Sunday, November 8, 2020

Zgjedhjet në SHBA - si dhe pse votuan amerikanët

Se cili do të jetë Presidenti i ardhshëm i SHBA-së nuk është e sigurt në momentin që shkruaj këtë shkrim. Skenarët janë ende të hapur edhe për shkak se Presidenti Trump ka deklaruar se do të çojë në gjykata apo rinumërim rezultatet në Wisconsin dhe Michigan, që e afrojnë shumë Bidenin drejt zyrës ovale. Por për disa sigurira mund të flitet. Përpara këtyre zgjedhjeve dhe gjatë tyre është shkruar dhe folur shumë se ato do të jenë një referendum rreth Donald Trump. 

Ata që e shtronin kështu çështjen duket se ishin më së shumti pjesa anti-Trump e komentatorëve dhe elektoratit amerikan. Duke e shtruar kështu, ata indirekt kërkonin të vinin në dukje karakterin e mbrapshtë të Trump-it, sjelljet e tij antidemokratike, të paparashikueshme, përçarëse dhe polarizuese, të rrezikshme për demokracinë, në mos edhe sëmundjen e tij të narcizmit. Këto duhet të ishin të mjaftueshme, sipas tyre, që një amerikan me buon sens – qoftë ky edhe republikan – të shkonte të hidhte votën për ta nxjerrë nga zyra më e rëndësishme në botë Trump-in dhe për të futur aty normalin Biden. 

 Pavarësisht se cili do të fitojë, zgjedhjet treguan se Trump dhe Biden po shkojnë rrotë më rrotë duke e hedhur në një farë mënyre poshtë tezën e referendumit së bashku me sondazhet paraelektorale. Ato hodhën poshtë edhe tezën se dyndja historike e votuesve në këto zgjedhje – me mbi 100 milionë votues me postë – nënkuptonte mobilizimin e atyre që donin të hiqnin qafe Trump-in. Rritja shkoi në të dy krahët, duke folur për një mobilizim të të dy krahëve, për shkak të një polarizimi të pakrahasueshëm me zgjedhjet paraardhëse. Atëherë, si dhe pse kanë votuar amerikanët e polarizuar nëse jo për Trump ose anti Trump? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet t’i referohemi dy sondazheve të “CNN” ditën e zgjedhjeve. 

 Në njërin prej tyre, zgjedhësit e të dy krahëve pyeteshin nëse kishin votuar për kandidatin e tyre nisur nga idetë e tij apo njeriu që votonin. E pra, 80% e partizanëve të Trump-it deklaronin se kishin votuar nisur nga idetë dhe vetëm 15% (me siguri edhe nga turpi) deklaruan se ishin nisur nga njeriu Trump. Në krahun demokrat ishin 60% ata që votonin për idetë e Biden-it dhe 30% për njeriun. Fakti që ishin dyfishi i demokratëve që votonin njeriun Biden tregon se ata i mëshonin shumë më tepër njeriut sesa ata të Trump-it. Fakti që partizanët e Trump-it i mëshonin ideve flet se ata ndoshta janë të vetëdijshëm për defektet e Trump-it njeri, por se ky njeri u ka interesuar pasi ai u ka folur me gjuhën e interesave të tyre, vlerave të tyre, identitetit të tyre. 

Në fakt, këto zgjedhje treguan një Amerikë të ndarë për sa u përket disa vlerave dhe identiteteve themelore. Për të parë se cilat janë këto vlera mjaft të kesh parasysh sondazhin e dytë të “CNN”. 

Votuesit e të dy krahëve ishin pyetur se cilat ishin gjërat kryesore (sipas radhës) që i kishin shtyrë të votonin kandidatin e tyre. 35% e partizanëve të Biden-it vinin të parën çështjet raciale (duke pasur parasysh ngjarjet e fundit, që kanë krijuar përçarje të madhe në indin social amerikan me vrasjen nga polcia të disa të zinjve), të dytën çështjen e pandemisë dhe pastaj vazhdonin me ekonominë me sistemin shëndetësor etj. Kurse partizanët e Trump-it vinin ekonominë të parën, vazhdonin me sigurinë dhe vetëm në fund, me 3% vinin çështjet raciale dhe vetëm me 5% vinin pandeminë. Kjo flet për një diferencë të madhe vlerash dhe identitetesh që i ndajnë amerikanët, jo vetëm në racistë dhe antiracistë, në ata që janë kundër emigrantëve nga ata që janë shumë më të ndjeshëm ndaj tyre, në ata që janë për mbajtjen e armëve dhe ata që janë kundër, në ata që janë për një sistem shëndetsor falas dhe ata që janë kundër, në ata që janë kundër abortit dhe ata që janë pro, por edhe në shumë vlera dhe identitete që tradicionalisht i ndajnë konservatorët nga progresisët në besimtarë dhe jo besimtarë, kundër abortit dhe pro abortit, në ata që janë për martesën burrë-grua dhe ata që janë edhe për martesat e homosksualëve, në kreacionistë dhe evolucionistë etj.. Edhe çështja e menaxhimit të pandemisë duhet parë në kuadrin e këtyre vlerave. Biden-i, edhe në mënyrën se si e zhvilloi fushatën elektorale, tregoi kujdes dhe merak për jetën njerëzore – duke pasur parasysh edhe faktin se pjesa më e madhe e atyre që ka vrarë Covid-i i përkasin shtresave më të brishta. Kurse Trump-i, duke treguar muskujt ndaj virusit, duke hequr në mënyrë demonstrative maskën, iu përgjigj pjesës së amerikanëve të fortë, më të pasur, që i shqetëson më shumë ekonomia e tyre.

Gjithsesi, një fitore e Biden-it, që ka si premtim kryesor riunifikimin e një Amerikë më të përçarë, mund të konsiderohet si një shpresë që në mes të të dyja palëve të mos thellohet konflikti dhe përçarja, por të rikthehet dialogu dhe uniteti i bazuar në respektin reciprok. (Panorama, 4 nëntor 2020)

Tuesday, October 27, 2020

Zgjedhjet në SHBA dhe interesat shqiptare

Që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë deri ne periudhën Trump zgjedhjet në SHBA e kanë ndarë pjesën më të madhe të evropianëve perëndimorë sipas afërsive kulturore e politike me partitë liberale të qendrës së majtë e të djathtë që ata votojnë. Këto parti, megjithatë, edhe kur kanë qenë në pushtet edhe kur kanë qenë në opozitë, janë treguar të kujdesshme për të ndërhyrë me deklarime përpara zgjedhjeve në SHBA.

Me Trump-in në pushtet ujërat janë turbulluar. Qëndrimet e tij në favor të Brexit-it e të sovranizmit antievropianist, dalja nga Traktati i Parisit, masat ekstreme ndaj emigracionit, polarizimi i fortë që ka shkaktuar në Lindjen e Mesme me mbështetjen krejt të njëanshme ndaj Izraelit, etj.  kanë ndikuar që partitë evropiane të qendrës të jenë me afër demokratëve kurse Trump ka gjetur mbështetës të hapur kundërshtarët e tyre, partitë e djathta sovraniste, konservatore. Megjithatë edhe në prag të këtyre zgjedhjeve nuk duket që liderët politikë evropianë të deklarojnë hapur mbështetjen e tyre për njërin apo tjetrin kandidat.

Në Shqipëri, para Trupit, edhe për shkak se ndarja qendër e majtë qendër e djathtë, në kuptimin kulturor dhe ekonomik, thuajse nuk ekziston, qëndrimi ndaj zgjedhjeve të radhës në SHBA është karakterizuar nga pritja në heshtje, pa debate, e fituesit, kurse pas zgjedhjeve të dy palët janë bërë pa asnjë rezervë me presidentin fitues. Këtë traditë do ta thyente Edi Rama kur deklaroi në CNN më 2016 se Trump ishte një rrezik për botën – deklaratë që e bëri për shkak të lidhjeve të tij (kryesisht nëpërmjet Sorosit) me demokratët amerikanë si dhe duke besuar në sondazhet që e jepnin Clinton fituese të sigurt. 

Për shkak të deklarimit të tij anti Trump kombinuar me faktin se administrata e Obamas i kishte dhënë goxha mbështetje dhe legjitimim Edi Ramës (mjaft të kujtosh Reformën në Drejtësi pasojat dramatike të së cilës po shfaqen sot) ishte e kuptueshme që opozita të shpresonte fitoren e Trumpit. Në fakt, pas fitores së tij, ka pasur disa shkrime në mediat amerikane që denonconin politikat pro Rama të Ambasadës Amerikane në kohën e ambasadorit Lu. Por shpejt u pa se Rama ktheu 180 gradë qëndrimin ndaj Trumpit dhe, ç’është më e rëndësishmja, pragmatizmi plot improvizime dhe jo koherencë i Trumpit solli në Shqipëri një mbështetje edhe më të madhe të administratës Trump ndaj narkoqeverisë së Ramës, që kulmoi me paralajmërimin e Palmerit kundër opozitës në prag të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe po vazhdon me qëndrimet e ambasadores Yuri Kim – aq sa sot opozitarët duhet të ndjejnë mall për të shumë kritikuarin Lu. E megjithatë, paradoksalisht, edhe pse, për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk kemi pasur qëndrime hapur të liderëve opozitarë, nuk janë të pakët sot opozitarët që  kërkojnë fitoren e Trumpit, çka bije në sy më shumë në rrjetet sociale.

Në këtë shkrim dua të jap gjashtë arsye pse një fitore e Bidenit do të ishte më shpresëdhënëse sesa një fitore e dytë e Trumpit përsa i përket aspiratës së shqiptarëve për një vend më të mirë dhe më demokratik, (për çka pretendon se lufton dhe opozita). 

 

1. Me presidencën e tij plot me qëndrimet jo koherente, të papritura, polarizuese, konfliktuale, prej narçizisti të sëmurë prestigji i SHBA-ve në botë ka rënë më poshtë se kurrë ndonjëherë duke e bërë vendin më të fuqishëm e më të rëndësishëm në botë të mos merret ndonjëherë as seriozisht. Në fakt Trump është vërtet një rrezik për botën prandaj edhe për ne.

2. Trumpi është një rrezik për demokracinë. Një fitore e tij do të përforconte një prirje që vihet re sot në vende me demokraci të brishtë të liderëve të fortë që tentojnë të personalizojnë politikën në vend se të punojnë për forcimin e institucioneve dhe ndarjen e pushteteve. Një fitore e tij pra do të ishte një inkurajim edhe për sjelljet alla Trump të Ramës në Shqipëri. 

