Sunday, November 30, 2008

Bëhu i ditur të jesh i lirë

(Mbi debatin për Skënderbeun)

"Të çmitizosh figurën e Gjergj Kastriotit do të thotë të bësh sulm kundër konceptit të lirisë." Ky titull gazetash që i atribuohej shkrimtarit Ismail Kadare, lexuar në pasqyrën e shtypit të mëngjesit, më tërhoqi vëmendjen sepse më prekte edhe në punën time. Kam mëse dhjetë vjet që botoj një revistë (Përpjekja) synimi i së cilës është futja e frymës kritike në kulturën shqiptare, e, në këtë kontekst, edhe çmitizmi (dekonstruktimi) i shumë miteve të nacional-komunizmit në emër të diturisë dhe lirisë. "Fac sapiens liber eris" (bëhu i ditur që të jesh i lirë) është edhe motoja e revistës. Kurse Kadareja na thotë, se të çmitizosh do të thotë të jesh kundër lirisë për robërinë. Dhe kjo nuk përbën një diferencë të vogël, por është bash e kundërta.
Kur hapa gazetën pashë se teksti ishte edhe më agresiv: "Çmitizimi i figurës së Gjergj Kastriotit është një nga turpet e kombit shqiptar. Ka disa autorë që janë përpjekur ta bëjnë këtë gjë në mënyrën më të pafytyrë. Te jesh kundër kësaj figure do të thotë të jesh kundër lirisë për robërinë." Me një të rënë goje, çmitizimi bëhet "të jesh kundër" mitit dhe të jesh kundër tij bëhet "të jesh për robërinë". Ca më poshtë del, se kjo do të thotë edhe të bësh një turp që nuk e paska bërë kush në Evropë. Edhe ky pohim është bash e kundërta e asaj që di për Evropën.
Duke shfletuar shtypin pashë se debati qënka ndezur pas botimit të monografisë së Skënderbeut të Oliver Schmitt, përkthyer nga Ardian Klosi. Në fakt, për mua dhe revistën Përpjekja ky është një debat i vjetër dhe i marrë e rimarrë në argumenta gjithashtu. Mjaft të lexosh Përpjekja 15 -16 (Mbi rolin e miteve në historinë e Shqipërisë, Tiranë, Dhjetor 1999) që përmbledh materialet e një konference me të njëjtin titull që u mbajt në Londër, me studiuesit më në zë ndërkombëtarë të historisë së shqiptarëve (ndër të cilët Natalie Calyer, Berndt Fischer, Noel Malcolm), që është botuar edhe në Angli nën titullin "Albanian Identities". Po ashtu, polemizime ndaj veprës së Kadaresë, si një prej farkuesve kryesorë të miteve të nacional-komunizmit, gjenden që në numrin e dytë të Përpjekjes. Megjithatë, është për t'u trishtuar kur sheh se me kalimin e viteve, në vend se të shfaqen historianë, studiues e pedagogë të rinj me frymën e studiuesve të sipërpërmendur shoqëria jonë, duke filluar nga shkollat apo akademitë, ka prirjen të ngurtësohet në klishetë nacional- komuniste, çka reflektohet pastaj në formën më banale në mediat. Duke parë këtë realitet, një studiues i huaj më tha një ditë me të qeshur, se intelektualisht ju duket se nuk jetoni në shekulin XXI, por në mesin e shekullit XIX. Edhe Oliver Schmitt, një nga mendjet e ndritura të shkencës austriake, të cilin kam pasur rastin ta takoj personalisht para disa muajsh, me rastin e një konference shkencore në Vienë, me të qeshur do t'i marrë sulmet që i bëhen. Por, ajo e qeshur ne duhet të na ndihmojë të kuptojmë se ka ardhur koha të rritemi, se në botën e dijes e të qytetërimit nuk mund të hyjmë si fëmijë mbi kalin e Skënderbeut, por si të rritur me punë e studim serioz. Nuk mund të vazhdojmë të jemi ilustrim i thënies së Shtadmylerit, të afro një shekulli më parë, se ballkanasit nuk janë pjekur ende të shkruajnë historinë e tyre.

Miti i Skënderbeut dhe e sotmja

Le ta marrim pak më shtruar. Nëse do të kërkonim të ishim mirëkuptues me nacional-komunistët tanë të shndërruar në nacional-romantikë të vonuar, do të thoshim se thelbi i idesë së tyre konsiston në atë se Skënderbeu është simbol i luftës së shqiptarëve për liri (dhe për bashkim me Evropën thotë Kadareja) dhe, si i tillë, nuk ka pse preket. Ka nga ata që thonë se edhe nëse është përrallë "le ta mbajmë si përrallë" apo se "na duhen heronjtë". (Pëllumb Kulla, Franko Egro, Shekulli, 18 nentor 2008). Me fjalë të tjera, sipas tyre, po të fillosh të shkruash apo të botosh një histori shkencore të Skënderbeut, sipas së cilës del se Skënderbeu mund edhe të mos ketë qenë shqiptar, se ai nuk na paska ndërtuar ndonjë shtet të pavarur shqiptar, se ai nuk është bashkuar për të luftuar vetëm me shqiptarë për interesa shqiptarie, por se është bashkuar edhe me sllavë etj. për interesa fetare dhe pronësie, se ka qenë vasal i mbretit të Napolit dhe, si i tillë, ka bërë edhe ndoca masakra në Puglia, se ka marrë Krujën jo me ndonjë luftë nacional-çlirimtare, por me një ferman të rremë; kjo do të thotë që njerëzit të humbasin dashurinë për të. Dhe kjo humbje dashurie për Skënderbeun do t'u shkaktoka thyerjen e shtyllës kurrizore apo helmimin e palcës së saj dhe rënien përtokë. Pra, edhe humbjen e heroizmit e të ndjenjës së lirisë e me rradhë. Po a është kështu? Aspak. E ka provuar koha e Enver Hoxhës këtë dhe po e provon edhe kjo e sotmja. Ju siguroj unë, sikur të gjithë shqiptarët të marrin vesh e të binden se Skënderbeu paska qenë thjesht një maskara, asgjë nuk do të ndodhë. Ne do të mbetemi po kaq përtokë sa ç'jemi, sepse robëria më e madhe është ajo e paditurisë. Sepse sot problemi nuk është ai i shekullit XIX kur u ngjiz miti i Skënderbeut: të bëhej Shqipëria si shtet dhe shqiptarët të kishin një ndjenjë kombëtare. Sot problemi është të bëhen shqiptarët e shekullit XXI, shqiptarët me një ndjenjë qytetare të kohës që jetojmë sepse Shqipëria, për mirë a për keq të shqiptarëve, është bërë dhe shqiptarët, për mirë a për keq, një ndjenjë kombëtare e kanë. Dhe për këtë nuk na ndihmon dot miti i Skënderbeut, por duhen të tjera instrumente intelektuale e shpirtërore. Poende, sot (ashtu si edhe në kohën e diktaturës) jetojmë në një kohë kur shqiptarët nuk kërkojnë të çlirohen nga ndonjë armik i jashtëm, por nga armiku i brendshëm që janë shqiptarët vetë - në thelb padituria e tyre, - armik ky i njëjtë me Enver Hoxhën i cili, megjithëse e mbushi Shqipërinë anekënd me buste dhe statuja të Skënderbeut, i masakroi shqiptarët në atë farë feje sa ikën nga sytë këmbët nga Shqipëria e tij dhe vazhdojnë të ikin edhe sot e kësaj dite, megjithëse Skënderbeun nuk e ka lëvizur njeri nga kali. (Dikush do të më përmendë shqiptarët e Kosovës, por në thelb mendoj se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ta dhe çështjen e tyre: se armiku i tyre më i madh është padituria. Dhe është kulmi i paditurisë, në mos marrëzi, të mendosh se evropianët si Schmitt shkruajnë ashtu për Skënderbeun sepse kanë hall që të diskreditojnë çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht, një mendim i tillë i diskrediton më shumë se çdo gjë ata sepse i tregon të papjekur kulturalisht për t'u bërë pjesë e komunitetit evropian). Në fakt Skënderbeu nuk luan dot nga kali për të na ngritur në këmbët e dijes, përkundrazi ai ka kohë që përdoret nga nacional-komunistët e ricikluar për të mbajtur në këmbë ata që na mbajnë ne përtokë. Dhe vetë ai i gjori ka nevojë të çlirohet nga kali ku e kanë mbërthyer për ta keqpërdorur dhe të dalë në dritë me gjithë vërtetësinë e tij.

