Gishti i ngritur i Ambasadorit të OSBE Boschard ndaj
protestuesve të Astirit, si përgjigje e thirrjes së tyre: "Shame on
you", dhe pastaj ndjesa e tij për këtë akt, duhen parë si metaforë e
raportit të ndërkombëtarëve me shqiptarët që po ndeshen me arrogancën
skandaloze të pushtetit. Sipas meje,
"Shame on you" duhet interpretuar si një thirrje e shqiptarëve
drejtuar jo thjesht OSBE-së, por edhe Ambasadës Amerikane, asaj të BE-së e të
tjerë aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në punët tona; gishti, si përgjigja
e tyre e parë që tregon se janë bërë
palë me qeverinë, kurse ndjesa si një shenjë se ata edhe mund ta tërheqin këtë
gisht, meqë për gishta në b…ë shqiptarët e gjorë kanë boll atë të Edi Ramës e të
oligarkëve e kriminelëve që bashkëpunojnë me të.
Sigurisht ndërkombëtarët kanë edhe argumentet me të cilët e
mbështesin gishtin ndaj shqiptarëve që protestojnë. Një nga argumentet që më ka
qëlluar të dëgjoj më shpesh në bisedat me ta është ai: "po cila është
alternativa?"; në kuptimin se edhe opozita, me këta që nxjerr në rrugë, është
e njëjta gjë; se nuk ka ndonjë forcë të re (alternativë) që ta mbështesin. Është
një argument që e përdorin edhe shumë shqiptarë, madje dyshoj se ndërkombëtarët
e kanë huazuar nga shqiptarët. Edhe mund tu japësh të drejtë, po të kemi
parasysh se mendimi "nuk ka alternativë" ka ardhur duke u forcuar për shkak të zhgënjimeve të njëpasnjëshme
me partitë që na kanë qeverisur, dhe se nevoja për njerëz të rinj të besueshëm
ndjehet fort në vend. Por gjykoj se ndërkombëtarët, që pretendojnë të jenë
aktorë të rëndësishëm ndryshimi në vendin tonë, nuk mund dhe nuk duhet të
adoptojnë kurrsesi shprehjen "nuk ka alternativë". Kjo, sepse në këtë
argument ka një kontradiktë që lidhet me faktin se demokracia nuk është një zgjidhje
apo zgjedhje përfundimtare nëpërmjet një alternative, sado e mirë dhe e dëshirueshme
të jetë kjo, por është një proces pa fund. Edhe vetë ideja e negociatave për
pranimin në BE nënkupton një proces ku ndërkombëtarët kanë një rol të rëndësishëm,
që nuk është mbështetja e një "alternative", por ndikimi në proces me
atributet e një pale që luan rolin e arbitrit të paanshëm midis palëve në
proces, që ka si busull parimet e shtetit të së drejtës, ligjin, vlerat më të
mira evropiane; një arbitër, pra, që ndëshkon çdo shkelje, nga cilado palë qoftë,
duke bërë që procesi të mos degjenerojë, por, përkundrazi, të edukojë edhe
aktorët e procesit vetë. Aq më tepër duke pasur parasysh se shqiptarët, të
padalë ende nga infantilizmi ku i la diktatura, i shohin ndërkombëtarët si të
vetmin faktor që mund ta luajnë këtë rol. E pra gabimi i madh i ndërkombëtarëve
si ambasadori i OSBE-së është se, në vend se të luajnë këtë rol, janë bërë
dukshëm mbështetës të palës në
pushtet dhe përdorin shprehjen "nuk ka alternativë" për të
justifikuar partizanërinë e tyre, apo për të larë ndërgjegjen për mosveprimin
apo paaftësinë për të luajtur rolin e arbitrit të paanshëm aktiv që shqiptarët presin
prej tyre, (por edhe taksapaguesit evropianë). Këtë e provoi edhe gishti i
OSBE-së kundër protestuesve të Astritit.
Dhe rasti në fjalë është shumë kuptimplotë për të ilustruar çfarë po
them, sepse ka të bëjë me rolin e ndërkombëtarëve në procesin e Reformës në
Drejtësi, që u konsiderua lëvizja më e rëndësishme e ekipit të fundit të tyre në
këta 30 vjet. Të gjithë e dinë tashmë, prej thuajse një viti, se tek Astiri po
tentohet të vihet në zbatim një plan megakorruptiv i qeverisë Rama që përfshinte
vjedhjen e rreth 20 milion dollarëve. Të gjithë e dinë se ky plan ka shkelur
ligjin ndaj banorëve që protestojnë, të cilëve po u prishen shtëpitë në mënyrën
më të paligjshme. Të gjithë e dinë se prokuroria e Reformës në Drejtësi nuk ka
vepruar ndaj këtij skandali megakorruptiv, por vepron sistematikisht me
arrestime për të mposhtur rezistencën e banorëve. Si është e mundur që arbitri
garant i Reformës në Drejtësi, jo
vetëm nuk mban asnjë qëndrim për mosveprimin ndaj këtyre skandaleve të mëdha,
por u nxjerr gishtin qytetarëve që protestojnë!
E pra Reforma në Drejtësi nisi me mbështetjen edhe
ekonomike të ndërkombëtarëve, për të ndryshuar diçka për mirë në Shqipëri. Ata
u paralajmëruan se Edi Rama synonte kapjen e drejtësisë, por le të pranojmë se
ata i besuan dhe e mbështetën në emër të së mirës, ndoshta edhe pse besonin se
Rama ishte "alternativa". Kishte shumë që nuk besonin tek Rama, por
besuan se ndërkombëtarët, si arbitër të paanshëm, do të ndërhynin sapo të
shihnin shenjat e para se Reforma po çohej në hullinë e kapjes së drejtësisë për
qëllime të mbrapshta. Mirëpo kjo nuk ndodhi e nuk po ndodh ende, përkundrazi. Në një vend ku flitej aq shumë për
premtimin e një drejtësie të paanshme edhe anëtarët e Partisë Socialiste do të
duhej të reagonin e të mos pranonin një kryeprokurore të zgjedhur kundër frymës
së Reformës, si Arta Marku, e jo më ndërkombëtarët. Kurse ata e mbështetën dhe
vazhdojnë ta mbështesin, madje jo vetëm, por i tregojnë gishtin protestuesve të
mjerë që shohin se si përditë Arta Marku e përdor Prokurorinë kundër tyre në emër
të korrupsionit e vjedhjes së pushtetarëve.
Sipas mendimit tim "Shame on you!" është më e
pakta që mund t'u thuhet ndërkombëtarëve tanë; edhe ndjesa e tyre për gishtin
duhet mirëpritur, por pas kësaj shqiptarët duhet të përveshin mëngët që ta
nxjerrin gomarin vetë nga balta dhe jo të kërkojnë një "alternativë"
ndërkombëtarësh të tjerë që t'ua nxjerrë atë. (Panorama, 18 tetor 2019)
No comments:
Post a Comment