3. Nëse do të shohim konfrontimin Trump – Biden përsa i përket vizionit për botën, duke e lidhur atë me problematikat e Shqipërisë, ka disa pika ku qartazi vizioni i Bidenit është më afër nevojave urgjente që ka sot Shqipëria për ndryshim. Kam parasysh këtu ndjeshmërinë shumë më të madhe të Bidenit dhe demokratëve amerikanë në dy çështje që në Shqipëri ulërasin për ndryshim.

Së pari, ndjeshmëria më e madhe ndaj publikes, veçanërisht shëndetit publik që me Covidin është shfaqur në gjithë dramacitetin e vet. 

Së dyti, vizioni i Bidenit pro ambientalist për energjinë e rinovueshme etj., në përputhje me vizionin evropian, do të ndikonte, sadokudo, për frenimin e masakrimit ambiental që po pëson Shqipëria për interesat e një oligarkie kriminale.

4. Një riafirmim i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë rrezikon të  rikthejë skenarin e ndryshimeve të kufijve në Kosovë me gjithë implikimet që ai mund të sjellë në botën shqiptare dhe në rajon. 

 

5. Trumpi, mbështetës i Brexit-it, nuk e ka për zemër projektin evropian i cili, megjithë shumë dështime, mbetet ende shpresë se mund ta ndihmojë Shqipërinë në proceset demokratike. Një kthim i demokratit Biden, i cili është proevropian, mund ta ndihmojë këtë projekt. Po ashtu, në këtë kontekst, vendet evropiane janë bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm për problemet e korrupsionit, krimit të organizuar e proceseve antidemokratike në Shqipëri dhe i kanë shtuar kritikat, kurse administrata Trump, për shkaqe pragmatiste interesash gjeopolitike deri elektorale të Trumpit ka shtuar mbështetjen ndaj tij. Mjaft të kesh parasysh diferencën e dukshme në qëndrimeve mes SHBA dhe Gjermanisë dhe vendeve të tjera serioze evropiane lidhur me këto. Nuk duhet harruar se administrata Trump bëri një lojë të shëmtuar në Kosovë kur rrëzoi një qeveri të zgjedhur demokratikisht e që jepte shpresë për të goditur sistemin oligarkik kriminal të ngritur atje duke dhënë mesazhin për udhëheqësit e korruptuar shqiptarë se për të pasur mbështetjen e SHBA mjafton tu shërbesh interesave elektorale të presidentit të tyre. 

6. Dy partitë kryesore opozitare, duke qenë evropianiste dhe të lidhura me partitë simotra evropiane  nuk kanë asnjë interes të afrohen me Trumpin, që ka punuar kundër tyre, sepse përveç të tjerash kjo do t’i largonte nga këto parti dhe mbështetja e tyre e mundshme. (Panorama, 26 tetor, 2020)

Wednesday, October 14, 2020

Opozita të ngjallë optimizëm aktiv

 

Është interesant të vihen re diferencat në qëndrime midis tre ambasadorëve, që u bënë garant për marrëveshjen e 5 qershorit, pas aprovimit nga Parlamenti të ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor.

Amerikania Kim ishte qartazi mbështetëse, edhe pse shtoi se do të kishte dashur që marrëveshja e 5 qershorit të ishte respektuar.

Ai i BE-së, Sorecca, i mëshoi pak më shumë kësaj pjesës së 5 qershorit, por nënvizoi hapat përpara që ka bërë Shqipëria.

I vetmi që shprehu zhgënjim pa ndonjë mbështetje për mosrespektimin e marrëveshjes ishte ambasadori britanik Norman.

Janë tre qëndrime që nuk mund të mos i shohim të pa lidhura me interesat e të tre palëve që përfaqësojnë ambasadorët.

SHBA nuk mund të mos jenë mirënjohës për politikat e Ramës në përkrahje të administratës amerikane, së fundi edhe për dhënien e Skavicës një firme amerikane shumë të përfolur në kohën kur kjo bashkëpunonte me qeverinë Berisha. (Pa harruar edhe rrethimin që i ka bërë mjeshtri i manipulimit Rama ambasadores për t’i paraqitur një vend normal që po përparon, ndryshe nga ç’thonë armiqtë e brendshëm të Shqipërisë).

Sorecca-s i duhet t’i mëshojë narrativës së tranzicionit të Shqipërisë drejt BE-së, që është edhe puna e tij, sipas formulës: keni bërë hapa përpara, vazhdoni në këtë drejtim. Sidomos në këto kohë kur BE po sfidohet në rajon jo vetëm nga Turqia, Kina e Rusia, por edhe nga SHBA.

Britaniku, që nuk i ka këta interesa, duket se e sheh Shqipërinë më ftohtazi, ndoshta edhe nën optikën e problemeve në rritje që ka krijuar në Britani krimi i organizuar shqiptar.

Gjithsesi Edi Rama s’ka se si të mos jetë i kënaqur për këto qëndrime sepse shqiptarët, të mësuar ta shohin vetveten nëpërmjet syrit të të huajve, në vend se të shihnin ndonjë qëndrim dënues për aktin e Ramës morën mesazhin se ai vazhdon të ketë mbështetjen e tyre.

Në fakt shkelja e marrëveshjes ishte konfirmimi i radhës se Rama po e fut vendin në një tunel antidemokratik gjithnjë e më të thellë nga i cili zor se do të mund të dalim me rrugë normale. Problemi është se shumica e shqiptarëve, edhe në sajë të dekurajimit që përcjellin këta soj ambasadorësh, në vend se të revoltohen nga padrejtësia dhe gënjeshtra që tashmë ulëret, duket se i janë nënshtruar pritjes së këtij fataliteti. Një pjesë e madhe po bën valixhet gati për të ikur në rast të një fitoreje të tretë të Ramës. Të tjerë komentojnë se, ashtu sikurse është katandisur ky vend, nuk vlen më as të lëshosh hije në të e se s’ka opozitë ta kthejë dot më në rrugë të mbarë.

Në kontrast me këtë pesimizëm, që personalisht e shoh mbizotërues, spikat një lloj qetësie optimiste e PD-së e cila shprehet se çfarëdo që të bëjë Rama vota e 25 prillit do ta gjejë atë humbës. Duket se kjo qetësi e PD-së mbështetet mbi sondazhe dhe mbi një frymë pakënaqësie që ndjehet tashmë në ajër që e bën të besojë se lumi i votave kundër do të vërshojë aq furishëm saqë nuk do të ketë digë e barrierë rilindëse që ta përmbajë. Sipas disa zërave qetësia e Bashës vjen edhe nga fakti se këshilltarët e tij elektoralë të huaj i kanë sugjeruar se duhet të përqendrohet tek evidentimi i rënies ekonomike të vendit dhe tek premtimi për të forcuar shtresën e mesme nëpërmjet uljes së taksimit të saj nga 23% në 9%.

Shumë më i zëshëm është qëndrimi i Presidentit. Ai flet më tepër ashpërsi për akte të rënda, dramatike që po ndodhin, por më anë tjetër shprehet se ruan besimin se shqiptarët do t’ia tregojnë vendin Ramës nëpërmjet “referendumit” të 25 prillit.

Do të uroja të ndodhte kështu, por mbrapa optimizmit të opozitës ka ca “por”-e.

“Por”-i më i madh vjen nga fakti se tashmë është e qartë se Rama po bën gjithçka për të ruajtur pushtetin në një situatë ku kuptohet se ka humbur konsensusin e shumicës. Ndryshimi i njëanshëm i Kodit Zgjedhor  duket qartazi se është tregues i masakrën elektorale që po përgatitet. Ndërkohë as publiku dhe as opozita vetë nuk duket të jenë të qartë se me çfarë mjetesh do ta ndalojnë atë, pasi Rama ka në dorë të gjithë pushtetet, më shumë nga ç’i kishte në kohën kur opozita dilte nga Parlamenti duke deklaruar se me Ramën nuk ka zgjedhje të lira.  Pyetja është: cili do të jetë arbitri që do t’i bjerë bilbilit për faullet e Ramës gjatë lojës? Fakti që ambasadorët nuk i ranë bilbilit  me ndryshimin e Kodit Zgjedhor heq shpresën se ata mund ta luajnë këtë rol siç shpresonte aq shumë opozita kur hyri në negociata. 

Dikush mund të shtrojë pyetjen: po çfarë duhet të bëjë opozita në këto kushte, të mos shprehë optimizëm, apo të mos hyjë në zgjedhje. Jo, por meqenëse nga të gjitha shenjat duket se shpresa e vetme është vërshimi i popullit të pakënaqur në kutitë e votimit gjykoj se duhet të jetë më aktive për t’i motivuar njerëzit. Për këtë them se nuk duhet të mjaftohet me denoncime, premtime, apo duke u dhënë një lloj optimizmi pasiv me kumtin se Rama ka mbaruar, por të ndërtojë një optimizëm aktiv nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit të vërtetë me njerëzit, duke i bërë pjesë e politikës, të vetëdijshëm se pa ndihmën e angazhimin e tyre kjo e keqe vështirë se mund të luftohet. (Panorama, 13 tetor 2020)



Thursday, September 17, 2020

Të kaluarës duhet t’i qasemi nëpërmjet vuajtjes së të sotmes

 


(Intervistë dhënë gazetës Panorama)

1-Z.Lubonja, duke qenë se ju keni qenë kritik për mënyrën si janë trajtuar dëshmitë dhe dokumentet e të kaluarës komuniste, pak ditë më parë ka dalë në qarkullim libri i ish-kryehetuesit Qemal Lame, i cili dëshmon për ndjekjen e shkrimtarit Ismail Kadare nga Sigurimi i Shtetit. Si i vlerësoni këto dëshmi të tij si ish-funksionar i lartë i regjimit?

 

Në fakt kam qenë e mbetem kritik ndaj mënyrës se si vazhdojnë t’i qasen shqiptarët të kaluarës së tyre komuniste (dhe jo vetëm), ku kam parasysh memuaristikën, gazetarinë, politikën, shumë studime historike, mësimdhënien etj., por edhe muhabetet që bëjnë me njëri tjetrin nëpër kafenera - shkurt kulturën dominante në vend që e kam quajtur e “simulimit” dhe e “manipulimit”. Edhe këtë libër e vlerësoj si një ilustrim dramatik të kësaj kulture. Le të shpjegohem.

Për regjimet kriminale si ai komunist flitet për katër lloj përgjegjësish ndër të cilat ajo që qëndron më lart përfshin edhe ato më poshtë.

