Intervista e gazetares së BBC Sarah Montague me Edi Rames ishte një leksion për gazetarinë shqiptare. Besoj se edhe për Edi Ramën. Fillimisht më erdhi të them se ishte si një gazetari e harruar, pastaj shtrova pyetjen nëse ka ekzistuar ndonjëherë tek ne kultura e një gazetarie të tillë ku gazetari pyet për të kuptuar të vërtetën dhe jo për të shërbyer apo manipuluar. Më rezulton se nuk ka ekzistuar, e, nëse mund të përdoret termi "e harruar", duhet thënë se mund të përdoret për të gjithë ata gazetarë që, jo me pak shpenzime, janë edukuar e trajnuar për t'u bërë gazetarë si Montague e BBC, por që i kanë "harruar' leksionet, më të shumtët pa i aplikuar ndonjëherë.E them këtë sepse në rolin e Montague gazetarët e llogoreve në shërbim të Edi Ramës nuk do t'i bënin atij kurrsesi pyetjet insistuese mbi bashkëpunimin me Meten, 21 janarin, përgjegjësitë e tij për korrupsionin, çfarë ka deklaruar Meta dhe çfarë ka deklaruar ai për të... sepse tashme e kanë "harruar" se mund t'i bëjnë ato pyetje. Kurse gazetarët e llogoreve pro Berishes nuk do të mund t'i bënin kurrsesi pyetje të tilla si ajo nese do të kërkonte të hidhej në gjyq Berisha për Gërdecin siç ka premtuar ai në fushatën elektorale. Diferenca e gazetarisë së Montague me tonën është si ajo midis një mjeku që kërkon të të diagnostikojë për të gjetur mjekimin e duhur dhe një xhambazi që kërkon të të vërë një diagnozë që të shesë ilaçet e padronit të tij.Pra BBC na bëri një shërbim edhe ne për të kuptuar sadopak të vërtetën e qeverisjes së ardhshme të Edi Ramës. Sipas meje pjesa me interesante e interviste ishte ajo kur Rama tha se përgjegjës për korrupsionin është sistemi, jo njerëzit; se po të marrësh një nëpunës gjerman ta futësh në administratën shqipare ai do të korruptohet ashtu sikurse një nëpunës shqiptar në administratën gjermnane do të mbetej i pakorruptuar. Gazetarja, duke i qendruar kësaj logjike, i bëri pyetjen: "dmth edhe ti qe ke hyrë në këtë sistem je korruptuar..." Dhe Rama u përgjigjegj se ai bën përjashtim që e ka provuar me administrimin e Tiranës.Që nuk është kështu e thotë Tirana vetë që ulëret nga dhimbjet dhe plagët që i ka krijuar sistemi. Madje sistemi që sundon sot ka lindur e lulëzuar bash në Tiranë më së shumti dhe veçanërisht në kohën e Edi Ramës. Por, edhe duke pranuar se Rama, sipas vetë gjykimit të tij, duke hyrë në sistem është korruptuar, nuk mund të mohoet se çështja qe ngrihet nëse është sistemi që i korrupton njerëzit apo janë njerëzit që kanë krijuar këtë sistem të korruptuar është e rëndësishme dhe meriton të trajtohet seriozish nëse duam seriozisht të dalim nga sistemi i korrupsionit. Edhe vetë bëj pjese ndër ata që kanë ngulmuar se duhet të merremi me sistemin jo me njerezit. E kam thënë këtë edhe duke iu kundërvene asaj kategorie politikanesh dhe gazetarësh që gjithë opozitarizmin e tyre e kane perqendruar tek Berisha dhe familja e tij, berishologët, që sot duken si të mbetur pa punë. E këtu nuk mund të mos vihet re një inkoherencë midis fushatës së Ramës që ishte kryesisht e përqendruar kundër personit Berisha dhe familjes së tij dhe gjuhës pas zgjedhore që flet për përgjegjësitë e sistemit jo të një personi apo të një familjeje.Gjithsesi pyetja e parë është se çfarë ka Rama parasysh kur flet për sistem, sepse ai asnjëherë nuk ka hyrë në detaje për ta zbërthyer mekanizmat e tij. Sipas gjykimit tim sistemi që ka parasysh është ai ku pushteti politik, pushteti ekonomik financiar, pushteti gjyqsor dhe pushteti mediatik, duke përfshirë edhe shoqërinë civile janë të përqendrur në të njëjtat duar oligarkësh politikanë dhe politikanësh oligarkë, ku e vetmja ndarje që krijon pak hapësira lirie dhe pavarësie është se këta janë të ndarë në dy grupe rivale. Sistemi punon si një i tërë por në fund vija e tij ndahet për të çuar ujë në dy mullinj, ku njëri është më i madh, ai i maxhorancëns, dhe tjetri është pak më i vogël, ai i opozitës. Kjo ka sjellë grabitjen dhe rrënimin e çdo gjëje publike duke përfshirë edhe shtetin i cili veç tjerash shërben për të mbajtur klientelën edhe nëpërmjet punësimit në administratë. Sistemi është edhe korruptimi i prokurorisë dhe gjykatave që nuk kanë bërë të mundur dënimin qoftë edhe të një politikani ttë korruptuar, siç e ka thënë dhe vetë Rama kur ka folur për gjyqin që shfajësoi Ilir Metën. Thënë ndryshe ai është një regjim, në thelb si ai i Hoxhës, i cili shfrytëzon egërsisht pjesën më të madhe të popullsisë, për të çuar ujë tek dy mullinjtë. Nuk të fut në burg, nuk të izolon fizikisht nga bota, por, po të mos jeshë pjesë e njërit apo tjetrit mulli, e sheh veten në të thatë. Është një sistem pra kundër meritokracisë kundër barazisë së të gjithëve përpara ligjit, ku liritë dhe të drejtat e njeriut dhunohen edhe pse jo si në kohën e Hoxhës.Nëse pranojmë se ky është sistemi, pyetja që ka shtruar Sarah Montague është kardinale. A munden këta njerëz, që kanë ngritur sistemin, që janë pasuruar dhe inkriminuar nëpërmjet këtiij sistemi, ta ndryshojnë atë? Sado të përpiqet Rama të na mbushë mendjen se është sistemi që korrupton njerëzit dhe jo e kundërta, ndryshimi nuk ka se nga të fillojë veçse nga njerëzit. Unë e shoh me dyshim atë që thotë Rama se po të sjellësh një administrator gjerman ai do të korruptohet. Më me shumë gjasa ai do të ikë duke dashur të mos njolloset. Dhe në fakt ka edhe shumë shqiptarë të ndershëm që nuk pranojnë të hyjnë në politikë pikërisht pse nuk duan të njollosen. Jo vetëm por Rama kundërshtoi vetveten kur foli kështu sepse si shembuj të vetëm që dha për të luftuar korrupsionin ai dha pikërisht sjelljen e të huajve. A nuk do t'i korruptojë ata sistemi, sipas vetë fjalëve të Ramës?Personalisht besoj se sistemi dhe njerëzit nuk mund të ndahen. Sistemi dhe njerëzit janë dy faqe të së njëjtës medalje prandaj përgjegjësia e korrupsionit është e dyfishtë. Dhe kur flitet për përgjegjësi dhe ndëshkim që sjell ndryshimin në sistem dhe në njerëz nuk është vetëm çështja e futjes në burg të të korruptuareve, por edhe ajo e prishjes së strukturave të ngritura për intresat e tyre. Pra nëse do të ndryshosh strukturat e një sistemi npërmjet të cilit kanë ngrënë dhe hanë mbështetësit e tu kjo do të thotë t'u bijesh ndesh interesave të tyre. A do të mund ta bëjë Rama me Metën një gjë të tillë?Kur ngremë këtë pyetje nuk mund të mos marrim në shqyrtim edhe procesin zgjedhor, sepse edhe ai është pjesë e sistemit madje në një farë kuptimi ai hedh themelet e një pushteti dhe sistemit të tij. E kam fjalën për faktin se deri më sot e dimë se ata