Wednesday, October 23, 2019

Gishti i ambasadorit të OSBE-së si metaforë (ose për ata që thonë "nuk ka alternativë")

 
Gishti i ngritur i Ambasadorit të OSBE Boschard ndaj protestuesve të Astirit, si përgjigje e thirrjes së tyre: "Shame on you", dhe pastaj ndjesa e tij për këtë akt, duhen parë si metaforë e raportit të ndërkombëtarëve me shqiptarët që po ndeshen me arrogancën skandaloze të pushtetit. Sipas meje,  "Shame on you" duhet interpretuar si një thirrje e shqiptarëve drejtuar jo thjesht OSBE-së, por edhe Ambasadës Amerikane, asaj të BE-së e të tjerë aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në punët tona; gishti, si përgjigja e  tyre e parë që tregon se janë bërë palë me qeverinë, kurse ndjesa si një shenjë se ata edhe mund ta tërheqin këtë gisht, meqë për gishta në b…ë shqiptarët e gjorë kanë boll atë të Edi Ramës e të oligarkëve e kriminelëve që bashkëpunojnë me të.

Sigurisht ndërkombëtarët kanë edhe argumentet me të cilët e mbështesin gishtin ndaj shqiptarëve që protestojnë. Një nga argumentet që më ka qëlluar të dëgjoj më shpesh në bisedat me ta është ai: "po cila është alternativa?"; në kuptimin se edhe opozita, me këta që nxjerr në rrugë, është e njëjta gjë; se nuk ka ndonjë forcë të re (alternativë) që ta mbështesin. Është një argument që e përdorin edhe shumë shqiptarë, madje dyshoj se ndërkombëtarët e kanë huazuar nga shqiptarët. Edhe mund tu japësh të drejtë, po të kemi parasysh se mendimi "nuk ka alternativë"  ka ardhur duke u forcuar për shkak të zhgënjimeve të njëpasnjëshme me partitë që na kanë qeverisur, dhe se nevoja për njerëz të rinj të besueshëm ndjehet fort në vend. Por gjykoj se ndërkombëtarët, që pretendojnë të jenë aktorë të rëndësishëm ndryshimi në vendin tonë, nuk mund dhe nuk duhet të adoptojnë kurrsesi shprehjen "nuk ka alternativë". Kjo, sepse në këtë argument ka një kontradiktë që lidhet me faktin se demokracia nuk është një zgjidhje apo zgjedhje përfundimtare nëpërmjet një alternative, sado e mirë dhe e dëshirueshme të jetë kjo, por është një proces pa fund. Edhe vetë ideja e negociatave për pranimin në BE nënkupton një proces ku ndërkombëtarët kanë një rol të rëndësishëm, që nuk është mbështetja e një "alternative", por ndikimi në proces me atributet e një pale që luan rolin e arbitrit të paanshëm midis palëve në proces, që ka si busull parimet e shtetit të së drejtës, ligjin, vlerat më të mira evropiane; një arbitër, pra, që ndëshkon çdo shkelje, nga cilado palë qoftë, duke bërë që procesi të mos degjenerojë, por, përkundrazi, të edukojë edhe aktorët e procesit vetë. Aq më tepër duke pasur parasysh se shqiptarët, të padalë ende nga infantilizmi ku i la diktatura, i shohin ndërkombëtarët si të vetmin faktor që mund ta luajnë këtë rol. E pra gabimi i madh i ndërkombëtarëve si ambasadori i OSBE-së është se, në vend se të luajnë këtë rol, janë bërë dukshëm mbështetës të  palës në pushtet dhe përdorin shprehjen "nuk ka alternativë" për të justifikuar partizanërinë e tyre, apo për të larë ndërgjegjen për mosveprimin apo paaftësinë për të luajtur rolin e arbitrit të paanshëm aktiv që shqiptarët presin prej tyre, (por edhe taksapaguesit evropianë). Këtë e provoi edhe gishti i OSBE-së kundër protestuesve të Astritit.  Dhe rasti në fjalë është shumë kuptimplotë për të ilustruar çfarë po them, sepse ka të bëjë me rolin e ndërkombëtarëve në procesin e Reformës në Drejtësi, që u konsiderua lëvizja më e rëndësishme e ekipit të fundit të tyre në këta 30 vjet. Të gjithë e dinë tashmë, prej thuajse një viti, se tek Astiri po tentohet të vihet në zbatim një plan megakorruptiv i qeverisë Rama që përfshinte vjedhjen e rreth 20 milion dollarëve. Të gjithë e dinë se ky plan ka shkelur ligjin ndaj banorëve që protestojnë, të cilëve po u prishen shtëpitë në mënyrën më të paligjshme. Të gjithë e dinë se prokuroria e Reformës në Drejtësi nuk ka vepruar ndaj këtij skandali megakorruptiv, por vepron sistematikisht me arrestime për të mposhtur rezistencën e banorëve. Si është e mundur që arbitri garant i  Reformës në Drejtësi, jo vetëm nuk mban asnjë qëndrim për mosveprimin ndaj këtyre skandaleve të mëdha, por u nxjerr gishtin qytetarëve që protestojnë!
E pra Reforma në Drejtësi nisi me mbështetjen edhe ekonomike të ndërkombëtarëve, për të ndryshuar diçka për mirë në Shqipëri. Ata u paralajmëruan se Edi Rama synonte kapjen e drejtësisë, por le të pranojmë se ata i besuan dhe e mbështetën në emër të së mirës, ndoshta edhe pse besonin se Rama ishte "alternativa". Kishte shumë që nuk besonin tek Rama, por besuan se ndërkombëtarët, si arbitër të paanshëm, do të ndërhynin sapo të shihnin shenjat e para se Reforma po çohej në hullinë e kapjes së drejtësisë për qëllime të mbrapshta. Mirëpo kjo nuk ndodhi e nuk po ndodh ende, përkundrazi.  Në një vend ku flitej aq shumë për premtimin e një drejtësie të paanshme edhe anëtarët e Partisë Socialiste do të duhej të reagonin e të mos pranonin një kryeprokurore të zgjedhur kundër frymës së Reformës, si Arta Marku, e jo më ndërkombëtarët. Kurse ata e mbështetën dhe vazhdojnë ta mbështesin, madje jo vetëm, por i tregojnë gishtin protestuesve të mjerë që shohin se si përditë Arta Marku e përdor Prokurorinë kundër tyre në emër të korrupsionit e vjedhjes së pushtetarëve.
Sipas mendimit tim "Shame on you!" është më e pakta që mund t'u thuhet ndërkombëtarëve tanë; edhe ndjesa e tyre për gishtin duhet mirëpritur, por pas kësaj shqiptarët duhet të përveshin mëngët që ta nxjerrin gomarin vetë nga balta dhe jo të kërkojnë një "alternativë" ndërkombëtarësh të tjerë që t'ua nxjerrë atë.  (Panorama, 18 tetor 2019)