Përgjegjësia ligjore - e atyre që kanë kryer krime të dënueshme nga ligji.

Përgjegjësia politike - e atyre që e kanë mbështetur politikisht atë regjim.

Përgjegjësia morale - e atyre që kanë ekzekutuar urdhra apo e kanë mbështetur atë regjim duke u justifikuar se s’kanë pasur ç’të bëjnë.

E fundit, por shumë e rëndësishme,  ajo që Jaspers e quan përgjegjësia metafizike: e gjithkujt nga ne që, edhe pse mund të mos i rëndojnë përgjegjësitë e mësipërmet, duhet t’i thotë vetes: nuk kam bërë sa duhet. Ndryshe Jaspers e quan këtë: përgjegjësia e atyre që kanë mbetur gjallë.

Qemal Lame, plotëson të parën, (duke plotësuar automatikisht edhe të tjerat) sepse ka përgjegjësi direkt për fabrikimin e akuzave të rreme që i kanë çuar njerëzit në varr, siç është edhe historia e akuzës për komplot të cilës i referohet. Ismail Kadare plotëson të dytën, jo vetëm pse e ka mbështetur politikisht atë regjim me veprën e tij letrare, eseistike, gazetareske, por edhe sepse ka milituar si anëtar partie, deputet i asaj partie e Nënkryetar i Frontit Demokratik. Vetëkuptohet që plotëson edhe dy të tjerat më poshtë. 

E pra, në vend se të lexojmë libra shkrimtarësh, historianësh, gazetarësh, protagonistësh të asaj kohe që të ndihmojnë shoqërinë të reflektojë e të zhvillojë ndjeshmërinë ndaj këtyre katër përgjegjësive – gjë e domosdoshme për të ndërtuar instrumente kulturore kundër përsëritjes së historisë -  ne shohim libra si ky ku gjejmë një aleancë të çuditshme të një kryekrimineli të atij regjimi me kryeshkrimtarin e tij, për të larguar çdo përgjegjësi nga vetja, për t’ia veshur ato vetëm të tjerëve, madje duke e paparaqitur veten si disidentë deri shpëtimtarë.

Sigurisht libra të tillë nuk mbijnë nga hiçi, apo lajthitja e disa personave. Kjo lloj qasjeje ndaj vetes, të tjerëve, historisë është kulturë, është mënyrë të menduari e të jetuari, të bëri politikë, shkrimtari e muhabet tek ne. Fakti që këtyre qëndrimeve ndaj të kaluarës u hapen ekranet e televizioneve, faqet e gazetave, që kampion i tyre bëhet shkrimtari më i rëndësishëm i vendit  dhe reagimi kritik ndaj tyre është gati zero flet për mungesën në ADN kulturore të shoqërisë sonë të ndjeshmërisë ndaj katër përgjegjësive që përmenda, çka, në thelb, flet për një shoqëri që nuk do të mendojë. “Të mendosh do të thotë të mbash përgjegjësi për botën”  thotë Hannah Arendt. Thelbi i gjithë qasjes sonë ndaj të kaluarës qëndron pikërisht tek mosmendimi. Të thuash se ke gabuar se ashtu ke menduar, se ke ndjekur interesin personal, familjar, se je nënshtruar pasi ke pasur frikë është gati e paimagjinueshme ta dëgjosh në muhabetet tona e jo më ta gjesh të shkruar. Në rastin më të mirë refuzimi i përgjegjësisë shfaqet në përdorimin e shprehjes: “ashtu ishte koha”, kurse në raste ekstreme, si ky, tek zëvendësimi i mendimit me mburrjen, nëpërmjet simulimit të heroit, sajimit të çdo lloj gënjeshtre për t’u paraqitur si i tillë, që është forma më qesharake e mosmbajtjes përgjegjësi. Për njerëz kaq të rëndësishëm si kryehetuesi dhe kryeshkrimtari i regjimit, kontributi i të cilëve për mbajtjen në këmbë të tij është i mirënjohur - në dy fusha të ndryshme, sigurisht, por tejet të rëndësishme, si terrori dhe propaganda, mund të pritej të na thoshin se kanë vepruar ashtu sepse ashtu kanë besuar, pasi ato kanë qenë bindjet e tyre në atë kohë, apo se kishin frikë apo, fundja, “ashtu ishte koha”. Por jo: ata kërkojnë të paraqiten si kundërshtarë, madje, ç’është më e keqja, sajojnë akte të paqena për ta provuar këtë. Gjykoj se ky, duke qenë një fenomen i përhapur, meriton një trajtim psikoanalitik të thellë që ka të bëjë me përpunimin e traumës që kemi përjetuar në atë regjim.

Në librin e saj “Eichmani në Jeruzalem”, Hannah Arendt tregon se ish nazisti ngulmonte në gjyq se nuk kishte bërë asgjë me iniciativën e tij, se nuk kishte asnjë përgjegjësi personale,  por se thjesht u ishte bindur urdhrave. Kjo avokati, tipike për nazistët, tregon, sipas Arendt, se krimet më të tmerrshme janë ato që janë kryer nga njerëz pa bindje, pa motive, nga askushër në kuptimin e qënieve njerëzore që refuzojnë të jenë persona që do të thotë të mendojnë, të mbajnë përgjegjësi, të luftojnë për të qenë të lirë. Unë besoj se njerëz si Lame, Kadare, e deri lart fare madje, nuk kanë vepruar ashtu  nga bindjet, sepse totalitarizmi nuk kërkonte të ndërtonte njerëz me bindje, por të shkatërronte çdo bindje duke e bërë njeriun të paaftë të mendojë me kokën e tij. Sigurisht frika dhe terrori nga shkatërrimi i jetës, i karrierës, i mbijetesës familjare kanë qenë instrument kryesor i reduktimit të njeriut në qenie që nuk mendon. Dhe kjo është trauma më e rëndë që kemi pësuar e trashëguar. 

E pra, në këtë libër e në përgjithësi në memuaristikën, por edhe në muhabetet tona, nuk gjen asgjë nga këto refleksione për përgjegjësinë, frikën, mungesën e mendimit, të lirisë. Ato janë një ikje nga të gjitha këto, nga mendimi, nga vetvetja nëpërmjet tregimit të përrallave me heronj e shpëtimtarë të paqenë.  Prandaj, duke iu referuar Arendt, mund të thuhet se libra si ky janë shkruar nga “njeriu ideal i regjimit totalitar” i cili, sipas saj, “nuk është  nazisti apo komunisti i bindur”, por njeriu që nuk mendon, tek i cili, për pasojë, “nuk ekziston më dallimi midis faktit dhe fiksionit (që ka të bëjë me realitetin e përjetimeve) dhe  dallimi midis falses dhe të vërtetës (që ka të bëjë me standardet e mendimit).”

Në thelbin psikologjik i interpretoj këta lloj librash si tregues të mos kurimit të traumës së pësuar.


2-Ish-kryehetuesi i regjimit komunist në vitet ’82-’92, dëshmon në vetë të parë jo vetëm për një ndjekje të vazhdueshme të Kadaresë, por edhe për urdhra të dhënë për arrestimin e tij, nga vetë Enver Hoxha. Botimi i librit vjen pasi personazhet që ai përmend nuk jetojnë më. Ju keni qenë kritik me Kadarenë dhe e keni akuzuar se shkrimtari ka tentuar të falsifikojë të kaluarën e tij për t’u shpallur disident. A janë të besueshëm për ju dëshmitë e kryehetuesit? 

 

Shpresoj se ju e mbani mend se në fillim të viteve 2000 u botua një libër me autor Maks Velon në të cilin pretendohej se Kadareja kishte shkruar një poezi kundër regjimit “Në mesditë byroja politike u mblodh” e njohur si “Pashallarët e kuq”. I gjithë manipulimi u bazua mbi faktin se poezia, ashtu si personazhet që përmendni ju, “kishte vdekur” d.m.th. ishte asgjësuar nga regjimi, pasi ishte ndaluar botimi i saj - çka u quajt edhe një krim kundër letërsisë. Sipas Velos, që kishte intervistuar Kadarenë e të tjerë, në atë poezi denoncohej udhëheqja e partisë për krimet që kishte kryer. Unë hapa një debat asokohe me një shkrim të titulluar “Kundër kulturës së manipulim simulimit” jo vetëm pasi kisha informacion të saktë se poezia nuk ishte kundër Enver Hoxhës, por kundër grupeve armiqësore që ai kishte eliminuar, (dhe se i ishte ndaluar botimi pasi Kadareja kishte shkuar shumë larg në enverizmin e tij), por edhe sepse ishte krejtësisht e pabesueshme që në atë kohë dikush të guxonte të çonte për botim një poezi siç pretendohej në libër. Në fakt poezia u gjet dhe përveç glorifikimit të Hoxhës aty dolën edhe vargje të tilla:

Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.

Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit

Të të vejë në mur

tek Bulevardi i Madh.

 

Ironia është se megjithëse poezia doli libri u botua në Francë dhe madje është përdorur në Perëndim si provë e disidencës së Kadaresë, kur këtij i janë dhënë çmime. Për mua ky është një rast ekstrem i kulturës së simulimit e manipulimit që Kadareja vazhdon ta përdorë me “sukses” edhe sot me moton: manipulo ndërkombëtarët, duke simuluar atë çka ata e vlerësojmë shumë, (disidencën në këtë rast), për të arritur suksesin, famën dhe pastaj i ke nën këmbë edhe shqiptarët që, duke qenë të paaftë të mendojnë me kokën e tyre, të adhurojnë verbërisht. Për fat të keq shumë shqiptarë edhe sot nuk kanë kuptuar  se “suksesi” i kësaj kulture -  sipas së cilës ajo se si dukesh është më e rëndësishme se ajo se si je, që i shtyn të simulojnë, të veshin maskën  e konformizmit të radhës  dhe, në raste ekstreme si ky, të përdorin çdo lloj gënjeshtre e manipulimi - ndërtohet në dëm të një kulture që duhet ta ndihmojë njeriun të bëhet vetvetja, sikundër do të thoshte Niçe, çka fillon me njohjen e vetvetes, e që çon tek njeriu i lirë që merr përgjegjësi për gjërat që thotë e bën. 

