Wednesday, January 25, 2012

Heroi, shoqëria dhe historia

Një nga mitet më të bukura të lashtësisë është ai që tregon se si njerëzit, në krye të herës, jetonin në trajtën e një bashkësie të pandashme, por që ishte e përjetshme. Të mërzitur nga jeta në këtë nebulozë, ata u kërkuan zotave t’i zgjidhnin nga njëri-tjetri e të bëheshin individë. Zotat pranuan, por me një kusht: si individë, nuk do të ishin më të përjetshëm, por vdekatarë.
Nuk kam lexuar mit që ta shprehë kaq sintetikisht sa ky kondicionin tragjik që e ka shoqëruar njeriun në shekuj: nevojën… e tij për përkatësi në  një bashkësi më një anë, por edhe nevojën e tij për liri individuale më anë tjetër, qenien e tij vdekatar dhe aspiratën e tij për të mos vdekur kurrë.
Duke dashur ta zgjidhë këtë kontradiktë, individi vdekatar jo vetëm nuk i ka shkëputur lidhjet me vdekatarët e tjerë, por ka tentuar të “kthehet” gjithnjë te “nebuloza” e origjinës duke i dhënë jetës një kuptim pikërisht nëpërmjet saj. Në çdo fe, në një formë apo në një tjetër, do të gjesh ruajtjen e lidhjes së njeriut me të tjerët dhe dhënien kuptim jetës në trajtën e kthimit te parajsa e humbur e bashkësisë. Kjo ka pasur si faqe tragjike dhunën që ka pësuar individi vdekatar kur u është kundërvënë “normave” të kësaj bashkësie. Kur njeriu filloi të mos besojë më te Zoti dhe te bota e përtejme si kuptim i jetës së tij, ai e kërkoi, gjithsesi, përjetësinë/parajsën nëpërmjet përkatësisë në bashkësi. E kërkoi te teleologjitë e ndryshme që e bënin atë instrument të një fati historik të determinuar: ingranazh të fatit të kombit të cilit i përkiste, te ndërtimi i komunizmit, te industrializimi dhe shkencizmi, sipas të cilave ai do ta transformonte botën ashtu që ajo të bëhej e gjitha në funksion të tij – finalitete që më mirë se kushdo ndoshta i ka shprehur Hegeli kur shkruan për realizimin e Idesë Absolute. Kur zbuloi se edhe këto ishin metanarrativa zëvendësuese të Zotit, të mbushura me plot gabime që i sollën aq tragjedi, ai u ndie “i braktisur”. Zbuloi kështu, së bashku me Niçen, nihilizmin. Zbuloi edhe absurdin. Por zbuloi edhe vullnetin për pushtet, edhe heroizmin e arsyes, edhe se qe vetë zot i vendimeve të veta pasi të ardhmen nuk ia kishte determinuar asnjë zot dhe asnjë projekt përtej tij, se esenca e tij qe ekzistenca e tij, se ishte një “projekt i hedhur” në një kohë e hapësirë të caktuar, siç do të thoshte Heidegeri. Por edhe këto nuk e bënë të reshtë së përjetuari, pa e zgjidhur, kontradiktën e qenies së tij individuale dhe shoqërore njëherësh. Ai po e përjeton këtë kontradiktë edhe sot, kur, pas triumfit të liberizmit sipas thënies së Theçerit: “Nuk ekziston shoqëria, ekziston vetëm individi”, e sheh veten të zhytur në një krizë të thellë shpirtërore dhe ekonomike.