Të bëhen shqiptarët e shekulli XXI

Dhe tek problemi "të bëhen shqiptarët e shekullit XXI" hyn edhe debati i fundit mbi nevojën apo jo të dekonstruktimit të miteve nacional - komuniste.
Sipas meje, mjafton të lexosh shumicën e debatuesve për të parë se sa i nevojshëm është dekonstruktimi i miteve. Le të radhis disa argumente.
Së pari, duhet thënë se të dekonstruktosh një mit nuk do të thotë thjesht të jesh kundër tij, apo ta hedhësh poshtë atë (ndonëse edhe kjo mund të jetë), por të kuptosh se si e pse është ndërtuar ai. Në këtë kontekst, edhe dekonstruktimi i mitit të Skënderbeut nuk ka lidhje me njohjen e historisë së shekulit XV, por me njohjen e historisë së shekulit XIX pra me tërë atë proces identitet ndërtues në shekullin XIX që e nxorri Skënderbeun nga historia nëpërmjet një procesi selektiviteti dhe e ktheu në mit e simbol. E, në këtë kuptim, vetë fakti që shqiptarët, ndonëse me vonesë, kanë filluar të ndajnë mitin nga historia përbën një hap përpara drejt njohjes. Vetë fakti që historia e Skënderbeut pranohet se mund të jetë e ndryshme nga ajo çka u është mësuar në kohën e Enver Hoxhës është një hap edhe drejt dekonstruktimit, çka do të thotë një hap drejt njohjes së historisë shkencore të kohës së Skënderbeut dhe, po ashtu, të historisë së ngjizjes së mitit të tij në kohën e Rilindjes. Një hap drejt vetëdijësimit se tjetër është historia e tjetër është miti i nacionalizmit shqiptar; se për tjetër gjë na duhet historia (për të njohur më mirë vetveten) e për tjetër gjë na ka shërbyer apo na shërben miti historik e prandaj njerëzit e ditur e të pjekur këto i ndajnë.

Së dyti, dihet se mitet shërbejnë si fillesa përbashkuese frymëzuese, se ato i japin kuptim jetës së një komuniteti, i japin edhe identitet. Por, nga ana tjetër, edhe ky përbashkim në një identitet kolektiv ka rreziqet e veta që i ka provuar dhe vazhdon t'i provojë historia. Rreziku më i madh është se, duke u bërë pjesë e një komuniteti që ndan disa simbole identitare, njeriu rrezikon të humbasë lirinë e vet si individ. Shpesh njerëzit e kanë më të lehtë të strehohen tek identitete kolektive se sa të zhvillojnë individualitetin e tyre. Por kjo i bën shumë të vegjël si individë përpara kolektivitetit dhe heronjve që i simbolizojnë ata; krijon një ndarje të tillë saqë individi nuk bëhet dot më shpëtimtar i vetvetes, por e pret shpëtimin nga heronjtë imagjinarë që në jetën reale shpesh nuk i gjen kërkund, ose i gjen në trajta aventurierësh paranojakë e delirantë. Ky është një nga rreziqet, por jo i vetmi.
Sikurse thotë një antropolog i njohur italian "identiteti, i cilit çdo lloji qoftë (etnik, nacional, personal etj.) është një varfërim, një heqje e diçkaje, një reduktim i mundësive si për pupujt edhe për individët" (Francesco Remotti "Contro l'identita" 1996). Veçarisht është e vërtetë kjo kur identiteti shihet sipas një qasjeje esencialiste, si gjetje dhe ruajtje e një bërthame të pandryshueshme. Mjaf të kesh parasysh se si ne kërkojmë të heqim e harrojmë historinë e gjatë të bashkjetesës me sllavë, turq, grekë vllehë, maqedonas në emër të identitetit tonë për të kuptuar këtë varfërim.
Jo vetëm kaq, por çështja shtrohet edhe se çfarë mund të ndodhë me ata individë apo grupe që nuk i ndajnë simbolet apo ritet e një komuniteti. Mund të ndodhë deri ajo që u ndodhi çifutëve që, duke u konsideruar si mish i huaj, dikush pati idenë makabre t'i asgjësojë edhe fizikisht. Dhe ideologjia që shkoi deri këtu ishte e ndërtuar bash mbi mite nacionaliste. Dikush mund të thotë se kam shkuar larg në krahasim, por lexoni se ç'shkruan një nga skënderbejanët e shekullit XXI në debatin e fundit: "kombi, atdheu imponohet me të gjithë madhështinë e së shenjtës. Dekretet e tij janë imperative. Bindja ndaj tyre është pa kushte. Ai imponon tabutë e tij, ritet, ceremonitë, heronjtë dhe simbolet e tij – shkelja apo rrëzimi i tyre (qoftë dhe në tentativë) është thjesht tradhti ndaj kombit". (Mira Meksi, Shekulli, 18 nëntor 2008). Këto fjalë, për besë, nuk do të guxonte t'i thoshte kaq hapur edhe Hitleri kur proklamonte madhështinë e kombit gjerman dhe përgatiste zhdukjen e çifutëve, social-demokratëve, priftërinjve në emër të simboleve e riteve të tij. Personalisht m'u ngjethën mishtë duke i lexuar sepse m'u kujtuan tërë ata bashkëvuajtës që për një tentativë arratisjeje dënoheshin nga dhjetë deri në 25 vjet burg, deri edhe me vdekje për "tradhëti" ndaj atdheut.
Prandaj nuk duhet harruar asnjëherë se mitet e atdheut, ata që pretendojnë se janë mbrojtësit e tyre/tij, i kanë përdorur jo rrallë si instrumente pushteti për të shtypur lirinë e individëve dhe grupimeve që mendojnë ndryshe. Sikurse thotë Durrenmatti: "shteti e quan gjithmonë veten atdhe kur përgatit një vrasje".

Së treti, aftësimi i njeriut për të dalluar mitin nga e vërteta shkencore ka të bëjë pikërisht me diturimin e tij, me fjalë të tjera me rritjen e pjekurinë e tij, prandaj edhe të lirisë së tij. Çështja që ngrihet është: a duhet apo nuk duhet që shqiptarët ta lexojmë një libër si ai i historianit Oliver Schmitt? A duhet që tekste të tilla të hyjnë në programet tona shkollore? Apo duhet të bëjmë sikur libra të tilla nuk ekzistojnë?
Disa mbrojtës më të sofistikuar të mosdekonstruktimit të mitit kanë hedhur idenë që të vërtetën shkencore le tua lemë akademikëve, pa e ngatërruar punën e tyre me punën e shkollave: "E vetmja mënyrë që akademia t’i shkoqitë me urtësi mitet kombëtariste totalitare të trashëguara nga Rilindja dhe periudha komuniste, është që të lihet ta bëjë këtë në pavarësi të plotë nga shkolla, kultura popullore, simbolet kombëtare dhe përdorimi i rrëfenjave historike si instrumente të edukimit etik dhe qytetar të shtetasve." "Historia e Shqipërisë, ashtu siç është përpunuar në formë mitologjike, është pjesë e misionit të shkollës për t’u dhënë fëmijëve një identitet qytetar modern. (Ardian Vehbiu Shekulli, 18 nëntor 2008) Po a është vërtet kështu? A formojmë vërtet një identitet qytetar modern duke i ushqyer fëmijët me mite nacionaliste ashtu siç janë farkuar ata një shekull e gjysëm më parë dhe përforcuar me frymë totalitare nga diktatura komuniste? Mjafton të shohësh klishetë nacional-komuniste me të cilat trajtojnë këto argumente gazetat shqiptare, apo reagimet në internet të shumicës së atyre që kanë qenë fëmijë në kohën diktaturës, për të kuptuar se nuk është kështu. Mjafton të shohësh se deklaratat absurde, e njëherësh paternaliste e delirante të Kadaresë, që janë një turp për një intelektual të kohës sonë, shihen prej tyre si fjalë të shenjta, për të kuptuar se nuk është kështu. Nëse fëmijëve tanë do t'u tregojmë gënjeshtra, edhe ata do të vazhdojnë të tregojnë gënjeshtra e ne do të vazhdojmë të kultivojmë kulturën e rrenës dhe manipulimit. Jo vetëm, po cila qenka mosha në të cilën fëmijëve u duhet thënë e vërteta duke patur parasysh se fëmijëria vazhdon deri në moshën 18 vjeç? Si u duhet thënë kjo e vërtetë, mos duke përdorur edhe ca gënjeshtra më të ngrënëshme që të mos traumatizohen? Poende, ky argument të bën të lindë edhe pyetja: pse na duhen akademikët dhe shkenca në përgjithësi? Pse vetëm akademikët u dashka ta kenë gurin e dijes (ndonëse kur ke parasysh këtë klimë bëhet edhe më e kuptueshme se pse nuk dalin dot studiues të rinj seriozë në këtë vend). Pse populli sëbashku me fëmijët paska nevojë të mbetet në padije? Për t'u sunduar më mirë nga elitat dhe akademikët e tyre, apo pse ai nuk e di se çfarë të bëj me diturinë e tij dhe me lirinë e tij? Edhe në kohën e Hoxhës vetëm udhëheqja kishte mundësi të shihte filmat e ndaluar për popullin, të lexonte librat e ndaluar për popullin apo të mësonte lajmet e ndaluara për popullin. Poende, në cilin nivel arsimimi mbarokan akademikët dhe filloka populli, sepse kjo përmban edhe një rrezik tjetër të madh: të të bëjnë "popull". Ta bëjnë "popull" edhe Vehbiun vetë.