Libri i Lames është në vazhdën e kulturës së simulimit e manipulimit, por me një ndryshim: në vend që të dobësohet me kalimin e viteve në favor të rritjes së aftësisë së njerëzve për të menduar me kokën e tyre po bëhet gjithnjë e më dominante. A e keni parë se si Edi Rama dhe Erjon Veliaj nuk lenë gur pa lëvizur për të fituar mbështetje e çmime ndërkombëtare për të na penguar/manipuluar, nëpërmjet tyre, të shohim me sytë tonë shkatërrimin që i kanë bërë jetueshmërisë dhe shpresës në Shqipëri?

Por le të jap një shembull tjetër për avancimin e kësaj kulture. Para pak kohësh Edi Rama bëri një deklaratë në Parlament ku iu drejtua një kundërshtari politik me fjalët: „Im atë ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe ka qenë në anën e duhur të historisë […] Ti je një mbetje e lodhur në një gropë të historisë […] Ti je bisht i një lopate. […] Ti, dhe shume atje jashtë, […] jeni një bashkësi karikaturash. […] Ti je një ballist i lodhur. [...] Nuk e di a mund të marrësh me mik provimin e gjuhës shqipe në klasën e 9.” E pra, ju kujtoj se Rama në vitet ‘90 ka kërkuar nxjerrjen jashtë ligjit të partisë komuniste; ka qenë sarkastik ndaj veprës letrare, artistike të Kadaresë, Kristaq Ramës e në përgjithësi ndaj të gjithë elitës ish komuniste; ka satirizuar ata ish-komunistë, si Berisha, Kadareja etj., që u konvertuan në antikomunistë duke mbetur komunistë në sjellje. Duke e pas njohur personalisht, madje vlerësuar për ato qëndrime, nuk mund të mos kërkoj të gjej jo vetëm se çfarë ka ndodhur me këtë intelektual, por edhe me tërë shoqërinë, që sot arrin të pranojë për kryeministër një njeri që flet me këtë gjuhë. A ka reshtur kjo shoqëri së menduari në mënyrë kritike apo çfarë? Në fakt të kesh “kurajën për të menduar me kokën tënde” (Kant) është një sfidë e përditshme sepse, në thelb, ka të bëjë me ruajtjen e lirisë ndaj të gjitha tundimeve dhe presioneve që të rrethojnë, por reflektimi nuk më çon tek ideja se Rama e ka pasur mendimin kritik, por e ka humbur pasi është dorëzuar nga presionet apo etja për pushtet. Më çon më shumë tek “forma mentis” që ka krijuar edhe tek ai kultura e manipulim simulimit, ndryshe e propagandës, si kulturë pushteti autoritar. Sot mendoj se edhe kur fliste në vitet 90 kundër intelektualëve si Kadareja, nuk se ka menduar me kokën e tij, por ka simuluar duke përqafuar idetë e atyre që i dukej se ishin “në anën e drejtë të historisë” e u takonte pushteti në vitet 90. Më pas duke parë se pushteti i mbeti asaj elite ish-komuniste që kishte satirizuar përqafoi kauzën e saj dhe sot nuk e ka për gjë të satirizojë palën tjetër. Dominimi i kësaj kulture, sipas së cilës mjafton të kesh pushtetin e mund ta shkruash historinë si të duash, ka bërë që sot në këtë vend mund të thuash e të bësh të gjitha dhe të kundërtën e të gjithave pa mbajtur përgjegjësi. 

Për avancimin e kësaj kulture flet edhe fakti se me shembullin personal dhe politikat e tij Rama e ka çuar në ekstrem modelin e intelektualit, artistit, që, për të arritur “suksesin” vihet në shërbim të pushtetit, duke bërë që mendimi kritik intelektual të arrijë minimume përfilljeje në këto tre dekada. 


3-Një pjesë e rëndësishme e librit është ditari i kryehetuesit, zhvilluar mes Hoxhës, Alisë, Isait dhe Lames. Si e vlerësoni rolin e këtij të fundit dhe qëndrimin karshi debatuesve të tjerë? Ju vetë keni qenë viktimë e atij sistemi, që nuk kursente askënd, përse duhej Hoxha ta rimendonte vendimin e tij për arrestimin e Kadaresë?

Lidhur me këtë pyetje lexova një reagim të Ilir Demalisë ku jepen jo pak argumente se pse Lame nuk mund të besohet.  Nga ana ime, gjithë duke mbetur në ravën e refleksioneve që më nxitët me pyetjet mbi këtë libër,  do të shtroja pyetjen: si ka mundësi që kryehetuesi paska mbajtur një ditar në atë kohë ku nuk shkruhet asnjë fjalë për shefat e tij si Kadri Hasbiu, Feçor Shehu, që e kishin promovuar në detyrë, e që tani po çoheshin në varr me akuza të rreme?  Si nuk ka një radhë për rolin që ka luajtur edhe ky; për përjetimet që supozohet se duhet të ketë pasur duke e parë veten në rolin e xhelatit të tyre; për atë nëse i ka besuar akuzat e Enver Hoxhës si fjalën e Zotit apo nuk i ka besuar, por i është nënshtruar urdhrit? Si ka mundësi që na paraqitet si njeri parimor dhe i drejtë kur nuk paska patur guximin t’i thotë Hoxhës, siç pretendon se i paska thënë për Kadarenë, se nuk ka prova që këta të jenë komplotistë?  Dhe ja ku dalim përsëri tek mungesa e mendimit dhe simulimi si formë e saj. Në vend se të përshkruajë veten e tij të asaj kohe e të asaj rrethane Lame e refuzon atë, ose e ka ndrydhur në pavetëdije, siç thuhet në psikanalizë, dhe simulon një njeri të drejtë, roli i vetëm i të cilit në atë histori paska qenë shpëtimi i Kadaresë. Këtu, veç simulimit, kemi edhe manipulim sepse, duke i shërbyer narrativës së Kadaresë si kundërshtar i atij regjimi dhe paraqitur veten si shpëtimtari i tij punon edhe për largimin e përgjegjësive të veta. Sinqerisht, duke parë se sa larg shkon në këtë fiksion nuk jam i sigurt nëse ky manipulim është i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm pasi jemi tek njeriu që, duke mos e pas pyetur asnjëherë vetveten nëse gjërat që bën janë të mira apo të këqija, duket se e ka humbur përgjithmonë, siç gjykoj se ka ndodhur edhe me Kadarenë, aftësinë e dallimit midis faktit dhe fiksionit, të vërtetës dhe falses. Ajo që më çudit më shumë është se këtë mosdallim e bën edhe gazetari i Panoramës që ka hartuar hyrjet e pjesëve të librit që keni botuar. As ai nuk e ka venë mendjen në veprim, nuk ka vërejtur asnjë kontradiktë në rrëfimin e Lames, por vetëm ka prezantuar idenë sipas së cilës, ndryshe nga ç’mendohet nga një pjesë, nga libri i Lames del se Kadareja paska qenë armik i rrezikshëm i regjimit. Me këtë rast ju kujtoj se duke ribotuar për thuajse një muaj në faqet e gazetës gënjeshtrat e këtij libri për arsye komerciale apo konformizmi me elitën e regjimit, keni shkelur jo vetëm një nga të drejtat e njeriut, të formuluar në shumë kushtetuta të vendeve demokratike, atë të informimit në mënyrë korrekte, por edhe keni fyer ndjenjat e të persekutuarve vërtet nga ai regjim.

 

4-Veç dëshmive të ish-kryehetuesit për urdhrin e arrestimit të Kadaresë, ne libër ka dhe procesverbale të pyetjes ne Hetuesi të Llambi Ziçishtit ku Kadare përmendet si pjesë e grupit komplotist të Mehmet Shehut, si i përpunuar nga Todi Lubonja. Ju keni qenë skeptik për të tilla dokumente, por pse regjimi ishte i interesuar të përfshinte emrin e Kadaresë kur ju keni thënë që ai ishte i privilegjuar i atij sistemi si shkrimtar që i shërbente propagandës së regjimit?

 

Le t’i marrim gjërat me radhë. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, qarkulloi një ide se Hoxha e eliminoi Shehun që t’i vishte  atij krimet që kishte kryer vetë kundër grupit të liberalëve, të ushtarakëve,  dhe të sabotatorëve. Kjo sepse dihej që Shehu kishte mbajtur qëndrimin më të egër në Pleniumin e IV ndaj Todi Lubonjës e Fadil Paçramit dhe i kishte udhëhequr vetë akuzimet e para, në rangjet e larta të ushtrisë, kundër Beqir Ballukut. Mirëpo Hoxha nuk vonoi dhe e shpalli Mehmetin kryetarin e këtyre tre grupeve. Se sa e vërtetë mund të ishte kjo mjafton të mendosh se, sikur Shehu të kishte qenë vërtet armik i Hoxhës dhe të kishte me vete, që në vitet 60, edhe krerët e ushtrisë, edhe krerët e Ministrisë së Brendshme e Sigurimit edhe krerët e propagandës bile deri edhe shkrimtarin më të rëndësishëm të regjimit do ta kishin eliminuar Hoxhën sa hap e mbyll sytë.

Që Hoxha i ndërtoi akuzat për komplote e puçe si paranojak që i besonte edhe vetë apo pse kishte një plan racional që t’i linte trashëgiminë Ramiz Alisë dhe të shoqes kjo mbetet e hapur. Personalisht besoj më shumë të parën, por kjo është tjetër çështje. E sigurt është se përveç provave të ideuara nga Hoxha dhe të materializuara nga Lame me shokë nuk ka asnjë provë se ka pasur grupe armiqësore të kryesuara nga Mehmet Shehu dhe aktivitete armiqësore si ato për të cilat janë akuzuar. Kjo vlen edhe për përkatësinë e Kadaresë në këta grupe. Deponimi i Ziçishtit se Kadareja, i përpunuar deri më 1973 nga Todi Lubonja, vazhdonte të merrte detyra armiqësore nga Mehmet Shehu është qesharak, por ai meriton të merret në analizë për të zbuluar se nga buron. Dhe e para gjë që duhet bërë, për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje, është të zhvillohet një proces gjyqësor për të përcaktuar fajësitë e tërë atyre personave të vdekur dhe të gjallë (me në krye Enver Hoxhën) që kanë fabrikuar këto akuza që çuan shumë njerëz në varr, të tjerë në burgje dhe familjet e tyre nëpër internime. Nëse shoqëria, Kadareja, por dhe gazeta juaj do të ndjente sadopak ato përgjegjësitë për të cilat fola, do të duhej t’i kërkonte llogari Lames për këta krime më së pari dhe jo të pranojnë, përdorin e promovojnë gënjeshtrat e tij.

