Punët janë pleksur keq”, – ishte përgjigjja që i dhashë kalimthi një personi që më pyeti në rrugë për zhvillimet e fundit. E pashë që mbeti i pakënaqur, pasi ai, me dy fjalë, donte t’ia prisja shkurt se “cili do të fitojë?”. E futa menjëherë në kategorinë e militantëve. Ndërkaq, njoh shumë që janë vërtet të shqetësuar përtej këtij meraku, sepse ngjarjet janë të mbarsura me tension e të papritura. Në fakt, këto ngjarje janë si një nyje gordiane ku, paradoksalisht, pas çdo prerjeje shkurt riprodhohet një nyje edhe më e ndërlikuar. Prandaj, sipas meje, duhet një zgjidhje më e sofistikuar se sa rënia me sëpatë. Kjo zgjidhje për mua kërkon dy humbës “të mëdhenj” në krahun e partive politike ndaj disa fituesve “të vegjël”, që duhet të jenë institucionet, shoqëria dhe politikanë më të urtë në këtë shoqëri. Edhe pse nuk besoj të ndodhë kështu, le ta shtjelloj arsyetimin e kësaj zgjidhjeje.Dalja e prokurores së Përgjithshme në konferencë për shtyp duke pasur në krah ambasadorin amerikan për të bërë të njohur se një gjeneral i shtetit paska shtirë më 21 janar 2011 me dorën e vet kundër turmës, ka vrarë një person dhe se pastaj ka falsifikuar provat e se, po ashtu, janë zhdukur gjurmët e filmimeve në serverët e Kryeministrisë, është një skandal i frikshëm që, nëse nuk na trondit aq shumë, kjo ndodh vetëm pasi jetojmë në një vend skandaloz. Por, megjithatë, kjo është e rëndë, shumë e rëndë, aq sa do të duhej të shkaktonte dorëheqje deri në rënien e qeverisë edhe në një vend skandaloz. Mosndodhja e një gjëje të tillë është tregues tejet negativ për zhvillimet e demokracisë shqiptare me rreziqe të reja në të ardhmen.Konferenca për shtyp e kryeprokurores u dha të drejtë atyre zërave, sipas të cilëve, sulmi i nisur nëpërmjet videokasetave skandaloze të Priftit, të paraqitura në Klan disa ditë më parë nga Spartak Braho i LSI-së dhe i vazhduar në “Rilindja Demokratike”, kishin për shënjestër kryeprokuroren dhe institucionin e saj, si parapërgatitje për mbrojtje ndaj “sulmit” me arrestime që do të vinte nga Prokuroria pas ekspertizave nga FBI-ja. Mesazhi vetëmbrojtës i maxhorancës ishte se kryeprokurorja është palë me opozitën që kërkon ta rrëzojë nga pushteti. Për këtë arsye ajo procedon vetëm njerëzit e maxhorancës dhe nuk procedon kundërshtarët e saj, si të korruptuarin Prifti apo organizatorët e sulmit të 21 janarit, madje se ekzistojnë prova se ajo ka vepruar e vepron kështu jo thjesht e vetëm për afeksion ndaj opozitës dhe as pse, duke filluar nga skandali i Gërdecit, filloi të sulmohet nga maxhoranca që e zgjodhi, por edhe pse është paguar me shuma të majme. Pra, kryeprokurorja është edhe pjesë e puçit, edhe e korruptuar, e, duke qenë e tillë, s’ka se si të hetojë organizatorët e puçit. Në këto kushte, për maxhorancën, institucioni i Prokurorisë është i delegjitimuar deri në krim. Sikur të mos ishin amerikanët, ose më mirë të themi sikur Shqipëria të ishte e izoluar nga bota, siç ka qenë në kohën e Enver Hoxhës, ky “film” do të mbaronte me një arrestim të kryeprokurores, të Presidentit dhe të krerëve të opozitës si puçistë dhe në vend të tyre do të viheshin kukulla të bindura duke kaluar në një regjim të plotë autoritar. Mirëpo ja që ato kohë të arta për diktatorët nuk kthehen dot më. Këtë e di edhe Sali Berisha, prandaj dhe hedh deklarata me dy kuptime: edhe se ka respekt për pavarësinë e Drejtësisë shqiptare (veçanërisht kur ajo merr vendime