Tuesday, September 30, 2014

Vizita e Papës dhe “çudia” shqiptare - Ose :theksat e gabuar në vizitën e Papës



Ka një shprehje që thotë: çdo spektator ka spektaklin që kërkon. Spektakli i vizitës së Papës, që na u servir nëpërmjet medieve e shtypit tonë, ishte ai që kërkonte shumica e shqiptarëve, veçanërisht elita në pushtet. Thënë ndryshe ai ishte një “përkthim” i vizitës së Papës sipas gjuhës/kulturës mbizotëruese në vend - që e promovon pushteti duke farkuar shqiptarin e ditëve të sotme. E në këtë “përkthim”/spektakël kjo gjuhë/kulturë, sipas meje, vuri shumë theksa të gabuara edhe duke e keqpërdorur Papën.
Për të shtjelluar “theksat e gabuara” në këtë “përkthim” më duhet më së pari të përkufizoj se çfarë kuptoj me shqiptarin mbizotërues të ditëve së sotme; cilat janë karakteristikat e tij kulturore? Tema meriton thellime antropologjike, por këtu do të prek shkurt disa karakteristika kryesore, edhe si përgjigje ndaj reagimeve të shumta që kam pasur pas letrës së hapur dërguar Kryepeshkvit Rrok Mirdita.
Për ta fokusuar problemin do t’i referohem “çudisë” që u manifestua gjatë vizitës së Papës – që e shprehin kryesisht të huajt - se si mund të marrin pjesë në një meshë katolike, me përmasat e një mitingu  të madh politik, katolikë, ortodoksë, myslimanë, ateistë etj., bashkë e të ndjehen të gjithë të bekuar nga Papa. A i dedikohet kjo mrekullisë së Zotit, apo ndonjë “mrekullie” tjetër?
Siç e thashë edhe në shkrimin paraardhës nuk besoj në mitin e “vëllazërisë së shqiptarëve me fe të ndryshme” a thua pra se shqiptarët qenkan të ndryshëm nga tërë ata popuj që kanë bërë luftëra e konflikte fetare në shekuj. Aq më tepër duke pasur parasysh se shqiptarët nuk janë sjellë e nuk sillen aspak si vëllezër me njëri tjetrin edhe kur janë të të njëjtës fe, e jo më kur janë të feve të ndryshme. Për këtë si provën më elokuente, nuk kam vetëm diktaturën e egër, por edhe shumicën e shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë, politikanë, që qenë në radhën e  parë të meshës së Papës, përfaqësuesit “par exellence” të një Shqipërie ku korrupsioni, vjedhja e vrasja e tjetrit, janë bërë si “buka e përditshme” që na fal Zoti.
Pra edhe pas entuziazmit tek sheshi Nënë Tereza ngulmoj se mrekullia që i bashkoi të gjithë tek Papa nuk është fetare, por produkt i farkimit të shqiptarit gjatë një shekulli e gjysmë që kur lindi shqiptaria deri në ditët e sotme me një kulturë e traditë që karakterizohet nga një cektësi besimi që e ilustron ajo thënia: gërvishte pak shqiptarin mysliman dhe do të gjesh atje shqiptarin kristian, por e aplikuar për të gjitha besimet - edhe të atyre që nuk besojnë. Thënë ndryshe ky proces historik ka bërë që ne të kemi gjithmonë një “kripto” pas cipës sonë të lëkurës: çka bën që, sipas rastit, të mund të sillemi si kriptokatolikë, kriptoortodoksë, kriptomyslimanë, kriptoshqiptaristë, kritokomunistë, kriptoateistë, kripto… kripto. Më shqeto e ka thënë edhe Noli: “Nuk e ka për gjë shqiptari që kur zhgënjehet nga Zoti t’i ndezë një qiri Djallit”. Një studiuese e huaj më tha se në intervistimet që u ka bërë shqiptarëve në emigracion ka gjetur edhe mjaft raste emigrantësh që edhe i pagëzojnë fëmijët edhe i bëjnë synet e kjo më kujtoi kohën kur sapo u hap Shqipëria dhe ne u afruam edhe me botën perëndimore, por edhe u bëmë pjesë e Konferencës Islamike çka shumë e konsideronin si shkathtësi pasi kështu ua bënim me sy të dy palëve që të merrnim ndihma nga të dy palët.
Problemi është ta shpjegojmë këtë kulturë e traditë që, sikurse duket, nuk ka vetëm të këqija përderisa arrin të emocionojë edhe vetë Papën, por që, sikurse tregojnë faktet e përditshme, nuk mjafton për të na garantuar që të mos vrasim, vjedhim e mashtrojmë përditë njëri tjetrin, nëse me rol të feve kuptojmë kultivimin e dashurisë për njëri tjetrin. (Gjithsesi, në këtë mosrespektim të principeve fetare të dashurisë do të thosha se nuk jemi shumë të ndryshëm nga bota - ndoshta ca më të ekzagjeruar.)
Nëse do të dalloja disa faktorë të farkimit të këtij shqiptari besimcekët, do të veçoja si më kryesoret:
Shoqëria fisnore. Mbetja deri në shekullin XIX më së shumti analfabet dhe të izoluar ka bërë që përkatësia në një fis të jetë më e fortë sesa përkatësia në një fe a komunitet fetar duke bërë që ligjet e Kanunit të jenë më me ndikim se ato të Ungjillit, Kuranit, shqiptarizmit e të komunizmit, apo shtetit të së drejtës që po kërkojmë të ndërtojmë sot. Mjaft të kemi parasysh se jo vetëm komunizmi e përdori identitetin fisnor për të përcaktuar se kush ishin të mirët dhe kush të këqijtë, por edhe demokratët që erdhën pas tij. Kjo është një nga arsyet që si thënia e Krishtit: “Kush do atin dhe nënën më shumë se mua nuk është i denjë për mua….” si ajo e myslimanëve që e quajnë njëri tjetrin “vëlla”, si e nacionalizmit që u ve shqiptarinë mbi interesin familjar apo e komunizmit që përdori fjalën “shok”për të gjithë, ashtu edhe shteti i së drejtës që ve ligjin mbi çdo gjë, nuk përjetohen thellësisht nga shqiptarët, por vetëm në cipën e lëkurës.
Konvertimet e shpeshta. Si rezultat kryesisht i zhvillimeve të shekujve XIX – XX, mbi këtë shqiptar me identitet të fortë fisnor, kanë ndodhur disa konvertime të shpejta e të shpeshta të cilat kanë fshirë njëri tjetrin në emër të mbizotërimit të atij më të fundit duke ndikuar edhe ato për këtë mbetje në cektësi shpirtërore. Zigmund Baumani do t’i jepte këta konvertime të shpeshta si shembuj ekstrem të atij që ai e ka quajtur “identitet i lëngshëm”.
Feja e shqiptarit është shqiptaria. Kështu ky slogan i lëvizjes nacionaliste të fundit të shekullit XIX, që është edhe koha e fillimit të arsimimit, të shtypjes së gazetave e të homogjenizimit të shoqërisë, por edhe e krizës së feve në Evropë, synonte të farkonte një shqiptar që filloi gjithnjë e më shumë të vinte shqiptarinë mbi fenë e tij, madje edhe kundër fesë së tij - ndryshe nga çka ndodhur psh. me fqinjët që ia mbivendosën nacionalizmin e tyre fesë ortodokse.
Myslimanët, maxhorancë e diskriminuar. Kundërvënia e nacionalizmit ndaj fesë bëhet edhe më evidente për shkak të qenies së shqiptarëve me origjinë më së shumti myslimane në një kohë kur lëvizja nacionaliste i drejtoi sytë për nga Evropa “me rrënjë kristiane”. Kësisoj, normalisht pushtetin më së shumti në Shqipëri e kanë pasur shqiptarë me origjinë myslimane, por këta kanë përqafuar nacionalizmin, komunizmin, evropianizimin, që i ka larguar nga feja e gjyshërve e etërve të tyre. Kjo ka bërë që feja islame, që mund të ishte më e instrumentalizuara nga pushteti, të mos instrumentalizohet, madje të diskriminohet si bartëse e prapambetjes, si trashëgimi e një botë prej të cilës shqiptarët donin të shkëputeshin.