që mund të quhen shtyllat e sistemit, oligarklo mafjozët, janë ata që investojnë më së pari në fuahtën elektorale, janë ata që derdhin një shumë parash për t'i shumëfishuar ato pastaj kur të marrin pushtetin. E pra, në logjikën e kësaj që thashë më lart, nëse është e vërtetë, siç ka shumë të dhëna, se një pjesë e mirë e votave janë blerë ose janë dhënë mbi premtimet për të zgjidhur problemet e bizneseve private sistemi ka vazhduar të punojë po njëlloj edhe gjatë zgjedhjeve. Nëse është e vërtetë, ashtu sikurs thuhet gjthandej, se logjika e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë tek PS ka qenë e tillë që janë sakrifikuar jo pak njerëz të ndershëm për hir të njerëzve të fortë që mund të blejnë dhe akaparojnë vota, zor se këta njerëz do të ndryshojnë sistemin pasi janë atje pikërisht për t'i shërbyer atij që do të thotë vetes së tyre.Në këtë pikë nuk mund të mos shtrojmë pyetjen: gjuha e ndryshuar e Ramës, i cili para zgjedhjeve akuzonte kryesisht Berishën dhe familjarët e tij dhe pas zgjedhjeve i shfajësoi direkt apo indirekt këta duke ia vënë fajin dhe përgjegjësinë sistemit a mos vallë duhet interpretuar se ai, ashtu sikurse Berisha i 2005-sës, ka synuar thtjesht e vetëm të zëvendësojë paraardhësin në krye të sistemit? Le të shohim. Sikurse kam thënë në shkrimin para këtij, të vesh bast për një gjë të tillë nuk është punë e mençur. Por inkoherencat e kryeministrit të ardhshëm në BBC, sipas meje, na dhanë sinjale të forta se qeverisjen e re Rama Meta duhet ta ndjekim me dyshim dhe vigjilencë të madhe. (Panorama 28.07.2013)
Sunday, July 28, 2013
Dyshimi që duhet të ndjekë qeverinë e re
Shenja të këqija
Të vësh bast se opozita me Edi Ramën në krye do të dështojë, më duket një punë jo e mençur. Kjo do të thotë të mendosh vetëm për pushtetin tënd dhe aspak për të gjithë ata shqiptarë që nga ky dështim do të fundosen edhe më shumë se ç’janë fundosur deri më tani. Neve nuk na duhet një opozitarizëm i tillë siç paralajmëroi fushata për kryetarin e ri të PD-së. Ishte e trishtueshme të shihje se si ajo e trajtoi raportin me maxhorancën e re si të bëhej fjalë për një kampionat futbolli ku flitej thjesht e vetëm për fitoren në ndeshjen e ardhshme me skuadrën rivale. Madje, gjatë rrugës së fushatës na u tha se në Lezhë qenkan vjedhur apo blerë vota nga mafia dhe humbja i dedikohet kësaj. Po si nuk ndalën një çast, përpara se të deklarojnë këtë, të mendojnë se, edhe në qoftë kështu, këtu bëhet fjalë për një tjetër dështim të madh të qeverisë “Berisha”, sepse kjo është shenja më evidente se në kohën e Berishës mafia dhe krimi i organizuar, në vend se të luftohen, paskan lulëzuar në atë farë feje sa ia paskan dalë edhe kundër qeverisë që ka në dorë policinë e shërbimet informative, e më the të thashë. Madje qeveria është ende në punë dhe detyra e saj numër një është lufta kundër mafies dhe krimit. Ç’kuptim kanë këto fjalë, përveçse paaftësi për të luftuar krimin dhe paaftësi për të analizuar humbjen?Edhe fakti se LSI është katërfishuar duke qenë në qeveri – disa thonë më së shumti duke blerë vota – është shenjë e dështimit të politikës. Sepse atëherë dhe vetëm atëherë kur njerëzit nuk kanë pikë besimi te politika dhe janë të këputur ekonomikisht, preferojnë që midis një vote të hedhur kot fare dhe një vote që u jep një grusht të hollash, të zgjedhin këtë të dytën.Ngado që ta kapësh PD dhe Berisha në krye të saj dalin të humbur. Partia Demokratike ka nevojë për një analizë të thellë të humbjes për të fituar atë që e ka humbur edhe më thellë sesa zgjedhjet; kredibilitetin te masa e madhe e njerëzve. Mirëpo shenjat nuk janë të tilla. Berisha mbajti një fjalim dorëheqjeje ku tha se mbante të gjitha përgjegjësitë, por deri më sot nuk kemi parë të artikulohet ndonjë përgjegjësi konkrete. Përkundrazi, evokohet historia e lavdishme e PD-së dhe e liderit të saj historik. Nën këtë shenjë u zhvillua edhe gara për kryetarin e ri të PD-së. Kandidatët për zëvendësin e Berishës i thurën lavde liderit historik në vend se të vinin gishtin mbi përgjegjësitë e tij dhe të premtonin se do t’i korrigjonin ato. Edhe më skandaloz ishte vetë procesi, që u denoncua deri nga vetë kandidati Olldashi. Numri i dukshëm mbi fletët e votimit të kujton një palë zgjedhje të Hitlerit, në të cilat, për të zbuluar kundërshtarët e partisë së tij, shkruhej me bojë simpatike, që të mos dukej, numri rendor në fletën e votimit, i cili pastaj zbulohej për çdo fletë që ishte kundër. Më atë rast, të paktën, ruhej në dukje parimi i fshehtësisë, kurse numri i hapur është kërcënim i hapur.Shkurt, çdo ditë që kalon po bën të qartë se në vend të analizës dhe rifillimit të një politike opozitare të vërtetë dhe bindëse, prandaj edhe konstruktive, kemi kthimin në stilin e vjetër. PD do të mbetet e varur te Berisha dhe te stili i tij i bërjes opozitë: një opozitë agresive dhe destruktive që s’pranon humbjen dhe delegjitimon gjithçka, që rigrupon forcat dhe mobilizon militantët në sajë të kultivimit të urrejtjes ndaj armikut të përbashkët dhe glorifikimit të liderit që do ta udhëheqë kundër këtij armiku në betejën e ardhshme. Nuk di të them nëse edhe militantët kërkonin këtë, pasi kjo është bërë tashmë mendësi e rrënjosur, apo duartrokisnin ashtu kot, pasi kjo është bërë pjesë e teatrit.Në fakt, na duket sikur po shohim një shfaqje teatrale që e kemi parë tashmë disa herë, ku aktorët vetëm se kanë ndërruar rolet. Një shfaqje që po bëhet, ama, gjithnjë e më e mërzitshme, më e shpëlarë dhe më e boshatisur nga spektatorët. Sepse edhe vetë luftës për pushtet për hir të pushtetit dhe parave që fitohen prej këtij teatri, i ka dalë boja fare. Dështimin e këtij teatri e provuan edhe zgjedhjet e fundit kur, tek e fundit, fitoren opozitës nuk ia siguroi lufta pa kompromis, destruktive, “ballore” (po të përmendim një fjalë të Bashës), (fatkeqësisht të gjitha të shtira, teatrale), por tërheqja e Metës në koalicion. Sipas këtij teatri, po nuk ndodhi ndonjë gjë e papritur, një opozite kësisoj do t’i duhet të presë tetë vjet degradimin e maxhorancës dhe të tërheqë në krahun e saj Ilir Metën që të rikthehet në pushtet në një vend edhe më të rrënuar e më të kapur nga krimi i organizuar dhe çorganizuar, e ku vota do të shitet/blihet me një çmim edhe më të lirë.Por ne, ashtu sikurse nuk na intereson një maxhorancë që vazhdon rrugën e së vjetrës, ashtu dhe nuk na intereson një opozitë e tillë. Një opozitë kësisoj vetëm sa do t’ia lehtësonte punën një maxhorance që do të vazhdonte të njëjtën hulli të paraardhëses.Dikush do të thotë se një analizë e vërtetë e përgjegjësive dhe gabimeve etj., do të çonte në shpërbërjen fare të PD dhe mbetjen e vendit pa opozitë përballë një maxhorance që s’është me engjëj. Ky rrezik qëndron, por ky rrezik, sipas meje, është ai që legjitimon teatrin ku vetëm ndërrohen rolet një herë në tetë apo dymbëdhjetë vjet, pa ndryshuar asgjë në jetën e shqiptarëve. Dikush, qoftë brenda këtyre partive, qoftë jashtë, duhet të guxojë ta thyejë këtë rreth vicioz. (Panorama, 25 korrik 2013)
Tuesday, July 23, 2013
Nën qiellin e Evropës*
Afro dhjetë ditë pasi u çlirua nga Gjykata për Krimet në ish Jugosllavi (29 nëntor 2012) prej akuzave për krime lufte, ish komandanti i UÇK dhe ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bëri një vizitë triumfale në Shqipëri. Atij iu dedikua një seancë e Parlamentit shqiptar ku mbajti një fjalim të shkurtër; u prit nga Kryeministri Sali Berisha me shumë nderim, kurse më 10 dhjetor u dekorua nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në fjalën e tij Nishani e quajti kënaqësi që në emër të qytetarëve të Shqipërisë i shprehte mirënjohjen njërit prej burrave shqiptarë më të përkushtuar të kohëve moderne: “Ai kurrë nuk i iku përballjeve, rezistencës, - tha Nishani - duke bërë të mundur që edhe përmes transparencës, kurajës, përballjes me Gjykatën e Hagës të ruante të pacënuar, dinjitetin e një lufte rezistence, dinjitetin e një lufte çlirimtare, që ne e bëmë së bashku me partnerët më të mirë të shqiptarëve".[1]Kryeminstri Berisha po në ato ditë bëri një deklaratë në të cilën, pasi e nderoi të shfajsuarin, u shpreh se “Qeveria e Republikës së Shqipërisë do t’u kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë ndërmarrjen e një hetimi të pavarur ndaj ish-Prokurores Carla del Ponte, "për rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm në çështjen kundër ish-Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj". Në deklaratën e tij ai u kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë "të nisin menjëherë një hetim për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje”.[2]Edhe kreu i opozitës, socialisti Edi Rama, manifestoi të njëjtin respekt në pritjen që i bëri Haradinajt. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Rama, i cili e kishte përshëndetur çlirimin e tij nga akuzat që ditën që kjo ndodhi, tha se i shprehu atij mirënjohje për mbrojtjen dhe sakrificat e bëra në vite për popullin e Kosovës dhe se me të biseduan për bashkimin e shqiptarëve "nën qiellin e Bashkimit Evropian", për unifikimin e arsimit dhe sistemit doganor, etj.Akuzat ndaj HaradinajtIronia është se të gjithë politikanët e lartë që celebruan të shfajësuarin kanë informacion të mjaftueshëm, në mos për të qenë të bindur, për të patur dyshime serioze se akuzat e Hagës ndaj Haradinaj janë të vërteta. Pra se në vitet 1998 – 1999, dhe veçanërish pas bombardimeve të NATOS, njerëzit e UÇK, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serb, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzove robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë; se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë, që janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhëtarë apo jo mbështetës të saj; dhe se Haradinaj është çliruar nga këto akuza ngase ai, apo njerëzit e tij, kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë. Ata e dinë se raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2010 e ka cilësuar gjendjen e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë si më të keqen në Ballkan edhe për shkak se vendimi i vitit 2008 i ICTY, që e nxorri të pafajshëm Haradinaj herën e parë, nënvizonte vështirësitë për t'i bindur dëshmitarët nga Kosova të shkonin në Hagë dhe të dëshmonin.[3] Ata e dinë se në gjyqin e fundit dhe përfundimtar dëshmitarët refuzuan të flasin ose ndryshuan versionin e tyre të ngjarjeve. Ata e dinë, po ashtu, se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në gjyqin e një heroi tjetër të UÇK, Fatmir Limajt.Atëhere si do ta shpjegojmë këtë glorifikim nga shqiptarët të Haradinajt në kthimin e tij nga Haga, megjithë këto fakte të tmerrshme? Si ta shpjegojmë se në Kosovë, mu pas kthimit të tij, ai u shpall si kryeministri i mundshëm i ardhshëm i Kosoves. Si t'i shpjegojmë inisiativa kaq kurajoze si ajo e Berishës për të hapur hetime mbi Carla Del Ponten?Së pari kjo hipokrizi kaq kurajoze mund të shpjegohet me faktin se ky qëndrim ka të bëjë me mbisundimin e ideologjisë nacionaliste me të cilën vazhdojnë të punojnë ne Shqipëri dhe Kosovë sistematikisht elitat politike dhe kulturore për t'u shpëlarë trurin njerëzve. Ashtu si në kohën e komunizmit shqiptarët vazhdojnë të ushqehen me idenë se ata janë asgjë, si qënie individuale, përpara interesave të kombit, se ata duhet të sakrifikojnë veten për Atdheun dhe të mbyllin sytë ndaj çdo krimi të kryer në emër të tij. Në sajë të kësaj shpëlarjeje trush ata vazhdojnë të jetojnë në mënyrë skicofrenike midis glorifikimint të heronjve të lavdishëm që sakrifikojnë veten për kombin dhe mjerimit të maskarenjve që i vjedhin madje edhe i vrasin ata - gjithë duke qenë po ata heronj të glorifikuar. Mbajtja gjallë e këtij lavazhi trush mplekset gjithashtu me faktin shumë më prozaik se Haradinaj me shokë, meqenëse kanë në Kosovë, jo vetëm pushtetin politik, por edhe atë ekonomik, kanë arritur, duke i ngritur edhe monumente vetes, t’u imponojnë njerëzve në Kosovë mitin e tyre, i cili pastaj i shërben pushteti të tyre në një rreth vicioz. Fati i dëshmitarëve që pësuan "vdekje të parakohëshme" e lehtson dhe më punën e tyre.Së dyti, mbrojtja e Haradinaj nga ana e shqiptarëve është e lidhur edhe me mbrojtjen e imazhit të vendit të tyre ndaj komunitetit ndërkombëtar. Akuza si ato të Carla Del Pontes duhen përgënjeshtruar dhe refuzuar pasi ato dëmtojnë çështjen kombëtare pasi i delegjitimojnë shqiptarët madje duke u dhënë të drejtë armiqve të tyre, që i akuzojnë si rrezik në rajon me idenë e bashkimit kombëtar që kohët e fundit është bërë kryefjala e retorikës politike në Shqipëri. (Në një nga fjalimet e tij të fundit kryeministri Berisha tha se është e papranueshme që shqiptarët jetojnë në pesë shtete të ndryshme duke nënkuptuar Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë (Preshevën) dhe Maqedoninë.)[4]Gjuha e dyfishtëNë deklarimet e tij, veçanërisht ato drejtuar partnerëve dhe mediave ndërkombëtare, kur flet për çështjen e nxehtë të "problemit të pazgjidhur kombëtar" Haradinaj e paraqet veten si një politikan i moderuar. "Çështja shqiptare është zgjidhur me pavarësimin e Kosovës" - i deklaroi Haradinaj një mediaje greke kohët e fundit - “Gjithkund ekzistojnë minoritete. Nëse fillon të projektosh kufij “etnikisht të pastër”, nuk do të ndalosh kurrë”, "unë konsideroj se sot është koha e arsyes. Do t’i ftoja të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, të veprojnë në drejtim të integrimit europian.” "Ne do shikojmë përpara, nuk do të merremi me gjërat që tashmë kanë kaluar”.[5]Kjo gjuhë, megjithatë, nuk e pengon atë të përdorë një tjetër gjuhë brenda Kosovës dhe Shqipërisë. Në një ceremoni ku iu dha titulli qytetar nderi i qytetit të Leshës ai tha: “Ne jemi një komb, një gjuhë, një flamur, një rrugë (është fjala për autostradën e ndërtuar nga Berisha që lidh Shqipërinë me Kosovën) e cila na mundëson për të qenë një”.Kjo gjuhë e dyfishtë është shprehje e ideologjisë dominuese të pushtetit që kanë adoptuar politikanët shqiptarë gjatë njëzet viteve të fundit. Kjo ideologji, që e kam quajtur nacional - evropeizëm (si kalim i retorikës së elitës politike shqiptare nga nacional komunizmi në diskursin nacional - evropeist që nënkupton instrumentalizimin e integrimit evropian[6]) pretendon ta zgjidhë çështjen kombëtare të bashkimit të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Ballkan nëpërmjet integrimit evropian duke përzjerë kështu vizionin nacionalist të Shqipërisë së madhe etnike me vizionin post nacionalist të Bashkimit Evropian të qytetarëve në një lloj Shqipërie të madhe evropiane. Sipas kësaj ideologjie serbët, grekët, maqedonasit, malazezët do të mbeten të njëjtët armiq që kanë qenë në të shkuarën.Po cili është Haradinaj i vërtetë? Ç'përfaqëson ai për shqiptarët; po për evropianët? - Carla Del Ponte përshkruan në librin e saj La Caccia - io e i criminali di guerra, (Feltrinelli 2008) se si Ndërkombëtarët e UNMIK-ut në vend se ta ndihmonin Trubunalin për një hetim më të thellë të çështjes Haradinaj i krijuan asaj pengesa me argumentin se politikanë si ai ishin shumë të fuqishëm në Kosovë dhe, kësisoj, dëmi që do të pësonin do të ishte më i madh sesa përfitimi sepse këta njerëz mund të destabilizonin rajonin. Ky fakt flet shumë për Haradinajn. Ai i përket atyre kafshëve politike në Shqipëri dhe Kosovë që u intereson vetëm pushteti personal dhe përfitimet që nxirren prej tij. Ai e di shumë mirë se për momentin ai nuk mund ta mbajë këtë pushtet pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Prandaj kur flet me evropianët ai tund flamurin me gjashtë yje të Kosovës, ndërsa kur flet me politikanët dhe bashkatdhetarët e tij shqiptarë mbështillet me flamurin kuq e zi.Ambiguiteti i EvropësEtien Balibar duke shkruar për situatën në ish Jugosllavi thotë se ajo nuk është atipike, përkundrazi është një projektim lokal i formave të konfrontimit dhe konflikteve të të gjithë Evropës që Balibar nuk heziton t'i quajë "marrëdhëniet raciale evropaine."[7] Evropa e sotme më tepër se kurrë po shfaq kontradiktën e saj të brendshme midis një Evrope të egoizmit të shteteve kombe dhe një Evrope post nacionaliste të qytetarëve, duke konfirmuar fjalët e Balibarit mbi Evropën si një "projekt politik i pazgjidhur": "Fati i identitetit të ri evropian si i tërë po luhet në Jugosllavi dhe më në përgjthësi në Ballkan. (…) Evropa duhet të pranojë se situata në Ballkan nuk është një monstruozitet në gjirin e saj (…) por një pamje dhe reflektim i vetë historisë së saj dhe duhet të ndërmarrë masa për ta përballuar dhe zgjidhur atë, çka do të thotë të verë edhe vetveten në diskutim dhe të transformojë vetveten. Vetëm atëhere Evropa do të fillojë ndoshta të bëhet e mundëshme përsëri."[8] Nëse disa vjet më parë ne mund të thonim se evropiano perëndimorët shikonin drejt të ardhmes ndërsa evropiano lindorët po shihnin drejt së kaluarët, siç po ndodhte në ish Jugosllavi, kjo nuk duket se është më e vërtetë. E ardhmja e projektit evropian nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më në krizë se gjatë këtyre kohëve. Gjuha e dyfishtë e Haradinajt dhe e politikanëve më të rëndësishëm si në Shqipëri dhe në Kosovë është, pa dyshim, edhe pasqyrim në Ballkan i mëdyshjeve dhe ambiguitetit të evropianëve përsa i përket projektit të së ardhmes së tyre.Rasti i shfajësimit të Haradinajt është shumë sinjifikativ në këtë kontekst. Dështimi i dhënies së një vendimi të drejtë ndaj tij hap një diskutim të madh jo vetëm mbi problemin e raportit të politikës me drejtësinë, dmth. mbi atë se si pushteti politik krijon pengesa ndaj drejtësisë, por edhe mbi atë se sa mund të funksionojë normalisht një gjykatë ndërkombëtare e Evropës post-nacionaliste kur ajo ka kundër interesa të ashtuquajtura kombëtare. Vetëdija se ekziston një gjykatë krimesh, një drejtësi përtej pushtetit të tyre, si ajo e Hagës, ka penguar shumë nga këta njerëz, që kanë arrogancën të thonë në vendin e tyre se "ligji e drejtësia janë ata vetë", të kryejnë krime të tjera. Por pandëshkueshmëria e tyre, edhe si rezultat i dobësisë së kësaj Evrope të qytetarëve ndaj Evropës së shteteve kombe, është një inkurajim për ta që t'i fryjnë erërave nacionaliste në vendet e tyre dhe të mbajnë gjallë ndjenja urrejtjeje ndaj fqinjëve.Kjo pandëshkueshmëri nuk është vetëm një kërcënim për paqen dhe integrimin e vërtetë evropian, por është edhe një kërcënim për zhvillimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës brenda vetë Kosovës. Niveli i kriminalitetit është shumë i lartë në Kosovë, veçanërisht korrupsioni dhe krimi i organizuar. Elita politike ku bën pjesë edhe Haradinaj dhe Limaj, akuzohet fort për këtë. Nuk është rastësi që Kodi i ri i Procedurës Penale i janarit 2013 e bën më të vështirë se ai që ishte më parë, madje edhe më të rrezikshme, mundësinë për të thërritur dëshmitarë.[9] Politikanët kosovarë, megjithëse kanë shtetin në duart e tyre, në vend se të bëjnë ligje që t'i mbrojnë më mirë dëshmitarët duke lehtësuar kështu përdorimin e tyre nga ana e prokurorisë, bëjnë të kundërtën. Dhe statusi i tyre si mbrojtës të bashkatdhetarëve, - paçka se Carla del Ponte shkruan se "nuk ka asgjë fisnike apo heroike në ato krime" duke ngulmuar se pandëshkueshmëria e tyre mund të shkaktojë luftra të reja, - ua bën më të lehtë hartimin e këtyre ligjeve."Racizmi triumfon kur identifikohet me shtetin, kur bëhet vetë shteti." (Foulcault). Nën qiellin e një Evrope, që resht së shikuari të ardhmen e saj si një Evropë e qytetarëve dhe kthehet mbrapsh në Evropën e egoizmave të shteteve kombe ky leksion mbetet kuptimplotë veçanërisht në rajone të tilla si Ballkani.
[1]* Ky shkrim është botuar në anglisht në numrin e Majit 2013 të revistës SUDOSTEUROPA Mittelungen që ka vënë në fokus (me kontributet e Andreas Ernst, Florian Bieber, Natasha Kandiç, Karl - Peter Schvarz, Adelheid Wolfi, Sonja Biserko, Fatos Lubonja) çështjen e çlirimit nga Gjykata për Krimet në ish Jugosllavi të Gatovinës dhe Haradinajt dhe pasojat e saj.[1] Nishani nderon Haradinajn:Mbrojti dinjitetin e luftës çlirimtare Panorama, 10 dhjetor 2012.[2] Hetimi për Carla Del Ponten. Haga: S’kemi kërkese ende nga Tirana. Nëse vjen do të shqyrtohet Panorama, 6 shkurt 2012.[3] Kosovo fights crime repression, not crime (Kosova lufton mposhtjen e krimit, jo krimin); Andrea Lorenzo Capussela, Osservatorio Balcani e Caucaso, 8 shkurt 2012; http://www.balcanicaucaso.org/eng/Regions-and-countries/Kosovo/Kosovo-fights-crime-repression-not-crime-129883/(from)/eng-newsletter[5] Haradinaj: Çështja shqiptare, e zgjidhur. Tani të përqendrohemi te Europa, Ponorama, 16 Janar 2013.[7] Etien Balibar, We, the people of Europe: Reflections on Transnational Citizenship; Princeton University Press, Princeton 2003.
Një kërkese modeste
Zgjedhjet përfunduan në një mënyrë që duket se ka lënë të kënaqur shumicën e shqiptarëve. Madje edhe shumë demokratë ndihen të lehtësuar; sikur të thonë: Më mirë që ndodhi kështu, sepse edhe vetë Saliu nuk do të dinte se çfarë do të bënte me Berishën Kryeministër.Tani PD-ja po kërkon një lider të ri, që mundësisht të vërtetojë pazëvendësueshmërinë si lider të Berishës deri në fitoren e ardhshme. PS-ja po feston fitoren me premtimet e një kryetari që thotë se politikën e bën pasi ka frikë se vdekja e gjen pa hyrë në histori dhe pa frikën se si do ta gjykojë historia, pasi atë e përcakton vetë. LSI-ja po ruan një profil më modest me një kryetar të mbiquajtur “pragmatist”, i cili duket se nuk ka probleme të tilla me vdekjen dhe historinë, por i bindur se edhe po i dolën, do të mund t’i blejë ato me pare. Ndërkombëtarët duken të kënaqur sepse nuk iu hap punë dhe mund të thonë se metoda e tyre e shtrëngimit të vidave dalëngadalë po tregohet efikase. Shumë militantë shpresojnë se do të gjejnë ndonjë vend pune në shtet. Të tjerë, që rrezikojnë t’i humbasin, po përgatiten të mbrohen. Një numër – jo i vogël (thuhet) – po mbyll ndonjë vrimë me lekët e shitjes së votës duke pritur zgjedhjet lokale. Ka edhe nga ata të partisë “Kryq votës”, si puna ime, që ndihen jashtë kësaj loje e dëgjojnë premtimet me skepticizëm të thellë. Me gjasë edhe ata thonë si unë: Në një vend ku gënjeshtra është bërë rregull dhe thënia e ndonjë të vërtete vetëm përjashtim që përforcon rregullin, sigurisht nuk mund të presësh se do të mbahen premtimet, por të paktën diçka mund të bëjnë edhe këta.Në fakt, t’u thuash njerëzve se do të vendosësh kontroll mbi territorin, madje se do të prishësh ndërtimet pa leje, se do të rregullosh gjendjen e arsimit apo shëndetësisë, se do të luftosh korrupsionin, se do të mbyllësh universitetet private piramidale, se do të dëmshpërblesh ish-të burgosurit, se do t’i bësh gazetarët të lirë të shkruajnë çfarë mendojnë; se do luftosh krimin e organizuar dhe të çorganizuar e se do të vendosësh shtetin e së drejtës duke e bërë Shqipërinë të rilindë – po përmend vetëm disa nga premtimet e opozitës – sigurisht që tingëllon si një ëndërr. Aq sa fjala “Rilindje” në këtë rast mund të jetë sinonim i fjalës ëndërr. Sepse vetë fjala “Rilindje” nënkupton se dikur paskemi qenë gjallë (si shtet e shoqëri besoj se është fjala) dhe pastaj kemi vdekur. Po kur paskemi qenë ne ndonjëherë gjallë? Diku kam lexuar se ekzistojnë dëshmi që tregojnë se në kohën kur shqiptarët ishin në Perandorinë Osmane, ishin të numëruar jo vetëm njerëzit, por edhe kokët e bagëtisë dhe madje viheshin gjoba për prerje pemësh pa leje. Kthimi në këtë kohë vërtet duket si ëndërr, por nuk besoj se Rama ka parasysh me “Rilindje” Perandorinë Osmane dhe as kohën e Skënderbeut, se s’jemi as të përgatitur për luftëra, le që kemi hyrë në NATO, e, larg qoftë, as atë të diktatorit injorant Ahmet Zogu apo mizorit Enver Hoxha.Pastaj, përveç të tjerash, premtimet lidhen me pyetjen se ku do të gjenden paratë. Dhe thonë se Saliu po bën gjithçka, edhe këto ditët e fundit, që shqiptarët ta kujtojnë kohën e tij siç kujtojnë mitndërtuesit kohët e arta të së shkuarës e për të riardhur pastaj në pushtet, pas tetë vjetësh, me projektin “Rimëkëmbja”.Unë, për vete, dyshoj se na presin ditë të vështira. Por megjithatë, mendoj se ka disa gjëra që duken më të thjeshta dhe më të bëshme. Për mua ato më të bëshmet lidhen me llafet që nxirren nga goja dhe publikohen nëpër media dhe gazeta.Kur shkruaj këto radhë, kam parasysh diçka që vura re në shtypin tonë para disa ditësh. Siç e thashë, kishte një lloj qetësie pas zgjedhjeve. Edi Rama mbajti një fjalim goxha të përmbajtur, bile duke treguar njëfarë respekti për kundërshtarin, duke i uruar jetë private të mbarë, që edhe pse na kujtoi thënien e Berishës se gjithçka kishte bërë e thënë për Fatos Nanon, deri edhe akuzat për vrasës, kishin qenë thjesht për efekte elektorale, gjithsesi tingëlloi disi qetësuese. E po mirë, tek e fundit, drejtësinë për çështje si Gërdeci apo 21 janari e ka në dorë Drejtësia, jo partia.Por pastaj s’kaluan më shumë se dy ditë dhe pamë disa gazeta pranë ish-opozitës, tani maxhorancë, që dolën me titullin e madh: “Do t’i marr me vete në zyrë të dyja breshkat e mia, që ua kam vënë emrat Sali dhe Fatos”. Ishte pjesë e një fjalimi që kishte mbajtur Edi Rama diku teksa festonte fitoren. Njëra nga gazetat madje kishte edhe fotografinë e breshkave. Po atë ditë pamë te “RD”-ja foton e famshme të Edi Ramës nudo me titull të madh: “Është koha për t’u veshur”.Bobo…! Filloi prapë teatri – thashë me vete. Ja për këtë lloj teatri e kam fjalën, i dashur lexues, se mund të korrigjohet. Një nga gjërat më të shëmtuara që kemi përjetuar këta 22 vjet regjim bandokratik ka qenë gjuha e urrejtjes midis bandave. Një gjuhë me pasoja katastrofike për psikologjinë e shoqërisë, mënyrën e të menduarit, raportet njerëzore, raportet me realitetin dhe të vërtetën. Po banda janë, ç’pret ti nga bandat? – do të thoni ju. Jo, ka gjëra që edhe mund të rregullohen. Kërkesa modeste që shtroj unë, si ndaj maxhorbandës dhe ndaj minorbandës, është: Me largimin e Saliut, që konsiderohej dhe akuzohej si kryekonfliktuali, a do të mund të hyjmë në një periudhë me një gjuhë më të paqtë? A do të mund të na i kursejnë këto histori me breshka dhe lakuriqësi; ato akuzat e Saliut me bllokmenë më një anë dhe botimin e fotove të Saliut me djemtë e Enverit më anën tjetër? Po shtoj edhe ndonjë gjë tjetër të vockël fare, krejtësisht të bëshme; p.sh. a mund të na e kursejnë (sh)përdorimin e fëmijëve – se Rama p.sh., një dy e akuzonte Saliun që përdorte fëmijët dhe pastaj doli me një fëmijë në krah në Vlorë? Ja, gjëra të tilla të vogla duam ne të shkretët që s’mendojmë as për Rilindje, as për historinë, as për rikthim të shpejtë në pushtet. Të na normalizojnë të paktën sadokudo gjuhën, që do të thotë shumë, se ajo ka të bëjë direkt me psikikën, dhe pastaj ndoshta, mund të fitojmë pak më shumë kthjelltësi, që do të na lejojë të merremi një çikë më seriozisht edhe me problemet reale që ka vendi. Rast pas rasti, kuptohet.Mirëpo, teksa ravgoja në këto mendime gjuhësore, më erdhi një dyshim që ma ngjallën pikërisht ato dy breshkat me emrat Sali dhe Fatos. Punë gjuhe edhe kjo. I do apo i urren Rama këto dy breshkat? Kjo është çështja, thashë me vete. Gjersa i mban e i ushqen, d.m.th. se i do. Por gjersa u ka vënë emrin e dy kundërshtarëve të tij më të urryer, duket se edhe i poshtëron e i tall përditë, deri duke i nxjerrë nga jeta private në publik. Dhe mirë që janë breshka, se po të ishte ndonjë qen nga ata Pitbull, që po përhapen frikshëm te ne, dhe të tallej me të duke i thënë Sali, nuk di ç’do të ndodhte në zyrën e Kryeministrit tonë të ardhshëm.Pra, që të mos e humbas fillin, desha të them se kjo historia e breshkave dhe e emrave të tyre më duket një metaforë domethënëse. Metafora e një dashuri-urrejtjeje të rrezikshme, i dashur lexues. E rrezikshme sepse në sajë të këtij teatri urrejtjeje të shtirë dhe dashurie të shtirë që shqiptarët e marrin seriozisht, këta rrinë në pushtet, qoftë kur janë në maxhorancë, qoftë duke bërë gjoja opozitë, pa ndryshuar as edhe gjuha. Dhe kështu ne rrezikojmë të biem përsëri pre e teatrit të gjuhës banale të urrejtjes sapo të kalojë vera dhe pushimet. Ja, kjo më bën që të kem shumë frikë se kërkesa ime modeste për pak më shumë qetësi dhe kthjelltësi mendore e gjuhësore, që të mund të merremi me problemet reale të vendit, rrezikon seriozisht të mos realizohet. Gjithsesi, le të shpresojmë. (Panorama, 11 korrik 2013)
Vota sipas filtrit të fitores Meta
Përpara zgjedhjeve kam shrehur mendimin se rezultatin e votimit do ta përcaktonin dy variable: më një anë pakënaqësia në rritje e njerëzve, që favorizonte PS dhe, më anë tjetër, mundësisa e manipulimit të votës që, sipas gjykimit tim, favorizonte PD-në. Pasi PS bëri koalicion me LSI mu forcua mendimi se kjo do të ndikonte mbi pakënaqësinë për shkak të kostos morale të këtij koalicioni. Në këto kushte, PD edhe mund ta kompensonte më lehtë me manipulim diferencën që ishte në disfavor të saj me rrezikun që në fund të zgjedhjeve të kishim dy fitues e Shqipëria të tërhiqej zvarrë në situatat e mosnjohjes së rezultatit.Siç dihet tashmë nuk ndodhi kështu. PS vërtet s'pati veçse një ngritje të lehtë në krahasim me katër vjet më parë, por PD nuk pati asnjë mundësi kompensimi me manipulim pasi pati rrjedhje të madhe. Ndërkaq, çka ishte më befasuesja, pamë ngritjen e LSI në 17 deputetë ndërkohë që kjo nuk pritej.Si mund ta lexojmë këtë rezultat të papritur edhe për opozitarët më optimistë?Që në fillim më duhet të them se kjo shpjegohet me faktin se pakënaqësia për Sali Berishën dhe partinë e tij dhe nevoja për ndëshkim ka qenë shumë e madhe. Dhe ky ndëshkim sipas meje ka qenë i trefishtë:Berisha u ndëshkua, së pari, për autoritarizmin dhe arrogancën në rritje, që u shfaq jo vetëm në kapjen e shumë institucioneve, por edhe në gjuhën e tij, në paaftësinë për të dëgjuar kritikat, me mungesën dramatike të shtetit të së drejtës në vend në favor të mbushjes së administratës me militantë arrogantë dhe abuzues.Një shkak i dytë, i lidhur pa dyshim me të parin, kanë qenë politikat e tij ekonomike: ngulmimi për të ndërtuar e mburrur rrugët, edhe kur ato nuk mbaroheshin e nuk paguheshin, çimentifikimi abuziv i vendit, vendimet për sjelljen e plehërave, universitetet skandaloze private, etj. Shkurt fakti që në thelb gjithnjë e më shumë ekonomia e vendit u kthye në shërbim ndaj përfitimeve të pak klientëve e familjarëve ndërkohë që gjendja ekonomike e njerëzve të thjeshtë sa vinte e rëndohejNjë element tjetër i pakënaqësisë ishte korrupsioni dhe klientelizmi. Premtimi i Berishës së vitit 2005 për të ndëshkur sistemin oligarko mafjoz të korrupsionit jo vetëm dështoi rëndshëm, por ai akuzohet edhe për thellim të këtij sistemi. Ngjarje të tilla si 21 Janari apo Gërdeci, që nuk gjetën drejtësi në gjykatë, u ndëshkuan me votë.Këta tre faktorë besoj se janë kryesorët që kanë ndikuar në rritjen e pakënaqësisë dhe ndëshkimin e Berishës.Megjithatë, teksa bëjmë këtë analizë mbi pakënaqësinë dhe ndëshkimin, nuk mund të mos kemi parasysh edhe një fitues të rëndësishëm në këtë zgjedhje që mund të na shërbejë edhe si filtër ku të kalojmë tre faktorët e mësipërm në mënyrë që të gjejmë peshën specifike të sejcilit. E kam fjalën për fitoren ose më saktë shpërblimin që i dha votuesi Ilir Metës. Ta donte mendja që, kur bëhet fjalë për keq-qeverisjen përsa i përket sistemit ekonomik dhe për korrupsionin, pakënaqësia e njerëzve do të duhej të kishte përfshirë edhe Ilir Metën si pjesëtar i qeverisë dhe njëherësh i akuzuar rëndshëm për korrupsion e klientelizëm. Mjafton të kesh parasysh akuzat e Ramës për "njeriun me bllok në dorë" që sollën 21 Janarin apo faktin se LSI ka qenë parti e klientelizmit par exellence. Këtu kemi një pardoks që duhet shpjeguar. Mund të ishte ndëshkuar më shumë Berisha dhe të ishte ndëshkuar ca më pak Ilir Meta, duke iu dhenë më shumë vota qoftë Partisë Socialiste qoftë edhe partive të tilla si FRD e Bamir Topit apo AK e Kreshnik Spahiut. Mirëpo kjo nuk ndodhi. LSI u rrit shumë. Si shpjegohet?Duke përdorur si filtër fitoren e Metës shpjegimi më çon tek ideja se pakënaqësia e shqiptarëve më së pari është përqendruar tek arroganca dhe autoritarizmi në rritje i Berishës. Me rritjen e kultit të tij Sali Berisha mori të gjitha përgjegjësitë duke e shkarkuar pjesërisht Ilir Metën edhe nga përgjegjësitë e veta. Sali Berisha po synonte t'i afrohej gjithnjë e më shumë një fantazme të frikshme për shqiptarët, asaj të Enver Hoxhës dhe ata e ndëshkuan për këtë. Ndaj të keqes së njeriut që kërkon pushtet absolut shqiptarët kanë më shumë imunitet, më shumë ndjeshmëri dhe instrumente për ta luftuar, ku hyn edhe pluralizmi partiak. Një pjesë e votës dhënë Ilir Metës duhet shpjeguar me atë se braktisja që i bëri Ilir Meta Sali Berishës dhe ëndrrës së tij për t'u bërë mbret i shqiptarëve i ka dhënë këtij disa pikë, madje edhe duke patur parasysh simetrikun e Berishës në krahun tjetër përsa i përket etjes për pushtet, Edi Ramën.Personalisht kam qenë i bindur se të keqen e njëshit autoritar dhe arrogant që kërkon pushtet absolut ne e kemi mundur në vitin 1990, e kemi rimundur më 1997 dhe se nuk duhej të përqendroheshim thjeshtë e vetëm këtu, por edhe tek të këqijat që nuk i kemi mundur ende e që janë pjellë e kohëve të reja. Pra se e keqja nga e cila vuajnë shqiptarët ka një emër shumë më të madh se sa emri Berisha dhe familja e tij siç ka ekzagjeruar, sipas mendimit tim, fushata e opozitës dhe mediave pranë saj, duke manipuluar edhe votuesin. Edhe vetë fakti që Sali Berisha u largua pa gjak (siç ngulmonin se do të ndodhte, edhe ditën e zgjedhjeve, kundërshtarët e tij) tregon për këtë. Pra, sipas meje, lufta kundër mbeturinave të autoritarizmit enverist që vazhdon të shfaqet në emrin Berisha (por edhe Rama e Meta etj.) do të qe dashur të shoqërurohej edhe me luftën kundër korrupsionit, klientelizmit dhe sistemit oligarko mafjoz të ndërtuar, pasi edhe vetë këta emra etjen e tyre për pushtet e mbështesin mbi këtë sistem të ri.Në këtë pikë duhet ndalur për t'i shtuar një paragraf të rëndësishëm analizës së votës. Vota tregoi se shqiptarët kanë ndëshkuar më së shumti autoritarizmin e njeriut që kërkon pushtet absolut, por shumë më pak korrupsionin dhe klientelizmin e sistemit oligarko mafjoz. Vota tregoi se ndërsa shqiptarët kishin alternativë ndaj njëshit autoritar dhe arrogant ato nuk kishin dhe nuk kanë ende asnjë alternativë ku të hedhin votën kundër këtij sistemi mafjoz. Fitorja e Ilir Metës në këtë aspekt flet shumë. Ka shumë zëra tejet të besueshëm që një pjesë të konsiderueshme të fitores befasuese të LSI e shpjegojnë me blerjen e votës, çka tregon se klientelizmi nuk është ndëshkuar në këto zgjedhje. Ka po ashtu shumë zëra që tregojnë se për të luftuar Berishën dhe të fortët e tij deri edhe në polici, Partia Socialiste ka angazhuar grupe dhe familje të lidhura me krimin, çka ngre dyshime serioze për atë nëse sistemi oligarko - mafjoz është ndëshkuar me këtë votë, apo rrezikon të marrë shpërblimin e rradhës.Largimi i Berishës, pra, duhet lexuar së pari si sukses përsa i përket largimit të rrezikut të rritjes edhe më të pushtetit të tij personal dhe ngrirjes së sistemit që e mbante atë në pushtet. Por ajo duhet parë edhe si heqje e një alibije për të gjithë ata që kanë mbyllur sytë ndaj sistemit oligarko mafjoz, madje kanë bashkëpunur me të, në emër (gjoja) të luftës me Berishën autoritar dhe familjen e tij. Që nesër e prapa prova e madhe që ka përballë shoqëria jonë është lufta për të dalë nga rrënimi ekonomik e për të ndërtuar shtetin e së drejtës që s'duhet të jetë thjesht luftës kundër individit që kërkon pushtet absolut, por edhe luftë kundër sistemit oligarko mafjoz të korrupsionit dhe klientelizmit.
Friday, July 5, 2013
Kundër të keqes më të vogël
Komentet ndaj shkrimit tim “Një kryq të madhe fletës së votimit”, që u pasua me një shkrim tjetër “Mjaft më me ju - gazetarë llogoresh” (shoqëruar me këngën “Mjaft më me ju”), i kam ndjekur në mënyrë të veçantë. Kjo sepse në thelb ata bëjnë thirrje për t’i përdorur këto zgjedhje si një moment për të filluar e menduar për një lëvizje kundër kastës në pushtet si një e tërë dhe, duke qenë se nuk ka sondazhe për këtë, - pasi sondazhistët tanë të llogoreve nuk e ngrenë ndonjëherë këtë pyetje, - i konsiderova komentet edhe si një lloj sondazhi. Ajo që kam konstatuar është se shumica janë aprovues. E provojnë këtë edhe klikimet dhe numri i “share” dhe “like” tek shkrimi dhe kënga me gjithë faktin se, sipas meje, ata shqiptarë që sot kanë akses më shumë në internet janë militantët dhe klientët e kastës.Kur bëhet fjalë për komentet kundërshtuese më rezulton se shumica janë reagimet e atyre që tashmë kanë përqafuar totalisht me trurin e madhe dhe me trurin e vogël parrullën “të jesh militant mbetet e vetmja rrugë shpëtimi”. Me këta gjykoj se është e vështirë të debatohet pasi bota e tyre është kufizuar në emocionet e betejës së pritshme. Zgjedhjet e 23 qershorit ata i përjetojnë si një betejë për jetë a vdekje me kundërshtarin, kurse të gjithë ata që janë jashtë llogores së tyre i shohin si armiq – pa arritur të shquajnë se këta janë shumica e shqiptarëve që më shumë sesa rezultati i betejës së tyre u intereson një politikë që të mendojë për ta dhe jo për betejën.Por ka pasur edhe nga ato komente kundërshtuese me të cilët mund të debatohet dhe polemizohet pasi ngrenë pikëpyetje mbi atë se sa e dobishme është një lëvizje që i ve kryq dy forcave politike që janë në betejë për pushtetin, se sa një lëvizje e tillë, në vend se të nxisë ndryshimin, favorizon statukuonë.Këtë shkrim, që e konsideroj si vazhdim të dy të parëve, dua ta përqendroj në shqyrtimin e argumentit të atyre kundërshtarëve të tezës sime që, për të qenë sadopak koherentë me veten apo me të vërtetën, ngulmojnë se ia njohin veset Edi Ramës, e dinë se cili është Ilir Meta, por nuk mund të vesh kurrë shenjën e barazisë midis tyre dhe Berishës dhe, prandaj, s’kemi rrugë tjetër, duhet të votojmë të keqen më të vogël: Edi Ramën & Ilir Metën.Personalisht ka kohë që jam shprehur kundër argumentit të së keqes më të vogël duke thënë se këta njëzet vjet na kanë provuar se e keqja më e vogël bëhet e keqja më e madhe kur vjen në pushtet. Duke bërë një retrospektivë i kujtoj lexuesit të mos harrojmë se më 1997, me argumentin e të keqes më të vogël, u bashkuan kundër Sali Berishës me gjysmën e mbetur të ish Partisë së Punës deri edhe shumë prej ish të burgosurve që kishin vuajtur, duke harruar se çfarë plehërash kishte aty brenda. Rezultati ishte se në vitin 2005 e keqja më e vogël ishte bërë Sali Berisha, kurse gjysma tjetër e Partisë së Punës ishte bërë e keqja më e madhe. Sipas kësaj logjike nesër, pasi pushtetin ta marrë Edi Rama dhe Ilir Meta, kur të shohim se këta po vazhdojnë të rrjepin shqiptarët me 20 %-sha për tendera dhe pallate, se po e thellojnë edhe më uzurpimin e institucioneve, se mediat dhe fjalën e lirë e kanë katandisur vetëm në propagandiste dhe kamikaxe të tyre, ne duhet t’i kthehemi përsëri gjysmës tjetër që të na shpëtojë nga kjo e keqe e madhe, meqë, pasi kanë kaluar në opozitë, janë bërë automatikisht e keqja më e vogël.Marco Travaglio duke trajtur argumentin e së keqes më të vogël që ka qenë lejtmotiv edhe në politikën italiane, thotë se të jetosh me idenë e zgjedhjes së të keqjes më e vogël është të jetosh “një shantazh që s’mbaron kurrë:”, sepse, siç citon edhe politikanin italian Sylos Labini “e keqja më e vogël përgatit një të keqe më e madhe sesa ajo që t’i kërkon të evitosh.” Kjo edhe sepse dy të këqijat janë komplementare me njëra tjetrën, ato jetojnë në sajë të njëra tjetrës. Jose Saramango në esenë e tij “Ese mbi kthjellësinë” tregon për një qytet ku qytetarët shkojnë të votojnë dhe në vend se t’ia jpin votat Pdd (partia demokratike e djathtë), Pdm (partia demokratike e mesit) dhe Pds (partia demokratike e majtë) votojnë 73% fletë të bardha. Qeveria anullon zgjedhjet por qytetarët edhe më shumë votojnë vota të bardha. Ajo që ndodh është se të gjithë politikanët bashkohen kundër qytetarëve duke treguar se në thelb ata janë bashkë dhe kundër qytetarëve.Në fakt është shumë i madh numri i atyre që takon dhe që kur flasin për zgjedhjet të thonë: “mirë se po ikën Berisha por kush po na vjen” E pra këta njerëz janë ata që e përjetojnë zgjedhjen e së keqes më të vogël si një shantazh të pambarimtë. E vërteta është se njerëzit kanë nevojë të besojnë se po zgjedhin të mirën, madje më të mirën dhe jo të keqen më të vogël.***Edhe diçka tjetër lidhur me argumentin e së keqes më të vogël. Personalisht kam shumë frikë se cilido nga të dy pjesët e partisë së Punës së ndarë më dysh të fitojë kësaj here do të marrë në kontroll krejt sistemin klientelar dhe të korrupsipnit dhe ne nuk do të kemi më opzitë që të mund ta sfidojë. Por le të mendojmë se unë gabohem në këtë dhe do të ndodhë që do kemi përsëri një parti të fortë opozitare qoftë kjo PD apo qoftë PS.Sipas meje kemi dy forma për ta kërkuar ndryshimin përdrejt një sistemi me shtet të së drejtës, me drejtësi të pavarur, me ekonomi të qëndrueshme, me media që janë vërtet pushtet i katërt etj…. Njëra është nëpërmjet përmirësimit të dy partive kryesore që kemi - PD-së dhe PS-së. Tjetra është nëpërmjet asaj që kam propozuar unë edhe në dy artikujt e fundit se duhet bërë diçka, që të bashkojë ndoshta fillimisht ne hapësirën e internetit, dhe pastaj edhe fizikisht të gjithë ata që mendojnë se në këtë vend duhet të ndryshoje diçka në mënyrë me thelbësore, se duhen sjellë në pushtet njerëz të tjerë, që të mos jenë robër të së kaluarës së tyre kriminale dhe korrupttive.Personalisht e di shumë mirë vështirësinë e kësaj zgjedhjes së dytë. Edhe për këtë do të hiqja shpejt dorë duke luftuar për opcionin e parë. Por pyetja që shtrohet është: a ka shenja se këto parti kanë ardhur duke u përmirësuar apo ka shenja se këto parti janë duke u përkeqësuar? Po të dëgjosh edhe vetë gjysëm të vërtetat që thonë të dyja palët dhe gazetarët e llogoreve të të dyjave për njëra tjetrën - nuk mund të mos arrish në përfundimin se as që mund të bëhet fjalë për përmirësim të këtyre dy partive. Të dyja rezultojnë gjithnjë e më të lidhura me krimin, me interesat personale dhe mbrojtjen e tyre me metodat e korrupsionit dhe të klientelizmit. Edhe ata që e shohin nga jashtë lojën e tyre sipas meje këtë mendim kanë. Në Shqipëri vazhdon të mbisundojë ideja se “ky vend nuk bëhet” dhe se gjërat kanë shkuar për më keq, pikërisht sepse përkeqësohet gjendja e këtyre partive. Dhe historia ka provuar se vendet ku gjerat shkojnë gjithnjë e më keq përfundojnë në situata si ato që pamë e po shohim kohëve të fundit në vende si ato të Afrikës së veriut. Kësaj i thonë që zgjedhja e “të keqes më të vogël” të çon në opcionin “të bëhet më keq që të bëhet më mirë”.Ja pse, nëse duam të mos përfundojmë në situata të tilla, duhet të shpejtojmë të kërkojmë diçka tjetër që të mos jetë e keqja më e vogël, por më e mira. Saramango thotë në esenë e tij: “Jo vota është votë, por politikanët nuk e kuptojnë këtë”. Edhe sikur të mos shndrrohet dot në lëvizje, sa më e madhe të jetë vota e kryqit, aq më shumë ajo mund të ushtrojë presion mbi të dy palët që ata të kuptojnë. Të kuptojnë se duhet të bëjnë përmirësimin e vetvetes që deri më sot nuk e kanë bërë, - përkundrazi kanë bërë të kundërtën, - për shkak se janë ndjerë të patrazuara në pushtetin e tyre të garantuar nga teoria e të keqes më të vogël. (Panorama, 11 qershor 2013)
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...