Saturday, December 22, 2018

Mbi protestat e studentëve dhe protestat e mëhershme

Është folur shumë, së fundi, mbi  ngjashmëritë dhe ndryshimet e protestave studentore të këtij dhjetori me protestat e mëhershme, duke filluar nga ato të viteve 90-91. Janë krahasime që vlejnë sepse duhet edhe të mësojmë edhe të motivohemi nga historia, por gjithmonë duke pasur parasysh se, sikurse thoshte Herakliti, «nuk lahemi kurrë në të njëjtin lumë».

Protestat dhe vitet 90-91
Meriton të ndalemi tek dy elementë të rëndësishëm që i bëjnë të ndryshme protestat e viteve 90-91 me ato të sotmet:
Së pari, në vitet 90-91 ishte vetë regjimi që, pas rënies së murit të Berlinit, u shtrëngua të bënte lëshime dhe ndryshime për të gjetur një tranzicion të butë - sepse nuk mund të mbahej dot më në këmbë - derisa arriti në pranimin e pluralizmit politik dhe të zgjedhjeve pluraliste.
Së dyti, i gjithë ky proces pati mbështetjen aktive politike e diplomatike të Perëndimit të angazhuar për të shembur sistemin komunist.
Pra, e ashtuquajtura lëvizja studentore, që sot mitizohet sikur ta ketë sjellë ajo ndryshimin, në fakt u përdor thjesht si instrument i ndryshimit të sistemit, i kalimin nga regjimi i një bande kriminale në shtetin e së drejtës. Lëvizja e përshpejtoi sadopak këtë proces, por duke qenë e mbështetur nga një prapavijë e rëndësishme politike.
Sot, po të dëgjosh kërkesat e studentëve, veçanërisht me veshët e një ndërkombëtari, ato mund të konsiderohen si protesta kundër vendimmarrjes së një qeverie demokratike që prek një grup të caktuar interesi. Madje qeveria shfaqet e gatshme të shqyrtojë kërkesat e tyre dhe, për këtë, kërkon dialog dhe negociata. Kështu e kanë interpretuar edhe disa  ambasadorë ndërkombëtarë në vend, sikur në Shqipëri demokracia funksionon. Pra, sot as kemi ndonjë predispozitë nga njerëzit e regjimit për të ndryshuar strukturat e pushtetit të tyre dhe as kemi ndërkombëtarë që mund ta mbështesin këtë protestë për përmbysjen e një  regjimi.

Protestat dhe viti 97
Pse ngulmoj të përdor fjalën regjim? Sepse, po ta lidhim protestën e studentëve me protestat e tjera që kanë ndodhur dhe po ndodhin në vend, me skandalet e papara të korrupsionit dhe të grabitjes së pronës publike si dhe me faktin se këto bëhen në bashkëpunim me një polici, drejtësi dhe media të kapura, këto protesta - potencialisht - mund të konsiderohen si kundër regjimit të instaluar nga një pakice kriminale. Me fjalë të tjera kundër një aberracioni të rëndë të kapitalizmit dhe demokracisë që u vendos në letër më 1991. Po t’i shohim kështu, protestat po zhvillohet në një kontekst shumë më të ngjashëm me atë të fillimit të protestave të vitit 97. Edhe asokohe kishim aberracionin e idealeve  të 90 - 91-shit në një regjim ku, megjithë ekzistencën e partive opozitare, sundonte një parti e vetme që kontrollonte drejtësinë, policinë, mediat kryesore dhe, - vini re ngjashmërinë -  kontrollonte edhe ekonominë që bazohej kryesisht në piramidat financiare që vidhnin lekët e shqiptarëve, me një pjesë të të cilave paguhej edhe fushata elektorale e partisë në pushtet. Le të kujtojmë gjithashtu se ky regjim kishte edhe mbështetje ndërkombëtare. Në vitin 1996 ky regjim grabiti votat dhe shtypi lehtësisht protestën e mekur të opozitës pa ndonjë reagim kushedi të ndërkombëtarëve. Një ngjashmëri tjetër me atë kontekst është fakti se, ashtu si sot, populli ndihej i pafuqishëm të reagonte politikisht, priste ndihmën e ndërkombëtarëve apo një « deus ex machina », kurse opozita një-dy e shkonte ankohej nëpër ambasada.
Si « deus ex machina » asokohe erdhi rënia e piramidave që bëri që njerëzit të mobilizohen dhe të dalin në rrugë me thirrjen « Duam paret tona!». Opozita e përdori këtë pakënaqësi të madhe popullore për të rrëzuar qeverinë. Për këtë partia më e madhe opozitare, PS, pranoi krijimin e një fronti të bashkuar opozitar, « Forumi për Demokraci », që u dha drejtim protestave. Përmasat e protestave dhe dhuna kundër tyre rritën ndjeshmërinë perëndimore duke sjellë gazetarë të huaj që u mirëinformuan se çfarë po ndodhte dhe, me botimin e shkrimit të « The Independent » : « Ky regjim gangsterësh që ne mbështesim » pati një rënie të ndjeshme të mbështetjes ndërkombëtare për regjimin.
Cili është ndryshmi më i madh me vitin 97? Dikush mund të thotë se piramidat ranë menjëherë dhe prekën një pjesë shumë më të madhe të popullsisë kurse sot fuqia e protestave është shumë më e dobët dhe reagimi i regjimit shumë më pak i dhunshëm. Këto qëndrojnë, por në funksion të krahasimit dua të ve në dukje një ndryshim tjetër që për mua mbetet thelbësor. Ndryshe nga sot asokohe nuk bëhej fjalë për « refuzim të politikës», dmth. të opozitës, siç bëhet sot nga një pjesë jo e vogël ; përkundrazi bashkëpunimi i Forumi për Demokraci me protestuesit ishte i hapur. Berisha u përpoq të akuzonte Partinë Socialiste duke kujtuar trashëgiminë e saj të keqe - ashtu siç bën sot Rama duke iu referuar të kaluarës së PD dhe LSI - por kjo nuk ngjiti pasi në atë lëvizje kishte edhe shumë ish aleatë të Berishës si dhe pasi Partia Socialiste kishte bërë ndryshime themelore si përsa i përket vizionit ashtu edhe përsa i përket udhëheqësisë së saj. Pasja e një force politike në krye të protestave të vitit 97 ishte determinuese për suksesin e saj nëse mund të quhet sukses rrëzimi i qeverisë Berisha (nuk po hyj këtu të merrem me koston e kësaj përmbysjeje) si dhe disa ndryshime pozitive që solli në vend. Me sytë e sotëm mund të thuash se ndryshimi kryesor ishte se opozita përbëhej nga politikanë që nuk ishin provuar në pushtet; premtimet e të cilëve besoheshin edhe si vepra të tyre të ardhshme, siç fatkeqësisht nuk ndodhi.

Protesta kundër sjelljes së armëve kimike
Refuzimi i partive të komprometuara në  protestën e studentëve e bën atë më të ngjashme me protestën e nëntorit 2013 kundër vendimmarrjes për sjelljen e armëve kimike. Në atë protestë, si sot, kishte edhe shumë njerëz që e kishin mbështetur ardhjen e Ramës në pushtet. Por përsëri kemi disa ndryshime të rëndësishme. Vërtet vendimmarrja e Ramës fliste për rrezikun që paraqiste etja e këtij njeriu për pushtet, por ama si individ, jo si kryesuesi i regjimit oligarkik kriminal, siç është bërë sot. Protesta në fakt, nuk i prekte interesat e oligarkëve dhe krimit të organizuar, sepse askush prej tyre nuk përfitonte nga armët kimike, prandaj dhe Rama pati kundër thuajse krejt mediat e oligarkëve plus edhe aleatin e tij në koalicion LSI-në.

Protesta e kuksianëve
Duke e trajtuar protestën e studentëve si të një grupi interesi kundër sistemit oligarkik dhe të lindur jo nga nxitja e opozitës, por nga halli i qytetarëve, protesta e studentëve është më e ngjashme me protestën e Kuksianëve, paçka se më sensitive si çështje dhe jo lokale, por kombëtare.
Duke e trajtuar si të tillë ka nga ata që thonë se, duke qenë protestë ku grupet e interesit i imponohen nga poshtë vendimmarrësve kjo mund të jetë rruga më e mirë e forcimit të demokracisë. Sipas meje kjo logjikë mund të jetë frytdhënëse në një sistem ku demokracia funksionon, ku ka drejtësi dhe media të pavarura dhe zgjedhje të lira. Në një regjim, kjo nuk funksionon siç e provoi edhe protesta e kuksianëve. Ka shumë më tepër mundësi që, në kushtet e një regjimi si ky i yni, protesta të tilla të shërbejë për të kundërtën e demokracisë. Në ç’kuptim ? Në kuptimin se historia tregon se pak trazira u bëjnë mirë regjimeve antipopull pasi u shërbejnë si stërvitje për të forcuar muskujt, për të stërholluar strategjinë e sundimit, metodat e përçarjes, pikat ku duhet të ndërhyjnë për të blerë, korruptuar, frikësuar e me radhë. Lidhur me këtë mundësi krahasimi me protestën e Kukësit mbetet për tu parë në vazhdim.