Saturday, October 19, 2019

Shqipëria si problem për Evropën e sistemit dhe të antisistemit




Edi Rama nuk resht së deklaruari, në mënyrën më sipërfaqësore, se shkaku i mospranimit të hapjes së negociatave qëndron tek problemet e Evropës, tek rritja e partive antievropianiste, jo tek ne. Them se kryeministrit i duhen drejtuar disa pyetje për ta thelluar sadopak këtë pohim, të tilla si: Cilët janë problemet brenda Evropës? Nga çfarë burojnë ata?  A kanë ndonjë lidhje me problemet tona? A i rëndojmë ne, me hyrjen në BE, këta probleme apo jo?

Mendoj se kur flasim për problemet brenda Evropës duhet të dallojmë dy kategori syresh: ata të Evropës së sistemit dhe ata të Evropës antisistem, që ndërthuren me njëri tjetrin duke pasur një nga pikat e nxehta të ndërthurjes pikërisht debatin e zgjerimit apo jo të BE me vende si Shqipëria. Le t’i analizojmë shkurt këto dy kategori problemesh të Evropës.

Evropa e sistemit ka sot një nga problemet kryesore faktin se jo të gjitha vendet evropiane rezultojnë njëlloj të suksesshëm brenda sistemit. Ka vende si Gjermania, që janë shumë më të suksesshëm, e vende si Greqia apo edhe Italia që kanë probleme me borxhin, evazionin fiskal me të famshmin “spread” etj.. Pakënaqësirat e këtyre diferencave janë amplifikuar shumë edhe nga futja në BE e dhjetë vendeve të tjera, ndër të cilat 8 prej ish Lindjes, sepse vendet kryesore japin më shumë se sa marrin nga bashkësia evropiane. Kjo ka bërë të flitet për Evropën me dy shpejtësi, për një Evropë të Veriut dhe një të Jugut apo, së fundi, për një Evropë që, sipas Macronit, duhet të ngulmojë në forcimin brenda vetes përpara zgjerimit.

