Çfarë po ndodh pyesin shumë vetë
këto ditë. Pyesin jo vetëm njerëzit që thjesht dëgjojnë lajmet e lexojnë
shtypin, por edhe ata që merren përditë me hartimin e lajmeve apo shkrimeve në
gazeta. Sepse ekuacioni politik është komplikuar. Nuk është më me tre variablet
e njohur PS - PD - LSI, por janë shtuar edhe disa nënvariable brenda PS.
Kuptohet e kam fjalën për lëvizjen
e fundit të deputetit Tom Doshi që deklaroi se i ka hapur tashmë luftë
Kryeministrit dhe kërcënoi se do ta shkundë maxhorancën po vendosi të flasë.
Por edhe për luftën që i është hapur disa kryebashkiakëve të PS në disa qytete
për të dhënë dorëheqje apo për të mos kandiduar, çka u kritikua edhe nga
deputetja socialiste Arta Dade. Le të mos harrojmë edhe një reagim nga deputeti
socialist Ben Blushi i cili ka kritikuar politikat e qeverisë përsa i përket
rritjes së varfërisë.
Si duhet t'i interpretojmë këtë
ndryshime ekulibresh? A janë për hall të punëve të Shqipërisë kundërsulmet që
po merr Kryeministri apo janë, ashtu siç tha ai për Doshin, punë personale?
Dhe, mbi të gjitha, ku mund të na çojë dinamika e këtyre ngjarjeve?
Sigurisht duke u bazuar në përvojën
që kemi dhe njohjen e këtyre lojtarëve e kemi të vështirë të besojmë se
ndeshjet e tyre janë për hir të punëve tona. Mua më duket se ky ekuacion i ri është
ndërtuar për shkak se ekuilibret e pushtetit të PS të ngritura një vit e gjysmë
më parë, përsa i përket rëndësisë dhe pushteti që kishin disa protagonistë atëhere
dhe të rëndësisë dhe pushteti që kanë ata sot, kanë ndryshuar. Pra kemi të bëjmë
me vazhdimin e lojës për pushtet në një kontekst të ri, edhe më të ndërlikuar,
ku hallet e vendit shërbejnë vetëm si një pretekst për luftë.
Lojtari i parë në këtë luftë është
Edi Rama cili një vit e gjysmë
pasi ka marrë pushtetin ka vendosur të bëjë një hap të ri përpara në
konsolidimin e pushteti të tij. Ndryshe nga Sali Berisha që pushtetin e tij
absolut mbi PD e ka marrë që në krye të herës kur është krijuar partia, Rama ka
ende disa probleme me faktin se pushtetin e ka marrë duke u anëtarësuar vonë në
PS. Pra Edi Ramës, për të ecur në rrugën e tij drejt konsolidimit të pushtetit
në PS, i duhet të heqë qafe disa mbeturina kokëforta të Partisë Socialiste. Dhe
për mendimin tim këtë punë thuajse e ka mbaruar. Ben Blushi mund të jetë simbol
i atyre që kanë mbetur. Të tjerë kanë kaluar në hije dhe e kanë pranuar rolin e
tyre në hije. Një problem më i madh, sipas meje, i vjen nga fakti se më shumë
sesa së brendshmi ai e mori PS së jashtmi nëpërmjet asaj që Ilir Meta e quajti
atëhere politika "një pallat një votë". I vjen pra nga oligarkët kokëfortë,
pushteti i ri financiar që asokohe ishin ende jashtë partisë kurse tani një
pjesë kanë hyrë në Parlament. Besoj se edhe kryebashkiakët që kanë disa mandate
duhet t'i fusim më shumë në këtë kategori sesa në atë të socialistëve të vjetër,
sepse shumica e tyre gjatë këtyre tre katër mandateve kanë vënë edhe pushtet
financiar dhe kanë pole të tyre të pushtetit atje ku komandojnë. Ndërkaq duhet
thënë se Rama nuk ka shpalosur ndonjë
platformë politike që të kërkojë largimin e tyre dhe as ka ndjekur ndaj
tyre një qëndrim agresiv. Një pjesë si Tom Doshi me shokë i ka deputetë, por u
ka lënë në dorë hapsat e kashtës kur bëhet fjalë për pushtetet që sjellin
fitime në sajë të emërimeve apo shpërndarjs së parasë publike, kurse
kryebashkiakët preferon të ikin pa bërë zë. Nënkuptimi është: mjaft jeni
pasuruar, tani hapni rrugën. Një pjesë e kanë pranuar këtë heshturazi një pjesë
po reagojnë. Disa i quajnë këta pashallarë apo feudalë që duhen shfuqizuar.