Si përfundim
Do të thosha se e përbashkëta e tërë protestave që përmenda është se, në një mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, populli nëpërmjet tyre ka kërkuar të bëhet vendimmarrës për fatet e veta, pra ato kanë qenë përpjekje e tij për pushtet, dmth. demokraci. Duke i parë kështu mund të thuhet se edhe kur kanë arritur të kthejnë mbrapsht ndonjë vendimmarrje apo të rrëzojnë ndonjë qeveri ato kanë realizuar pak ose aspak përsa i përket demokracisë. Ato nuk kanë arritur t’i tregojnë vendin llojit më të keq të shqiptarëve: atyre që e kanë ndërtuar interesin e tyre në kurriz dhe kundër shumicës, jo në harmoni me të dhe në shërbim të saj. Në këtë kuptim ato kanë qenë « shanse të humbura», (siç po e profetizojnë disa edhe fatin e kësaj  lëvizjeje studentore). Por a kanë qenë vërtet shanse të humbura apo shanse të pamundura për shkak të pafuqisë së shqiptarëve për tu bashkuar për interesin dhe të ardhmen e tyre të përbashkët? Çfarë duhet bërë që këto protesta të sjellin demokraci dhe jo të ndërrojnë banditë në pushtet? Gjykoj se kjo protestë duhet t’i nxisë të gjithë për reflektim ndaj kësaj pikëpyetjeje. (Panorama, 22 dhjetor 2018)

Thursday, December 20, 2018

Pse protesta është dhe duhet të jetë politike

Një nga gjërat që bije në sy në protestën e studentëve është ngulmimi i një pjese jo të vogël për të deklaruar se protesta nuk është politike. Siç e kuptoj unë ky ngulmim vjen për t’i mbajtur të gjithë bashkë në një emërues të përbashkët që mbledh sa më shumë studentë në protesta: plotësimi i tetë pikave ndër të cilat më e rënda për qeverinë duket se është rritja e shpenzimeve për arsimin në buxhet në 5%. 
Po a mund të konsiderohet kjo një kërkesë « jo politike »? Le ta arsyetojmë. Që të ndryshosh buxhetin duke e çuar në 5% pjesën për arsimin do të thotë, minimumi,  të bësh ndryshime në politikat e investimeve të parashikuara. Ajo që bije në sy në investimet e qeverisë janë milionat që do të derdhen në rrugët e florinjta të Edi Ramës, ndër të cilat psh. 40 milion shkojnë vetëm për 2 km rrugë tek Astiri. E pra, aritmetika më e thjeshtë ekonomike ta do që nëse do të transferosh të holla tek studentët duhet t’ua heqësh këto një pjese prej këtyre rrugëve.
Mirëpo Edi Rama e ka shumë zor ta bëjë këtë pasi sistemi që ai ka zgjedhur për të qeverisur e që po e çon nga krimi në krim,  është ai i bashkëpunimit me një pakicë (që fëmijët i çon nëpër shkolla private jashtë shtetit) për të sunduar shumicën. Kjo pakicë është shumë më me vlerë për Edi Ramën sepse me atë kontrollon krejt buxhetin sipas qejfit, që pastaj e përdor për të blerë votën, për të korruptuar drejtësinë, shoqërinë civile, televizionet, por edhe për tu pasuruar reciprokisht duke futur në xhepa një pjesë të majme të parave të këtyre investimeve.
Është kaq e thjeshtë të dashur studentë. Kryeministri nuk është « me ju » dhe « për ju » në atë zyrë pasi është « me ata » dhe « për ata » me të cilët ju vjedh e grabit përditë. Siç e keni kalkuluar edhe vetë rikryerja e provimeve për së dyti për ata që ngelin i kushton shtetit një shifër tejet të vogël, por  kryeministri jua dhjetëfishoi tarifën pasi pjesën tjetër synonte ta çonte tek rrugët e florinjta prej ku të do të merrte pjesën që i duhet për partinë, për xhepat e veta dhe të ministrave e me radhë. Ai sot është vënë në hall të madh nga protestat sepse po i prishin planet e parasë që i siguron pushtetin dhe të pushtetit që i siguron paranë. Mjafton të shikosh se si i ka stërfryrë buxhetet e rrugëve të florinjta për të kuptuar se nuk ka hallin tuaj e të njerëzve, por të vjedhjeve
Protesta juaj edhe kur thoni « jo politikës » prandaj do qëndrojmë tek Ministria edhe kur thoni « po politikës »  prandaj do shkojmë tek Kryeministria është politikë. Ndryshimi është se janë dy politika të ndryshme që të çojnë në dy zgjidhje/zgjedhje të ndryshme.
Zgjidhja e parë « jo politike » është ajo që Edi Rama aplikoi  pas protestave në Kukës dhe që, për fat të keq, u aprovua nga kuksianet dhe nuk u denoncua si duhet nga opozita. Rama pranoi që kuksianet të  paguajnë më pak, por vendosi që paratë që do të merrte Kastrati të paguheshin nga gjithë pjesa tjetër e shqiptarëve. Në rastin tuaj kjo zgjidhje do të thotë që, nga halli, t’ua plotësojë juve kërkesat (në një masë të caktuar) dhe paratë që kishte parashikuar nga buxheti për t’i grabitur e për t’i çuar në of-shore t’i mbledhë nëpërmjet taksash të tjera që do t’u vihen në mënyra të tjera juve dhe prindërve tuaj. Me një fjalë ajo që do t’ju jepet  me një dorë do t’ju merret me dorën tjetër  dhe ju dhe prindërit tuaj do të dilni në të njëjtën qafë mali. Kjo është zgjidhja që ju premton zgjedhja e kësaj politike « jo politike », që nuk kërkon të merret me sistemin e sundimit politik që ka ngritur Edi Rama & Co. 
Zgjedhja tjetër, e protestave « politike », nënkupton që nisur edhe nga halli juaj, të hidhni vështrimin në krejt trupin e sëmurë të Shqipërisë - siç edhe ju takon. Të ndërgjegjësoheni pra se « halli» juaj është thjesht një metastazë, siç është metastazë edhe skandali i fallcifikimeve tek tenderi i Astirit, edhe ai i rrugëve të florinjta të Edi Ramës. Dhe ju takon ta bëni këtë më shumë se kujtdo si pjesa më intelektuale e vendit. Sepse nuk është e ndershme dhe as inteligjente që ju të shihni vetëm hallin tuaj. Nuk është e ndershme dhe as inteligjente që ju të keni hall vetëm t’ju kthehen lekët dhe të mos denonconi dhe dënoni hajdutët. Nuk është e ndershme dhe as inteligjente të mos bashkoheni me protestuesit e Astirit e këdo tjetër që synon të ndalë turravrapin kriminal të këtij regjimi. 
Nëse bëni zgjedhjen e parë që ju e quani « jo politike » në fakt do të votoni për një politikë nënshtrimi ndaj këtij sistemi hajdutërie që rrezikon t’ju vendosë në anën e gabuar të barrikadës. Prandaj gjykoj se duhet të bënë zgjedhjen e dytë: të shkoni tek burimi i kacerit që e ka lënë arsimin në Shqipëri në ditë të hallit, që i ka bërë shqiptarët të kërkojnë të ikin nga sytë këmbët prej këtij vendi të bekuar për nga pasuritë dhe klima, që do t’ju ofronte të gjitha të mirat sikur të qeverisej nga njerëz të ndershëm siç kërkojmë nga ju të bëheni. Mos harroni për asnjë çast se protesta juaj u ka dhënë shpresë shumë shqiptarëve të dëshpëruar jo sepse ju do të zgjidhni hallin tuaj, por sepse tek ju ata panë të ringjallet shpresa se e mira dhe drejtësia mund të fitojnë në këtë vend se shqiptarët mund t’i japin fund një sistemi qeverisjeje të bazuar në grabitjen dhe shkatërrimin e së ardhmes së shumicës nga një pakicë kriminale. Po të luftoni edhe në emër të tyre do të bëheni shumë më shumë e mund t’i jepni udhë një procesi ndryshimi për mirë. Po të luftoni vetëm për hallin tuaj shumë shpejt do të mbeteni vetëm, nën kthetrat e së keqes. (Panorama, 13 dhjetor 2018)

