Që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë deri ne periudhën Trump zgjedhjet në SHBA e kanë ndarë pjesën më të madhe të evropianëve perëndimorë sipas afërsive kulturore e politike me partitë liberale të qendrës së majtë e të djathtë që ata votojnë. Këto parti, megjithatë, edhe kur kanë qenë në pushtet edhe kur kanë qenë në opozitë, janë treguar të kujdesshme për të ndërhyrë me deklarime përpara zgjedhjeve në SHBA.
Me Trump-in në pushtet ujërat janë turbulluar. Qëndrimet e tij në favor të Brexit-it e të sovranizmit antievropianist, dalja nga Traktati i Parisit, masat ekstreme ndaj emigracionit, polarizimi i fortë që ka shkaktuar në Lindjen e Mesme me mbështetjen krejt të njëanshme ndaj Izraelit, etj. kanë ndikuar që partitë evropiane të qendrës të jenë me afër demokratëve kurse Trump ka gjetur mbështetës të hapur kundërshtarët e tyre, partitë e djathta sovraniste, konservatore. Megjithatë edhe në prag të këtyre zgjedhjeve nuk duket që liderët politikë evropianë të deklarojnë hapur mbështetjen e tyre për njërin apo tjetrin kandidat.
Në Shqipëri, para Trupit, edhe për shkak se ndarja qendër e majtë qendër e djathtë, në kuptimin kulturor dhe ekonomik, thuajse nuk ekziston, qëndrimi ndaj zgjedhjeve të radhës në SHBA është karakterizuar nga pritja në heshtje, pa debate, e fituesit, kurse pas zgjedhjeve të dy palët janë bërë pa asnjë rezervë me presidentin fitues. Këtë traditë do ta thyente Edi Rama kur deklaroi në CNN më 2016 se Trump ishte një rrezik për botën – deklaratë që e bëri për shkak të lidhjeve të tij (kryesisht nëpërmjet Sorosit) me demokratët amerikanë si dhe duke besuar në sondazhet që e jepnin Clinton fituese të sigurt.
Për shkak të deklarimit të tij anti Trump kombinuar me faktin se administrata e Obamas i kishte dhënë goxha mbështetje dhe legjitimim Edi Ramës (mjaft të kujtosh Reformën në Drejtësi pasojat dramatike të së cilës po shfaqen sot) ishte e kuptueshme që opozita të shpresonte fitoren e Trumpit. Në fakt, pas fitores së tij, ka pasur disa shkrime në mediat amerikane që denonconin politikat pro Rama të Ambasadës Amerikane në kohën e ambasadorit Lu. Por shpejt u pa se Rama ktheu 180 gradë qëndrimin ndaj Trumpit dhe, ç’është më e rëndësishmja, pragmatizmi plot improvizime dhe jo koherencë i Trumpit solli në Shqipëri një mbështetje edhe më të madhe të administratës Trump ndaj narkoqeverisë së Ramës, që kulmoi me paralajmërimin e Palmerit kundër opozitës në prag të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe po vazhdon me qëndrimet e ambasadores Yuri Kim – aq sa sot opozitarët duhet të ndjejnë mall për të shumë kritikuarin Lu. E megjithatë, paradoksalisht, edhe pse, për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk kemi pasur qëndrime hapur të liderëve opozitarë, nuk janë të pakët sot opozitarët që kërkojnë fitoren e Trumpit, çka bije në sy më shumë në rrjetet sociale.
Në këtë shkrim dua të jap gjashtë arsye pse një fitore e Bidenit do të ishte më shpresëdhënëse sesa një fitore e dytë e Trumpit përsa i përket aspiratës së shqiptarëve për një vend më të mirë dhe më demokratik, (për çka pretendon se lufton dhe opozita).
1. Me presidencën e tij plot me qëndrimet jo koherente, të papritura, polarizuese, konfliktuale, prej narçizisti të sëmurë prestigji i SHBA-ve në botë ka rënë më poshtë se kurrë ndonjëherë duke e bërë vendin më të fuqishëm e më të rëndësishëm në botë të mos merret ndonjëherë as seriozisht. Në fakt Trump është vërtet një rrezik për botën prandaj edhe për ne.
2. Trumpi është një rrezik për demokracinë. Një fitore e tij do të përforconte një prirje që vihet re sot në vende me demokraci të brishtë të liderëve të fortë që tentojnë të personalizojnë politikën në vend se të punojnë për forcimin e institucioneve dhe ndarjen e pushteteve. Një fitore e tij pra do të ishte një inkurajim edhe për sjelljet alla Trump të Ramës në Shqipëri.
3. Nëse do të shohim konfrontimin Trump – Biden përsa i përket vizionit për botën, duke e lidhur atë me problematikat e Shqipërisë, ka disa pika ku qartazi vizioni i Bidenit është më afër nevojave urgjente që ka sot Shqipëria për ndryshim. Kam parasysh këtu ndjeshmërinë shumë më të madhe të Bidenit dhe demokratëve amerikanë në dy çështje që në Shqipëri ulërasin për ndryshim.
Së pari, ndjeshmëria më e madhe ndaj publikes, veçanërisht shëndetit publik që me Covidin është shfaqur në gjithë dramacitetin e vet.
Së dyti, vizioni i Bidenit pro ambientalist për energjinë e rinovueshme etj., në përputhje me vizionin evropian, do të ndikonte, sadokudo, për frenimin e masakrimit ambiental që po pëson Shqipëria për interesat e një oligarkie kriminale.
4. Një riafirmim i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë rrezikon të rikthejë skenarin e ndryshimeve të kufijve në Kosovë me gjithë implikimet që ai mund të sjellë në botën shqiptare dhe në rajon.
5. Trumpi, mbështetës i Brexit-it, nuk e ka për zemër projektin evropian i cili, megjithë shumë dështime, mbetet ende shpresë se mund ta ndihmojë Shqipërinë në proceset demokratike. Një kthim i demokratit Biden, i cili është proevropian, mund ta ndihmojë këtë projekt. Po ashtu, në këtë kontekst, vendet evropiane janë bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm për problemet e korrupsionit, krimit të organizuar e proceseve antidemokratike në Shqipëri dhe i kanë shtuar kritikat, kurse administrata Trump, për shkaqe pragmatiste interesash gjeopolitike deri elektorale të Trumpit ka shtuar mbështetjen ndaj tij. Mjaft të kesh parasysh diferencën e dukshme në qëndrimeve mes SHBA dhe Gjermanisë dhe vendeve të tjera serioze evropiane lidhur me këto. Nuk duhet harruar se administrata Trump bëri një lojë të shëmtuar në Kosovë kur rrëzoi një qeveri të zgjedhur demokratikisht e që jepte shpresë për të goditur sistemin oligarkik kriminal të ngritur atje duke dhënë mesazhin për udhëheqësit e korruptuar shqiptarë se për të pasur mbështetjen e SHBA mjafton tu shërbesh interesave elektorale të presidentit të tyre.
6. Dy partitë kryesore opozitare, duke qenë evropianiste dhe të lidhura me partitë simotra evropiane nuk kanë asnjë interes të afrohen me Trumpin, që ka punuar kundër tyre, sepse përveç të tjerash kjo do t’i largonte nga këto parti dhe mbështetja e tyre e mundshme. (Panorama, 26 tetor, 2020)
No comments:
Post a Comment