jugosllavinë nëpërmjet tragjedish të pabesueshme për kohën. Ndoshta është më mirë t’ju tregoj një histori që direkt apo indirekt lidhet edhe me Bekim Fehmiun. Është një histori që më vjen në kujtesë nga një bisedë e disa viteve më parë me një mikun tim, një intelektual i njohur kosovar, Shkëlqen Maliqi, e që flet shumë për kohën që erdhi më pas.Shkëlzeni në vitet '80 studionte në Beograd. Një tjetër shqiptar nga Kosova ishte asokohe mjaft i njohur në Beograd. Ky ishte aktori Enver Petrovci. Të dy jetonin në Beograd ndoshta me ëndrrën apo iluzionin që, ashtu si Bekim Fehmiu, do të bëheshin intelektualë e aktorë të shquar Jugosllavë, gjithë duke qenë edhe shqiptarë. Por kohët kishin ndryshuar. Kontaminimi ishte thelluar. Nacionalizmat në Jugosllavi kishin filluar të ndizeshin fort, ai serb mbi të gjitha kontaminonte Beogradin, por edhe ai shqiptar kontaminonte jo pak Prishtinën. Asokohe, Enver Petrovci luajti në Begrad në një komedi rolin e car Llazarit. Reagimet që erdhën nga të dy palët qenë shumë emblematike. Serbët në Beograd thoshin: "si mund të ridikulizojë një shqiptar car Llazarin!"; shqiptarët në Prishtinë: "si mundet një shqiptar të luajë car Llazarin!" Në Beograd, jashtë rretheve intelektuale, Shkëlzeni dhe Enveri ndjeheshin të diskriminuar; në Prishtinë i konsideronin si dora e zgjatur e Beogradit. Derisa më në fund ata vendosën të kthehen përfundimisht në Prishtinë duke hequr dorë nga ëndrra jugosllave.Është një histori që të bën të mendosh mbi aspektin tragjik të identitetit dhe të nevojës për përkatësi të njeriut; se si identitetet mund të shndrrohen në instrumente diskriminimi, ndarjeje, urrejtjeje duke shkuar shumë larg, duke u bërë, pra, “vrastare”, sikurse i quan Malouf. Ajo çka ndodhi më pas në fundvitet '80 dhe pastaj në vitet '90 është ilustrimi më i mirë i kësaj.* * *Si do ta vendosja në këtë histori Bekim Fehmiun, aktorin me origjinë shqiptare që kishte luajtur në skenat e teatrit të Beogradit në gjuhën serbokroate, martuar me një serbe me të cilën ka dy djem, pastaj i bërë i njohur në të gjithë botën si aktor kinematografie, veçanërisht me rolin e Uliksit, simbol i njeriut universal që shëtit nëpër botë?Unë bëj pjesë ndër ata që janë shumë kritikë ndaj identitetit si nevojë e njeriut për përkatësi në një bashkësi sepse mendoj se, kur flasim për identitetin, duhet të kemi parasysh një proces gjithnjë në lëvizje dhe ndryshim, sepse duhet të kemi parasysh shumë identitete brenda një njeriu; sepse përkatësia në një bashkësi mund ta shndrrojë shumë lehtë njeriun edhe në rob e pastaj viktimë të kësaj bashkësie. Por histori si ajo që tregova më bëjnë ta shtyj kritikën deri në refuzimin e identitetit. Në ç'kuptim? Në kuptimin se shpesh, kur tentojmë të identifikojmë një person, kryejmë ndaj këtij personi një proces thjeshtëzimi, reduktimi të tij në diçka që në të vërtetë ai nuk është. E etiketojmë psh. "shqiptar" apo "serb" dhe, nëpërmjet një mekanizmi instrumentalizues, të diktuar nga të tjera instrumente nga ata të njohjes, një qënie shumë komplekse, multi-identitare, gjithherë në zhvillim e ndryshim, me historinë e tij personale, e zhveshim, e varfërojmë duke e kthyer thjesht në një objekt që duhet dashur apo urryer.Bekim Fehmiun e shoh në një farë kuptimi si njeriun që ndërkohë që ka ndërtuar indivudualitetin e personalitetin e tij ndeshet me këtë proces varfërues, të cilin e refuzon në emër të personalitetit të tij, të vlerave me të cilat është formuar, por edhe në emër të bijve të tij dhe të të gjithë atyre njerëve që i ka dashur dhe e