* * *


Kur flasim për kuptimin e jetës së njeriut në bashkësi nuk mund të mos dalim te figura e heroit, pasi nga pikëpamja shoqërore, koncepti i heroit është i pandashëm nga koncepti i bashkësisë.
Duke iu referuar historisë, do të vëmë re se bashkësia e lind vetëdijen e saj nëpërmjet heroit/heronjve, e se, më pas, nëpërmjet përkujtimit të tyre, ajo kërkon të sigurojë vazhdimësinë e saj duke riprodhuar vetveten nëpërmjet vlerave që ata simbolizojnë. Për një kohë të gjatë forcat kryesore të ngjizjes, por edhe të konservimit të shoqërive, kanë qenë fetë. Ato e kanë kryer këtë funksion nëpërmjet figurash heroike që, pasi janë bërë mitike nëpërmjet akteve të tyre themeluese, kanë shërbyer për të ilustruar parimet morale dhe shoqërore që e kanë ndihmuar këtë bashkësi të formojë një konceptim të përbashkët të gjërave. Këta heronj, zota si Krishti a profetë si Muhameti, janë bërë “e shenjta që shumë shpirtra bashkon”, siç thotë Gëtja, të paprekshëm deri në atë pikë, sa duket sikur po u prekën ata, shoqëria rrezikon të shpërbëhet.
Pra, nëse do të hulumtojmë aspektin e konservimit të shoqërisë do të vëmë re se, që të mbijetojë, shoqëria duhet të ketë mjete me të cilat të indoktrinojë pjesëtarët e saj brenda sistemit të saj të vlerave dhe të moralit të saj dhe se heronjtë luajnë një rol të rëndësishëm për këtë. Mirëpo, ndërkaq, historia tregon se kohë të reja kanë nxjerrë në skenë heronj të rinj. Për shembull, nëse do t’i referohemi periudhës së lëvizjeve nacionaliste të ndërtimit të shteteve kombe, që është e lidhur direkt me temën tonë, kur njerëzit filluan të bashkohen rreth disa vlerave që përçonin veçantinë e tyre kulturore, si gjuha e zakonet e përbashkëta apo edhe territori i përbashkët, heronjtë fetarë u zëvendësuan me heronjtë e kombit. Si ta shpjegojmë këtë? Hegeli, i cili është ndoshta filozofi më i rëndësishëm që është marrë me dialektikën e fateve të bashkësive në histori dhe rolin e individëve në to, u jep dy role individëve të një bashkësie: roli i parë është ai i atyre që ruajnë shpirtin e popullit në të cilin jetojnë nëpërmjet ruajtjes së zakoneve, forcimit të institucioneve. Por janë edhe ata individë, që, sipas Hegelit, kanë një rol inovacioni, përparimi. Ai i quan këta individë “historiko-universalë” ose më thjesht, “heronj”. Sipas tij, këta e kapërcejnë frymën e popullit në të cilin jetojnë sepse në ta “banon” “fryma e botës” në format që janë për t’u realizuar në të ardhmen e që fryma e vjetër e popullit nuk është në gjendje t’i realizojë. Individë të tillë i japin dërrmën një konteksti historik në të cilin jetojnë, duke bërë të lindë një tjetër “frymë e kohës”. I tillë për Hegelin ishte Napoleoni p.sh., që shkatërroi zakone e institucione që mishëronin historicitetin konkret të një kohe për të ndërtuar një tjetër botë historike. Këta individë ai i sheh si instrumente të realizimit historik të Absolutes, të cilëve forca u vjen prej kësaj, madje edhe pa qenë të vetëdijshëm për këtë rol. Hegeli bën një dallim midis heroit dhe aventurierit pikërisht në atë se ndërsa te heroi, sipas tij, kemi përputhjen e objektivave personale me ato të frymës universale, te aventurieri, i cili edhe ai mund të jetë i pakënaqur nga jeta ekzistuese, këto nuk përputhen.
Metanarrativa e Hegelit e realizimit të Absolutes si një kontinuitet në progres nëpërmjet dialektikës sot nuk mund të merret kurrsesi ad literam. Ideologjitë dhe projektet politike që u mbështetën tek ajo, duke pretenduar se kishin gjetur rrugën se për nga do të ecte Absolutja, duke e përshpejtuar dialektikën hegeliane nëpërmjet revolucioneve, çuan në totalitarizmat e në tragjeditë e shekullit XX. Përvojat e nacionalizmit, ashtu sikurse edhe ato të komunizmit, të mbushur me heronj të rinj që do të ndërtonin një botë të re superiore ndaj asaj së vjetrës, janë ilustrueset më të mira të këtij konceptimi hegelian të heroit si instrument ideologjik. Në termat hegeliane mund të thuhet se heronjtë e nacionalizmit e të komunizmit ose mbaruan misionin që u kishte caktuar Fryma, ose dolën aventurierë të rrezikshëm. Në termat e kritikës së hegelianizmit mund të thuhet se besimi në një metanarrativë teleologjike dhe heronjtë e saj është i gabuar dhe se ky gabim mund të na kushtojë shumë shtrenjtë.
Por, nuk mund të mohohet se shumë kategori të Hegelit kanë lindur nga studimi i tij i historisë dhe se, pa i besuar metanarrativës së tij, pra pa besuar në finalitetin e ecjes së historisë, prandaj dhe as në një vazhdimësi të pandërprerë të saj e të progresit, nuk mund të mos reflektojmë, megjithatë, për faktin se njerëzimi ecën nëpërmjet frymëzimesh, arritjesh e gabimesh, ku dy të parët i japin shtysën vullnetit të tij, kurse gabimet e ndihmojnë të mos i përsërisë më ato, çka, tek e fundit, bën që periudha të ndryshme historike të karakterizohen nga “fryma kohe” të ndryshme të ndërtuara mbi sisteme vlerash të ndryshme, që ne i quajmë më të përparuara e më të prapambetura në raport me disa vlera që i kemi përcaktuar si primare, siç janë p.sh. liria dhe demokracia, e se, po ashtu, këto mishërohen nga heronj të ndryshëm që i ndërtojnë e që pastaj i mishërojnë këto vlera.