Së katërti, mitet duhen dekonstruktuar edhe në emër të frymës së kohës kur jetojmë. Miti i Skënderbeu është një konstrukt historik i ndërtuar në një kohë të caktuar dhe në një kontekst të caktuar luftrash dhe urrejtjesh nacionale. Pra, kur ai trajtohet si mit, çështja nuk duhet shtruar se si "ka qenë" Skënderbeu por "si dhe në ç'kontekst është konstruktuar" miti i Skënderbeut. Sikurse e kam shkruar edhe herë tjetër, ai është një mit i rimarrë i rikonstruktuar mëse një herë. Ai është konstruktuar së pari si mit në emër të krishtërimit, kur u mbiquajt "kalorës i krishtërimit", kurse dy tre shekuj më vonë u rimorr në emër të nacionalizmit. Madje, kur bëhet fjalë për nacionalizmin, ai është konstruktuar e rikonstruktuar në një proces të gjatë që meriton një studim më vete. Dihet se ka pasur pretendime për "ta marrë" Sënderbeun nga nacionalizmat e vendeve fqinje ku nuk mungon edhe ndonjë projekt që ai të jetë një simbol shqiptaro/sllav. Për këtë "çudi" na flet një historiane tjetër e njohur Nathalie Clayer. Ajo vëren se ndjenja e shqiptarisë ngjyroset me antisllavizëm (pasi ishte ngjyrosur me antiturqizëm dhe antigreqizëm) në fillim të shekullit të XX nga veprimtarët patriotë katolikë të krahinës së Shkodrës. Ndërkaq, sipas saj, në periudhat e mëparshme, ishin bërë përpjekje të ndryshme, sidomos nga ana e mirditorëve, për të bashkëpunuar me fqinjët malazezë ose serbë, kundër “turqve”. Po ashtu, disa qarqe italiane vazhdonin të mendonin për një afrim midis Malit të Zi ortodoks dhe veriut shqiptar katolik, nën ombrellën e tyre. Kurse Austro-Hungaria, që kërkonte të pengonte përparimin serb dhe malazez në drejtim të Adriatikut, kishte si interes të përforconte dallimet “shqiptar” kundrejt “sllav” dhe “katolik” kundrejt “ortodoks”. Në këtë kontekst një nga promotorët e planit austro-hungarez të veprimit në Shqipëri, Ludwig von Thalloczy, pohonte se duhej vepruar kundër projektit italian dhe sillte shembullin e letërsisë popullore serbe e cila “po përparonte” në malësitë e veriut, në rajonet e Shpuzës dhe të Podgoricës dhe po përhapte një lloj besimi shqiptaro-sllav përmes figurës së Skënderbeut që paraqitej si luftëtar sllav, duke përmendur veprën e priftit françeskan kroat Andrija Kačić- Miošić (Razgovor ugodni naroda slovinskoga, Venise, 1756) e cila i këndonte bëmave të Skënderbeut dhe që ishte bërë shumë popullore (Natalie Clayer, "Aus origines du nationalisme albanais", Paris 2007).
Që ky projekt shqiptaro-sllav të mos realizohet, siç e shpjegon më tej Clayer, ndikuan shumë gjëra, përveç të tjerash edhe nacionalizmat e sllavëve. Por, me çka thashë më sipër, desha të ilustroj se kemi të bëjmë me projekte konstruksionesh identitare të shekullit XIX - XX dhe se, sikur disa rrethana që lidhen me lojën e forcave në shekullin e XIX - XX të kishin qenë ndryshe, do të kishte qenë ndryshe edhe konstrukti i mitit Skënderbe.
Problemi është, se ne kemi patur fatin e keq që dorën e fundit dhe më të gjatë ky konstrukt nacionalist e ka marrë në simbiozë me ideologjinë komuniste të Enver Hoxhës, që e përdori për interesat e veta të pushtetit, veçanërisht pas prishjes me BS, kur Skënderbeu zëvendësoi Stalinin në sheshin qendror të Tiranës. Në sajë të këtij manipulimi me frymë tejet totalitare, që edhe shkencën e vinte në funksion të ideologjisë, sikurse e thotë edhe Oliver Schmitt, Skënderbeu do të merrte përmasat e veta "më irreale", si projeksion në Mesjetë i vetizolimit të Shqipërisë/kështjellë që u bën ballë sulmeve të imperializmit dhe revizionizmit. E kjo pjesë sigurisht i djeg më shumë edhe Kadaresë, si farkues i kësaj mitologjie nacional - komuniste, me librat e tij të shumta për mesjetën shqiptare të trajtuara me këtë simbolikë. Edhe figurativisht, imazhi i Skënderbeut i ndërtuar nëpërmjet skulpturës dhe bustit të Paskalit, e shumë veprave të tjera të asaj kohe, është ai i një luftëtari të egër mbi kalë, shumë i ndryshëm nga imazhi që ka qarkulluar në vendet evropiane: ai i një plaku të urtë e të ditur, njeri i armëve sigurisht, por edhe i qytetëruar dhe i formuar.
Në këtë kontekst, le të them edhe dy fjalë për mitin si përrallë që u tregohet fëmijëve. Sigurisht, fëmijëve të vegjël ne do t'u flasim për Skënderbeun dhe për kalin e tij. Në mos për gjë, sepse ata e shohin kudo në sheshet e qyteteve. Por, sipas meje, assesi nuk duhet t'u flasim ashtu sikurse u është folur gjatë izolimit/dimrit të madh. Kjo nuk ndikon aspak për formimin e tyre me një identitet qytetar modern. Sot edhe përrallat/përralla me njerëz apo me kafshë që u tregohen fëmijëve janë ndryshuar me synimin që të transmetojnë një tjetër kulturë. Ato janë ndryshuar psh. për të edukuar fëmijët me një tjetër frymë përsa i përket raportit të burrit me gruan. Ato janë ndryshuar për të ndryshuar qëndrimin e fëmijëve ndaj kafshëve. Ato janë ndryshuar për të ndryshuar qëndrimin e fëmijëve ndaj luftës dhe paqes. Edhe mitet ndryshohen, apo harrohen, apo ndërtohen të tjera në funksion të kohës që jetojmë dhe aspiratave të tjera që kemi. Pra, nëse Kadareja shkruante në vitet e komunizmit se shpata e shqiptarëve të Skënderbeut ishte e drejtë, pasi shqiptarët ishin të mirë, kurse shpata e turqve (jatagani) ishte e shtrembër sepse ata ishin të këqij (Shih poemën për fëmijë "Në muzeun e armëve", Tiranë, 1989) nuk është me vend që sot, në kohën e aspiratës për të hyrë në Evropë sëbashku me turqit, të krijohet tek fëmijët i njëjti imazh për ta si ai i kohëve të luftrave nacionaliste apo të izolimeve nacional-komuniste. Skënderbeu si mit, ashtu si është ndërtuar në mitologjinë nacional-komuniste, nuk mund të përdoret në kohën e sotme edhe tek fëmijët. Ai nuk mund të jetë njëherësh edhe frymëzues i armiqësisë edhe inspirues i miqësisë dhe bashkimit me turqit, grekët, serbët, maqedonët etj. në Evropë. Jo vetëm, por kjo krijon edhe një skizofreni të rëndë. T'u thuash sot shqiptarëve se Skënderbeu është pararendës i NATO - siç thotë Kadareja duke iu referuar luftrave të tij me perandorinë osmane - ndërkohë që Turqia ka hyrë në NATO para nesh e është kandidate para nesh për të hyrë në Evropë, kjo krijon skizofreni. Koha e sotme kërkon mite e heronj të rinj edhe për fëmijët, por edhe shikimin e miteve të vjetra sa nën filtrin e dijes shkencore aq edhe në funksion të frymës së kohës dhe aspiratave të kohës.
Nga sa di unë, e gjithë Evropa e ka rishkruar historinë e saj në këtë kontekst. Ka pasur gjithashtu edhe projekte për të rishkruar historinë e Ballkanit, po në këtë kontekst, ku kanë marrë pjesë edhe historianë shqiptarë. Duke parë reagimin ndaj librit të Oliver Schmiditt, mund të thuhet se është bërë shumë pak. Dhe i vetmi shpjegimi në thebin e vet, sipas meje, është se ata që e kanë në dorë këtë punë kanë frikë nga diturimi i njerëzve, sepse kjo do t'i bëjë të lirë ndaj pushtetit të tyre, të cilin e kanë keqpërdorur dhe keqpërdorin në formën më dramatike për atdheun e kuptuar si shoqëri shqiptare. Ja pse ngulmoj se përgjigja më e mirë ndaj histerisë së ngritur kundër librit të Schmittit është: "bëhu i ditur të jesh i lirë". (Korrieri, 30 nentor 2008)