Nacional - komunizmi i Enver Hoxhës.  Pas rreth çerek shekulli që farkohej, nëpërmjet institucioneve të shtetit komb, shqiptari nacionalist i orientuar nga Perëndimi, erdhi ideologjia e pushtetit të Enver Hoxhës që përveç se antifetare ka pasur edhe elementë të fortë antinacionalistë, veçanërisht gjatë kohës kur Shqipëria qe e lidhur me Lindjen: Jugosllavinë dhe pastaj me Bashkimin Sovjetik e Kampin Socialist. Kjo u reflektua në persekutimin e egër të kundërshtarëve të tyre nacionalistë antikomunistë si dhe të familjeve të tyre. Pas prishjes me BS Enver Hoxha e rimori nacionalizmin duke e shartuar me stalinizmin. Në këtë periudhë, duke imituar edhe revolucionin kinez, ai e çoi në ekstrem shqiptarinë si fe të shqiptarit duke i shpallur fetë dyfish armike: të shqiptarisë dhe si “opium për popullin”. Ndalimi i feve me Kushtetutë është shembulli më ekstrem i konvertimeve që kanë përjetuar shqiptarët. Hoxha tentoi të krijojë një njeri të ri, i cili, dora dorës që zhgënjehej nga praktikimi i këtij konvertimi, i nënshtrohej pushtetit pa ndjerë asgjë përveç frikës. Kësisoj mund të thuhet se komunizmi jo vetëm shkatërroi identitetet e ndjenjat fetare të shqiptarëve, por dëmtoi rëndë edhe ato kombëtare duke e lënë shqiptarin fisnor thuajse pa lëkurë. Shprehja më elokuente e kësaj ishte ikja e një të tretës së shqiptarëve jashtë Shqipërisë me hapjen e kufijve.
Konsumizmi dhe nacional evropianizmi. Me rënien e enverizmit, shqiptarit i mbeti identiteti fisnor, si dhe ai kombëtar, por i dëmtuar rëndë për shkak të abuzimit që kishte bërë diktatura. Në këto kushte ai qe i gatshëm të vishte lëkurën e re që i siguronte mbijetesën. Më së shumti dhe më shpejt në këtë gjendje u vesh ideologjia konsumiste dhe ajo e pasurimit, që mbizotëron edhe në Perëndimi, duke i bërë shqiptarët të adhurojnë Lopën e Artë më shumë se Zotin. E vuri në dukje këtë edhe Imzot Rrok Mirdita në fjalën e tij gjatë meshën në sheshin Nënë Tereza. Gjithashtu, në përpjekjen e endjes së lëkurës së re identitare, si ind kryesor u përdor ai i krenarisë kombëtare, që  gjatë komunizmit mbahej lart përveç se me të kaluarën e lavdishme edhe me emrin e Enver Hoxhës, me rezistencën ndaj social imperializmit, me të qenit i vetmi vend marksist – leninist i vërtetë e ateist në botë. Këto të fundit, duke rënë, kishin krijuar një boshllëk identitar që lypte mbushje sa më shpejt të lëkurës me inde të tjera. Ndër këta, zgjedhja e indeve fetare ka qenë dhe mbetet kontradiktore jo vetëm për shkak të konsumizmit, por edhe pse feja e maxhorancës, islami, konsiderohet nga një pjesë e elitës si fe e orientalëve; feja ortodokse si fe e armiqve të kombit, grekëve dhe serbëve; katolicizmi si fe e minorancës. Kësisoj mbizotëroi me sukses evropianizmi që zëvendësoi komunizmin si aspiratë, miti i tolerancës fetare si version i zbutur i “feja e shqiptarit është shqiptaria”, miti i Nënë Terezës që përdoret edhe ai si krenari identitare, miti i shpëtimit të ebrejve gjatë Luftës së Dytë – që të gjithë për tu vetëkrenuar e për t’i pëlqyer kryesisht Perëndimit.
Këto janë elementë të lëkurës së re që kemi veshur nën të cilën, po të kruajmë pak, do të gjejmë një kriptoshqiptar ashtu siç e ka farkuar Enver Hoxha: pa din e pa imam, i gatshëm të përqafojë besimin e atij që e mban në pushtet - siç bëri edhe Hoxha kur ndërroi tre herë aleatë për hir të pushtetit.
Sadomasokizmi
Në fakt “çudia” shqiptare në Sheshin Nënë Tereza nuk mund të shpjegohet pa trajtuar edhe raportin që ka pasur (apo i është imponuar) historikisht shqiptari me pushtetin. Është e qartë se Kanuni, paradoksalisht i praktikuar më së shumti në pjesën katolike, por, në fakt, në një shoqëri fisnore të izoluar nga Kisha, ka kultivuar mburrjen fisnore e kultin e të fortit; edhe nacionalizmi dhe komunizmi kanë kultivuar njëri mburrjen kombëtare, tjetri luftën e klasave – që të dyja të lidhura me forcën. Edhe nga bota islame kemi marrë më së shumti mësimin “huri ka dalë nga Xheneti.” Të gjitha këto sëbashku kanë ndërtuar një psikologji sadomasokiste: duke na bërë puthadorës e me kompleks inferioriteti ndaj më të pushtetshmit dhe të dhunshëm ndaj inferiorit. Ky është raporti mbizotërues i shqiptarit me pushtetin: ai i një të parrituri që kërkon të njihet të pranohet nga të fuqishmit e kësaj bote. Kjo ka bërë edhe që identiteti ynë të orientohet kryesisht për nga identiteti i “pushtuesit” apo “aleatit” të fortë të radhës. Kjo vjen edhe si një lloj traume e trashëguar nga koha kur shumëçka për njohjen e Shqipërisë, pas Luftërave Ballkanike varej prej tyre, por edhe pas Luftë së Dytë kur ekzistenca e shtetit tonë ka qenë gjithnjë e kushtëzuar nga aleatët e fuqishëm, jugosllavët, sovjetikët, kinezët e më pas euroatlantikët.
E këtu vijmë tek vizita e fundit e Papës. Edhe ajo nuk bën përjashtim nga fakti se vizitën e çdo të fuqishmi të kësaj bote ne e përkthejmë shpejt e shpejt si legjitimitet si njohje të Shqipërisë e më së shumti në funksion të elitës që e drejton vendin. Sipas meje në këtë proces u fut duke u keqpërdorur edhe Papa që përfaqëson një fe që, së pari, është universale dhe jo nacionale dhe, së dyti, që ka lindur dhe ka mbijetuar si fe e të dobëtëve, jo e të fortëve: “Shumë nga të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët” (Ungjilli sipas Mateut (19, 30))
Prandaj “çudia” shqiptare, Papa që u prit thuajse njëlloj, pa “dallim feje, krahine, dhe ideje” nga të gjithë shqiptarët, shpjegohet sipas meje kryesisht ngase e pritëm si njeri të pushtetit tokësor që vjen e na legjitimon. “Papa bekoi Shqipërinë”, “vendi i shqipeve” “Shqiponja”, “martirët vdisnin duke thirrur rroftë Shqipëria, rroftë Papa”,  “Shqipëria është një vend evropian, jo një vend mysliman.” “Kryeministri i dhuron Papës një kupë me dhe shqiptar”. Këto ishin fjalët kyçe mbizotërues të televizioneve dhe gazetave. Spektakli që u dha - pa harruar se spektakli i shërben pushtetit sepse ai e zhduk realitetin duke iu shmangur problemeve që ai paraqet - nuk ishte, sikurse kanë aluduar një pjesë, një përpjekje misionare për të konvertuar shqiptarët në katolikë, por një riafirmim i shqiptarisë si fe e shqiptarëve dhe i krenarisë kombëtare. E ky ishte sipas meje një theks i gabuar. Kupa me “dhe shqiptar” që i dhuroi Kryeministri ishte simbolika më domethënëse e këtij theksi të gabuar. Nuk mund të derdhej vizita e  Papës në një kupë që më së shumti është ajo e legjitimimit të krenarisë kombëtare ndërkohë që krenia është sipas fesë që predikon Papa mëkati fillestar i njeriut. Në mënyrë metaforike do të thosha se nëse Papa gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza tha se: “Shqiponja nuk e harron folenë, por fluturon lart në qiell”; ne e vumë theksin tek shqiponja dhe tek foleja kurse ai e vuri theksin tek fluturimi dhe qielli.