në favor të tij), edhe se kryeprokurorja është puçiste dhe se për të bërë drejtësinë duhet një prokuror tjetër. Në fakt, edhe ai e di se ky hibridi monstruoz i diktaturës me demokracinë dhe krimin që kemi pjellë ne nuk është sistemi i arrestimit të njerëzve, por i blerjes dhe i korruptimit të tyre. Prandaj, me sa duket, në ëndrrën e PD-së për gjithëpushtetshmëri dhe paprekshmëri planet janë që, me hir ose me pahir, të lahen hesapet me disa pengesa si Presidenti, kryeprokurorja, duke respektuar disi fasadën demokratike e duke u mbrojtur, ndërkaq, fort nëpërmjet akuzave ndaj palës tjetër si shkaktarët e vërtetë të 21 janarit, të vazhdohet në rrugën e kapjes së mëtejshme të institucioneve dhe të bizneseve.Sipas gjykimit tim, në këto momente, opozitarët, me në krye Ramën, edhe pse të shqetësuar për marrjen nën hetim të tre deputetëve të tyre si organizatorë të protestave të dhunshme, ndjehen më të fortë se maxhoranca. Me gjithë vështirësitë që u kanë dalë me provokimin skandaloz të 21 janarit e mund t’u dalin me videot e Priftit, skenari i tyre duket se ka funksionuar në favor të tyre jo aq për zgjuarsinë me të cilën u ndërtua, sesa për shkak të budallallëkut më të madh të Berishës me shokë që vranë njerëz. Ata bij k… që u thanë se, nëse doni ta bëni Sali Berishën t’i ikë truri e të bëjë gafa çojini njerëz t’i bëjnë shurrën në prag të Kryeministrisë, kishin pasur të drejtë. Ai e hëngri karremin. I vrau katër. Dhe ka një diferencë të pamohueshme, jo vetëm morale, por edhe ligjore, midis atyre që nxisin disa njerëz të shkojnë në protesta të dhunshme për të provokuar dhunë dhe atyre që, si kundërpërgjigje, i vrasin ata. Në fakt, sikur Berisha t’i kishte lënë të hynin e të thyenin ca xhama të katit të parë, krimi do të peshonte nga ana e opozitës dhe Edi Rama me shokë, edhe nëse nuk do të përgjigjej përpara ligjit, siç nuk u përgjigj Berisha kur organizoi “puçin” e ‘98-s, do ta shihte me dylbi pas asaj dite Kryeministrinë. Mirëpo historia nuk bëhet me “sikur”. Me ndihmën e Berishës duket se opozita po i bind gjithnjë e më shumë të huajt e fuqishëm, që para një viti nuk e hëngrën skenarin, se demonstruesit ishin tejet të zemëruar me videon e Ilir Metës, se abuzimi me pushtetin i njerëzve të tij ka arritur nivele të papranueshme. Katër të vrarët, fshehja e krimit deri me akuzat se i kanë vrarë vetë opozitarët, e pastaj pengimi i hetimeve duke akuzuar Presidentin dhe kryeprokuroren se janë pjesë e komplotit, e kanë lëvizur balancën e rrezikshmërisë nga ana e maxhorancës. Megjithatë, shqiptarët, që i njohin edhe më mirë se të huajt aktorët në skenë, e dinë se kjo që po ndodh është një maskaradë e fëlliqtë në të cilën opozita ka rolin e vet tejet aktiv, e prandaj rezervohen t’i japin asaj besimin dhe mbështetjen pa rezerva që kërkon. Ashtu sikurse nuk besojnë që Sali Berisha s’ka përgjegjësi për këto vrasje dhe fshehje krimi, ashtu dhe nuk besojnë në lotët e krokodilit që derdh Edi Rama në bulevard për viktimat, pasi ata njerëz u nisën qëllimisht në kasaphanë.Në fakt, njerëzit e dinë shumë mirë se kjo është një lojë e egër për pushtet që i ka sakrifikuar e i sakrifikon ata pa mëshirë, e se prandaj, nëse do të kërkonim zgjidhjen me drejtësi gjithëpërfshirëse dhe të pavarur nga politika të shumë bëmave që ajo ka gjeneruar, sot shumica e emrave që shohim në krye të politikës sonë nuk do të ishin në krye të institucioneve, por në burg. Njerëzit, po