Wednesday, March 1, 2017

Çadra e Bashës dhe “republika e dytë”

Kryeredaktori i portalit Exit.al Carloalberto Rossi, i cili, sëbashku me Neritan Sejaminin, Vincent WJ. Van Greven Oei e bashkëpunëtorët e tyre, po bën një punë të çmuar për të mbajtur gjallë mendimin kritik e të lirë, në një kohë kur mediet tona kanë degraduar në një sevilizëm banal ndaj pushtetit, më drejtonte një letër të hapur pas shkrimit tim “Si e mbështes protestën”. Në thelbin e vet letra ngrinte problemin se nëse të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë nuk hipin në anijen (çadrën e protestës), por sillen rrotull saj “me shpresën se dikush tjetër do ta bëjë atë”, atëherë si do të mund të ecë ajo në drejtimin e duhur? Kështu, sipas tij, politika do të mbetet pre e atyre që spekulojnë me inercinë tonë shoqërore, me “frikën atavike për t’u ekspozuar,” me “pasivitetin e popullit shqiptar”. Ndaj mosbesimit tim se shumë nga marinarët e saj kanë dhënë prova se sapo dalin në breg fillojnë e plaçkitin, ai i referohej Lulëzim Bashës dhe disa prej qëndrimeve e fjalimeve të tij të fundit, të cilat, sipas tij, meritojnë besim, duke shtuar se ta lesh atë vetëm sot do të thotë ta lesh në dorë të armikut.
Carloalbertos Rossi-t do t’i përgjigjesha se argumeti i tij qëndron. Pa marrë pjesë në proces nuk mund të ndryshosh një realitet që nuk e pranon. Por pjesëmarrja në proces për mua nuk është domosdoshmërisht hipje dhe rremim në anijen e Bashës. Duke hequr një paralele (paksa të sforcuar) midis situatës politike në vendin e tij (Itali) dhe Shqipëri do t’i kujtoja lëvizjen “Cinque Stelle”. Ajo lindi pas një zhgënjimi me dy polet kryesore të politikës italiane që, gjithë duke u alternuar për dy dekada, nuk sollën ndryshim, por një zhgënjim në rritje midis italianëve. Duke qenë se kam kohë që shkruaj për nevojën e një lëvizjeje të tillë në Shqipëri, aq sa zëvendësimin e Sali Berishës me Edi Ramës e kam mbështetur vetëm me idenë se kështu kjo mund të lindte më shpejt - sepse shqiptarët do të bindeshin më parë që s’duhet të shpresonin tek Rama&Co, - e kam të vështirë të besoj sot, se duhet të rikthehemi te PD-ja. Fakti që s’po lind megjithatë një lëvizje e re e fuqishme më një anë dhe fakti që Rama i ka tejkaluar përmasat e zhgënjimit, po i detyron një pjesë t’i rikthehen PD-së me idenë apo shpresën se ky fillim mund të ngjizet me Bashën.
Besoj se ka nga ata që besojnë dhe ka nga ata që, si unë, mbeten skeptikë për një sërë arsyesh. Kuptohet se për ata që besojnë çështja është se si të krijojnë besimin e të tjerëve. Duke menduar se besimi në këtë rast nuk mund të vijë si një dashuri me shikimin e parë me një të panjohur, por si një proces shumë i vështirë, për shkak të njohjes së vjetër, plot zhgënjime, qëndrimi im është që, në momentin aktual, të marr pjesë në këtë proces si gazetar, thuaj po deshe si intelektul i angazhuaar, por pa u bërë militant. Dikush e quan pozicion komod prej spektatori. Unë e quaj punë e vështirë prej arbitri, që duhet të vrapojë pas lojtarëve hap pas hapi për të ndjekur çdo faull, me një përgjegjësi të madhe. Pa këtë punë procesi do të degjeneronte shumë lehtësisht.
***
Nga ky pozicion vë re se diskursi rreth besueshmërisë apo jo të Lulëzim Bashës është vënë në qendër të debatit këto ditë. Maxhoranca me në krye Edi Ramës deri më sot ka luajtur kartën e zhvleftësimit të Lulëzim Bashës duke i mëshuar tezës se lideri i vërtetë i PD-së është Berisha, të cilin, u thotë shqiptarëve, e keni provuar dy herë. Por protesta e ka ngritur profilin e tij duke e përqendruar vëmendjen tek ai, aq sa suksesi apo mossuksesi i saj duket se do të përcaktojë edhe fatin e lidershipit të ardhshëm të PD-së.  Duke gjykuar se jemi në një moment të rëndësishëm, jo vetëm për PD por edhe për demokracinë shqiptare, them se, siç thashë, ky debat mbi besueshmërinë apo mosbesueshmërinë e PD-së apo dhe mbi çfarë duhet bërë që ajo të rritet duhet vazhduar. Në këtë shkrim po prek një pikë që më duket tejet e rëndësishme, por që më duket se po anashkalohet me një lehtësi të pabesueshme.
E kam fjalën për faktin se, ndërkohë që më një anë ne flasim për rrezikim të demokracisë, kur bëhet fjalë për shpëtimin, paradoksalisht, i referohemi - si ata që e mbështesin edhe ata që e zhvleftësojnë, - figurës së liderit.  Kjo sepse kemi kohë që institucione kaq të rëndësishme siç janë partitë i reduktojmë në liderin e tyre. Edhe në botën demokratike vihet re ky fenomen i rritje së rëndësisë dhe peshës së liderëve karizmatikë, por atje ka shqetësim, duke e konsideruar si diçka negative, që vjen nga mediatizimi i politikës. Kurse ne s’kemi asnjë dilemë. Mjaft të kesh parasysh hapësirat që zënë në media tona takimet dhe darkat private midis Ramës dhe Metës, siç ishte edhe kjo darka e fundit, për të kuptuar se sa poshtë jemi në këtë drejtim. Të gjithë e marrin për normale që vendimet e rëndësishme për fatet tona të merren në dreka apo darka me ngjala, peshq, apo kastravecë, midis këtyre të dyve. Po të tjerët pse duhen atëhere, pse janë partitë e tyre, po zyrat e tyre, po takimet me militantët? Thjesht për fasadë, për të gënjyer njerëzit? A mos po ndodh po kështu edhe me çadrën e Bashës?
***
Si një ndjekës entuziast i lëvizjes “Cinque Stelle” në fillimet e veta në Itali, një nga pikat kryesore të forcës së saj mobilizuese kam konsideruar pikërisht thirrjen “Uno vale uno” që nënkuptonte se kjo ishte një lëvizje e të gjithë qytetarëve të zhgënjyer zëri i të cilëve vlente sa zëri i çdonjërit prej liderëve të tyre. Jam zhgënjyer kur kam parë se Grillo filloi të imponohet si garant i koherencës dhe moralit të lëvizjes, por prapë mendoj se forca e saj edhe sot qëndron në atë fillim përbashkues.
Po t’i referohemi përvojës shqiptare, momentet më të mira përsa i përket besimit të popullit tek politikanët e vet kanë qenë kur kishte lëvizje ku binte në sy ekzistenca e shumë figurave që për kohën ngjallnin besim. Kështu ndodhi me lëvizjen antikomuniste derisa Sali Berisha vendosi kultin e vet mbi të gjithë partinë dhe shtetin, duke mbytur demokracinë, kështu ndodhi edhe në vitin 1997 derisa Fatos Nano, e më pas Ilir Meta e Edi Rama, personalizuan vendimmarrjen, duke ndërtuar sistemin oligarkik e pastaj bandokratik që kemi sot. Gjatë gjithë këtij 25-vjeçari historia jonë ka qenë ajo e personalizimit të institucioneve të shtetit, reduktimit të partive në një njeri, reduktimit të medieve në një pronar të vetëm, reduktimit të drejtësisë (siç dua ta bëjmë sot) në dy ambasadorë, çka ka rezultuar si mënyra më efikase për të lehtësuar abuzimin me pushtetin, korrupsionin, padrejtësinë, dezinformimin etj. të këqija nga ato që Lulëzim Basha premton sot nga çadra se do t’i luftojë.   