Për këtë “fluturim” dhe “qiell” si një interpretim ndryshe të vizitës së Papës do të shkruaj në shkrimin e ardhshëm. (Panorama 30 shtator 2014)

Saturday, September 20, 2014

Që Papa Françesku të mos keqpërdoret


Letër e hapur Kryepeshkvit të Tiranës dhe Durrësit,  Rrok Mirdita


I nderuar Kryepeshkv, Rrok Mirdita

Përditë e më shumë nëpër mediet tona e të huaja po thuhet se Papa Françesku po vjen në Shqipëri për t'i çuar botës prej këtej mesazhin se duhet të jetojnë të gjithë si në Shqipëri përsa i përket tolerancës e bashkëjetesës fetare. Aq më tepër në këtë kohë konfliktesh. Këtë ma pohoi edhe një gazetar i Radio Vatikanit që e takova në Tiranë. Së fundmi u shpreh edhe vetë Papa duke thënë se  vjen në Shqipëri për vuajtjet e së kaluarës dhe harmoninë e bashkëjetesës fetare.
Atmosfera e krijuar, të bën të mendosh se "i madh e i vogël" - siç thuhej në kohën e diktaturës - po përgatitet të presë Papën dhe të festojë bashkë me të edhe demagogjinë e radhës nga kasta jonë politike. Dhe problemi që lind është se për këtë duan të përdorin edhe Papa Françeskun për të cilin një botë e tërë, ku bëj pjesë edhe unë, ka një respekt të veçantë. Pse  e them këtë. Sepse nëse pranojmë se toleranca e bashkëjetesa në thelbin e tyre janë koncepte që tregojnë apo bëjnë thirrje për raporte njerëzore midis të ndryshmëve (toleranca veçanërisht midis më të fortit dhe më të dobëtit) fakti është se raporti i më të fortëve me më të dobëtit në Shqipërinë tonë ka qenë dhe mbetet ndër më tragjikët, me përçarje dhe konflikte të thella që, edhe pse nuk janë fetare për momentin, përmbajnë premisat për këto në të ardhmen. Dikush ndoshta duhet t'i kujtojë Papës se regjimi i Enver Hoxhës ka qenë më intoleranti përsa i përket pranimit të atyre që mendonin e besonin ndryshe dhe po ashtu ndaj vetë feve, aq sa është i vetmi që i hoqi fetë me kushtetutë. Po ashtu dikush duhet t'i tregojë Papës se një nga problemet më të mëdha që ka ky vend sot është pikërisht konfliktualiteti dhe intoleranca politike ku sapo një maxhorancë vjen në pushtet e injoron krejtësisht opozitën çka ishte edhe problemi kryesor që vonoi pranimin e statusit të vendit kandidat.
Ka një paradoks pra këtu  midis "vuajtjeve të së kaluarës" dhe "harmonisë fetare": si është e mundur që nga një popull që "ndër shekuj ka aplikuar bashkëjetesën dhe tolerancën fetare" paskan dalë këta shqiptarët kaq intolerantë? Dikush duhet t'ia shpjegojë Papës këtë. Nëse do t'i referohemi historisë do të thosha se sikur shqiptarët të kishin qenë kaq bashkëjetues e tolerantë Vaso Pasha nuk do të kishte shkruar, në kapërcyell të shekujve XIX - XX,  vargjet e famshme përbashkuese, por sipas meje edhe me pasoja për fatin e feve: "Mos vështroni kisha  e xhamia/feja e shqiptarit është shqyptaria". Sikurse e kam shkruar edhe herë tjetër, duke cituar historianen Nathalie Clayer,  kjo ishte një thirrje për të ndryshuar gjendjen në terren, sepse ndarjet fetare ekzistonin mes shqiptarëve osmanë me fe të krishterë dhe myslimane dhe, në atë kohë të shpërbërjes së Perandorisë dhe lindjes së  nacionalizmave, mund të ktheheshin në konflikte.
E vërteta historike është se ishin dy ideologji pushteti të shekujve XIX- XX: nacionalizmi që u ndërtua duke venë shqiptarinë mbi besimet fetare e Zotin dhe komunizmi i Enver Hoxhës, që këtij nacionalizmi i shtoi edhe ateizmin, ato që kanë sjellë "harmoninë" fetare duke i bërë shqiptarët indiferentë ndaj feve, por jo për këtë edhe tolerantë ndaj njëri tjetrit e të tjerëve. Përkundrazi, bash shtypja në emër të urrejtjeve nacionale e klasore i disa principeve morale universale si ato të dashurisë së njeriut për njeriun, të mëshirës e sakrificës për tjetrin, të faljes dhe pendesës, që kanë përçuar fetë në shekuj, i ka bërë edhe më të dhunshëm e intolerantë.