Një kategori tjetër problemesh janë ato që i gjen në argumentet antisistem të sovranistëve sipas të cilëve globalizmi dhe neoliberizmi i Evropës së sistemit ka krijuar një polarizim të paparë midis një pakice që dikton politikat dhe një shumice që i pëson këto politika. Popujt evropianë, duke u ndjerë gjithnjë e më të tradhtuar nga elitat nacionale politike, kulturore, mediatike, por edhe nga i ashtuquajturi projekt evropian, që sipas tyre bën lojën e oligarkive nacionale dhe multinacionale, gjithnjë e më shumë po u drejtohen sovranistëve. Ndër këta, ata të djathtë, u ofrojnë si zgjidhje nacionalizmin të kombinuar me politika sociale (Le Pain, Kazinskij) apo liberiste (Trump, Salvini); kurse sovranistët e majtë u thonë se  arritjet sociale që kanë pasur vendet evropiane deri në rënien e murit të Berlinit mund të rifitohen vetëm me rimarrjen e sovranitetin nga Evropa e bankave dhe oligarkivë financiare (pak a shumë qëndrimi i Jeremy Corbyn në Britani, një pjesë e Cinque Stelle në Itali, etj.).

Sikurse dihet ndeshja midis këtyre dy evropave po bëhet gjithnjë e më e ashpër pasi sovranistët po fitojnë shumë terren në opinionin publik ndërkohë që Evropa e sistemit po bëhet gjithnjë e më zhgënjyese, si në nivele nacionale ashtu edhe të BE-së.

Nuk është vështirë të kuptohet se Shqipëria përbën një problem për të dyja këto Evropa. Për Evropën e sistemit ajo është problem për shkak të gjendjes së saj ekonomike, mungesës së shtetit të së drejtës, të një tregu vërtet të lirë, të një demokracie të konsoliduar - çka po i jep udhë një autoritarizmi në rritje kombinuar me politika nacionaliste, korrupsionin, krimin e organizuar. Edhe sovranistët i ndajnë një pjesë të këtyre shqetësime, por ata kanë edhe të tjera. Ata i akuzojnë neoliberalët e djathtë dhe të majtë evropianistë se u intereson vetëm individi krah pune sa më i lirë, individi mall, atom dhe jo individi që i përket një komuniteti, një historie (sipas të djathtëve) apo individi që kërkon të ndërtojë një shoqëri më të barabartë ku cilësia e marrëdhënieve njerëzore, kuptimi i jetës përtej pasurimit janë vlerat kryesore (të majtët). Sipas tyre, për të pasur sa më pak pengesa komunitare apo sociale ata favorizojnë edhe emigracionin, i cili është burim problemesh të mëdha të punësimit, nivelit të pagave, identitetit kulturor, sigurisë. Prandaj ata janë shumë më të ashpër në qëndrimin ndaj emigracionit. E pra, një Shqipëri kampione ndër vendet e Evropës përsa i përket fluksit emigrues, nuk mund të mos jetë në shënjestrën e tyre, siç ishte së fundmi në Francë. Jo vetëm, por shqiptarët, shtojnë ndjenjën e pasigurisë në popullatat vendase (temë kjo shumë e rëndësishme për sovranistët e djathtë) për shkak se një pjesë e mirë e të rinjve shqiptarë që emigrojnë nuk integrohen në sistem, por merren me krim. 

Të ndodhur përpara këtij presioni në rritje Evropa e sistemit ndjen nevojën të mbrohet nga ofensiva antisistem. Dhe është e qartë se një nga këto mbrojtje është edhe shtyrja e hapjes së negociatave për të pranuar në BE vende gjeneruese të këtyre problemeve si Shqipëria.

Megjithatë, paradoksalisht, i vetmi shans që ka Shqipëria që t’i hapen negociatat është pikërisht ndeshja e Evropës së sistemit me atë të antisistemit. Ndërkohë që Evropa e sistemit është e gatshme ta pranojë Shqipërinë për të mbajtur gjallë narrativen e projektit evropian si dhe për ta përfshirë në fushën e influencës së vet Ballkanin Perëndimor, (edhe si treg e vend investimesh), Evropa antisistem do të mbyllte dyert përfundimisht për Shqipërinë pasi ajo kërkon të ndërtojë një narrativë tjetër.  

