Mendoni
se dëmtimi i monumentit “Postbllok” është bërë me paramendim dhe prapa shkatërrimit
të tij ka ndonjë prapavijë politike? Cilët mund të jenë përgjegjësit dhe pse?
Duke
parë dhunën që është përdorur mbi xham është e vështirë të mos mendosh se ky është
një akt urrejtjeje, profanimi, që drejtohet kundër simbolikës së këtij memoriali. A kanë qenë të vetëdijshëm
autorët se po kryejnë një akt të tillë që godet ndërgjegjen kolektive të shumë
shqiptarëve - por edhe të të
huajve, po të kesh parasysh Murin e Berlinit aty? Ka pak gjasa që të mos jenë të
vetëdijshëm për këtë. Ka më shumë gjasa që e bëjnë pikërisht kundër kësaj ndërgjegjeje.
Por edhe sikur të kemi të bëjmë me njerëz të pavetëdijshëm, të pirë apo të droguar
edhe kjo flet për një prapavijë politike në një kuptim më të gjerë. Sepse edhe
në këtë rast pyetja shtrohet: pse shkuan të godasin pikërisht aty?
Sigurisht
unë nuk mund të akuzoj pa prova maxhorancën që ka ardhur në pushtet për këtë
akt, por s'mund të mos ve në dukje se
kur u inaugurua ky memorial aty nuk erdhi asnjë socialist megjithëse,
mesa di, të paktën ata të Këshillit Bashkiak ishin ftuar. Dhe ju kujtoj se
Murin e Berlinit e kishte sjellë në
Tiranë Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Berlinit - të majtë dhe të djathtë - nuk
e kishte sjellë Sali Berisha, prandaj aty mori pjesë edhe vetë Ambasadorja
Gjermane e një delegacion gjerman. Unë po ashtu s'mund të harroj se kur u hoq
gardhi i Kryeministrisë prapa memorialit,
me porosi të Kryeministrit Rama sipas Artan Shkrelit që u mor me këtë
punë - dhe mirë u bë që u hoq - ata ndërhynë mu mbi truallin e memorialit (duke hapur një rruginë të
shëmtuar prapa murit të Berlinit) pa marrë as mundimin t'u bëjnë qoftë edhe një
telefonatë autorëve, megjithëse i njoh personalisht, dhe pa u shqetësuar se si
do të bëhet për ndriçimin tani, që memoriali duket edhe nga prapa. Dhe ç'është më e keqja as Bashkia nuk
ndërhyri. Këto akte sipas meje flasin diçka më shumë sesa për indiferentizëm e
pakujdesi të paqëllimtë, flasin për indiferentizëm politik ndaj një vepre që
duhet tu takojë të gjithëve, për instrumentalizim dhe dashakeqësi. Dhe këto nuk
janë pa lidhje me vandalizmin që u krye këto ditë sepse kësisoj krijojnë
terrenin për instrumentalizime dhe dashakeqësi vandaliste si kjo që pamë. Sepse
politikanët tanë sillen si talebanët që sapo vijnë në pushtet shkatërrojnë
simbolet e palës tjetër për të ngritur ato të tyret dhe pastaj ka hajvanë që
shkojnë deri këtu.
Pak
kohë më parë, u dëmtua dhe u vodh edhe monumenti i Pavarësisë. Nuk është përgjegjësi
e institucioneve përkatëse të ruajnë këto monumente, në rastet kur edukata dhe
kultura civile lënë për të dëshiruar?
Ndryshmi
është se atij të Pavarësisë iu vodhën copa për tu shitur kurse memoriali u
godit për tu prishur. Por që të dy kanë të përbashkëta si injorancën dhe
vandalizmin e autorëve edhe paaftësinë e institucioneve që duhet t'i ruajnë.