Pse po i ve në dukje këto të vërteta historike? Sepse, sikurse e thashë, mënyra se si po pritet Papa, të bën të mendosh se kasta e demagogëve që kemi tash njëzet vjet në pushtet, duke na e shitur nacionalizmin dhe ateizmin e trashëguar nga regjimit komunist si "tolerancë fetare e kultivuar në shekuj" po kërkon të përdorë edhe Papën për të na ushqyer me gënjeshtra e vetëmburrje nacionaliste, çka, sipas meje, më së shumti i shërben pushtetit të kësaj kaste dhe jo shqiptarëve në përgjithësi dhe besimtarëve të vërtetë në veçanti. E vërteta është se ne vazhdojmë të mbetemi tejet intolerantë dhe jobashkëjetues dhe se kampionët e kësaj intelorance e përçarjeje gjenden në radhët e kësaj kaste në pushtet që vetëm me vlerat e vërteta fetare nuk ka lidhje. Ajo po e pret Papën tek i njëjti shesh ku ky popull është mbledhur nga pushtetarët e vet historikisht për tu manipuluar. Ky shesh, sikurse e dini, është lënë në ditë të hallit për dhjetëra vjet me radhë për njerëzit dhe u rregullua me ngut për këtë aparencë që kërkon të mbulojë edhe shumë të vërteta, ndër to edhe atë se fetë dhe klerikët e tyre nuk luajnë atë rol humanizues që duhet të luajnë në këtë shoqëri për shkak se vazhdojnë të mbeten nën hijen e kësaj kaste politike nacionaliste e të korruptuar që me pushtimin e turpshëm që i ka bërë hapësirës publike, i ka lënë thuajse jashtë ndikimi shpirtëror mbi njerëzit. E vërteta është se, për klerikët e pushkatuar fotot e të cilëve Papa do t'i shohë të varur në bulevard, kjo kastë gjatë këtyre njëzet vjetëve s'ka bërë as sforcon më të vogël për tu gjetur eshtrat se ku ua ka kallur diktatura.  Prandaj them se në këto kushte, Papa nuk do të pritet në sheshin Nënë Tereza siç ndodh në shumë vende të botës nga besimtarë të devotshëm të krishterë e simpatizantë të tjerë, por, më së shumti, me vetëmburrje nacionaliste njerëzish të trushpëlarë si dhe si vetëmburrje për kastën që e solli në Tiranë për të legjitimuar vetveten. Me të njëjtën mënyrë siç sillen edhe me Nënë Terezën të cilës i përdorin emrin e njohur për tu vetëmburrur, por nuk i imitojnë aspak vetësakrifikimin për të tjerët që simbolizon ky emër.

I nderuar Kryepeshkv, Rrok Mirdita,

Papa Françesku është i njohur dhe simpatizuar në botë si Papa që ka treguar sensibilitet të veçantë për botën e të varfërve dhe është pikërisht kjo që i ka krijuar popullaritet të jashtëzakonshëm. Edhe duke pasur parasysh këtë më duket shumë e rëndësishme që Papa këtu të vijë me dijeninë se po vjen në një vend të varfër që mban rekordin a analfabetëve funksionalë, prandaj dhe të injorancës në Evropë. Dhe, sikurse është provuar tashmë, nga injoranca lind shumë shpejt edhe intoleranca dhe manipulimi e instrumentalizimi i njerëzve veçanërisht instrumentalizimi i feve të tyre. Përbindëshat që shohim sot të vrasin barbarisht njerëz në emër të Zotit në ato vende ku ka pasur në dukje bashkëjetesë fetare midis sunitëve, shiitëve, të krishterëve, si Iraku psh., janë bij të politikave të gjata të gabuara kombëtare dhe ndërkombëtare që i kanë lënë njerëzit në varfëri dhe injorancë. Siç tregojnë edhe faktet e kohëve të fundit, Shqipëria nuk mund të shpëtojë nga rreziku potencial i këtyre fenomeneve vetëm me mitin e tolerancës e harmonisë fetare ndërkohë që kasta që trumbeton këtë mit, jo rrallë edhe duke u vetëshpallur evropianiste "me rrënjë kristiane" në një vend me popullsi më së shumti muslimane, krijon përditë varfëri, injorancë, përçarje, padrejtësi.

Unë gjykoj, i nderuar Kryepeshkv, se do të ishte në nderin tuaj e në shërbim të shqiptarëve t'ia bënit prezent Papës këto shqetësime që, ju siguroj se janë të shumë shqiptarëve besimtarë dhe jo besimtarë, katolikë dhe jo katolikë. Ai, pastaj, me mençurinë dhe thjeshtësinë e veçantë që e karakterizon, do ta gjejë vetë mënyrën që, brenda kornizave të vizitës si një burri shteti dhe kryebari i komunitetit katolik botëror, të përçojë një mesazh që më shumë të ndriçojë mendjet e zemrat e të varfërve e të paditurve të këtij vendi sesa të legjitimojë pushtetarët që kanë krijuar këtë varfëri dhe padituri. (Panorana, 18 Djysypt 2014)