ashtu, e dinë mirë se bashkëpërgjegjës për këto bëma nuk janë thjesht politikanët e korruptuar, por edhe shumë nga ata korruptuesit që përmenden nëpër tryezat ku ndahen paret, si ajo e Priftit, që japin aq e kaq milionë për t’ua kryer këtë apo atë punë. Njerëzit e dinë mirë se kemi të bëjmë me një sistem të kalbëzuar moralisht dhe ligjërisht që, si i tillë, s’mund të pjellë veçse politika kriminale që pastaj çojnë deri në skenarë me vrasje ku viktima janë gjithnjë ata, ndërkohë që politikanët, gjithsesi, ndajnë paret kush më shumë dhe kush më pak. Prandaj dhe kërkojnë zgjidhje përtej fitores së njërës apo tjetrës bandë.Por le të ndalemi te zgjidhjet e mundshme të nyjës gordiane të zhvillimeve të fundit. Opozita i thotë Prokurorisë: hetime të plota deri te Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Maxhoranca i thotë: hetime të plota deri te Edi Rama. Të dyja palët sikur e dinë që kjo s’mund të bëhet, prandaj e thonë këtë. Në fakt, duken kërkesa maksimaliste, të parealizueshme, por, po t’i bashkosh të dyja duke iu referuar edhe argumenteve që shpalosin palët kundër njëra-tjetrës, mund të gjesh zgjidhjen ideale të problemeve që na mundojnë me këtë klasë politike. Të dyja palët kanë të drejtë në mjaft nga akuzat që bëjnë ndaj tjetrit. Zgjidhja ideale do të ishte që më një anë të dënohen vrasësit e 21 janarit dhe zhdukësit e provave e, më anë tjetër, të mos shpërblehen provokatorët e asaj ngjarjeje, sepse, tek e fundit, ajo që ka bërë Berisha është diçka si vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, çka assesi nuk e shfajëson agresorin, i cili ka kryer sulmin provokues. Pra, Berisha me shokë të proceduar, Rama me shokë jashtë politikës. Ja kjo do të ishte idealja. E po të ndodhte kjo, do të kishim një dobësim të partive politike, që prej kohësh sillen si banda apo si kartelet meksikane të drogës, dhe një forcim të institucioneve të tilla si Prokuroria apo Gjyqësori.Por, ka pak gjasa që kjo mund të ndodhë. Hetimet s’mund të jenë as gjithëpërfshirëse dhe as të pavarura nga politika, pasi, që të ndodhte kjo, do të duhej që Shqipëria të ndihmohej jo vetëm me ekspertë vjaskash plumbi të FBI-së, por edhe me prokurorë e gjyqtarë të sjellë nga SHBA apo Europa. Shkurt, do të duhej të qeverisej nga Arvizuja apo Trojka. Por, që të ndodhte kjo, më së pari do të duhej të ndërronte Kushtetutën e të bëhej shtet i 51-të i SHBA p.sh., apo provincë e ndonjë shteti europian. Dikush do ta shtynte edhe më larg ironinë, duke thënë se do të duhej të kishim edhe një popull tjetër që të mos nxirrte në krye mujsharët e të dhunshmit, por njerëzit e urtë. Por, le ta lëmë mënjanë ironinë. Në mungesë të këtyre ndryshimeve kushtetuese e kulturore, ne na duhet të kërkojmë të mundshmen. Dhe kur flitet për të mundshmen, ajo mund të jetë dy llojesh; një e mundshme e mbrapshtë, siç ndodh rëndom në Shqipëri, dhe një e mundshme më e mbarë. E mbrapshta, që ka më shumë gjasa të realizohet, është “shdramatizimi” i situatës duke mbajtur për ca kohë në burg apo në arrest shtëpiak derisa të skadojnë afatet e procedimit disa nga emrat e lakuar (pak a shumë të veprojmë në stilin e Gërdecit apo edhe të procesit Meta) dhe ndërkaq të përqendrojmë forcat tona te fasada: integrimi europian, reforma zgjedhore, e cila është shumë, po shumë, shumë e rëndësishme për të ardhmen demokratike të vendit. Pastaj ndoshta të zgjedhim edhe Nanon President dhe t’i vëmë kapakun