* * *


Le të hyj tani më konkretisht në argumentimin e asaj se pse nuk pajtohem me adhurimin e heronjve të nacionalizmës dhe pse nuk emocionohem kur dëgjoj Himnin tonë të Flamurit, ashtu sikurse edhe himnet e tjera kombëtare, siç kam deklaruar së fundi, duke shkaktuar indinjatën e shumë shqiptarëve që ndjehen nacionalistë apo patriotë.

Sipas meje, njëri nga aspektet negative të heroit në aspektin shoqëror është roli i tij në shpërhapjen e disa vlerave dhe në ngurtësimin e tyre. Nëse do të shohim heronjtë e nacionalizmës, do të vëmë re se ata përgjithësisht janë ndërtuar (them “janë ndërtuar” sepse jeta e tyre reale ndryshon shumë nga konstruksioni i tyre si mite) si luftëtarë që shpesh u është dashur të luftojnë e të vrasin për të zgjidhur problemet e bashkësisë së tyre, duke reflektuar, kësisoj, një histori të dhunshme të shoqërive të tyre. Po ashtu do të vëmë re se ata reflektojnë vlerat/interesat e grupeve dominante të këtyre shoqërive. Nëpërmjet mburrjes së forcës së heronjve, që u kanë sjellë pavarësinë ndaj një sunduesi apo arritjen e rezultateve të mëdha, shpesh këto grupe dominante justifikojnë krimet e tyre kundër të tjerëve. Heroi nacionalist në këtë kontekst është ndërtues i kulturës nacionaliste si instrument i dominimit të klasave apo etnive të veçanta të një shoqërie që implikon edhe nënshtrimin e të tjerëve ndaj këtyre klasave dhe kësaj kulture. Sikur të mos ishin gatuar me kultin e heronjve të kësaj kulture, njerëzit nuk do të kishin bërë kurrë luftëra të tilla tragjike si Lufta e Parë apo e Dytë Botërore, apo gjëma të tilla si Holokausti. Por, edhe në nivele më pak tragjike sesa luftërat dhe Holokausti do të vëmë re se historia e nacionalizmave është histori e shtypjes apo asimilimit të shumë etnive nga etnitë dominante, si dhe e zhdukjes së shumë kulturave.

