I kthyer nga pushimet gjeta në komentet e rrjetit
social shumë kërkesa lexuesish që më kërkonin të shprehesha mbi çështjen
Fullani. Më duhet t'u shpjegoj se gjatë dy javëshit pushime i qëndrova qëllimisht
sa më larg atmosferës publike shqiptare, dmth. medieve dhe gazetave, si një
nevojë çhelmimi. Dhe më duhet ta pranoj se ndjehesha më mirë, deri edhe
fizikisht. Kontakti me natyrën, me malet, me detin është shumë herë më i shëndetshëm
në Shqipëri sesa kontakti me njerëzit - veçanërisht me ata që bëjnë jetën
publike në vend e me të cilët një gazetar është i detyruar të merret.
Pra, i shtytur edhe nga kjo kërkesë e lexuesit, iu
futa me pak vonesë leximit të lajmeve mbi Fullanin dhe më duhet të them se, në
një gjysmë dite, u ndjeva më i lodhur dhe më i helmuar nga ç'ndjehesha para
pushimeve.
Çfarë t'u them lexuesve pas këtyre leximeve helmuese?
Së pari, jam dakord me ata që vjedhjen e thesarit e
kanë konsideruar si "rënie e shtetit". Vjedhja deri edhe në Bankën e
Shtetit nënkupton një rënie edhe disa gradë më poshtë të mosbesimit të
qytetarit tek institucionet e shtetit tonë në atë humnerën kriminale ku, në
fakt, ky shtet gjendet i rënë prej kohësh.
Së dyti, jam dakort edhe me ata që thonë se heshtja
dhe mbrojtja e guvernatorit të Bankës - përjashto klithmat teatrale me erë të
qelbur selektiviteti të ndonjë socialisti, që, kur vjen puna për fakte që
flasin për kriminelë në radhët e tyre në Parlament, s’bëzan fare - ashtu
sikurse edhe heshtja e frikshme ndaj vrasjes së drejtuesit të bankës private
Credins, Artan Santo, janë heshtje që flasin shumë. Flasin jo vetëm për humnerën
ku kemi rënë, por edhe për faktin se kjo klasë politike, punon si një e tërë
kur vjen puna për të mos hapur kapakun e kësaj humnere ku na ka hedhur gjatë këtyre
20 e kusur vjetëve në bashkëpunim me oligarkinë e saj.
Së treti, jam dakord me gjithë ata që kërkojnë dorëheqjen
e Fullanit dhe të gjithë Këshillit Mbikëqyrës së Bankës. Mund të tirren shumë
argumente se sa e si mund të jenë ata përgjegjës për ngjarjen konkrete. Mund të
thuhet edhe se ky nuk është skandali më i madh që është bërë në Shqipëri përsa
i përket vjedhjes dhe abuzimit me pasurinë e publike. Por, për vetë natyrën e
institucionit, ky ka një vlerë simbolike të tillë që perceptohet si pika që
mbush kupën.
***
Veçse lidhur me këtë kërkesën e fundit, kam një
koment, jo në kontekstin e përforcimit të idesë sime se këtu kemi të bëjmë me
dy banda që zëvendësojnë njëra tjetrën, që bëjnë sikur po ndryshojnë gjithçka për
të mos ndryshuar asgjë, por duke u thelluar diçka më shumë - pikërisht pas
leximit të lajmeve mbi Fullanin, - rreth pyetjes se kush do t'i zëvendësojë këta
banditë për të sjellë ndryshimin e vërtetë në Shqipëri?
Më duhet t'i them lexuesit se ajo që më tërhoqi më
shumë se gjithçka vëmendjen në lajmet rreth Fullanit ishin ato që flisnin për
sistemin e vlerave të të birit. E kam fjalën për ato mburrjet e tij në facebook
me ora e makina të shtrenja e më the të thashë. Dhe nuk e shkruaj këtë për të
amplifikuar populizmin e atyre që duan të manipulojnë ndjenjat e të varfërve të
shumtë të këtij vendi, për interesa personale, ndërkohë që vetë aplikojnë të njëjtat
vlera, por për të ngritur një problem që më duket dramatik pikërisht lidhur me
atë që thashë më lart: se kush do të sjellë ndryshimin e vërtetë të vlerave në
Shqipëri.
Kam dëgjuar shumë shqiptarë që, kur justifikojnë pisllëqet
që u duhet të bëjnë, përveç argumentit se ky është sistemi dhe po nuk iu përshtate
atij ai të nxjerr jashtë dhe të le pa bukë, shtojnë edhe argumentin: "fëmijët". E bëj për fëmijët
- të thonë, - të paktën ata të kenë një shkollim të mirë, një të ardhme të
sigurt, të rriten pa streset tona etj..