Wednesday, November 26, 2008

Obama, dhe konservatorizmi ynë i pronvincës

Në një shkrim të titulluar "Mallkmi Kinez, Obama dhe e majta shqiptare" jam përpjekur të tërheq vëmendjen e publikut ndaj asaj çka do të duhej të përfaqësonte, sipas gjykimit tim, fenomeni Obama për shqiptarët. E shkrova fill pas konventës së Denverit, kur ai u zgjodh si kandidat për President. U desh të fitonte që të flitej ca më shumë për të. E megjithatë ndjehet mungesa e konceptualizimit të kësaj fitoreje në kontekstin shqiptar. Ky shkrim është një përpjekje e dytë në këtë drejtim.
Dy janë aspektet ku fokusohet fitorja e Obamës, komplementare me njëra tjetrën. Njëri lidhet me faktin se për herë të parë në historinë e SHBA kemi një president të zi. Të gjithë sot në SHBA, por edhe jashtë, kujtojnë se Shtëpia e Bardhë, e cila ka mbaruar së ndërtuari në vitin 1800, është ndërtuar nga skllevër të zinj. Dhe fakti se sot atje do të hyjë në rolin e presidentit një i zi konsiderohet si një fitore simbolike kundër racizmit. Është një fitore të cilën mund të thuhet se Obama e ka arritur. Aspekti tjetër i fitores së tij lidhet me krizën e derregullimit neoliberist që ka përshirë SHBA e mbarë botën, duke shtuar polarizimin midis të pasurve e të varfërve, dhe sfidën e kapërcimit të saj e cila është një sfidë të cilën nuk dimë nëse Obama do ta fitojë apo jo, por për momentin ai është njeriu që ka fituar besimin se mund ta zgjidhë atë.
Të dy këto aspekte të fitores së tij janë komplementarë me njëri tjetrin, sepse të dy kanë një emërues të përbashkët: fitorja e Obamës ishte një shtysë e fuqishme e njerëzitmit përdrejt barazisë së mundësisë, asaj racore dhe asaj ekonomike sociale gjithashtu. Të dy këta aspekte të fitores janë shumë të rëndësishme edhe për kulturën shqiptare. Fitorja mbi racizmin është e rëndëshme sepse realizimi i ëndrës së Martin Luter Kingut nuk ka lidhje vetëm me racizmin në SHBA, por me çdo lloj racizmi dhe me çdo lloj pabarazie. Pra edhe me racizmin shqiptar. A janë shqiptarët racistë? Po, dhe shumë, madje. Ne jemi njëherësh subjekte dhe objekte të racizmit. Ne jemi racistë ndaj të zinjve, romëve, evgjitëve, të verdhëve, por edhe ndaj atyre të bardhëve të ndryshëm prej nesh etnolinguistikisht si grekët, serbët, turqit, vllehët të cilët i kemi demonizuar në emër të nacionalizmit tonë. Por ne jemi edhe viktima të racizmit në Greqi apo Itali veçanërisht, por edhe në Serbi, Maqedoni. Por ne jemi racistë edhe brenda vetes, mjaft të kesh parasysh përçmime reciproke krahinore, përçmimie për shkak të feve të ndryshme apo edhe mallkimin që del shpesh nga goja e shqiptarëve për vetveten: "jemi racë e keqe". Fitorja e Obamës në kuptimin e saj simbolik është hapja e një horizonti të ri përdrejtë barazisë së të gjithë individëve ngritur mbi konceptin se njeriu nuk është produkt i racës, por i kulturës, e, në këtë kontekst, edhe përdrejt barazisë së popujve.
A mund të ndikojë fitorja e Obamës që shqiptarët të jenë më pak racistë? Sigurisht që "po" do të ishte përgjigja e parë e menjëherëshme. Por do të shtoja se, në raport me çka pritet, përgjigja ndaj kësaj pyetjeje përmban edhe një "jo" aspak të dobët. Si shkak kryesor i kësaj "jo" - je shoh një fenomen që do ta quaja konservatorizmi ynë i provincës. Ngjarje të tilla si zgjedhja e një të ziu si president i SHBA ne i shohim në këtë provincën tonë edhe sikur të bëhet fjalë për një film të huaj që nuk flet për realitetin tonë - shëmbëllyeshëm me filmat erotikë për aktorët e të cilëve themi se nuk i përkasin botës sonë reale. Këto gjëra ndodhin atje, por jo këtu tek ne, është mendimi mbizotërues. Ne na duhet kohë, ndoshta një shekull, të arrijmë deri atje. E me këtë mendim "qetësues" vazhdojmë të mos e vemë në dyshim vetveten dhe tabutë e gjyshstërgjyshërve. Pra ne mund ta adhurojmë Obamën në SHBA gjithë duke përçmuar të zinjtë në vendin tonë. Ashtu siç e tregon edhe ajo anakdoda sipas së cilës kur i biri shkon t'i thotë të atit se është "gay" ky i përgjigjet: "gay" janë ata në Perëndim biri im, ti je "bythqirë".
Por ka edhe një aspekt tjetër se si shfaqet provincializmi ynë, paradoksalisht i kundërt me atë që sapo përmenda. Një kategori, e përbërë kryesisht nga elitat e provincës sonë, ka prirjen e imitimit apo receptimit sipërfaqësor të asaj që bëhet në kryeqendërën e perandorisë. Një nga karakteristikat e këtij provincializmi është se provinca nuk i përpunon vetë, me syrin e saj kritik, vlerat e metropolit. Ajo nuk ka pionierët e saj që bëhen promotorë të ndryshmit brenda vetes. Ajo i merr ndryshimet të gatëshme kur ato bëhen pushtet mbizotërues. Për shembull: shumica e elitës sonë ka qenë e mbetet për dënimin me vdekje, por e hoqi atë sapo na e kërkoi Evropa. Shumica i përçmon dhe i dënon homoseksualët, por iu desh ta heqë ligjin e dënimit të tyre me burg sepse kështu deshte Evropa. Është nacionaliste e raciste, por për Evropën mund të adoptojë një gjuhë kozmopolite. Është mizogjene, por, po tua kërkojë Evropa, sa hap e mbyll sytë mund ta mbushë Parlamentin me gra. Më shumë se me çdo gjë ky aspekt i receptimit të mesazheve të kryeqendrës së perandorisë lidhet me nevojën që kanë elitat tona në pushtet për mbështetjen e kryeqendrës për të sunduar nënshtetasit e tyre në provincë. Nëse për të sunduar do të duhej të lyenin fytyrën me të zezë njerëz si kryetarët e partive tona nuk do të hezitonin asnjë çast ta bënin këtë. Dikush mund të thotë se kjo gjithsesi është pozitive sepse progresi mund të vijë edhe nëpërmjet imitimit. Pa dyshim, fakti që duke imituar Perëndimin ne hoqëm dënimin me vdekje, hoqëm dënimin kundër homoseksualizmit, vendosëm pluralizmin politik, po bëjmë ligje për pjesëmarrjen e grave në Parlament, po kërkojmë të ndajmë pushtetet - sa shumë janë gjërat që i kemi bërë jo pse i ndjejmë, por pse imitojmë - kanë anën e tyre pozitive. Por nuk mund të mos vemë re ndryshimin për keq që ka midis imitmit kësisoj të vlerave kulturore perëndimore, që ndryshe e quajmë majmunëri, dhe përthithjes së tyre nëpërmjet procesesh që përmbajnë edhe besimin e vërtetë në këto vlera edhe mekanizmat e qëndrimit kritik ndaj tyre, ku hyn edhe pasja parasysh e kontekstit ku do të implementohen. Ka shumë ndryshim. Në thelbin e vet ndryshimi konsiston në rrezikun e tjetërsimit të këtyre vlerave, të keqpërdorimin të tyre në fuksion të pushtetit dhe jo të emancipimit të shoqërisë, në mosimplementimin e vërtetë të tyre, në dyfytyrësinë që zhvillojnë etj..
Një ilustrim i çka thashë më lart është edhe aspekti tjetër i fitores së Obamës që lidhet me krizën e eknomisë financiare dhe reale që ka përfshirë sot SHBA dhe Evropën. Ajo është një krizë e shkaktuar nga "fondamentalizmi i tregut" pra nga ngritja në kult e tregut të lirë dhe privates më një anë dhe dobësimi i rolit të shtetit dhe publikes më anë tjetër. Mënyra se si ne e morëm neoliberizmin këtu në provincë përmbante në vetvete të gjitha karakteristikat negative të sipërpërmendura. Ai u mor në mënyrë të verbër aspak kritike, u keqpërdor në emër interesash private dhe në thelb mund të thuhet se është tjetërsuar, por kurrsesi se është implementuar. Hibridi i dalë është një monstër që po ha përditë edhe krijuesit e vet.
Sikurse kam shkruar edhe më parë kjo krizë po tregon se lënia e fateve të njerëzve në “dorën e fshehtë” të tregut shpije në rënien e fateve të njerëzve nën dorën e zezë të spekulantëve. Përpara saj sot komentohen fort fjalët e Obamës gjatë fushatës elektorale: "Kemi nevojë për një ekonomi që nderon dinjitetin e punës”, në të cilën “për punë të barabartë, jepet pagë e batrabartë” për "rishpërndarje më të mirë të pasurisë". Është shumë kurioze të shohim se si do të përthyhen ato në republikën tonë të konservatorizmit e majmunërisë së provincës? (Korrieri 26 nentor 2008)