edhe një herë tenxheres deri në një vlim të radhës.E mundshmja më e mbarë është që, në pamundësi të hetimit gjithëpërfshirës e të papolitizuar, t’i bëjmë presion Prokurorisë e gjykatave (për shkak të dobësisë së tyre të skajshme edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve), që të bëjnë sa më shumë transparencë mbi këtë krim e krime të tjera të lidhur me të, çka, po qe se do të bëhej jo me mendimin për t’i shërbyer një pale, por drejtësisë, ndoshta do të shpejtonim sadokudo largimin nga skena të kësaj klase politike tejet të delegjitimuar. (Panorama, 28 janar 2011)
Saturday, January 28, 2012
Në pamundësi të hetimit gjithëpërfshirës
Wednesday, January 25, 2012
Heroi, shoqëria dhe historia
Një nga mitet më të bukura të lashtësisë është ai që tregon se si njerëzit, në krye të herës, jetonin në trajtën e një bashkësie të pandashme, por që ishte e përjetshme. Të mërzitur nga jeta në këtë nebulozë, ata u kërkuan zotave t’i zgjidhnin nga njëri-tjetri e të bëheshin individë. Zotat pranuan, por me një kusht: si individë, nuk do të ishin më të përjetshëm, por vdekatarë.Nuk kam lexuar mit që ta shprehë kaq sintetikisht sa ky kondicionin tragjik që e ka shoqëruar njeriun në shekuj: nevojën… e tij për përkatësi në një bashkësi më një anë, por edhe nevojën e tij për liri individuale më anë tjetër, qenien e tij vdekatar dhe aspiratën e tij për të mos vdekur kurrë.Duke dashur ta zgjidhë këtë kontradiktë, individi vdekatar jo vetëm nuk i ka shkëputur lidhjet me vdekatarët e tjerë, por ka tentuar të “kthehet” gjithnjë te “nebuloza” e origjinës duke i dhënë jetës një kuptim pikërisht nëpërmjet saj. Në çdo fe, në një formë apo në një tjetër, do të gjesh ruajtjen e lidhjes së njeriut me të tjerët dhe dhënien kuptim jetës në trajtën e kthimit te parajsa e humbur e bashkësisë. Kjo ka pasur si faqe tragjike dhunën që ka pësuar individi vdekatar kur u është kundërvënë “normave” të kësaj bashkësie. Kur njeriu filloi të mos besojë më te Zoti dhe te bota e përtejme si kuptim i jetës së tij, ai e kërkoi, gjithsesi, përjetësinë/parajsën nëpërmjet përkatësisë në bashkësi. E kërkoi te teleologjitë e ndryshme që e bënin atë instrument të një fati historik të determinuar: ingranazh të fatit të kombit të cilit i përkiste, te ndërtimi i komunizmit, te industrializimi dhe shkencizmi, sipas të cilave ai do ta transformonte botën ashtu që ajo të bëhej e gjitha në funksion të tij – finalitete që më mirë se kushdo ndoshta i ka shprehur Hegeli kur shkruan për realizimin e Idesë Absolute. Kur zbuloi se edhe këto ishin metanarrativa zëvendësuese të Zotit, të mbushura me plot gabime që i sollën aq tragjedi, ai u ndie “i braktisur”. Zbuloi kështu, së bashku me Niçen, nihilizmin. Zbuloi edhe absurdin. Por zbuloi edhe vullnetin për pushtet, edhe heroizmin e arsyes, edhe se qe vetë zot i vendimeve të veta pasi të ardhmen nuk ia kishte determinuar asnjë zot dhe asnjë projekt përtej tij, se esenca e tij qe ekzistenca e tij, se ishte një “projekt i hedhur” në një kohë e hapësirë të caktuar, siç do të thoshte Heidegeri. Por edhe këto nuk e bënë të reshtë së përjetuari, pa e zgjidhur, kontradiktën e qenies së tij individuale dhe shoqërore njëherësh. Ai po e përjeton këtë kontradiktë edhe sot, kur, pas triumfit të liberizmit sipas thënies së Theçerit: “Nuk ekziston shoqëria, ekziston vetëm individi”, e sheh veten të zhytur në një krizë të thellë shpirtërore dhe ekonomike.