Disa thonë se pas aleancës me qelbësirat Rama kërkon të pastrojë qelbësirat.
Personalisht jam më afër idesë se Rama duke qenë se nuk mund të kënaqë orekset
e të tërëve (sigurisht duke përjashtuar LSI që për momentin duket se nuk synon
ta prekë) synon të kënaqë orekset e atyre që i ka më afër dhe më nën kontroll -
dhe pa dyshim shumica e këtyre bëjnë
pjesë në kategorinë e atyre që janë në pushtet falë Ramës dhe jo në sajë të
qenies herët në PS apo në sajë të pushtetit të tyre financiar.
Ndërkaq, për ata që e shohin këtë
si një hap pozitiv, mbetet një pikëpyetje e madhe (përveç faktit se prirja për
të grumbulluar pushtet në një dorë të vetme mbetet tek ne rrezik edhe më i madh
se korrupsioni). Rama kur është ndeshur përpara kërkesës për të luftuar
korrupsionin në nivelet e larta ka folur për sistemin që korrupton njerëzit dhe
jo për njerëzit që janë përgjegjës për ngritjen e këtij sistemi. Dhe sistemi nëse
mund të përmblidhet me dy fjalë quhet konflikt interesi. Në këtë që po ndodh a
po duket ndonjë shenjë se Rama po kërkon të ndryshojë sistemin e konfliktit të
interesit apo jemi përpara një rishpërndarjeje të konflikteve dhe të
interesave? Mua më duket se kemi të bëjmë me këtë të dytën. Tom Doshi deklaroi
se do të shkundet maxhoranca po të flasë ai dhe askush nuk u ngrit t'i kërkojë
të thotë se për çfarë e ka fjalën - përkundrazi një tjetër simbol i konflikti të
interesit, deputeti Kokëdhima nxitoi ta qetësojë, - ndërkohë që jo më shumë se
disa ditë më parë, kur opozita bëri deklarata të kësaj natyre, Kryeministri kërkoi
ndërhyrjen e Prokurorisë për kësi deklaratash. Po ashtu sulmi ndaj kryebashkiakëve
u bë me shantazh duke nënkuptuar se ata janë të shantazhueshëm por asgjë që të
mbajë erë reformë për të luftuar sistemin e konfliktit të interesit që ata kanë
ngritur në feudet e tyre nuk duket në horizont - duke filluar që nga
sponsorizimi i partive në fushata elektorale.
Në këto kushte sistemi nuk
ndryshon, por pyetja shtrohet si do të përfundojë kjo lojë të fortësh? A i ka bërë
Rama llogaritë mirë apo e ka mbivlerësuar pushtetin e tij? A ka fuqi Tom Doshi
me shokë ta rrëzojnë Ramën apo do të ulin kokën e do të kënaqen me atë çka u
mbetet të hanë? Apo do të përjashtohen e do të kalojë tek opozita - gjë që s'është çudi me çfarë kemi parë
deri më sot? A ka rrezik që kjo luftë të fortësh të destabilizojë vendin? Janë
pyetje që mbeten të hapura dhe që për mendimin tim mbeten të hapura edhe për një
variabël tjetër të rëndësishëm të ekuacionit të ri politik: kriza ekonomike dhe
ndjenja e pasigurisë që ka pllakosur vendin, që, sikurse dihet, tek ne
favorizon pikërisht të pasurit, të fortët dhe krimin, por edhe e ashpërson luftën
midis tyre. (Panorama, 2 mars 2015)
No comments:
Post a Comment