Megjithatë le të kthehemi tek pyetja juaj: “pse regjimi ishte i interesuar të përfshinte emrin e Kadaresë?” (pa harruar se, kur pyesni “pse Kadareja?” duhet të pyesni edhe: “pse Hasbiu?”, “pse Feçorr Shehu?”; a ishin këta vërtet kundërshtarë apo çfarë?

Së pari duhet të shtrohet pyetja: “kush ishte regjimi?”. Lame një herë thotë se urdhëroi Hoxha vetë ngaqë Kadaresë i ishte “rritur mendja” (?!), herë tjetër  se e ka bërë hetuesi Ferit Sula, herë të tjera se prapa kësaj intrige qëndronte Ramis Alia me Hekuran Isain të cilët, sipas tij, donin “ta hanin të gjallë”. Këto janë fiksione. Fakti është se regjimi ishte Enver Hoxha dhe se ai nuk e ka përfshirë Kadarenë. Në vitin 1973, kur filloi fushata kundër liberalizmit, u botua një shkrim që e akuzonte Kadarenë si liberal për “Dimrin e vetmisë së madhe” dhe pritej të botohej një tjetër, por Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha nxituan t’i dalin në mbrojtje duke mbyllur çdo diskutim. Fakti (jo fiksioni) është se ky libër, nëpërmjet Ramis Alisë, i kishte shkuar kapitull më kapitull Enver Hoxhës dhe ky  e kishte pëlqyer -  sigurisht për shkak të 82 faqeve që përshkruanin madhërishëm figurën e tij, ndërkohë që për Mehmetin kishte vetëm 2 faqe dhe për Hysni Kapon vetëm një paragraf. Asokohe, madje, doli fjala se goditja e Kadaresë ishte nxitur nga pakënaqësitë e njërit nga këta të dy, më shumë të Mehmetit. Por Kadareja e dinte mirë, qysh atëherë, se kush ishte regjimi. Këtë e ka ditur mirë edhe Ramis Alia dhe Hekuran Isai. Ata kanë ditur edhe që eliminimi i Kadaresë do të thoshte heqje e veprave të tij nga qarkullimi në vend dhe pezullim i botimeve jashtë - për çka regjimi kishte investuar aq shumë sepse në to propagandohej socializmi dhe Hoxha - dhe nuk do të guxonin ta eliminonin këtë vepër pa rrezikuar që Hoxha vetë të dyshonte se ata po vepronin kundër tij.  Prandaj ideja se kundër Kadaresë ka intriguar Alia apo Isai nuk qëndron. Këtë e provojnë edhe fakte të tjera.  Sikur këta të kishin urrejtje personale ndaj Kadaresë do të kishin vepruar më pas, sidomos pas vdekjes së Hoxhës kur u bënë edhe më të fuqishëm. Kurse marrëdhëniet e tij me Ministrin e Brendshëm, që do të thotë edhe me Sigurimin, kanë qenë të shkëlqyera. Madje në kohën kur Lame pretendon se rreth Kadaresë po kurdisej akuza për komplotist, fill pas arrestimit të Kadri Hasbiut, këta u angazhuan për internimin e një djali të ri, që ishte i dashuri i së bijës, vetëm pse nuk e konsideronin familjen e tij të denjë për familjen e tyre.  Po ashtu Kadareja është i vetmi shkrimtar që me urdhër të Hekuranit i është dhënë një makinë me shofer që i përkiste asaj ministrie. Edhe marrëdhëniet e tij me Ramis Alinë kanë qenë të shkëlqyera. Në vitin 1988 ai ka shkruar parathënien e librit të Ramis Alisë “Enveri ynë” ku i bën elozhe sa autorit aq edhe personazhit. Kurse në maj  1990 ai ka pasur edhe një letërkëmbim me Ramis Alinë ku ky i shkruan: “Vepra jote i është kushtuar mbrojtjes së Atdheut, lirisë dhe pavarësisë së tij, luftës heroik të Partisë sonë e të shokut 
Enver Hoxha për të ruajtur sovranitetin tonë (Kujtoj “Gjeneralin…”, “Kështjellën”, “Dimrin e madh”, “Përse mendohen këta male”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Koncert…” – të falënderoj për botimin frëngjisht që më dërgove – etj. etj.) Kjo të nderon, jo vetëm si shkrimtar, por mbi të gjitha si luftëtar, si patriot, si komunist. Veprën tënde e do populli dhe e ka vlerësuar e gjithë Partia. Mos harro edhe atë çka ka bërë shoku Enver për ty, as anësinë time në favor tënd. Bile, nëse të shkruaj kështu hapur, pa shumë “diplomaci”, kjo ka lidhje me ato marrëdhënie miqësore që ekzistojnë mes nesh, por edhe i nisur nga ai kujdes që Partia vazhdimisht ka treguar për Ismail Kadarenë, të cilin e kemi dashur dhe e duam shkrimtar të madh, po e po, por edhe luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë dhe të popullit.” Nisur nga ky vlerësim Kadare ishte kryesori në listën e intelektualëve që Alia thirri për të gjetur rrugëdalje nga kriza politike ekonomike që po i avitej Shqipërisë pas rënies së Murit të Berlinit. 

Letra e Ramis Alisë dërguar Kadaresë në 1990 sintetizon qëndrimin faktik të regjimit ndaj tij. Puna është se pas viteve 90 Kadareja i ka kthyer kokësëprapthi historitë që tregova duke i manipuluar faktet e kthyer në fiksion. Në “Nga dhjetori në dhjetor” ai shkruan: “Pas acarimeve të rënda me regjimin gjatë vitit 1982 filluan kërcënimet për vrasje, të bëra gjoja nga rrugaçë.” “Rrugaçi” në fakt është ish i dashuri i së bijës i cili u internua dhe përfundoi më vonë nëpër spitale psikiatrike, jo pse e ka kërcënuar me vdekje, por pse ka shkuar i ka prishur qetësinë duke bërtitur poshtë ballkonit. Kurse për raportin e tij me Sigurimin në vitin 90 shkruan: “Sigurimi u përpoq të bindte shtetin se gjithçka ishte organizuar nga një grup intelektualësh që kishin lidhje me shtete perëndimore. Ishte bërë madje një listë prej 150 vetësh (ku vetëkuptohej që emri im dhe i miqve të mi ishin ndër të parët), që propozoheshin për t’u arrestuar ose eliminuar.” 

Nuk ia vlen të zgjatem me prova të tjera se kemi të bëjmë me autorë të cilët kanë harruar diferencën midis faktit dhe fiksionit. Ndoshta një ditë ndonjë shkrimtar i ri do të merret ta përshkruajë këtë fenomen në ndonjë libër, siç ka bërë shkrimtari spanjoll Javier Cercas në librin e tij “Mashtruesi” ku tregon se si një figurë e njohur, Enrique Marco,  ka transformuar tërë historinë e tij për t’u paraqitur si i përqendruar në kampet naziste. Por me një ndryshim tepër të rëndësishëm sepse, nëse spanjolli e bëri këtë vetë dhe, kur ia zbuluan, e dënoi e gjithë shoqëria, Kadarenë e ka ndihmuar për ta bërë këtë e gjithë elita politike dhe kulturore e vendit e cila nuk është tronditur fare kur kanë dalë mashtrimet – çka sipas meje flet për shtrirjen dhe thellësinë  e traumës. Edhe një gjë tjetër interesante do të duhet të trajtohet në këtë libër: fakti se edhe njeriu i Sigurimi, i cili i di të gjitha të vërtetat, i ka dalë në mbështetje mashtrimeve. Kjo aleancë e ish terroristit me ish propagandistin është shumë domethënëse për të analizuar qasjen tonë ndaj regjimit të djeshëm. Nëpërmjet teknikave të manipulimit, të zhveshjes së përgjegjësive - që shihen edhe në pasazhin e Kadaresë ku Sigurimi ndahet nga shteti, - është kryer projektimi i së keqes tek komponentja terror e regjimit duke mbuluar një komponente tjetër kryesore të tij, propagandën, për të cilën ka punuar thuajse e tërë elita artistike kulturore që trashëgoi pushtetin. Nuk them se kanë të njëjtat përgjegjësi, por nëse sot flitet me aq inflacion për “shkrimtarë të mëdhenj”, “artistë të mëdhenj”, “regjizorë e aktorë të mëdhenj”, “këngëtarë të mëdhenj” të asaj kohe (e të kësaj kohe njëkohësisht), nuk mund të mos arsyetojmë se këtu ka diçka që nuk shkon sepse, sa më e madhe rëndësia publike, aq më e madhe është edhe përgjegjësia politike, morale, metafizike. 

 

Le t’i kthehem tani pyetjes: “Pse Kadare në listën e komplotistëve?”

 Kur flas për qëndrimin faktik të regjimit, d.m.th. të Hoxhës, ndaj Kadaresë nuk dua të them se ai s’ka qenë në rrezik. Eliminimi i Mehmet Shehut tregon se të gjithë, përveç Enver Hoxhës, kanë qenë në rrezik, jo vetëm pse krijimi i klimës së frikës dhe terrorit ishte një ndër instrumente kryesore të sundimi  të diktatorit, por sepse vrasja dhe persekutimi i të tjerëve duket se ishte edhe një kënaqësi sadiste e tij. Historia tregon se Enver Hoxha ka burgosur persona thjesht për shkak të miqësisë me ata që ai i kishte targetuar për t’i eliminuar. Një nga shembujt është Dashnor Mamaqi, i cili u burgos dhe vdiq në burg thjesht e vetëm sepse kishte pasur miqësi me Beqir Ballukun. 

Nëse deponimi i Ziçishtit është autentik mund të interpretohet në këtë kontekst. Rreziku i ka ardhur Kadaresë nga miqësia e tij me Bashkim Shehun. Paradoksalisht Kadareja, që pretendon se ka qenë kundërshtar i hershëm i atij regjimi, krijonte gjithnjë miqësi me familje të pushtetit si ajo e Todi Lubonjës,  e  Manush Myftiut, e Mehmet Shehut apo Adil Çarçanit.  Qenia afër tyre më shumë sesa miqësi e vërtetë ka qenë instrumentale, siç rezulton se ishin përgjithësisht miqësitë në këta rangje, në atë kohë. Kadareja i ka bërë për karrierë, por edhe për tu mbrojtur nga  ambiciet e kolegëve që jo rrallë, për të hequr qafe rivalët, kanë përdorur pushtetin. Fatkeqësisht, siç ka deklaruar Zylyftar Ramizi dhe ka shkruar Nasho Jorgaqi këtë e ka bërë edhe Kadareja kundrejt të tjerëve. Pra, mund të ketë ndodhur që, shtyrë nga motive të tilla, dikush të ketë tentuar të përdorë faktin e miqësisë së Kadaresë me Bashkim Shehun për të nxitur Hoxhën që ta eliminojë, por ky nuk e ka ngrënë. Siç e thashë kjo do të duhej të dilte nga një proces që do të përcaktonte përgjegjësit e fabrikimit të asaj akuze të rreme ku pjesë kryesore e hetimit duhet të ishte edhe Qemal Lame, sepse ky, po të kishte qenë i drejtë dhe konform ligjit, siç pretendon, nuk ikte në Gjermani në vitet 90 dhe nuk priste të vdisnin gjithë ata që akuzon, për të nxjerrë këtë libër. 