Ndërkaq, pikërisht përvoja e këtyre luftërave dhe e këtyre krimeve ka bërë që të ndërrojë shumëçka në sistemin e vlerave të shoqërive që deri atëherë ishin ngjizur me kultin e heroit nacionalist. E gjithë historia europiane, por edhe botërore, mori një kthesë të madhe pas Luftës së Dytë. Kjo është reflektuar si në ndërtimin e politikave të brendshme që promovuan demokracinë, lirinë e të drejtat e njeriut, pluralizmin dhe ndaluan krijimin e partive me frymëzime naziste apo fashiste, ashtu dhe në politikat e jashtme, ku shembulli më i dukshëm është ndryshimi i marrëdhënieve midis vendeve të tilla si Franca, Gjermania, që deri më atë kohë i kishin ndërtuar marrëdhëniet e tyre mbi rivalitete dhe konflikte të armatosura mes tyre. Në dritën e kësaj përvoje, fryma e nacionalizmit dhe heronjtë e saj filluan të shihen si shprehje të një kohe të kaluar, të cilën tashmë historia e ka dënuar.

Nuk e mohoj se fryma e asaj kohe ende ekziston, madje është mbizotëruese në zona të caktuara të botës dhe, ndryshe nga ç’thotë Hegeli, mendoj se ajo edhe mund të kthehet e të bëhet mbizotëruese. Në këtë aspekt, jam më afër teorisë së “kthimit të përjetshëm” të Niçes, sipas të cilit, historia nuk ka një drejtim të caktuar, përkundrazi, përsëritet si një kaos vullnetesh. Por kjo nuk përjashton edhe vullnetin tim, projektin tim “të hedhur” në një hapësirë dhe kohë të caktuar, si fryt i një gjuhe të caktuar, i një dialogu ndërnjerëzor të caktuar i një përvoje të caktuar. Ky projekt është i kundërt me atë nacionalist, pasi është ndërtuar si projekt i njerëzve që kanë mësuar tashmë se në çfarë theqafje mund të na çojnë ata që na nxisin të duam grupin tonë e urrejmë atë tjetrin pa qenë nevoja t’i njohim e kuptojmë ata dhe historinë e tyre, që në vend që të na nxisin të krijojmë identitetin tonë individual e të bëhemi heronj të vetvetes, na mbushin me heronjtë e gjallë apo të vdekur të grupit, apo që, në emër të lirisë së grupit, na thonë të sakrifikojmë lirinë tonë individuale. Projekti im është projekti i atyre që kanë mësuar tashmë se, në më të shpeshtën, kjo kategori, me vetëdije apo me pavetëdije, synon të na mbajë të vegjël për interesa që bien ndesh me interesat tona, më së pari me lirinë tonë, sepse nuk mund të jemi të lirë pa qenë të ditur e, për pasojë, edhe me lirinë tonë në terma kolektivë: si demokraci, si pluralizëm politik e i mendimit, si barazi përpara ligjit, si mundësi për të njohur e ndrequr gabimet tona edhe duke i zbritur nga karrigia e pushtetit ata që fillojnë të na sillen si heronj të pacenueshëm qysh për së gjalli. Projekti im është ai i paqes dhe dialogut ndërnjerëzor e që ka si armik kryesor dhunën e njeriut ndaj njeriut. Është pak a shumë ai i Europës së Bashkuar që ka lindur fill pas tragjedisë së Luftës së Dytë, që ka më se gjysmë shekulli që ecën në rrugën e tij plot zigzage rreth vlerash që përmblidhen në termat paqe, vëllazërim, bashkëpunim, dialog, harmoni, bashkëjetesë e diversiteteve mbi respektin e të drejtave të njeriut. Sipas meje, të jesh në frymën e kohës, të krijosh bashkësinë e kohës, do të thotë të jetosh me njerëz të këtij projekti. Prandaj mendoj se, nëse synojmë të bëhemi pjesë e këtij projekti, “heronjtë” e kësaj kohe nuk mund të jenë heronjtë e luftërave nacionale ndarëse, por ata të paqes e bashkëpunimit e, po ashtu, se himnet që duhet të na frymëzojnë nuk janë ato që bëjnë thirrje për luftë me të tjerët e që evokojnë kohë të lavdishme të së kaluarës së dhunshme, por tinguj e vargje si ato të simfonisë së 9-të e Bethovenit, që i këndojnë vëllazërimit të popujve në  emër të së ardhmes.