kanë dashur. Ai ka lindur në Sarajevë në një familje shqiptare, ka jetuar fëmijërinë në Shkodër dhe Prizren, ka studiuar në Beograd, ka aktruar në shumë gjuhë të botës, është dashuruar dhe martuar me një serbe me të cilën ka bërë dy djem të cilëve - siç thotë - ua ka lënë të zgjedhin vetë mënyrën e jetës që duan të bëjnë. A mund të mohoen të gjitha këto për t'u bërë thjesht e vetëm "shqiptar" apo "serb"? Kur Bekimi ka dalë në New York i veshur me kostum kombëtar shqiptar ai ka dashur të verë në dukje një faqe të identitetit të tij që ndoshta shumëkush nga jo-shqiptarët atje e lexonte për herë të parë. Po ashtu ai protestoi nëpërmjet tërheqjes nga teatri dhe heshjes kur Millosheviçi filloi sulmet ndaj shqiptarëve, duke u hequr autonominë. Por, nga ana tjetër, atë nuk e kemi parë t'i fryjë zjarrit të nacionalizmit shqiptar dhe të urrejtjes ndaj serbëve. Sipas meje ka vepruar kështu sepse nuk ka dashur ta shihte veten të reduktuar, të varfëruar, të shpërfytyruar dmth. ashtu siç nuk e ndjente të ishte por edhe sepse nuk ka dashur të bëhet instrument i këtij varfërimi vrastar - siç për fat të keq kanë bërë dhe bëjnë shumë intelektualë në trevat tona.Lidhur me tërheqjen dhe heshtjen e tij, si formë e këtij refuzimi, mund të thuhet se gjithkush bën zgjedhjet e veta; personalisht mendoj se ai edhe mund ta kishte shfaqur refuzimin në një formë tjetër: duke luftuar për mbrojtjen e pasurisë që kishte ndërtuar me artin dhe figurën e tij.Gjithsesi do të thoja se ai i përket kategorisë së atyre intelektualëve që nuk e pranuan prishjen e Jugosllavisë, veçanërisht luftrat, e për të cilët shumë shpesh është përdorur edhe termi jugonostalgjikë e që i qëndruan koherent këtij qëndrimi. Pjesa më e madhe e atyre që kam takuar nga kjo kategori bëjnë pjesë në grupin më të iluminuar të shqiptarëve, serbëve, kroatëve, sllovenëve, maqedonasve, e malazezve që kanë jetuar në Jugosllavinë e asaj kohe. Jo rastësisht unë e takova Bekimin në Qendrën e Dekontaminimit Kulturoror, ku mblidheshin intelektualë të tillë e që ndjehej se ishte një ishull i vogël i rrethuar nga kontaminimi. Ishte një takim i shkurtër. Ma prezantoi mikja e tij e vjetër dhe mikja ime më e re Borka Pavićević, drejtoresha e Qendrës. Ai foli shumë pak gjatë kohës së shkurtër që qëndruam sëbashku; me mua shqip me Borkën serbokroatisht. Ishte një takim për të cilin mund të them se nuk ma ka zëvendësuar dot në kujtesë imazhin e Bekim Fehmiut në rolin e Uliksit, me atë vështrimin e tij depërtues e plot jetë.Sot në hapësirat serbe dhe shqiptare kategoria e intelektulëve si Bekim Fehmiu duken si specie e zhdukur, e harruar. Por nuk është tamam kështu. Unë mendoj se vërtet Bekim Fehmiu vazhdon të jetë "i heshtur", por heshtja e tij, ndoshta e bën edhe më të rëndë praninë e tij në realitetin tonë mendor. Për mua ajo heshtje, si refuzim i varfërimit identitar, na grish ne që ta rimarrim jetën dhe veprën e tij për të ushqyer shpresën për një botë të dashurisë dhe jo të urrejtjes, të hapjes ndaj kulturave të tjera dhe jo të kulturave të mbyllura. Ashtu siç na ushqen personazhi me të cilin Bekim Fehmiu na është bërë më i dashur, Uliksi, njeriu që e tërheq bota dhe të panjohurat e saj, që eksploron shumë vende, kultura, duke u dashuruar me to e duke kërkuar të njohë të tjera, - ndoshta simboli më i fortë i njeriut si banor i tërë universit.Pupla dhe gjakNga Dejan AtanackovicNuk e meritoj të flas në inaugurimin e kësaj ekspozite dedikuar Bekim Fehmiut në cilësinë e një njohësi të punës së tij. Sepse, përkundrazi, për mua imazhi i