* * *
Kur flasim për kuptimin e jetës së njeriut në bashkësi nuk mund të mos dalim te figura e heroit, pasi nga pikëpamja shoqërore, koncepti i heroit është i pandashëm nga koncepti i bashkësisë.Duke iu referuar historisë, do të vëmë re se bashkësia e lind vetëdijen e saj nëpërmjet heroit/heronjve, e se, më pas, nëpërmjet përkujtimit të tyre, ajo kërkon të sigurojë vazhdimësinë e saj duke riprodhuar vetveten nëpërmjet vlerave që ata simbolizojnë. Për një kohë të gjatë forcat kryesore të ngjizjes, por edhe të konservimit të shoqërive, kanë qenë fetë. Ato e kanë kryer këtë funksion nëpërmjet figurash heroike që, pasi janë bërë mitike nëpërmjet akteve të tyre themeluese, kanë shërbyer për të ilustruar parimet morale dhe shoqërore që e kanë ndihmuar këtë bashkësi të formojë një konceptim të përbashkët të gjërave. Këta heronj, zota si Krishti a profetë si Muhameti, janë bërë “e shenjta që shumë shpirtra bashkon”, siç thotë Gëtja, të paprekshëm deri në atë pikë, sa duket sikur po u prekën ata, shoqëria rrezikon të shpërbëhet.Pra, nëse do të hulumtojmë aspektin e konservimit të shoqërisë do të vëmë re se, që të mbijetojë, shoqëria duhet të ketë mjete me të cilat të indoktrinojë pjesëtarët e saj brenda sistemit të saj të vlerave dhe të moralit të saj dhe se heronjtë luajnë një rol të rëndësishëm për këtë. Mirëpo, ndërkaq, historia tregon se kohë të reja kanë nxjerrë në skenë heronj të rinj. Për shembull, nëse do t’i referohemi periudhës së lëvizjeve nacionaliste të ndërtimit të shteteve kombe, që është e lidhur direkt me temën tonë, kur njerëzit filluan të bashkohen rreth disa vlerave që përçonin veçantinë e tyre kulturore, si gjuha e zakonet e përbashkëta apo edhe territori i përbashkët, heronjtë fetarë u zëvendësuan me heronjtë e kombit. Si ta shpjegojmë këtë? Hegeli, i cili është ndoshta filozofi më i rëndësishëm që është marrë me dialektikën e fateve të bashkësive në histori dhe rolin e individëve në to, u jep dy role individëve të një bashkësie: roli i parë është ai i atyre që ruajnë shpirtin e popullit në të cilin jetojnë nëpërmjet ruajtjes së zakoneve, forcimit të institucioneve. Por janë edhe ata individë, që, sipas Hegelit, kanë një rol inovacioni, përparimi. Ai i quan këta individë “historiko-universalë” ose më thjesht, “heronj”. Sipas tij, këta e kapërcejnë frymën e popullit në të cilin jetojnë sepse në ta “banon” “fryma e botës” në format që janë për t’u realizuar në të ardhmen e që fryma e vjetër e popullit nuk është në gjendje t’i realizojë. Individë të tillë i japin dërrmën një konteksti historik në të cilin jetojnë, duke bërë të lindë një tjetër “frymë e kohës”. I tillë për Hegelin ishte Napoleoni p.sh., që shkatërroi zakone e institucione që mishëronin historicitetin konkret të një kohe për të ndërtuar një tjetër botë historike. Këta individë ai i sheh si instrumente të realizimit historik të Absolutes, të cilëve forca u vjen prej kësaj, madje edhe pa qenë të vetëdijshëm për këtë rol. Hegeli bën një dallim midis heroit dhe aventurierit pikërisht në atë se ndërsa te heroi, sipas tij, kemi përputhjen e objektivave personale me ato të frymës universale, te aventurieri, i cili edhe ai mund të jetë i pakënaqur nga jeta ekzistuese, këto nuk përputhen.Metanarrativa e Hegelit e realizimit të Absolutes si një kontinuitet në progres nëpërmjet dialektikës sot nuk mund të merret kurrsesi ad literam. Ideologjitë dhe projektet politike që u mbështetën tek ajo, duke pretenduar se kishin gjetur rrugën se për nga do të ecte Absolutja, duke e përshpejtuar dialektikën hegeliane nëpërmjet