Thursday, December 13, 2018

Protestat dhe regjimi Rama - Ulaj


Gjatë protestave të njerëzve tek “Astiri” , kam dëgjuar shpesh të akuzohet Rama se po bën gjëra që të kujtojnë regjimin komunist, duke pasur parasysh dhunën e ushtruar ndaj njerëzve në atë regjim (disa duke e lidhur edhe me trashëgiminë familjare të shumë prej rilindësve). Ndonjë ma ka thënë këtë ide edhe si vërejtje kur më ka dëgjuar të shprehem se ajo që po ndodh tek “Astiri” është fashizëm. Gjykoj se në këtë situatë ku njerëzit e “Astirit” janë në rrugë, kur studentët janë në protesta,- që nuk mund të mos konsiderohen si protesta kundër shkakut/sistemit që i ka nxjerrë në rrugë,- ia vlen të shtrohet pyetja se çfarë është ky sistemi ynë në mënyrë që të dimë se çfarë duhet të luftojmë dhe si ta luftojmë.
* * *
Kur Musolini ka dhënë një përkufizim se çfarë ishte fashizmi, është përgjigjur se: “Fashizmi është fuqia financiare e korporatave, mbështetur nga fuqia shtrënguese e shtetit”. Po t’i referohesh këtij përkufizimi të fashizmit, që e lidh sistemin politik me atë ekonomik (vë në dukje se kam parasysh përkufizimin e cituar të Musolini, jo fashizmin si regjim i pajisur edhe me ideologji nacionaliste, fashizmin e dallimeve raciale të Holokaustit dhe të Luftës II), vështirë të mos e vësh re se tek “Astiri” kemi të bëjmë me korporata private që përdorin forcën shtrënguese të shtetit kundër njerëzve. Së fundmi, “The Guardian”, duke iu referuar dhunës policore në Francë ndaj lëvizjes së jeleqeve të verdhë, ka botuar një artikull të famshëm të Bertold Brecht të vitit 1935 me titull “Fashizmi është fytyra e vërtetë e kapitalizmit”, të shoqëruar me foto të demonstruesve të gjakosur nga Policia. Sipas Brechtit, kapitalizmi degjeneron në fashizëm atëherë kur të pasurit kalojnë në përdorimin e dhunës së shtetit, që e kanë kapur nëpërmjet fuqisë financiare, për të mbrojtur interesat e tyre. Argumenteve të autorit të Arturo Ui, një pjesë, me të drejtë, u kundërpërgjigjen me idenë se komunizmi, për të cilin ai luftoi në emër të zhdukjes së pronës private si burim i së keqes, nuk ishte tjetër veçse një “kapitalizëm shtetëror” ku e gjithë ekonomia e vendit kishte një pronar të vetëm – nomenklaturën komuniste. Pra, kulmi i degjenerimit të kapitalizmit, si dhunë e një bande kriminale që ka kapur shtetin për interesat e veta, nuk ishte fashizmi, por komunizmi ku kishte një korporatë/pronar të vetëm.
Si do ta cilësonim sistemin tonë, që ka nxjerrë sot në rrugë studentët dhe njerëzit e “Astirit”, duke iu referuar këtyre përvojave historike, por edhe pa rënë në shkollarizëm? Le t’i referohemi skandalit “Astiri”.
Sipas burimeve të besueshme të nxjerra edhe nëpër media, e të pakundërshtuara nga i akuzuari, oligarku kryesor i përfshirë në këtë histori, quhet Bashkim Ulaj. Zotëria në fjalë ka marrë tendera pa fund edhe gjatë kohës së Berishës, edhe gjatë kohës së Ramës. Zotëria në fjalë (gjithnjë sipas mediave) po shkatërron me leje shtetërore edhe Valbonën, duke ndërtuar atje HEC-e, ai ka hapur edhe një televizion “A2”, që thuhet se është filial i “CNN”, në përurimin e të cilit mori pjesë edhe Rama vetë; ka ngritur edhe një kullë që quhet “Aba” ku ka zyrat edhe ish-shefi i opozitës Berisha, por edhe BE-ja. Sipas dokumenteve të tjera të ekspozuara edhe në emisionin “Te paekspozuarit” me titull “Rrugët e florinjta të Edi Ramës”, zotëria ka marrë nga Rama edhe një tender prej 350 milionë eurosh për një nga rrugët e florinjta. Nuk i kam rreshtuar të gjitha bizneset e tij dhe tenderat që ka marrë, por them se, për Shqipërinë e vogël, kaq mjaftojnë për t’i vënë emrin “korporatë”.
E pra, duke iu referuar dy përkufizimeve që përmenda më sipër të fashizmit dhe komunizmit, kjo lidhja Rama – Ulaj e degjeneruar në dhunë tek “Astiri” duket më shumë si fashizëm sesa si komunizëm. Por le ta thellojmë arsyetimin duke tentuar më parë të përkufizojmë edhe atë që quhet thjesht kapitalizëm e që konsiderohet si e mira përballë të këqijave si fashizmi dhe komunizmi.
Për komunistin Bertold Brecht, ata që janë kundër fashizmit, pa qenë kundër kapitalizmit, janë si njerëzit që dëshirojnë të hanë mishin e viçit, por që nuk mund të shohin me sytë e tyre gjakun e viçit të derdhur nga kasapi, prandaj ndihen të lehtësuar kur ky ua servir atë pasi i ka larë duart. Prandaj, thotë ai, pa zhdukur pronën private, si burim i të këqijave, herët apo vonë, do të na shfaqet fashizmi. Mirëpo, siç e kemi parë në kurrizin tonë, prona private e kthyer e tëra në pronë shtetërore, në emër të komunizmit, e menaxhuar nga partia- shtet prodhoi një dhunë e gjak edhe më të madh. Nisur nga këto përvoja, mund të themi se sistemi i kasapit që lan duart pasi ther viçin mund të quhet e keqja më e vogël, që ka mundur të ndërtojë deri më tani njerëzimi. Le ta quajmë ndryshe kapitalizëm me fytyrë njerëzore ku “të shfrytëzuarit” gëzojnë të drejta të organizohen në sindikata dhe të përfaqësohen nga parti politike të majta, të protestojnë, të kërkojnë politika sociale që u sigurojnë një minimum jetese të nevojshëm, arsim dhe shëndetësi falas, barazi përpara ligjit; ku promovohet arti e kultura kritike dhe mendimi ndryshe politik, ku ka zgjedhje të lira, ku prodhohen rrotacione që edhe kur rezultojnë se nuk sjellin ndryshim, përsëri i mbajnë njerëzit me shpresë.
E pra, le të përsërisim pyetjen: po ky sistemi korporata Ulaj- shteti Rama çfarë është? Nuk më duket se ia vlen të zgjatem shumë për të treguar se që nga ’91 e këtej, kasapët te ne nuk kanë bërë ndonjëherë merak të lajnë duart pasi e kanë therur viçin. Pyetja që mund të shtrohet sot është: në raport me vite më parë (kam parasysh pas vitit 1997), a kanë kasapët tanë më shumë apo më pak kujdes për të larë duart? Skandalet e fundit tregojnë se kanë më pak. Vendimmarrje si ato tek “Astiri” ku forcën e ligjit e zëvendësoi dhuna shtetërore, sikurse ndodhi edhe me prishjen e stadiumit “Qemal Stafa”, vendimmarrja për prishjen e Teatrit, për vënien e traut në autostradën e Kukësit, ashtu sikurse edhe vendosja e gjobave të reja për studentët, janë tregues të qartë se gjatë qeverisjes Rama 2, kemi një thellim të frikshëm të fashistizimin të sistemit, marrjen nën kontroll nga një parti-bandë e vetme të të gjitha “korporatave” sipas një projekti që kjo parti të kontrollojë krejt ekonominë, krejt mediat, pushtetin e drejtësisë dhe të gjithë pushtetin politik. Arroganca fashistoide e këtyre vendimmarrjeve është shenjë e dukshme e përparimit të këtij projekti.
Dhe këtu më duhet të bëj kujdes sepse po i bie në qafë më shumë se ç’duhet fashizmit ekonomik. Pse e them këtë? Sepse të ashtuquajturat korporata në sistemet fashiste gjetkë – ndër të cilët sot mund të fus edhe Kinën – kanë prodhuar edhe të mira materiale, kurse korporatat tona vetëm thithin para publike nga shteti, me të cilin bashkëpunojnë. Në këtë kuptim, ato janë më afër ndërmarrjeve shtetërore të komunizmit. Kur flitet për rrugët e florinjta të Edi Ramës, do të vëmë re se disa individë si Ulaj, Salillari etj., thjesht kanë zëvendësuar Ndërmarrjen Rruga Ura të komunizmit që funksiononte me paratë që mblidhte banda e Enver Hoxhës nga puna e skllevërve që punonin nëpër kooperativa, miniera, kampe- burgje e më the të thashë, por me ndryshimin se ndërsa në atë regjim, përveç ndërtimit të rrugëve dhe urave, një pjesë e mirë e këtyre parave publike shkonin për të mbajtur shtetin diktatorial, propagandën dhe çdo gjë publike, sot pjesa e luanit, shkon për pasurimin e korporatave private të Ulajve me shokë.
Por ngadalë, se ka edhe më. Këtij regjimi me tipare në rritje fashisto- komuniste i duhet shtuar edhe hajdutëria dhe korrupsioni i protagonistëve të tij. Vini re: për dy km rrugë të panevojshme, Edi Rama do të nxjerrë nga paratë e shqiptarëve, nga studentët dhe prindërit e tyre, 40 milionë euro, dhe, duke shkelur të gjitha ligjet e tenderimeve do t’ua japë dy-tri korporatave, ndër të cilat pjesën e luanit, d.m.th. gati gjysmën, një kompanie of-shore që na doli se paska falsifikuar dokumentet për të përfituar tenderin. Sipas gojëve të liga, prapa saj qëndron korporata Ulaj dhe këto 20 milionë eurot nuk do të shkojnë fare në asfaltin e rrugës, por direkt në konton bankare të një njeriu të panjohur të qeverisë si shpërblim për 350 milionë eurot e rrugës së florinjtë që i është dhënë. Dhe askush nuk mund ta hetojë se cili është ky njeri i qeverisë, në është Kryeministri dora vetë apo jo, as nëse falsifikatori është vërtet Ulaj, sepse në një regjim fashisto- komunist prokuroria është instrument i regjimit.
Protestat e kohëve të fundit janë reagimi i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm i njerëzve ndaj grabitjeve kësisoj. Them “apo të pavetëdijshme” se disa deklarojnë se këto protesta nuk janë politike pa e ditur se s’mund të mos jenë të tilla. Ata që janë ngritur në protesta, si studentë, ashtu edhe njerëzit e “Astirit” apo të Shkozës duhet ta kenë të qartë se është ky regjim kasapësh me duar të përgjakura që i ka nxjerrë në rrugë dhe protesta kundër tyre, është protestë kundër vendimeve politike të këtyre kasapëve. Të thuash se këtë protesta nuk janë politike; duke i trajtuar (apo devijuar ato) në kërkesa për të marrë dëmshpërblim e shtëpive tek “Astiri” apo për të rritur përqindjen e parave që do derdhen për arsimin e studentëve, është njëlloj sikur t’u lutesh plaçkitësve që mos të të marrin gjithçka, por të të lënë diçka sa për të mbajtur frymën gjallë. Se sa mëshirë kanë këta kasapë, shikojeni tek “Astiri”. Prandaj, gjykoj se protestat e studentëve, të “Astirit” e të tjera që duhet t’i pasojnë, duhet të drejtohen kundër sistemit të grabitjes që kanë ngritur kasapët me duar të përgjakura: me thirrjen që ata të largohen nga pushteti dhe të dalin përpara drejtësisë, si dhe me kërcënimin se kushdo që mendon se mund t’i zëvendësojë për të kalëruar të njëjtin regjim me të njëjtat korporata, do të ketë një fund edhe më të keq. Në këtë kuptim, gjykoj se këto protesta duhen deklaruar si politike sa më parë, se përndryshe do të jetë vonë për të gjithë.  (Panorama, 11 dhjetor 2018)



