Çdo qytetar, i ndodhur përballë protestës së opozitës, duhet të shtrojë
pyetjen se cili është pozicioni i tij ndaj saj. E mbështet apo nuk e mbështet dhe a duhet apo nuk duhet
të shkojë tek çadra përpara kryeministrisë.
Po shpreh pozicionin tim në ditën që po shkruaj këto radhë.
Çadra për mua është si një anije që premton një udhëtim të vështirë, që
kërkon kurajë dhe që, po arriti të lundrojë drejt atij premtimi, do të sillte
një fitore për të gjithë. Kjo më bën ta ndjek me simpati dhe me ndjenjën se u
duhet dhënë kurajë atyre njerëzve.
E megjithatë pozicioni im është një mbështetje nga larg. Figurativisht
mund të shprehem duke thënë: i jap gjithë inkurajimin, e shtyj anijen, por pa
hipur në të. Pse e inkurajoj? Sepse mbështes analizën që opozita i bën gjendjes
dhe veçanërisht argumentet se nuk mund të hyhet në zgjedhje me këtë gjendje
sepse kjo do të ishte të legjitimoje me duart e tua të keqen.
Kryeministri ka vërtetuar tashmë, pa lënë shteg dyshimi, se jo vetëm
nuk ka ndërmend të bëjë divorc me njerëzit e krimit të kategorisë së Roshit,
Prengës etj. por ka bërë pakt me ta kundër lirisë e dinjitetit të të gjithë
shqiptarëve
Kryeministri ka treguar me prova të njëpasnjëshme se po inkurajon një
ekonomi kriminale, të kanabizimit, të koncesioneve korruptive kundër lirisë e
dinjitetit të të gjithë shqiptarëve.
Kryeministri ka treguar, me prova të panumërta, se institucionet e
shtetit, me në krye policinë, nuk do ti lerë në rolin e tyre shtetëror, por t'i
shndërrojë gjithnjë e më shumë në leva të partisë së tij shtet kundër lirisë e
dinjiteti të të gjithë shqiptarëve.
Kryeministri ka vërtetuar tashmë se nuk ka ndërmend t'i lerë mediet të
lira, por t'i kapë e manipulojë gjithnjë e më shumë kundër lirisë dhe dinjitetit
të të gjithë shqiptarëve.
Në këto kushte të kërkosh largimin e këtij kryeministri dhe të njerëzve
më të inkriminuar rreth tij nuk është thjesht të krijosh një mundësi për
zgjedhje të lira, por edhe të krijosh një mundësi për të parandaluar dhunimin e
mëtejshëm të lirisë dhe dinjitetit të të
gjithë shqiptarëve.
E mbështes pra protestën sepse gjuha dhe arsyetimi i opozitës përputhet
me gjuhën dhe arsyetimin tim mbi këtë qeveri dhe se mjeti i protestës së
vazhdueshme, deri në largimin e kësaj qeverie, si kusht për të hyrë në
zgjedhje, më duket i drejtë.
***
Thënë kjo më duhet të shpreh rezervat se pse megjithatë nuk hipi në
anije.
Arsyeja kryesore është se nuk e kam bindjen se kjo anije do të ecë në
ujërat që premton duke na çuar në bregun e premtuar. Kjo, pasi përvoja na ka
treguar tashmë mëse një herë, deri në dëshpërim, se çështje të drejta në këtë
vendin tonë janë kalëruar për qëllime të mbrapshta nga njerëz të mbrapshtë. Që
ta kisha besimin për të hipur në anije do të duhej të mos shihja në këtë anije njerëz
që, kur kanë qenë në pushtet, kanë bërë edhe ata pakte me kriminelë për të
vjedhur votën e lirë, kanë sponsorizuar me paratë publike mediet që sponsorizon
sot kryeministri, që kanë grabitur e ndarë pronat e paratë publike me të
njëjtët oligarkë me të cilët i ndan sot kryeministri dhe që institucionet e
shtetit i kanë trajtuar edhe ata si leva partiake.
Dikush më ka thënë: hip në anije, - d.m.th. shko në çadrën përpara
kryeministrisë, - dhe thuaji të gjitha këto. I jam përgjigjur se nuk më takon
mua të bëj gjyqe në atë anije, madje se nuk gjykoj se është ky momenti për të
bërë këtë gjyq. Do të kishte qenë mirë që opozita të kishte ardhur në këtë
protestë pasi ta kishte pas bërë këtë gjyq.
Prandaj kam vendosur edhe ta mbështes protestën nga larg edhe të flas
për rezervat ndaj saj, në tribunën e gazetarit, duke ruajtur kështu edhe
pavarësinë e pushtetit të katërt dhe, mbi të gjitha, besueshmërinë e tij për të
cilin ka aq shumë nevojë publiku në këto ditë të nxehta dhe të rëndësishme. (Panorama, 23 shkurt, 2017)
No comments:
Post a Comment