"Bomba Doshi" e kanë
quajtur ngjarjen që na mbajti e po na mban vëmendjen pezull këto dhjetë ditë.
Figura e bombës që shpërthen nënkupton në këtë rast një gjë që trondit,
skandalizon, ngaqë dalin në pah shumë të palara. Por kjo "bombë",,
sipas mendimit tim, thellë thellë tërheq vëmendjen jo aq për shkak të intrigës
policore apo kriminale që mban brenda, se sa për shkak të nevojës për ndryshim
që kanë njerëzit. Ajo ka tërhequr vëmendjen e njerëzve pikërisht mbi shpresën
se, pas kësaj, diçka do të ndodhë, duhet të ndodhë, sepse s'mban më ujë pilafi,
sepse ka një tejngopje me të keqen.
Si ndarës i kësaj shprese më
tërhoqën vemendjen në fjalimin e Bashës në protestën e opozitës dy fraza që
pasuan njëra tjetrën: "Ne do ta shkulim të keqen! Ne do ta shporrim Edi
Ramën dhe Ilir Metën!".
Pse më tërhoqën vëmendjen? Sepse
sapo dëgjoj këtë lloj formulimi ku e keqja identifikohet me ndonjë emër të
përveçëm dhe gjithshka rrotullohet aty, tek emri i përveçëm "Berisha",
"Nano", "Meta", "Rama", "Basha"
etj. zhgënjehem, më vjen të
nënqesh dhe të përjetoj pikërisht sabotimin e shpresës. Sepse kemi njëzet vjet
që në këtë teatrin gjithnjë e më banal të politikës sonë, aktorët tanë, në
luftën e tyre për manipulim të njerëzve, i japin të keqes emra të përveçëm
kundërshtarësh ndërkohë që ajo, e keqja, si sistem, marshon duke u bërë
gjithnjë e më agresive. Përvoja na ka treguar se aktorët e këtij teatri si emra
të përveçëm i kanë shërbyer asaj (të keqes) thjesht për ta kamufluar që të
lëshojë rrënjët edhe më thellë, ku të mundë, deri sa na ka hyrë në Parlament në
formën e krimit. Prandaj unë them
se nuk ka më shqiptar që të emocionohet e të ndjejë shpresë duke dëgjuar fraza
të tilla si: "Ne do ta shporrim Edi Ramën dhe Ilir Metën!". Madje
edhe shfaqja e fundit në formë drame dhe komedie e bombës Doshi sikur po
shërben për të harruar marrshimin e të keqes si sistem.
***
Për të sqaruar më mirë se ç'dua të them po jap
disa pasazhe të një kronike që u eklipsua krejtësisht gjatë këtyre ditëve. E kam fjalën për protestat e një grupi
të rinjsh kundër bombës së ndërtimeve tek diga e Liqenit Artificial të Tiranës
që do të shkatërrojë hapësirat publike dhe të gjelbërta pranë liqenit. Ata e quajnë njerit tjetrin me shaka
"betonsa" ose "antibetonsa", por në publik janë të gjithë
të rinj me emrin: "qytetarët për Parkun". I kanë dorëzuar
Kryeministrit, Presidentit, por edhe Metës një rezolute ku shtjellojnë se përse
nuk duhet ndërtuar sot në të gjitha hapesirat publike të mbetura e veçanërisht
pranë Liqenit. Kanë protestuar tek diga, ku po bëhen ndërtimet (duke na
paralajmëruar se përveç të keqes që po bëhet atje ky projekt i hap rrugë
tharjes së liqenit). Kanë
deklaruar se nuk do të votojnë askend që nuk e merr përsipër rikualifikimin e
të gjithë zonës rreth liqenit me thirrjen: "Qytetarët për parkun, zero
park, zero vota." Protestën e fundit e kishin tek Gjykata Administrative e
shkallës së parë për t'i treguar asaj edhe një herë se është në kohë që të
rishohë vendimin e ndërtimeve.
E kanë me Bashkinë e Bashës që ka dhëne lejen dhe
me Kryeministrin Rama që bën sikur çon INUK-un, por ndërkohe atje po zbatohet
projekti i tij i vitit 2003: Tirana Rocks. Kanë protestuar edhe para
Kryeministrisë për t'i kërkuar Ramës të shprehet publikisht për këtë, por asgjë
deri me sot.