Tuesday, November 20, 2018

Bularat 2018 - ftesë për reflektim

Ngjarja e Bularatit flet shumë për atë se çfarë ka ndodhur këta 27 vjet që rëndom i kemi quajtur tranzicion drejt vlerave më të mira evropiane. Ajo flet për një nga aspektet më të rënda të dështimit të këtij « tranzicioni » që sot meriton të quhet « rrugë e gabuar » që na ka çuar drejt falimentimesh të shumta ku spikat falimentimi kulturor. Nuk di si ta përkufizoj këtë falimentim kulturor, por më duket se më së shumti do ta quaja degradim të kulturës nacional-komunist që na la komunizmi, të karakterizuar nga izolimi prej kulturave të tjera, nga manipulimi dhe gënjeshtra propagandistike si dhe nga një lloj skizofrenie infantile - jo në kuptimin e skizofrenisë si sëmundje  psikike, por të ndarjes së mendjes në bardhë e zinë emocionale ku mungojnë nuancat e mendimit kritik racional - ku, gjithmonë të zinjtë janë të tjerët kurse të bardhët jemi ne. Ndryshe këtë izolim kulturor do ta ilustroja duke i sjellë lexuesit reagimin që më çoi një bashkatdhetare që jeton prej kohësh në Evropën perëndimore : « ‘Greqia ka gomaret dhe derrat e vet’ - thotë kryeministri! Çfarë niveli! Gjermanisht as nuk mund të përkthehet sepse këtu me derrin dhe gomarin asociohen thjesht kafshë të mira me të cilat fëmijët luajnë në shtëpi që të vegjël e shkojnë i përkëdhelin nëpër parqe […]! Kur kryeministri flet kështu çfarë të konstatosh mbi zhvillimin e Shqipërisë ! ».
E pra, po të kishim bërë sadopak hapa para drejt një kulture tjetër ngjarja e Bularatit duhet të na ndihmonte të reflektonim  shumë më thellë lidhur me ne « derrat » dhe « gomarët » që jetojmë në Shqipëri (edhe në Greqi, por në këtë shkrim preferoj të merrem me bashkëkombësit e mi).
Së pari, ne na duhet të reflektojmë shumë më tepër për atë që ka ndodhur në mendjen e Kacifasit deri sa ka arritur të kryejë aktin që kreu; ashtu siç reflektohet nga mendjet e kthjellëta në Perëndim, me mendim kritik, për terroristët që janë brezi i atyre emigrantëve që kanë lindur dhe janë edukuar atje, në kërkim të kuptimit të këtyre akteve, të përgjigjes ndaj pyetjes: çfarë kemi bërë gabim këtu në vendin tonë që këta sillen kështu, nga vjen gjithë kjo urrejtje ? (Sipas studimeve serioze rezulton se shumica kanë pësuar poshtërime.) Them se edhe akti i Kacafasit dhe  mbështetja që ai gjeti tek minoritarët duhet të na bëjë të mendojmë një çikë më shumë se çfarë Shqipërie kemi bërë ne për veten, por edhe për minoritarët grekë, që janë, edhe ata,  shtetas shqiptarë. Dhe po të thellohemi sadopak nuk mund të mos na vijë në mendje fakti se 52% e shqiptarëve duan të shkojnë jashtë pasi në vendin tonë jeta është bërë gjithnjë e më e padurueshme për shkak të bandave kriminale të veshura me pushtet politik që na qeverisin. Mos vallë, atëherë, përderisa vetë shqiptarët i urrejnë e i luftojnë kaq shumë shqiptarët, nuk duhet të çuditemi kur shohim ndër minoritarët grekë edhe nga ata që jo vetëm nuk na duan, por edhe ëndërrojnë që territori i tyre të bëhet Greqi ? Dhe ja ku shfaqet skizofrenia e parë: në vend se të reflektojnë mbi gjithë këtë problematikë shumë nga ata shqiptarë që thonë se Shqipëria nuk bëhet me njerëz si Edi Rama e me kriminelët që e rrethojnë, ulërasin kundër minoritarëve grekë që i urryekan shqiptarët ndonse atyre u paskemi krijuar kushtet optimale të jetës. Jo vetëm, por sa lehtësisht manipulohen për të pranuar si udhëheqës të kësaj ndjenje urrejtjeje identitare atë që urrejnë edhe vetë : Edi Ramën ! Pak më shumë reflektim të dashur bashkatdhetarë. Mos vallë patriotizmi nuk është vetëmburrja dhe urrejtja për të tjerët, por puna për të ndërtuar një shtet serioz që punon për ne, përshirë dhe minoritarët grekë, dhe jo për hajdutët dhe kriminelët ?
Së dyti le të kthehemi tek ngjarja.
Kur ndodhi vrasja e Kacifasit, Kryeministri ynë dhe shumë që e pasuan jo vetëm nuk u ndalën sadopak për të reflektuar sa më sipër thashë, por nuk shprehën asnjë rezervë për aktin e vrasjes së këtij personi. Për ta bërë sa më armik Kacifasi u paraqit nëpër medja i veshur vetëm me një rrobë, atë ushtarake, sikur të donin t'ia zhvishnin anën e tij njerëzore, dhe askush nuk kërkoi të mësojë diçka më shumë jo vetëm se çfarë e ka çuar atë tek urrejtja, por as rrethanat e ngjarjes, as nëse ata të Reneas morën ndonjë urdhër më nga lart për ta vrarë apo e vranë ashtu, për qejf, me kokën e tyre. Vrasja thjesht u brohorit me krenarinë kombëtare se jemi edhe ne të fortë e s’mund të lejojmë të na provokojë kështu një grek, se ia treguam vendin « grekut të m… »; se boll shqiptarë na kanë vrarë ata në Greqi. 
Pastaj erdhi reagimi i politikanëve grekë si dhe ai me ngjarjen e varrimit me parullat e papranueshme antishqiptare dhe brenda pak ditësh po të njëjtët mburracakë të krenarisë së dhunës filluan të sillen si mburracakë të krenarisë së urtësisë që filluan të thonë : treguam epërsinë e madhe ndaj grekëve duke mos rënë pre e provokimeve të tyre.
Mirëpo, sikur të vesh sadopak trurin në veprim, nuk mund të mos ngresh pyetjen: po përse nuk treguam të njëjtën urtësi për të evituar ngjarjen e parë. Pse Kaciqasi nuk u kap pa u vrarë dhe të shkonte të përgjigjej përpara drejtësisë, sepse, me aq sa dimë ky ka qëlluar në ajër e drejt policisë jo aq për të vrarë sesa për të shprehur një mllef dhe pastaj ka marrë arratinë për të shpëtuar nga ndjekja prej trupave të Reneas që u thirrën nga policia. A nuk do të ishte kapja e tij gjallë, në respekt të jetës njerëzore, por edhe të ligjit të moskapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, dhe pastaj çuarja e tij përpara drejtësisë, urtësia dhe dinjiteti i vërtetë që duhet të tregojë shteti që duam dhe jo dhuna ekstreme ndaj më të dobëtit dhe pastaj zbythja nga më i forti? 
E këtu, së treti, le të ndalemi të reflektojmë një çikë më shumë për atë se historia na mëson se dhuna dhe poshtërimi ndaj atyre pakicave që janë të ndryshme nga ne, sepse janë ebrej, romë, të zinj, shqiptarë, grekë, serbë, myslimanë, të krishterë, homoseksualë apo transeksualë, është hapi i parë që i hap rrugën dhunës që mund të pësojnë të gjithë nga njerëzit e dhunës që pretendojë se përfaqësojnë maxhorancat. Dmth., duhet të reflektojmë një çikë më shumë për atë se ajo që i ndodhi « grekut të m… » Kacifas është ajo që na ka ndodhur e rrezikon të na ndodhë edhe më rëndë ne « shqiptarëve të m… » nga njerëz që kulturën e dhunës ndaj më të dobëtit dhe zbythjen ndaj më të fortit e kanë mënyrë sjelljeje e qeverisjeje. Mjafton të kthejmë kokën prapa dhe do të gjejmë raste pa fund ku kjo kulturë ka prodhuar poshtërim e vrasje të shqiptarit nga shqiptari. Shembullin më të freskët e keni këto ditë tek ajo që po ndodh me planin kriminal të shembjes së shtëpive dhe dyqaneve të banorëve tek Astiri. Mos kujtoni se kjo histori nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Bularat dhe mos u çuditni nëse nesër ju ndodh që, teksa protestoni paksa dhunshëm, të vijë Renea dhe t’ju vrasë me plumb pa e vrarë mendjen aspak për respektin ndaj jetës njerëzore dhe të ligjit mbi moskapërcimin e mbrojtjes së nevojshme. (Panorama, 16 nëntor 2018)