revolucioneve, çuan në totalitarizmat e në tragjeditë e shekullit XX. Përvojat e nacionalizmit, ashtu sikurse edhe ato të komunizmit, të mbushur me heronj të rinj që do të ndërtonin një botë të re superiore ndaj asaj së vjetrës, janë ilustrueset më të mira të këtij konceptimi hegelian të heroit si instrument ideologjik. Në termat hegeliane mund të thuhet se heronjtë e nacionalizmit e të komunizmit ose mbaruan misionin që u kishte caktuar Fryma, ose dolën aventurierë të rrezikshëm. Në termat e kritikës së hegelianizmit mund të thuhet se besimi në një metanarrativë teleologjike dhe heronjtë e saj është i gabuar dhe se ky gabim mund të na kushtojë shumë shtrenjtë. Por, nuk mund të mohohet se shumë kategori të Hegelit kanë lindur nga studimi i tij i historisë dhe se, pa i besuar metanarrativës së tij, pra pa besuar në finalitetin e ecjes së historisë, prandaj dhe as në një vazhdimësi të pandërprerë të saj e të progresit, nuk mund të mos reflektojmë, megjithatë, për faktin se njerëzimi ecën nëpërmjet frymëzimesh, arritjesh e gabimesh, ku dy të parët i japin shtysën vullnetit të tij, kurse gabimet e ndihmojnë të mos i përsërisë më ato, çka, tek e fundit, bën që periudha të ndryshme historike të karakterizohen nga “fryma kohe” të ndryshme të ndërtuara mbi sisteme vlerash të ndryshme, që ne i quajmë më të përparuara e më të prapambetura në raport me disa vlera që i kemi përcaktuar si primare, siç janë p.sh. liria dhe demokracia, e se, po ashtu, këto mishërohen nga heronj të ndryshëm që i ndërtojnë e që pastaj i mishërojnë këto vlera.
* * *
Le të hyj tani më konkretisht në argumentimin e asaj se pse nuk pajtohem me adhurimin e heronjve të nacionalizmës dhe pse nuk emocionohem kur dëgjoj Himnin tonë të Flamurit, ashtu sikurse edhe himnet e tjera kombëtare, siç kam deklaruar së fundi, duke shkaktuar indinjatën e shumë shqiptarëve që ndjehen nacionalistë apo patriotë.Sipas meje, njëri nga aspektet negative të heroit në aspektin shoqëror është roli i tij në shpërhapjen e disa vlerave dhe në ngurtësimin e tyre. Nëse do të shohim heronjtë e nacionalizmës, do të vëmë re se ata përgjithësisht janë ndërtuar (them “janë ndërtuar” sepse jeta e tyre reale ndryshon shumë nga konstruksioni i tyre si mite) si luftëtarë që shpesh u është dashur të luftojnë e të vrasin për të zgjidhur problemet e bashkësisë së tyre, duke reflektuar, kësisoj, një histori të dhunshme të shoqërive të tyre. Po ashtu do të vëmë re se ata reflektojnë vlerat/interesat e grupeve dominante të këtyre shoqërive. Nëpërmjet mburrjes së forcës së heronjve, që u kanë sjellë pavarësinë ndaj një sunduesi apo arritjen e rezultateve të mëdha, shpesh këto grupe dominante justifikojnë krimet e tyre kundër të tjerëve. Heroi nacionalist në këtë kontekst është ndërtues i kulturës nacionaliste si instrument i dominimit të klasave apo etnive të veçanta të një shoqërie që implikon edhe nënshtrimin e të tjerëve ndaj këtyre klasave dhe kësaj kulture. Sikur të mos ishin gatuar me kultin e heronjve të kësaj kulture, njerëzit nuk do të kishin bërë kurrë luftëra të tilla tragjike si Lufta e Parë apo e Dytë Botërore, apo gjëma të tilla si Holokausti. Por, edhe në nivele më pak tragjike sesa luftërat dhe Holokausti do të vëmë re se historia e nacionalizmave është histori e shtypjes apo asimilimit të shumë etnive nga etnitë dominante, si dhe e zhdukjes së shumë kulturave.Ndërkaq, pikërisht përvoja e këtyre luftërave dhe e këtyre krimeve ka bërë që të ndërrojë shumëçka në sistemin e vlerave të shoqërive që deri atëherë ishin ngjizur me kultin e heroit nacionalist. E gjithë