Tuesday, September 16, 2014

Pse dhe si e duan Enver Hoxhën


Sikur t'i thoshin një kategorie njerëzish, ku bëjnë pjesë jo pak politikanë, deputetë, biznesmenë, shkrimtarë, gazetarë, intelektualë, botues, - se do të ngjallet Enver Hoxha dhe do të të marrë vilën duke të akuzuar se je borgjez, që ke pirë gjakun e popullit; se, pas kësaj, do të të kërkojnë të dorëzosh paratë që ke në bankë dhe ato që ke të fshehura dhe se, po nuk i tregove, do të të rrasin në qeli ku do të të torturojnë derisa t'i nxjerrësh të gjitha; se po nuk ndenje urtë edhe pas kësaj do të të rrasin në burg e familjen do të ta internojnë; se nuk do të mund të lëvizësh jo vetëm jashtë vendit, por as nga qyteti në qytet; se nuk duhet të kesh asnjë ide tjetër në kokë përveç atyre të partisë dhe të udhëheqësit të saj; se fëmijët duhet të duan më shumë udhëheqësin sesa ty; se ushqimin do ta kesh me tollona e kilen e qumështit do ta marrësh duke mbajtur radhë që në orën 4 të mëngjesit, e shumë të tjera bëma të atij regjimi jam i sigurt se do të ngriheshin me qysqi e kazma e lopata që të mos e linin Enverin të dilte nga varri.
Jo, jo këta nuk e duan diktaturën e proletariatit që kaluam, larg qoftë; në këtë aspekt këta kanë përqafuar vlerat e sistemit borgjezo - kapitalist dhe veçanërisht këta që kemi lart janë shkuar borgjezëve e kapitalistëve kur vjen puna për privatizime e për pronën e tyre private që, sipas atij sistemi, ishte burimi i të gjithë të këqijave.
Po pse megjithatë e duan Enverin është pyetja, ku e kanë hallin? Kush tha që e duan vërtet do të më pyesë dikush duke më venë në dukje faktin se thuajse askush sot nuk deklaron hapur një dashuri të tillë edhe pse mund ta dojë. Sipas meje ka plot shenja të kësaj dashurie për Enverin si simbol të asaj kohe, por zhbirilimi i këtij halli dashurie sipas meje nuk është edhe aq i thjeshtë siç kërkojnë ta paraqesin disa - sikur oligarkia socialiste në pushtet kërkuaka të na kthejë kohën e kaluar.
Sipas meje lëvizjet për të nxjerrë hijen e Enver Hoxhës nga  varri, por jo Enverin e
vërtetë, që ndjehen kur vijnë socialistët në pushtet, nuk kanë të bëjë me të djeshmen, por me të sotmen, me lojën e pushtetit. Po përpiqem ta shtjelloj pak më qartë idenë që kam për këtë çështje.
Një nga mënyrat më efikase për t'i pasur njerëzit nën pushtet, sigurisht krahas kontrollit të interesit të tyre material, është t'i bësh ata të ndajnë me ty këndvështrimin për botën, vlerësimet dhe emocionet pozitive dhe negative për njerëzit. Sepse njerëzit nuk jetojnë vetëm për bukën e gojës, kjo dihet. E, në këtë këndvështrim, një vend të madh zë kujtesa e së shkuarës dhe protagonistët e saj. Nuk thuhet kot se ne jemi kujtesa jonë. Vini re, sa herë takohemi me dikë dhe fillojmë e bisedojmë nuk bëjmë gjë tjetër veçse kujtojmë ngjarje të së kaluarës së largët ose të afërt. Sikur të na hiqet kujtesa ne nuk dimë se cilët jemi dhe do të reshtnim së dashuri apo së grinduri me njëri tjetrin. Dhe që këtej vjen edhe rëndësia e kujtesës për pushtetin. "Për hir të pushtetit duhet të ndërhyhet energjikisht tek kujtesa e njerëzve: në mënyrë që ajo të punojë në një drejtim të caktuar. Njeriu duhet të detyrohet të kujtojë, dhe të kujtojë në një mënyrë gjithnjë e më mekanike. Dhe kështu njeriu manipulohet deri në thellat më intime të psikikës. Atij i kryhet një si incizim me zjarr në kujtesë. Nuk ka asgjë më të tmerrshme dhe më të mistershme sesa mnemoteknika" - thotë Nietzche.
Kush ka përjetuar komunizmin e kupton mirë mnemoteknikën - teknika për të fiksuar sa më lehtësisht dhe sa më shpjet gjërat në kujtesë, për çka ajo përdor imazhe, rrëfenja, fjalë kyçe e plot mjete të tjera -  sepse propaganda komuniste e çoi në nivelet më spektakolare "incizimin me zjarr" në kujtesën e njerëzve. Mjaft të kesh parasysh numrin e pafundmë të lapidarëve që ka ngritur, apo tërë atë letërsi apo kinematografi të realizmit socialist, kujtimet e shokut Enver,  gënjeshtrën e shpifjen e përsëritur për armiqtë apo deri edhe fshirjen nga kujtesa të njerëzve të urryer nga pushteti nëpërmjet heqjes së fotove të tyre nga albumet apo faqet e historisë. Përgjatë afro gjysmë shekulli kjo mnemoteknikë manipulative është përdorur nga hoxhizmi ditë për ditë për të incizuar në mendjet e njerëzve versionin e vet të historisë dhe të kujtesës.
***
Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre njëzet vjetëve me këtë kujtesë? Sigurisht gjatë afro 50 vjetëve diktaturë ndodhën edhe shumë ngjarje të tmerrshme që nuk mund të iknin kollaj nga kujtesa e shqiptarëve, që u ngulitën edhe ato në kujtesën e tyre si krime e tmerre të asaj kohe. Nuk do të kishte rënë ashtu siç ra komunizmi, me njerëzit duke ikur nga sytë këmbët apo duke rrëzuar e pshurrur statujat e Enver Hoxhës sikur ata të mos kishin edhe një kujtesë tjetër nga ajo që kishin gatuar shkrimtarët, artistët, gazetarët e propagandistët e Enver Hoxhës. Po të shohësh imazhet e Shqipërisë së eksodit, të njerëzve që kacavirreshin në anijet për të shkuar në Itali, mbetesh pa gojë për atë se cilët ishin shqiptarët që dolën nga Shqipëria socialiste. Megjithatë ajo narrativë e incizuar me zjarr për 50 vjet, mbeti edhe ajo aty, në mendjet e tyre.