Thursday, November 1, 2018

Pse dha dorëheqjen Xhafaj - heshtja që flet shumë

Në shkrimin paraardhës, që merrej me shkaqet e arrestimeve të fundit, kam shprehur idenë se versioni më i besueshëm është ai, sipas të cilit, meqenëse janë kapur me duar në presh, Rama & Co po rreken të bëjnë me këto arrestime një rrugë e dy punë: të lejojnë Prokurorinë të arrestojë peshqit e vegjël për t’u hedhur edhe një herë hi syve ndërkombëtarëve dhe t’i propagandojnë këto arrestime si prova se ata po punojnë kundër krimit dhe të fortëve. E kam lënë megjithatë të hapur reflektimin në fund të shkrimit, duke thënë se duhet të presim se çfarë do të ndodhë më tej për të kuptuar nëse është kështu apo jo.
Ngjarja që ndodhi më tej ishte shumë e fortë: dorëheqja e papritur e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Shkaqet e kësaj dorëheqjeje janë komentuar shumë më tepër sesa arrestimet (duke e lidhur me to, në një mënyrë apo tjetrën, sipas interesave të palëve) edhe për shkak se Xhafaj vetë nuk dha ndonjë motiv të dorëheqjes.
E para gjë që mendoj se duhet thënë është pikërisht se, fakti që Fatmir Xhafaj ka evituar t’ia shpjegojë qartazi publikut (që deklaron se i ka shërbyer) se përse dha dorëheqjen, e ngarkon atë me përgjegjësi të madhe para tij. Kjo sjellje nuk përputhet me idenë e disave se Xhafaj është ndeshur me Ramën si i miri me të keqin. Heshtja e tij është shenjë e komprometimit të tij në të këqijat e mëhershme të Edi Ramës. Kjo heshtje hedh poshtë edhe ndonjë version që ka dalë nga mediat pro qeverisë se Xhafaj iku pasi i tregoi opozitës se ishte i larë dhe i pastër; se këtë e provonin edhe arrestimet e fundit që, sipas këtij varianti, ishin pika kulminante e suksesit në karrierën e tij. Pra, se Xhafaj iku si ata trajnerët që ikin të nesërmen e ditës kur fitojnë kupa të mëdha me skuadrën e tyre. Sikur të ishte kështu, asgjë dhe askush nuk do ta pengonte Xhafajn ta deklaronte hapur këtë gjë. Po ashtu, Xhafaj edhe mund të deklaronte hapur se po ikte për t’i lënë vend një figure të pacenueshme, pasi historia e vëllait të tij ishte një pengesë për ta bërë edhe më të suksesshme luftën e pakompromis të nisur me krimin, siç dyshoj se është versioni që do t’u paraqesë Rama ndërkombëtarëve, por pa ua thënë dot shqiptarëve, duke pasur parasysh fushatën “shpifja”, që ka hapur ai në mbrojtje të ishministrit të tij. Kjo do të ishte pranim i pjesshëm fajësie, por që, po ta bënte Xhafaj, edhe pse lëvizje e vonuar, mund të kapërdihej. Por ai nuk e bëri as këtë, duke na lënë të kuptojmë se nuk është as ky shkaku i dorëheqjes.
Qartazi, heshtja e Xhafajt për motivet e dorëheqjes flet për atë se këto motive nuk mund t’i deklarojë publikisht, pasi ato dëmtojnë rëndë Kryeministrin dhe pushtetin e tij. Ato duhen mbajtur fshehur, siç u mbajtën fshehur edhe shkaqet e largimit të Saimir Tahirit, për të cilin u tha publikisht se po shkonte me një detyrë edhe më të rëndësishme: fushatën elektorale. Dhe këtu duhet vënë në dukje se dorëheqja e Xhafajt nuk është një dëm i vogël, pasi ajo po ndodh në një situatë jashtëzakonisht delikate për Ramën, sepse ajo, direkt dhe indirekt, demaskon strategjinë e tij (deri dje edhe të Xhafajt) për të mohuar lidhjet e PS-së me krimin, duke akuzuar, edhe me ndihmë të Prokurorisë, kundërshtarët “shpifës”. Prandaj, opozita me të drejtë e konsideron këtë dorëheqje si një fitore të saj të madhe.
Pra, për të gjetur shkakun e dorëheqjes së Xhafajt, duhet ngritur pyetja se çfarë mund ta dëmtonte interesin e Edi Ramës më shumë sesa dorëheqja e Xhafajt?
Sot për sot mund të ngrihen dy hipoteza. Njëra do të ishte ajo, sipas së cilës Xhafaj është detyruar të largohet, ashtu si paraardhësi i tij Sajmir Tahiri, pasi Rama ka qenë i informuar dhe paralajmëruar nga ndërkombëtarët apo edhe nga shqiptarë të mirinformuar, se do të shpërthente rreth tij një skandal, i ngjashëm me atë Habilajve që përfshiu Tahirin. Prandaj, si në rastin Tahiri u përdor varianti: në një anë kënaqim ndërkombëtarët duke e larguar dhe në anën tjetër, ndoshta edhe me mirëkuptimin e tyre, mashtrojmë shqiptarët duke thënë se i larguari ka punuar mirë. Ka nga ata që e lidhin këtë skandal hipotetik me konferencën e paralajmëruar për shtyp të Saimir Tahirit dhe të anuluar, kur ky morri vesh se Xhafaj e kishte dhënë dorëheqjen. Këta i mëshojnë idesë se dorëheqja është rezultat i luftës së bandave brenda PS-së dhe kuptohet se bërja publike e kësaj është shumë më e rëndë sesa dorëheqja e Xhafajt. Kuptohet gjithashtu se Xhafaj këtë nuk mund ta deklarojë.
Varianti i dytë është i kundërt me të parin përsa i përket figurës së Xhafajt. Nëse i pari nënkupton një Xhafaj me mëkate më të rënda sesa ato që janë bërë publike lidhur me të vëllain, i dyti nënkupton një Xhafaj që, në ndryshim nga Edi Rama, i njeh disa vija të kuqe që ndërgjegjja dhe detyra nuk ia lejon t’i kalojë. Ky është varianti që Xhafaj, edhe për shkak të premtimeve që u ka dhënë ndërkombëtarëve që ka takuar në muajin tetor, edhe për shkak të fakteve të pakundërshtueshme që kanë dalë, ka ngulmuar që në listën e arrestimeve të fundit duhet të përfshihet edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Kjo mund ta ketë futur në konflikt me Edi Ramën, sepse duke pasur parasysh lidhjet e Ramës me Dakon, ai s’mund ta lejojë kurrsesi arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe ky konflikt ka shkaktuar dorëheqjen e Xhafajt. A e kanë rënduar këtë konflikt fyerjet që i ka drejtuar Rama Xhafajt, i mësuar të abuzojë verbalisht me vartësit e tij, siç thonë disa, apo konflikti ka qenë me gjuhë të ftohtë, kjo është dytësore. Kuptohet se edhe bërja publike e këtij konflikti është shumë më me pasoja për Ramën sesa dorëheqja e ndodhur tashmë e Xhafajt. Kuptohet gjithashtu se Xhafaj e ka shumë të vështirë ta bëjë publik këtë konflikt sepse rrezikon shumë.
Me këtë që shkrova deri këtu nuk dua të them se s’ka variant tjetër, por se logjika e zhvillimit të ngjarjeve më çon te këto dy pista. Më mbetet të them se, është detyrë morale politike e Fatmir Xhafajt të na bëjë publik motivin e dorëheqjes së tij, sepse sikurse kuptohet nga sa thashë më sipër, sqarimi i tij është tejet i rëndësishëm për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve që nuk duan që politika të kalojë nga krimi në krim. Por është detyrë edhe e Prokurorisë, sepse kjo ngjarje, në një mënyrë apo tjetër, nuk mund të ndahet nga dosja e arrestimeve të fundit që flasin qartazi për lidhjet e politikanëve tanë me krimin. (Panorama, 29 tetor 2016)



Si t’i lexojmë arrestimet e fundit

Arrestimet e fundit kanë bërë kaq shumë bujë jo pse janë kapur disa kriminelë, por se në këto arrestime rezultojnë të implikuar njerëz të rëndësishëm të partisë në pushtet, duke përforcuar akuzat se Rama dhe të tijtë janë të lidhur me krimin. Është kjo që i ka zhvendosur këto arrestime nga kronika e zezë në kronikën e politikës. Mirëpo, duke lexuar këtë kronikë, gjejmë shumë interpretime kundërthënëse ku më i spikaturi është ai se duket sikur kemi një paradoks pasi arrestimet po i bën një prokurori që, njëherësh, akuzohet nga kundërshtarët e Ramës si e vënë në shërbim të maxhorancës për të fshehur lidhjet e saj krimin. Prandaj, shumë njerëz, me të drejtë, ngrenë pyetjen: çfarë qëndron prapa këtyre arrestimeve? Pse Kryeministri, që deri dje ka bërë çmos të mbrohet nga akuzat për lidhje me krimin me të gjitha format, deri duke bërtitur nëpër media “shpifje, shpifje, shpifje!” lejon Prokurorinë, që e ka nën kontroll, të kryejë këto arrestime që e demaskojnë? Mos vallë Edi Rama, befas, ka ndërruar strategji pushteti dhe po i braktis të fortët? Mos ndoshta nuk e ka nën kontroll Prokurorinë, sepse në sajë të Reformës në Drejtësi ajo po funksionon? Mos situatën e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët që duan t’i japin fund këtij sistemi kriminal në Shqipëri? Mos i ka dalë Fatmir Xhafaj nga kontrolli? Apo këto arrestime janë bërë nën presionin ndërkombëtar, por, siç ndodhi në rastin e shkarkimit të Saimir Tahirit, shpresat se ka ndryshuar vullneti për keq i Edi Ramës për të bashkëpunuar me krimin apo se ndërkombëtarët kanë vendosur t’i japin fund kësaj situate, do të pësojnë zhgënjimin e radhës.
Personalisht jam më afër versionit të fundit. Argumentet më dalin me deduksion, duke e parë këtë ngjarje në tërë kontekstin e skandaleve të fundit. Sipas meje, Ramës nuk i duhej një skandal tjetër që të përforconte akuzat e ngritura kundër tij dhe të tijve me dy skandalet e ashtuquajtura “Babale 1” dhe “Babale 2”, prandaj ideja se ai paska vendosur të shkëputet nga të fortët në këtë mënyrë nuk më bind. Kjo është një lëvizje e detyruar nga halli, jo nga vullneti i mirë. Po ashtu, Prokuroria, që ka hapur procese për akuzuesit dhe jo për të akuzuarit në dy skandalet e para, duke e mbrojtur kështu Ramën & Co, nuk mund të shkojë kurrsesi kundër kësaj tendence me këtë operacion. E vërteta është se Prokuroria e ka hapur këtë dosje në vitin 2016, në një kohë kur Rama nuk i kishte vënë ende duart plotësisht mbi Prokurorinë. Aty mund të kenë mbetur ende “segmente” të lidhura me opozitën apo prokurorë që ndërgjegjja personale nuk i lejon të shkojnë aq larg në instrumentalizimin e Prokurorisë nga Rama, por sjelljet e Prokurorisë kohët e fundit tregojnë se, si rrallë ndonjëherë, ajo po punon për të shuar zjarrin e akuzave, prandaj ideja se këto arrestime duhen parë si shenjë se Reforma në Drejtësi po funksionon, nuk qëndron. E njëjta gjë mund të thuhet për idenë se kësaj here ndërkombëtarët e kanë seriozisht. Sikur të ishte kështu, ata do të lëshonin akuza politike – sepse mjafton fakti që dy ish-deputetë të Ramës dalin të implikuar me rrjete kriminale (të cilëve mund t’u bashkonin edhe historinë e Saimir Tahirit apo edhe atë të vëllait të Xhafës) për të kuptuar se rrënjët e problemit në Shqipëri nuk janë thjesht te krimi, por te lidhjet e tij me politikën. Sa për idenë e daljes jashtë kontrollit të rilindësve nga ana e socialistit Fatmir Xhafaj, gjykoj se ai mbetet peng i historisë së të vëllait trafikant dhe nuk mund të dalë dot nga strategjitë e ndërtuara bashkë me Ramën për të fshehur lidhjet e rilindësve me krimin, siç bënë edhe me skandalin që përfshiu të vëllain, veçanërisht në këtë moment.
Prandaj, mendoj se versioni më i besueshëm është ai, sipas të cilit, meqenëse janë kapur me duar në presh nga gjermanët, Rama & Co po rreken të bëjnë një rrugë e dy punë, të lejojnë Prokurorinë të arrestojë peshqit e vegjël për t’u hedhur edhe një herë hi syve ndërkombëtarëve dhe njëherësh t’i propagandojnë këto arrestime si prova se ata po punojnë kundër krimit dhe të fortëve. Në favor të këtij versioni vjen fakti se brenda muajit tetor kanë ardhur në Shqipëri në takim me ministrin Xhafaj: Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale, Stephan Mayer (3 tetor), Zëvendëspresidenti i Zyrës Federale të Krimit (BKA), Peter Henzler, bashkë me drejtues të lartë të Policisë Kriminale (8-11 tetor) si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjermane, Dieter Romann (17 tetor). Këtyre fakteve nuk mund të mos u bashkëngjitësh edhe dy informacione të tjera: atë se Gjermania bllokoi në gusht ekstradimin në Shqipëri të Arbër Çekajt, (njeriut të akuzuar për 600 e kusur kg kokainë) duke informuar palën shqiptare se ai ishte nën hetim për trafik droge mes Shqipërisë dhe Gjermanisë si dhe atë se Çekaj ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë gjermane.
E vërteta është se dosja e arrestimeve të fundit, me të zbuluarat dhe të pazbuluarat e saj, tregon qartazi sesi funksionon sistemi i pushtetit në çdo cep të Shqipërisë, jo vetëm në Lezhë, Shijak e Durrës. Problemi është se shqiptarët e dinë se si funksionon ky sistem edhe pa këtë dosje, sepse e kanë përditë mbi kurriz; ata e dinë shumë mirë se Shqipëria ka nevojë për shembjen e këtij sistemi pushteti dhe ndërtimin e një tjetri ku politika dhe krimin të jenë në luftë me njëri-tjetrin dhe jo në bashkëpunim. Mirëpo, ndihen të pafuqishëm ndaj tij se ky sistem është shumë i fortë sepse ka me vete institucionet me në krye Kryeministrin, që është aty në sajë të këtij sistemi dhe për t’i shërbyer atij, e që i quan shpifje akuzat për lidhjet e qeveritarëve me krimin, duke dhënë indikacione të qarta edhe për drejtësinë. Përndryshe, Prokuroria do të duhej të kishte punuar me kohë, madje me urgjencë, për të zbuluar se cili është ky “xhuxhi” që përmendet nga trafikantët si njeri që u siguronte atyre vende pune, pasi ky “xhuxhi” paraqet rrezikshmëri për interesat e shoqërisë. Ai do të duhej të ishte identifikuar një sahat e më parë për të eliminuar këtë rrezikshmëri, ndërsa shenjat janë se Prokuroria nuk e ka bërë këtë, çka flet shumë më tepër për këta arrestime sesa propaganda e Ramës dhe Xhafës.
Po e ndërpres leximin tim mbi arrestimet e fundit me këto nota pesimiste, (deri këtu), në pritje të lajmeve të reja, veçanërisht nga Prokuroria. (Panorama, 25 tetor 2018)