Por, më konkretisht mbi temën e heronjve që na duhen në kontekstin e sotëm shqiptar do të shkruaj në vijim. (Panorma 24 janar 2012)

3 comments:

Anonymous said...

Une pergjigjen per ket shkrim dhe per pergjigjet jo pozitive ndaj jush po ta jap me dy komente qe kam ber tek gazeta tema me emrin tim te vertet Valter ne kete link:http://www.gazetatema.net/web/2012/01/06/fatos-lubonja-sndjej-asgje-per-himnin-kombetar/#comments

Shpresoj ti lexosh dhe do deshiroja nje feeback.
Ne vazhdim do te shtoja se jam shume dakort qe heronjte mbi kale (siç i quani ju ata te kohes se pare) dhe heronjte ne kembe te kohes moderne qe kane qen frymezues te nje kombi nuk duhet te promovohen me pasi padyshim ata perfaqesojne ate qe ju e artikuloni fare mire "heronjte e luftërave nacionale ndarëse". Por ne si shoqeri kemi gjithmon nevoj per heronje qe duhet te jene ata te tipit siç thoni ju "të paqes e bashkëpunimit", biles une do te shkoja edhe me tutje per ti cituar. Per mua heronjte e sotem jane ata qe nuk njihen por qe punojne dite per dite ne menyre te ndershme per te shpetuar jete njerzish (pompjer, infermjer, police etj.), ata qe pikerisht luftojne per nje mireqenie me te mire te shoqerise. "Hero eshte per mua babai im qe punoi 45 vjet si mesues ne nje fshate 1h 30 large prej shtepise se tij dhe deri diten e fundit e ka ber mesimin sikur te ishte dita e pare". E pra per keta heronje kemi nevoj sot ne dhe qe duhen promovuar dhe jo akoma kemi mbetur tek ata me kale dhe me pushke siç ben Maqedonia apo ndonje shtet tjeter.

alban ENVER MALKO said...

FATOS komplimente per studimin e kesaj teme,qe ju kerkoni te shtjelloni.nje teme e guximshme nga ana intelektuale.kur HEGEL flet per absoluten kam pershtypjen se absolutja per te eshte UNI dhe DIVINO apo e verteta,IDEALIZMI tij eshte FETAR.edhe HEGEL pra i ka HERONJTE e tij.nje nga krijesat e gjalla heronj te tij ishte BUONAPARTE,fiste per te me superlativa.ne flasim shpesh per absoluten.dhe besojme.por a ekziston absolutja,apo eshte nje truk per te fshehur pamundesine tone.1 shembull.nese dikush thote,universi eshte i pafund.tjetri mund ti pergjigjet.i shikon YJET.PO.ato sjane gje tjeter vecse gur kilometrik drejt nje fundi qe ne smund te arrijme,nesa ne jemi te pa afte.sepse po te bejme nje eksperiment duke marre mjetet me te sofistikuara qe disponojme sot,ne nga ana faktike mund te themi se fundi eshte atje ku mbaron konoshenca jone.pra absolutja o eshte virtuale ose ploteson nje nevoje tonen.cfare thote paa shume HEGEL mbi absoluten.AJO vjen duke fituar autokoshience(vetedije).duke u bere ne vete ndertimtaret e shpirtit tone.cfare eshte ajo qe une dua te theksoj.qe vete teoria hegeliane,nderton HERONJ sepse eshte IDEALISTE.sigurisht ai e zbut qendrimin e vet kur flet per afrimin e oposteve ne emer te rracionales dhe faljes.dhe nese i referohemi ketyre JU e kuptoni kujt i referohet.tani pse lindin HERONJTE dhe pse jane te domosdoshem.vete sistemi qe ka krijuar njeriu qe me lindjen e tij eshte gjerarkik(piramidal)cdo lloj sistemi i njohur deri sot.keta individe qe jane ne krye te ketij sistemi vlerash te pranuara nga masa te te caktuara jane duam sduam ne heronjte tane,e cila ne te njejten kohe i konsideron armiq nese keta percojne nje sistem te ndryshem vlerash.heronjte nga ana psikollogjike na raprezentojne ne 2 menyra.pra nepermjet sistemit te vlerave qe ne mendojme se ndajme me ta dhe nepermjet EGO-s.per ta thjeshtuar eshte ajo qe na shtyn ne ti imponohemi rregullave dhe moralit.DHE ketu perjetojme nje traum interiore ose ne te kundert behemi hipokrit,dhe jetojme me shume EGO dhe pak moral.pse rrespektohet HEROI?
SEPSE ai ne sistemin tone gjerarkik eshte fuoriklas.AI eshte KULT.NE kohe HERONJTE jane evolutiv.por ky evolucion vjen me teper si nevoje e jona per te evoluar dhe pershtatur dinamikes.dhe ne memorjen tone ne mbajme dhe mbrojme me teper HERONJTE qe kane te bejne me identitetin tone.kjo vjen si nje domosdoshmeri e jona qe ka te beje me identitetin tone etj,etj.