Problemi që del përpara këtyre institucioneve është ai se kur shtetin nuk
funksionon as në zemër të kryeqytetit atëherë ky është fundi. Është e kotë të bësh
aksione kundër informalitetit në periferi kur ndodhin gjëra të tilla në zemër të
kryeqytetit. Dhe ky fund i shtetit e ka një shpjegim. Sipas informacineve që
kam shumica e policisë këto ditë ka qenë e impenjuar në tregun e Uzinës Dinamo
ku po zhvendosen përdhunshëm tregtarët që kanë punuar atje për interesa të një
apo dy privatëve. Ja ky është fundi i shtetit kur ky privatizohet siç është
privatizuar tek ne dhe vihet në veprim vetëm në mbrojtje të interesave private
dhe jo atyre publike.
Cili është apeli që u
bëni qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve?
Qytetarëve u bëj apel për
më shumë reflektim për faktin se nëse sot jemi në këtë gjendje të mjeruar një nga shkaqet kryesore është pikërisht
dhe veçanërisht izolimi që ushtroi regjimi komunist, mbi të cilin të bën të
mendosh ky memorial. U bëj apel për më shumë respekt për ata që këtë izolim - që
në fakt e kemi vuajtur të gjithë -
e kanë vuajtur në mënyrën më tragjike, dhe jo vetëm në Shqipëri, por
edhe në Gjerman i Lindore e kudo në diktaturat e Lindjes.
Sigurisht nuk pretendoj
që të jetë një objekt që duhet ta duan e ta pëlqejnë të gjithë. Edhe nga pikëpamja
estetike. Aq më tepër po të kesh parasysh se i përket një lloj arti gjuha e të
cilit pak njihet në Shqipëri pikërisht për shkak të izolimit. Por mund t'u them
se ka pasur nga ata gjermanë që na kanë uruar duke na thënë se Muri i Berlinit është
vendosur në më shumë se njëqind qytete në botë dhe se ky i Tiranës, për nga mënyra
se si është konceptuar të vendoset artistikisht së bashku me bunkerin dhe
trupat e galerisë së Spaçit është ndër më të bukurit. Dua t'u them po ashtu se është
një nga objektet më të vizituar sot për sot në Kryeqytet e prandaj është mirë të
ruhet e mirëmbahet e jo të prishet?
Sa për institucionet :
një nga mendimet që më erdhi duke parë vandalizmin e memorialit qe se ky akt është
kryer brenda një konteksti restaurimi me rastin e … vizitës së Papës.
Kontrasti kur njëqind metra më
andej pushteti restauron kurse qytetarët
këtu shkatërrojnë të bën të tërbohesh me hipokrizinë e marrëdhënieve të
institucioneve tona me qytetarët e saj.
Fakti që pushtetarët tanë bëjnë më shumë për një ditë që vjen Papa sesa
për njerëzit që jetojnë përditë në këtë qytet nuk është pa lidhje me këtë që
ndodhi. Ka shumë qytetarë që ndoshta e ndjejnë të huaj atë memorial pikërisht
pse e ka bërë pushteti për instrumentalizim dh jo pse duhet bërë. Dhe e vërteta
është se po të mos na ishte dhuruar Muri i Berlinit nuk do të ishte bërë. Kur
do ta kuptojmë më në fund, si qytetarë e pushtetarë, se do ta respektojmë e
ruajnë atë që bën pushteti vetëm kur ta ndjejmë se ajo bëhet për ne dhe jo për
të na instrumentalizuar e manipuluar njëlloj si dikur kur na bënin të prisnim,
siç po presim Papën sot, Hrushovin, Çu En Lajin, Bekerin,
Bushin? Unë them se kur të vijë Rilindja e vërtetë do ta shohin të gjithë jo
nga shkëlqimi i vizitave si ajo e Papës, por nga thjeshtësia e përkushtimi me të
cilin punojmë përditë për mirëmbajtjen e të mirave tona publike.
Intervistoi Blerina Goce
No comments:
Post a Comment