Zjarrin e kemi të gjithë në votër

« E ka marrë ferra uratën ». Kjo është një shprehje që e dëgjon gjithnjë e më shpesh nga më të vjetrit në Shqipëri kur komentojnë ato që po ndodhin në vend. Ka shumë gjasa që ata më të rinjtë nuk ia dinë kuptimin kësaj shprehje prandaj me dy fjalë po u them se do të thotë që ka ndodhur e pariparueshmja. Po cili është urata, cila është ferra dhe cila e pariparueshmja që ka ndodhur? Urata është vendi ynë, ku balta duhet të na duket më e ëmbël se mjalta, ferra janë flakët e krimit që kanë marrë dhenë duke na e bërë vendin të na duket si ferr jo si mjaltë, e pariparueshmja është dëmi që i ka bërë ky krim vendit, mbi të gjitha njeriut dhe marrëdhënieve e vlerave njerëzore.
Ja shikoni lajmet e javës: 
Pamë se i biri i një deputeti qarkullon me kobure në brez, përdhunon e kërcënon me sigurinë se nuk i ndodh asgjë sepse i ati është deputet nga ata që e ka të shkruar në ballë se është futur në listë nga kryetari  pasi bën pjesë ndër të fortët e botës së krimit që sundojnë me paratë, pushtetin e bandat e tyre edhe në Shkodër, edhe në Lezhë edhe në Krujë e Fush-krujë edhe në Durrës edhe në Elbasan edhe në Vlorë edhe në Sarandë  edhe …edhe në Tiranë. 
Pamë te Blloku një ndeshje spektakolare midis të fortësh që përfundoi me vrasje dhe vetëm pas vrasjes mësuam se këta të fortë janë po ata (rëndom i quajmë « biznesmenë ») që i çojnë dashnoret e tyre nëpër hotele 19 000 euro nata, që janë pronarë qendrash basti e më the të thashë, që, edhe pse janë të akuzuar për vrasje apo tentativa vrasjesh, respektohen si të fortë. Pamë po ashtu se ata që duhet të konsiderohen specialistët më të zgjedhur në mbrojtjen e interesave të shtetit me mjetet ekstreme punojnë si bodyguardë të këtyre « biznesmenëve » që, merret vesh, i paguajnë shumë herë më tepër sesa ç’i paguan shteti.
Pamë se vëllait të një prezentatorje të famshme televizive na i paskan gjetur në makinë bomba dhe detonatorë që do i tregtonte diku tek një bandë që s’dihet se kë do të hidhte në erë.
Këto janë tre nga kronikat e javës së fundit ndërkohë që para një jave ka pasur të tjera të ngjashme që tregojnë se flakët e krimit kanë pushtuar vendin nga veriu deri në jug.
Përballë kësaj gjendjeje të vendit gjen disa kategori qytetarësh.
Janë ata të cilëve krimi ua ka djegur tashmë shtëpinë: dmth. që janë bërë pjesë e flakëve apo të shkrumbimit që ato kanë lënë pas.
Janë ata që ikin nga sytë këmbët prej frikës se era do t’ua sjellë flakët edhe në shtëpinë e tyre.
Janë ata që shpresojnë se një ditë do të bjerë një shi i madh nga qielli dhe do t’i shuajë flakët.
Janë ata që presin dita ditës të vijnë zjarrfikësit nga Amerika dhe Evropa me ish-ambasadorin Lu në krye me zorrë uji në dorë.
Janë ata që mendojnë se kanë ngritur rreth shtëpive të tyre mure mbrojtëse mjaft të larta me roje të sigurta.
Është edhe kategoria e atyre që shajnë e mallkojnë e denoncojnë flakë këtu dhe atje, që bërtasin për zjarrvënie e zjarrvënës.
Po zjarrfikësit ku janë, cilët janë ngrihet pyetja. Çfarë bëjnë ata? E pra kjo është çështja.  Zjarrfikësit tanë janë bash zjarrvënësit, që natën grumbullojnë paranë e madhe të krimit dhe ditën marrin rrogën e vogël nga shteti. Duke qenë të tillë gjatë ditës ata janë angazhuar kryesisht në një punë speciale : të përgënjeshtrojnë dhe akuzojnë për shpifje ata që thonë se vendi po digjet nga flakët e krimit. Kanë kohë që e bëjnë këtë duke angazhuar edhe mediat edhe shkarrashkrues kombëtarë e ndërkombëtarë që i paraqesin flakët sikur të jenë një mrekulli ekonomike. Por ajo që po bije në sy së fundi është tentativa për të kaluar në një fazë të re shumë më të rrezikshme. Duke qenë se flakët po rriten në mënyrë tejet të dukshme nga akuzat për shpifje duket se duan të kalojnë në akuzat se zjarrvënësit janë ata që denoncojnë zjarrin.  Këtë ndjesi më dha ai lajmi i dhënë dje nga Kryeministri se tritolin në shtëpinë e viktimës së përdhunuar nga i biri e banda e të birit të deputetit e paska venë opozita medemek për ta kërcënuar që të mos thotë të vërtetën : se është opozita ajo që po e përdhunon. Kjo ndjesi më kujtoi për asosacion se në vitin 1933, një kryeministër  zjarrvënës famëkeq i vuri flakën parlamentit gjerman dhe akuzoi se zjarrin e kishin vënë kundërshtarët e tij. Më çoi edhe në Shqipërinë e vitit 1951 kur në oborrin e Ambasadës Sovjetike u hodh një bombë që theu vetëm disa xhama për të gjetur pretekstin e pushkatimit të 21 intelektualëve të konsideruar si kundërshtarë potencialë. 
Ndoshta ka lexues që do t’u duken shumë largvajtëse këto paralelizma. Veçanërisht atyre që nuk duan të mendojnë se zjarri që shohin në kodër do t’u arrijë një ditë në votër. Por, po të jesh njeri dhe jo zjarrvënës kriminal, mjafton të shohësh se si e kanë reduktuar atë viktimën e mjerë të përdhunuar, për të kuptuar se zjarrin e kemi tashmë të gjithë në votër. (Panorama, 10 tetor 2018)