E pra të thuash se Evropën e detyrojnë të shtyjë negociatat problemet që ka brenda vetes, pa lidhje me problemet tona, është si të marrësh një pjesë të “puzzle”-it dhe ta shesësh si e tërë pamja e tij. E vërteta është se ne jemi pjesë e rëndësishme dhe jo vetëm pasojë e problemeve të Evropës aq sa, nëse një ditë projekti Evropian do të dështojë, historianët do t’ia atribuojnë këtë edhe gabimeve të zgjerimit me vende si i yni. Të mos njohësh këtë përgjegjësi historike, morale, politike, duke akuzuar Evropën e sistemit që, në fakt, për interesat e veta, po bën shumë më tepër se ç’meritojmë do të thotë të vazhdosh të bësh një demagogji banale. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe me këtë kryeministër dhe sivëllezërit e tij që atë që thonë ditën e zhbëjnë me punët e natës. Sepse nëse ka ndonjë gjë që ata i tmerron është pikërisht një Shqipërie e modelit evropian të shtetit të së drejtës që do t’u hiqte atyre pushtetin dhe paratë që i kanë fituar dhe vazhdojnë t’i fitojnë me punët e natës. (Panorama, 14 tetor 2019)

Wednesday, October 2, 2019

Marrëveshja që i duhet opozitës

Një fantazmë e njohur është rikthyer në gjuhën politike shqiptare: marrëveshja maxhorancë - opozitë. Ajo po bën xhiron nëpër opinion duke shprehur njëherësh një nevojë dhe një frikë. Nevojë, sepse të gjithë ndjehen të lodhur nga konfliktualiteti politik që e ka kthyer Shqipërinë në një sherrhanë të mundimshme nga ku njerëzit po ikin nga sytë këmbët. Frikë, sepse shqiptarët e mbetur janë të tejlodhur duke parë një  drame qesharake të titulluar ‘Marrëveshja’ që riciklon, çdo dy - tre vjet, me katër akte, pikërisht sherrin e mundimshëm e shterp të politikës shqiptare: 
Akti i parë: maxhoranca e radhës shton abuzimin me pushtetin duke shkelur ligje e kushtetutë deri atje ku s'mban më.
Akti i dytë: opozita vendos të kërcënojë stabilitetin e sistemit nëpërmjet provokimit të një krize politike.
Akti i tretë: në një pikë të vlimit të krizës, me ndërhyrje edhe të ndërkombëtarëve, opozita ulet në një tryezë marrëveshjeje me maxhorancën
Akti i katërt: opozitë e maxhorancë falënderojnë ndërkombëtarët dhe fillojnë punojnë për krizën e radhës dhe marrëveshjen e radhës.
Cilët janë tiparet kryesore të këtyre marrëveshjeve? E para, ato janë arritur duke e vendosur pushtetin e marrëveshjes së personave mbi ligjet e shtetit. E dyta, ato kanë amnistuar çuarjen para drejtësisë të abuzuesve. E treta, aktorët opozitarë  kanë tradhtuar premtimet e bëra njerëzve para uljes në tryezë. E katërta, ato kanë rritur vartësinë nga ndërkombëtarët, në vend se të rritin ndërgjegjen politike të shqiptarëve.
Nëna e të gjithë marrëveshjeve kësisoj është ajo e 7-9 marsit 1997. Njerëzit, të grabitur për shkak të bashkëpunimit të maxhorancës së asaj kohe me grabitësit e piramidave financiare, u rrahën, u poshtëruan dhe u vranë kur u ngritën të protestojnë. Partitë opozitare, të mbledhura në një aleancë 10 partish (Forumi për Demokraci), u vunë në krye të protestave duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë (e pastaj të Berishës) si shkaktarët kryesor të krizës dhe premtuan demokraci si dhe drejtësi për të gjitha bëmat e kryera.  Kur konflikti arriti kulmin, me ndihmën edhe të ndërkombëtarëve, krerët e partive kryesore të opozitës u ulën në një marrëveshje të 7 dhe 9 marsit me Berishën e cila prodhoi një qeveri të quajtur të stabilitetit, deri në zgjedhjet e parakohshme që sollën në pushtet PS. Pasoja e parë dramatike e “paqes” së kësaj marrëveshjeje ishte hapja e depove të armëve në të gjithë vendin me katrahurën që shkaktoi 2-3 mijë të vdekur. Një pasojë e dytë ishte se nuk prodhoi drejtësi për të grabiturit dhe të vrarët e asaj periudhe, por një amnisti dhe amnezi totale. Një pasojë e tretë ishte sa pas një viti PD kreu një grusht shteti në Tiranë që dëboi kryeministrin dhe  që i detyroi ndërkombëtarët të ndërhyjnë përsëri për t'i tërhequr njerëzit e PD nga Kryeministria dhe Radiotelevizioni.  