Saturday, November 15, 2008

Mbi grevën e urisë së 10 deputetëve

Tre janë gjërat më të rëndësishme që mund të thuhen lidhur me grevën e urisë së deputetëve të LSI dhe PDK që po zhvillohet në sallën e Parlamentit qysh prej katër ditësh.
Së pari, dhe më e rëndësishmja: deputetët në grevë kanë të drejtë në akuzën se mënyra se si është ndërtuar kodi elektoral e veçanërisht lidhur me komisionin e numërimit të votës, shpreh qartë prirjen e dy partive kryesore PD dhe PS për të monopolizuar politikën, për të përjashtuar jo vetëm të ashtuquajturat parti të vogla sot, por edhe çdo përpjekje të të tjerëve nesër për të ndërtuar alternativë ndaj pushtetit të tyre. Hartimi i një ligji të tillë, ku numërimi i votës lihet në duart e përfaqësuesve të dy të mëdhenjve, është bërë dukshëm qëllimisht, me djallëzi dhe arrogancë njëherësh. Me marrëveshje të hapur, me marrëveshje gjysëm të hapur apo me marrëveshje të heshtur kjo pak rëndësi ka. Ai ligj përbën një kërcënim për lirinë e votës. Le të kujtojmë se kur bëheshin kontestimie për votën nga PD dhe PS duke përdorur edhe krahasime me vendet e botës së qytetërur kemi parë se zgjedhjet mund të konsiderohen të pavlefshme edhe kur paraqiten prova se ato janë manipuluar në pak raste. Prandaj parimi se çdokush që merr pjesë në zgjedhje, sado e vogël qoftë partia që përfaqëson apo qoftë edhe një individ i vetëm duhet të ketë sigurinë se vota e tij do të numërohet, është i shenjtë dhe duhet të jetë pikënisja e hartimit të çdo kodi zgjedhor. Fakti që LSI ka hyrë sot në grevë sëbashku me PDK për të shprehur hapur se ata nuk kanë besim tek ky sistem numërimi është komprometim i besueshmërisë së zgjedhjeve që duhet korrigjuar. Kërkesa e tyre për ndryshim të kodit zgjedhor në mënyrë të atillë që të garantohet numërimi i drejtë i votës duhen mbështetur deri në fund dhe fuqimisht.
Së dyti: Nuk mund të mohoet se përveç mbështetësve militantë greva e urisë së dhjetë deputetëve e ka lënë indiferentë pjesën më të madhe të opinionit dhe në këtë aspekt nuk mund të mos mendohet se edhe hartuesit e kodit, e kanë hartuar atë kësisoj edhe duke pasur parasysh se vullneti i tyre i mbrapshtë nuk do të hasë ndonjë rezistencë nga opinioni publik që është i topitur. Madje nuk do të guxonin ta bënin këtë sikur të ishte ndryshe. Dhe një nga arësyet e topitjes së oponionit pubik është zhgënjimi masiv në tërë klasën politike. Në këtë kontekst edhe Ilir Meta dhe Nard Noka janë pjesë e këtij zhgënjimi. Njerëzit nuk harrojnë se kur Ilir Meta ishte kryeministër dhe Nard Noka ministër i Berishës nuk e kanë vënë shumë ujin në zjarr për lirinë e shprehjes dhe për lirinë e votës, përkundrazi kanë qenë pjesë e sistemit politiko ekonomik viktimë e të cilit sot kanë rënë. Pra njerëzit nuk mund të mos mendojnë se kjo grevë është thjesht dhe vetëm pjesë e një lufte për pushtet brenda llojit. Po ashtu njerëzit nuk mund të mos kujtojnë se, kur këta kanë qenë në pushtet, asgjë socialiste nuk ka patur në politikat e Metës dhe asgjë kristiane në politikat e Nokës në kuptimin e politikave në favor të shtresave më të brishta, përkundrazi, edhe ata lidhjet i kanë me të fuqishmit e këtij vendi, me ata që janë pasuruar marramendshëm në kurriz të këtyre shtresave. Përndryshe sikur Meta dh Noka me shokë të të mos kishin këtë të kaluar në pushtet, duke patura parasysh zhgënjimin e thellë me klasën politike, sot mbështetja popullore rreth Parlamentit ku ata po bëjnë grevën do të ishte në nivele të krahasueshme me mbështetjen për grevën e studentëve në vitin 1991.
Së treti: është e diskutueshme formula që deputetët paraqisin për të garantuar numërimin e votës, dmth, duke kërkuar të kenë përfaqësuesit e tyre në komisionet e numërimit të votës. Ajo është një formulë që forcon partitokracinë ndërsa koha ka provuar se e keqja më e madhe vendit i ka ardhur e po vazhdon t’i vijë nga pushteti i pakontrolluar i partive qofshin këto një parti, dy parti apo grupe partish. Vendi ka nevojë urgjente të forcojë institucione të pavarura nga partitë që të kenë jo vetëm besueshmëri, por edhe pushtet e kontroll mbi to në emër të interesave të publikut. Edhe vetë kodi zgjedhor edhe përcaktimi i mënyrës së numërimit të votës duhet të ishte pjesë e kësaj filozofie. Ajo është kundërshtuar me argumentin se të ashtuquajturit të pavarur nga partitë politike nuk ekzistojnë. Por edhe sikur të mos ekzistojnë ata duhen krijuar. Krijimi dhe inkurajimi i yre duhet t ëkishte qenë pjesë e ecjes drejt demokracisë. Përndryshe vijmë në situata retrograde si kjo ku demokracia është reduktuar në luftën për pushtet dhe për poste midis një grushti militantësh të cilët, në luftë me njëri tjetrin, i reduktojnë edhe më hapësirate lirisë dhe demokracisë. (Korrieri, 14 nentor 2008)