Ndërkaq shumë shpejt filloi loja e re e pushtetit. Në kushtet e pluralizmit politik ne zëvendësuam pushtetin e një partie të vetme me pushtetin e dy partive që, jo rastësisht, kishin në krye që të dyja ish komunistë të cilët, edhe për shkak se s'kishin marrë kulturë tjetër, filluan të përdorin edhe ata mnemoteknikat e përdorura nga hoxhizmi. Kësisoj dora dorës, në funksion të pushtetit të tyre, mnemoteknikat e këtyre dy partive filluan të krijojnë një version dykrerësh të kujtesës e të historisë.
Le të kujtoj disa momente të këtyre mnemoteknikave të pushtetit. Për shembull komunisti i kthyer në antikomunist Sali Berisha i fitoi zgjedhjet më 1992 duke përdorur shprehjen "jemi të gjithë bashkëvuajtës e bashkëfajtorë". Ishte një tentativë përpunimi dhe thjeshtëzimi i kujtesës të së kaluarës nëpërmjet këtyre dy fjalëve kyçe me kaq peshë. Ai tentonte kësisoj të merrte votën e atyre që deri dje kishin qenë më së shumti fajtorë duke e ditur se ata që më së shumti kishin qenë vuajtës i kishte votues të sigurt të partisë së tij antikomuniste. Megjithatë kjo thënie përmbante një të vërtetë të madhe: atë se shqiptarët kishin një kujtesë të keqe për atë sistem që kishte sjellë ose vuajtës ose fajtorë, ose të dyja së bashku.
Mirëpo shumë shpejt, për hir të pushtetit, Berisha i ndërroi teknikat e përpunimit të kujtesës. Shumë shpejt filloi t'u kujtonte njerëzve se jo vetëm opozita, por edhe ata që i kishin dalë kundra pse ishte autoritar, i padurueshëm, kishin qenë fajtorë pa "bashkë"-n përpara.  Kësisoj filloi një përpunimi i kujtesës nga ata që u vetëquajtën demokratë ku shumica kujtonin vetëm vuajtjet e persekutimet (që kishin pasur nga ata të tjerët) dhe trimërirat që kishin bërë kundër tyre - deri në atë pikë sa mund të ngrije pyetjen: si ka ndodhur që ai regjim ka ekzistuar kaq gjatë me këta liridashës, trima e disidentë të çartur? Po ashtu, thuajse çdo gjë që ishte konsideruar e zezë nga historiografia hoxhiste, u bë e bardhë si me shkop magjik.
Ndërkaq nga pala tjetër fillimisht pati kryesisht vetëmbrojtje. Mnemoteknika e socialistëve punoi me njerëzit e vet me metodën e harresës, të fshirjes nga kujtesa, veçanërisht të krimeve. Një strehë e rëndësishme për kujtesën e tyre u bë Lufta Nacional - Çlirimtare e cila u ruajt thuajse krejtësisht në variantin që kishte gatuar hoxhizmi. Pak nga pak, duke parë edhe dështimet e pushtetit të ri,  filloi të rimerrej narrativa e vjetër e të përpunohej versioni se ai regjim ka pasur edhe të mira se kishte krijuar universitetin e parë, shkollat, spitalet. Madje madje për shumicën e atyre që ishin persekutuar, kur nuk heshtej, përhapeshin thënia se kishin qenë kryesisht, hajdutë e keqbërës ordinerë.
Dhe kësisoj, që prej asaj kohe të dy palët filluan të kultivojnë kujtesën dhe harresën e grupit të tyre dhe të punojnë sistematikisht të ruajnë imazhet dhe versionet e tyre të historisë. Në këtë vazhdë lufte mnemoteknikash kemi përjetuar e vazhdojmë të përjetojmë konfliktin e gjatë për të përcaktuar datën e çlirimit: nëse ishte 29 Nëntori, apo 28 Nëntori; kemi parë të vihen emrat e rrugëve sipas përkatësive partiake të familjarëve, të ngrihen monumente, të jepen medalje e të përkujtohen ngjarje historike; kemi parë socialistët të heqin burgun e Burrelit si vend muze dhe ta kthejnë në një burg të zakonshëm e demokratët të heqin monumentin e Heronjve të Vigut nga sheshi qendror i Shkodrës për ta çuar afër fushës së plehrave. Së fundmi u bë edhe një sulm vandal mbi memorialin e izolimit komunist dhe nuk pati një socialist të vetëm të shprehte keqardhjen sepse atë e kishin ngritur demokratët.
Kjo lojë dy teatrosh regjisorët e të cilëve kanë interes të mbajnë spektatorët në platetë e tyre, sa duke u përpunuar kujtesën aq edhe duke e mikluar atë po vazhdon edhe sot. Në fakt është një lojë/luftë për pushtet që s'ka lidhje as me të vërteta historike shkencore dhe as me vlera të vërteta.  Në këtë lojë së fundmi është futur nga socialistët dhe fantazma e Enver Hoxhës.
***
"Enver Hoxha nuk mund të fshihet dhunshëm nga historia e Shqipërisë." Kështu ishte titulli i një intervistë të Paskal Milos që më tërhoqi vëmendjen pasi ai është caktuar kryetari i një komisioni për rishikimin e historisë prej të cilit thuhet se do të dalë një tekst që të na rrëfejë të vërtetën e të vërtetave për historinë tonë. E lexova me vëmendje dhe mund të them se ndjeva në çdo rresh incizimet mnemoteknike që synojnë të mbajnë gjallë narrativën socialiste të  kujtesës sonë për historinë. Kjo fillonte që me titullin: tek përdorja e fjalëve "dhunë" dhe "fshirje" e tek mbrojtja që kërkon t'i bëjë autori Hoxhës nga kjo dhënë dhe fshirje. Në fakt askënd nuk kam dëgjuar të thotë që Hoxha duhet të fshihet nga historia. Aq më tepër dhunshëm. Ai duhet të jetë në histori siç është në histori edhe Hitleri edhe Stalini edhe Musolini edhe Mao Ce Dun si përfaqësues apo simbol i një periudhe historike nga ato më të tragjiket për njerëzimin: ajo e regjimeve totalitare të shekullit XX që, sigurisht, nuk mund të shpjegohen vetëm nëpërmjet bëmave të një figure, por nëpërmjet tërë kontekstit kulturor ku kanë lindur e vepruar këta diktatorë. Por Milo duket qartë se nuk synon këtë. E gjithë intervista të le shijen e