Si t’i lexojmë arrestimet e fundit

Arrestimet e fundit kanë bërë kaq shumë bujë jo pse janë kapur disa kriminelë, por se në këto arrestime rezultojnë të implikuar njerëz të rëndësishëm të partisë në pushtet, duke përforcuar akuzat se Rama dhe të tijtë janë të lidhur me krimin. Është kjo që i ka zhvendosur këto arrestime nga kronika e zezë në kronikën e politikës. Mirëpo, duke lexuar këtë kronikë, gjejmë shumë interpretime kundërthënëse ku më i spikaturi është ai se duket sikur kemi një paradoks pasi arrestimet po i bën një prokurori që, njëherësh, akuzohet nga kundërshtarët e Ramës si e vënë në shërbim të maxhorancës për të fshehur lidhjet e saj krimin. Prandaj, shumë njerëz, me të drejtë, ngrenë pyetjen: çfarë qëndron prapa këtyre arrestimeve? Pse Kryeministri, që deri dje ka bërë çmos të mbrohet nga akuzat për lidhje me krimin me të gjitha format, deri duke bërtitur nëpër media “shpifje, shpifje, shpifje!” lejon Prokurorinë, që e ka nën kontroll, të kryejë këto arrestime që e demaskojnë? Mos vallë Edi Rama, befas, ka ndërruar strategji pushteti dhe po i braktis të fortët? Mos ndoshta nuk e ka nën kontroll Prokurorinë, sepse në sajë të Reformës në Drejtësi ajo po funksionon? Mos situatën e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët që duan t’i japin fund këtij sistemi kriminal në Shqipëri? Mos i ka dalë Fatmir Xhafaj nga kontrolli? Apo këto arrestime janë bërë nën presionin ndërkombëtar, por, siç ndodhi në rastin e shkarkimit të Saimir Tahirit, shpresat se ka ndryshuar vullneti për keq i Edi Ramës për të bashkëpunuar me krimin apo se ndërkombëtarët kanë vendosur t’i japin fund kësaj situate, do të pësojnë zhgënjimin e radhës.
Personalisht jam më afër versionit të fundit. Argumentet më dalin me deduksion, duke e parë këtë ngjarje në tërë kontekstin e skandaleve të fundit. Sipas meje, Ramës nuk i duhej një skandal tjetër që të përforconte akuzat e ngritura kundër tij dhe të tijve me dy skandalet e ashtuquajtura “Babale 1” dhe “Babale 2”, prandaj ideja se ai paska vendosur të shkëputet nga të fortët në këtë mënyrë nuk më bind. Kjo është një lëvizje e detyruar nga halli, jo nga vullneti i mirë. Po ashtu, Prokuroria, që ka hapur procese për akuzuesit dhe jo për të akuzuarit në dy skandalet e para, duke e mbrojtur kështu Ramën & Co, nuk mund të shkojë kurrsesi kundër kësaj tendence me këtë operacion. E vërteta është se Prokuroria e ka hapur këtë dosje në vitin 2016, në një kohë kur Rama nuk i kishte vënë ende duart plotësisht mbi Prokurorinë. Aty mund të kenë mbetur ende “segmente” të lidhura me opozitën apo prokurorë që ndërgjegjja personale nuk i lejon të shkojnë aq larg në instrumentalizimin e Prokurorisë nga Rama, por sjelljet e Prokurorisë kohët e fundit tregojnë se, si rrallë ndonjëherë, ajo po punon për të shuar zjarrin e akuzave, prandaj ideja se këto arrestime duhen parë si shenjë se Reforma në Drejtësi po funksionon, nuk qëndron. E njëjta gjë mund të thuhet për idenë se kësaj here ndërkombëtarët e kanë seriozisht. Sikur të ishte kështu, ata do të lëshonin akuza politike – sepse mjafton fakti që dy ish-deputetë të Ramës dalin të implikuar me rrjete kriminale (të cilëve mund t’u bashkonin edhe historinë e Saimir Tahirit apo edhe atë të vëllait të Xhafës) për të kuptuar se rrënjët e problemit në Shqipëri nuk janë thjesht te krimi, por te lidhjet e tij me politikën. Sa për idenë e daljes jashtë kontrollit të rilindësve nga ana e socialistit Fatmir Xhafaj, gjykoj se ai mbetet peng i historisë së të vëllait trafikant dhe nuk mund të dalë dot nga strategjitë e ndërtuara bashkë me Ramën për të fshehur lidhjet e rilindësve me krimin, siç bënë edhe me skandalin që përfshiu të vëllain, veçanërisht në këtë moment.
Prandaj, mendoj se versioni më i besueshëm është ai, sipas të cilit, meqenëse janë kapur me duar në presh nga gjermanët, Rama & Co po rreken të bëjnë një rrugë e dy punë, të lejojnë Prokurorinë të arrestojë peshqit e vegjël për t’u hedhur edhe një herë hi syve ndërkombëtarëve dhe njëherësh t’i propagandojnë këto arrestime si prova se ata po punojnë kundër krimit dhe të fortëve. Në favor të këtij versioni vjen fakti se brenda muajit tetor kanë ardhur në Shqipëri në takim me ministrin Xhafaj: Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale, Stephan Mayer (3 tetor), Zëvendëspresidenti i Zyrës Federale të Krimit (BKA), Peter Henzler, bashkë me drejtues të lartë të Policisë Kriminale (8-11 tetor) si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjermane, Dieter Romann (17 tetor). Këtyre fakteve nuk mund të mos u bashkëngjitësh edhe dy informacione të tjera: atë se Gjermania bllokoi në gusht ekstradimin në Shqipëri të Arbër Çekajt, (njeriut të akuzuar për 600 e kusur kg kokainë) duke informuar palën shqiptare se ai ishte nën hetim për trafik droge mes Shqipërisë dhe Gjermanisë si dhe atë se Çekaj ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë gjermane.
E vërteta është se dosja e arrestimeve të fundit, me të zbuluarat dhe të pazbuluarat e saj, tregon qartazi sesi funksionon sistemi i pushtetit në çdo cep të Shqipërisë, jo vetëm në Lezhë, Shijak e Durrës. Problemi është se shqiptarët e dinë se si funksionon ky sistem edhe pa këtë dosje, sepse e kanë përditë mbi kurriz; ata e dinë shumë mirë se Shqipëria ka nevojë për shembjen e këtij sistemi pushteti dhe ndërtimin e një tjetri ku politika dhe krimin të jenë në luftë me njëri-tjetrin dhe jo në bashkëpunim. Mirëpo, ndihen të pafuqishëm ndaj tij se ky sistem është shumë i fortë sepse ka me vete institucionet me në krye Kryeministrin, që është aty në sajë të këtij sistemi dhe për t’i shërbyer atij, e që i quan shpifje akuzat për lidhjet e qeveritarëve me krimin, duke dhënë indikacione të qarta edhe për drejtësinë. Përndryshe, Prokuroria do të duhej të kishte punuar me kohë, madje me urgjencë, për të zbuluar se cili është ky “xhuxhi” që përmendet nga trafikantët si njeri që u siguronte atyre vende pune, pasi ky “xhuxhi” paraqet rrezikshmëri për interesat e shoqërisë. Ai do të duhej të ishte identifikuar një sahat e më parë për të eliminuar këtë rrezikshmëri, ndërsa shenjat janë se Prokuroria nuk e ka bërë këtë, çka flet shumë më tepër për këta arrestime sesa propaganda e Ramës dhe Xhafës.
Po e ndërpres leximin tim mbi arrestimet e fundit me këto nota pesimiste, (deri këtu), në pritje të lajmeve të reja, veçanërisht nga Prokuroria. (Panorama, 25 tetor 2018)

Pse dha dorëheqjen Xhafaj - heshtja që flet shumë


Në shkrimin paraardhës, që merrej me shkaqet e arrestimeve të fundit, kam shprehur idenë se versioni më i besueshëm është ai, sipas të cilit, meqenëse janë kapur me duar në presh, Rama & Co po rreken të bëjnë me këto arrestime një rrugë e dy punë: të lejojnë Prokurorinë të arrestojë peshqit e vegjël për t’u hedhur edhe një herë hi syve ndërkombëtarëve dhe t’i propagandojnë këto arrestime si prova se ata po punojnë kundër krimit dhe të fortëve. E kam lënë megjithatë të hapur reflektimin në fund të shkrimit, duke thënë se duhet të presim se çfarë do të ndodhë më tej për të kuptuar nëse është kështu apo jo.
Ngjarja që ndodhi më tej ishte shumë e fortë: dorëheqja e papritur e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Shkaqet e kësaj dorëheqjeje janë komentuar shumë më tepër sesa arrestimet (duke e lidhur me to, në një mënyrë apo tjetrën, sipas interesave të palëve) edhe për shkak se Xhafaj vetë nuk dha ndonjë motiv të dorëheqjes.
E para gjë që mendoj se duhet thënë është pikërisht se, fakti që Fatmir Xhafaj ka evituar t’ia shpjegojë qartazi publikut (që deklaron se i ka shërbyer) se përse dha dorëheqjen, e ngarkon atë me përgjegjësi të madhe para tij. Kjo sjellje nuk përputhet me idenë e disave se Xhafaj është ndeshur me Ramën si i miri me të keqin. Heshtja e tij është shenjë e komprometimit të tij në të këqijat e mëhershme të Edi Ramës. Kjo heshtje hedh poshtë edhe ndonjë version që ka dalë nga mediat pro qeverisë se Xhafaj iku pasi i tregoi opozitës se ishte i larë dhe i pastër; se këtë e provonin edhe arrestimet e fundit që, sipas këtij varianti, ishin pika kulminante e suksesit në karrierën e tij. Pra, se Xhafaj iku si ata trajnerët që ikin të nesërmen e ditës kur fitojnë kupa të mëdha me skuadrën e tyre. Sikur të ishte kështu, asgjë dhe askush nuk do ta pengonte Xhafajn ta deklaronte hapur këtë gjë. Po ashtu, Xhafaj edhe mund të deklaronte hapur se po ikte për t’i lënë vend një figure të pacenueshme, pasi historia e vëllait të tij ishte një pengesë për ta bërë edhe më të suksesshme luftën e pakompromis të nisur me krimin, siç dyshoj se është versioni që do t’u paraqesë Rama ndërkombëtarëve, por pa ua thënë dot shqiptarëve, duke pasur parasysh fushatën “shpifja”, që ka hapur ai në mbrojtje të ishministrit të tij. Kjo do të ishte pranim i pjesshëm fajësie, por që, po ta bënte Xhafaj, edhe pse lëvizje e vonuar, mund të kapërdihej. Por ai nuk e bëri as këtë, duke na lënë të kuptojmë se nuk është as ky shkaku i dorëheqjes.
Qartazi, heshtja e Xhafajt për motivet e dorëheqjes flet për atë se këto motive nuk mund t’i deklarojë publikisht, pasi ato dëmtojnë rëndë Kryeministrin dhe pushtetin e tij. Ato duhen mbajtur fshehur, siç u mbajtën fshehur edhe shkaqet e largimit të Saimir Tahirit, për të cilin u tha publikisht se po shkonte me një detyrë edhe më të rëndësishme: fushatën elektorale. Dhe këtu duhet vënë në dukje se dorëheqja e Xhafajt nuk është një dëm i vogël, pasi ajo po ndodh në një situatë jashtëzakonisht delikate për Ramën, sepse ajo, direkt dhe indirekt, demaskon strategjinë e tij (deri dje edhe të Xhafajt) për të mohuar lidhjet e PS-së me krimin, duke akuzuar, edhe me ndihmë të Prokurorisë, kundërshtarët “shpifës”. Prandaj, opozita me të drejtë e konsideron këtë dorëheqje si një fitore të saj të madhe.
Pra, për të gjetur shkakun e dorëheqjes së Xhafajt, duhet ngritur pyetja se çfarë mund ta dëmtonte interesin e Edi Ramës më shumë sesa dorëheqja e Xhafajt?
Sot për sot mund të ngrihen dy hipoteza. Njëra do të ishte ajo, sipas së cilës Xhafaj është detyruar të largohet, ashtu si paraardhësi i tij Sajmir Tahiri, pasi Rama ka qenë i informuar dhe paralajmëruar nga ndërkombëtarët apo edhe nga shqiptarë të mirinformuar, se do të shpërthente rreth tij një skandal, i ngjashëm me atë Habilajve që përfshiu Tahirin. Prandaj, si në rastin Tahiri u përdor varianti: në një anë kënaqim ndërkombëtarët duke e larguar dhe në anën tjetër, ndoshta edhe me mirëkuptimin e tyre, mashtrojmë shqiptarët duke thënë se i larguari ka punuar mirë. Ka nga ata që e lidhin këtë skandal hipotetik me konferencën e paralajmëruar për shtyp të Saimir Tahirit dhe të anuluar, kur ky morri vesh se Xhafaj e kishte dhënë dorëheqjen. Këta i mëshojnë idesë se dorëheqja është rezultat i luftës së bandave brenda PS-së dhe kuptohet se bërja publike e kësaj është shumë më e rëndë sesa dorëheqja e Xhafajt. Kuptohet gjithashtu se Xhafaj këtë nuk mund ta deklarojë.
Varianti i dytë është i kundërt me të parin përsa i përket figurës së Xhafajt. Nëse i pari nënkupton një Xhafaj me mëkate më të rënda sesa ato që janë bërë publike lidhur me të vëllain, i dyti nënkupton një Xhafaj që, në ndryshim nga Edi Rama, i njeh disa vija të kuqe që ndërgjegjja dhe detyra nuk ia lejon t’i kalojë. Ky është varianti që Xhafaj, edhe për shkak të premtimeve që u ka dhënë ndërkombëtarëve që ka takuar në muajin tetor, edhe për shkak të fakteve të pakundërshtueshme që kanë dalë, ka ngulmuar që në listën e arrestimeve të fundit duhet të përfshihet edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Kjo mund ta ketë futur në konflikt me Edi Ramën, sepse duke pasur parasysh lidhjet e Ramës me Dakon, ai s’mund ta lejojë kurrsesi arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe ky konflikt ka shkaktuar dorëheqjen e Xhafajt. A e kanë rënduar këtë konflikt fyerjet që i ka drejtuar Rama Xhafajt, i mësuar të abuzojë verbalisht me vartësit e tij, siç thonë disa, apo konflikti ka qenë me gjuhë të ftohtë, kjo është dytësore. Kuptohet se edhe bërja publike e këtij konflikti është shumë më me pasoja për Ramën sesa dorëheqja e ndodhur tashmë e Xhafajt. Kuptohet gjithashtu se Xhafaj e ka shumë të vështirë ta bëjë publik këtë konflikt sepse rrezikon shumë.
Me këtë që shkrova deri këtu nuk dua të them se s’ka variant tjetër, por se logjika e zhvillimit të ngjarjeve më çon te këto dy pista. Më mbetet të them se, është detyrë morale politike e Fatmir Xhafajt të na bëjë publik motivin e dorëheqjes së tij, sepse sikurse kuptohet nga sa thashë më sipër, sqarimi i tij është tejet i rëndësishëm për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve që nuk duan që politika të kalojë nga krimi në krim. Por është detyrë edhe e Prokurorisë, sepse kjo ngjarje, në një mënyrë apo tjetër, nuk mund të ndahet nga dosja e arrestimeve të fundit që flasin qartazi për lidhjet e politikanëve tanë me krimin. (Panorama, 29 tetor 2016)