Megjithatë, për faktin se askush nga aktorët kryesorë nuk e dënoi ndonjëherë marrëveshjen e 7-9 Marsit, pasi u erdhi pas midesë, ajo u bë nëna e të gjitha marrëveshjeve të mëpasshme duke krijuar edhe modelin e bërjes politikë në Shqipëri. Kësisoj, në të gjitha marrëveshjet që kanë pasuar kemi parë që pushteti i personave dhe i ndërkombëtarëve është vendosur mbi ligjin; janë amnistuar krimet e shkaktarëve të krizës; janë tradhtuar njerëzit e thjeshtë që kanë mbështetur opozitën, (pasi, edhe kur kanë prodhuar rotacion, ato kanë lënë të paprekur sistemin kriminal ekonomik, që është në bazën e bazave të krizave); kanë rritur vartësinë nga ndërkombëtarët duke lënë tek njerëzit shijen e hidhur të zhgënjimit nga politika vendore.
A e kanë parasysh këtë mësim të historisë opozitat e sotme për të ndryshuar historinë apo duan ta përsërisin atë? Personalisht më duket se ka shumë shenja se do të përsëritet historia. Kujtoj se opozita doli nga sistemi për t’i evidentuar opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar pamundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në një regjim ku maxhoranca jo vetëm kontrollon të tëra pushtetet, por ka me vete edhe fuqinë më të madhe financiare në vend: narkokrimin. Me fjalë të tjera ajo e akuzoi maxhorancën si një organizatë kriminale që meriton të nxirret jashtë ligjit dhe krerët e saj të dënohen. Për këtë ajo ka paraqitur prova evidente, që po shtohen ditë për ditë me daljen e dokumenteve të kryebashkiakëve me precedentë të rënda penale në Itali, Greqi e gjetkë. E pra është e qartë se ulja në marrëveshje me një organizatë të tillë automatikisht e ve opozitën në pozitën që të konsiderohet e ngjashme me të, duke i bërë nul akuzat që ajo ka ngritur e, sëbashku me to, edhe premtimet. Mirëpo, më anë tjetër, e vërteta është se po aq sa ç’janë evidente provat e paraqitura nga opozita po aq evidente është se organizata ka kapur shtetin, prandaj  s'ka kush ta nxjerrë jashtë ligjit. E vetmja forcë, në një vend ku nuk ka demokraci (pushtet të popullit), por pushtet të ndërkombëtarëve, do të ishte një akuzë e qartë e tyrja, por ata për arsye gjeopolitike, stabiliteti, mosbesimi tek opozita, por edhe interesash korruptive në disa raste, nuk e formulojnë një akuzë të tillë, por kanë gjetur rrugën e vjetër: të propozojnë përsëri një marrëveshje, që, kësaj here, duhet të fillojë me uljen në një tryezë për kodin zgjedhor. Propozim  më qesharak, nuk mund të bëhet. Është sikur t’i thuash të sëmurit me kancer se duhet të marrë aspirina, sepse kriza që e ka nxjerrë opozitën në rrugë jashtë institucionale nuk buron nga kodi i keq zgjedhor, madje as nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë apo SPAKU-t, por nga organizata kriminale që e ka kthyer Shqipërinë në një narkoshtet. Prandaj gjykoj se një marrëveshje e bazuar në plotësimin e kërkesave të tilla nuk do të jetë gjë tjetër veçse surrogat i marrëveshjeve më të hershme. ku më e fundit është dalja e PD-së nga çadra.
Në këtë pikë vijmë tek dilema: a duhet të hyjë apo nuk duhet të hyjë opozita në një marrëveshje dhe, nëse po, cilat duhet të jenë kërkesat e saj që marrëveshja të mos përsërisë historinë? Nuk është e thjeshtë t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje. Personalisht, duke iu referuar edhe përvojave të rrëzimit të regjimeve nëpër botë, do të ndryshoja aktin e tretë dhe të katërt të dramës. Në aktin e tretë, në vend të marrëveshjes së opozitës me regjimin, me ndërhyrje ndërkombëtare, do të punoja për marrëveshjen në rritje të opozitës me popullin që të gjejë tek ajo një instrument për të rrëzuar regjimin autoritar dhe sistemin kriminal që e mban. Në aktin e katërt, regjimi do të ndjehet aq i dobët e i delegjitimuar sa me hir apo me pahir do të detyrohet të bjerë, i braktisur edhe nga ndërkombëtarët. (Panorama 30 shtator, 2019)
.