një përpjekje për të "normalizuar" figurën e Enver Hoxhës e nëpërmjet saj, kuptohet, edhe diktaturën e  tij. Në intervistën e tij nuk sheh të përdoren një herë të vetme fjalët terror, krime, persekutime, burgje, internime, izolim, që janë fjalë kyç kur analizohen regjimet totalitare komuniste, ndër të cilët ai i Enver Hoxhës ka qenë më brutali dhe më çnjerëzori. Kuptohet qartë se ai kërkon t'i flasë "kujtesës" së atyre spektatorëve të teatrit socialist që Enver Hoxhën e kujtojnë edhe për mirë apo vetëm për mirë, që nuk duan t'i kujtojnë krimet e atyre kohëve sepse i kanë kryer vetë, madje edhe nipërve e mbesave të tyre që nuk e kanë përjetuar atë regjim, që shkojnë pinë alkool e kërcejnë e këndojnë këngë perëndimore në Pezë duke përkujtuar Komandantin, pa e ditur se ai dhe gjyshërit e tyre u prisnin gjuhën në atë kohë të rinjve që bënin këto punë. Kjo shije e keqe  e intervistës bëhet më e dukshme kur thotë: "Enver Hoxha, Ahmet Zogu, Sali Berisha dhe të gjithë politikanët shqiptarë, janë në një mënyrë ose në një tjetër, tashmë, personalitete të fondit historik shqiptar." për të cilët, gjithë sipas Milos, "do të shikoni mjaft portrete, nga analistë, gazetarë dhe studiues të kohës, të cilët i vizatojnë në mënyrë më ekstreme ose duke i glorifikuar ose duke i poshtëruar. Kjo ka ndodhur në Shqipëri edhe gjatë periudhës së tranzicionit." Nuk kam pikë simpatie për Ahmet Zogun e Sali Berishën, madje mendoj se sikur të kishin përqafuar komunizmin e të udhëhiqnin një regjim totalitar mund të kishin qenë po aq kriminalë sa Enver Hoxha, por ata s'mund të futen në një rresht, siç bën Milo, me Enver Hoxhën. Është njëlloj sikur të futësh Stalinin në një rresht me carët apo pasardhësit e tij. Totalitarizmat e shekullit XX kanë qenë një kafshë kriminale më vete dhe kështu janë trajtuar nga historiografia e vërtetë kudo në botë. Mirëpo Milo vazhdon: "Tani kemi një perceptim jo dhe aq realist, sepse nisemi nga ajo çfarë na ka ndodhur ne si individë, nisemi nga ajo çfarë i ka ndodhur familjes, fisit, apo gjithë shqiptarëve…." Po pse nga çfarë duhet të nisemi për të qenë realistë në shkrimin e historisë nëse jo nga ato që u kanë ndodhur shqiptarëve? Por ai nuk e shtron këtë pyetje që të na çojë tek filozofia e tij e historisë. Ai thjesht kërkon të sugjerojë se ata që flasin vetëm keq për Enver Hoxhën (kuptohet këtu nuk e kam fjalën për ata që thjesht e shajnë me fjalë banale apo që thonë se ishte aq mizor pse ishte homoseksual)  e bëjnë këtë nga halli familjar prandaj kanë një vizion të shtrembëruar të historisë e nuk duhen marrë seriozisht. Dhe menjëherë ai kalon shpejt e shpejt tek streha e narrativës së teatrit socialist: tek Lufta Nacional Çlirimtare për përkujtimin e përvjetorit të së cilës qeveria sapo lëshoi edhe një fond prej një milion dollarësh - shumë kjo jo e vogël për xhepat e shqiptarëve të varfër. Ai na jep përsëri avazin e stërpërsëritur nga mnemoteknika e Enver Hoxhës: "luftën e bënë shqiptarët, komunistët patën meritën që e udhëhoqën". Pastaj jep edhe ca argumente të çuditshme si: "çdo parti lufton për të ardhur në pushtet. Edhe Balli luftonte që të vinte në pushtet, edhe zogistët luftonin që të kthehej Zogu në pushtet….. Në qoftë se komunistët synonin pushtetin pas lufte - dhe kjo është shumë e saktë – ata gjetën mënyrën dhe rrugën më të mirë për të ardhur në pushtet. Kjo është një meritë e tyre."
Shikoni o njerëz se këtij historiani i është dhënë kryesia e komisionit që do të shkruajë historinë zyrtare të Shqipërisë, që do të jetë ajo që do të mësojnë fëmijët tanë nëpër shkolla. Si është e mundur që ky nuk e di se jo vetëm në Shqipëri, por edhe kudo në ish bllokun  lindor ardhja e komunistëve në pushtet është vendosur nga ndarja e Jaltës që ndau zonat e influencës midis fitimtarëve, e se Shqipëria në këtë kontekst iu la Titos; se historia e ka dënuar si ardhje jo demokratike, pasi shkeli edhe premtimet e dhëna në Jaltë nga Stalini pasi përdori dhunë e kreu krime  ngase përzjeu një luftë me karakter çlirimi kombëtar me një revolucion proletar që synonte të vendoste diktaturën e ashtuquajtur të proletariatit që mohoi ekzistencën e partive të tjera dhe të zgjedhjeve të lira. Si mund të thuhet se kjo ishte "meritë" a thua se ardhja në pushtet qenka qëllim më vete që justifikohet me çdo mjet?
Jo këtu s'kemi të bëjmë me histori dhe historianë që kërkojnë të ndriçojnë njerëzit. Këtu kemi të bëjmë me trashëgiminë e shëmtuar të mnemoteknikës së komunizmit që kërkon t'i mbajë njerëzit injorantë rreth historisë së tyre e t'i përçajë duke manipuluar pasionet e tyre, që t'i sundojë më lehtë. Kemi të bëjmë me një politikë që - siç më shkruante një lexuese - "shkel me çizme mbi dhimbjet e se kaluarës dhe ato që shkakton përditë mbi njerëzit e thjeshtë. Një politikë e papërgjegjshme që ka prodhuar një shoqëri ku sheh shkatërrim, njerëz agresive, njerëz të dëshpëruar, njerëz të depresionuar, njerëz të vetmuar, njerëz që jetojnë në ankthin e së kaluarës së errët dhe nuk janë të aftë të gjejnë kurën e duhur … njerëz që janë njëqind përqind të varur në rezultatet e zgjedhjeve, pra njerëz të paaftë për të qenë të zotët të udhëheqin jetën e tyre." (Panorama, 15 Shtator 2014)