Mua ky argument më ka kujtuar gjithmonë dramën
"Franku i V" i Dyrrenmattit. Me dy fjalë ajo që tregon autori është
historia e një familjeje bankierësh të cilët, edhe ata, thonë se i kanë bërë
punët e pista për fëmijët, që ata të studiojnë në shkollat më të mira etj.,
etj. Por, kur djalit dhe vajzës iu vjen radha të marrin në drejtim bankën, ata nuk duken fare më të ndriçuar, përkundrazi,
shumë shpejt i ftojnë të atin dhe të ëmën të futen edhe ata në tabutin ku këta
kanë futur herë pas here viktimat e tyre të mëparshme. "Ke lexuar ca si
shumë libra ti baba, i thotë i biri të atit, nuk je i përshtatshëm për kohën që
jetojmë, prandaj futu edhe ti këtu." Këtë më kujtoi historia e të birit të
Fullanit dhe ky nuk është problemi i një rasti individual, por drama e rinisë që
kemi gatuar dhe po gatuajmë, nga e cila presim pastrimin e kësaj hale shoqërie
që kemi krijuar.
Sikurse dihet shumë nga këta fëmijë janë çuar edhe në
shkollat më të mira dmth. në ato privatet më të shtrenjta të vendit, madje edhe
në ato jashtë. Si ka mundësi, çfarë u mungon atyre për të qenë njerëz me
ndjeshmëri dhe interesa të tjera nga pasuria? Si ka mundësi që vijnë nga jashtë
me një barrë shkollë dhe bëhen fët e fët shërbëtorë të heshtur të këtij sistemi
kriminal? Janë pyetje këto që po i ngre pa e pasur përgjigjen, thjesht duke e kërkuar
atë. Në fakt prej kohësh ndjehet nevoja e reflektimit të të rriturve për këtë
sepse në asnjë mënyrë nuk mund të akuzohen fëmijët si fajtorë për injorancën
dhe varfërinë e tyre shpirtërore.
Në kërkim të përgjigjeve do të rendisja disa faktorë që
janë kryesisht kulturorë.
Së pari: invadimi i vendit prej kulturës konsumiste.
Ajo bën që objekte të tilla si vilat, makinat, rrobat, çantat, orët e shtrenjta
etj. të jenë gjithnjë e më shumë çështje statusi, forma vaniteti për tu dalluar
e diferencuar nga të tjerët. Njeriu, e veçanërisht të rinjtë, vetëdijshëm e pavetëdijshëm manipulohen
ditë për ditë prej kësaj kulture, kryesisht nëpërmjet medieve dhe reklamave të
tyre, me idenë se duke i pasur këto mund të ndjehen superiorë, prandaj dhe më i
lumtur se të tjerët. E ndërkohë që bota ka e çmon edhe vlera të tjera, nga ato
që nuk blihen me para, siç janë psh. pasuria e dijeve që zotëron një individ, e
ndjenjave, e talenteve, e marrëdhënieve sociale të ndërtuara edhe mbi
sinqeritetin e solidaritetin, luftën për të drejta e barazi etj. në këtë shoqërinë
tonë karikaturë vlerat e kulturës konsumiste shfaqen në formën më groteske.
Një nga arsyet e kësaj karikature është se për shkak të
varfërisë dhe izolmit komunist shqiptarët u gjendën përpara vlerave të
konsumizmit si ata indianët e Amerikës që evropianët kolonizues i gënjenin me
objekte që s'vlenin një grosh për tu marrë arin. Dhe, ç'është më e keqja, nëse
në botën kapitaliste objektet me vlerë blihen kryesisht me punë të ndershme dhe
nganjëherë me breza ne vendin tonë obsesioni që tingëllon në veshët e shqiptarëve
në formën e pyetjes: çfarë je ti po nuk pate një vilë apo një makinë si kjo, një
kostum apo një orë që kushton kaq apo aq etj.? i ka shtyrë shumë syresh deri
edhe të vjedhin për t'i bërë sa më shpejt këto "vlera". Grotesku ka
arritur deri në atë pikë sa në nga reklamat e shpeshta që sheh në televizionet
tona zëri joshës i reklamuesit të tregon një vilë që kushton 500 mijë euro dhe
të thotë se kjo është dhurata më e bukur që ti mund t'i bësh njeriut tënd të
dashur. Vini re, njerëzit kudo në botën normale punojnë një jetë të tërë për të
blerë një shtëpi, për nevojë, kurse këtu ne paskemi kaq shumë milionerë që mund
të blekan vila 500 mijë eurosh… për dhuratë!!!
Dhe nuk ka dyshim se të rinjtë, në përgjithësi, janë më
të brishtë ndaj tundimeve të këtyre zotëve të rremë.
Në këtë pikë dikush mund të bëjë vërejtjen se nga një
i ri në moshën e të birit të Fullanit mund të presim edhe të kundërtën: që të
jetë rebel ndaj sistemit të vlerave që përfaqësojnë apo promovojnë prindërit, në
emër të idealeve, në kërkim të aventurës… edhe si formë e afirmimit të vetvetes. Kam parasysh këtu edhe atë thënien
e Çurçillit se në moshën njëzet vjeç çdokush duhet të jetë komunist. Pse nuk
ndodh kjo në Shqipëri? Përse konformizmi i rinisë sonë me vlerat banale që
promovojnë të rriturit është tronditës deri në palcë? Pse nuk ka në Shqipëri
konflikt brezash ndërkohë që ecja përpara e njeriut drejt më shumë lirie,
njohjeje, krijimtarie ka ardhur edhe nga aftësia e brezave për të konfliktuar
me brezat paraardhës në emër të idealeve të reja.
Nuk pretendoj t'i jap përgjigje shteruese kësaj
pyetjeje, por do të veçoja tre arsye:
Së pari, kjo ndodh sepse ne kemi mbetur një shoqëri
tejet autoritare e patriarkale, që vazhdon t'i mësojë fëmijët me nënshtrimin
dhe përshtatjen që në vezë. Kjo e bën të vështirë edhe pasjen dhe kultivimin e
një mendimi ndryshe nga ai mbizotërues i "atit".
Së dyti, sepse vazhdojmë të jemi një familje klanore,
ku identifikimi me klanin, familjen është shumë më i rëndësishëm sesa
personaliteti dhe individualiteti i individit. Në botën e lirë i nxjerrin fëmijët
shumë herët në jetë të sigurojnë vetë bukën e gojës, të krijojnë pavarësinë dhe
personalitetin e tyre, edhe kur i kanë mundësitë t'i mbajnë, kurse tek ne fëmija
duhet të jetë në varësi dhe shërbim të klanit, prandaj dhe të ndajë e ruajë të
njëjtin moral e vlera me të.
Së treti, sepse mbetemi një shoqëri e varfër që
zhvillon një kulturë mbijetese. Dhe "mbijetesë do të thotë bashkëpunim"
- thotë Imre Kertesz - në këtë rast me sistemin që të jep bukë. Edhe fëmijët
trashëgojnë këtë kulturë mbijetese që në familje. Prindërit bashkëpunojnë me
sistemin e madh - me më të fortin - nëpërmjet nënshtrimit, korrupsionit, gënjeshtrës,
hipokrizisë etj., dhe fëmijët imitojnë prindërit që në familje duke mbetur të
lidhur pas parave që sigurojnë prindërit në këtë sistem. Kjo kulturë e mbijetesës
bën që kultura që nxit vlerat e sakrificës, e sinqeritetit, e të qenit me të
dobëtin, me të humburin, të mos gëzojë pikë popullariteti.
Janë këto disa arsye pse, siç thotë edhe Konica,
"Në Shqipëri nuk ka të rinj, por ca që kanë lindur më parë dhe ca që kanë
lindur më prapa".
***
Ç'duhet të bëjmë për të pasur të rinj ndryshe që të
ndryshojnë Shqipërinë?
Përgjigja që mund të jap, gjithmonë në formën e kësaj
sprove të shkurtër, lidhet pikërisht me problemet që identifikova.
Së pari, duhet të luftojmë autoritarizmin që në
familje - dhe kjo kërkon prindër mendjehapur që nuk synojnë të sundojnë, por të
edukojnë fëmijë të lirë.
Së dyti, duhet të ndërtojmë individë që mendojnë me
kokën e tyre, me aftësi kritike dhe krijuese, kundërshtarë të një edukimi që
synon të rrisë skllevër bij skllevërish, siç është ky i yni. Dhe kjo kërkon
investim serioz në sistemin arsimor, që në shkollat fillore më së pari.
Duhet të ndërtojmë një ekonomi të shëndoshë që t'i bëjë
njerëzit sa më të pavarur, por edhe me shumë më tepër mundësi që të mendojnë për
plane afatgjata dhe jo sot për nesër. E këtu, për hir të së vërtetës, duhet thënë
se sistemi neoliberist që kemi aplikuar ne në formën më radikale, ka shfaqur
problemet e veta edhe në botën më të zhvilluar duke nxitur edhe ai, nëpërmjet
pasigurisë për të nesërmen, kulturën e mbijetesës që i çon njerëzit tek përshtatja
dhe bashkëpunimi me sistemin dhe jo kontestimi i tij. Prandaj dhe është shumë e
nevojshme që, veçanërisht të rinjtë, të gëzojnë përfitimet e një shteti social
që u siguron atyre sigurinë e jetës në kohën e formimit.
Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, duhet të marrim
masa urgjente kundër kulturës konsumiste që ka uzurpuar hapësirën publike për
interesat e një pakice në mënyrën më skandaloze. Kjo presupozon ndryshime
serioze në mjetet e informimit e edukimit dhe ato të komunikimit të vendit,
media, gazetat, etj. në emër të kultivimit të asaj kulture që promovon vlerat
shpirtërore, marrëdhëniet njerëzore të solidaritetit e sinqeritetit, dashurisë
së njeriut për njeriun, të respektit për publiken etj..
Përndryshe, "bijtë e Fullanit" do të na
ftojnë shumë shpejt të futemi kokulur në tabutin ku ne kemi futur paraardhësit
tanë, duke na thënë me qesëndi se na ka mbetur ende një fije yndyre - pasi kemi
lexuar edhe ndonjë libër - kurse sistemi i tyre i do njerëzit pa yndyrë fare. (Panorama,
18 gusht 2014)
No comments:
Post a Comment