tij është ai i një legjende, i një fytyre të fëmijërisë, i një simboli "pop" të adoleshencës sime.Në fakt ne dinim pak për të asokohe. Dihej se gjendej në ndonjë cep të botës duke ndjekur karrierën e tij ndërkombëtare dhe se rrethohej, si në një ëndërr, nga emra të mëdhenj si Jon Huston, Ava Gardner, Dirk Bogard… Ky është kujtim i atyre kohëve kur TV-ja ecte më ngadalë, por shumë më me seriozitet; kur flitej për kinemanë duke transmetuar cikle të plota të një regjizori apo të një aktori dhe duke dhënë fragmente të tërë filmash pak a shumë të njohur. Madje më së shumti filmat bëheshin të njohur fillimisht nga këta fragmente (jo nga trailer-ët publicitarë, si sot) dhe vetëm më pas i shihnim të plotë.Një skenë që kujtoj ta kem parë shumë herë në televizion, kohë përpara sesa ta shihja filmin e plotë ishte nga “Skupljači perja” [Shitësit e puplave) i Saša Petrović. Në atë skenë shohim një Bekim Fehmiu tragjik e në vuajtje që bije në një trishtim të pafundëm dhe që përplas ballin e duart mbi gota të thyera duke u çarë e gjakosur keq; i gjithë filmi pastaj luan me imazhin e gjakut që kontraston fort me atë të puplave. Janë dy materie: njëra e një peshe të pamatë dhe tjetra e një lehtësie onirike.Puplat të njollosura me gjak janë një kontradiktë per exellance, një kontradiktë që në të gjithë natyrën nuk shfaqet me aq vërtetësi sa në natyrën njerëzore, në variancionet e saj absurde dhe të rrezikëshme. Sepse njeriu është vetëm pjesërisht një qënie natyrore, fati i tij është shenjuar prej kohësh të zvarritet në labirintet mbytëse të konstruksioneve të tij, të produkteve dhe të hijeve të tij të shumta. Njeriu është bërë një produkt dhe duket se Bekim Fehmiu, një ditë të jetës së tij, vendosi të tërhiqej nga ky produkt.Kujtoj mbi të gjitha shikimin e tij, një shikim i fortë dhe i trishtë që ne asokohe na hiqte çdo kuptim dallimi nacional apo etnik. Ishte ai, sëbashku me të mëdhenj të tjerë si Rade Šerbedžija, Ljuba Tadić, Radko Polič, Relja Bašić - që recitonin në skenën e atij teatri që e quanim Jugosllavia, i cili dinte të kalonte me lehtësi nga heroikja tek erotikja dhe nga ideologjikja tek komikja. Ishte e qartë se herët a vonë - e thonin shumë këtë - do t'i vinte rradha edhe tragjedisë.Në shtëpinë time thuhej gjithmonë se do të kishte luftë. Por këta figura, - aktorët, muzikantët jugosllavë kultura "e lartë" dhe "pop" e viteve 80 - mua ma bënin krejtësisht të pabesueshme realizimin e kësaj profecie. E megjithatë lufta ndodhi. Bekim Fehmiu thotë në shkrimet e tij: "Këtu nuk mbyllet jeta pa të paktën dy apo tre luftra." Nuk e di nëse luftrat e viteve '90 do të të jenë të fundit në jetën time. Erdhën me rradhë: Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Kosova dhe e vetmja gjë e pranueshme që kishin ato qe se ne i humbëm ato të gjitha. Nuk e di se si do ta kisha pranuar një fitore.Në fund të viteve '90 ndoshta mund të ma sillte rasti ta takoja Bekim Fehmiun. Banonte në një zonë afër shtëpisë sime. Sillesha shpesh andej nga Qendra e Dekontaminimit Kulturor ku disa beogradas shkonin për të mos u çmendur apo për t'u çmendur sëbashku. Por nuk e takova kurrë. Në të vërtetë, siç munda të vija re asokohe, intelektualët dhe artistët jugosllavë i ruajtën kontaktet edhe gjatë luftës: eksistone një rrjet normaliteti sadoqë shumë i brishtë. Normaliteti - kjo fjalë kyç, befas u bë kaq e çmuar. Por për ta jetuar nuk ishte e mjaftueshme të ishe një intelektual apo një artist. Sa shumë prej tyre ranë në meskinitetet dhe interesa private duke u përlyer me gjak dhe llum.Edhe