Tuesday, September 2, 2014

Dhunimi - akt urrejtjeje ndaj simbolikës së memorialit


Mendoni se dëmtimi i monumentit “Postbllok” është bërë me paramendim dhe prapa shkatërrimit të tij ka ndonjë prapavijë politike? Cilët mund të jenë përgjegjësit dhe pse?
Duke parë dhunën që është përdorur mbi xham është e vështirë të mos mendosh se ky është një akt urrejtjeje, profanimi, që drejtohet kundër simbolikës  së këtij memoriali. A kanë qenë të vetëdijshëm autorët se po kryejnë një akt të tillë që godet ndërgjegjen kolektive të shumë shqiptarëve  - por edhe të të huajve, po të kesh parasysh Murin e Berlinit aty? Ka pak gjasa që të mos jenë të vetëdijshëm për këtë. Ka më shumë gjasa që e bëjnë pikërisht kundër kësaj ndërgjegjeje. Por edhe sikur të kemi të bëjmë me njerëz të pavetëdijshëm, të pirë apo të droguar edhe kjo flet për një prapavijë politike në një kuptim më të gjerë. Sepse edhe në këtë rast pyetja shtrohet: pse shkuan të godasin pikërisht aty?
Sigurisht unë nuk mund të akuzoj pa prova maxhorancën që ka ardhur në pushtet për këtë akt, por s'mund të mos ve në dukje se  kur u inaugurua ky memorial aty nuk erdhi asnjë socialist megjithëse, mesa di, të paktën ata të Këshillit Bashkiak ishin ftuar. Dhe ju kujtoj se Murin  e Berlinit e kishte sjellë në Tiranë Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Berlinit - të majtë dhe të djathtë - nuk e kishte sjellë Sali Berisha, prandaj aty mori pjesë edhe vetë Ambasadorja Gjermane e një delegacion gjerman. Unë po ashtu s'mund të harroj se kur u hoq gardhi i Kryeministrisë prapa memorialit,  me porosi të Kryeministrit Rama sipas Artan Shkrelit që u mor me këtë punë - dhe mirë u bë që u hoq - ata ndërhynë mu mbi truallin e  memorialit (duke hapur një rruginë të shëmtuar prapa murit të Berlinit) pa marrë as mundimin t'u bëjnë qoftë edhe një telefonatë autorëve, megjithëse i njoh personalisht, dhe pa u shqetësuar se si do të bëhet për ndriçimin tani, që memoriali duket edhe nga prapa.  Dhe ç'është më e keqja as Bashkia nuk ndërhyri. Këto akte sipas meje flasin diçka më shumë sesa për indiferentizëm e pakujdesi të paqëllimtë, flasin për indiferentizëm politik ndaj një vepre që duhet tu takojë të gjithëve, për instrumentalizim dhe dashakeqësi. Dhe këto nuk janë pa lidhje me vandalizmin që u krye këto ditë sepse kësisoj krijojnë terrenin për instrumentalizime dhe dashakeqësi vandaliste si kjo që pamë. Sepse politikanët tanë sillen si talebanët që sapo vijnë në pushtet shkatërrojnë simbolet e palës tjetër për të ngritur ato të tyret dhe pastaj ka hajvanë që shkojnë deri këtu.
Pak kohë më parë, u dëmtua dhe u vodh edhe monumenti i Pavarësisë. Nuk është përgjegjësi e institucioneve përkatëse të ruajnë këto monumente, në rastet kur edukata dhe kultura civile lënë për të dëshiruar?
Ndryshmi është se atij të Pavarësisë iu vodhën copa për tu shitur kurse memoriali u godit për tu prishur. Por që të dy kanë të përbashkëta si injorancën dhe vandalizmin e autorëve edhe paaftësinë e institucioneve që duhet t'i ruajnë. Problemi që del përpara këtyre institucioneve është ai se kur shtetin nuk funksionon as në zemër të kryeqytetit atëherë ky është fundi. Është e kotë të bësh aksione kundër informalitetit në periferi kur ndodhin gjëra të tilla në zemër të kryeqytetit. Dhe ky fund i shtetit e ka një shpjegim. Sipas informacineve që kam shumica e policisë këto ditë ka qenë e impenjuar në tregun e Uzinës Dinamo ku po zhvendosen përdhunshëm tregtarët që kanë punuar atje për interesa të një apo dy privatëve. Ja ky është fundi i shtetit kur ky privatizohet siç është privatizuar tek ne dhe vihet në veprim vetëm në mbrojtje të interesave private dhe jo atyre publike.
Cili është apeli që u bëni qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve?

Qytetarëve u bëj apel për më shumë reflektim për faktin se nëse sot jemi në këtë gjendje të mjeruar  një nga shkaqet kryesore është pikërisht dhe veçanërisht izolimi që ushtroi regjimi komunist, mbi të cilin të bën të mendosh ky memorial. U bëj apel për më shumë respekt për ata që këtë izolim - që në fakt e kemi vuajtur të gjithë -  e kanë vuajtur në mënyrën më tragjike, dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Gjerman i Lindore e kudo në diktaturat e Lindjes.
Sigurisht nuk pretendoj që të jetë një objekt që duhet ta duan e ta pëlqejnë të gjithë. Edhe nga pikëpamja estetike. Aq më tepër po të kesh parasysh se i përket një lloj arti gjuha e të cilit pak njihet në Shqipëri pikërisht për shkak të izolimit. Por mund t'u them se ka pasur nga ata gjermanë që na kanë uruar duke na thënë se Muri i Berlinit është vendosur në më shumë se njëqind qytete në botë dhe se ky i Tiranës, për nga mënyra se si është konceptuar të vendoset artistikisht së bashku me bunkerin dhe trupat e galerisë së Spaçit është ndër më të bukurit. Dua t'u them po ashtu se është një nga objektet më të vizituar sot për sot në Kryeqytet e prandaj është mirë të ruhet e mirëmbahet e jo të prishet?
Sa për institucionet : një nga mendimet që më erdhi duke parë vandalizmin e memorialit qe se ky akt është kryer brenda një konteksti restaurimi me rastin e … vizitës së Papës. Kontrasti  kur njëqind metra më andej pushteti restauron kurse qytetarët  këtu shkatërrojnë të bën të tërbohesh me hipokrizinë e marrëdhënieve të institucioneve tona me qytetarët e saj.  Fakti që pushtetarët tanë bëjnë më shumë për një ditë që vjen Papa sesa për njerëzit që jetojnë përditë në këtë qytet nuk është pa lidhje me këtë që ndodhi. Ka shumë qytetarë që ndoshta e ndjejnë të huaj atë memorial pikërisht pse e ka bërë pushteti për instrumentalizim dh jo pse duhet bërë. Dhe e vërteta është se po të mos na ishte dhuruar Muri i Berlinit nuk do të ishte bërë. Kur do ta kuptojmë më në fund, si qytetarë e pushtetarë, se do ta respektojmë e ruajnë atë që bën pushteti vetëm kur ta ndjejmë se ajo bëhet për ne dhe jo për të na instrumentalizuar e manipuluar njëlloj si dikur kur na bënin të prisnim, siç  po presim Papën sot,  Hrushovin, Çu En Lajin, Bekerin, Bushin? Unë them se kur të vijë Rilindja e vërtetë do ta shohin të gjithë jo nga shkëlqimi i vizitave si ajo e Papës, por nga thjeshtësia e përkushtimi me të cilin punojmë përditë për mirëmbajtjen e të mirave tona publike.

Intervistoi Blerina Goce