 

5-“Disidenca” e Kadaresë ka qenë gjithnjë një temë debati. Ju vetë nuk e keni mbështetur atë. Dëshmitë  e sjella nga ish-kryehetuesi Lame a sjellin ndonjë kontribut të ri në këtë drejtim? 

Për të kuptuar raportin e Kadaresë me regjimin e djeshëm mjaft të shohësh raportin me regjimin e korruptuar  mafioz të sotëm. Kurrë s’e ka prekur, por veç e ka mbështetur dhe mjelë, siç ka bërë edhe me paraardhësin. Gjithsesi gjykoj se disidencën e djeshme  duhet t’ia gjejmë në veprën e asaj kohe dhe jo në operacionet plastike që ka kryer këta 30 vjet, (vetë dhe me ndihmën e kirurgëve), jo vetëm mbi jetën, por deri edhe mbi veprën e tij. 

Lejomëni të zgjatem pak në këtë temë sepse, kur flitet për Kadarenë, një pjesë merren me vlerësimet e njohjen në Perëndim, të tjerë me  disa vepra e akte që e komprometojnë, ndërkohë që injorohet përmbajtja e veprës së tij në tërësi, që është tejet e rëndësishme, jo për disidencën apo bashkëpunimin me regjimin, por për të kuptuar kohën. Sipas meje, vepra e tij në versionin e asaj kohe, duke filluar nga “Frymëzime Djaloshare” (1954) ku ka gjashtë poezi për vdekjen e Stalinit e deri tek “Ardhja e Migjenit në letërsinë Shqipe”  (botimi i vitit 1989), ku godet në mënyrën më të egër figura që sot nderohen si Konica, Fishta, Koliqi, ka ndjekur “si fill i kuq” - siç thuhej asokohe - politikat e Enver Hoxhës duke qenë shprehja më e plotë dhe më e arrirë nga pikëpamja letrare e ideologjisë nacional - komuniste të atij regjimi.

E di që kjo tingëllon si krejt e kundërta e asaj që predikohet, por le t’i marr me radhë disa nga ngjarjet/tema kryesore të letërsisë së kohës, të diktuara nga lart, për trajtimin e të cilave “në frymën e partisë” Kadare edhe është paguar si shkrimtar profesionit që nga vitet 60: Propagandimi i Luftës Nacional – Çlirimtare të udhëhequr nga Partia, që ka qenë miti themelues i pushtetit të komunistëve (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i një Kryeqyteti”, “Shqiponjat fluturojnë lart”). Prishja me Bashkimin Sovjetik, lufta kundër revizionizmit, Shqipëria si kështjellë kundër imperializmit dhe social imperializmit (“Dimri i madh”, “Përbindëshi”, “Kështjella”); Lufta kundër zakoneve prapanike (“Dasma”), goditja e grupeve armiqësore (“Koncerti”, “Pashallarët e kuq”, “Emblema e dikurshme”), Prishja me Kinën (“Koncerti”). Shtojuni këtyre poezitë dhe poemat për ndërtimin e socializmit, me ëndrra industriale, hidrocentrale të Partisë, deri me qenin e kufirit që mbron kufijtë: shtojuni këtyre edhe faktin se, siç e ka pohuar edhe vetë, askush si ai nuk ka shkruar më hidhur nëpër këto vepra për ata që konsideroheshin armiqtë e partisë, klasat e përmbysura; shtojuni këtyre shkrimet e vazhdueshme në Drita, me pseudonimin Gent Arbana, ku godet të figurat më të shquara të letërsisë botërore të shekullit XX dhe do të t’ju dalin dhjetëra mijëra faqe që mjaftojnë e teprojnë për ta cilësuar Kadrenë “luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë dhe të popullit” - siç e cilëson Ramis Alia.

Një vend të veçantë meritojnë veprat e ashtuquajtura historike si “Kush e solli Doruntinën”, ato mbi periudhën  osmane si “Kështjella”, “Qorrfermani”, “Pashallëqet e mëdha”, “Pallati i ëndrrave”, “Ura me tri harqe”  apo edhe më pas si “Viti i mbrapshtë” apo  “Dosja H”. Edhe këto vepra, tek të cilat e ka çuar nevoja për t’u ikur tematikave bajate të ndërtimit të socializmit, - veçanërisht pasi filloi të botohet në Perëndim, ku, me ekzotikën e tyre, këto tema ishin shumë më tërheqëse për lexuesin perëndimor, - janë konform me komponenten nacionaliste të ideologjisë së regjimit, të trashëguar nga nacional-romantizmi i Rilindjes, por të aplikuar në një kohë tjetër, jo në emër të lirisë, por të përdorimit nga një pushtet shtypës. 

Edhe libri “Pallati i ëndrrave”, që meriton të komentohet më vete, për shkak se interpretohet edhe si metaforë e një regjimi totalitar, e ka të fortë komponenten nacionaliste të asaj ideologjie.  Si dhe veprat e tjera mbi periudhën osmane, edhe ai i shërben propagandës së regjimit në demonizimin e asaj periudhe, si pesë shekuj errësirë që lanë në prapambetje shqiptarët, të cilët megjithatë, paradoksalisht, në frymë nacionaliste, përshkruhen si sipërorë kulturalisht ndaj “turqve” dhe gati gjithmonë në kryengritje.

Pra, ashtu sikurse në veprat dedikuar Luftës dhe socializmit, edhe në librat me temë historinë shqiptare të mëhershme takohemi vazhdimisht me “gënjeshtrën e madhe” - siç e quan Solzhenicini ideologjinë - sepse edhe ato e kanë manipuluar shqiptarin, duke e bërë të jetojë lavdinë një bote virtuale (Heroizmin e popullit tonë ndër shekuj) pa përshkruar historinë e vërtetë, çka do t’i jepte instrumente për të parë dhe kuptuar mjerimin e botës reale që jetonte – që ka qenë detyrë e rëndësishme e shkrimtarit dhe intelektualit evropian të shekullit XX-të, veçanërisht pas tragjedisë së Luftës së II-të që shkaktoi mbi popujt evropianë ideologjia nacionaliste.

Lidhur me “Pallatin…” mund të shtoj se, edhe ikur të mos ishin fare veprat që përmenda e të tjera që nuk i përmenda, do të mjaftonte letra dërguar Le Monde-it me rastin e vdekjes së Enver Hoxhës për ta komprometuar peshën tejet të ekzagjeruar që i është dhënë këtij libri si provë e disidencës së Kadaresë. 

***

Kur reflektoj mbi veprën e Kadaresë nuk mund të mos pohoj se i vlerësoj gjuhën dhe faktin se ajo i ka ndihmuar shqiptarët të pasurojnë mjetet shprehëse me stilema dhe të zhvillojnë fantazinë letrare. Por kjo nuk mund kurrsesi të baraspeshojë dëmin që ajo ka sjellë në (keq)formimin e njeriut shqiptar. Krahasimi që mund të bëj është ai me shkollimin në kohën e Enver Hoxhës. Sot ka shumë që flasin në terma pozitive për atë se regjimi zhduku analfabetizmin. Por ata harrojnë se, nëpërmjet atij shkollimi, u ndërtua njeriu i ri që nuk mësoi të mendojë, por vetëm të mbushë kokën me dogma që rezultuan tragjike dhe se të vjelat e hidhura të një shkollimi kësisoj po korren gjatë këtyre 30 vjetëve.

Mua më ka intriguar vazhdimisht pyetja: si ka mundësi që në veprat e tij Kadare ka derdhur aq talent e fantazi ndërkohë që autori nuk ka besuar në ato që ka shkruar - gjë që e vëren edhe në shumë shkrimtarë e artistë të asaj kohe. Kam pasur parasysh edhe përgjigjen “Mut deshën,  mut u dhashë”, që u ka thënë Lasgushi ca miqve kur bëri një poezi për partinë (që ia kërkuan), kur i thanë se ishte shumë e dobët. Si mund të frymëzohesh nga gjëra që nuk i beson? Përgjigjen e kam gjetur tek Hegeli kur thotë: “Arti nuk mund t’i dorëzohet fantazisë së ndezur; ai ka nevojë për imagjinatën e një njeriu me mendje të mprehtë dhe me zemër të madhe“.  Sipas meje Kadareja e shumë të tjerë me më pak fantazi se ai, e kanë përdorur fantazinë vetëm racionalisht, në  funksion të ideologjisë, propagandës, karrierës, pa bashkëpunuar fare me zemrën, e cila u mungon krejtësisht në vepër. Për të qenë i sigurt se “Emblema e dikurshme” flet për sabotatorët e naftës e mora ta lexoj edhe një herë këto ditë. Me çfarë fantazie sarkastike përshkruhet një personazh topograf, i cili tërë jetën është paguar nga “klasat e përmbysura” për të varrosur në tokat e tyre të konfiskuara shishe e objekte të ndryshme që do t’i ndihmonin këta një ditë të identifikonin pronat e tyre! U kujtova se këtë lloj sarkazme e ka përdorur në shumë vepra si “Dimri…” “Nëntor i një kryeqyteti” “Përçmimi” etj. A i buron kjo nga ndonjë ndjenjë e përjetuar, pra nga zemra? Jo, për mua aty mungon  krejtësisht ndjenja, prandaj edhe mendimi i vërtetë, që niset gjithmonë nga përvoja e ndjenja personale. Rrëfimi është i stisur me fantazi, por mbetet një ilustrim letrar i propagandës së demonizimit të armikut. Dhe këtu i kthehem përsëri kulturës së manipulim simulimit që, duke aplikuar një kategori ekzistencialiste, do ta quaja diktatura e maskës. Edhe në vende demokratike maska e imponuar apo e veshur me vullnet për t’u pranuar nga të tjerët nuk të lejon të ndërtosh një jetë dhe vepër autentike, që ndjek thirrjet e brendshme, të zemrës, duke të çuar në imitimin e modeleve. Le më në një diktaturë si e jona, ku sundonte “tipikja” e përcaktuar nga ideologjia në formën e heroit pozitiv dhe negativ. Prandaj personazhet e Kadaresë, si të të gjithë realizmit socialist, janë pa zemër, nuk të ngjallin asnjë empati. Në këtë kuptim vepra e Kadaresë nuk ka dalë dot nga maskat e imponuara nga “gënjeshtra e madhe”, përkundrazi i ka ushqyer ato me fantazinë e tij. 