Ç'lidhje ka kjo me rastin Doshi do të thotë
lexuesi. Po si nuk paska. Ka lidhjen me të keqen, me rrënjët e së keqes që
marrshon, me sistemin që marshon, i të cilit bomba Doshi është thjesht vetëm
një frut pak më i hidhur, por jo i vetmi.
Sepse bomba Doshi e pastruar nga tërë intrigat e vrasjes apo inskenimit
të vrasjes së tij është një nga të shumtat ngjarje që, po ta ndjekësh, siç nuk
po ndiqet, të çon tek rrënjët e të keqes që ka prodhur edhe bombën tek Diga:
tek sistemi i përdorimit të politikës sonë nga njerëz që pa dallim feje,
krahine dhe ideje punojnë në mënyrë më së shumti kriminale ndaj të mirës
publike. Nganjëherë punët kriminale shkojnë deri në vrasje apo kërcënim për
vrasje, por edhe kur nuk shkojnë deri aty në më të shumtën krime janë. Dhe ka
një llogjikë në punët e krimit që
sintetizohet në atë thënien: "krimi ndjall krimin". Sikurse është
thënë në shtyp mëse një herë Doshi, në bashkëpunim me Metën, ka privatizuar
Profarmën, Ajkën, ka zhvilluar bizneset e tij në Veri, pastaj, gjithë në
funksion të intereasve të tij, ka qenë në një grup Parlamentar në mbështetje të
Berishës ku ministër i
Shëndetësisë ishte kryetri i këtij grupi Nard Noka, pastaj u bë me Ramën për të
përmbysur Berishën dhe u bë deputet. Të gjitha këto lëvizje politike dhe
përfitimet që kanë rrjedhur pas tyre kanë bërë që të qarkullojnë lloj lloj
versionesh mbi atë se pse do ta vriste Meta deputetin e PS. Midis tyre edhe
versioni se nuk kanë rënë dakort për ndarjen e shifrës që i takonte Metës për
favoret që i ka bërë Doshit. Por për, mua pak rëndësi ka a janë apo jo të
vërteta këto. Për mua ka rëndësi se nuk ka shqiptar që nuk e di se ashtu si
Doshi funksionojnë edhe pasunarë të tjerë që sponsorizojnë të dy partitë dhe vazhdojnë të pasurohen në kurriz të
përkeqësimit të jetës së shumicës së shqiptarëve. Edhe rasti i bombës tek diga,
në thelb, për mua, është e njëjta histori. Projektin e bëri Rama lejen e dha
Basha - tani të dy palët në teatrin në skenë bëjnë sikur duan të pastrojnë të
keqen duke përdorur ndonjë emër të përveçëm, gjithë duke qenë të lildhur në
prapaskenë me fijet e këtyre interesave.
Në një shkrim të tij të fundit Andi Bushati, duke
anlizuar "bombën Doshi", shkruan se ajo
çka po del nga tërheqja e fillit të ngjarjeve të fundit, tregon se "kemi
një polici krejtësisht të politizuar dhe të tredhur nga krimi". Mjaft të
kesh parasysh - thotë ai - fakti se në vend se që prej gjashtë muajve të kishte
filluar ndjekja dhe përgjimi i njerëzve që implikoheshin në aferën Doshi, gjithshka
u mbulua derisa plasi bomba, apo faktin e deputetit Frroku që strehon në makinë
kriminelë dhe policia as që s'guxon t'ia ndalojë mkinën. Mbi këto fak te ai
ngre pyetjen: "kemi një qeverisje të lidhur me krimin apo thjesht të
pazonjën për ta luftuar atë".
Përgjigja që do të jepja unë, duke e konsideruar futjen e krimit në
Parlament si frutin më të hidhur të pemës së të keqes - sistemi i përdorimit të
politikës për interesa njerëzish që punojnë në mënyrë kriminale ndaj të mirës publike, - është se në kushtet ku jemi
nuk ka kuptim të bësh një ndarje midis "qeverisë" dhe
"krimit", apo "qeverisë" dhe "pafuqisë" së saj
ndaj krimit, pasi krimi dhe politika
tek ne janë dy faqe të së njëjtës medalje. Prandaj dhe të rinjtë që
protestojnë ndaj bombës betonizuese tek diga e Liqenit nuk do të marrin dot
përgjigje ashtu sikurse nuk morëm dot një përgjigje mbi vrasjn e Santos dhe,
mesa duket, ashtu sikurse nuk do të marrim dot një përgjigje edhe mbi pyetjet e
shumta që ngre "bomba Doshi". (Panorama, 18 mars 2015)