Raporti i BE, progres apo regres

Po bëhet një javë që nuk mbarojnë sherret midis mazhorancës dhe opozitës lidhur me atë nëse raporti i komisionit të BE ishte pozitiv apo negativ ndaj qeverisë, nëse ai tregonte se kemi bërë progres apo regres. (Më duhet të them se teksa shkruaja këtë artikull ndodhi shembja e pallatit në Gjirokastër që, siç ndodh rëndom te ne, i dha fund sherreve të “progres – raportit” për të hapur sherret e “progres – ndërtimit” sipas terorisë tashmë të njohur “skandali mbulon skandalin”. Megjithatë, sipas meje, edhe shembja e atij pallati duhet integruar në debatin nëse kemi progres apo jo.)
Mund të ketë shumë kritere për të matur progresin apo regresin e një shoqërie. Në fakt në botën e pasur të ideve e të mendimin filozofik të vendeve prej të cilëve është hartuar raporti ka mjaft kritikë edhe ndaj vetë konceptit të “progresit” ashtu sikurse edhe më tepër ndaj atij të “zhvillimit”. Ka madje që i ndajnë njërin nga tjetri. Pier Paolo Pazolini thoshte: “Jam për progresin, por kundër zhvillimit”. Dhe nuk mund të mos i japësh të drejtë kur sheh të quhet “zhvillim” kthimi i bukurive natyrore, të trashëgimisë kulturore në shëmtira betoni apo ndotja e ajrit me tym qymyri e makinash deri në atë shkallë sa ta sëmurë njeriun.
Por këtu nuk po merrem me çështjen e dallimit midis progresi e zhvillimit. E përmenda vetëm sepse kam bindjen se në emër gjoja të “progresit” apo “zhvillimit” si sinonim të tij, vërtet po na përgatitet një katastrofë ndoshta edhe më e madhe sesa ajo që na bëri Enver Hoxha me bunkerët e me metalurgjikët e superfosfatët e tërë monstrat që mbolli në truallin shqiptar. Nëse projektet për parqet energjitike e tecet me qymyr e naftë ambasadorët evropianë i quajnë sukses – siç duket në raport dhe siç tha ministri Ruli kur vuri në dukje se raporti flet për përparim në sektorin e energjisë – mund të them me bindje se ky është një sukses për ambasadorët që kanë arritur të përdorin babëzinë e korrupsionin e Rulit me shokë për të na mbjellë në këtë vend tece me qymur e tece me naftë që nuk i mbjellin dot në vendet e tyre e për të na përdorur si koshin e plehërave të tyre. Dyshoj shumë se disa nota pozitive që kishte raporti lidhen pikërisht edhe me këto allishverishe ndaj të cilëve tashmë kemi vënë re se nuk janë të imunizuar edhe perëndimorët që i kemi idealizuar aq shumë duke i konsideruar si shpëtimtarët tanë.
Por në këto komente mbi progres – raportin dhe debatin mbi të desha të ve në dukje veçanërisht një kriter apo pikë referimi që mund të përdorej edhe si tregues progresi apo regresi.. Dhe kjo, ndryshe nga tecet apo nga ligjet e aprovuara, besoj se është jashtë çdo dyshimi se vlen të merret si pikë referimi e padiskutueshme për të matur progresin. E kam fjalën për atë se sa kemi arritur ne të ndërtojmë në këtë vendin tonë e në këtë shoqërinë tonë vetmjaftueshmëri përsa i përket aftësisë për të gjykuar vetë nëse kemi arritur progres apo jemë në regres. Dmth. sa kemi ne institucione të besueshme fjala e të cilëve të merret për bazë siç merret e ajo e të huajve. Sepse a nuk është qesharake që kemi një javë që merremi me raportin e BE, sikur shqiptarët të jenë të gjithë të shtruar në spital me sëmundje sysh e veshësh dhe me turbullira mendore të papara që nuk i lenë të masin progresin apo regresin e shëndetit të tyre. Pra sikur të kenë ardhur mjekët nga Perëndimi për të na matur temperaturën për të na bërë analizat e për të na thënë nëse jemi shëndoshë apo sëmuë dhe nga se vuajmë? Në fakt shqiptarët e dinë gjendjen e vetes, e shohin dhe kanë vlerësimet e tyre për këtë, por nuk ka institucione tek të cilët ata të besojnë se po shprehin të vërtetën që ata shohin me sy e dëgjojnë me veshë. Si ka mundësi që gjithë këto media që kemi – më shumë se në të gjithë Evropën po të llogaritet në raport me numrin e popullsisë – të mos arrijnë të na japin një gjykim të saktë? Sepse disa i ka blerë Edi Rama me pallate, disa i ka blerë Berisha me tendera - të thotë mileti, - prandaj nuk besohen. Po si ka mundësi që ne nuk kemi institucione të tjera të shoqërisë civile që të jenë të besueshëm? Sepse edhe ato janë të blerë apo thuajse inekzistent. Prandaj na ka mbetur vetëm raportet e BE apo fjala e ambasadorit amerikan. A nuk është kjo shenjë se nuk kemi bërë progres? Sipas meje po. Madje di të them se sot, sipas meje, ka regres në këtë drejtim sepse ka më pak se dje institucione të tilla të pavarura sepse dy partitë kryesore që janë të dyja në pushtet sot, dora dorës që e rrisin pushtetin e tyre, kanë ndërtuar një sistem të tillë korruptimi e klientelizmi kur o duhet t’i shërbesh njërës o tjetrës përndryshe ngordh për bukë – gjë që ishte bërë më pak e zhvilluar disa vite më parë kur intelektualët dhe OJQ e me rradhë jetonin shumë më të pavurur (fatkeqësisht në sajë të ndihmave të Perëndimit që sot ose nuk ekzistojnë më ose janë pakrahasimisht më të pakta sesa mundësitë që ka mafja politiko – ekonomike për të korruptuar).
Por ka edhe një shenjë tjetër që tregon se jo vetëm nuk kemi bërë progres, por ndoshta kemi bërë edhe regres. Një nga kriteret kryesore të matjes së progresi, sikurse besoj se mund të bijen dakort edhe evropainët, është ai që lidhet me atë se sa jemi pjekur si shoqëri si klasë politike gjithashtu. Dhe një nga shenjat e pjekurisë së klasës sonë politike është edhe mënyra se si reagojmë ndaj një raporti të tillë ku duket sheshit se ka edhe mjaft kritika. Po të lexosh raportin me kujdes do të vesh re se atje për shumë nga çështjet më problematike të vendit, si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve të drogës e prostitucionit, të ndotjes së ambjentit është përdorur togfjalëshi “limited progress”. Fjalë për fjalë ky do të përkthej “progres i kufizuar”, por më shqip duhet përkthyer “progres i pakët” apo “progres modest” siç përdoret në ndonjë paragraf tjetër. Për këdo që njeh gjuhën diplomtike është e qartë se këtu kemi të bëjmë me një mënyrë eufemike për të kritikuar, për të thënë se nuk jemi të kënaqur se kërkohet shumë më tepër. E këtu dua të ngulmoj se veçanërisht mazhoranca në pushtet, por edhe opozita, nëse do të gëzonin pjekurinë për të ciën bëj fjalë, do të duhej të reagonin ndaj këtyre vlerësimeve jo duke i injoruar ato, sikurse bën mazhoranca dhe as duke i mbitheksuar ato si kritika vetëm ndaj qeverisë siç bën opozita, por duke reflektuar mbi to, duke venë gishtin mbi përgjegjësitë vetiake, e duke falenderuar për to. Kush bën një punë dhe synon ta vazhdojë atë duke e përmirësuar kërkon të dijë se çfarë ka bërë mirë dhe çfarë keq në mënyrë që të korrigjojë veten. Kurse këta tanët kapen tek ndonjë fjalë e mirë për t’ua tundur atë si flamur fitoreje shqiptarëve apo tek ndonjë fjalë e keqe për ta përdorur si stërkëmbësh për kundërshtarin. Në këtë aspekt klasën e sotme politike e shoh jo më të pjekur, por gjithnjë e më të degraduar, sepse gjithnjë e më të paaftë për të dëgjuar kritikën, e prandaj me shpresa “modeste” për të na sjellë progres. (Korrieri, 11 Nëntor 2008)