Dhe ja ku vërejmë se maskat e së djeshme, merren e ripërdoren nga Rama i sotëm kundër “ballistëve të lodhur”, që “hanin pula” me të njëjtin stil sarkastik, ku mungon imagjinata e “mendjes së mprehtë” dhe  “zemra e madhe” që, po t’i kishte, do ta bënin të mendonte se regjimi i të atit komunist u hoqi fëmijëve, e nipërve, e mbesave të  kategorisë që përqesh, edhe të drejtat më elementare.  Por, të kuptohemi, edhe ky pushtetar i sotëm, nuk është se ka ndonjë përçmim të ndjerë kur shprehet kështu ndaj kësaj kategorie. Ai kërkon të manipulojë mendjet e militantëve të partisë së tij me ato stereotipe që edhe gjyshërit dhe baballarët e tyre i kanë aplikuar, pa menduar e pa ndjerë. Kemi mbetur tek “njeriu ideal i regjimit totalitar” i cili, “nuk është komunisti i bindur”, por ai tek i cili është zhdukur “dallimi midis falses me të vërtetës” sepse është zhdukur mendimi autentik që buron nga zemra.

***

Siç e shihni, në këtë intervistë jam përpjekur të kapërcej rastin Lame - Kadare dhe të theksoj idenë se problemi kryesor nuk është ajo çka kemi bërë apo nuk kemi bërë në atë regjim, por mënyra e gabuar se si u jemi qasur atyre. Po e mbyll duke tentuar të shtjelloj se si, sipas meje, do të duhet t’i qasemi të kaluarës tonë, historisë tonë, në mënyrë që ta shkruajmë atë pa e përsëritur.

Në një ese të tij të famshme mbi dobinë dhe padobinë e historisë Niçe shkruan: “Vetëm nëpërmjet forcës maksimale të së tashmes mund ta interpretoni të kaluarën: vetëm nëpërmjet tensionit të fortë të cilësive tuaja më fisnike do të gjeni tek e kaluara atë që është e denjë të njihet.” Thelbi i kësaj ideje qëndron në atë se ne vërtet kemi nevojë ta njohim historinë, por kjo njohje duhet të na diktohet nga problemet e nevojat themelore të jetës sonë në të tashmen dhe jo për t’u tërhequr prej tyre për rehati apo kuriozitete bosh. Ndër këto nevoja ajo më kryesorja, sipas Niçes, është ajo e çlirimit nga shumë vargonj (kulturorë, vlerash)  që kemi trashëguar nga e kaluara. Prandaj dhe historinë duhet ta shohim, sipas tij, në mënyrë “kritike”. “Nëse historia nuk mund të veprojë në praktikën e jetës sonë të së sotmes kundër burgut të ri në të cilin ndodhemi, duke na ngjallur energjitë subversive kundër aktualitetit ndrydhës e nënshtrues, atëherë është e padobishme.” – thotë ai.

Këto ide e ka rimarrë edhe Walter Begnamin gjysmë shekulli më vonë.

Personalisht mendoj se vuajtja më e madhe që duhet të ndjejnë në të sotmen intelektualët është nënshtrimi ndaj një regjimi oligarkik injorantësh, mendimshtypës dhe lirishtypës,  që ka zëvendësuar regjimin e nomenklaturës së djeshme. “Cilësitë e tija më fisnike” do të duhet ta bëjnë intelektualin të përjetojë “tensionin” i fortë brenda vetes kundër këtij  nënshtrimi për çlirimin e vetes e veçanërisht të rinjve. Leximi e shkrimi prej tij i historisë do të duhej të ngjallte “energjitë subversive” kundër këtij nënshtrimi të ri. Këto do të ngjalleshin nga zbulimi se mekanizmat që i kanë çuar njerëzit në vuajtjen e sotme e kanë origjinën në atë trashëgimi të djeshme, në mënyrën e jetuarit, në modelet njerëzore e kulturore, në shumë pseudovlera të adhuruara të asaj kohe që e kanë penguar shqiptarin të bëhet person që mendon e mban përgjegjësi. 

Në këtë kontekst, duke lexuar librat e shumë autorëve të memuaristikës sonë nuk mund të mos ngresh pyetjen; cili është problemi, nevoja dominante që e ka shtyrë autorin të shkruajë për të kaluarën e tij e tonën? A e ka shtyrë ndonjë vuajtje nga “burgu i ri”  nga i cili kërkon të çlirohet dhe të çlirojë shoqërinë? Absolutisht jo. Qasja e memuaristikës së simulimit dhe manipulimit nuk niset nga këto vuajtje e shqetësime, por nga nevoja që ka elita e djeshme për të legjitimuar pushtetin e sotëm. Dhe kjo e ka çuar në mbushjen e historisë me vetëmburrje e heroizma që nuk shpjegojnë dot as nënshtrimin e vuajtjen e djeshme dhe as  atë të sotmen. Që të heqim qafe prangat e të sotmes na duhet një qasje tjetër ndaj së djeshmes ku rrëfimin e heroizmit tonë të rremë ta zëvendësojë njohja e mekanizmave të nënshtrimit tonë të vërtetë, brenda vetes tonë më së pari, e pastaj duke e ndarë këtë njohje me të tjerët e duke kërkuar së bashku instrumentet e çlirimit.

(Panorama, 7-8 shtator 2020)

Tuesday, August 11, 2020

Çfarë interesash mbron Yuri Kim në Shqipëri


Në një intervistë me Sokol Ballën ambasadorja amerikane Yuri Kim, si përgjigje ndaj gazetarit që kërkoi t’i fliste për rolin dhe qëndrimin e ambasadës në zhvillimet në Shqipëri, tha (po e perifrazoj): unë jam këtu për të mbrojtur interesat e shtetit tim, zhvillimet në Shqipëri janë punë dhe detyrë e shqiptarëve, por, (shtoi) ne do t’ju ndihmojmë.

Nuk mund të mos e kujtoja këtë pohim të saj duke lexuar deklaratën e fundit ku ambasadorja bënte thirrje që të ndalojë fushata kundër SPAK-ut e cila, sipas saj, paska për synim të ndihmojë kriminelët e njohur.

Si intelektual dhe gazetar i përfshirë për 30 vjet në zhvillimet shqiptare e që ka akuzuar – me sa ka mundur –  edhe sundimin në Shqipëri të kriminelëve e narkotrafikantëve që kanë kapur shtetin e mediat, u ndjeva i sulmuar nga kjo deklaratë e ambasadës, pasi disa ditë më parë, kisha dhënë një opinion kundër SPAK-ut. Me dy fjalë duke komentuar sulmin ndaj Ora News thashë opinionin tim se qëllimi i këtij veprimi nuk është drejtësia, por të përçojë mesazhin e regjimit:  nëse je me mua të bëj amnisti fiskale, nëse je kundër meje të lëshoj kundra SPAK-un. E argumentova këtë me selektivitetin e SPAK-ut, që  nuk heton burimin e parave të atyre që po ndërtojnë grataçiela në Tiranë, që sipas shumë burimeve, direkte dhe indirekte, janë pastrim i parave të krimit në bashkëpunim me pushtetin lokal e qendror. Sikur të kisha kohë të argumentoja jopavarësinë e SPAK-ut do të shtoja edhe një argument tjetër,  që ka mbizotëruar në media kohët e fundit:  se hetimet lidhur me vjedhjen e votës e çuan atë më shumë tek komisionerët e opozitës ndërkohë që dihet edhe botërisht se në përgjimet e dosjeve të Durrësit dhe të Dibrës dalin me zë të përfshirë, në bashkëpunim me kriminelë dhe trafikantë, liderët e partisë në pushtet.

 Pra “fushata” ime kundër SPAK-ut është se ai, sëbashku me policinë, po vepron, si instrument i narkoshtetit jo për të dënuar kriminelë, por për të forcuar kriminelë edhe më të fuqishëm e më të rrezikshëm. Kjo akuzë është në vazhdën e kritikave që kam bërë me kohë se qëllimi i Reformës në Drejtësi, e mbështetur edhe nga amerikanët,  ka qenë kapja e drejtësisë nga Rama. Dhe me ç’po na shohin sytë tashmë duhet të jesh ose shumë naiv, ose shumë i painformuar, ose shumë i keqinformuar, ose të kesh interesa të tjera nga ecuria e demokracisë në Shqipëri që të mbështetësh “punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut” - sikundër u shpreh ambasadorja në deklaratën e saj.

Këtë deklaratë nuk mund ta gjykosh kurrsesi si “ndihmë” për  zhvillimet demokratike në Shqipëri  jo vetëm për çka thashë më sipër, jo vetëm për faktin që një ambasadë e huaj ndërhyn arbitrarisht në çështje konkrete të drejtësisë, duke përcaktuar se cilët janë kriminelët, çka shkel principet e pavarësisë së drejtësisë, të respektimit të pafajësisë deri në gjyqin përfundimtar, por edhe për faktin se akuzon gazetarët se janë të sponsorizuar nga kriminelë duke i bërë kësisoj presion atij pushteti që e ka për detyrë të investigojë e të verë nën syrin kritik punën e pushteteve të tjera. Me këtë nuk dua të laj mediat nga shumë mëkate që ato kanë që nga origjina e lindjes së tyre dhe jo pak gazetarë që i bëjnë këto punë. Por, përsëri, dua të ngulmoj se, nëse Ambasada do të kontribuojë vërtet në luftën kundër krimit dhe për media të pavarura nga krimi, duhet të ngulmojë që hetimet e SPAK-ut të fillojnë tjetërkund,  në adresën e kriminelëve të panumërt dhe mediave të panumërta të lidhura me regjimin, që janë sot rreziku më i madh i ekonomisë së shëndoshe dhe i mediave të shëndosha në Shqipëri, pasi dihet se peshku qelbet nga koka. 