Ermedin Arifi said...

Një shkrim me një qasje të bukur, por një shkrim i një teme që kërkon më tepër informacion e shtjellim!

Në këtë aspekt do ta plotësoja më së paku pikën e kordinatës islame "me" Muhammedin (a.s.), ku dua të theksoj se në Islam nuk ka "heroizëm" e as "shenjtëri", e sidomos kur fatalisht "e fusin në një thes" bashkë me krishterimin "e" priftërinjve (por jo "fe-sistemin origjinal të Isait" që është shfuqizuar përshkak të zhvillimit shoqëror të gjeneratës në vazhdim, sidomos përshkak të ndryshimit të tij nga ana e njeriut të lirë).

Islami nuk njeh "heronj" e as "të shenjtë", e bazuar në ideologji të ndryshme e nëntokësore, por njeh dy komponente brenda njeriut fisnik:
1) ixhtihad - përpjekja shpirtërore-psikologjike për të vërtetën me anë të "ikres (lexo)" (fjala e parë përnga zbritja kur'anore); dhe,
2) xhihad - përpjekja trupore-fizike për drejtësi e mirësi (bamirësi), me anë të "fatihasë" (kaptina e parë përnga radha) e përmes gjithë kaptinave tjera.

Figura e Muhammedit (a.s.) as nuk lejohet të shenjtërohet e as të heroizohet, por mbetet vetëm shembëlltyrë e lartë për njeriun: "Ti je në një gradë të lartë morali." [Lapsi, 4] Por, shembëlltyrë të lartë ai i konsideroi edhe dijetarët e vërtetë "në" të Vërtetën (Islam), por kurrsesi shembëlltyra të barazohet me heroizëm e shenjtëri, që do të shpiente në adhurime e idolatri madje duke u ndërtuar buste e lapidarë si sot e dje, ku dhe vetë Muhammedi (a.s.) ka ndaluar përfytyrimet dhe pikturimet (skulpturimet) e njerëzve dhe gjallesave përshkak të prirjeve të gabuara fanatike e shenjtërizuese (adhurimi) nga njerëzit. Në Islam është i ndaluar fanatizmi dhe arsyeja e pakulluar.

"Lexo me emrin e Zotit tënd i Cili krijoi." [Alek, 1]

"Bëhu dijetar, nxënës, dëgjues ose i dashuruar në dituri, e aspak mos u bën prej grupit të pestë e të jesh i shkatërruar." [Hadith]