historia europiane, por edhe botërore, mori një kthesë të madhe pas Luftës së Dytë. Kjo është reflektuar si në ndërtimin e politikave të brendshme që promovuan demokracinë, lirinë e të drejtat e njeriut, pluralizmin dhe ndaluan krijimin e partive me frymëzime naziste apo fashiste, ashtu dhe në politikat e jashtme, ku shembulli më i dukshëm është ndryshimi i marrëdhënieve midis vendeve të tilla si Franca, Gjermania, që deri më atë kohë i kishin ndërtuar marrëdhëniet e tyre mbi rivalitete dhe konflikte të armatosura mes tyre. Në dritën e kësaj përvoje, fryma e nacionalizmit dhe heronjtë e saj filluan të shihen si shprehje të një kohe të kaluar, të cilën tashmë historia e ka dënuar.Nuk e mohoj se fryma e asaj kohe ende ekziston, madje është mbizotëruese në zona të caktuara të botës dhe, ndryshe nga ç’thotë Hegeli, mendoj se ajo edhe mund të kthehet e të bëhet mbizotëruese. Në këtë aspekt, jam më afër teorisë së “kthimit të përjetshëm” të Niçes, sipas të cilit, historia nuk ka një drejtim të caktuar, përkundrazi, përsëritet si një kaos vullnetesh. Por kjo nuk përjashton edhe vullnetin tim, projektin tim “të hedhur” në një hapësirë dhe kohë të caktuar, si fryt i një gjuhe të caktuar, i një dialogu ndërnjerëzor të caktuar i një përvoje të caktuar. Ky projekt është i kundërt me atë nacionalist, pasi është ndërtuar si projekt i njerëzve që kanë mësuar tashmë se në çfarë theqafje mund të na çojnë ata që na nxisin të duam grupin tonë e urrejmë atë tjetrin pa qenë nevoja t’i njohim e kuptojmë ata dhe historinë e tyre, që në vend që të na nxisin të krijojmë identitetin tonë individual e të bëhemi heronj të vetvetes, na mbushin me heronjtë e gjallë apo të vdekur të grupit, apo që, në emër të lirisë së grupit, na thonë të sakrifikojmë lirinë tonë individuale. Projekti im është projekti i atyre që kanë mësuar tashmë se, në më të shpeshtën, kjo kategori, me vetëdije apo me pavetëdije, synon të na mbajë të vegjël për interesa që bien ndesh me interesat tona, më së pari me lirinë tonë, sepse nuk mund të jemi të lirë pa qenë të ditur e, për pasojë, edhe me lirinë tonë në terma kolektivë: si demokraci, si pluralizëm politik e i mendimit, si barazi përpara ligjit, si mundësi për të njohur e ndrequr gabimet tona edhe duke i zbritur nga karrigia e pushtetit ata që fillojnë të na sillen si heronj të pacenueshëm qysh për së gjalli. Projekti im është ai i paqes dhe dialogut ndërnjerëzor e që ka si armik kryesor dhunën e njeriut ndaj njeriut. Është pak a shumë ai i Europës së Bashkuar që ka lindur fill pas tragjedisë së Luftës së Dytë, që ka më se gjysmë shekulli që ecën në rrugën e tij plot zigzage rreth vlerash që përmblidhen në termat paqe, vëllazërim, bashkëpunim, dialog, harmoni, bashkëjetesë e diversiteteve mbi respektin e të drejtave të njeriut. Sipas meje, të jesh në frymën e kohës, të krijosh bashkësinë e kohës, do të thotë të jetosh me njerëz të këtij projekti. Prandaj mendoj se, nëse synojmë të bëhemi pjesë e këtij projekti, “heronjtë” e kësaj kohe nuk mund të jenë heronjtë e luftërave nacionale ndarëse, por ata të paqes e bashkëpunimit e, po ashtu, se himnet që duhet të na frymëzojnë nuk janë ato që bëjnë thirrje për luftë me të tjerët e që evokojnë kohë të lavdishme të së kaluarës së dhunshme, por tinguj e vargje si ato të simfonisë së 9-të e Bethovenit, që i këndojnë vëllazërimit të popujve në emër të së ardhmes.Por, më konkretisht mbi temën e heronjve që na duhen në kontekstin e sotëm shqiptar do të shkruaj në vijim. (Panorma 24 janar 2012)
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...