Në funksion të ndryshimit të kësaj historie, e shoh kundërproduktiv nxitimin për të krijuar kultin e kapitenit të anijes në një kohë kur PD-ja kërkon të tërheqë energjinë dhe besimin e tërë popullit për të rremuar në të.  Ashtu sikurse shoh me skepticizëm edhe faktin se partitë e reja që kanë dalë, ku spikat ajo e Blushit, po duan të ndërtohen po mbi kultin e individit. Lëvizja për të ndërtuar “republikën e dytë”, siç thotë Rossi, sot ka nevojë për njerëz që japin shembullin se heqin dorë nga kulti i vetvetes, nga kalkulimet për vetveten, për hir të interesave të shoqërisë e që nuk mbeten tek fjalët por që bëjnë vepra për ta vërtetuar këtë. Vetëm ata, mund të shporrin demonin e autoritarizmit, arrogancës e papërgjegjshmërisë së liderit që sakrifikon vendin për interesat e veta që e ka sunduar e vazhdon ta sundojë Shqipërinë që nga fillimet e veta. Vetëm njerëz të bashkuar me këtë frymë e me këto vepra mund t’u ngjallin besim shqiptarëve të rrasbitur për tu ngjitur në anije e t’u japin energji për të rremuar kësaj here në drejtimin e duhur. (Panorama, 28 shkurt 2017)

No comments: