Bashkia e Tiranës, që për shumicën do të thotë Lulzim
Basha, por edhe Partia Demokratike në opozitë, ka dhënë kohët e fundit disa
leje ndërtimi që të shastisin me absurditetin e tyre. Dhe ky absurditet, nuk është
thjesht në letër, në formë projektesh, por po shpaloset në trupin e Tiranës me
shpejtësinë e një kanceri galopant.
Para disa ditësh, në kërkim parkimi, më ndodhi të
futem në një rrugicë të një lagjeje të vjetër të Tiranës, në qendër, ku nuk
kalojnë dot dy makina dhe pashë se rrugën ma kishte bllokuar një kamion i stërmadh
që po bënte disa manovrime të çuditshme për të hyrë në një zgëqe. "Po ky ç'do
këtu?" - thashë me vete. Prita deri sa mbaroi manovrimet dhe, për çudinë
time, vura re nuk eci përpara, por u fut i tëri tek ajo zgëqja. Vetëm kur
kalova aty arrita të kuptoja se ç'punë mund të kishte një kamion aq i madh në
një zgëqe të atillë.
"Si ka mundësi!" - qe shprehja që më doli
vetvetiu.
Ishte një superkamion nga ato të firmave të ndërtimit
që sillte material për të hedhur beton, a nuk e di, në një gropë që ishte hapur
e freskët në truallin e një ish shtëpie njëkatëshe e kthyer tashmë në një gropë
ku po hidheshin themelet e… një pallati… tetë-nëntë katesh. Pashë edhe tabelën
atje me pamjen e pallatit… nuk qe ndërtim nga ata pa leje.
Mund të them se
ajo që më panë sytë qe provë e asaj se idiotësia, makutllëku dhe harbutësia nuk e kanë humbur
vetinë për të të çmeritur akoma në këtë fushë të aktivitetit tonë kryesor
ekonomik të këtyre njëzet vjetëve: ndërtimet. Ishte diçka edhe më tmerruese se
ai projekti për ndërtimet e shumëkatësheve tek Liqeni që po denoncohet së
fundi. Ose më mirë të them i një natyre tjetër tmerruese. Sepse ai projekti i
Liqenit, kërkon një minimum fantazie për të kuptuar absurditetin e investimit
dhe kriminalitetin ndaj hapësirave të gjelbëra të kryeqytetit, pasi atje nuk ka
dhe aq afër ndonjë ndërtesë banimi e mund t'i gënjesh njerëzit duke u thënë se
do bëhet një kompleks modern, që s'do t'ju prishë punë ju të tjerëve që banoni
rrotull. Kurse pallati që kishte filluar të ndërtohej aty nuk fliste, por ulërinte
në absurditetin dhe kriminalitetin e vet urban. Ai do të futej si pykë në trekëndëshin
midis dy pallatesh të tjerë që ishin aq pranë sa rrethimi i gropës që qe hapur
nuk ishte më larg se dy metra nga njëri prej këtyre pallateve. Kush e ka parë
dhe është ankuar për një gropë të tmerrshme në hyrje të rrugës së Elbasanit në
truallin e një shtëpie njëkatëshe ku do të ndërtohet një nëntëkatësh që do t'ia marrë dellin,
dritën, e frymën pallatit prapa saj e shtëpive përreth, mund t'i them se është
lule përpara asaj që pashë. Lule mund të duket madje edhe një monstruozitet që sapo është ngritur prapa ish
Lidhjes së Shkrimtarëve në rrugën e Kavajës, sigurisht me lejen e Bashkisë.
"Si ka mundësi?!"
Të del kjo klithmë habitore sepse edhe qorri i qorrave
të qorrave, pas katrahurës që është bërë, e sheh se Tirana sot, veçanërisht
qendra, ka nevojë për frymëmarrje, gjelbërim, parqe lulishte, rikualifikim dhe
jo për të mbushur me pallate të larta edhe ato pak hapësira të ulta që kanë
mbetur. Aq më tepër kur ke parasysh se ndoshta gjysma e ndërtimeve që janë bërë
në Tiranë e rrethinat e saj janë pa shitur ose pa mbaruar.
Të del klithma "Si ka mundësi?!" duke pasur
parasysh se janë bërë tërë ato
betime nga kryebashkiaku i radhës për mbrojtjen dhe gjelbërimin e qytetin kundër
çimentifikimit të tij të mëtejshëm.
Të del kjo klithmë sepse çmeritesh se si këta njerëz
nuk kanë as pikën e pikës së turpit, për të ngrënë fjalët e dhënë publikisht
para gjithë shqiptarëve.
Të del kjo klithmë kur sheh se si nuk bëjnë një gjë,
po një gjë e vetme, që të mos jetë në interes të atyre me të cilët ndajnë lekët
apo u sponsorizojnë partinë?
Të del kjo klithmë kur mendon mallkimet që do tu vijnë
nga fëmijët e këtij qytet, kur të bëhen të rritur, për atë që s'u lanë një fushë
sporti, një lulishte, një park lojërash, një oborr normal shkolle.
Të del kjo klithmë pasi çmeritesh se si nuk del një
arkitekt apo urbanist apo një njeri i vetëm, atje ku gatuhen këto krime, që të
kundërshtojë e të japë dorëheqjen - sa për të treguar se në këtë vend ka mbetur
sadopak ndershmëri e pofesionalitet sa për të mbajur gjallë shpresën?
Të del kjo klithmë edhe duke menduar se një akt i tillë
i Kryetarit të Bashkisë është edhe vetëvrasje politike për vete dhe partinë e
tij. Sepse me këto leje PD-ja humbet edhe arsyen e fundit të ekzistencës pasi vërtetoi edhe përpara zgjedhësit
më naiv se përtej retorikave elektorale me trafikantë dhe antitrafikantë droge
e prostitutash në prapaskenë luhet një lojë e pisët interesash banale të një
grupi që ka një parti të vetme, lekun,
dhe se në këtë rast s'ka
burrë që mund tu mbushë më mendjen njerëzve se Kryetari nuk ka bërë hesap të
marrë 20%-shet për të cilët akuzonte Ramën duke i bërë naftën jo vetëm Bashkisë,
jo vetëm PD-së, që me këto akte, por edhe Shqipërisë.
Por "si ka mundësi" - ja më e dhimbshme që të
del nga shpirti është ajo që ka të bëjë me nënshtrimin e njerëzve. Si ka mundësi
që këta njerëz durojnë që t'u ngresh një pallat mu tek hunda, që do tu marrë
qiellin, diellin, dritën, ajrin, frymën atyre dhe fëmijëve të tyre, që do t'i
lerë pa gjumë me zhurmat e ndërtimit natën dhe ditën, e nuk bëzajnë. Si ka mundësi
që e durojnë këtë poshtërim, këtë masakrim këtë shkatërrim këtë shëmtim dhe nuk
ngrihen në këmbë, për të protestuar, deri edhe për të shkatërruar betonierat e
fadromat e këtyre banditëve, siç shohim të ngrihen në çdo vend ku ka sadopak
ndjenjë qytetarie?! (Panorama, 25 gusht 2014)
No comments:
Post a Comment