Jo më larg se disa ditë më parë, Gudrun Steinacker, një ish- kolege gjermane e Yuri Kim, që ka shërbyer deri më 2016 si ambasadore, deklaronte se “është koha e një rishikimi urgjent të politikave evropiane në Ballkanin Perëndimor, pasi sfida e transformimit të tij në shtete liberale demokratike ka dështuar”; ajo bënte thirrje për  “t’u treguar vendin elitave të korruptuara të Ballkanit Perëndimor”. Sigurisht këto fjalë ajo nuk mund t’i deklaronte në kohën që punonte si ambasadore, pasi do të shkonte kundër gjuhës së diplomacisë dhe ndoshta “interesave të shtetit të vet”. Në këtë kuptim, një heshtje e ambasadave për çka ndodh në Shqipëri, ku gjendja është më e rënda në rajon përsa i përket problemeve që ngre Steinacker, edhe mund të justifikohet. Por që ambasada e një vendi demokratik si SHBA të inkurajojë një qeverisje,  që, sipas Steinacker, mund të quhet (varësisht nga këndvështrimi) “demokraci hibride”, “kleptokraci”, “sundim i karteleve”, “shtet mafioz” (narkoshtet sipas meje) më duket tejet problematike dhe, për më tepër, në kundërshtim edhe me interesat afatgjata të shtetit e të popullit amerikan. (Panorama, 10 gusht 2020)ga ecuria e demokracisë në Shqipëri që të mbështetësh “punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut” - sikundër u shpreh ambasadorja në deklaratën e saj.

Këtë deklaratë nuk mund ta gjykosh kurrsesi si “ndihmë” për  zhvillimet demokratike në Shqipëri  jo vetëm për çka thashë më sipër, jo vetëm për faktin që një ambasadë e huaj ndërhyn arbitrarisht në çështje konkrete të drejtësisë, duke përcaktuar se cilët janë kriminelët, çka shkel principet e pavarësisë së drejtësisë, të respektimit të pafajësisë deri në gjyqin përfundimtar, por edhe për faktin se akuzon gazetarët se janë të sponsorizuar nga kriminelë duke i bërë kësisoj presion atij pushteti që e ka për detyrë të investigojë e të verë nën syrin kritik punën e pushteteve të tjera. Me këtë nuk dua të laj mediat nga shumë mëkate që ato kanë që nga origjina e lindjes së tyre dhe jo pak gazetarë që i bëjnë këto punë. Por, përsëri, dua të ngulmoj se, nëse Ambasada do të kontribuojë vërtet në luftën kundër krimit dhe për media të pavarura nga krimi, duhet të ngulmojë që hetimet e SPAK-ut të fillojnë tjetërkund,  në adresën e kriminelëve të panumërt dhe mediave të panumërta të lidhura me regjimin, që janë sot rreziku më i madh i ekonomisë së shëndoshe dhe i mediave të shëndosha në Shqipëri, pasi dihet se peshku qelbet nga koka. 

Jo më larg se disa ditë më parë, Gudrun Steinacker, një ish- kolege gjermane e Yuri Kim, që ka shërbyer deri më 2016 si ambasadore, deklaronte se “është koha e një rishikimi urgjent të politikave evropiane në Ballkanin Perëndimor, pasi sfida e transformimit të tij në shtete liberale demokratike ka dështuar”; ajo bënte thirrje për  “t’u treguar vendin elitave të korruptuara të Ballkanit Perëndimor”. Sigurisht këto fjalë ajo nuk mund t’i deklaronte në kohën që punonte si ambasadore, pasi do të shkonte kundër gjuhës së diplomacisë dhe ndoshta “interesave të shtetit të vet”. Në këtë kuptim, një heshtje e ambasadave për çka ndodh në Shqipëri, ku gjendja është më e rënda në rajon përsa i përket problemeve që ngre Steinacker, edhe mund të justifikohet. Por që ambasada e një vendi demokratik si SHBA të inkurajojë një qeverisje,  që, sipas Steinacker, mund të quhet (varësisht nga këndvështrimi) “demokraci hibride”, “kleptokraci”, “sundim i karteleve”, “shtet mafioz” (narkoshtet sipas meje) më duket tejet problematike dhe, për më tepër, në kundërshtim edhe me interesat afatgjata të shtetit e të popullit amerikan. (Panorama, 10 gusht 2020)

Tuesday, August 4, 2020

Ndryshimi kushtetues – opozita bije nga shiu në breshër


Deformim i vullnetit të popullit në votime ka ardhur tek ne nga shumë faktorë tashmë të mirënjohur si blerja e votës, përdorimi i administratës apo policisë në votime, kontrolli mbi mediat, kontrolli mbi drejtësinë, aleanca me krimin etj., por këto nuk janë të lidhura direkt me sistemin tonë zgjedhor. Sistemi zgjedhor është një faktor shtesë. Kuptohet se rekomandimi nga OSBE-ODHIR i ndryshimit të tij nënkupton se ka një deformim të kësaj vote lidhur edhe me sistemin zgjedhor. Por, ka një problem në ato rekomandime. Nga  sa kam ndjekur mediat, (edhe gjithë debatin e fundit) nuk më ka kapur syri kurrkund që këto rekomandime t’i referohen identifikimit të deformimeve konkrete që mundëson  sistemit ynë zgjedhor; ndërkohë që vetëm një identifikim i tillë do të mund të përcaktonte se ku duhet ndërhyrë në kodin zgjedhor, dhe si, për të korrektuar. Kjo analizë objektive nuk është bërë as nga aktorët shqiptarë, për shkak të konfliktit të interesit, duke ndikuar që, më në fund, opozita të bjerë nga shiu në breshër. Le të shpjegohem.

Deformimet kryesore të lidhura me sistemin tonë zgjedhor që kishim, sipas meje, janë katër faktorësh.

Së pari, sistemi proporcional rajonal ka ndihmuar të fortët e zonave (së bashku me krimin në zona) për ta deformuar votën nëpërmjet të pushteti të tyre të parasë dhe kontrollit të zonës.

Së dyti, listat e mbyllura e kanë rritur autoritarizmin e liderit që imponon njerëzit e tij - shpesh të fortët e lidhur me të - dhe kanë mpirë vullnetin e popullit.

Së treti, sistemi ka krijuar vështirësi, gati pamundësi, të daljes në Parlament të forcave të reja politike që do të mund të rifreskonin politikën shqiptare e, njëherësh, të sillnin në votime njerëzit e zhgënjyer me klasën politike.

Së katërti, duke qenë se të fortët dhe krimi janë bërë gjithnjë e më të lidhur me maxhorancën - pasi bizneset e tyre  të ligjshme dhe të paligjshme varen nga pushteti i saj - sfidimi i maxhorancës është bërë gjithnjë e më i vështirë.

Sipas meje me ndryshimet kushtetuese që prekin sistemin zgjedhor kemi rënë nga shiu në breshër pasi këto ndryshime nuk janë hartuar për  të korrigjuar këto deformime, por për të favorizuar edhe më shumë deformimin e votës nga maxhoranca. Le t’i marrim me radhë katër deformimet që përmenda.

1.   Duke mbetur proporcional rajonal sistemi nuk e ka dobësuar pushtetin deformues të të fortëve të zonave.

2.   Duke ruajtur 1/3 e kreut të listës të mbyllura as nuk hapen realisht listat, as nuk pengohet lideri të vendosë në këto lista të fortët e lidhur me të.

3.   Përsa i përket mundësisë së lindjes së partive të reja sistemi i propozuar duket se u krijon atyre më shumë mundësi për të nxjerrë deputetë sesa sistemi i vjetër. Kjo pasi në sistemin e vjetër një parti e vogël që hynte në koalicion mund të nxirrte një deputet me një numër shumë më të pakët votash sesa një parti e re që hyn e vetme kundër të gjithave. Me heqjen e koalicioneve partitë e vogla vihen në kushte të barabarta. Por, nga ana tjetër, partitë e reja opozitare të pavarura do të marrin votat e partive të mëdha opozitare duke ndihmuar indirekt partinë në pushtet.

4.   Duke u hequr koalicionet pakësohet mundësia e sfidimit dhe ndëshkimit të maxhorancës, pasi votat e partive opozitare që nuk arrijnë pragun, që në rast koalicioni do t’i shkonin koalicionit opozitar, tani do të ndahen proporcionalisht midis partive të mëdha duke favorizuar përsëri maxhorancën.  Po ashtu,  avantazhet e maxhorancës rriten edhe pasi opozitës, me këto ndryshime, i imponohet në një kohë të shkurtër një ristrukturim me shumë probleme, siç është shkrirja në një apo dy koalicione parazgjedhore, ndërkohë që partia në pushtet mund të punojë e qetë në drejtime të tjera. Ndërkaq kjo shkrirje e identitetit të partive në koalicione do të deformonte përsëri votën e popullit pasi, reduktohet pluralizmi, çka do të thotë mundësia e zgjedhjes midis partive të ndryshme, (princip me të cilin u justifikua edhe hapja e listave) si dhe, i demotivon ato, duke i çuar në terma afatgjata drejt zhdukjes përfundimtare, çka përsëri indirekt shkon në interesin e partive të mëdha, pra edhe të maxhorancës.   

Por ndoshta avantazhi më i madh që ka maxhoranca në këtë histori është se do ta mbajë opozitën të angazhuar në këtë betejë ndërkohë që, deformimet që i vijnë votës nga sistemi zgjedhor janë shumë më të parëndësishme sesa deformimet që përmenda në krye të shkrimit e që opozita i ka lënë pas dore e përshirë në hallin e sistemit zgjedhor. Nëse do të bëja një vlerësim nga 1 në 10 do të thosha se pesha e deformimit të votës për shkak të sistemit në raport me deformimet e tjera që vijnë nga blerja e votës, përdorimi i administratës apo policisë në votime, kontrolli mbi mediat, kontrolli mbi drejtësinë, aleanca me krimin, financimet nga oligarkët, etj., mund të jetë 1 - 2 në 10.   Me mënyrën se si u soll Edi Rama me ndryshimin e dhunshëm kushtetues po tregon se do të hedhë hapa të tjera të dhunshëm për ta rritur peshën e faktorëve të tjerë deformues në favor të tij  dhe duke krijuar edhe faktorë të tjerë deformues.

Në shkrimin paraardhës kam sugjeruar se për t’iu përgjigjur Ramës opozita duhet të punojë për votën e besimit. Nuk jam i sigurt se kaq mjafton, por jam edhe më i sigurt se nuk duhet të mbesë në grackën e debatit mbi sistemin zgjedhor. (Panorama, 1 gusht 2020)