Thursday, November 13, 2008

E gjora Ina Rama

Nuk e di çfarë kanë menduar shqiptarët duke ndjekur maratonën parlamentare të ditës së hënë me rastin e mocionit të PS ndaj kryeministrit Berisha për çështjen Fazlliç. Personalisht gjatë saj dhe veçanërisht në fund të saj më doli vetvetiu disa herë shprehja: “ E gjora Ina Rama”.
Pse e gjora? Sepse gjithë debati parlamentar pasqyroi rëndshëm dy elementët e një prese shtypëse: Njëri element është ai i ndërtuar nga gjithpushtetshmëria e politikës e cila, me një arrogancë të paparë, tregoi në Parlament se as nuk do t’ia dijë për pushtete të tilla si ai i gjyqësorit apo prokurorisë; elementi tjetër i presës është ai i gjithpërfshirjes së politikës në afera korruptive alla Fazlliç. Të dy këta elementë sëbashku krijojnë, pra, një presë shtypëse për çdo shpresë se Ina Rama mund të ketë kurajo të lëvizë ndershmërisht e me forcë për të vendosur autoritetin e drejtësisë në këtë vend. E vendosur midis këtyre dy shtypësve të presës ajo të duket si një pre në mes të nofullave të ujkut. Nëse mendojmë pak më thellë mbi këtë imazh duhet të pranojmë se reagimi “e gjora Ina Rama” të vjen kur me emrin e kësaj gruaja identifikojmë dëshirën tonë, apo shpresën tonë për drejtësi. Po ta përkthejmë atë shprehje, në fakt, do të ishte më saktë të thoshim se në gojë të ujkut është “e gjora drejtësi”.
Le të shpjegohem pak më konkretisht. Sikur të bëhej fjalë që në vendin tonë të funksiononte sadopak Ina Rama si personifikim i drejtësisë nuk mund të ndodhte ajo që ndodhi që Kryeministri, i thirrur për të dhënë shpjegime për një akuzë të caktuar, i injoroi fare këto duke mbajtur dy orë fjalim për sukseset e qeverisë së tij. Kryeministri në fakt fliste sikur Ina Rama dhe prokurorët e saj të mos ishin duke dëgjuar se çfarë po thoshte ai dhe të tijtë për çështjen Fazlliç. Dhe as sikur shqiptarët, të cilëve dita ditës u serviren prova që u ngrenë pikëpyetje serioze në favor të akuzës se anija e mbrojtjes së qeverisë ka shumë vrima që fusin ujë, të prisnin një përgjigje.
Ta do mendja se sikur Kryeministri dhe të tijtë të kishin frikë nga autoriteti i Ina Ramës dhe i drejtësisë, apo edhe nga opinioni publik, do të përdornin tjetër gjuhë në Parlament. Psh. mund të jepnin një numër shpjegimesh dhe saktësimesh dhe ta mbaronin fjalën duke thënë se çështja është në hetim dhe ne kemi besim se drejtësia do të na japë të drejtë. Por në vend të kësaj, pas mbarimit të fjalimit, për çdo deputet të opozitës që e sulmonte, Kryeministri kishte gati në gojë një dosje që ia përmendte për t’i thënë “mbylle!”. Për hir të së vërtetës ato që thotë Kryeministri për opozitarët duken po aq të besueshme sa ç’duken akuzat Gërdec apo Fazlliç për mazhorancën. Ne nuk e dimë nëse dosjet që përmendte Kryeministri janë në Prokurori sëbashku me atë të Grdecit e Fazlliçit, por edhe sikur të mos jenë Prokuroria, pas asaj që u tha e që është thënë në fakt shpesh herë, duhet të marrë masa për të hapur procese – sepse nuk bëhet fjalë për fyerje dosido apo ku di unë, por për lidhje të socialistëve me ata që mund të quhen koka e krimit në vend.
Dhe këtu vijmë përpara situatës dramatike për prokuroren Rama. Problemi është se po të jesh sadopak realist, të kërkosh që ajo vërtet të hetojë me vendomëri e deri në fund akuzat e ndërsjellta të këtyre dy palëve është njëlloj sikur t’i kërkosh të bëjë jo Silvia Contin, por sherifin kaubojs në ato filmat surrogato të Hollivudit ku protagonisti vret me qindra të këqij pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. Mirëpo jeta reale është shumë larg asaj të filmave aventuresko romantikë të sherifave kaubojsë të Hollivudit.
Ka që thonë se ajo ka mbështetjen e Presidentit apo të amerikanëve. Nuk besoj se qoftë Presidenti qoftë amerikanët të kenë kaq fuqi të zhbëjnë fuqinë e presës së pandëshkueshmërisë që e ushtron pushtetin e vet nëpërmjet luftës pa fund politike të deputetëve tanë. Edhe ata nuk dalin dot nga akuzat se po bëjnë politikë, jo drejtësi. Këtë dhunim apo përdorim që i bën politika drejtësisë e provon edhe fakti se sa shpejt shpëlahen akuzat për korrupsion kur politikanët tanë tërhiqen nga skena apo thjesht kur dalin nga politika apo bëjnë opozitë të parrezikshme. Rastet janë pa fund. Mjafton të më lëshosh rrugën dhe unë nuk të akuzoj më për ato që ke vjedhur deri dje. Madje lexuesi besoj se e kujton se ne kemi nga ata politikanë që, pasi kanë ardhur në pushtet, nuk kanë ngulmuar as të gjinden e dënohen banditët që kanë vepruar dhunshëm kundër tyre duke i rrahur apo plagosur rëndë. Në fakt do të duhet të ishte Prokuroria ajo që do të duhej të kishte vepruar edhe për të zbuluar ata dhe për t’i dënuar sepse kjo nuk është një çështje thjesht personale, as thjesht politike, por një nevojë e shoqërisë për të parë se drejtësia funksionon, për t’i parë, pra, njerëzit e rrezikshm apo kriminelët në bangot e drejtësisë. Kurse ata edhe rrahjen e tyrr e kanë përdorur dhe përdorin thjeshtë e vetëm për politikë. Nga ana tjetër Prokuroria e tredhur nga politika apo e përdorur prej saj as që e ka vënë ujin në zjarr për të hetuar ato krime duke na transmetuar ndjenjën se në “lagjen” tonë ne jemi të detyruar të pësojmë luftën midis dy bandave dhe se e vetmja gjë që mund të bëjmë është të rrimë urtë që të mos hamë ndonjë dajak apo ndonjë plumb bythëve.
Është e qartë se pas përshkrimit të kësaj situate njerëzit të thonë: këtë e dimë po a mund të na thuash ndonjë gjë se si të dalim prej këndej? Ka të tjerë, madje, që të bëjnë një pyetje edhe më “të lehtë”: këtë e dimë, po pyetja shtrohet nëse gjithsesi, gjatë këtyre tre vjetëve të Berishës kemi bërë ndonjë përparim për tua ngushtuar mundësinë e abuzimit me krimin këtyre bandave, apo kemi bërë prapa? Përgjigja që mund të jepja për pyetjen e dytë është se sëmundja është aty, e pashëruar. Ajo herë herë rëndohet në krizat e veta herë herë duket sikur lehtësohet. Por mbetet kronike dhe e pashëruar në trupin e shoqërisë. Herë herë duket sikur presioni për t’i futur në hullinë e ligjit këto banda është më i madh se ç’ka qenë kurse herë herë të duket se pandëshkueshnmëria e zgjatur e banditëve tanë ka rritur zullumin e bashkë me të perceptimin se sa më shumë rrinë në pushtet aq më të paprekshëm e më të rrezikshëm bëhen këta. Kjo të çon në pyetjen e parë: se çfarë mund të bëhet që në “lagjen” tonë të mos jetojmë më nën kërcënimin e luftës midis dy bandave dhe nën mëshirën e humorit të kapove të tyre? A duhet të presim që ata të emancipohen në brezin e dytë, të fëmijëve të tyre,të cilët të pasuruar tashmë e të shkolluar në Perëndim do të jenë më të edukuar me komshijtë, apo duhet të rrisim rezistencën e revoltën kundër tyre? Personalisht di të them se kush pret mëshirë nga fëmijët e tyre do të presë siç priti gjysëm shekulli që nga komunizmi t’i shpëtojnë të tjerët. (Korrieri, 6 Nëntor 2008)


