Ambasadori Lu në një nga shfaqjet e tij të fundit në publik ngriti pyetjen: “Si
mund të çojë Shqipëria para drejtësisë peshqit e mëdhenj nëse nuk arreston dot
Balilin? E si mund të pranohet kështu Shqipëria në komunitetin evropian...?”
Metafora e parë
Peshku i madh ha të voglin
S’ka shqiptar që nuk e di se Balili nuk
arrestohet nga policia, apo nuk ndiqet nga prokuroria, jo pse “peshqit” e vegjël të policisë nuk duan, por pasi nuk
munden, ngaqë ai është peshk më i madh se ata. Pra jemi tek aplikimi i
shprehjes së urtë popullore “peshku i madh ha të voglin” që nënkupton se peshku
i vogël duhet të vrapojë të shpëtojë nga peshkaqenët, që të mos e hanë.
Dhe për të vërtetuar se në Shqipëri kjo është
loja që luhet na vjen në ndihmë edhe vetë Ambasadori. Shikoni çfarë ndodh:
ndërkohë që, siç thashë, çdo shqiptar e di se gjyqtarët dhe prokurorët janë
peshq më të vegjël sesa politikanët dhe banditët rreth tyre Ambasadori u heq
vizën ca gjyqtarëve e prokurorëve dhe nuk ua heq peshkaqenëve më të egër të
ujerave tona, me kryepeshkaqenin në krye që jo vetëm shkel përditë ligjet
shqiptare, por ka shkelur edhe ligjet amerikane me ato 80 000 dollarët që ka
paguar për të marrë një foto me Obamën.
Mund ta merrnim këtë si një naivitet, por ja
që na del edhe fakti i ndërhyrjes së Ambasadorit për Bankers Petrolium që flet për një sjellje puro
peshkaqeni. Nuk ka shqiptar që nuk e di se Bankers po bën krim ndaj popullsisë
në atë zonë dhe ndaj gjithë territorit të vogël shqiptar. Është e drejtë që ne të
akuzojmë Prokurorin e Përgjithshëm që nuk e ka hetuar, por e ka mbyllur çështjen
me ndërhyrjen e Ambasadorit - sipas
Prokurorit. Është e mundur që ndonjë prokuror t’i ketë kërkuar Bankersit ryshfet
dhe ndonjë administrator të jetë ankuar tek Ambasadori. Por krimi i Bankersit
është aty megjithatë, ulërit siç ulërinte për të edhe Rama kur ishte në
opozitë. Prandaj Ambasadori nuk ka alibi për sjelljen e tij si një peshkaqen me
peshkun në këtë rast dhe jo si një njeri që po kërkon me të madhe të vihet drejtësia
në këtë vendin tonë të masakruar nga peshkaqenët?
Metafora e dytë
Peshq apo peshkaqenë
Duke tentuar të analizosh deklaratën e Ambasadorit
mund të ngresh edhe pyetjen: Ky Balili është peshk i vogël apo peshk i madh? Ambasadorit
duket se i del i vogël por, po të kesh parasysh paratë që demonstron pasuria e
tij, ai duket si peshkaqen goxha i madh. E kam fjalën se, po ta krahasosh me
një kryetar bashkie të Sarandës, apo një shef policie apo prokuror, nuk do të
dija të thoja se cili është peshku dhe cili peshkaqeni. Mua më rezulton se
ligjin në Sarandë e ka bërë më shumë Balili se sa kryetarët e bashkisë apo
policët dhe prokurorët, se ai me familjen e tij të të fuqishme ka qenë
gjithmonë aty kurse këta edhe janë ndërruar. Pastaj, fuqinë e pamat të krimit e
sheh kushdo me sy të hapur edhe tek bumi i ndërtimeve në Sarandë, që s’mund të
jenë bërë ndryshe veçse me para të pista.
Prandaj ndoshta metafora me peshq të mëdhenj e
të vegjël duhet modifikuar një çikë, nëse duam t’i japim përgjigje pyetjes retorike
të Ambasadorit. Unë do të thoja se metaforë më e goditur do të ishte përdorimi
i fjalës “peshkaqen”, që në shqip përbëhet nga dy fjalë: “peshk” dhe “qen”. Në
këtë rast Balili duhet parë vetëm si gjysma e peshkaqenit, sipas meje “peshku”,
kurse gjysmën tjetër “qenin” e bëjnë politikanët me të cilët ka qenë apo është
i lidhur. (E bëra ndarjen kështu duke pasur parasysh se qentë edhe lehin përveçse
hanë kurse peshqit vetëm hanë, por metaforë është dhe si e tillë ka kufizimet e
veta.) Të gjithë pra e dimë se Balili nuk arrestohet dot sepse peshku do të
merrte me vete qenin. Prandaj, sipas kësaj metafore, pyetja e ambasadorit ndoshta
duhej shtruar në një formë tjetër: si mund të bëhet që në Shqipëria të ndajmë
peshqit nga qentë?
***
Përgjigja e Ambasadorit deri më tani është se
me ndihmën e tij dhe të Vllahutinit në Shqipëri do përgatitet një grup i
specializuar peshkatarësh që nuk do të lenë peshk e peshkaqen pa kapur në ujërat
tona. Por më duket se me këto sjelljet e heqjes së vizave në mënyrë kaq
selektive dhe arrogante, (që do s’do ambasadori fyen çdokend që ka një sens
drejtësie dhe që na kujton madje edhe arrogancën e Trumpit në pezullimin e
vizave për myslimanët e shtatë shteteve), me mbrojtjen e interesave të Bankers
Petrolium kundër shtetasve të varfër shqiptarë apo dhe me Vllahutinin që shkon
e ble 1.6 milion euro vilën në folenë e peshkaqenëve, ata po japin mesazhe të
kundërta për peshkatarët. Më së shumti ata po japin sinjalin se i janë bashkuar
tufës së peshkaqenëve më të egër të vendit dhe se po punojnë që tu hiqen
dhëmbët ca peshkaqenëve më të dobët për t’i implementuar në nofullat e
kryepeshkaqenit të vendit. Dhe kjo vetëm drejtësi dhe shpresë për drejtësi nuk
është, përkundrazi jo vetëm që stimulon përvojën tashmë të njohur tonën se në
Shqipëri ka dy drejtësi: një për peshqit dhe një për peshkaqenët, por
parashikoj se do të prodhojë padrejtësi
edhe më të mëdha në të nesërmen. (Panorama,
6 shkurt 2017)
No comments:
Post a Comment