E përjetova
me indinjatë, por edhe shqetësimi jo të vogël vendimin e gjykatës për të dënuar 8 studentë 20-vjeçar me
2 muaj burg ose konvertim me 60 ditë punë pranë komunitetit dhe pagesën e shpenzimeve
të gjyqit për shkak se kanë hedhur tre vezë dhe disa sharje kundër Kryeministrit
gjatë një proteste. Akuza formulohet si “kundërshtim i Kryeministrit dhe
policisë për shkak të detyrës”.
Indinjata të rritet në mënyrë progresive kur
ke parasysh se ku dhe si ka ndodhur
ngjarja. Edi Rama ka qenë në një nga ambientet e Universitetit Publik (atë të
Shkencave Sociale) për të bërë – vini re! - një mbledhje me biznesmenë në të
cilën ka folur për sukseset e qeverisë përsa i përket politikave tatimore?! Pra mbledhja s’ka qenë me dhe për studentët,
dhe s’ka pasur fare të bëjë me ligjin e arsimit të lartë, sikurse mendojnë
disa. Për të folur për ligjin e arsimit të lartë, thonë studentët, ky ka zgjedhur
universitete private si UET apo Universiteti i New Yorkut. Kemi të bëjmë pra, me
përdorimin e ambienteve të Universitetit Publik kundër statusit që u garanton
atyre autonomi. E ka bërë edhe Erjon Veliaj për të bërë mbledhje partie - të
thonë studentët. Dhe kuptohet se pse - sepse publiken këta e konsiderojnë si pronë
të tyre dhe se kanë dashur t’u japin studentëve edhe një mesazh se kush është
padron në shtëpinë e tyre.
Kur kanë parë “Live”, në televizionet që e
ndjekin hap pas hapi me servilizëm, se Kryeministri po flet në ambientet e
tyre, studentët që kanë protestuar vazhdimisht kundër ligjit për arsimin e
lartë, e kanë parë këtë si një mundësi për të protestuar edhe një herë, - kësaj
here madje në oborrin e shtëpisë së tyre. Kur Rama ka dalë, i kanë thënë “i
shitur”, “klientelist”, “sharlatan” dhe pastaj, kur ky i ka ofenduar nëpër dhëmbë dhe një nga gorillat
e tij ka pështyrë në fytyrë një nga vajzat protestuese i kanë thënë edhe
“kryeministër plehrë”. Ndërkaq tre prej tyre i kanë gjuajtur me vezë, ndër të
cilat njëra ka arritur të ndotë parafangon e makinës së tij.
Kaq ka mjaftuar që bodyguardët dhe pastaj
policë të Kryeministrit të lëshohen kundër studentëve të cilët, mos harroni,
kanë qenë në ambientet e tyre ku garantohet autonomia. Disave që rezistuan të
tërhiqen zvarrë, u kanë shkuar edhe në shtëpi u kanë bërë kontrolle, i kanë
keqtrajtuar në polici. Jo vetëm, por ndërkohë që pesë prej tyre kanë qenë
vajza, atje s’ka pasur asnjë police femër kështu që dhunën mbi vajzat, siç dëshmon
edhe studentja Bora Mema (http://opolitike.org/shpallje/rreth-kryeministrit-genjeshtar-te-republikes-se-privateve/)
e kanë ushtruar burrat. Dhe s’ka mjaftuar gjithë kjo, por u kanë hapur edhe
këtë proces famëkeq.
***
Indinjata të rritet kur mendon se protesta
është e drejtë, se në një shtet demokratik do të mjaftonte ai ligj për ta delegjitimuar
një Kryeministër që i stërmeriton epitetet “i shitur”, sharlatan”,
“klientelist”, veçanërisht nga populli që e ka votuar mbi premtimet se do të
mbrojë publiken.
Por indinjata mbarset edhe me shqetësim
serioz, sepse ky proces është edhe ndjellakeq në shumë aspekte të tjera që kanë
të bëjnë me raportin e këtij Kryeministri dhe pushtetit të tij, jo vetëm me
studentët, por edhe me gjithë qytetarët.
Së pari, procesi gjyqësor përsërit për të
disatën herë se ky Kryeministër dhe shpura e tij dhe policia e tij sillen sikur
vetë të jenë mbi ligjin, të cilin gjithnjë e më shumë kërkojnë ta përdorin
vetëm si instrument kundër të tjerëve që nuk u nënshtrohen. Sepse, ndërkohë që vetë
shkon e dhunon ligjin për autonominë e universiteteve, ndërkohë që tërheq zharg
studentët dhe u dhunon shtëpitë pa pasur as mandat, nuk mendon për asnjë çast
se për këto mund të jetë përgjegjëse përpara ligjit dhe aq më pak i barabartë
me studentët përpara ligjit.
Së dyti, shqetësimi bëhet edhe më i madh kur
mendon se ky kryeministër kërkon të na shitet edhe si kampion i Vetingut që
medemek do të vendoska më në fund drejtësinë në këtë vendin tonë sepse do ta pastrojë
atë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Por çka del qartë nga ky proces
është se Vetingu po përdoret ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’i korruptuar
ata edhe më keq, sepse të marrësh një vendim të tillë kundër njerëzve që mund
të quhen shpresa e shoqërisë sonë, ndaj atyre të paktëve që kanë kurajë të
protestojnë, do të thotë të rritësh edhe më nivelin e nënshtrimit të shoqërisë dhe
të Drejtësisë në këtë shoqëri që po poshtërohet përditë nga pushteti arrogant. E
provon këtë edhe fakti se ndërkohë që, sipas procedurës që i trajton të gjithë
qytetarët të barabartë përpara ligjit, Edi Rama do të duhej të paraqitej në
gjyq për të dëshmuar - pas kërkesës së studentëve - ai as ka denjuar ta bëjë këtë
dhe gjyqtarët, në vend se t’i kërkojnë të zbatojë ligjin, i kanë qëndruar në dispozicion vullnetit të
tij mbi ligjin. Në këtë aspekt ky proces ngre edhe një çështje tjetër lidhur me
të ashtuquajturin Veting: vallë mjafton që një gjyqtar apo prokuror të na
nxjerrë disa dokumente që tregojnë se si e ka vënë pasurinë, apo çfarë shkolle
ka mbaruar për ta besuar se ai mund të jetë i drejtë? Por në regjimin komunist gjyqtarët
dhe prokurorët as nuk guxonin të vinin pasuri, duke marrë ryshfet, e megjithatë
vendimet e tyre ishin tmerrësisht të padrejta pasi qenë në shërbim të pushtetit.
Si do të matet kuraja qytetare e prokurorëve dhe gjyqtarëve në proceset tona të
Vetingut, kur jemi në situatën e një regjimi?
Por, shqetësimi më i madh në këtë histori ka
të bëjë me atë se ky tejkalim skandaloz i masës së të drejtës në favor të
pushtetit dhe kundër rinisë që është shpresa jonë e së ardhmes, tregon se sa e
rrezikshme mund të bëhet situata nëse rritet edhe më pushteti i këtij Kryeministri
dhe i banditëve të tij. Veprimi hakmarrës ndaj këtij grushti studentësh që janë
më të pa mbrojturit, (sepse janë edhe kundër opozitës), vetëm pse i vunë Edi
Ramës pasqyrën përpara syve, tregon se çfarë mund të të bëjë ky dhe banditët e
tij nëse do të zhduket krejt opozita dhe mediet dhe çdo institucion i pavarur,
çka është edhe ëndrra finale e këtij narçizisti malinj. (Panorama, 22 mars 2016)