Tuesday, November 4, 2008

Të keqen e Fazlliçit, po vijnë berluskonianët

Para disa ditësh kryeministri Berisha inauguroi me pompë fillimin e punimeve në Lezhë të ndërtimit të një fabrike çimentoje (investim italianësh), që, sipas lajmit, do të prodhojë 3000 ton çimento në ditë dhe do të krijojë dyqind vende pune. Janë gjashtë fabrika të tilla të planifikuara që do të prodhojnë çimento gjashtë herë më shumë sesa nevojat e vendit, kryesisht për jashtë. Menjëherë të vjen të ngresh pyetjen: si ka mundësi që për 200 vende pune (nëse janë kaq sepse dyshoj shumë për këtë) do të shkatërrohet për 200 vjet natyra përreth vendeve ku do të ngrihen këto fabrika pa llogaritur gjirin e Shëngjinit që do të kthehet në një depo çimentoje dhe pa llogaritur sasirat e ndotjes që do të prodhojë në gjithë qiellin e bregdetit shqiptar kjo industri e paparë për nga dëmi ekologjik? Si ka mundësi që për 200 vende pune pylli i Krastës, që deri dje ishte i mbrojtur si pyll, të kthehet me dekret qeveritar në mal të thjeshtë shkëmbor që mund të grryhet për tu kthyer në pluhur çimentoje?
Përfytyroni 1200 gjynahqarë që punojnë për 150 - 200 euro në muaj për të helmuar ambjentin rrotull shtëpive të tyre. Si ka mundësi që në vend se të ndërtojmë politika që shqiptarët të punojnë tokën e tyre e tu lenë fëmijve të tyre një Shqipëri të gjelbër e të lulëzuar i çojmë ata të punojnë për t’u lenë fëmijëve të tyre gërmadhe si ajo e Metalurgjikut e Superfosfatit, e Aztikut, e Sodës kaustike e me rradhë? Nëse është fjala për të punësuar shqiptarë të papunë dhe për të kthyer shqiptarët nga emigracion a nuk është më mirë që këta të qëndrojnë në emigracion sesa të vijnë të punojnë për 150 euro për të prishur shtëpinë e tyre të madhe, Shqipërinë e të ardhmen e fëmijëve të tyre? Fabrikat e çiomentos vetëm se do t’i bëjnë ata dhe mijët e tyre të ikin edhe më shumë. Qoftë edhe sepse do të sëmuren edhe më shumë nga pluhuri i çimentos dhe do të kenë nevojë edhe më shumë për spitalet e huaja.
Si ka mundësi që këto gjëra kaq të thjeshta nuk mendohen? Si ka mundësi?... kjo pyetje retorike e ka tashmë përgjigjen e vet. Është e kotë ta zgjasim. Kush e do mund ta gjejë në fjalimet e Berishës kur ishte në opozitë dhe denonconte Nanon e të tijtë për Petroliferën e me rradhë.
“Si ka mundësi”- të që mund të shtojmë me trishtim në krahasim me tre vjet më parë janë dy të tjera sipas meje.
E para: si ka mundësi si që opozita është kaq inekzistente në denoncimin e projekteve të tilla ndërkohë që shpenzon energji pa fund për të hulumtuar raportin e një personi si Damir Fazlliçi me kryeministrin? Si ka mundësi që nuk shpenzohet thuajse asnjë fije energji mediatike opozitare për të hulumtuar e denoncuar korrupsionin apo pazaret politike që qëndrojnë prapa këtyre projekteve? Si ka mundësi që nuk u kuptoka se dëmi i Fazlliçit në krahasim me dëmin që mund të sjellë realizimi i këtyre projekteve është si dëmi që i bën çpimi me një gjilpërë trupit në krahasim me dëmin që shkakton një kancer në mushkëri? Sigurisht kjo që po ndodh nuk do të mund të ndodhte sikur banorët e Lezhës të kishin kulturë tjetër e të mos ndërtonin ato pallatet e tmerrshme të shëmtuar në breg të detit të tyre. Sigurisht projekti për të ngritur një TEC me qymyr në Durrës (gjithmonë nga e për italianët) nuk do të mund të ndodhte sikur durrsakët të kishin tjetër vlerësim për qytetin e tyre dhe për plazhin e natyrën përreth tyre. Në këtë kuptim këta politikanë nuk janë tjetër veçse pasqyra e popullit që qeverisin. Por kjo nuk çështë plotësisht e vërtetë. Para disa javësh mora pjesë në një debat në emisionin Opinion të Fevziut pikërisht lidhur me këtë temë. Gjatë emisionit iu kërkua spektatorëve të votonin me sms nëse ishin dakort apo jo për ndërtimin e këtyre ekomonstrave të cilëve u kanë venë një emër të njohur të ekonomisë socialiste: “parqe industriale”. Shumica e votuesve, mbi 60%, rezultoi se ishin kundër. Pra këtu s’kemi të bëjmë as me një popullatë të mbetur në terrin e kulturës së kultit të hekurit e çimentos si simbole të zhvillimit e modernitetit. Megjithatë opozita e Edi Ramës dhe Ilir Metës nuk u pa ta zinte meraku edhe pas atij votimi. Si ka mundësi? Me siguri ndonjë fabrikë çimentoje do të punojë edhe për ta.
“Si ka mundësi” – ja e dytë lidhet me italianët. Në katrahurën shqiptare të postkomunizmit Perëndimi ka qenë një shpresë e madhe ndihme dhe emancipimi. Shqiptarët i janë lutur Perëndimit të ndërhynte deri edhe me ushtri për t’i shpëtuar nga politikanët e vet. Përpara një klase politike jo vetëm të papërgjegjëshme, por edhe të babëzitur, por edhe injorante e pa aftësi për të dëgjuar zërat kritikë brenda vendit, perëndimorët kanë qenë shpresa së do të ndikonin për të na treguar rrugën e mirë. Kjo edhe përsa i përket masakrave ekologjike që kjo klasë politike po i shkakton vendit. Por kur sheh se edhe perëndimorët, në bashkëpunim me këtë klasë politike, vijnë e na e përdorin vendin si koshin plehërave të tyre apo për të bërë atë që nuk e bëjnë në shtëpinë e tyre atëhere ku mbetet shpresa?
Nëse shtron pyetjen se pse këta italianët nuk i ndërtojnë këto fabrika çimentoje në vendin e tyre po shpenzojnë kaq shumë për transportin nëpër Adriatik e më the të thashë përgjigja që të thonë është se ata vetëm për këtë punë mund të vijnë këtu sepse është e lirë krahu i punës. Përse tjetër do të vinin në këtë plehër vend? – të duket sikur duan të thonë me përçmim për vendin e tyre vetë politikanët tanë. Sepse ata, me formimin estetik të peisazheve industriale të socrealizmit që kanë, nuk janë në gjendje ta shohin se Shqipëria është e bukur, shumë e bukur; fatkeqësish vetëm atje ku nuk kanë vënë dorë e këmbë shqiptarët si ata.
Por le të kthehemi tek italianët. Së pari duhet sqaruar se ata nuk vijnë të ngrenë këtu fabrika çimentoje dhe TECe me qymyr për krahun e lirë të punës, por sepse atje, në vendin e tyre, nuk i lejon popullata lokale të bëjnë ekomonstra të tilla. Por edhe sepse janë të detyruar të paguajnë gjoba të mëdha pasi nivelin e CO2 e të ndotjes në përgjithësi e kanë më të lartë sesa normat e lejuar evropiane. Ja pse vijnë këtu. Ngase shohin se ne nuk kemi pikë respekti për veten.
Por edhe më e shëmtuar bëhet kjo histori kur këto projekte monstrash ekologjikë shoqërohen me premtime si ato të ministrit të jashtëm Fratini për viza e për qarkullim të lirë e me deklarata përshëndetëse për punët e mira të qeverisë. Të keqen e Fazlliçit i thonë kësaj, po vijnë shokët e Berluskonit. (Korrieri, 30 tetor 2008)