Wednesday, September 26, 2018

Shembja e teatrit: Injoranca, hajdutëria dhe deliri në veprim

 
Duke ndjekur intervistës në Opinion të Edi Ramës me gazetarët (pjesën për Teatrin Kombëtar) mu ngjall edhe një herë një pikëpyetje që ngrihet ne rrethet gazetareske mbi Kryeministrin. Pikëpyetja është se çfarë dominon në projektet Rama të shembjes së monumenteve të kulturës si Stadiumi e Teatri: babëzia e hajdutit  që kërkon të ketë sa më shumë para për pushtet dhe pushtet për para apo sëmundja e narçizistit delirant e mitoman që mendon se historia fillon me të?
Ka që ngulmojnë se duhet ta harrojmë delirin dhe historinë.
Shikoni Komunën e Parisit! - të thonë ata. Aty Rama ka pasur mundësi ta fillojë historinë nga zeroja sepse ishte një terren i virgjër  ku mund të shfaqte krejt ambiciet, dashurinë dhe vizionin e tij për qytetin - sikur ta kishte - dhe ja se çfarë shëmtie ka bërë. Shikoni prishjen e tërë atyre vilave historike tek Blloku, tek rruga e Elbasanit etj. për të ngritur atje ndërtesa banale me të vetmin kriter: sa më shumë sipërfaqe shitjeje në gjerësi dhe lartësi.   Ju duken të bukura ato, ju duket se kanë ndonjë pretendim për të bërë histori, përveç historisë së shëmtimit të këtij qyteti? Mirëpo në këtë pikë partizanët e delirit, që nuk e mohojnë hajdutin brenda tij, ndërhyjnë e thonë se politikanë hajdutë ka pasur dhe ka Shqipëria, por askush nuk ka arritur deri tek shembja e objekteve të tilla si Teatri apo Stadiumi. Këtu ka diçka më tepër - të thonë ata - dhe të kujtojnë atë argumentin e Vangjush Dakos kur tha se Veliera po bëhet për turistët që do të vijnë pas treqind vjetësh të vizitojnë Durrësin.
Personalisht kam mëdyshje mbi atë se çfarë dominon tek Rama, babëzia e firmës së betonit Rama/Gjushi, apo megalomania e narçizisit manipulator e mitoman që pandeh se po le gjurmë në histori. Madje them se nuk ka kuptim të kërkosh se cila dominon sepse ato janë tashmë dy anë të medaljes ku asnjëra nuk bën dot pa tjetrën.  Por një gjë di të them me siguri nisur nga ajo historia që Rama po e përsërit ngase nuk do dhe nuk di të mësojë prej saj. Gjëra të bukura mund të bëjë edhe një i sëmurë narçizist megalloman, por kurrsesi kur sëmundja bashkohet me kalkulimin për të vjedhur dhe me injorancën.
Në emisionin Opinion të së enjtes gazetarët e ftuar u morën jo aq sa duhet me synimin për të vjedhur në projektin e Teatrit. Për të ilustruar tezën time do të thoja se ato kullat "Fusha" prapa, që kanë synim vjedhjen, dëmtojnë estetikisht edhe vetë projektin "Flutura" të danezit sepse i marrin dritën frymën dhe hapësirën për të cilën ka nevojë; dhe fakti që Rama nuk shqetësohet fare për këtë përforcon tezën e atyre që thonë: harrojeni delirin shikoni vetëm vjedhjen. Debati u përqendrua më shumë tek pjesa kulturore e projektit: tek nevoja apo jo e ruajtjes së ndërtesës historike. Dhe pikërisht këtu Rama shpalosi injorancën e tij të thellë, që, bashkë me vjedhjen nuk mund te lerë kurrsesi të bëjë gjëra të bukura.
Do të ndalem vetëm në dy momente.
I pyetur nga Fevziu se me çfarë argumenti një objekt si
Teatri Popullor është futur në monumentet e kulturës në vitin 2000 dhe tani është hequr për t'u shembur Edi Rama u përgjigj se që nga ajo kohë kanë kaluar 20 vjet. Kjo përgjigje (pa përgjigje) nuk mund të jepet pa qenë "profondamente ignorante" (thellësisht injorant) siç e ka pas cilësuar dikur një ish këshillëtare e tij me profesion arkitekte. Kryeministri që ka qenë edhe kryetar bashkie edhe ministër kulture nuk e paska mësuar ende se lista e objekteve që futen në trashëgiminë kulturore nuk vjen duke u pakësuar, por duke u shtuar, në një qytet  që nuk sundohet nga talebanët, sepse historia ecën përpara çka do të thotë se sot, psh. ne kemi nevojë të shpallim monumente kulture edhe shumë objekte të kohës së socializmit ndërkohë që ata më të vjetrit bëhen edhe më të çmuar ashtu si vera e mirë. Jo vetëm, por kryeministri na nxori qartë se ai paska hequr si monument kulture edhe godinën e ish Komitetit Qendror edhe Piramidën (duke lënë vetëm asfaltin e bulevardit) sepse paska ndërmend t'i transformojë duke i vënë të parit një kapuç të madh mbi kokë  dhe të dytit shkallë për të luajtur fëmijë duket sipas projektit të Vini Mass.  A dominon babëzia apo sëmundja psikike në këtë punë për mua s'ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që këtu kemi të bëjmë me një padituri të thellë edhe emocionale edhe racionale mbi rëndësinë e monumenteve të kulturës.  
E kjo lidhet me një tjetër padituri që manifestoi Kryeministri në emisionin e të enjtes duke respektuar gjatë gjithë debatit "këshillën" e Mark Twenit: "Gjithshka për të cilën ke nevojë në këtë jetë është injoranca dhe besimi; dhe atëhere suksesin e ke të garantuar."
Kur gazetarët i thanë se ka prishur një monument kulture (duke folur për Stadiumin) ai u përgjigj: "monument kulture ka qenë i gjithë ansambli jo thjesht Stadiumi". Sipas kësaj diturie  nëse i heqim një copë një monumenti kulture ai nuk u cënokërka. Më pas, për të demaskuar deri në fund veten, sipas atij parimit se po tu prish karakteri të zbehet edhe inteligjenca, filloi të thotë se ai nuk e ka prishur objektin e Bozios, pasi fasadën, që qenkërka e vetmja gjë me vlerë e objektit, e paskan futur brenda stadiumit: "siç i bëjnë italianët nga të cilët unë mësoj kurse ju nuk mësoni" shtoi ai duke përqeshur gazetarët.
Nuk dua të flas këtu për faktin se për të shembur një objekt të mbrojtur me ligj minimalisht duhet të ndryshosh më parë ligjin që e ka bërë atë objekt të mbrojtur. Këtë shpresoj se do të vijë dita kur një drejtësi vërtet e pavarur do ta ketë objekt të hetimeve të veta. Dua të theksoj edhe një herë aspektin e paditurisë së kryeministrit tonë.
Një nga gjërat më elementare që duhet të dijë një ish ministër kulture dhe një ish kryebashkiak, kur flet për monumentet e kulturës, është fakti se ka një rregullore që  mbron objektet që janë monument kulture ku, midis të tjerave, përcaktohen edhe largësitë (prej tyre) që duhen ruajtur në mënyrë që ata të mund të rrezatojnë vlerën e tyre për të cilën ruhen, bukurinë e tyre. Kurse ky me Casamontin e tij na e paska futur brenda stadiumit të ri fasadën e vjetër sikur të jetë ndonjë lodër që e lëviz në shtëpinë e tij. Edhe diçka tjetër: ku i paska parë ky dhe Casamonti këtë veprime në Itali me monumentet e kulturës. Në Firencen e Casamontit stadiumi Artemio Franchi, ku luhen ndeshjet e Fiorentinës, është i vitit 1931 dhe konsiderohet simbol i arkitekturës së shekullit XX në qytet. Dhe është jashtë qendrës historike. Kurse në qendër, kur një kryebashkiak pati idenë të ndryshojë pak daljen e prapme të galerisë Uffici, për të vendosur atje një si tip strehe, sipas projektit të një arkitekti të njohur japonez, u ngritën gjithë njerëzit e artit dhe e ndaluan.
"Nuk ka gjë më të tmerrshme sesa injoranca në veprim" thotë Gëtja. Shtojini kësaj edhe babëzinë për të vjedhur të Ramës dhe oligarkëve rreth tij edhe sëmundjen e pashërueshme të delirit të atij që mendon se historia fillon me të dhe imagjinoni se si do të katandiset Tirana, që edhe kështu është bërë e pashikueshme dhe e pabanueshme. (Panorama, 22 shtator 2018)