sot ekziston harta e normalitetit, një rrjetëzim i qytetve të Jugosllavisë së asaj kohe, por është pak i dukshëm dhe i kuptueshëm për qytetarin e zakonshëm. Në Beogradin e viteve '90 ndryshuan gjuhët, fytyrat, shikimet deri edhe trupat. Nuk mund të rrihej më dhe kështu iku shkrimtari, aktori, muzikanti, miku, i panjohuri. Pak nga pak Beogradin na e vodhi një provincializëm ambiciozësh me dhëmbë të mprehtë, një periferi që zaptoi qytetin duke e kthyer këtë vetë pastaj përfundimisht në periferi, në një zgjatim të madh të abuzivizmit, të mungesës së rregullave.Me rënien e Milošević-it u duk sikur u rivendos normaliteti. Befas, në televizionin që ndërkohë ishte bërë i shpejtë, filluan të shfaqen fytyra të njohura, miq që thonin gjëra me kuptim. Por kjo zgjati pak.Ndoshta Bekim Fehmiu e ka konsideruar atë vit 2001 si vitin e një fillimi të ri dhe prandaj vendosi të botonte autobiografinë e tij që e kishte shkruar prej kohësh. Kur e pyetën: Pse tani? ai u përgjegj: "askush nuk e di në të vërtetë se pse lind, apo pse lind në një vend të caktuar. Lind dhe kaq." Nuk fliste me shumë gazetarë dhe, kur fliste, recitonte shpesh poezinë e Dušan Vasiljev-it "Njeriu këndon pas luftës". Një tekst i hidhur që një aktor i zoti e reciton i pushtuar nga ndjenja e turpit, e pafuqisë, e një habije të thellë me vetveten, me rënien e padurueshme që ka pësuar. Vasiljevi ishte vetëm 24 vjeç kur vdiq. Vitet e tij qenë ato që shoqëruan fillimn e shekullit të XX, të cilit Bekim Fehmiu dhe ne sëbashku me të i pamë fundin absurd. Një shekull gjaku dhe puplash.Në librin e tij "E ndritshmja dhe e tmerrshmja" Fehmiu flet edhe për një të kaluar Jugosllave, ku gjen pak trëndafila e lule - sa për të hequr çdo iluzion mbi faktin se ajo ka qenë një periudhë pa paragjykime. Nuk ishte kështu as koha përpara tragjedisë që na duket si ajo më shembullorja e më pak e kritikueshmja. Ai kujton me shije të hidhur, se si presionet politike, megjithë suksesin dhe popullaritetin, i kanë hequr çmimet më prestigjioze. Megjithatë ai ka jetuar si jugosllav dhe besoj si jugosllav i bindur, duke e ditur se çdo teatër ka prapaskenën e tij dhe se përpara publikut të magjepsur zhvillohen gjithmonë së paku dy shfaqje ndër të cilat vetëm njëra duket. Këto dy shfaqje, tek e fundit. mund të ndryshojnë shumë në cilësi, por ajo që mbetet e rëndësishme është të jesh gjithmonë recitues i asaj më të mirës. Dhe janë ata të recitimit më të mirë që na kujtojnë Jugosllavinë.Së fundi, meqënëse jam këtu, dua të them edhe diçka. Nuk duhet tu besojmë atyre që thonë se luftrat në Jugosllavi i kanë bërë popujt, etnitë, dhe aq më pak fetë dhe ideologjitë. Nuk ishte kështu. Dhe as duhen mistifikuar konfliktet që ndodhën duke e lidhur apo zgjidhur gjithshka me interesat ndërkombëtare të fuqive botërore. Nuk ishte kështu. Është shumë, po, banalisht shumë më e thjeshtë: ishte një hakmarrje e njërëzve pa talent. E atyre të prapaskenës, që nuk dinin të bënin gjë tjetër veçse të fshiheshin, të cilëve u shfaqej përpara syve Sarajeva, Dubrovniku, Vukovari, Mostari dhe këta qytete, islame, austro - hungareze, veneciane ishin për ta prova e tmerrshme se nuk do të arrinin kurrë ta kuptonin botën në bukurinë dhe brishtësinë e saj më të thellë. Dhe prandaj qëndronin prapa kuintave duke i dëgjuar duartrokitjet që u dedikoheshin të tjerëve me urrejtje në gjak.Përktheu nga italishtja Fatos Lubonja(Panorama, 30 nëntor 2012)
Saturday, December 1, 2012
Refuzimi i Bekim Fehmiut
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
No comments:
Post a Comment